2011-07-20

Shpirti i turmës dhe i askushmërisë

Nga Saimir Lolja


Në fushën e shkencës së shpirtit (psikologjisë, e thënë joshqip) në lidhje me turmat kanë shkruajtur shumë autorë. Ndër ta, i spikatur është Zigmund Frojdi me librin e tij “Psikologjia e turmave dhe analiza e unit” të botuar më 1921. Ndërsa shpirti i askushmërisë, që lind prej shpirtit të turmës dhe ndërthuret mjaft me të, vetëm se është përmendur aty këtu. Prandaj më poshtë do të shtjellohet më tej shpirti i turmës dhe për herë të parë ai i askushmërisë.
Shpirti i Turmës

Shpirti i turmës bashkëjeton me njeriun dhe është tipar i historisë njerëzore, sepse njeriu në mënyrë të natyrshme është qenie shoqërore që kërkon përherë të shoqërizohet. Porse njohuria për të, përkujdesja ndaj këtij shpirti dhe mbi të gjitha shfrytëzimi i tij për qëllime të caktuara përbën anën tjetër të medaljes. Çeshtja madhore është se sa i theksuar është shpirti i turmës në shoqëri, sepse njeriu i brymosur me një mendësi të tillë ka në themel të mendjes së tij çiftin Sundimtari dhe Turma. Kjo është çeshtje madhore sepse mendimet dhe ndjenjat janë shfaqje të shpirtit të njeriut dhe janë pikërisht ato që përcaktojnë sjelljen e tij shoqërore, domethënë kufirin ndarës çfar quhet e mirë dhe çfar quhet e keqe. Sjellja dhe puna e njeriut janë dy gjëra të ndryshme por që njëkohësisht plotësojnë e bashkëshoqërojnë njëra tjetrën, sepse në fund të fundit ato bashkëshoqërojnë njeriun. Sjellja shoqërore është ajo që përcakton ngjarjet shoqërore, sepse njeriu bën atë që dëshiron të bëjë.
Njeriu me mendësi turme ka një shpirt të ndrydhur, të pa lirë e të pa larmishëm dhe duke qenë në gjendje të tillë ai kundërvepron duke i lindur dëshira në skutat e shpirtit të tij për ta parë veten në krye të turmës. Shpirti i tij ngashëron, kredhet përqark, i friksuar mban sytë e veshët hapur te të tjerët, frigon nga e mira e tjetrit, i sheh të tjerët detyrimisht të barabartë me vetveten, sheh në të tjerët aspak ndryshim nga vetvetja ose në rastin më të mirë ndryshime të parëndësishme. Ai ndjehet njësh me “të barabartët e tij” dhe vetpërfytyrohet si përfaqësues i tyre. Ky shpirt i ngujuar në mënyrë natyrale kërkon hapje, liri dhe vet-dallueshmëri. Prandaj ai e anon ndërgjegjen e tij drejt njëshit, drejt unit, drejt vetkuptimit me ndjenja të forta që ky vetnjësh kështu nuk ka vlerë dhe si rrjedhim i mbin dëshira që të duket mbi të tjerët ose, e thënë sipas mendjes së tij, mbi “të barabartët e tij”. Zgjidhja më e lehtë për të është mburrja ose bërja e tjetrit me turp. Ai gjithmonë është në kërkim të rastit për t’u mburrur ose bërë tjetrin me turp, sepse ai ndjehet keq dhe i turpëruar kur nuk mburret apo kur nuk e turpëron tjetrin. Me ligësi, ai gjithmonë është në kërkim të thashethemit për tjetrin, sepse edhe vetë ai është një thashethem. Një mendësi i tillë nuk arrin të pranojë se veç punës së tij egziston e duhet të egzistojë edhe puna e të tjerëve dhe nuk sillet në mënyrë që puna e tij të plotësojë punën e të tjerëve ose puna e tij të plotësohet prej të tjerëve. Për një shpirt të tillë i mirë është, domethëne duhet të egzistojë, vetëm guri i tij dhe jo muri i përbashkët. Ai vetëgjykon se është i pazëvëndësueshëm dhe ka edhe raste që ai përpiqet ta prishë murin e përbashkët, sepse ka një shpirt të pabesë. Një shpirt i tillë nuk përcjell respekt për të tjerët e midis të tjerëve, biles për të nuk egziston dhe nuk duhet të egzistojë edhe mendimi ndryshe, aq më tepër të kuptojë se kur respektohet mendimi ndryshe edhe bashkimi është më i fortë. E thënë më gjërë, një shpirt i tillë nuk pranon ndryshimin dhe ndryshueshmërinë, domethënë harmoninë, dhe si rrjedhim nuk pranon përparimin, madje e urren atë.
