2011-01-23

Prof. Isa Bajçinca : SHQIPJA STANDARDE DHE PROBLEME RRETH SAJ

  
 Prof. Isa Bajcinca



I. Gjuha shqipe dhe çështja e standardizimit


Gjuha letrare a standarde

Popuj të ndryshëm, në një shkallë të caktuar të zhvillimit të tyre historik, në kohën e ndërtimit të marrëdhënieve ekonomike e shoqërore, që karakterizojnë një shkallë të lartë të organizimit politik e kulturor, kanë ndier nevojën për të krijuar një formë të veçantë të gjuhës kombëtare, e cila të përdorej në shumë sfera të jetës si mjeti më i përhapur i komunikimit, dhe këtu nuk bëhet fjalë për një komunikim çfarëdo, po për një komunikim, do të thoshim të kulturuar – në fushën e letërsisë, të dijes përgjithësisht e në jetën politiko-shoqërore. Pikërisht kjo formë e gjuhës, e krijuar në mënyrë të ndërgjegjshme e mbi forma të tjera të gjuhës, të cilat gëzonin ndonjë respekt e epërsi të veçantë ndaj të tjerave forma, - ndër popuj të qytetëruar është emërtuar gjuhë letrare, po e njohur edhe me të tjera emërtime – gjuhë e kulturës, gjuhë e përgjithshme, gjuhë kombëtare etj. Kjo, sidomos nga gjysma e dytë e shekullit që shkoi, ka zënë të emërtohet gjuhë standarde.
Fillimisht do të jetë quajtur gjuhë letrare (dhe kështu vazhdon të quhet ende në ditët tona në shumë mjedise në kulturën tonë), pra fillimisht do të jetë quajtur kështu, sepse ajo lidhej ose pandehej të kishte një lidhje shumë të ngushtë me letërsinë … Le ta themi se nocioni letërsi më përpara përdorej për të shënuar gjithë krijimtarinë dhe jo vetëm atë letrare. Po emërtimi i kësaj forme të gjuhës del të duket edhe më shumë i lidhur me letërsinë sidomos në disa gjuhë evroperëndimore e sllave (krahaso: gjerm. – Literatursprache, rus. – Literaturnij jazek e të tjera), sa kohë që as në shqipen nocioni literaturë nuk është i panjohur…
Ndoshta duhet të theksojmë se Fjalori i shqipes së sotme (Tiranë 1984, f. 391) jep këtë përkufizim për gjuhën letrare: (Gjuha letrare është) “forma më e përpunuar e gjuhës së një populli, e cila ka norma të caktuara, të ngulitura në të shkruar e në të folur dhe arrin njësimin më të lartë në kohën e krijimit të kombeve e të shteteve kombëtare”.
Nuk ka asnjë dyshim se gjuha letrare fushën më të përshtatshme dhe mundësitë më të mëdha të pasurimit i gjen pikërisht në krijimtarinë letrare, dhe kjo për dy arsye që janë përgjithësisht të njohura: E para, shkrimtarët janë njohësit më të mirë të thesarit gjuhësor dhe përdoruesit mjeshtërorë të këtij thesari, madje duke mbajtur parasysh gjithë përdorimet, qoftë në krijimtarinë popullore dhe qoftë në krijimtarinë e shkrimtarëve paraardhës; E dyta, sepse pikërisht në letërsinë gjuha gjen realizimin e të gjitha potencialeve e të zhdërvjelltësisë deri në shkallën e përdorimit figurativ e të përmbysur të elementeve të veçanta gjuhësore e të lidhjeve nga më të pasurat të mundshme në njësi të ndryshme gjuhësore, sidomos në fushën e fjalëformimit dhe të ndërtimit të marrëdhënieve sintaksore …
Megjithëkëtë, në letërsi, pra në një vepër letrare, krahas elementeve të standardizuara, autori mund të përdorë, dhe zakonisht përdor, edhe fjalë e njësi frazeologjike të marra nga dialekte të ndryshme të gjuhës, ndonjëherë edhe fjalë e shprehje arkaike a të një periudhe të shkuar të historisë, të cilat kanë kaluar në klasën e barbarizmave, e të tjera, që shkrimtari do t’i përdorë për të karakterizuar personazhe të një konteksti të caktuar historik, politik e kulturor, ose edhe për të shënuar luftën dhe dallimet midis brezave a klasave shoqërore në një të kaluar të afërt a të largët. Ndoshta edhe ky do të jetë një nga shkaqet pse në vend të emërtimit gjuhë letrare, ka zënë të përdoret, sidomos në kulturën evroperëndimore, nocioni gjuhë standarde ose standard gjuhësor.
Nuk dua të zgjerohem më shumë lidhur me nocionin gjuhë standarde, sepse, sikur është e ditur, në të gjitha fushat e jetës moderne, ngado të sillesh, do të ndeshesh me standarde e me norma të ndryshme që duhen respektuar, shkelja e mosrespektimi i të cilave shkakton gjithmonë kokëçarje … Thënë shumë shkurt, është quajtur kjo - gjuhë standarde, sepse në të mund të përdoren dhe/ose lejohen të përdoren dhe/ose vlerësohen të drejta për t’u përdorur vetëm elemente gjuhësore të standardizuara, duke nisur që nga shqiptimi i fonemave e morfemave, përmes përdorimit të formave gramatikore e deri tek drejtshkrimi e përdorimi i njësive sintaksore në frymën e standardit gjuhësor të caktuar.


Disa nga tiparet e gjuhës standarde

Gjuha standarde, le ta quajmë edhe letrare (ne nuk do t’i dallojmë, megjithëqë ato edhe mund të dalloheshin për disa funksione ose edhe për ndonjë tipar të parëndësishëm), gjuha standarde pra, krahas shumë tipareve, sidomos gjuhësore, të përbashkëta me format e tjera të gjuhës, karakterizohet nga disa tipare, të cilat e bëjnë të funksionojë si një sistem më vete dhe si një formë e veçantë e gjuhës. (Do të theksoja këtu në parantezë arsyen pse e kam dalluar me shkronja të zeza shprehjen “karkaterizohet nga disa tipare” dhe pse po e vë në dukje edhe një herë: Këtë po e bëj, sepse në shqipen {ta quaj kushtimisht} standarde që përdoret këtu ndër ne – në Kosovë, pothuaj nga të gjithë, përdoret gabimisht – dhe nga ndikime të gjuhëve të tjera {mbase edhe nga sllavishtja!} shprehja “karakterizohet me disa tipare”!)
Tipari i parë i gjuhës standarde është se ajo formohet në mënyrë të ndërgjegjshme, që të shërbejë për komunikimin në rrafshin kombëtar ose në një rrafsh tjetër çfarëdo, të një komuniteti, në të cilin nuk mund t’i përmbushte kërkesat asnjë nga format e tjera (dialekti, e folmja, ndonjë trajtë më e hershme e shkruar, e dëshmuar historikisht) e të tjera. Natyrisht, për nga ky tipar, gjuha standarde pjesërisht përputhet me variantet standarde eventuale që mund të ketë pasur një gjuhë, dhe kjo sepse edhe variantet krijohen në mënyrë të ndërgjegjshme dhe po ashtu kryejnë funksione marrëdhëniesh të kulturuara, do të thoshim, për një bashkësi më të madhe sesa dialektet e të tjerat forma organike të gjuhës. Do të mjaftohem të theksoj se variantet e një gjuhe letrare janë shfaqje tipike në rastet kur dy e më shumë bashkësi etnike (popuj), edhe shtete, kanë një gjuhë të përbashkët standarde, sepse, për të dëshmuar një identitet tjetër – të vetin, të veçantë (historik, kombëtar, etnik …) nga një tjetër komunitet, ato krijojnë variante, dhe kjo bëhet në mënyrë të ndërgjegjshme e me synime të përcaktuara shumë qartë…
Sa kohë që standardi formohet në mënyrë të ndërgjegjshme, menjëherë mund të bënim fjalë për tiparin e dytë, që është ky: standardi është gjithnjë rezultat, përfundim i marrëveshjeve, i bashkimit të pikëpamjeve dhe i vendimeve që merren për elemente leksikore e fjalëformuese, për dukuri fonetike e morfologjike, për dukuri sintaksore e të tjera dhe për drejtshkrimin e drejtshqiptimin… Mbi këto pikëpamje e marrëveshje hartohen parimet themelore, të cilat më pastaj do të ndiqen në të gjitha nënsistemet e gjuhës, për se do të shkruhen rregulla të veçanta, të cilat do të bëhen të detyrueshme për të gjithë, sidomos në ligjërime të veçanta dhe në institucione të rëndësishme arsimore, kulturore, shkencore, në administratë dhe në krijimtarinë letrare e në medie të ndryshme.
Tipari i tretë është një shkallë shumë e lartë e përpunimit në të gjitha nënsistemet, që këtë formë të gjuhës e bën shumë më të zhdërvjellët dhe më të hapur për një pasurim të vazhdueshëm të saj, qoftë me fjalë e me njësi të tjera gjuhësore – marrë nga ish-variantet eventuale, nga dialektet a të folmet e gjuhës, ose edhe nga gjuha e shkrimtarëve a autorëve të tjerë të përparshëm (të vjetër), dhe qoftë me fjalë të huaja e me ndërtime sintaksore ose edhe të fjalëve të reja, duke ndjekur modele të gjuhëve të huaja, veçse kurdoherë duke mbajtur parasysh dy parime që nuk bën të shkelen asnjëherë: fjala e huaj ose ndërtimi i ri sintaksor - të mos kenë përgjegjëset e tyre në gjuhën (ta themi shqipe, sepse flasim për shqipen), ose të japin ngjyrime çfarëdo që ato të shqipes nuk i përmbushin; dhe, e dyta, fjala e huaj t’u shtrohet rregullave (jo gjithmonë) edhe të shqiptimit, po sidomos patjetër rregullave gramatikore të gjuhës marrëse, do të thotë të shqipes.
Vështruar në këtë kënd, nuk do të thoshim që të gjitha fjalët dhe ndërtimet gjuhësore të huaja a nga ndikime të gjuhëve të huaja, që përdoren sot në gjuhën shqipe – përmbushin këto dy kritere.
Tipari i katërt i gjuhës standarde është një shkallë e lartë e njësisë në të gjitha nënsistemet, dhe kjo vlen sidomos për drejtshkrimin dhe për rregulla të veçanta gramatikore. Këto gjëra edhe përcaktohen në një mënyrë shumë të qartë në botime të veçanta, siç janë fjalorë (drejtshkrimorë e normativë të gjuhës ose dygjuhësh), libra drejtshkrimi, gramatika të ndryshme normative, tekste shkollore e shkencore, revista me destinime të veçanta e të tjera botime, ku bëhet fjalë ose ku zbatohet në një shkallë të lartë standardi. (Në disa shtete, veprojnë edhe ligje të veçanta, të cilat mbrojnë standardin dhe gjuhën kombëtare përgjithësisht, sidomos nga fjalë e ndikime të huaja.)
Tipari i pestë është pasuria e saj (e gjuhës standarde) dhe pasurimi i vazhdueshëm, sidomos për funksione të veçanta në jetën publicistike, letrare e shkencore. Këtu një segment të veçantë e shumë të rëndësishëm përbën terminologjia e shumëllojshme dhe shumë e pasur që përdoret në të gjitha fushat e dijes. Pasurimi i standardit në këtë sferë është sidomos i nevojshëm për gjuhë standarde të ndodhura në një situatë kulturore dhe politike, siç është shqipja, qoftë për faktin se në procesin e ndërtimit të marrëdhënieve demokratike në të gjitha fushat e jetës, kanë dalë kërkesa për të tjera nocione, qoftë për shkak se në Kosovë është në ndërtim e sipër sistemi i ri i administratës, i politikës dhe i ekonomisë së një vendi të pavarur, dhe qoftë për shkak se shqipja në Kosovë ndodhet ballë për ballë me gjuhë e me kultura të mëdha, në radhë të parë me anglishten.
Ka edhe të tjera tipare për të cilat mund të bënim fjalë, po duket që edhe këto sa u thanë, japin një pasqyrë mjaft të qartë për tiparet e kësaj forme të rëndësishme të gjuhës në rrafshin kombëtar.

Fare shkurt - si u krijua standardi i shqipes

Nuk do të thosha asgjë të re, po të konstatoja se shqipja bën pjesë në grupin e gjuhëve që kanë marrë një zhvillim të hovshëm në fushë të shkrimit shumë vonë, prandaj edhe veprimtaria për themelimin ose standardizimin e shqipes ka nisur mjaft vonë. Arsyet dihen pothuaj nga të gjithë dhe janë pasojë e drejtpërdrejtë e pushtimit për një kohë të gjatë të viseve shqiptare nga të huajt, të cilët ndalonin gjithsesi përparimin kulturor të shqiptarëve, që do të thotë patjetër edhe zhvillimin e shkollës në gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj.

