2011-06-03

Një libër për t’u djegur











Eljan Tanini ndjen se duke vendosur ta thotë të keqen hapur bën rolin e fëmijës së padjallëzuar që shpreh atë që thotë dhe thotë atë që sheh. Duhet ndëshkuar ky fëmijë i keq!

Nga Artan Fuga
 
 
Me këtë libër krejt të veçantë, titulluar “Tregu i zeros”, Eljan Tanini vjen për herë të parë përpara lexuesit. Kisha dëshirë të shkruaja disa fjalë për të jo vetëm për të vlerësuar autorin e ri që ka shkëlqyer në studimet e tija në filozofi dhe sociologji, por edhe forcën me të cilën ai merr në sy realitetin tonë të sotëm moral.

Vështrim krejt origjinal, të cilit nuk i mungon edhe një farë cinizmi. Ka të drejtë Eljani që, duke u shfaqur si provokator, cinik, gërvishës dhe pa lule hipokrite, e vendos gishtin në plagët tona të korrupsionit, mosrespektimit të vlerave, humbjes së dashurisë për sho-shoqin, një egoizmi që i derdh valët e veta si cunam mbi familjen, institucionet, marrëdhëniet pronësore, shoqërinë.

Askush nuk pyet për hallin e tjetrit, por vetëm sheh interesin e tij në një krizë morale që u ngjan atyre të kohërave ku boshllëku etik nuk mund të plotësohej veçse me materializëm, rendje pas interesave personale, llupje pa fund ushqimesh për të shuar depresionin, limonti bisedash të kota.

Përse dikush sillet si prostitutë për të bërë karrierë? Prostituta është shumë më e ndershme se ajo, për shkak se fundja e kryen ndershmërisht profesionin e vet të vështirë.
Përse nuk di të plakesh bukur zotëri, por bie në degradim moral dhe një jetë jargavitëse, duke shtyrë thjesht si organizëm biologjik senil ditët e një jete që nuk vlen më aspak të jetohet? Përse ky nëpunës që na shfaqet në libër nuk e ka në sy të mirën publike, por sheh majtas e djathtas si maçok në sezon ethesh seksuale ku e ku të bëjë sa më tepër para nëpërmjet shitjes së kompetencave që i janë besuar të parit që i ofron ryshfet?

Të gjitha veset e kohëve që kalojmë parakalojnë në faqet e këtij libri të shkruar me një gjuhë – objekt sikurse të ishte përkthimi i frymëzimit të piktorit, dashuruar pas formave vizive dhe lojës së ngjyrave, në universin e fjalës. Rreshta telegrafikë që nuk të lodhin. Ndodhi fragmentare sikurse është jeta jonë urbane pa asnjë koherencë. Bodrume shpirtërore të ndriçuara me zgjuarsi dhe inteligjencë, mbushur me të pathëna. Të pathënat
tona që janë shumë më të rëndësishme sesa ato që mbushin logore të vjellaprurëse të diarreve verbale në hapësirat publike.

Ka të drejtë të jetë cinik Eljan Tanini, sepse përndryshe askush nuk të dëgjon në këtë botë zhurmash të kota vesh-shurdhuese. Një libër që më ka lënë pa frymë në dëshirën e vet për autenticitet.

Librat zakonisht nuk e thonë të pathënshmen, atë që përmban sekretin e vërtetë të qytetit. Librat gënjejnë në nëntëdhjetë e nëntë për qind të rasteve. Sepse zbukurojnë. Gënjen shpesh poezia, gënjen proza si pa gjë të keq, gënjejnë shkrimet në gazetë, reportazhet, opinionet. Sepse zbukurojnë… Eljan Tanini ndjen se duke vendosur ta thotë të keqen hapur bën rolin e fëmijës së padjallëzuar që shpreh atë që thotë dhe thotë atë që sheh.

Duhet ndëshkuar ky fëmijë i keq! Hajeni me kocka e mish sepse ai na turpëron të gjithëve! Na ka nxirë faqen me naivitetin e tij që nuk është pafajësi, por një teknikë ndërtimi përfytyrimesh estetike plagosëse. I ngjan fëmijës që nuk ka turp t’i thotë në sy të të gjithëve të fshehtat e familjes së vet. Të fshehtat përvëluese, që sikurse thotë psikologjia e ndërveprimit psikologjik, i di vetëm fëmija, i huaji dhe shërbëtori i një shtëpie. Para tyre të rriturit shfaqen sikurse janë vërtetë mesë kujtojnë se ata nuk
kuptojnë.

Fëmija sheh se vëllai i madh fsheh lekë të vjedhura poshtë dyshekut. Fëmija di se nëna e urren babanë e pasur. Të huajit dikush i thotë se vendi ku ai ka ardhur për të bujtur është i
mallkuar. Shërbëtori e di se e zonja fut fshehurazi në shtrat Donzhuanin e lagjes, nën hundën e burrit që gërhit në apartamentin e tij në katin e dytë të vilës. Të dobëtit janë të fortët. Në mos realisht, së paku në informacionin që zotërojnë. Eljani e ka hequr maskën e turpit të djalit të mirë, të sjellshëm dhe të respektuarit me më të rriturit. Ai na bërtet: “Përse na sakrifikoni me hipokrizinë tuaj?” Është akuza e fëmijëve ndaj prindërve. Do të vinte një ditë kur brezi i ri do të na thoshte: “Çfarë keni bërë kështu o njerëz? Keni djegur shtëpitë tuaja, keni kthyer spitalet tuaja në çmendina trupash të sëmurë, keni braktisur tokën, keni bërë pis dhe jetoni mes pisllëkut. Keni humbur butësinë njerëzore, sikur e egra ka nxjerrë kokë mbi gurmazet tuaja, keni lënë punën, nuk keni më asnjë lidhje me artin, teatrin, operën, romanin, poezinë. Vetëm të mblidhni parà doni, brenda një makthi
gobsekian. Nuk e shihni varfërinë që lundron në ç’njerëzi? Keni harruar të varfrin, të dobëtin, të sëmurin?”