Njeriu në turmë kthehet pa e kupuar në nja narcist. Si i tillë ai kërkon me këmbëngulje në turmë vetëm pasqyrime të vetvetes; të tjerët janë njësoj për të, duhet të jenë kështu ose përndryshe të shndërrohen në të tillë. Pëlqyeshmëria për vetveten duke parë vetveten nga të gjitha anët e në tërë turmën është e pakufijshme. Ndërsa narcistit të lashtësisë i duhej të qëndronte tërë ditën mbi një pellg të vogël me ujë të patrazuar për të parë vetëm vetveten e pasqyruar me qëllim që t’i avullonte kënaqësinë e pëlqyeshmërisë së vetvetes, për narcistin e turmës pasqyra e vetvetes shtrihet në të katër anët e pafundme për sa kohë që egziston turma e tij. Si e tillë kjo pasqyrë e nderë bëhet njëkohësisht mjaft e brishtë, lehtësisht e thyeshme dhe e thërmueshme nga çasti në çast për shkak të madhësisë e shtrirjes së saj. Një kënaqësi e tillë e dhënë nga një pasqyrë e pafundme nuk mund të lëshohet apo të harrohet. Për ta ruajtur këtë gjendje mjetet e vetme të narcisitit të turmes janë: vigjilenca, cmira, urrejtja dhe dhuna ndaj çdo drithërime të sipërfaqes së pasqyrës ujore, ndaj çdo njëshi tjetër në turmë, ndaj çdo ndryshimi që shfaq ky njësh. Në mënyrë të veçantë, narcisti i turmës hidhërohet thellë dhe mbushet me dëshpërim e urrejtje kur vëren ndonjë të mirë që i shkon apo i ndodh tjetrit. Për të, njëshat e tjerë në turmë nuk e meritojnë dhe nuk duhet t’iu ndodhin të mira. Për të, vetëm sundimtari i turmës, idhulli i tij, vetvetja e tij e dëshiruar, meriton të mira dhe bukuri.
Një shpirt i tillë i jep vlerë vetëm të qënit mundues për të tjerët, i jep vlerë vetes vetëm duke ia ulur vlerën të tjerëve, i jep vlerë vetes duke përdhosur vlerat qytetare, kulturore dhe kombëtare të shoqërisë që i përket. Një shpirt i tillë njeh vetëm lirinë e tij të egërt e të pakufishme. Ay është shpirtërisht pjesmarrës në krimin apo tradhëtinë që sundimtari (Mbinjëshi) i tij kryen. Ai nuk arsyeton për këtë dhe nuk e arsyeton mbinjëshin e tij, sepse ay vetë është sundimtari i ëndërruar pa qenë sundimtar. Ai dallon vetëm të drejta për veten e tij; për të egziston vetëm liria e tij dhe jo e të tjerëve. Biles, kur mbaron ai duhet të mbarojnë edhe të tjerët. Një shpirt i tillë është i pangopur, i pakënaqur, i paqetë dhe rrjedhimisht mizor për të mbajtur gjallë pangopshmërinë e tij. Ai vetmendon se është i pagabueshëm, i pacënueshëm, me të drejta absolute e liri të pakufijshme. Ai nuk mban dhe nuk ndjen përgjegjësi për veten dhe të tjerët; një shpirt i tillë është, bie fjala, një Ali Pashë Tepelenë. Një shpirt i tillë synon që çdo gjë me vlerë të jetë brenda derës së tij, ai dëshiron dhe përpiqet të ndërtojë vetëm ishullin e tij, kullën e tij me frëngji. Atij nuk i intereson ambjenti përreth dhe madje ai e sheh me armiqësi këtë ambjent, sepse atij nuk i interesojnë gjërat e përbashkëta. Një shpirti të tillë i pëlqen të ndërtojë ishullin e tij të thepisur; ai ngazëllehet kur prish urat lidhëse dhe pret telat ndërlidhëse për të ndërtuar garth përrreth vetes së tij. Atij nuk i pëlqen bashkëjetesa paqësore, sepse ai nuk respekton tjetrin dhe pjesën e tjetrit, ai është një fqinj i keq, ai urren dhe i erren sytë për çdo ndryshim të vënë re tek “të barabartët e tij”. Njëkohësisht, ai vrojton se ç’bëjnë të tjerët për të bërë të njëjtën gjë, për të mos ngelur mbrapa shpirtërisht.