Nuk do të përmend këtu përpjekjet e autorëve të vjetër të mesjetës së vonë, sepse zhvillimi i shkrimit shqip prej tyre, pati një ndërprerje për një periudhë të gjatë, pastaj as shkrimet me alfabetin arab dhe as shkrimet në arbërishten (nga shkrimtarë arbëreshë), të cilat nuk kishte si të luanin ndonjë rol të drejtpërdrejtë për shqipen, pavarësisht nga rëndësia e tyre, dhe as shkrimet e mëvonshme deri tek Kristoforidhi e shkrimtarët e gjysmës së dytë të shekullit XIX. Kjo sepse qenë këta të fundit që, me shkrimet e tyre, me shkallën e njohjes dhe të pasurimit të shqipes, si dhe me përpunimin e saj, - do të krijonin parakushtet për themelimin e shqipes letrare. Në këtë rrugë, nuk ka asnjë dyshim që, sidomos veprimtaria e shoqatave e klubeve shqiptare në atë periudhë (Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip e Stambollit, shoqëritë “Agimi” e “Bashkimi” të Shkodrës, klubi i Manastirit e ndonjë tjetër), në përpjekjet për themelimin e alfabetit të shqipes, do të shtronin edhe probleme të veçanta të shqipes letrare. Këto më pastaj do të vazhdonin me shkrimet për gjuhën shqipe nga intelektualë si Ndre Mjedja, Faik Konica, Aleksandër Xhuvani e të tjerë.
Megjithëkëtë, prova e parë për të standardizuar në njëfarë shkalle gjuhën shqipe, do të bëhej në vitet 1916/17 nga Komisija Letrare Shqipe e Shkodrës, e cila, afro dhjetë vjet pas themelimit të alfabetit të shqipes në Manastir, do të arrinte të hartonte Ortografinë e parë të shqipes. Ajo komisi shtronte për të parën herë çështjen e zgjedhjes së dialektit që do të shërbente si bazë, mbi të cilën do të krijohej shqipja standarde, e cila asokohe shkruhej në dy a tri variante: toskërishtja letrare, gegërishtja e ashtuquajtur e mesme letrare (me fare pak shkrime) dhe shkodranishtja letrare. Siç është e ditur, Ortografia e Komisisë Letrare të Shkodrës ishte ngritur mbi bazë të gegërishtes së mesme dhe, sado që kjo formë letrare nuk do të bëhej e vetmja, sepse do të vazhdonte përdorimi dhe lëvrimi i mëtejshëm i toskërishtes letrare, sidomos në fushë të letërsisë, dhe i shkodranishtes letrare (nga disa autorë), - do të vazhdonte të zhvillohej e të zbatohej në administratë, në tekste shkollore dhe nga disa shkrimtarë. Pas daljes nga Lufta e Dytë Botërore…, gjuha shqipe u ndodh në një situatë të re, shumë më të favorshme, qoftë falë zgjerimit të sistemit të arsimit dhe një hovi të ri që merrte letërsia dhe kultura përgjithësisht në Shqipëri, dhe qoftë falë njëfarë lirie për shkollën, arsimin e librin shqip në Kosovë e në viset e tjera shqiptare, që asokohe ndodheshin në ish-Jugosllavinë. Në Veri të Shqipërisë dhe në Kosovë e në viset e tjera jashtë Shqipërisë, vazhdoi të përdorej varianti i gegërishtes së mesme letrare, kurse në Jugun e Shqipërisë dhe në institucionet qendrore politike, ushtarake, ekonomike, arsimore e të tjera – përdorej kryesisht toskërishtja letrare. Në këtë fazë të zhvillimit të kulturës kombëtare, të arsimit e të letërsisë, u shtrua kërkesa për themelimin e një forme të vetme, që do të thotë e krijimit të shqipes , që në diskutimet asokohe quhej gjuhë, herë e unjisuar, herë e unifikuar dhe më vonë e njësuar letrare. Për këtë qëllim qenë organizuar dy sesione shkencore (1952 e 1953 në Tiranë) me rezultatin Ortografia e gjuhës shqipe e vitit 1956 dhe njësoj qe vepruar edhe në Prishtinë më 1957 e 1963, kur qenë hartuar edhe ortografi të gjuhës shqipe. Për shkallën e mbështetjes teorike e praktike të kodifikimit, dhe më pastaj të zbatimit për një periudhë, shquhej sidomos Ortografia e gjuhës shqipe (Prishtinë 1964). Kjo ishte gjendja e përdorimit të variantit të gegërishtes letrare, kurse në Shqipëri përdorej kryesisht varianti i toskërishtes letrare, krahas gegërishtes -kryesisht në letërsi nga autorë të Veriut.
Në vitin 1967 Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Tiranës, në përpjekjet për njësimin e shqipes letrare, botoi një projekt të Rregullave të Drejtshkrimit të Shqipes, ku për herë të parë nuk kishte forma të veçanta për toskërishten dhe të veçanta për gegërishten letrare (sikur veprohej më përpara) dhe ato rregulla u hodhën në diskutime të gjera publike – në institucione shkencore, arsimore e në qarqe letrare e të tjera, ku t’u bëheshin vërejtje ose të miratoheshin ashtu si ishin. Edhe në Prishtinë, në një mbledhje të gjerë shkencore, e cila njihet si Konferenca Gjuhësore e Prishtinës (1968) objekt diskutimi u bënë ato rregulla me temën qendrore: të njësohej shqipja apo të vazhdonte përdorimi i variantit të gegërishtes letrare. Pas shumë diskutimesh të mbështetura, konferenca dilte me konkluzat se “populli shqiptar është një, dhe gjuha letrare shqipe duhej të ishte një, e përbashkët”.
Pasojë e gjithë këtyre veprimeve kulturore qe organizimi i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, që u mbajt në Tiranë në nëntor 1972, ku merrnin pjesë një numër i madh delegatësh – studiues, shkrimtarë, punonjës kulture e profesorë (gjithsej 87 - 11 prej të cilëve nga viset shqiptare në ish-Jugosllavinë dhe dy-tre arbëreshë e të huaj). Pas një diskutimi të gjerë e të gjithanshëm të të gjitha çështjeve lidhur me shqipen letrare dhe sidomos me drejtshkrimin, aty nxirreshin konkluzat, mbi të cilat do të hartoheshin më vonë të gjitha botimet gjuhësore normative (fjalorë, gramatika e libra shkollorë) dhe kështu, do të thoshim, merrte fund procesi i themelimit ose, më drejt, i njësimit të shqipes standarde.


Cili variant përdorej asokohe në Kosovë dhe a mund të përdorej ndonjë tjetër
variant letrar?

Sikur u theksua edhe më përpara, në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore qe përdorur varianti i gegërishtes letrare të mesme dhe jo varianti i shkodranishtes letrare, i cili në disa elemente ishte më i afërt me kosovarishten (apo dibrano-kosovarishten, sikur e quanin në disa qarqe politike menjëherë pas luftës), nëse mund ta quajmë kështu shqipen dialektore të viseve shqiptare në ish-Jugosllavinë. Zbatimi i variantit letrar që përmendëm, qe lehtësuar mjaft nga fakti se një numër i madh i mësuesve e profesorëve të ardhur nga Shqipëria pas luftës (disa kishin ardhur edhe gjatë luftës), e kishin bërë shkollën me atë gjuhë dhe e zotëronin shumë mirë. Disa nga intelektualët e ardhur nga Shqipëria punonin edhe në shtëpi botuese të librit e në gazetën e vetme (“Rilindja”), po edhe në ndonjë revistë ose në organe drejtuese të arsimit. Kjo përbënte një bazë të mirë për zotërimin e këtij varianti letrar, ndonëse, sidomos në gramatikë, në krahasim me shqipen e këtushme dialektore, kishte mjaft dallime. Dallime kishte edhe në shqiptim, sidomos për shkak të zanoreve hundore karakteristike për këto të folme.
Kjo situatë do të ndryshonte e do të rëndohej shumë nga fundi i vitit 1948, kur shumë nga mësuesit dhe intelektualët e tjerë (për shkak të mosmarrëveshjeve politike Shqipëri-Jugosllavi e atëhershme) qenë detyruar të ktheheshin në Shqipëri.
Në këtë gjendje, gjithë veprimtarinë arsimore, kulturore e botuese do ta merrnin forca intelektuale të këtyre viseve, të shkolluara fare pak në Shqipëri e më shumë në shkolla në gjuhën serbe; ata, ndonëse do të bënin përpjekje për të kryer si duhej, shumë nga detyrat që shtroheshin para tyre në fushë të kulturës, nuk mund të bënin shumë në kultivimin e shqipes. Natyrisht, edhe një numër i madh i mësuesve e mësimdhënësve të tjerë asokohe ishin pa kualifikime të mjaftueshme.
Do ta përfundoj këtë pjesë duke theksuar një fakt që duhet të mbahet gjithmonë parasysh: Në vitet ’50 e ’60 të shekullit të kaluar, në Kosovë do të ishin intelektualët gjysmë të arsimuar (gazetarë, përkthyes dhe ndonjë shkrimtar), që, krahas njëfarë kontributi për mësimin e shqipes, do t’i bënin një shërbim shumë të keq gjuhës shqipe: Ata do të fillonin të përdornin, sidomos në shkrim, një shqipe kryesisht të përkthyer nga serbishtja, me fjalët shqipe po me mënyrën e të menduarit dhe me krijime njësish sintaksore tepër shpesh në frymën e serbishtes (gjuhë e pushtetit dhe e prestigjit asokohe)! Pasojat e gjithë kësaj do të jenë shumë të mëdha. Disa sosh i zënë frymën shqipes standarde të përdorur në Kosovë edhe në kohën tonë, ndonëse brezat e rinj as që e dinë serbishten!

A duhej standardizuar shqipja patjetër dhe, nëse duhej, cila ishte arsyeja?

Lidhur me këtë çështje, e quaj të arsyeshme të vë në dukje dy gjëra që ndikuan me forcë në përshpejtimin e procesit të standardizimit e të njësimit të shqipes. E para, variantet e shqipes standarde në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar kishin arritur një shkallë të lartë të përpunimit, po edhe të njësimit në shumë segmente, sidomos në morfologji, në leksik e në fjalëformim. Kishin mbetur për t’u përballuar vetëm disa dallime në fushë të fonetikës dhe ndonjë dallim në fushë të sintaksës, shumë më pak në fushë të leksikut. Fjalën e kam për përdorimin e gjerë të formës së pashtjelluar të paskajores së tipit me ba, me ardhë, në variantin e gegërishtes letrare, natyrisht krahas trajtave të lidhores, tipike për toskërishten, po në shumë përdorime edhe për gegërishten e mesme letrare. E dyta, shqiptarët në Kosovë, në saje të disa ndryshimeve, për atë kohë pozitive politike, dhe të një hovi të ri që kishin marrë sidomos në disa sfera të jetës – patjetër në arsimin, në kulturën dhe në administratën shtetërore, - mund të bëheshin një faktor me ndikim në çështje të gjuhës, dhe kjo edhe për faktin se ndodheshim në prag të formimit të universitetit, krahas institucioneve të arsimit të lartë, si fakultetet e ndryshme, shkollat e larta pedagogjike, Instituti Albanologjik e të tjera, kështu që bashkimi kombëtar në rrafshin kulturor ishte bërë çështje muajsh a vitesh dhe një nga synimet e mëdha në rrafshin kombëtar…
Për sa i përket domosdoshmërisë së standardizimit të shqipes, duhen mbajtur parasysh dy momente shumë të rëndësishme: E para, popujt e qytetëruar, sidomos të Evropës, që të gjithë kanë krijuar gjuhët e tyre standarde të njësuara dhe, e dyta, shqiptarët si një popull me një gjuhë, me një histori, me një kulturë, me aspirata të përbashkëta për shumë dhjetçvjetçsha dhe me synimin për të ruajtur këto njësi, - gjithsesi duhej të njësonin edhe gjuhën e vet, e cila të shërbente si mjeti i vetëm i komunikimit në shkallë kombëtare për të gjithë, pavarësisht nga ndarjet, le të kenë qenë politike apo dhe dialektore.
Për të përmbyllur këtë çështje, do të thosha se kërkesa për themelimin e një gjuhe të përbashkët, ose, më drejt, kërkesa për njësimin e gjuhës letrare shqipe (sikur thuhej asokohe), ishte një veprim i drejtë e i dobishëm kulturor e politik i kohës në shkallë kombëtare, dhe kjo as që mund të vihej në dyshim. Megjithëkëtë, mënyra, rruga që do të ndiqej në procesin e këtij njësimi, përbën një çështje tjetër, e cila mund të shtrohet e të diskutohet edhe në kohën tonë. Veçse kjo nuk do të thotë të përmbyset ajo që është arritur, po, eventualisht, të studiohet mbështetësia gjuhësore, kulturore dhe politike e njësimit të shqipes dhe të rishikohen mundësitë për hapjen e standardit për të thithur pasurinë e tërë shqipes, - një kërkesë kjo edhe në Konkluzat e Kongresit të Drejtshkrimit.


Kongresi i Drejtshkrimit më 1972 - Si u shtrua dhe si u bë njësimi i shqipes?

Tashmë dihet nga të gjithë ata që do të kenë lexuar qoftë edhe fare pak shkrime që kanë të bëjnë me rrugën që ka ndjekur shqipja për standardizimin e saj, se, krahas Kongresit të Manastirit më 1908, kur u themelua alfabeti i shqipes, ngjarja tjetër, mbase më e madhja kulturore shqiptare, ka qenë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, mbajtur në nëntor 1972 në Tiranë.
Po të donim të jepnim një pasqyrë të shkurtër të veprimtarive kulturore që i paraprinë mbajtjes së këtij kongresi, kujtoj se do të mjaftoheshim të përmendeshin këto:

E para, krahas kërkesës për njësimin e shqipes, që po shtrohej gjithnjë e më zëshëm në qarqe kulturore, shkencore, politike e letrare, është një fakt i pamohueshëm se të ashtuquajturat variante letrare të shqipes standarde që përdoreshin, pothuaj barabarësisht në letërsi, po me një epërsi të theksuar të toskërishtes letrare në fusha të tjera të jetës kulturore – arsimore, shkencore e publicistike - në Shqipëri, dhe me një përdorim të përgjithësuar të variantit letrar të gegërishtes në Kosovë e në vise të tjera shqiptare në ish-Jugosllavinë, - sidomos në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar kishin arritur një shkallë mjaft të lartë afrimi, madje edhe njësimi të plotë në shumë nënsisteme, dhe kjo sidomos në gramatikë (veçanërisht në morfologji), në leksik e në fjalëformim. Në këto kushte, shtrohej nevoja të kapërceheshin disa dallime në sferën e fonetikës, ndonjë çështje morfologjike që lidhej me dallime fonetike, dhe përdorimi i formës së pashtjelluar të paskajores me ardhë, me ba në gegërishten letrare, sa kohë që ajo nuk përdorej në asnjë mënyrë në toskërishten letrare;
E dyta, në Kosovë dhe në të tjera vise shqiptare këtej kufirit shtetëror Shqipëri-ish-Jugosllavi, ishin krijuar kushte të volitshme dhe sikur mbretëronte ideja se kishte ardhur koha për të realizuar një nga aspiratat që për një kohë të gjatë kishte qenë nga synimet e figurave më të ndritura kombëtare – për të përfunduar procesin e gjatë të njësimit të shqipes letrare. Kjo gjendje do të përbënte një nga shtysat shumë të fuqishme për të marrë disa nga veprimet e domosdoshme në këtë drejtim, do të thotë për të vepruar drejt njësimit të shqipes;
E treta, u nxorën për diskutime të gjithanshme në qarqe shkencore, letrare e kulturore “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (Projekt), hartuar nga një grup studiuesish të njohur të kohës, në Shqipëri në vitin 1967;
E katërta, forcat drejtuese shkencore e kulturore (po edhe politike pse jo) të Kosovës, disa muaj pas botimit të kësaj vepre, në prill 1968, do të organizonin një diskutim të gjerë në një veprimtari shkencore, që u bë e njohur në historikun e kulturës shqiptare si Konferenca Gjuhësore e Prishtinës. Në atë konferencë, organizuar nga Katedra e Gjuhës Shqipe e Fakultetit (atëherë Filozofik) të Prishtinës, dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës, në të cilën merrnin pjesë studiues të shqipes, redaktorë botimesh, mësues të gjuhës e të letërsisë, gazetarë, punonjës kulture e të tjerë intelektualë shqiptarë të kohës (nga të gjitha qendrat kulturore, arsimore e shkencore shqiptare këndej kufirit / si thuhej atëherë). Aty, pas një diskutimi të gjithanshëm, u mor një nga vendimet me rëndësi të madhe në rrafshin e njësisë kulturore kombëtare – se gjuha letrare shqipe duhej njësuar dhe se edhe në këto vise do të përdorej si variant letrar në veprimtarinë arsimore, kulturore, shkencore, në gazetari e të tjera – forma që ishte bërë publike përmes “Rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (Projekt), sigurisht në mënyrë që, pasi të merreshin vendimet përfundimtare për standardizimin e shqipes, - ato të bëheshin të detyrueshme edhe për intelektualët e për punonjësit e kulturës ndër këto vise.
E pesta, si në Shqipëri, si në Kosovë, për afro pesë vjet, u organizuan shumë simpoziume, konferenca, debate shkencore, tryeza diskutimi e veprimtari të tjera, dhe gjithandej në revista e gazeta u botuan shumë artikuj shkencorë e praktikë për probleme të veçanta teorike e praktike të shqipes, të cilat synonin të sqaronin e të mbështetnin ose të shfaqnin të tjera qëndrime lidhur me çështje të veçanta, nga ato që parashikonte projekti që u përmend.
Këto qenë mbase parakushtet themelore që bënin të mundshme të organizohej Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe më 1972.