Akuza e një brezi kundër një brezi paraardhës. Tmerri i tmerreve. Ky është testamenti që nuk e bën prindi për fëmijën, por fëmija për prindin. Akt-akuzë që duhet dëgjuar, lexuar. Është e para, por të tjera do të vijnë pas. Është një akt ndarjeje nga ne, i një të riu, i cili vuan nga hipokrizia e shoqërisë ku jeton dhe dëshiron ta përballë me cinizmin e talljes dhe të mosrespektit.

Duket se ka frymëzim niçean. E mira nuk është veçse e keqja e lyer me mjaltë. Është frymëzuar, them unë, edhe nga Migjeni që godiste të degraduarën atje në mjedisin urban, mu në mes të lagjes, bash te shtresat e mesme dhe të ulëta, sepse ato të lartat as nuk i merrte fare në konsideratë. Degradimi i të varfrit është faza e fundit e kataklizmës morale që e kërcënon çdo shoqëri.

Se çfarë ka një trishtim të madh në këtë libër më se të bukur, më se të vërtetë, më se të guximshëm, më se besnik me veten, më se emancipues!

Çdo i ri duhet ta lexojë si një manifest kritike morale kundër një bote brezash që nuk kanë ditur të ndërtojnë ende një moral autentik dhe të shëndoshë, pa gënjeshtra.

Se çfarë ka një trishtim që ta komunikon në forma brutale!

Nuk di të thotë “mirëmëngjesi” në fillim dhe pastaj të thotë fjalët e tjera. Jo, jo, nuk ka kohë, as nuk ia vlen.

“Ti ke qenë një maskara në jetë xhaxha!”

“Ju silleni si një prostitutë zonjë e nderuar!”

“Ti je një vrasës i fshehur zotëri!”

“Nuk ka nevojë t’ju them “mirëmëngjesi” në fillim. Po ju komunikoj direkt pretencën”.
Është prokuror dhe gjykatës i një bote që ka borxhe ndaj tij, ky libër i Taninit.

Fundja i kemi borxh çdo të riu jetën që i kemi falur. Nuk i kemi bërë një të mirë, i kemi hyrë në borxh. Secili prej tyre ka të drejtë të na thotë: “Kush ju tha more të uruar të na lindnit, për të na vërvitur në këtë lloj universi të pistë e plot gjëma që keni krijuar! Shikoni se çfarë i keni bërë detit, malit, pyllit, buzëve të lumenjve, ajrit ! Kush ju tha të na lindnit?”

Është një mërzi që do t’i kishte hije një të moshuari që pasi e ka gëlltitur pa fund gjellën e jetës, i është neveritur ajo dhe thotë se nuk i pëlqen më. I është velur. Por, Eljani është i ri. Përse i kemi rritur para kohe të rinjtë tanë? Faj i madh! Fundja prodhimtaria intelektuale andej e merr energjinë, nga paradoksi, nga tensionet.

Është si një libër me prozë, herë ngjan si letërsi, herë si traktat etik, herë si akt-akuzë e një gjyqi robesperrian, herë si pamflet. Fundja është i vërtetë, janë përjetime njerëzore.
Thashë, është dinak Eljani, sikurse duhet të jetë pa dyshim dhelpër, jo elefant, dikush që komunikon me publikun. Bën sikur i hedh mendimet siç i vijnë, por jam bindur se kemi të bëjmë me një krijim të menduar thellë.

Është një vrasje me paramendim. Një këshillë për lexuesin: Nëse është i ri, ta lexojë në fshehtësi këtë libër dhe ta përhapë te bashkëmoshatarët e tij. Nëse lexuesi është prind të përpiqet që ky libër të mos bjerë në dorë të fëmijëve të tij. Ku ta gjejë, ta blejë dhe menjëherë ta hedhë në ndonjë përrua, ta djegë në një autodafé duke kërcyer një valle dioniziake shtrigash dhe shtriganësh rrotull një zjarri të madh në ndonjë greminë të humbur. Atje janë, shkojnë çdo të shtunë, thonë se kalojnë fundjavën, por në fakt hedhin valle rreth zjarrit, duke ndëshkuar çdo të mirë që lind në qytet përgjatë një jave.
Është i rrezikshëm ky libër. Digjeni këtë libër se ai thotë të vërtetën!

Blijeni – lexojeni dhe digjeni! Faji i tij: Thotë të vërtetën në një botë ku të shumtët gënjejnë. Pra, për rrjedhojë është ai që gënjen. Autori të dënohet me ostracizëm. Ta përzëmë nga qyteti sepse veç të tjerash çedukon rininë. Unë e mbaj me kujdes mbi tavolinën time të punës.

Si akt pendese. Si kujtesë për kërkesë faljeje në emër të brezit tim. Si zile që të zgjon nga gjumi prej borgjezi të mesëm të një mesoburri. Si fletë-thirrje për në gjyqin e fundit që mos kujtoni se është thjesht një marrëzi. Ai do të vijë një ditë. Si një copëz letre ku ke shkruar gjërat e ditës që nuk duhen harruar. Me dashuri dhe shpresë tek Eljani… Dhe tek të tjerë të këtij kallëpi që i shoh se po rriten në sytë tanë, dhe ne s’i shohim, e që na shohin me plotë të drejtë me qesëndi. Si mbeturina të një kohe që perëndon.

Revista Shkencore Media, nr. 2 [2010]









E botuar për herë të parë nga një degë e Universitetit të Prishtinës, Revista Shkencore Media, nr. 2 [2010] ofron materiale shkencore për studiuesit e gazetarisë. Një revistë e tillë u ka munguar deri më tani studiuesve të medieve në Kosovë, e më gjerë. Në Revistë shtjellohen dukuri të ndryshme të medieve, teori, dhe në mënyrë shumë të qartë jepen shpjegime për konceptet gazetareske.
 
 
Dega e Gazetarisë, e themeluar më 2005, po vazhdon të zgjerohet edhe në fushën e kërkimeve shkencore, duke i promovuar punimet dhe të arriturat në fushën akademike gjatë një viti. Ditë më parë, kjo degë nxori revistën MEDIA, nr. 2 [2010].
Revista ofron artikuj shkencorë, të hulumtuar mirë, në fushën e medieve dhe komunikimit me publikun.