Njeriu në turmë kthehet në fëmijërinë e tij kur ëndërronte të ishte i madh, mbinjësh i frikshëm, dhe kështu tani besimi i tij shkon andej nga fryn era, andej nga shfryn sundimtari i turmës. Si një vocërrak, ai gjykon vetëm duke kujtuar paragjykimet e paharrueshme të vogëlisë. Ai e kthen veten mbrapa në kohë dhe emocionalisht mburret me këtë. Kështu, me dashje e pa dashje, ai e shuan zgjuarsinë e tij, bëhet i paaftë të dallojë dhe kuptojë të vërtetën, e ul veten aq poshtë sa të mos njohë rrotën dhe të mos dijë sa bëjnë 1+1-1, dhe shpejt e shpesh bën keq dhe gabime. Njeriu në turmë arsyeton mbi bazën e vetarësyes së shtypur të njëshit. Domethënë, ai kërkon njësha për mendjen e tij të ngathët, sepse ai e ka frikë njëshin, mundimtarin e mundshëm të tij, dhe mendon se edhe ai njësh e ka frikë atë për të njëjtën arësye. Ay është një sundimtar i gurosur, sepse vetëm kështu mund të jetë njësh, dhe si i tillë nuk pranon të dallohen njësha të tjerë në turmë. Kur ia dënojnë të këqijat, ai kërkon vetëm njësha, sepse me dashje ose padashje nuk e kupton se pse i sulen. Një shpirti të tillë nuk i intereson bashkëpunimi dhe harmonia, atij i intereson vetëm mbinjëshi që ta sundojë në shpirt. Pavarësisht sa larg është, ai gjithmonë vigjëlon që mbinjëshi, sundimtari i tij me të cilin i mburret vetvetes, të mos cënohet, të mos iki, të jetë i përjetshëm e i paprekshëm, i gurosur, i lartë deri në qiell, sepse vetëm kështu ai mund të ngrejë sytë lart. Urrejtja e bën atë gjithmonë gati të bashkohet me shpirtra të tjerë të tillë për t’iu sulur mizorisht “të barabartëve të tij”, për t’i plaçkitur e përdhosur ato, për t’i tradhëtuar ato, sa herë i del rasti apo dëgjon se mbinjëshi iu kërkon një gjë të tillë. Lëvizja barazitiste (komuniste, e thënë jo shqip) në Shqipëri mori përmasa epidemike gjatë Luftës II Botërorë, sepse njerëzia u josh nëpërmjet thënies “Ngrihuni t’iu biem atyre që janë ndryshe dhe t’iua marrim atë çfar kanë”.