Si u shtrua çështja e gjuhës shqipe në këtë kongres dhe cilat qenë disa nga përfundimet e tij?

Vështruar qoftë edhe nga ana e jashtme, po sidomos vështruar mbi bazë të emrave të shkencëtarëve e studiuesve të shqipes që vinin nga të gjitha viset e qendrat më të mëdha të studimeve albanologjike jo vetëm në Shqipëri e në Kosovë, po edhe ndër arbëreshët e Italisë e nga qendra Jashtë, Kongresi i Drejtshkrimit krijonte përshtypjen e një ngjarjeje shumë të madhe shkencore e kulturore në shkallë kombëtare për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe.
Ndonëse kongresi kishte epitetin “i drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, po të mbahen parasysh temat dhe problemet që u shtruan, u rrahën e u diskutuan aty, - ai në të vërtetë ishte një simpozium, një kongres i madh (mbase më i madhi gjatë historisë kulturore kombëtare) i gjuhës shqipe, sepse aty, krahas çështjeve të veçanta të drejtshkrimit, u diskutuan me një mbështetësi shkencore e mbi bazë të studimeve e gjurmimeve për një kohë të gjatë, - probleme të gjuhës shqipe gjithandej në dialektet e të folmet e shqipes, tek autorët e vjetër të shkrimit shqip, në fushë të letërsisë në periudha të ndryshme (dhe sidomos që nga Rilindja e këndej), në publicistikë e në të tjera sfera të përdorimit të shqipes së shkruar. Gjithë kjo me synimin e vetëm që, vendimet që do të merreshin, të dilnin sa më të mbështetura shkencërisht e më praktike, dhe të ngritura mbi traditën e shkrimit të shqipes e mbi prirjet që kishte shfaqur shqipja për zhvillimin e saj në të ardhmen.
Ndër të tjera, aty u diskutuan tema që kishin të bënin me rrugën që kishte ndjekur shqipja e shkruar në zhvillimin e saj (si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë); tema që merreshin me studime të rregullave të veçanta morfologjike (shumësi i emrit, trajtat e foljeve, klasifikimi i tyre, mbiemrat e shqipes, përemrat pronorë e të tjerë); tema në fushë të terminologjisë në të gjitha dijet, që kishin marrë hov zhvillimi atë kohë; tema për leksikun e për fjalëformimin në gjuhën shqipe; probleme të përdorimit të fjalëve me burim të huaj në gjuhën shqipe dhe të shkrimit të tyre; përdorimi i parafjalëve të ndryshme në shqipen e shumë të tjera çështje, që kapërcenin fushën e drejtshkrimit të shqipes.
Përfundimet që merreshin në kongres, u shtruan në një dokument që u quajt Rezoluta e Kongresit, në të cilën vihej në dukje se, “mbi bazë të të gjitha diskutimeve lidhur me shqipen letrare, qoftë para mbajtjes së kongresit dhe qoftë në mbështetje të diskutimeve e qëndrimeve mbizotëruese në punimet e kongresit, gjuha letrare shqipe po dilte e njësuar, dhe për më tutje zbatimi i saj merrte trajtën e detyrimit në jetën arsimore, kulturore e shkencore ndër të gjithë shqiptarët”. Gjithashtu, në saje të diskutimeve për probleme të veçanta, kjo rezolutë përmbante parimet themelore që duheshin ndjekur kur të botoheshin në formë libri rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
Rezoluta përmbante edhe disa qëndrime të tjera që kishin dalë nga punimet e kongresit, të ndryshme nga ato që ishin parashikuar në Projektin që ishte objekt diskutimi. Këto mund të hetohen lehtë, po të krahasohet ai projekt i drejtshkrimit me drejtshkrimin e gjuhës shqipe që dilte nga kongresi.
Krahas këtyre veprimeve, duhet theksuar se aty merreshin edhe vendime për botimin e librave normativë e të literaturës tjetër, që do të ndihmonin përhapjen dhe nxënien në një shkallë sa më të lartë të shqipes së njësuar, në mënyrë që zbatimi i saj të bëhej me një korrektësi sa më të madhe.
Këto do të ishin disa nga përfundimet kryesore të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe.


Si u pritën vendimet e kongresit?

Si në Shqipëri, si në Kosovë, ndoshta edhe në mbarë Botën Shqiptare, nëse mund ta quaj kështu, sigurisht me përjashtim të individëve e ndonjë qendre kulturore, kryesisht në Botën e Jashtme, vendimet e kongresit u pritën si një arritje e madhe jo vetëm në fushë të kulturës kombëtare.
Publiku në Kosovë, mund të thuhet lirisht se kjo vlente jo vetëm për intelektualët e punonjësit që lidheshin drejtpërdrejt me përdorimin, me nxënien ose me zbatimin e shqipes së standardizuar, po edhe për punonjës e njerëz të tjerë që kishin në zemrën e tyre përparimin kulturor të shqiptarëve, - vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit, të cilat parakuptonin njësimin e gjuhës standarde, i priti me një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Kjo konsiderohej me të drejtë jo vetëm si realizimi i një prej aspiratave të disa brezave të figurave më të ndritura kombëtare, disa prej të cilave ishin përndjekur e persekutuar pikërisht për shqipen letrare e për shkollën kombëtare, po edhe si një parakusht për bashkimin kulturor e shpirtëror të të gjithë shqiptarëve. Kjo mbase edhe mund të duket e tepërt për botëkuptimin e sotëm dhe për kohën që jetojmë, po në kushtet kur midis Shqipërisë e Kosovës kishte një kufi shumë vështirë të kalueshëm, dhe në të dy vendet kishte sisteme të qeverisjes që dallonin - njësimi në gjuhën përbënte një arritje tepër, tepër të madhe. Kësodore i hapej rruga njësisë së letërsisë, njësisë së shkencës shqiptare dhe njësisë kulturore të të gjithë shqiptarëve. Kjo arritje duhej të sillte edhe një dobi tjetër, e cila nuk është theksuar sa duhet nga askush: E kam fjalën për faktin se me njësimin e shqipes letrare, duhej të ndërpritej statusi i pabarabartë i shqipes standarde në Kosovë përballë serbishtes, që ishte gjuhë zyrtare e një bashkësie shumë të madhe dhe gëzonte prestigj ndaj shqipes. Gjithë kjo duhej pritur të ndikonte në zhvillimin e mëpastajmë të shqipes vetëm në një hulli, të një shqipeje me të vërtetë të njësuar në të gjitha nënsistemet e saj …Veçse, për fat të keq, duhet të themi menjëherë se njësimi i shqipes letrare nuk arriti dot të këpuste lidhjet e ndikimet e serbishtes (sidomos në fushë të sintaksës) mbi shqipen standarde të përdorur në Kosovë …

Pavarësisht nga kjo, përfundimet që nxori Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, dhe vendimet që u bënë të njohura me botimin e Rezolutës në përfundimin e punimeve të kongresit, ashtu sikur në të gjitha viset e tjera shqiptare, edhe në Kosovë u pritën me interesim të madh dhe me një entuziazëm, sidomos në qarqe të caktuara kulturore, letrare e shkencore. Për disa muaj pas kongresit, ndër diskutimet intelektuale të kohës, vendimet e tij zinin një pjesë shumë të madhe. Po kjo ndodhi edhe në gazetën e vetme të asaj kohe (bëhet fjalë për gazetën “Rilindja”), po edhe në disa revista, siç ishin “Zëri i rinisë” “Bota e re” (gazetë e studentëve të Universitetit të Prishtinës), “Jeta e re”, “Përparimi” e ndonjë tjetër.
Gjithashtu duhet theksuar se redaksitë e botimeve gjithfarëshe, dhe sidomos ato të botimit të teksteve shkollore e të letërsisë, iu vunë punës për të botuar ose ribotuar libra e tekste, që do të jepnin një kontribut jo të vogël për përhapjen e shqipes së normëzuar në atë kongres.
Në Universitet, dhe kjo vlen sidomos për degët e studimeve albanologjike dhe në shkollat e larta pedagogjike, zhvilloheshin debate e diskutime dhe ishte e qartë përpjekja për ta zotëruar sa më mirë drejtshkrimin që qe miratuar në kongres. Dua të theksoj që asokohe u krijua një bindje, do të thosha e gabuar, sidomos ndër të rinj, po edhe tek disa studiues, të cilët sikur zotërimin e drejtshkrimit e barazonin me zotërimin e shqipes standarde, do të thotë konsiderohej sikur kush e di drejtshkrimin, ai ishte njohës i mirë i shqipes!


II. Disa probleme aktuale të shqipes standarde sot

1. Shqipja standarde ka po ato probleme që kanë edhe gjuhë të tjera standarde, qofshin të kenë traditë të gjatë ose një jetë më të shkurtër si gjuhë kulture të një komuniteti çfarëdo. Të tilla janë po e zëmë:
Qëndrimi ndaj fjalëve të huaja, veçanërisht termave tekniko-shkencorë e të tjerë, masa e të cilave është shumë e madhe dhe trysnia shumë e fortë;
Nevoja për një zgjerim të vazhdueshëm të fjalësit dhe për pasurimin e gjithanshëm të gjuhës jo vetëm me elemente gjuhësore, po edhe me zgjerimin e të ashtuquajturave çerdhe fjalësh dhe me dallimin e qartë të regjistrave të fjalëve;
Një kërkesë e vazhdueshme për të zgjeruar potencialin në fushë të fjalëformimit, po edhe në fushë të krijimit të modeleve të togfjalëshave e të ndërtimit të marrëdhënieve sintaksore për të shprehur një botë gjithnjë më të pasur e më të ndërlikuar, në stile të ndryshme;
Trysnia e vazhdueshme nga gjuhë të mëdha, jo vetëm sepse ndikimi i tyre zgjerohet si rrathët e krijuar nga një gur i hedhur në ujë, po edhe sepse ato gjuhë (dhe sidomos anglishtja) sikur po bëhen gjuhë të dyta (në mos të para), për shkak të njëfarë “utilitarizmi” në fushë të informacioneve e të tjera, duke prekur deri edhe traditën e shkrimit e të shqiptimit të fjalëve të huaja, të cilat mund të kenë hyrë në gjuhët përkatëse nga frëngjishtja ose italishtja, po e zëmë, dhe të cilat, megjithëse me bazën tek latinishtja, tashti përmes anglishtes, vijnë e “çoroditen”, sidomos në shkrim po edhe në shqiptim;
Si të fundit në këtë grup problemesh, duhet përmendur njëfarë si nostalgjie, po edhe nevoja pse jo, sidomos në kultura me traditë të gjatë, për t’iu kthyer “burimit”, idiomave organike /të folmeve e dialekteve që janë tipike për krahina të veçanta ose edhe për periudha më të hershme të shkrimit të një gjuhe, e të tjera. Kjo e fundit, sigurisht si një përpjekje për t’iu kthyer “origjinares”, burimores, së natyrshmes, njësoj sikur është ikja nga viset urbane në mjedise të natyrës së virgjër ....
2.Shumë nga këto që përmenda këtu, mund të jenë probleme me të cilat ballafaqohet edhe shqipja standarde, për përballimin e të cilave ka qëndrime të ndryshme.
Shqipja standarde, si pak gjuhë të tjera, për disa dhjetëvjetësha është përdorur dhe vazhdon të përdoret si gjuhë zyrtare (me statuse të ndryshme) në disa njësi shtetërore, po me synimin që të bëhet i vetmi mjet komunikimi në rrafshin gjithëshqiptar. Nuk janë shqiptarët i vetmi popull me një gjendje të këtillë as politike dhe as gjuhësore (kulturore), po, megjithatë, ata të tjerët – nuk janë shqiptarë! Për mungesë tradite (po edhe disipline pse jo), në kushtet kur shqipja ishte (a është) një gjuhë zyrtare e dytë, dhe kur si burime informacionesh nga më të ndryshmet (politike, ekonomike, kulturore e të tjera) – shërbente një gjuhë tjetër (kryesisht një nga sllavishtet), ndodhi një dukuri shumë e dëmshme për shqipen: shqipja standarde, sidomos në fushë të sintaksës, erdhi e u shfytyrua shumë, për të përfunduar në shumë elemente, si një gjuhë e përkthyer.
Shtoji kësaj edhe njëfarë qëndrimi (që ndoshta nga larg mund të çojë tek njëfarë “marrizmi” i llojit të veçantë), sikur shqipja “qenkësh standardizuar” në kushtet e “sistemit më të egër” komunist, që do të thotë me dhunë, prandaj, si e tillë, ajo u dashka t’i shtrohet sërish procesit të standardizimit, tashti në erën e “demokratizimit” të shoqërisë shqiptare, - dhe pasoja do të jetë patjetër kjo që është: ka filluar njëfarë “rebelimi” ndaj standardit, sikur ai të ishte një gjuhë e huaj për ‘pjesën më të madhe të popullit shqiptar”! Arsyeja kryesore, për mendimin tim, është e paqenë: shqipja standarde, me bazën tek toskërishtja, na qenka e huaj për Gegërinë dhe për gegët, prandaj gegët nuk mundkan ta zotërojnë në asnjë mënyrë! Bile, ka edhe ndonjë qëndrim të shprehur publikisht, shumë absurd: “Gjuha është e mirë dhe ajo s’ka faj (pse nuk e zotërojnë si duhet gegët), prandaj, o burra, ta ndërrojmë popullin?!”. Nuk dua ta zbërthej më shumë këtë çështje, sepse këtë e kam shtjelluar në shumë artikuj botuar gjithandej, veçse, në frymën e qëndrimit të fundit, do të bëja një thirrje të ngjashme: “Matematikën nuk e zotërojmë kurrsesi sa duhet, prandaj, o burra, të ndërrojmë ose matematikën ose njerëzimin”! Dua ta mbyll me një thënie të një filozofi: “Për ato që nuk i njohim, nuk janë fajtore gjërat, po pamundësia jonë dhe kufizimi ynë për t’i njohur”!