Aty shtjellohen dukuri të ndryshme të medieve, teori, dhe në mënyrë shumë të qartë jepen shpjegime për koncepte gazetareske.

Është vështirë të gjendet ndonjë çështje, e shtruar nga autorët e punimeve, e që nuk ka marrë përgjigje meritore. Ata kanë arritur të zotërojnë temat e trajtuara, me shembuj konkretë, ilustrues dhe me informacion të mjaftueshëm e të shumëllojshëm.

Në tërësi Media 2 ka dhjetë punime shkencore, të realizuara sipas standardeve shkencore.

Autorë të artikujve shkencorë janë personeli akademik i Degës së Gazetarisë, të cilët punën e tyre shkencore dhe praktike e pasqyrojnë në revistë.

Një profil i tillë i revistave shkencore në fushën e medieve deri më tani u ka munguar shumë studiuesve të gazetarisë në Kosovë, e më gjerë. Aty ka edhe punime të autorëve të huaj për fushën e medieve.

Në tekstin e parë, “Media në Kosovë ndërmjet lirisë fiktive dhe kontrollit faktik”, të Milazim Krasniqit, trajtohet tema e lirisë së medieve në Kosovën e dhjetë viteve të fundit. Autori ofron një analizë të ligjeve të Kosovës, të cilat kanë ndikuar në lirinë e medieve që nga përfundimi i luftës, por edhe në avancimin e lirisë së medieve në Kosovën e pas pavarësisë.

Edhe në tekstin e dytë, “Teori tipologjike e gazetarisë”, të autorit Bajram Kosumi, për herë të parë bëhet ndarja e llojeve dhe nënllojeve zhanrore të shkrimeve gazetareske, dhe atë në bazë të dy faktorëve: qëllimit përmbajtjesor dhe strukturës së tekstit.

Në tekstin e tretë, “Komunikimi kulturor global”, të Ibrahim Berishës, po ashtu, ofrohet një analizë përmbajtjesore për historikun e komunikimit kulturor tek shqiptarët, për të vazhduar pastaj deri tek komunikimet moderne ndërmjet popujve.

Ndërkaq, tekstet e tjera janë: “Marrëdhëniet mes gjuhës dhe politikës”; “Integrimi, identiteti, sfidat dhe procesi i rajonalizimit të Ballkanit perëndimor”; “Stili ligjërimor i reklamës në shtypin e Kosovës”; “Ndikimi i reklamuesve në politikat editoriale gjatë fushatës parazgjedhore”; “Mbresëlënës” përballë “i spikatur”?, dhe “Fotografia e gazetarisë”.

Ndryshe, në revistë shkencore janë botuar edhe tekste nga autorë të huaj, por të vlefshme për studiuesit e gazetarisë. Në mesin e tyre janë Bill Kovach, Tom Rosentiel, Patrish Holland, etj.

E, në fund të këtij botimi, redaksia i njofton lexuesit me standardet për botimin e punimeve shkencore në këtë revistë. Sipas këtyre standardeve, në Revistën e Degës së Gazetarisë mund të botojnë punimet e tyre edhe studiues të tjerë, të cilët kanë punime të fushës së medies, të punuara në bazë të standardeve profesionale për revista shkencore.

Në tërësinë e saj, Media 2 është një revistë që mund të përdoret nga kushdo që i intereson njohja e fushës së medieve, por edhe një mundësi për zotërimin e kësaj fushe të rëndësishme të kohës moderne. Përmbajtja dhe rezultatet e kësaj reviste do të duhej t’u hynin në punë, në rend të parë, studentëve të gazetarisë, por edhe gazetarëve që duan të dinë më shumë rreth teorive dhe koncepteve të medieve.

“What Every Man Thinks About Apart From Sex”



 

 

 

 

 

 

 Me 200 faqe të zbrazëta, libri i titulluar “What Every Man Thinks About Apart From Sex” është shitur më shumë se ‘Harry Potter’ dhe ‘Kodi Da Vinçi’.


Kur shkrimtari Sheridan Simove ishte ulur për të shkruar librin e tij të ri “What Every Man Thinks About Apart From Sex” ((Çfarë mendojnë meshkujt përpos seksit), ai vërtet nuk bëri asgjë.

Kështu ai gjithsesi e botoi librin me një ballinë dhe me 200 faqe tërësisht të zbrazëta.
Por kjo gjë doli të jetë një goditje me vend, pasi që libri u shit më shumë se “Harry Potter” dhe “Da Vinci Code” brenda javësh të lëshimit në librarinë online Amazon.com.
Kryevepra me çmim prej 4.69 funta e ka kapërcyer qëllimin e vet themelor si dhuratë e re dhe po përdoret nga studentët si fletore e shënimeve. Dhe po shitet me mijëra.

Studenti i Universitetit të Nottingham-it Jess Lloyd ka thënë për Telegraph: “E kam blerë një kopje për mikun tim duke bërë shaka dhe ai ka filluar ta përdorë si fletore për ligjërata. Tani secili duket se e ka një. Ka filluar një çmenduri e vërtetë në kompleks të universitetit”.

Simove, 39 vjeçar, i diplomuar në Oxford University, autor, performues dhe sipërmarrës, ka thënë: “Kurrë nuk kam parashikuar se libri im do të përdoret nga studentët për të marrë shënime në të. Në një formë ata po më provojnë gabimisht, duke e mbushur librin tim me përmbajtje. Por hamendem sa prej tyre kthehen prapa për të menduar rreth seksit sapo të mbarojë ligjërata”.

Artikulli është shitur tërësisht në botimin e parë, duke dalë në listën e Amazon-it para romanit të Dan Brown “The Da Vinci Code” dhe të shkrimtares JK Rowling “Harry Potter and the Order of the Phoenix”.

Ai ka shtuar se ideja i ka ardhur pasi ka botuar një libër për vetë-ndihmë të titulluar ‘Ideas Man’.

Ai ka thënë: “Ka qenë rreth jetës sime, sukseseve dhe dështimeve. M’i ka marrë pesë vite për ta shkruar, ka qenë në shitje për dy vjet dhe ka qenë i pesë mijti në listën e Amazon-it”.