Njeriu në turmë nuk ka forcë shpirtërore dhe gjithnjë bëhet akoma edhe më i pa aftë të pyesë apo të gjykojë vetveten, të shkëputet prej kthetrave të brendshme, të përdorë ndonjë dritëz kuptimi prej vetvetes, të ketë kureshtje, kush është, nga vjen e ku shkon dhe pse. Njeriu në turmë është një askush. Ai mendon sipas modës së turmës, sipas propagandës zyrtare shtetërore apo botërore, dhe përqesh çdo gjë që është ndryshe nga ajo modë. Njeriu në turmë i ngjan një cifle hekuri të cilën vetëm fusha magnetike e mbinjëshit e mban drejt, të ngritur lart. Pa këtë fushë magnetike jetike, ai bie përdhe e shkon me pluhurin. Prandaj njeriu në turmë guroset pas mbinjëshit dhe shndërrohet në fanatik, domethënë ai e ka të pamundur të ndryshojë mendjen dhe përmbajtjen. Një njeri me shpirt të tillë është qenie emocionale, nervore, një tifoz, një madhni që përgjërohet për naltmadhninë e tij. Ay qëndron në turmë për shkak të urrejtjes që ka ndaj të tjerëve, ndaj atyre që njeh apo ndaj fqinjit. Mbinjëshi është shpirti i tij, emocioni dhe kënaqësia e tij, sepse prej hyjniut mbinjësh dhe urrejtjes që ai mbjell egziston turma ku mund të bëjë pjesë. Urrejtja dhe pickimi i emocioneve që i shërbejnë kësaj urrejtje janë ato që e mbajnë turmën bashkë, sepse tek mbinjëshi ai gjen urrejtjen e dëshiruar dhe pickimin e nevojshëm të emocioneve. Pa këtë pickim emocionesh njeriu i turmës nuk do ta ndjente vetveten dhe do idhtohej duke u rropatur deri sa të gjente një turmë ku helmi i mbinjëshit t’i ëmbëltonte emocionet. Turma e tij është bota e tij, e kuptimtë për të egzistuar, në brigjet e së cilës përplasen botë (turma) të tjera, të huaja dhe armiqësore.
Njerëzit në turmë janë të egër e të dhunshëm. Shpirti i tyre dhunon dhe kërkon të dhunohet. Me fjalë të tjera shpirti i tyre është i skllavëruar. Skllavërimi i është bërë karakter, zakon, kërkesë, dëshirë dhe mënyrë të jetuari. Meqenëse ky shpirt nuk pranon e respekton ndryshim tek “të barabartët” e mendjes së tij dhe ndërkohë kërkon të dhunohet, atëhere këtë dhunim e skllavërim e kërkon, e gjen si zgjidhje, dhe e pret vetëm nga sundimtari i pashpirt i turmës. Domethënë, e kërkon këtë nga idhuli i tij, nga i dëshiruari i shpirtit të tij. Meqenëse ky shpirt i egër është i pasjellshëm ndaj “të barabartëve të tij”, meqenëse ky shpirt nuk pranon të renë dhe ndryshimin e harmonishëm tek “të barabartët e tij”, ai ka vetëm një shtysë mendimi: skllavërimin, dhe vetëm një gjuhë veprimi: dhunën. Egërsia i shkakton dhimbje therëse në shpirt kur sheh harmoni në rrethin e “të barabartëve të tij”. Vetëm dhuna e më të fortit, e më mizorit, e më të egrit, e më të poshtrit, e atij që ka të drejtë të dhunojë e përdhosë të tjerët, e sundimtarit të turmës, mund t’ia fashitë dhimbjen e instikteve të egra të tij. Vetëm kjo dhunë madhore, vetëm ky sundimtar turme me të vetmen të drejtë fjale e veprimi, mund t’ia shtypë egërsinë, shkaktaren e dhimbjes, t’ia qetsojë shpirtin e tij dhe t’ia dehë emocionet. Ky shpirt nuk e kupton dhe nuk e kërkon mëvetësinë, ndryshimin në lidhje me të tjerët. Më e shumta që dëshiron ky shpirt është të bëhët një vasal mizor. Edhe kur e shtyjnë në liri të përkufizuar për të gjithë, ai nuk mund të shkëputet nga e kaluara e skllavërimit dhe dhunimit mbi të. Liria për të është dhuna, rasti për të shfryrë egërsinë e emocioneve të tij. Ai po me dhunë kërkon të kthehet në skllavërinë e shkuar, me të njëjtat kushte e mundësisht me të njëjtin sundimtar mizor për turmën. Shpirti i tij qan papushim për egërsinë e sundimtarit të shkuar. Shpirti i tij i idhnuar psherëtin për mungesën e munduesit të tij të egër, humbjen e të cilit e ndjen shumë herë më të madhe se humbjen e vetvetes apo “të barabartëve të tij”. Ai dëshiron gjithmonë që munduesi të ringjallet dhe shpreson në këtë.