3. Në përpjekjet për “krijimin” e standardeve të reja të gjuhës shqipe (madje edhe të gjuhëve të veçanta, si gegërishtja, sepse si e tillë konsiderohet nga disa “studiues”, - ose ndonjë standard tjetër, i cili mund të quhej, pse jo: dibranishtja, kosovarishtja, labërishtja etj.), - autorët e këtyre përpjekjeve shkojnë e gjurmojnë “teorira” nga më të çuditshmet që kanë zbuluar studiues të shkencave antropologjike, paçka se ato, eventualisht, mund të vlenin për gjuhë të ndaluara për shkaqe të ndryshme (gjuhë të fiseve indiane të Amerikës; gjuhë të popujve a të fiseve afrikane, në robëri për një kohë të gjatë; ndonjë gjuhë si norvegjishtja në ballafaqim me danishten si gjuhë zyrtare; gjuhë të ndryshme “të mbuluara” nga ndikime e trysni të mëdha të rusishtes e të tjera). Dhe të gjitha ato mësime, duan t’i zbatojnë tashti tek ndonjë “rrugë e re” që do të duhej ndjekur për ta ndryshuar shqipen standarde, ose për t’i krijuar asaj një standard të ri si rival. Po në këtë mes ka edhe ndonjë pikëpamje prej të çmendurish: të formohet një “kosovarishte standarde”, si një element, mendja e tyre, për krijimin e një identiteti të ri edhe gjuhësor, në përpjekjet për të ndërtuar shtetësinë e Kosovës!
4. A duhet të ketë varietete, ose më mirë, a lejohen varietetet në gjuhën standarde, pra edhe në shqipen standarde? Gjendja ideale, këtë e di gjithkush, do të ishte të mos kishte varietete në një standard, po gjendja reale është një pasqyrë tjetër: të gjitha standardet zbatohen me varietete, veçse edhe këtu ka kufizime, sepse shumë prej tyre nuk janë të lejueshme, dhe kjo sidomos në qoftë se ato janë pasojë e mosnjohjes së standardit dhe jo vetëm të tij, e përdorimit të modeleve të një gjuhe tjetër (me kusht që të mos përbëjnë asnjë pasurim për gjuhën). Këtu bëhet fjalë për shfytyrime të gjuhës, për zhveshjen e saj nga natyra tipike për të. Kjo përbën shkelje të pafalshme dhe këtë të drejtë nuk e gëzon askush, cilido qoftë, sepse gjuha standarde nuk është pronë private e askujt, ajo përbën një pasuri të përbashkët, krijuar nga shumë breza dhe jo vetëm nga brezi ynë, kjo do të thotë jo as nga brezi “i regjimit më të egër komunist” – në kohën kur qe standardizuar, ose, më drejt, kur qe njësuar shqipja – në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në vitin 1972 në Tiranë.



III. Diskutime mbi shqipen standarde kohët e fundit


Me këto që do të them këtu, nuk pretendoj të shtjellohen në mënyrë shteruese të gjitha diskutimet që janë zhvilluar kohët e fundit (dhe vazhdojnë të zhvillohen edhe sot) në rrafshe të ndryshme lidhur me shqipen standarde, por më shumë synohet të vihen në dukje disa nga pikëpamjet që janë shfaqur për aspekte të ndryshme të standardit (as këto jo të gjitha), dhe kjo të përbënte dhe si një provokim mbase, për institucione dhe letërsinë tonë shkencore e pedagogjike, - që standardi të vështrohet brenda një konteksti kulturor të mirëfilltë, dhe jo kjo çështje kaq e ndjeshme (nuk bëhet fjalë më për aspektin kombëtar të çështjes dhe as për njëfarë si kërkese rreth parullës “Ta shpëtojmë shqipen standarde”!) – pra dhe jo kjo çështje të zbresë në nivelin e një si komunikimi “shkencor” – brenda faqeve të internetit, po sidomos jo brenda faqeve të njëfarë reviste a gazete “Java”, ku deri edhe studiues çfarëdo, a një Zot e di se cilët janë ata (bëhet fjalë edhe për të huaj), të na mbajnë “ders” se si duhet zgjidhur problemi i shqipes standarde …
Nuk do të them asgjë të re në qoftë se pohoj që kanë kaluar kohët kur, madje edhe në këtë fushë të gjuhësisë, që megjithatë duhet të jetë një brengë e shqetësim për studiuesit dhe për shkencën shqiptare, të ushtronin veprime ndikuese studiues të huaj, të cilët këto gjëra mund t’i shtronin dhe, eventualisht, mund t’i shtrojnë vetëm në rrafshin teorik të çështjes, po nuk e gëzojnë të drejtën (as morale) për të diskutuar çështjen e bazës dialektore të shqipes standarde…
Meqenëse tema është shumë e gjerë, do të bëj përpjekje të përmbledh disa nga çështjet brendapërbrenda disa pyetjeve e dilemave që janë shtruar e vazhdojnë të shtrohen lidhur me probleme të shqipes standarde.

E para: A u duhet shqiptarëve (po edhe kulturës shqiptare përgjithësisht) një standard gjuhësor?

* Besoj, nuk mund të jepte askush një përgjigje tjetër, përpos – PO!

E dyta: Çfarë duhet të jetë ky standard?

* Këtu thyhen heshtat, si thuhet, po megjithatë shumica absolute pajtohen që ky duhet të jetë një standard që t’i përmbushte kriteret themelore që shtrohen para një forme të tillë të gjuhës: të jetë i normëzuar në një shkallë të lartë; në të gjitha nënsistemet i përpunuar dhe me mundësitë për pasurimin duke thithur materiale nga shqipja e shkruar më përpara, nga të folme të ndryshme të shqipes dhe nga gjuhë të huaja, mundësisht me mekanizma për t’i shtruar të gjitha ato brenda sistemin fonologjik e gramatikor të standardit; të ketë rregulla shumë të sakta (ose sa më të sakta e me më pak përjashtime) në të gjitha nënsistemet, - dhe njëkohësisht ato të mos jenë kaq të ngurta e të mbyllura ndaj mundësisë për të depërtuar materiale nga të tjera idioma…; të ketë një drejtshkrim të mbështetur mbi kritere morfologjike ose fonologjike të qëndrueshme, me kërkesën që të ketë sa më pak përdorime të njëkohshme të fjalëve dytrajtëshe, po edhe sa më pak përjashtime nga rregullat e përcaktuara; të ruajë frymën e shqipes dhe të marrë modele nga gjuhë të tjera vetëm me kusht që ato të përbëjnë ndonjë pasurim çfarëdo për shqipen, le të jetë edhe në fushë të nocioneve tek shkenca filozofiko-sociologjike ose në kompjuteristikë e të tjera.

E treta: Si duhej bërë (ose edhe: Si duhet bërë) standardizimi, e kush duhej ta bënte (a duhet ta bëjë) atë?

* Po të bëhej një përpjekje për të përmbledhur qëndrimet e shumë prej diskutuesve, të cilët vazhdojnë ta vështrojnë këtë çështje me një sy kritik, brenda një fraze, ajo mbase mund të ishte përafërsisht disi sikur “Standardizimi do të duhej bërë me inkuadrimin e një numri më të madh tiparesh të gegërishtes” (bëhet fjalë për gegërishten letrare, besoj unë) dhe me kufizimin e ndonjë tipari të toskërishtes letrare. Këtu në radhë të parë mund të përmendeshin:
- shtrirja e ndërtimeve me paskajoren e tipit me ardhë (me ardhun, me ardhur?!);
- ruajtja e trajtave të parotacizuara të fjalëve të tipit: fëmijëni, dukuni, hapësinor (veçse
nuk dihet nëse këto do të jenë trajta paralele me standardin, apo trajta dysore “rivale”!);
- shtrirja e prapashtesës –J të shumësit tek emrat e tipit lumej, shkëmbij;
- kufizimi i përdorimit të Ë-së së patheksuar në shkrim (një çështje kjo tepër e ngatërruar
dhe që më shumë mund ta ndërlikonte sesa ta thjeshtësonte, sikur mendojnë disa, -
shkrimin e shqipes!), e ndonjë tjetër.

Nuk do të zgjerohesha më tepër lidhur me këto çështje, veçse dua të theksoj se inkuadrimi i paskajores gege, krahas disa vështirësive morfologjike që do të nxirrte (duhet me shkue, me shkuem, me shkuar apo? etj.), nuk e di a do të ishte i nevojshëm sa kohë që shqipja ka kaq shumë mundësi për ndërtimet me foljet modale dhe foljet aspektore (t’i quaj kështu). Kjo do të thotë që krahas ndërtimeve: duhet të punoj : duhet të punohet : duhet punuar – të shtoheshin edhe dy të tjera: duhet me punue : duhet me u punue …dhe më tutje: mund të shkoj, mundem me shkue; mund të shkohet, mundet me u shkue, dhe më tutje: vzhdoj të shkruaj : ka vazhduar të shkruhet; vazhdoj me shkrue : ka vazhdue me u shkrue (apo… shkruar!) e të tjera...

*Lidhur me çështjen se kush duhej ta bënte standardizimin, krahas një kërkese që me këtë punë duhej të merreshin jo vetëm gjuhëtarë e shkrimtarë, po edhe të tjerë, ose kryesisht të tjerë intelektualë – studiues të shkencave shoqërore, ekonomike, publicistë, gazetarë e të tjerë, shumë shpesh vihet në dukje edhe fakti që disa nga studiuesit e shkrimtarët e merituar, qoftë me kufizime për botimet e tyre ose me ndalime të tjera – si veprimtarë disidentë që konsideroheshin, - ishin penguar të jepnin kontributin e tyre për standardizimin (në vitet kur diskutohej kjo çështje), - nuk dua dhe nuk mund të mohoj në asnjë mënyrë ndonjë ndihmesë të tyre eventuale, e cila të ndriçonte e të shtjellonte probleme të veçanta të shqipes e të shkrimit shqip, po, për sa i përket ndonjë veprimi me ndikim vendimtar lidhur me ndryshimin e rrjedhës së procesit e të mënyrës së standardizimit, sidomos pas qëndrimeve të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (1968), besoj nuk mund të bëhej fjalë.

E katërta: A mund të krijohet standardi gjuhësor “në mënyrë demokratike”?

* Një vërejtje, serioze për mendimin e diskutuesve të shumtë, që mund t’i bëhej standardizimit të shqipes, është se ai “qenka krijuar në kushtet e një trysnie politike të një sistemi totalitar, pa liri veprimi“. Kjo do të thotë që duheshin pritur të tjera rrethana politike dhe kulturore, me një fjalë demokratizimi i shoqërisë shqiptare, në mënyrë që të zgjidhej çështja e shqipes standarde “në mënyrë demokratike”(!). Veçse shtrohet pyetja: Si do të bëhej standardizimi në kushte të tilla: me vota të fshehta a publikisht; të merrnin pjesë vetëm intelektualët e lartë apo edhe të tjerë; të merrnin pjesë në “votime” vetëm studiues e krijues – gjuhëtarë, kritikë letrarë, publicistë, shkrimtarë... apo dhe të tjerë; me koncensus partish, rrethesh, institucionesh a shtëpish të botimit?! E të tjera, e të tjera...
Këtu sikur harrohet një krahasim me rrugën dhe kushtet në të cilat janë standardizuar gjuhët e tjera. Sipas kësaj logjike, do të duheshin ristandardizuar shumë nga gjuhët e kulturave të mëdha botërore – anglishtja, gjermanishtja, arabishtja – sepse rruga e formimit të tyre nuk paskësh qenë “demokratike”(?!), sepse, fundi i fundit, ato do të jenë standardizuar për elita çfarëdo e në kushte të paimagjinueshme “demokratike” dhe jo për gjithë një hapësirë, qoftë edhe gjuhësore, e të tjera...

E pesta: A duhen krijuar standarde të tjera paralele?
* E para çështje që shtrohet këtu, kujtoj, duhet të jetë kjo: Cili është qëllimi i krijimit të ndonjë standardi paralel? – Do të jetë ai konkurrent i standardit ekzistues, apo do të shërbejë për shkrimin e një varianti tjetër në krijimtarinë letrare a në rrethe e lokalitete të caktuara, që i takojnë për nga dialekti atij standardi tjetër?

Dhe kjo mund të shtrohej edhe ndryshe: A mund të kërkojmë që në shkollë, krahas standardit (të cilin të paktën askush nuk e ka mohuar botërisht se ekziston dhe që ai duhet të përmbyset e të tjera…), të mësohen edhe standarde të tjera (po e zëmë i gegërishtes së përdorur në vitet gjashtëdhjetë në Kosovë; ose një standard i arbërishtes në Itali), sa kohë që nxënësit vijnë me një formë të lindur ose të mësuar e “të përpunuar” në mjedisin ku jetojnë … A nuk do të thotë kjo që sikur kërkohet nga nxënësi – të zotërojë së paku tri, në mos katër sisteme e kode përnjëherë (të gjuhës shqipe), të cilat, sigurisht, duhet t’i përdorë në nivele të ndryshme – një ose dy në shkollë, një ose dy në mjedisin ku jeton…?!
Një si nënpyetje në kuadër të kësaj: A mund të bëhet fjalë për krijimin e një standardi tjetër (bëhet fjalë për Kosovën), i cili të ishte shumë më afër me të folmen e Kosovës (ndoshta, mendja e atyre që kanë pjellë këtë ide, mund të lidhet edhe me nevojën për të krijuar një identitet tjetër gjuhësor – kosovar, në përpjekjet për “konvertime” identitetesh për shkak të rrethanave politike dhe të kontekstit historik?!). Dhe, më tutje, cili do të ishte standardi për hapësirat e tjera shqiptare – në Maqedoni, në Luginën e Preshevës, në Malin e Zi e të tjera? Kjo është kaq e çuditshme (befasuese – do të thoshin autorët e kësaj ideje!), sa kohë që një standard, i cili, gjithnjë fjala e tyre, sikur qenkësh krijuar nën trysninë e politikës e të diktaturës së egër, pra – thënë ndryshe, në kushte “të veçanta historiko-politike”, - u dashka flakur, dhe tashti – po për këso arsyesh e motivesh, - pra të politikave të tjera, të lirisë së shprehjes, të kthimit “tek e vjetra“, të “koncensusit“, të së drejtës më të madhe “të folësve shumicë“ ... – u dashka ngritur një standard të ri, veçse i cili tashti, “meqenëse u bëka në erën e demokracisë” – do t’u bëka shumë më demokratik e do t’u marrka me vendimin – jo të gjuhëtarëve, po të intelektualëve të tjerë - filozofë, sociologë, gazetarë, themelues shkollash private e gazetash private, nismëtarë lëvizjesh të reja në fushë të kulturës, njerëz që më mirë zotërojnë një gjuhë të huaj sesa shqipen, studiues e mësues të huaj të shqipes që veprojnë Jashtë … e kush jo?!
Natyrisht, po të vështrosh shumicën e shkrimeve në internet dhe disa nga shkrimet e autorëve në gazetën “Java”, varianti a standardi që përdorin ata (kjo do të thotë që ata pikërisht ashtu do ta standardizonin shqipen!) dhe sidomos, fjala e botuesit të “Javës”, meqenëse ata nuk janë “gjuhëtarë pleq e komunistë” a të tjerë(!) , - pra standardi i tyre do të ishte jo më pak se një amalgamë e shqipes dialektore të bastarduar dhe një standard i shqipes – po ashtu i bastarduar, nga ndikime të gjuhës së rrugës, të një mënyre të foluri në përpjekjen e adoleshentëve (edhe intelektualisht) për të përdorur një tjetër kod, shpesh me shkurtime e me një shqiptim të ndikueshëm nga anglishtja e të tjera gjuhë, - gjithnjë pa u mbështetur në kurrfarë rregullash gramatikore, do të thotë një gjuhë shqipe pa gramatikë! Të përmend këtu disa nga “xhevahiret gjuhësore” të përdorura prej autorësh të këtij soji: “p’ej qasaj; ka mund me ardh…; du me nigu qato ***** ka me jep ni provim …” e të tjera.
Gjithë kjo për shkakun se nuk duan dhe nuk mund ta zotërojnë shqipen standarde, kaq e largët nga e folmja e tyre dhe “një gjuhë e sistemit totalitar”!
Zëra të tilla propozojnë të kthehemi tek përdorimi i shqipes në viset shqiptare në ish-Jugosllavinë, standardi i gegërishtes letrare, sipas Ortografisë së gjuhës shqipe të Prishtinës (1964). Harrojnë ata (ose, edhe më keq, nuk e dinë) që shqipja e përdorur sipas atij standardi, vuante të gjitha mundimet, veçse në një masë shumë më të madhe, që vuajnë sot intelektualët e Kosovës lidhur me përdorimin e shqipes standarde!... Le të shohin botime të asaj periudhe dhe, sidomos, le të shohin shqipen e përdorur në dokumentacionin shkollor, në administratë, në recensione e në shkrime të tjera kritike, në gazeta e në revista ...., - gjithandej, të shumtën do të gjejnë një shqipe si të përkthyer nga sllavishtja! Dhe pikërisht këtë shqipe dashkan ta ringrenë – si një standard(!)...