“What Every Man Thinks About Apart From Sex”, joçuditërisht, ka marrë vetëm nëntë ditë për t’u përfunduar, që nga koncepti deri te botimi.

Por autoritetet kanë refuzuar t’i japin statusin që e liron nga taksat, sikurse për librat tjerë, pavarësisht se e ka numrin ISPN.

Kjo nuk është kontradikta e parë e autorit Simove. Ai së fundmi e ka ndërruar emrin në Zot, por është zmbrapsur kur ka tentuar të tërheqë para nga banka e tij. Zoti nuk ka një llogari bankare.

“Banka ime ishte shumë e zemëruar me mua”, ka thënë ai për AOL News. “Ata kanë thënë se nuk kanë mundur të më vënë në sistem me vetëm njërin emër. Unë iu thash më nënshkruani si Zot i Plotfuqishëm. Ata më thanë se do të m’i mbyllnin të gjitha llogaritë bankare. Në fund, e ndryshova prapë emrin”.

'Shqipëria më dha shtysën drejt letërsisë'






Autorja austriake ka prezantuar në Tiranë romanin e saj “Qaj e qesh”, ngritur mbi historinë e dashurisë së saj me një emigrant shqiptar. Grill, me shqipen që e flet shumë mirë, tregon eksperiencën e saj drejt Shqipërisë dhe angazhimin për të përkthyer letërsi shqipe.

Në profesion Andrea Grill është biologe. Kjo nuk e ka penguar të merret me letërsi. Dje ndodhej në Tiranë, në një nga vizitat e shpeshta që i bën Shqipërisë. Këtë herë shkrimtarja austriake kishte edhe një motiv më shumë: prezantimin e botimit shqip të romanit të saj “Qaj e qesh”, përkthyer nga Majlinda Cullhaj, botuar nga “Instituti i Dialogut e Komunikimit”.

Grill e bën të gjithë prezantimin shqip, sepse tashmë jo vetëm që e flet dhe e shkruan mirë këtë gjuhë, por ka përkthyer letërsi shqiptare. Mendon se ky libër do të jetë afër lexuesit shqiptar, veçanërisht atij të ri, sepse përveçse trajton një histori dashurie, protagonisti është një djalë shqiptar, i cili kaloi në mënyrë të paligjshme kufirin austriak në vitin 1991. Gjatë promovimit në sallën “Atrium“ në Bibliotekën Kombëtare, Grill ka thënë se, “ky është libri im i tretë, por faktikisht ky ishte libri që desha të shkruaj. Ishte një surprizë e bukur, sepse është romani i parë që ka lindur në një gjuhë tjetër dhe jam e shumë e lumtur që ka lindur në gjuhën shqipe”.

Lazër Stani i bëri një prezantim paraprak këtij romani parë prej tij, ndërsa shkrimtarja Mimoza Ahmeti tregoi më shumë për njohjen me autoren austriake, në takimin promovues ku ishte i pranishëm edhe ambasadori austriak, Florian Raunik. Andrea Grill e njeh shumë herët Shqipërinë. Së pari, përmes një libri që i ati e kishte në bibliotekë, e më pas në një udhëtim për ta prekur nga afër këtë vend.

“Kur isha 17 vjeç kam ardhur për herë të parë në Tiranë. Ishte viti 1992 dhe kisha miqësi me një familje shqiptare. Më ftuan të kaloja pushimet këtu. Isha akoma studente në Austri, por më ka tërhequr gjithnjë fakti që këtu ka det dhe më shumë diell se në Austri. Për mua ishte një rilindje tjetër, sepse isha larg familjes dhe fati më ndihmoi të njihesha me intelektualë, me shkrimtarë, piktorë, muzikantë. Tashmë Shqipëria është për mua si shtëpi e dytë”, - tregon Grill. E nisur nga përvoja personale, dashuria me një shqiptar emigrant, i cili bëri çmos të merrte pasaportë austriake për të lëvizur lirshëm, e në fund, kur e mori e caktuan të ruante kufirin austriak, Grill ka ndërtuar një roman që rrëfen ngushtësisht marrëdhëniet në një çift, por edhe bartjen e kulturave prej nga vijnë. Vetë e cilëson një roman realist dhe jo absurd. Më parë, Grill ka botuar vëllime me poezi,(disa arrin t’i krijojë edhe shqip), përmbledhje me tregime dhe po fiton terren në letërsinë austriake.

“Letërsia ka qenë ndër interesat e mia të hershme, por udhëtimi në Shqipëri ishte vendimtar. Ishte hera e parë që kam menduar se duhej shkruar seriozisht një libër për periudhën që jetojmë. Për ata që kanë lindur në vitet ’70, ashtu si unë e që kishim mbaruar shkollën në vitet ‘90, kur u hap një pjesë të Europës së mbyllur më parë si edhe Shqipëria, këto vite kanë qenë shumë të rëndësishme. Unë besoj se më kanë formuar si njeri dhe besoj se duhet të shkruhen libra për vitet ’90, jo vetëm për Austrinë”, - ka thënë Grill.

Në të njëjtën kohë me prezantimin e saj në shqip, austriakja është bërë ndërmjetëse e prezantimit të letërsisë shqiptare në publikun gjermanishtfolës. Ka përkthyer nga Luljeta Lleshanaku vëllimin poetik “Fëmijët e natyrës”, nga Mimoza Ahmeti romanin “Gruaja halucinante”, tregime nga Lazër Stani dhe poezi nga Visar Zhiti. Së shpejti një vëllim poetik i saj do të botohet në Austri, ndërsa ka në dorë një tjetër roman mbi marrëdhëniet atë e bir, por të cilin e konsideron të ndryshëm nga ky që i ka sjellë lexuesit shqiptar.