Askushmëria

Askushmëria është një ndjenjë e skajshme shoqërore që në situatë paniku e fut njeriun në ankth dërrmues dhe e zvetnon. Nën ndrydhjen e skajshme të shpirtit të tij, nën hutimin dhe kotësinë që pëson shpirti i tij, nën zhvleftësimin e historisë në mendjen e tij, i dalldisur nga paarsyeshmëria, fillon të ndriçojë në shpirtin e tij një flakë pishe e zbehtë në degëzën e askushmërisë. Askushmëria bëhet për të frymëmarrje, liri dhe shkak veprimi. Ai bëhet kështu një makinë që nuk ka fillim rruge, që përpiqet të ngahet dhe po qe e nevojshme mund të marrë një kthesë e të ecë për aq sa i kërkojnë shërbim. Duke harruar me dashje ose pa dashje, ai humb vetveten dhe fshin nga mendja vlerat dhe historinë në origjinën e tij, rrënjët. Ai nuk e dallon më tjetrin. Ndërkohë ai kërkon të mbushet me vlera të reja, por nuk arrin të kuptojë se ato janë të pathemelta tek ai, janë si gjethet të cilat zverdhen dhe nuk dihet se ku i flak era.
Ashtu si natyra nga ku ka lindur, shoqëria njerëzore përmban në vetvete ndryshueshmëri. Domethënë, njerëzit ndryshojnë nga pamja, mendimi, gjatësia, vendlindja, dëshirat, kënaqësitë, aftësitë, dituritë dhe biles brenda një grupi shoqëror (kombi) ka ndryshime në të folurat vendore e në veshje. Përtej kombit, ndryshimet shtohen në tiparet e jashtme, ngjyra e lëkurës, gjuha, etj. Grupet shoqërore (kombet) dhe nëngrupet shoqërore (brenda një kombi) kanë edhe gjëra të ngjashme dhe të përbashkëta, por nuk kanë gjëra të barabarta. Nëse respektohet natyra, duke përfshirë edhe shoqërinë e larmishme njerëzore, atëhere jeta është e paqshme. Në të kundërt, përpjekjet për të krijuar fantazma barazie përbëjnë dhe prodhojnë krime njerëzore dhe natyrore. Në rastin e Shqipërisë zyrtare, për gjysëm shekulli u edukua dhunshëm me qëllim dhe me absolutizëm fantazma e barazitizmit shoqëror dhe ndërkombëtar, aq sa u kërkuan “vëllezër” edhe në xhunglat e Amazonës e tundrat e Azisë. Njerëzit u bashkëmblodhën dhunshëm mendërisht, fizikisht dhe jetësisht. U punua për të krijuar të ashtëquajturin “njeriu i ri”, domethënë askushin e dëshiruar të barabartë e të edukuar me shpirtin e turmës.
Për askushin e mirë është askushmëria dhe e keqe është çdo gjë tjetër e arsyeshme, jo-paemër dhe me formë e përmbajtje të qartë. Askushi nuk di të emërojë dhe pse është emëruar; ai pret urdhër nga mbinjëshi për të zbatuar një ligj që është urdhëri vetë. Ai nuk di pse është në një detyrë zyrtare dhe çfar do të thotë ai emërim, çfar pritet e duhet të bëjë, çfar të thotë e çfar të kërkojë; ai është një vjedhës pune, vendi pune dhe vote. Ai nuk e di ç’është e çfar përfaqson kombi e flamuri kombëtar ose çfar duhet të bëjë për festën kombëtare, çfar flamuri duhet të mbajë, çfar të bëjë që ai flamur të mos jetë thjesht një copë lecke me ngjyra, etj. Askushmëria shpesh e vozit askushin në veprime tradhëtie, sepse për të qenë një njësh dikushi, një sundimtar, ai i hyn rrugës së krimit dhe bashkëpunimit me armiqtë. Ai vetëm keq sheh, uron apo dëshiron, sepse ai vetë është keq dhe të keqen ka si pikë krahasimi. Ai flet për gjëra të parësyeshme e të pakuptueshme dhe biles ai nuk dallon ngjyrimet.