** Një ligj për gjuhën ose jo?
Kohët e fundit shtrohen gjithnjë e më zëshëm kërkesa për nxjerrjen e një ligji për të mbrojtur gjuhën; kjo vlen edhe për Shqipërinë, edhe për Kosovën.
Ligji edhe mund të nxirrej, po kaq shumë probleme do të shkaktonte zbatimi i tij, saqë, para se të miratohej, duheshin diskutuar në mënyrë të shterueshme shumë probleme që do të duheshin kapërcyer.
Do të përmend shkurt vetëm disa:
-Kush do ta hartonte këtë ligj dhe ç’do të ngërthente ky, standardin në tërësi, edhe përdorimet e figurshme, edhe trajtat dysore, edhe elemente gjuhësore të traditës, edhe ....., apo ....(!)
-Kush do t’i formonte komisionet e ndjekjes dhe si do të ndiqeshin shpërdoruesit e gjuhës?
-Do të ishin në shkallë vendi, komune a inistitucioni ato komisione profesionistësh?
-Cilët do të ishin anëtarët dhe a do të ketë të tillë për një punë kaq të vëllimshme?
-Cilat do të ishin shkeljet e ndëshkueshme lidhur me gjuhën?
-Si do të bëheshin dënimet – me të holla, me largim nga detyra, me …
-Sa gjyqe do të duheshin ngritur për procese të tilla?
-A do të ndëshkohej e para ministria që do ta propozonte ligjin (po e zëmë: e Arsimit…, e Kulturës…, e Punëve Publike…) apo edhe Parlamenti që do ta miratonte atë (sa kohë që ato bëjnë shumë gabime gjuhësore), dhe më pastaj - institucionet e larta arsimore e shkencore.., botuesit e të tjera e të tjera – që të gjithë shpërdorues të shqipes në shkallë të ndryshme…


A kërkohen veprime të veçanta për ta zotëruar standardin intelektualët e Kosovës

Për mendimin tim, për ta zotëruar (dhe zbatuar, pse jo) intelektualët e Kosovës standardin, nuk kërkohen veprime të veçanta. Të veçanta janë vetëm kushtet e edukimit në sistemin e arsimit dhe mungesa e traditës për të zotëruar çfarëdo standardi. (Dua të theksoj në parantezë se edhe standardin para viti ’72, ka qenë fare i vogël numri i intelektualëve kosovarë – mësues, aktorë, folës në radio ..., që kishin arritur ta zotëronin në një shkallë të mirë. Madje as në formën e shkruar ... Këtë e di fare mirë, sepse një kohë kam punuar dhe vetë si korrektor dhe “lektor” librash. Eh, sikur të kishte mundësi t’i shihnin ato tekste dhe gazeta – në “fazën e përpunimit” autorët që e kërkojnë sot atë standard! Do të zhgënjeheshin fort, tepër fort!). Arsyeja e kësaj gjendjeje, kjo duhet thënë shkoqur dhe me gojën plot – nuk është Standardi ’72, çështja është shumë më e ndërlikuar... Megjithëkëtë, për mendimin tim, krahas masave që duhen marrë për të shtruar ndryshe mësimin e gjuhës, - mund të ndihmonin edhe këto veprime:
-Një qëndrim tjetër ndaj shqipes standarde, qëndrimi si ndaj një të mire kombëtare, të përbashkët, ndaj së cilës kushdo mban përgjegjësinë në një shkallë të caktuar ;
-Një luftë këmbëngulëse, e ngritur në shkallë institucionale, për të zotëruar frymën, natyrën e shqipes, dhe kjo, në radhë të parë, duke bërë deserbizimin e shqipes standarde, sepse shqipja standarde, pa asnjë dyshim, në Kosovë më së shumi lëngon nga modele njësish sintaksore si ndikime nga serbishtja në kohën kur ajo ishte gjuhë zyrtare dhe gjuhë prestigji në jetën shkencore, arsimore dhe kulturore në përgjithësi, në Kosovë. Kjo luftë bëhet më e vështirë për faktin se kemi të bëjmë me përdorimin e një standardi “të serbizuar” edhe nga brezi i të rinjve dhe i fëmijëve që nuk e dinë fare serbishten, prandaj modele të tilla i kanë nxënë sikur të ishin tipike për standardin. Kjo edhe për shkak se ato nuk i njeh shqipja dialektore, prandaj konsiderohen si “pasuri” e shqipes!....
-Shkolla, ligjërimi publik, televizioni, shtypi e forma e institucione të tjera të kulturës me ndikim shumë të madh për formimin gjuhësor të brezave të rinj, duhet të ngrihen detyrimisht në nivelin që kërkon koha e sotme .

Po problemet konkrete, të qena e të paqena...?

Për gjendjen e shqipes, për shkallën e pamjaftueshme të njohjes e të zbatimit të shqipes standarde (bëhet fjalë për gjithë hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavinë, pra edhe për Kosovën), mund të vihen në dukje disa faktorë, të qenë e të paqenë, ndër të cilët do të përmendja këta:
-mungesa e traditës në këtë fushë të kulturës, edhe mungesa e kulturës së leximit;
-shkalla e ulët e përgatitjes, sidomos në fushë të kulturës së gjuhës, e -mësuesve të shkollave, dhe kjo vlen edhe për mësuesit e shqipes;
-përdorimi i një shqipeje standarde (nëse mund të quhej kështu) për një kohë të gjatë nën hijen e serbishtes, e mbytur nga ndikime sidomos në fushë të krijimit të fjalëve të reja e të përdorimit të fjalëve me burim të huaj (mbi trajtat në serbishten, deri edhe fjalë të tipit “biro” e “bife”, “pire” - pure, “apartman” etj...) dhe në fushë ndërtimit të njësive sintaksore (togfjalësha emërorë e foljorë: “tatimi në pronë”, “reagimi në shkrimin me titull...”; “zhgënjimi me vendimin e ministrisë”; “njoftohem me”, “lajmërohem në”, “disponoj me”, “mahnitem me”, “të falënderohem në pritjen” etj.), deri edhe përdorimi i shprehjeve të veçanta (“vjen në shprehje”; “është në pyetje”; “nuk vjen në konsiderim”, “vjen deri te aksidenti” e të tjera e të tjera....) – të cilat, që të gjitha, madje tashti të shtuara edhe nga interferenca me anglishten, sigurisht tek shqippërdoruesit e pashkathët e që nuk e kanë zotëruar sa duhet frymën e shqipes, - i gjejmë gjithandej...;
-shkalla e zbatimit të shqipes në libra shkollorë, sidomos në libra të shkencave të natyrës, të ekonomisë, të së drejtës, të filozofisë e të tjera...;
-njëfarë shkujdesjeje tej mase, sidomos e të rinjve, ndaj disiplinës gjuhësore, shpesh të yshtur edhe nga “studiues” të vetëquajtur, të cilët përpiqen me mish e me shpirt për mohimin e vlerave të shqipes standarde dhe për nevojën e hapjes së diskutimeve për të ngritur një standard tjetër të shqipes, i cili të ishte “më i përshtatshëm e më i lehtë” për folësit e gegërishtes, e cila, sipas disa prej të cilëve, përbëka një gjuhë tjetër dhe jo një dialekt ose një ish-variant letrar të shqipes ...

Po të vështrojmë përdorimin publik të shqipes, qoftë në medie të shkruara dhe qoftë në ligjërimin e folur, hiq disa probleme që kanë të bëjnë me tipare të veçanta fonetike (mungesa e qiellzoreve Q,Gj; varietete të shqiptimit të Ë-së së theksuar; elemente të hundorësisë tek E-ja e theksuar dhe e lëvizjeve tek shqiptimi i zanores A e ndonjë tjetër), po jo edhe tek përdorimi i grupit të zanoreve UA, i fjalëve me rotacizëm, i përdorimit të Ë-së së theksuar në kushte të caktuara, - tipare këto të shqipes standarde, bazuar tek toskërishtja, në fushat e tjera – si në morfologji e në fjalëformim dhe në çështje kryesore të ndërtimit të fjalisë, - standardi i shqipes kryesisht është zotëruar në një shkallë të mirë nga intelektualët në Kosovë. Për mendimin tim, këto janë disa nga argumentet që dëshmojnë se nuk mund të fajësohet baza dialektore e standardit për shkallën e njohjes së pamjaftueshme në fusha të tjera të tij, dhe kjo sidomos lidhur me përdorimin e ndërtimeve me një folje modale ose të aspektit, të ndërtimeve parafjalore të tipit “përkundër kësaj e asaj, u zotuan që...”; “pranë këtyre pengesave, kanë lindur edhe...” e të tjera, - që, si modele të huaja që kanë hyrë në shqipen – pa asnjë nevojë, janë mësuar pothuaj nga të gjithë ... dhe ato për përdoruesit e tyre, sikur janë “brenda normës”!

Pra, jo standardi, po zotërimi pikë për pikë i shmangieve të tilla ose mungesa e ndonjë fjale a trajte në shqipen dialektore, është një burim i paqenë për shmangie të veçanta, të cilat kanë arritur shkallën e neverisë, si:
– përdorimi i disa foljeve (shpie, bie, ngre – ngrihem);
- togfjalësha foljorë parafjalorë (njoftohem me dikë a diçka);
-valenca e foljeve të veçanta – (i) pengoj (dikujt);
- togfjalësha parafjalorë emërorë (me kuptim “lejor”) – sikur gjithçka ndodh, kryhet, arrihet - përkundër dikujt a diçkaje;
-shprehje të veçanta foljore– (është në pyetje, vjen në shprehje; vjen në konsiderim);
- folje të veçanta – (preferoj, paramendoj, thirrem në ligjin e..., pranoj – pagën, portieri pranon tre gola...;
- përdorimi i grupit foljor duhet + pjesore (Kudo duhet thënë të vërtetën; Kudo duhet thënë të vërtetat! Njeriu duhet thënë të vërtetën!);
-bashkëpërputhja e trajtave foljore me folje modale dhe aspektore (duhet, mund, filloj, nis, vazhdoj.... ), mbaroj, pushoj ;
-përdorimi i përemrave lidhorë (Fjala që u prekëm prej saj, erdhi nga drejtuesi i mbledhjes; Librin që e bleva në një dyqan, kishte disa dëmtime teknike.....).
Lista e shmangieve, nga të cilat “astenjana” (të përdor një shprehje tipike për Kosovën) nuk del të ketë ndonjë lidhje shkak-pasojë me standardin, - është vërtet shumë, shumë e gjatë ...
Mund të shtrohej pyetja: Do ta ndihmonte vallë, luftën kundër këtyre “dukurive tipike”, një standard i ri, një “standard gegnisht”?

Cila shqipe të mësohet Jashtë?

Për mendimin tim, për shkak se fëmijët dhe të tjerët që duan të marrin mësime për shqipen, vijnë nga anë të ndryshme (krahina të Shqipërisë e të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare), me një shqipe variantesh të ndryshme dialektore, - synim për brezat e rinj Jashtë - duhet të jetë zotërimi i shqipes standarde, një punë kjo që, s’do mend, kërkon përpjekje të mëdha edhe të mësuesve, edhe të prindërve, edhe të fëmijëve, veçse, po të shihet perspektiva e inkuadrimit të tyre në Botën Shqiptare, vetëm gjuha standarde mund të jetë mjeti i lidhjes së tyre të fuqishme rreth një identiteti kombëtar, që synon secili shtet dhe secili komb në botën moderne. Kjo edhe për një arsye tjetër, që është: të rinjtë janë në kontakt të përditshëm dhe i mësojnë me zell gjuhët e shteteve ku jetojnë, gjuhët që shquhen për një shkallë të lartë të standardizimit e të saktësisë së përdorimit e të tjera ... dhe shqipja për ta duhet të jetë po si ato... E dyta, vetëm aftësimi i tyre për të hyrë në bashkëmarrëdhënie të kulturuara me bashkëkombësit, mund të sigurojë një shkallë të ruajtjes së identitetit të tyre kombëtar e kulturor, - këtë nuk mund ta ushtrojë asnjë dialekt i shqipes në botën e sotme ... kjo vlen edhe për ardhës të rinj në shtete të zhvilluara, të rinj që nuk e kanë përfunduar formimin e tyre kulturor në shkallë të duhur, prandaj në forma të ndryshme duhet ta vazhdojnë – aty ku e kanë këputur, qoftë edhe në forma edukimi jashtë sistemit formal.
Megjithëkëtë, kjo është një çështje shumë e ndërlikuar dhe, kujtoj, duhet të bëhet objekt i një diskutimi mbi baza shkencore e mbi metoda e teori moderne, organizuar nga institucione shtetërore e shkencore në Shqipëri dhe në Kosovë, sepse, më në fund, po kështu veprojnë edhe shtete të tjera për të ruajtur substancën kombëtare e kulturore në një shkallë të dëshirueshme në shtetet gjithandej, nga mund të jenë vendosur (ndonjëherë edhe katandisur) pjesë të popujve të tyre – për arsye nga më të ndryshmet, qoftë edhe të jenë ato shkaqe, rezultat i inkuadrimit të dijes kombëtare në sisteme ndërkombëtare...