Në nderim të Albert Camus





 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
Nga Alfred Beka 
 
Këto ditë, doli nga shtypi numri i 5-të i revistës për teatër “Loja”, i cili kësaj here vjen me një përmbajtje voluminoze prej 346 faqesh me 11 rubrika të ndryshme. Siparin e revistës e hap editoriali me titullin “Laboratori teatror” i shkruar nga kryeredaktori Bekim Lumi, për të vazhduar me kaptinën kushtuar dramaturgut të shquar Albert Camus, jeta dhe vepra krijuese e të cilit, në 50 vjetorin e vdekjes së tij, në këtë numër të revistës ‘Loja”, në rreth 70 faqe, i paraqitet lexuesit përmes librit biografik “Camus – njeriu i revoltuar” të autorit Pierre-Louis Rey. Në po këtë rubrikë kanë zënë vend edhe dy shkrime retrospektive kritike të autorëve Vehap Shita e Beqir Musliu mbi inskenimin e dramës “Kaligula” të Albert Camus në vitet ’70 në Kosovë.

Boshtin kryesor tematik të këtij numri të revistës “Loja” e përfshin rubrika “Laboratorët teatrorë”, në të cilën, përmes shkrimeve të autorëve të tillë si: Franco Ruffini, Beatrice-Picon Vallin, Zbigniew Osinski, Nando Taviani e Mirella Schino, në rreth 70 faqe, për herë parë në shqip, përmes disa shkrimeve me karakter analitik, jepet një pasqyrë e plotë e lindjes, rritës dhe zhvillimit të orbitës së laboratorëve teatrorë në shekullin 20 nga mjeshtrit e mëdhenj të skenës teatrore botërore, të tillë si: Konstantin Stanislavski, Vsevolod Meyerhold, Jerzy Grotowski e Eugenio Barba.
Rubrika pasuese i kushtohet Teatrit Laborator Loja, në të cilën, krahas shkrimeve me karakter informativ mbi themelimin, fizionominë dhe formatin artistik të këtij teatri, kanë zënë vend edhe disa shkrime kritike të autorëve Jeton Neziraj, Arian Krasniqi, Besim Rexhaj, Elizabeth Gowing e Jovan Qirilov për shfaqjen “Këmisha e gjakut”.

Më tutje, në kuadër të rubrikës “Teatri i Grotowski-t”, ka zënë vend shkrimi autorial “Nga kompania teatrore te arti si mjet” i Jerzy Grotowski-t, i cili është një paraqitje e detajizuar e ideve, koncepteve dhe bindjeve krijuese për teatrin e këtij regjisori dhe mjeshtri të shquar të përmasave botërore.

Ndërkaq, te rubrika “Teatri i Shakespeare-it”, për herë të parë në shqip, nën titullin “Harrojeni Shakespeare-in” botohet cikli i përmbledhur i disa ligjëratave të regjisorit Peter Brook.

Një shtojcë më vete paraqet rubrika “Studime krahasimtare”, në të cilën ka zënë vend shkrimi komparativ “Struktura etike e tragjedive të Eskilit dhe Sofokliut” e studiuesit japonez Kazuhiko Yamamoto, i cili, veç tjerash, njihet edhe me studimet e tij të veçanta krahasuese për traditën zakonore shqiptare.

Përvoja e gjithanshme dhe jashtëzakonisht interesante krijuese e aktorit japonez Yoshi Oida shpërfaqet, në kuadër të rubrikës “Studioja e aktorit”, përmes shkrimit “Në prapaskenë dhe në skenë”.

Në rubrikën “In Memoriam”, përmes biografive të përmbledhura, evokohen dy artistët e shquar, tashmë të ndjerë, të skenës teatrore e filmike kombëtare, Agim Qirjaqi e Bep Shiroka, si dhe aktori i shquar i përmasave botërore, Bekim Fehmiu. Jeta dhe vepra krijuese e Bekim Fehmiut dhe e Agim Qirjaqit kanë zënë një vend të veçantë edhe në faqet e rubrikës “Portrait & Memory”, në të cilën, përmes disa shkrimeve autoriale dhe intervistave, ndriçohen dhe paraqiten detaje, aspekte dhe dimensione të veçanta të jetës krijuese e artistike të këtyre dy artistëve të mëdhenj. Në kuadër të kësaj rubrike, për herë të parë në shqip, botohen edhe tri fragmente nga libri i Bekim Fehmiut “Shkëlqim dhe tmerr”. Ky numër i “Lojës” përmbyllet me rubrikën “Drama”, në kuadër të të cilës, në përkthim të Eqrem Bashës, për herë të parë në shqip botohet drama e njohur e Fernando Arrabal-it “Varreza e veturave”. Pjesë përbërëse e kësaj rubrike janë edhe shkrimet “Dramaturgjia e re e Kosovës” dhe “Enea i historisë sonë”.

Arkitekti i Dardanisë së re


 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 (Foto: Petrit Rrahmani)

“Dr. Ibrahim Rugova, arkitekti i Dardanisë së re” është titulli më i ri që i kushtohet ish Presidentit Ibrahim Rugova.

Nga Alfred Beka
 
më 03 qershor 2011 në ora 16:12
 
‘Një dhuratë e vogël për Presidentin e parë historik të Kosovës, në pesë vjetorin e kalimit të tij në amshim’. Me këtë dedikim e hap autori Engjëll Koliqi librin e tij për ish Presidentin Ibrahim Rugova, të titulluar “Dr. Ibrahim Rugova, arkitekti i Dardanisë së re – Republika e Kosovës”, libër ky i botuar nga shtëpia botuese Rugova Art, i cili u përurua të ënjten në sallën e rezidencës së Ipeshkvisë së Kosovës.

Naim Kelmendi, redaktor i librit, u shpreh se libri publicistiko monografik i Engjëll Koliqit mëton të shtjellojë një lëndë sa heterogjene, sa përmbledhëse dhe sa shënjuese për nga projektimi dhe për nga përkushtimi, ngase, siç u shpreh ai, i kushtohet figurës madhore dhe komplekse Dr. Ibrahim Rugovës, dijetarit, njeriut të kritikës letrare të kohës dhe po ashtu presidentit historik të Republikës së Kosovës.

“Ajo që e bën të dallueshme këtë monografi është metodologjia që e përdor autori i veprës në sajimin e lëndës, duke e bërë librin sa më të afërt dhe sa më të pranueshëm për lexuesin”, tha Kelmendi.