Turma dhe Askushmëria

Mendësitë e turmës dhe askushmërisë të para veçan dhe të veçuara për njeriun e veçuar nuk përbëjnë rrezik për shoqërinë. Por në skajin tjetër, kur shpirti i turmës dhe i askushëmrisë bëhen tipare shoqërore të përhapura dhe të njëkohshme, atëhëre ai grup shoqëror është në rrezikun e madh të mashtrimit dhe vetshkatërrimit. Rreziku bëhet akoma më i madh dhe pësimi prej tij më i shpejtë kur armiqtë e këtij grupi shoqëror ia njohin atij këtë shpirt dhe përkujdesen t’ia forcojnë pikërisht këto dy tipare shoqërore. Në këtë rast, pasoja është e paqartë për çastin por e qartë pas një periudhe të gjatë kohe. Si rrjedhim, ai grup shoqëror vetshkatërrohet, humbet vlera njerzore, shpirtërore, kulturore dhe materiale, ose në rastin më të mirë vazhdon të përtiqet në kufinjtë e mbijetesës duke ngelur i prapambetur, i vetpenguar në përparim dhe i paqetësuar. Ngulmi i këtyre dy mendësive i mban njeriut ndezur ëndërrën e barazitizmit dhe si rrjedhim ai cënon dhunshëm gjërat që s’i përkasin ose që janë të ndryshme nga ëndërrimi i tij.
Veç shpirtligëve, njerëzit që janë në detyra zyrtare dhe i përmbajnë në vetvete të dy këto mendësi bëhen shumë dëmtues për shoqërinë gjatë marrjes së vendimeve. Biles, ato zhyten në krime dhe tradhëti nga të cilat nuk dalin dot dhe njëkohësisht kujdestarët e tyre nuk i lenë të dalin por i zhytin akoma më shumë. Njerës të tillë bëhen kukulla qeverisëse dhe nga veprimet apo goja e tyre mund të dëgjohen gjërat më të paarësyeshme. Me njerëz të tillë në pozita shtetërore, veprimtaria armiqsore e huaj ka fushë të lirë veprimi dhe pasoja të dhimshme për vendin. Historia shqiptare vazhdon ta japë këtë mësim. Ato njerëz që thonë se nuk ka armik, ose e thonë këtë nga mungesa e zgjuarsisë së tyre, ose e thonë këtë nga vetvetja për shkaqe emocionale dhe qëllime të ngushta vetjake apo përfitimi, ose iu është thënë nga armiqtë ta thonë këtë gjë (duke e ditur ose duke mos e kuptuar këtë); ose shtyhen ta thonë këtë jo nga një shkak i përmendur më sipër. Shteti i Shqipërisë zyrtare u shpartallua në fillim të vitit 1997 pikërisht prej humbjes së armikut (askushmërisë) dhe veprimit të frymëzuar nga mendësia e turmës.