Prof. Dr. Bahri Beci, Paris :MBI DISA PIKËPAMJE PËR SHQIPEN E SHKRUAR

.......
Prof. Dr. Bahri Beci


Mungon deri sot një histori e gjuhës së shkruar shqipe që nga fillimet, çka e vështirëson nxjerrjen e përfundimeve të sigurta për lëvrimin e shqipes së shkruar në shekuj. Po kjo sigurisht nuk do të thotë aspak që nuk ka studime. Përkundrazi janë të shumtë studiuesit shqiptarë, po edhe të huaj, që i janë ofruar kësaj problematike, si edhe studimet e artikujt e botuar prej tyre për këto probleme. Po gjithsesi këndi i vështrimit vetëm pjesërisht ka qenë në funksion të ndërtimit të një historie të shqipes së shkruar . Mendoj se ende nuk kemi arritur të përvijojmë një linjë të qartë studimesh me një metodë të përcaktuar mirë për historinë e shqipes së shkruar. Megjithatë kjo nuk i ka penguar studiuesit të japin mendimet e tyre për lëvrimin e shqipes së shkruar në përgjithësi dhe asaj të letërsisë artistike në veçanti në periudhën ndërmjet shekujve XVI – XX.
     Do të veçoja kontributin Sh. Demirajt. Ai ka sjellë të dhëna me vlerë për historia e lëvrimit të shqipes në shekujt XVI-XVIII dhe XIX-XX si edhe për kontributin e autorëve kryesor të shekujve XIX – XX për përmirësimin dhe unifikimin e alfabetit, për përmirësimin dhe unifikimin e normave drejtshkrimore e gramatikore, për pastrimin dhe pasurimin e fjalorit të gjuhës shqipe dhe për zhvillimin e shqipes si një gjuhe kulture .
     Synimi ynë në këtë ligjëratë nuk është sigurisht të rrokim tërësinë e problemeve që dalin në këtë fushë, po të evidentojmë disa pikëpamje që kanë tërhequr vëmendjen tonë dhe të japim gjykimin tonë për to.         
         

     Rreth të ashtuquajturit « bipolarizim » i forcave kombëtare në demokratike dhe antidemokratike
     Përfaqësuesit e gjuhësisë zyrtare të pasluftës, lidhur me lëvrimin e shqipes së shkruar, kanë mbrojtur pikëpamjen se forcat kombëtare pas vitit 1912 ishin ndarë në demokratike dhe antidemokratike. Pra, sipas tyre, në njërën anë, u radhitën forcat demokratike, fryt i përpjekjeve të të cilëve ishte lëvrimi i gjuhës shqipe me synime konvergjente. Kundër tyre, nxorën krye disa pikëpamje divergjente, lokaliste e partikulariste, antikombëtare e antidemokratike e njëkohësisht edhe antihistorike. Flamurin e këtyre forcave reaksionare e morën sidomos krerët e urdhrave katolike .
     Dhe ne shtrojmë pyetjen: A është e vërtetë që në lëvrimin e shqipes pas vitit 1912 kemi dy drejtime të kundërta, një konvergjent nga të ashtuquajturat forca demokratike dhe një tjetër divergjent nga të ashtuquajturat forca reaksionare të kryesuara nga krerët e urdhrave katolike.
     Përgjigjen e kësaj pyetjeje e kanë dhënë prej kohësh E. Çabej dhe Namik Resuli.
     E. Çabej në asnjë rast dhe për asnjë periudhë nuk bën aluzion për kundërvënie, po për prirje konvergjente në njësinë nacionale. Kjo është, sipas tij, prirja e përgjithshme që ka karakterizuar gjuhën dhe letërsinë shqipe në periudhën kombëtare dhe në mënyrë të veçantë në gjysmën e parë të shekullit XX. E. Çabej, duke dashur të bëjë periodizimin e letërsisë shqiptare, shkruante se
« Brenda literaturës shqipe unë shoh të jenë formuar katër qarqe kulturore e letrare: Qarku katolik i Shqipërisë Veriore, Qarku italo shqiptar, Qarku ortodoks i Shqipërisë Jugore, dhe së fundi Literatura kombëtare e shekullit XIX.
     Të tri të parat janë qarqe të veçuara kombëtare, pasqyra letrare, ku ne shohim fuqitë dalluese të historisë shqiptare. Këto qarqe veprojnë krejt pavarësisht njeri nga tjetri, dhe sado pothuaj të një kohe, veprojnë çuditërisht pa njohur fare shoqi-shoqin. Këto janë dhe qarqe parakombëtare» . Në shekullin XIX, vazhdon Çabej, tre qarqet letrare parakombëtare, Qarku katolik i Shqipërisë veriore, Qarku italo-shqiptar dhe Qarku ortodoks i Shqipërisë Jugore « më në fund u derdhen të gjitha në lumin e literaturës nacionale të shekullit XIX » .
     Pra, E. Çabej dallonte brenda literaturës shqiptare dy periudha kryesore, periudhën parakombëtare (që nga fillimet deri në shekullin XIX) dhe periudhën kombëtare që fillon në shekullin XIX me Rilindjen tonë kombëtare . Për E. Çabejn « Më së pari na dalin në dukje trajtat e ndryshme, pastaj këto konvergojnë në njësinë letrare ». Komponentja fisnore - regjionale dhe komponentja fetare me gjithë jetën kulturore e sociale përkatëse na « japin së fundi rezultanten nacionale » .
     Edhe N. Resuli, duke dashur të karakterizojë prodhimin letrar të periudhës para Lidhjes së Prizrenit, shkruante se është sporadik e krejt krahinor, lindur e zhdukur në qendra katolike, ortodokse e myslimane të Shqipërisë pa njësi, pa qëllime të caktuara e sidomos pa « pasoja ». Sipas tij, me Shoqërinë e Stambollit nis literatura jonë e vërtetë, literatura e përbashkët. Prej asaj kohe katolikë, ortodoksë, myslimanë nuk shkruan më vetëm për bashkëfshatarët e tyre, por për mbarë Shqipërinë, për mbarë shqiptarët ». Megjithatë pranon se edhe gjatë kësaj periudhe u përvijuan dy rryma të cilat i përfytyron si dy ingranazhe sahati të cilat edhe pse lëviznin secili për hesap të vet, kishin një qëllim të vetëm shënimin e orëve.
     Qarku ku lëviz ingranazhi i parë, sipas tij, përfshinë krahinat « më të largëta të jugës gjer përtej Fushës së Krujës ». Ajo përfaqësoi në fillim kombin shqiptar pa dallim fisi a feje, d.m.th. gjithë toskët e gegët që gjendeshin brenda qarkut..., myslimanë e të krishterë. Është pra lëvizja e parë e leteratyrës sonë e nisur dhe e përfaqësuar vetëm prej toskësh... Edhe dialekti që zotëron, i pakontestuar në tërë fushën kulturore është toskërishtja. E ai besonte se po të mos kishin qenë priftërinjtë e fretërit katolikë, po të mos kish nisur të lëvizte edhe ingranazhi i dytë...toskërishtja me njësimin e Shqipërisë, me zgjerimin e komunikimit, me hapjen e shkollave do të kishte arritur gjer në bjeshkët e malësisë duke u zgjidhur kështu edhe problemi i gjuhës së përbashkët »
     Qarku i lëvizjes së ingranazhit të dytë nuk del përtej kufijve të Shkodrës. Po, pohon ai, edhe ky ingranazh frymëzohej nga të njëjtat ndjenja, parime e qëllime . Kjo provohet edhe nga ata që ka shkruar Engjëll Radoja, njëri nga autorët fetar shkodranë i përfolur se shkruante në dialektin shkodran pa u kujdesur as për mënjanimin e turqizmave: « jam mundue me shkrue, tuj çalltis, nderi (deri) kû kam mujtë, m’u shporrë fjalve të gjuhëve të huajve, e tuj bâ gajret edhé, ***** fjalët ***** këndohen këtu, të jenë marrun vesht prej Shqyptarit të soçëm » . Pra, nuk është e vërtetë se u bë bipolarizimi i forcave, në njërën anë, u radhitën forcat demokratike, fryt i përpjekjeve të të cilave ishte lëvrimi i gjuhës shqipe me synime konvergjente dhe në anën tjetër forcat reaksionare me pikëpamje divergjente, lokaliste e partikulariste, antikombëtare e antidemokratike dhe antihistorike, flamurin e të cilave e mbanin krerët e urdhrave katolike .


                                                Rreth aspektit sasior të problemit
     Përfaqësuesit e gjuhësisë zyrtare shqiptare të pasluftës, kanë insistuar që nga Rilindja e gjer më 1944, dialekti më i shkruar e mi përhapur me shkrim në vendin tonë ka qenë gjatë gjithë kohës dialekti i jugut.
     Sipas tyre koineja letrare jugore, jo vetëm gjatë Rilindjes, por edhe në dhjetëvjetorët e mëpastajmë, ka pasur një përhapje më të gjerë në shkrim se sa dy bashkëvariantet veriore .
     Po kërkimet më të reja në fushën e gjeografisë dhe sociologjisë së letërsisë shqiptare çfarë të dhënash statistikore ofrojnë lidhur me përdorimin e toskërishtes letrare dhe të gegërishtes letrare në letërsinë artistike?
     Për këtë po i referohemi studimit « Prijës për gjeografinë dhe sociologjinë e letërsisë shqiptare » të botuar më 1997 nga S. Çapaliku.
     S. Çapaliku, duke bërë vlerësimin e përgjithshëm të të dhënave statistikore të publikuara nga përfaqësuesit e gjuhësisë zyrtare të pasluftës lidhur me rolin e dialekteve në gjuhën e shkruar shqipe, ka shkruar se opinioni shqiptar i pesëdhjetë viteve të fundit ka qenë tejet i dezinformuar në lidhje me raportet e vërteta në mes dy dialekteve bazë të shqipes... . Kështu, që në vitin 1952, janë bërë përpjekje për t'i mbushte mendjen lexuesit shqiptar se dialekti jugor ishte dialekti m'i shkruar shqip, duke sjellë shifra të falsifikuara. Kjo frymë ka zgjatur deri në ditët tona në Shqipëri, ose duke besuar apriori të dhënat e pavërteta, ose duke pasur dëshirë për t'i deklaruar si të vërteta.
     Nisur që prej librit të parë të gjuhës shqipe "Mesharit" të Buzukut, kryedialektet e shqipes, shkruan Çapaliku, rezultojnë të dallueshme. Shkrimi shqip fillon me gegërishten dhe pak dekada më vonë, me Matrëngën në Itali, nis edhe shkrimi në toskërisht. Shkrimin në toskërisht, sa i takon numrit të veprave, e ndihmon kontributi letrar i bashkësisë arbëreshe të Italisë. Përndryshe, raportet në mes dy dialekteve të shqipes, nxjerrë prej librash të botuara e të shkruara brenda Shqipërisë, rezultojnë në favor të gegërishtes letrare .
     Duke bërë vlerësimin statistikor të prodhimit letrar shqiptar ai ka shënuar se « shekulli XVII është shekulli i gegërishtes (6 vepra në gegërisht dhe 1 vepër në toskërisht). Për shekullin XVIII ka shkruar se rritet ndjeshëm numri i veprave në toskërisht (15 vepra në toskërisht dhe 8 vepra në gegërisht). Për shekullin XIX ka shkruar se i përket toskërishtes (131 vepra toskërisht dhe 43 gegërisht), kurse për shekullin XX jep shifrat 412 vepra gegërisht dhe 318 toskërisht, çka flet për superioritet të gegërishtes në këtë shekull në raport me toskërishten .
     Pra, mund të thuhet, pa frikë se gabojmë, se të dhënat statistikore të sjella për të vërtetuar mbizotërimin e njërit dialekt mbi tjetrin janë të diskutueshme, për të mos thënë të manipuluara nga pozita krahinore e politike të caktuara. Gjithsesi në përcaktimin e të dhënave statistikore janë përdorur metoda krejt të pasigurta që as për së largu nuk mund të vlerësohen si objektive. E dyta insistimi në të dhënat statistikore dhe vënia e këtyre të dhënave pastaj në bazë të argumentimit të procesit të formimit të shqipes letrare, flet për mungesë argumentimesh të tjera, çka i vë krejtësisht në dyshim edhe përfundimet e arritura. Së treti, bërja objekt analizash statistikore herë e letërsisë publicistike herë e librit etj. është subjektive dhe nuk krijon mundësi për njohjen e tërësisë së problemeve që dalin në këtë drejtim. Nuk bëhet asnjë dallim ndërmjet publicistikës dhe letërsisë artistike për sa i përket rolit që kanë luajtur në kristalizimin e shqipes letrare. I jepet një rol ekskluziv mbizotërimit të publicistikës së shkruar në toskërishten letrare sikur ajo të përbënte çelësin e art të zgjidhjes së problemit. Gjithçka, pra, niset e përcaktohet nga parapëlqimet subjektive të studiuesit. E vërteta është se gegërishtja letrare dhe toskërishtja letrare deri më 1944 janë zhvilluar paralelisht me dallime sigurisht edhe sasiore, po këto kurrsesi nuk kanë luajtur rol përcaktues për zgjidhjen përfundimtare të problemit.