Ndërkaq, studiuesi Flori Bruqi theksoi se krijimtarinë e zotit Rugova, studiuesi Engjëll Koliqi e përshkon me një frymë mahnitëse, objektiviteti, humanizmi dhe optimizmi të pakundshoq. “Mes rreshtave të librit të Engjëll Koliqit për Ibrahim Rugovën nuk është vështirë të kapësh tiparin më themelor të formimit intelektual të akademik Ibrahim Rugovës”, tha Bruqi.

Shkrimtari dhe studiuesi Ndue Ukaj në kumtesën e tij u shpreh se në serinë e librave të panumërta që shkruhen kudo për Ibrahim Rugovën, libri i publicistit dhe shkrimtarit, Engjëll Koliqi vjen si një dëshmi e fuqishme, se fryma e Presidentit Rugova, e mbi të gjitha misioni i tij, është i ngulitur thellësisht dhe qartësisht, në themelet e shtetit të Kosovës, gjurmët e së cilës po përjetësohen edhe nëpërmes këtij libri. Sipas tij, Kosova nuk mundet të frymojë pa Rugovën.

“Duke shikuar, analizuar dhe studiuar realitetin tonë në Kosovë, në momente dramatike, kur ndjehet ankthshëm mungesa e Rugovës, mund të pohojmë pa hamendje se Kosova nuk mundet pa Rugovën, autorin e Kosovës europiane, autorin e Kosovës perëndimore dhe autorin e Kosovës moderne”, u shpreh Ukaj.

Në këtë kontekst, sipas Ukajt, ky libër, me tekstet e shumta që ofron, të karakterit të shumëfishtë, kulturor, publicistik, letrar e studimor, shërben si një referencë plotësuese, në dokumentimin e jetës, veprimtarisë dhe personalitetit shumëdimensional të Presidentit Rugova.

Ndërkaq, Don Lush Gjergji u shpreh se ky botim është një kontribut i çmuar për ta njohur më mirë dhe për së afërmi jetën dhe veprën e Dr. Ibrahim Rugovës.

“Engjëll Koliqi me mjeshtri dhe në stilin e tij tashmë të njohur enciklopedik mblodhi shumë të dhëna të njohura dhe më pak të njohura nga jeta dhe vepra e Dr. Ibrahim Rugovës, shënime, shkrime, shqyrtime, vlerësime të njerëzve të ndryshëm të politikës, shkencës, artit, kulturës kombëtare dhe ndërkombëtare, duke na dhuruar një mozaik të çmuar dhe të vlefshëm jo vetëm për Presidentin tonë të parë, por nëpërmjet tij edhe për popullin tonë shqiptar vazhdimisht të kërcënuar dhe të rrezikuar, megjithatë gjithnjë të gjallë dhe të qëndrueshëm në skenën historike dhe aktuale”, u shpreh Gjergji.

I pranishëm në këtë përurim qe edhe Mark Krasniqi, një prej bashkëpunëtorëve të Rugovës. Ai tha se Ibrahim Rugova meriton ta përkujtojmë sa më shpesh dhe sa më mirë si dhe ta ngrisim sa më lart. Ai shtoi se Ibrahim Rugova ka qenë një njeri modest dhe nuk ka pasur mendje të madhe. “Ibrahim Rugova është kujdesur që ne të kemi këtu një themel sa më të madh dhe sa më të thellë europian perëndimor”, tha mes tjerash Krasniqi.
Në fund, autori i librit, Engjëll Koliqi u shpreh se nuk i ka mbetur tjetër pos të thotë se ndërgjegjja i ka kërkuar të bëjë diçka për këtë figurë kolosale të kombit tonë dhe të konfirmojë se është munduar të shmangët nga uniformizmi i zakonshëm i librave monografik, për të mos e lodhur lexuesin gjatë leximit të tij.

 BURIMI:    http://www.gazetaexpress.com/?cid=1,21,55082

2011-06-02

KRIMET NË KOSOVË DHE NEVOJA E KONCEPTIMIT SHKENCOR TË TYRE

Shkruan: Akademik Prof.Dr. Pajazit Nushi


U botuan hulumtime dhe rezultate të rëndësishme mbi krimet e bëra në Kosovën e dekadës së fundit të shekullit XX. Në 32 vëllimet e botuara dallohet përmasa e theksueshme përshkruese. 

Në botimet e këtilla ka mospërputhje sasiore dhe trajtim jo të qëndrueshëm të sistemit të koncepteve dhe të termave të krimeve. 

Ka modalitete krimesh ende të pazbuluara. Republika e Kosovës duhet ta ketë institutin gjurmues të krimeve.

Domosdoa e saktësimit kuantitativ dhe e precizimit të domethënies së termave për krimet dhe modelet e tyre


Lufta në Kosovën e dhjetvjetëshit të fundit të shekullit të kaluar ka shkaktuar krime dhe shkatrrime përmasash të mëdha me strukturë të shumëllojshme dhe me pasoja të shumta të karakterit afatshkurtër dhe afatgjatë.

Shkatrrimet kanë goditur rëndë të gjitha degët e ekonomisë së përbashkët, të asaj të çdo komune, familjeje dhe ekonominë individuale. Shtrirja e këtyre shkatrrimeve ka përfshirë të gjithë territorin e Kosovës, kuptohet, intensiteti dhe ritmi i tyre ka qenë i ndryshueshëm, kurse matja e saktë e pasojave konkrete të të gjitha formave të shkatrrimeve ende nuk është kryer saktësisht.

Shkatrimet më të mëdha janë kryer në kapacitetet njerëzore, ku krimet e bëra ndaj njerëzisë , sidomos në vitet 1998 e 1999 kanë qenë më të rëndat. 

Këto kanë përfshirë të gjitha moshat e dy gjinive, kanë goditur popullsinë e vendeve urbane e rurale duke qenë të drejtuara dhe të përqendruara ndaj popullsisë shqiptare në rend të parë, por nuk janë kursyer as pjesëtarët e kombësive të tjera të Kosovës (boshnjakët, romët, serbët, turqit, etj.). Rezultatet e deritashme të hulumeve sasiore të dëmtimit të kapaciteteve njerëzore janë me numër të paprecizuar. 

Nuk janë të precizuara as shifrat e humbjeve njerëzore sipas formave të krimeve, madje as sipas moshës së tyre.