Të dyja këto mendësi ushqejnë njëra-tjetrën dhe përcaktojnë sjelljen shoqërore të njeriut, e cila do të thotë para së gjithash si sillet njeriu ndaj shoqërisë dhe çfar ka bërë për të. Egzistenca dhe nxitja e tyre nga ato që i duan të keqen shqiptarëve i rrisin mjaft pasojat negative mbi shoqërinë shqiptare, qetësimin, bashkimin dhe përparimin e saj. Ndikimi negativ në shoqëri i të dyja mendësive zvoglohet nëpërmjet ndriçimit të shpirtit me vlera dhe mendjes me ide, shkollimit shkencor, edukimit të njeriut si e pse të përdorë arësyen, edukimit kombëtar dhe atij bashkësor. Të gjitha këto kanë qëllim përparimin dhe përkufizimin e mirësjelljes shoqërore ndaj vetvetes, të tjerëve dhe ambjentit në rrugën drejt një shoqërie të udhërrëfyer prej arësyes dhe urtësisë. Pra çeshtja shtrohet: të dihen të metat e mendësisë shoqërore dhe të kundërveprohet butësisht për largimin e tyre, apo të mos dihen por t’i dijnë armiqtë dhe të veprohet egërsisht për thellimin e tyre. Meqenëse përmirësimi paraprak fillon tek vetë njeriu, fillimi i largimit të këtyre dy mendësive në çdo rast është shumë i thjeshtë: njeriu të mos mendojë e të mos flasë me NE.

ME RADIO TIRANËN JU HYNI SI MIQ NË FAMILJET SHQIPTARE

Nga Sokol Demaku

 

Historiku i Radio Tiranës  fillon së pari me hapjen më 28 nëntor të vitit 1938 te Radio Tiranës. Pikërisht kjo datë shënon dhe inaugurimin dhe transmetimin e parë të Radio Tiranës e cila në atë kohe është përshkruar nga një entuziazëm i madh në tërë Shqipërinë.
Në një botim që mban datën 30 nëntor 1938 shkruhej se:
Transmetimet e emisioneve radiofonike do të jepen në sallën e Bashkisë ku ishte instaluar në një dhomë të posaçme aparati marrës i stacionit të Romës .
Kurse stacioni kryesor dhënës është instaluar, siç dihet, në Laprakë ku ka qënë dhe stacioni i vjetër i Radios.
Stacioni kishte një aparat madhështor që zë një sallë prej afër 8 metrash gjatësi. Atje përmblidhen të gjitha veglat dhe instalimet për transmetimin e emisioneve në çdo orë. Stacioni radiofonik kishte një fuqi në antenë prej 3 kw dhe transmetimi do te bëhej me valë të shkurtra. Emisionet do të jepeshin me valë 40 m . Fillimet e Radio Tiranës më 1938 lidhen me emra tepër të shquar të kulturës e artit shqiptar të asaj kohe e të viteve të mëvonshme, të diplomuar në universitetet e konservatorët e Evropës së qyteteruar, si Gjergj Bubani, Hamdi Sulçebe,Vasfi Samimi, Marie Paluca,Tefta Tashko, Mihal Ciko, Anton Mazreku.
Nga 16 prilli i vitit 1940 programet e Radio Tiranës nisën të jepeshin dhe në valë të shkurtra.
Radio Tirana është dëshmitare, por edhe protagoniste e historisë shqiptare. Janë punonjësit e saj, të gjithë të apasionuar, njerëz kurajozë e profesionistë, të gjithë të dashuruar pas radios dhe magjepsjes së saj, ata që sot bëjnë Radio Tiranën, tempullin e kulturës dhe të emancipimit njerëzor.
Radio Tirana vijon në një pjesë te madhe te emisioneve të saj ta shoh dëgjuesin si protagonist çka do të thotë, jo vetëm të jetë pranë gjithçkaje ka lidhje me interesat e tij, por ta bej pjese aktive, duke kërkuar nga ai bashkëpunimin, ne studiot e hapura, bashkëbisedimin, si dhe ne hapësirat e komunikimit për te plotësuar preferencat e mbërritura direkt prej tij…

 

Gazetarët e Radio Tiranës, janë të parët që kanë përcjellë të gjitha ndryshimet demokratike që ndodhën në Shqipërinë e asaj kohe dhe kanë ditur të mbajnë publikun pas tyre, duke synuar të jenë mbi të gjitha profesionistë. Çdo reformë e bërë në Shqipëri, çdo moment historik, çdo konflikt social apo çdo ngjarje artistike, është përcjellë pikësëpari nga Radio Tirana, radio e cila mbulon me sinjal të gjithë vendin. Radio Tirana sot është një kompleks i organizuar që transmeton programe për dy kanale, si dhe bën mbulim ndërkombëtar në valë të mesme dhe të shkurtra. Radio Tirana prodhon tërësisht programet që ajo transmeton, si lajmet, kulturën, shkencën, ekonominë, muzikën, dramatizimet për të rritur dhe fëmijë, sportin, etj.