                                       Mbi të ashtuquajturën koine letrare gjithëjugore

     Sipas përfaqësuesve të gjuhësisë zyrtare të pasluftës, toskërishtja deri në gjysmën e dytë të shekullit XX u zhvillua si një gjuhë letrare e vetme për të gjithë toskët. Ndërkohë nuk u shkrua një gegërishte, po u shkruan dy: ajo e Shkodrës e ajo e Elbasanit. .     
     Pra, insistohet se deri më 1912 “u krijuan dy variante letrare : a) një koine letrare gjithëjugore me një bazë të gjerë e prandaj edhe të hapur për të thithur elemente nga dialekti tjetër; kjo koine mbizotëroi jo vetëm nga përhapja, por sidomos nga niveli mjaft i lartë i njësimit; b) varianti letrar verior, i shprehur në dy bashkëvariante në bashkëvariantin e mesëm e në atë veriperëndimorin...
     Si duhet vlerësuar pikëpamja se në periudhën deri më 1912 ishte krijuar një koine letrare gjithëjugore që prej kohësh i kishte pacaktuar trajtat e saj dhe kishte përforcuar, plotësuar e zgjeruar më tej tiparet e njësimit .
     I parë në vetvete ky pohim duket i drejtë. Është fjala për evolucion të një dialekti të shqipes që zhvillohet në kohë e që normalisht shkon drejt unifikimit e normalizimit. Mirëpo, në të njëjtën kohë, për gegërishten ata pohonin të kundërtën, thoshin shprehimisht se nuk u krijua dot një gegërishte e vetme e shkruar . Bëhet aluzion i hapët sikur në Shqipëri funksiononin dy politika e praktika gjuhësore të kundërta, një në jug me prirje të forta njësimi dhe një në veri me prirje jo unifikuese. Në të vërtetë, në Shqipëri ka pasur një politikë dhe praktikë të vetme gjuhësore, pra të gjitha forcat kombëtare, qofshin këto jugore ose veriore, katolike myslimane ose ortodokse frymëzoheshin nga të njëjtat ndjenja, parime e qëllime, kishin, pra, një qëllim të vetëm.
     Është tjetër gjë se si paraqiteshin objektivisht dy dialektet e shqipes dhe problemet që duheshin përballuar nga përfaqësuesit e njërit ose tjetrit variant të gjuhës së shkruar. Ne kemi bindjen se në periudhën kombëtare patriotët shqiptarë i kanë parë problemet e zhvillimit gjuhësor si të tilla, pra jashtë interesave të ngushta krahinore.
     E parë me këtë sy, pikëpamja që e dallon toskërishten letrare nga gegërishtja letrare nga pikëpamja e prirjeve të tyre drejtë njësimit, duhet të merret me shumë rezervë . Pa dashur të hyjmë në hollësirat e këtij diskutimi mendojmë se analizat që ka bërë N. Resuli për veçoritë e gjuhës së shkruar të autorëve me origjinë jugore hedhin dritë të mjaftueshme mbi këtë problem.
     N. Resuli theksonte se :”Rregulla që ka dominuar në shekuj ndërmjet toskëve ka qenë, secili të shkruajë në të folmen e tij...”. Kështu Perikopea e Ungjillit është shkruar në toskërishte jugore, Kavalioti dhe Danieli kanë shkruar në të folmen e Voskopojës (zona e Korçës), Muhamet Çami në të folmen e Çamërisë, vëllezërit Frashëri, Samiu dhe Naimi dhe nipi tyre Mithati kanë shkruar në të folmen e zonës Frashër - Korçë, Çajupi në atë të Zagorisë .
     Po të dhënat nga gjuha e letërsisë artistike e gjysmës së parë të shekullit XX a e mbështesin pikëpamjen mbi praninë në letërsinë shqipe të shkruar të « një koineje letrare gjithëjugore me një bazë të gjerë » dhe me « një nivel të lartë të njësimit » ?
     Për këtë do t’i drejtohemi të dhënave të sjella nga N. Resuli për gjuhën e Frashërllinjve dhe të Konicës.
     « Pavarësisht se edhe Konica ishte shprehur në favor të një gjuhe të përbashkët shqipe, që duhej të formohej nëpërmjet shkrirjes së dialekteve kryesore, ashtu siç kishin menduar letrarë të tjerë të Rilindjes, shkruan Resuli, megjithatë në praktikë, ai mendoi që t’i afronte atij që shkruante, së pari një toskërishte të përbashkët në vend të një shqipeje të përbashkët. Për të arritur këtë ai i ktheu krahët nëndialektit toskë juglindor të Frashërillinjve dhe zgjodhi dialektin veriperëndimor, e më saktësisht të folurën që dëgjohet në Berat e në rrethinat e tij ».
     Qe një zgjedhje e drejtë, vazhdon Resuli, me të cilën Konica tregoi një intuitë të rrallë filologjike, sepse kjo e folme edhe në se fonetikisht është larg gegërishtes, në disa pika themelore i afrohet shumë së parës .
     N. Resuli jep tetë tipare gjuhësore të së folmes së Dangëllisë që karakterizojnë toskërishten e shkruar të Frashërllinjve dhe që e dallojnë nga dialekti veriperëndimor, ose më saktësisht nga e folura që dëgjohet në Berat e në rrethinat e tij.:
1. -l + në > lë: sindëkur çel trëndafilë ( = trëndafilnë) (Bag. 278), u sulë ( = u sulnë) (Shqip. 99), u ngjallë (u ngjallnë) (Bag. 75)
-n + në > - në: jaseminë (jaseminin) kur e pashë (Bag. 312); Si Siman- Pasha që ka marrë Jemenë (= Jemenin) (Shqip.)
-r + në > rë ose rrë: Bir'e vetëm e mer në gji ( = Birnë) (Bag. 54); rrahën të hedhin murrë (=murnë), të han bimën e barrë (=barnë) (Bag. 187);
-r + ni > rri: i mirri ( = i mirni)
-s + në > -zë: në sythit t'ënt e shoh gazë ( = gasnë) (Bag: 36);
-t + më > -më: neve pas pse mbemë ( = mbetmë) (Lulet).
-t + në > -në: u hodhë përtej den'Adriatik ( = detnë), dhe e gjenë më Perëndinë (gjetnë)
-t + të > -të: për lotë (= lottë)
2) Formimi i kallëzores së shquar njëjës të emrave që mbarojnë me bashkëtingëllore duke i shtuar temës drejtpërsëdrejti mbaresën -në: manë (= manin)
3) Përdorimi i rasës gjinore, dhanore dhe rrjedhore shumës pa elementin -v- kur emri në shumës nuk merr mbaresat. -a, -e, -ë.
4) Ruajtja e -ë- në mbaresën e shumësit të së kryerës së thjeshtë: Turqit gjetnë në Shqiptarët një shok të luftësë (Shqip. 27); lithnë fjalë e kuvënt (Shqip. 101).
5) Dalja e vetës së parë dhe të tretë shumës e së tashmes së dëftores shumës me mbaresën ëmë, ënë e jo –im, in si në Berat: puthëmë e joputhim, puthënë e joputhin
6) E pakryera e lidhores në -nj- dhe jo në -j -: E të vinja në gjit t'uaj nj'ujë të ftohtë të pinja (dhe jo të vija, të pija)
7) Forma e vetës së dytë shumës e urdhërores pësore me reduktimin ose asimilimin e pjesëzës -u- e cila vjen pas temës: mos dehi, mos zëmërohi / mos u zini, mos u shani, mos lëvdohi, mos qertohi ( mos u dehni, mos u zëmeroni... mos u lëvdoni, mos u qertoni).
8) Përdorimi i - ë - fundore edhe kur fjala është ose bëhet proparaoksitone.
    
      Resuli jep gjashtë tipare themelore të së folmes së Beratit të dëshmuara në veprën e Konicës:
1) Kallëzorja e emrave të gjinisë mashkullore njëjës me mbaresat -in, -un dhe jo me -në, pra: manin, fikun dhe jo manë, fiknë etj.
2) Gjinorja, dhanorja dhe rrjedhorja shumës me mbaresën -ve: të turqve dhe jo të turqet ose të turqvet.
3) Përdorimi i formave të lidhores: të më rrëfësh, kur të vish, të shkojë, të më rrëfejë.
4) Përdorimi i formave me mbaresën -im, -in dhe jo -ëmë, -ënë për vetën e parë dhe të tretë shumës të foljeve në kohën e tashme të mënyrës dëftore: dalim, dalin dhe jo dalëmë, dalënë.
5) Rënia e ë-së fundore në fjalët proparoksitone.
6) Përdorimi i j-së dhe jo i nj-së në të pakryerën e foljeve: rroja mirë dhe jo rronja mirë.
     Në këto rrethana është e vështirë të përligjet pretendimi i përfaqësueseve të gjuhësisë zyrtare shqiptare të pasluftës mbi praninë e « një koineje letrare gjithë jugore me një bazë të gjerë » dhe me « një nivel të lartë të njësimit » . Përkundrazi të dhënat nga gjuha e veprave të letërsisë artistike provojnë se në periudhën deri në vitin 1944, në sistemin e toskërishtes letrare ishin përvijuar dy variante themelore të toskërishtes letrare, ai i Frashërllinjve dhe ai i Konicës.
     Edhe K. Cipo ka pranuar se « Naimi shkroi në dialekt të kulluar dhe bëri mirë, se dialekti është gurra e gjallë e popullit, se aty janë fshehur thesaret e gjuhës » . « Proza e Naimit bashkë me atë të Vretos, të Mitkos e të tjerëve shkrimtarë toskë të Rilindjes, shkruante A. Xhuvani, formon toskërishten e vjetër, kurse ajo e mbas kësaj periudhe formon toskërishten e re » .
     Edhe pohimet për « një nivel të lartë të njësimit » të toskërishtes letrare janë të diskutueshme. Për veprën e Naimit kjo mund të quhet e provuar. Kështu për shembull studiuesit e Naimit në veprën e tij kanë vërejtur shumë lëkundje lëkundje në gjuhën e Naimit. Kështu p. sh. në formimin e trajtës së shquar të emrave të njerëzve që mbarojnë me -o: Katlloja, Petroja, Pavlloja, Ferdinandoja, por Lodovikua, Llodhovikua, Agamnenua, Kolombua etj.; në formimin e gjindores e dhanores së shumësit të emrave: pun’ e të vegjlet, u thosh barinjet, epuni të varfëret , gjuhërat e të huajet, por fëlliqjet e ligësivet, të mjerëvet, udhëtarëvet, bijt’ e Pellasgëvet; në formimin e kallëzores: gjaknë, trupnë, por shpirtin, Ahmetin, atënë e atin, kalënë, kalnë, kalë dhe kalin; në trajtat foljore: mblerojnë e zbukurojnë, por edhe gjelbëronjënë, lulëzonjënë, nxjerëmë, dhe nxjerimë, të rrosh dhe të rronç,mbeç e mbeta .Të tjerë kanë vërejtur në veprën e Naimit praninë e dukurive të tilla dialektore si shurdhimi i bashkëtingëlloreve të zëshme në fund të fjalës: m’i math, vënt, u tremp etj.; formimi i vetës së parë të kohës së tashme të foljeve me temë në zanore me anë të mbaresës -nj: lëshonj, mejtonj, këthenj, kujtonj etj.; të ashtuquajturën rasë dhanore: në faltoret, në Iljadhët, në memëdhet; formimin e kallëzores së shquar njëjës të emrave të gjinisë mashkullore me mbaresën -n(ë): Ibrahimnë, trimnë, veshnë, Skënderbenë etj.; përdorimin paralel të mbaresave -im, -ni, -in dhe -ëm, -në, -ën për formimin e vetës së parë shumës të kohës së tashme të foljeve: shohim, njohim, marrim nxjerrim, por humbasëm, shohënë, marrënë, vdesënë etj.; përdorimin në veten e tretë njëjës të së pakryerës paralelisht të formave foljore ai dil, zij, pij, doj, rrij, lij, këndoj, haj, po edhe ai pinte, tepronte, ikënte, mbaronte etj.; po kështu përdorimin paralel në trajtat e pësores të formave: bëhet, kthehet, mundohenë dhe ndritonet, bënem, të bënet, mbaronen, trashëgonen etj.; përdorimin e aoristit sigmatik: s’undodhçë, kur arçë, mbeçë, vajçë etj. . Të gjitha këto nuk flasin për « një nivel të lartë njësimi » të toskërishtes letrare. Edhe të tjerë kanë pranuar se në bazë të gjuhës së Naimit është nëndialekti i Dangëllisë. Mbeten për t’u parë me këtë sy veprat e të gjithë autorëve jugorë. Ne, pa dashur të hymë në detajet e kësaj problematike e cila do të kërkonte shumë vend, do të lejohemi të sjellim vetëm dy fragmente të shkurta nga dy autorë toskë të së njëjtës kohë afërsisht :

Mithat Frashëri (Lumo Skendo) (1880-1949)

     Të mukëtit

     Brënda në t'errët shikoj nga finestra perëndimnë. Drita humbet, ca nga ca t'errëtit shtohetë, botën e mbulon një mjegull e zezë: n'atë kohë që tfaqetë nga perëndimi një flak' e hollë majë malevet, pandeh njeriu se drita, dita po vdesën për gjithënjë.T'errëtit si tym i zi më hyn' në shpirt dhe në zëmrë.
     Mejtohem; pse lint dielli çdo mëngjes dhe pse shuhetë çdo natë! Them: pse pas dritësë na vjen kjo cip' e zezë!
     Ca nga ca pushimi bëhetë m'i thellë, çdo gjë bje më një qetim. Ahere syt'e yjvet çelen dhe shikojnë dhen'e nxirë, të pikëlluarë.
     Them: pse shikojnë kështú këtá yj? a po duanë të hedhinë pak' gaz mi dhet të nxirë, mi njerëzit. Këta sy ngjajnë më syt' e tu, o njeri. Po të tutë qeshin, qajnë, gëzohen, helmohen, çkëlqejnë, dhe shuhenë. Ata sipër atje në qiell, ata janë gjithënjë të çkëlqyerë.

Faik Konica (1875 -1942)

Letërsia e shekullit njëzet (Fragment)

     Në shekullin njëzet, kemi disa vepra të dalluara që mund të cilësohen si letërsi e vërtetë, nëse me letërsi kuptojmë një zgjedhje artistike të fjalëve për të shprehur mendime dhe ndjenja. Para së gjithëve do të përmendja Gjergj Fishtën, një frat françeskan i lindur në Zadrimë, i cili është shumë më shumë se poet: për një çerek shekulli ai ka qenë një prijetar impresiv intelektual. Atë Fishta ka provuar të gjitha degët e letërsisë dhe gjithnjë me sukses poezinë, dramën, komedinë. Por, jashtë Shqipërisë, ai është i njohur vetëm si autor i Lahutës së Malcisë, një epi pastoral dhe heroik, për të cilin përkthimi gjerman i botuar në Laipcig, para disa vjetësh, jep një mbresë të kufizuar, meqë muzika e ritmit të Fishtës dhe ngjyra e tij e fjalëve, nuk mund të përkthehen.
     Në Jug, Anton Zako, në një libër të quajtur « Baba Tomorri » (Tomorri është mali më i lartë në Shqipëri), ka përmbledhur një varg të vjershave të tij lirike. Sikur kur shkruan për bariun, duke i rënë fyellit pas stuhisë, sikur kur kredhet në mendime mbi kalueshmërinë e jetës dhe afrimin e vdekjes, vargu i tij ka gjithmonë një ritëm të butë magji pushtuese. Zako, që ishte njeri i kamur, kaloi njëzet vjetët e fundit të jetës së vet në Heliopolis, Egjipt, në vetminë e një vile, pa asnjë mik tjetër pos një dashnoreje dhe librave të tij.