Struktura e krimeve ka qenë ndër më të ndryshmet: ka pas krime klasike (burgosje, vrasje e dhunime) si edhe krime formash të përshtatura qëllimeve politike të përbashkëta të njësive policore e ushtarake, si edhe të njësiteve paramilitare serbe. 

Në grupin e fundit të krimeve të organizuara dhe të kryera sipas objektivave të luftës së njësive dhe njësiteve luftrake dallohen ato të vrasjes dhe zhdukjes së gjurmëve të krimeve duke sajuar kategorinë e të zhdukurve dhe, krahas me këtë kategori dallohet kategoria e dëbimit të popullsisë shqiptare nga shtëpitë, pronat e vendbanimet, fshtarat dhe nga qytetet. 

Ka pasë edhe krime formash të kombinuara: burgosje - dhunim, dhunim- vrasje, dhunim - vrasje dhe zhdukje shenjash të krimieve, etj. Krimet e formave të përmendura sa janë krime kundër njerëzimit, aq mund të thuhet se janë krime gjenocidale. 

Por, rezultatet e trajtimit konceptual dhe emërtimi précis i sistemit të koncepteve të krimeve të bëra kanë qenë të pakta: më shumë janë karakterizuar krime kundër njerëzimit, por ka pas edhe përcaktime të të njëjta krime sipas të cilave këto janë definuar krime gjenocidale.

Me fjalë të tjera edhe sot, më shumë se një dekadë pas përfundimit të luftës, Kosova me organizatat dhe me institucionet profesionake e shkencore nuk është gjendje të saktësojë plotësisht as anën kuantitative dhe as atë kualitative të krimeve të bëra. Hulumtimet e krimeve të luftës së dekadës së fundit të shekullit njëzet kanë filluar menjëherë pas përfundimit të luftës. Hulumet e këtilla kanë pasë karakter individual dhe institucional dhe janë kryer në nivele komunash dhe në nivel të Republikës së Kosovës; u botuan monografi krimesh në arsim, në shëndetësi,në religjion, etj.

Janë botuar trajtesa shkencore, monografi, tekste magjistraturash e doktorantura të vlefshme; rezultatet e këtyre hulumtimeve rrallë herë janë të përputhshme, madje ka edhe aso botimesh ku dallimet në trajtimin numerik e klasifikues janë të nivelit të rëndësishëm statistikor. 

Dallimet e këtilla sasiore dhe mospërmbajtja e klasifikimit të tyre sipas parimeve klasifikuese të përcaktuara saktësisht i bëjnë rezultatet e këtyre hulumtimeve jo të plota dhe të dyshimta. Sot ndiejmë nevojë të saktësimit kuantitativ e përcaktimit të saktë kualitativ të të gjitha llojeve të krimeve të kryera. 

Kjo do të ishte e vërteta e qëndrueshme mbi krimet e bëra e synuar që nga fillimi i gjurmimit të krimeve.

E vërteta për krime të luftës dhe hulumtimi shkencor i saj


Përgjegjësia ndaj të vërtetës për krime është bërë entitet karakteristik i zhvillimit të mendimit shkencor. Hulumtimet e krimeve të bëra në Bosnjë Hercegovinë dhe në Kroaci janë të shumta dhe me kalim të kohës ato janë verifikuar dhe janë thelluar duke përzgjedhur e zbatuar me përpikëri metoda e procedura adekuate. 

Rezultatet e hulumtimeve të këtilla kanë shpurë në thellimin e dijenive në të drejtën kriminologjike, në politikologjinë e sociologjinë e krimit, në antropologjinë e psikologjinë kriminalistike, etj. 

Është e vërtetë se këto vende, sidomos Kroacia, i kanë hyrë hulumtimeve të krimeve me një përvojë hulumtuese relativisht të stabilizuar dhe me organizim hulumtues të institucioneve shkencore. Rezultatet hulumtuese të krimeve në këto vende dallohen në botimin e dhjetra vëllimeve të institucioneve të këtyre vendeve. Po ashtu edhe në Kosovë janë botuar vëllime të tëra gjurmimesh të krimeve të bëra.

Por, përmbajtja e vëllimeve të botuara në Kosovë me ca përjashtime ka ngelë kryesisht në nivele përshkruese. Vështruar nga kjo pikëpamje, dallimi i përmbajtjes së këtyre vëllimeve të botuara në Kosovë dhe i atyre botimeve për krime lufte në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë është i qensishëm. Mendimi analitik - sintetik dhe procesi i atij induktiv në përcaktimin e përfundimeve të sistemuara të tyre është i palëkundshëm dhe, kuptohet, i përcjellur me shkallë të lartë të përputhshmërisë së rezultateve, me risi të identifikuara dhe, mbi këtë bazë, botimet e tyre gëzojnë nivel të lartë të reliabilitetit në botën e kriminologjisë, të informatikës hulumtuese dhe të teorisë së politikës mbrojtëse të vendit dhe të paqes përgjithësisht. Ky dallim ndërmjet botimeve tona dhe botimeve shkencore të vendeve të përmendura i atribuohet angazhimit të institucioneve shkencore për krime të këtyre vendeve. 

Botimet e para të këtyre institucioneve shkencore të vendeve të përmendura, madje jo vetëm të tyre, i kanë kaluar që moti shkallën deskriptive të krimeve të bëra të zhveshura nga primesat emocionale duke u futur vazhdimisht në eksplikacion ose në shpjegim të gjithanshëm të krimeve. 

Vlera e rezultateve të insticioneve për hulumtime krimesh është e lidhur drejtpërdrejtë me metodat e procedurat e mbledhjes dhe të përpunimit të të dhënave në nivel eksplorues e përgjithësues të tipareve esencilae të motiveve të krimit, të modeleve inkriminuese, të shkallës së urdhëresës komanduese dhe të zingjirit të saj, të mjeteve, të mënyrës,, të vendit, të kohës, të subjekteve të inkriminuara dhe të raporteve ndërmjet objektivave luftarake dhe të shkallës së agresivitetit të trupave të agresorit, të pasojave afatgjate dhe afatshkurtëra të krimeve të bëra dhe përcaktimin e shkallës së ndërlidhjes së akcioneve luftrake të zhvilluara njëkohësisht ose njëra pas tjetrës në vende e regjione të ndryshme. Institutet e këtilla janë në gjendje të anticicipojnë ardhmërinë e familjeve, të vendbanimeve, të fshatrave dhe të qyteteve ku janë zhvilluar modalitetet dhe janë provuar mjetet shkatrrimtare të krimeve. Kosova nuk ka institucion shkencor të krimeve. 