                        
                           Rreth të ashtuquajturave « bashkëvariante letrare veriore »
     Sipas përfaqësuesve të gjuhësisë zyrtare të pasluftës që « nga Rilindja e këndej nuk u krijua dot një gegërishte e vetme e shkruar, po dy: ajo e Shkodrës e ajo e Elbasanit » ose që varianti letrar verior ishte i përbërë nga dy bashkëvariante, bashkëvarianti letrar verior i mesëm, që ishte bashkëvarianti mbizotërues, dhe bashkëvarianti skajor (veriperëndimor) ose, siç është quajtur nganjëherë, « shkodranishtja » letrare me një përhapje mjaft të ngushtë Për të provuar këtë pikëpamje është sjellë si argument që gjatë viteve 1878 1910 janë botuar 234 libra, nga të cilat 60,60% në toskërisht (pa arbërishten) e 33,75% shkodranisht (pa të folmet e ndryshme gege, të cilat përfaqësohen me l%) » . Vështroni me kujdes këtë shifër (1%). A nuk vërteton ajo se nga Rilindja e këtej nuk funksiononin dy gegërishte, ajo e Shkodrës dhe ajo e Elbasanit. Po kështu për periudhën 1800-1910 jepet shifra prej 4.33% për shkallën e përdorimit të të folmeve të tjera të gegërishtes, përjashtuar shkodranishten (rreth 33%) . Po kjo shifër çfarë tregon? Është e qartë, pra, se statistikat e sjella nga vetë përfaqësuesit e gjuhësisë zyrtare të pasluftës provojnë se në Shqipëri deri në vitin 1910 funksiononte vetëm një gegërishte ajo veriore a veriperëndimore.
     Këtu është me interes të shënohet gjithashtu që E. Çabej, kur shënon që letërsia jonë kombëtare vjen si rrjedhojë e derdhjes në lumin e letërsisë kombëtare të shekullit XIX e tri qarqeve parakombëtare siç janë Qarku katolik i Shqipërisë Veriore, Qarku italo-shqiptar dhe Qarku ortodoks i Shqipërisë Jugore, nuk lë kurrfarë dyshimi për mundësinë e pranisë së një qarku të Shqipërisë së Mesme apo të Elbasanit. Kjo besoj se është me rëndësi për të vërtetuar që në Shqipëri, përveç letërsisë së Qarkut katolik të Shqipërisë veriore të shkruar mbi bazën e gegërishtes veriore a më mirë veriperëndimore nuk ka pasur letërsi të një qarku tjetër të shkruar në elbasanishte.
     Janë sinjifikative lidhur me këtë problem diskutimet e bëra në mbledhjet e Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër më 21 nëntor 1916, pra tre muaj pas fillimit të aktivitetit të KLSH.
     Sipas Sotir Pecit, sot për sot të shkruem janë vetëm dialekti i Shkodrës edhe i Toskënis". Për Fishten mungonte një letërsie në dialektin e Elbasanit, kurse për Gurakuqin letërsia e shkruar në dialektin e Elbasanit përfaqësohej nga shkrimet e Kristoforidhit. Kurse Gjergj Pekmezi e Sotir Peci mendonin se shkrimet e Kristoforidhit ishin ndë nji gjuhë gegnishte të përzime etj
     Po më mirë le t’i drejtohemi edhe një herë statistikave. Numri i shkrimtarëve me origjinë nga Shqipëria veriore në raport me ata me origjinë nga Elbasani është për shekujt XVI-XIX, 24/2. Po të fusim në një grup me shkrimtarët me origjinë nga Elbasani edhe ato me origjinë nga Tirana dhe Durrësi raporti do të ishte 22/4. Në shekullin XIX qendrat e tjera gege, përveç Shkodrës, ishin shuar. Pra, duhet pranuar që në Shqipëri në periudhë 1860-1912, po edhe më vonë funksiononin dy variante të shqipes së shkruar toskërishtja në jug dhe gegërishtja veriore a veriperëndimore në veri. Sigurisht që brenda tyre, pra të gegërishtes dhe toskërishtes letrare vihen re dallime. Ne deri tani kemi arritur të veçojmë brenda toskërishtes letrare dy variante themelore atë të Naimit dhe atë të Konicës, po edhe këto pohime kërkojnë vështrime të tjera më të përafërta. Prania e dy bashkëvarianteve veriore nuk del e vërtetuar. Kështu që duhen të dhëna të tjera për të vërtetuar tezën e pranisë së dy bashkëvarianteve veriore. Pra, të dhënat e letërsisë artistike të gjysmës së parë të shekullit XX nuk i konfirmojnë pohimet e përfaqësueseve të gjuhësisë zyrtare të pasluftës që « nuk u shkrua një gegërishte, po... dy: ajo e Shkodrës e ajo e Elbasanit... » ose se varianti letrar verior ishte i shprehur « në dy bashkëvariante - në bashkëvariantin e mesëm e në atë veriperëndimorin » .

              
       Rreth të ashtuquajturave « tipare veriore » në strukturën e koinesë letrare jugore

     Sipas përfaqësuesve të gjuhësisë zyrtare të pasluftës në pragun e çlirimit koineja letrare jugore kishte thithur e bluar në strukturën e saj një varg elementesh të bashkëvarianteve letrare veriore dhe që kjo ishte bërë një dukuri e vetëdijshme .
     Është e vërtetë që në veprën e Naimit, për shembull, janë vënë re disa elemente nga dialekti i veriut ose edhe ndonjë shkodranizëm, po kjo nuk mund të interpretohet kurrsesi si « thithje » e aq më pak « bluarje » në strukturën e toskërishtes letrare « të një vargu elementesh të bashkëvarianteve letrare veriore » për një arsye fare të thjeshtë që ato edhe në rastin më të mirë nuk janë bërë pronë e toskërishtes letrare. Kështu për shembull janë me interes shfaqjet e paskajores gege të tipit me+pjesore në veprën e Naimit në funksione të pjesëve të nënrenditura shkakore, qëllimor etj. , po ato nuk janë bërë pronë e toskërishtes letrare në përgjithësi, pra nuk e gjejmë në mënyrë sistematike tek asnjë autor me origjinë jugore para dhe pas Rilindjes. Kur flasim për elemente të bashkëvarianteve letrare veriore, kemi parasysh ata elemente që vlerësohen nga studiuesit si tipare dalluese të dy dialekteve të shqipes dhe jo fjalë a forma me shtrirje të kufizuar dialektore që nuk mund të vlerësohen si raste të bashkëveprimit të dy dialekteve të shqipes. Pra, është për t’u marrë me rezervë ose më mirë nuk qëndron pretendimi i përfaqësueseve të gjuhësisë zyrtare të pasluftës se « Në pragun e çlirimit koineja letrare jugore kishte thithur e bluar në strukturën e saj edhe një varg elementesh të bashkëvarianteve letrare veriore » ose se « Thithja e këtyre elementeve, që filloi të dukej pak a shumë qartë sidomos aty nga mesi i viteve 30 të shekullit tonë si një dukuri e vetëdijshme në hallka të veçanta të gjuhës së shkrimit, në vitet 40 u zgjerua më shumë .


                     
                     Variantet letrare të shqipes së gjysmës së parë të shekullit XX
                                       drejt afrimit dhe modernizimit të tyre

     Të dhënat e letërsisë së gjysmës së parë të shekullit XX provojnë se në Shqipëri funksiononin gegërishtja letrare dhe toskërishtja letrare. Në themel të gegërishtes letrare ishte gegërishtja veriperëndimore me shfaqjet e veta specifike nga njeri autor tek tjetri. Pra në bazë të gjuhës së shkruar të Fishtës, të Koliqit, të Migjenit, të Mekulit po edhe të të tjerëve më të hershëm si D. Nd. Nikajt, Nd. Mjedës, Prenushit ishte gegërishtja veriperëndimore e cila pas vendimeve historike të Komisisë letrare të Shkodrës synonte gjithnjë e më shumë drejt formave më të përgjithshme, po gjithmonë brenda makrosistemit dialektor të gegërishtes.
     Edhe për toskërishten letrare mund të thuhet pa frikë se gabojmë e njëjta gjë. Pra, edhe toskërishtja e Konicës, e M. Frashërit, e Nolit, e A. Asllanit, e Poradecit, e Kutelit, e Spasses etj. po shkonte drejt formave gjithnjë e më të përgjithshme po gjithmonë brenda makrosistemit dialektor të toskërishtes pa thithur e bluar siç pretendojnë përfaqësuesit e gjuhësisë zyrtare të pasluftës në strukturën e saj elemente të bashkëvarianteve letrare veriore . Pra, në gjysmën e parë të shekullit XX deri në prag të Luftës « në Shqipëri funksiononin dy variante letrare themelore, gegërishtja letrare me bazë të folmet veriperëndimore të shqipes dhe toskërishtja letrare me bazë toskërishten veriore të cilat shkonin paralelisht drejt formave më të përgjithshme po gjithnjë secila brenda kuadrit të makrosistemit të vet dialektor. Duke qenë se baza dialektore e gegërishtes së shkruar ishte më e përthyer dhe me më shumë inovacione, sidomos fonetike, të zhvilluara në periudhën pas shek. XV, autorëve veriorë iu desh të bënin dhe bënë një punë të veçantë të vetëdijshme për mënjanimin nga gegërishtja letrare e shkruar të formave nëndialektore në të mirë të formave më të përgjithshme e më të vjetra, po gjithnjë në kuadrin e makrosistemit të gegërishtes, të cilat praktikisht ishin ose të njëjta ose të afërta me toskërishten letrare të shkruar. Vendimet e Komisisë Letrare të Shkodrës më 1916-1917 kanë qenë vendimtare në këtë proces. Ata, edhe pse pranuan si parim themelor që "orthografia e gjuhës të jetë, për sa të mundet fonetike" dhe që si bazë për të të merrej "dialekti i Elbasanit me disa përmirësime", me vendimet që morën u larguan mjaft prej këtij parimi . Pas këtyre vendimeve që u morën në sajë të largpamësisë, të kompetencës dhe të tolerancës së personaliteteve të tilla të shquara, do të theksoj, shumica dërrmuese e të cilëve ishte nga Shqipëria e Veriut, si Gj. Pekmezi, A.Xhuvani, L. Gurakuqi, Gj. Fishta, N. Mjeda, H. Mosi etj. u mënjanuan pothuajse përfundimisht variantet nëndialektore sidomos në sistemin fonetik të gegërishtes së shkruar. Pas këtyre vendimeve dallimet në sistemin fonetik po edhe morfologjik të dy varianteve të shkruara të gjuhës letrare paraqiteshin minimale dhe nuk krijonin asnjë vështirësi për komunikim. Kjo ishte vetëm njëra anë e problemit. Ana tjetër, ndoshta edhe më e rëndësishmja ishte se të dy variantet, duke u ushqyer secili nga gurra e vet popullore kishin përpunuar e po përpunonin gjithnjë e më shumë mjete të posaçme shprehëse përmes zhvillimit sidomos të letërsisë artistike. Pra, në mënyrë krejt të natyrshme të dy variantet e gjuhës letrare të shkruar po shkonin drejt niveleve të reja, pra po modernizoheshin. Një letërsi moderne, siç po emërtohet me të drejtë letërsia shqipe e gjysmës së parë të shekullit XX, nuk mund të konceptohet pa një gjuhë moderne. Pra, paralelisht me modernizimin e letërsisë shqiptare po modernizohej edhe gjuha shqipe e shkruar në dy variantet e saj themelore . Për të ilustruar për shembull evolucionin e gegërishtes së shkruar po sjellim një fragment nga vepra Shkodra e rrethueme (1913) e Ndoc Nikajt (1862-1951) dhe një fragment nga tregimi i mirënjohur i Millosh Gjergj Nikollës, Migjenit (1911-1938) Legjenda e misrit(1936) :

Ndoc Nikajt
KNDOISIT
     Pershkimet e ktyne diftimeve ***** po çfaqim janë teper t'shpeita e nen kuitim t'gjith atyne ***** kan per t'i kndue n'mnyrë ***** se i cilli mundet me dhanë gjikimin e vet per mîi dreitii t' tyne .
     Mêrret vesht prejë vedit se êmnat e gjindve t' permendun janë t' ndryshuem aq saa mos me zblue çiltas raasa t'nollme n'gjytet ku se i cilli kishte me mûitë me daa me gisht atê e ktê t'permêndun, pse ndoshta s'kishte me i pasë ânde m'u diit saa do ***** nderim e jo poshtnim kishin me pasë prejë komtarve per shkase t'komsiis t'diftueme nder kohë t' vshtira aq saa me bâa flii vehten e dashtniin e zmrave veta per komsii e lirii Shqyptare.
     N' kioftë se ndonji randsii munden me pasë kta diftime faqe t'komtarve t' o­në, nji t'vetme kan e kio âsht ndoshta e vetme ***** nên tingllim t'topave, nên vishkullim t'gjyleve ***** kaluene mîi krye e nên ushtimë t' pushkve ***** krisne per rreth saa Shkodra met n'rrethim t'gjitha u shkruene.
                         Nji t'falun komtarve

Migjeni

LEGJENDA E MISRIT
     Misër! Misër!
     Në shekullin e njëzet s'ka apoteoza perëndish, por ka apoteoza misri. Bjeshkët tona, që dikur qenë lterët e apoteozave perëndish, sod janë lterët e apoteozës së misrit.
Një kokërr misri asht kokërrz dhimbje kur ka shumë u e aspak misër.
Fjala misër përmban në vete legjenda të linduna nga dëshira për jetë. Dëshira për jetë asht e madhe dhe e mahnitëshme sa edhe malet tona që hapin gjitë për me varrosë njerzit e unshëm. E në lartësinë e malevet vigane, legjendë asht dhe lindja, legjendë asht dhe jeta, legjendë asht dhe vdekja. Dhe kjo legjendë i idhtë dhe plot vuejtje historike në shekullin e njëzet asht e thekshme, zemërbrese dhe të ban të qajsh.
     Misër! Misër!
     Thirrja për shpëtimin e jetës. Apoteozë e shekullit të njëzetë! Emën perëndish sot nuk zejnë me gojë fëmitë që posa kanë fillue të belbëzojnë por misër! misër! asht fjala e ditës, asht sinonim i jetës për banorët legjendarë të këtyre malevet të egra.
     Ushtojnë luginat e malevet nga fjalët e malsorëvet t'unshëm, që varg, njeni tjetrit, ecin të ngarkuem me ka një gjysëm thesi misër. Vargu i tyne asht i gjatë, pa fund, si asht e gjatë e pa fund vuejtja e tyne. Mbi kurriz të vet barin ka një gjysmë thesi misër, barin jetën e vet, barin perëndin'. Perëndi i vërtetë misër i dëshiruem!
    
     Pikërisht zhvillimi e përpunimi i tyre i mëtejshëm duhej të ishte dhe duhej të bëhej edhe pas luftës problem themelor i një politike gjuhësore që pretendonte se ishte shkencore e kombëtare. Po të vazhdohej në këtë rrugë vetvetiu, në mënyrë të natyrshme e në kohën e duhur do të shtrohej e zgjidhej edhe problemi i mënjanimit përfundimtar të atyre pak dallimeve që kishin mbetur në sistemin fonetik e morfologjik të tyre. Po çfarë ndodhi? Në të vërtetë me rrugë administrative ju pre rruga zhvillimit të natyrshëm variantit verior ose gegërishtes letrare të shkruar. Si pasojë e kësaj strategjie, si edhe e gjenocidit që u vendos ndaj një pjese të mirë të trashëgimisë letrare e gjuhësore të shkruar nga autorë veriorë, gradualisht u shkëputën pothuajse plotësisht lidhjet me pasurinë gjuhësore e kulturore të shkruar në gegërishten letrare çka nuk mund të ishte pa pasoja në zhvillimin e përparimin e shqipes letrare.

Paqja në Ballkan në rrezik për shkak të ndikimit rus? Luftë në Kosovë nuk do të ketë ?!

                  Kërko brenda në imazh Shkruan  :Flori Bruqi, PHD Disa  vjet më parë nga Flakon Demaku Kryeministri i Kosovës, Albin Kurt...