Megjithëkëtë, në Kosovë janë botuar 23 botime nivelesh të ndryshme të gjurmimit të krimeve kryesisht nga vendasit por ka edhe nga gjurmuesit ndërkombëtar. Shumica e këtyre botimeve ka karakter individual. Ndërkaq, disa botime rezultatesh të organizatave humanitare e sociale kanë botuar rezultate të vlefshme të gjurmimeve të krimeve të bëra. Por, këto i kanë kryer gjurmimet e tyre sipas objektivave të veprimtarisë së tyre.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut gjurmimet e kryera dhe botimet e rezultateve të tyre janë kryer nga këndvështrimi I të drejtave dhe lirive të njeriut. Arkivi i Kosovës përmbajtjen e monografisë së krimeve të luftës e ka bërë nga këndvështrimi i veprimtarisë arkivore, etj. Pavarësisht nga vlerat e pamohueshme të tyre si edhe nga karakteri funksional i rezultateve të botuara, nomenklatura e rezultateve hulumtuese kombëtare dhe ndërkombëtare kërkon rezultate të institucioneve shkencore.

Nevoja e themelimit të institutit hulumtues për krime të luftës në Kosovë


Krimet e luftës janë lloj i posaçëm i krimeve dhe këto përbëjnë objekt të posaçëm të hulumtimit shkencor. 

Veçoritë kryesore të këtyre krimeve kanë të bëjnë me karakterin relative masiv, fshehjen e rrugëve të zbulimit dhe humbjen sa më të madhe të komponenteve të identitetit të tyre; disa sosh kërkojnë kohëzgjatje të duhur në zbulim të tyre, që mund të zgjatë me vite, dekada, madje edhe me shekuj (në morgun e Prishtinës gjenden eshtra njerëzish, që sypozohet se i përkasin pasojave të Luftës II Botërore të përfunduar para 65 vjetësh), etj. Këto janë disa veçori që tashmë janë të njohura. 

Në zbulimin e tyre punojnë antropologët, arkeologët, mjekët specialist për mjekësi ligjore, juristët, etj. Veprimtaria ekipore e tyre e siguron lëndën e sigurtë të hulumtimeve të krimit dhe burimin e krimit. Hulumtuesit e këtillë janë kuadra të specializuara dhe me përvojë të qëndrueshme.

Ekzistojnë disa grupe argumentesh për themelimin e një institute për krime lufte në Kosovë. Ndër këto argument dallohen argumentet juridike, politike, historike, sociologjike, mjekësore, psikologjike, etj. Veprimtaria institucinale hulumtuese është veprimtari e organizuar, sistematike dhe e mbështetur në metoda dhe procedura hulumtuese, zbatimi i drejtë i të cilave siguron objektivitetin, validitetin dhe reliabilitetin e rezultateve hulumtuese.


Rezultatet e një veprimtarie të këtillë kanë vlerë të pranueshme kombëtare e ndërkombëtare. 

Mbi themelin e rezultateve të këtilla zhvillohet mendimi politik, juridik, historik i një populli, kombi, etj. Historia e zhvillimit të institucioneve për hulumtime të krimeve të luftës së disa vendeve të tjera vërteton nevojën e themelimit të një institute për hulumtim të krimeve të luftës në Kosovë. Institucionet e ngjashme në Austri, në Izrael, në vendet nordike, etj. kanë argumentuar vlerën e veprimtarisë dhe rëndësinë e rezultateve hulumtuese të tyre. 

Lufta e zhvilluar në Kosovë gjatë viteve të decades së fundit të shekullit njëzet, sidomos operacionet luftarake të organizuara dhe të zhvilluara gjatë vitit 1998 - 1999, ka qenë luftë e ndërlikuar në shumë pikëpamje. Rezultatet e gjertanishme të hulumit të pasojave të kësaj lufte tregojnë për disa modalitete të njohura pak nga e kaluarja luftarake.

Dhunimet, foshnjet e kidnapuara nga duart e nënave të tyre, bartja disaherëshme e mbetjeve mortore prej një vendi në tjetrin, dhunimi - vrasja - hedhja në pus dhe dhënia zjarr posit, etj. janë disa nga modalitetet e krimeve, që posa kanë filluar të njihen nga ana e jonë. Ndoshta ka edhe modalitete të tjera, që vetëm hulumtimet suptile mund t`i zbulojnë. Mungesa e një institute të këtillë ka shkaktuar vonesa të mëdha të procesit të gjurmimit të krimeve, mospërputhje të dhënash, dyshime ,etj. 

Madje, ka ngja që në raportin e gjykimit të S. Millosheviqit të rishqyrtohet raporti dëshmues i autorëve P. Ball, Meghan Lynch e Amelia Hoover me titull: "Killings and Migration in Kosovo" - "Vrasjet dhe migrimet në Kosovë".

Më në fund, instituti i këtillë mund të zgjerojë hulumtimet e tija duke marrë për objekt hulumtimesh format bashkëkohore të krimieve gjatë zhvillimit të shoqërisë së kosovës. Nuk ka mjedis social që, pavarësisht nga shkalla e zhvillimit shoqëror - ekonomik e kulturor e atij mjedisi, zhvishet nga format e ndryshme të kriminalitetit. 

Rezultat e analizës së dukurive dhe proceseve kriminogjene kanë treguar se vetit kriminale zhvillohen dhe karakterizojnë si regjionet e gjera ashtu edhe ato të ngushta. Hulumtimi i dukurive, proceseve, subjekteve dhe objeteve të krimit duhet të bëhët pjesë përbërëse e zhvillimit të gjithmbarshëm të Kosovës dhe më gjerë dhe e angazhimit të saj në rrjetin e gjerë të institucioneve ndërkombëtare që merren me ruajtjen dhe zhvillimin e paqes.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...