Është kënaqësi të jesh në mesin e punonjësve të Radios shtetërore shqiptare të cilët adhurojnë dhe kultivojnë gjuhën shqipe, traditën edhe kulturën shqiptare. Ata thonë se jemi kudo që flitet shqip, zëri ynë është në çdo vatër aty ku f litet dhe shkruhet shqip pa marrë parasysh kufijtë, pa marrë parasysh vendin se ku shqiptarët jetojnë, ne jemi aty me zërin tonë dhe informacionet tona për Shqipërinë dhe për shqiptaret në përgjithësi e tani edhe për Kosovën shtet. Zëri ynë është në qiellin ballkanik, është aty ku duhet të jetë me informacione për shqiptarët, Shqipërinë, Kosovën dhe kosovarët por edhe për trojet tjera shqiptare si dhe shqiptaret në botë. Ne jemi të lumtur qe kemi një bashkëpunim me shqiptaret ne diasporë.
Është e hënë pas dite, pak para mbrëmjes, jemi në shoqëri me miqtë tanë e dihet si zakonisht në mesin e tyre Viron Kona edhe profesor Murat Gecaj, i cili me humorin e tij e bënë ndejën gjithmonë interesante dhe te lezetshme.
Profesor Murati na thotë se nesër nga ora 10;00 e paradites jemi mysafire në Radio Tiranë. Kjo ishte një sihariq për ne të dy dhe ne këtë pranuam me gjithë dëshirë. Po thotë profesor Murati do jemi mysafirë në departamentin radios ku është drejtor një Tropojanë, koleg i yni, publicist dhe poet i njohur e udhëheqëse e programit do jetë mikesha ime me të cilën shpesh herë bëjmë program radioje bashkë.
Ne ishim në vizitë në Radion shtetërore shqiptare pra në Radio Tirana dhe u sjellim mbresat në një reportazhe nga biseda me disa nga ata të cilët e sajojnë programet këtu.
Ishim mysafirë në programin “Ritme vere” të gazetares Kozeta Hoxha. Emisioni i parë i vitit ”Ritme vere” nën drejtimin e saj dhe drejtorin e Departamentit te Programit te Parë, poetin Jaho Margjeka, i cili ka bërë zë me librat e tij të botuara deri me tani si në prozë e poezi.
Jemi në programin e verës të gazetares Kozeta Hoxha e cila me zërin e saj radiofonik dhe të ëmbël i jep ngjyrën dhe tonin e duhur emisionit të saj ”Ritme vere”. Ne jemi në rubrikën “Mysafiri i ditës” i cili emision kishte fillimin e tij ketë sezon ditën qe ne ishim mysafir ne studiot e Radio Tiranës, ku dëgjuesit morën informata të hollësishme mbi punën dhe aktivitetin bashkëkombësve në shtetin suedez. Ishte kjo një kënaqësi për ne të jemi këtu dhe të prezantojmë të arriturat e shqiptareve në Suedinë e largët. Pastaj Kozeta prezantoj poetin dhe bashkëkombësin tonë Bahtir Latifi Kryetar i Qendres Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Borås të Suedisë në rubrikën “Kopertina e librit” ku prezantoj librin e Bahtirit me titull “Jeta e ëndrrave tona” botuar kohë më parë në Bukuresht të Rumanisë, nga e cila përmbledhje Kozeta lexoj poezi për dëgjuesit e Radio Tiranës të programit “Ritme Vere”.
Më pas u ndamë nga Kozeta me ftesën që në muajin tetor do jemi mysafirë të emisionit të saj që i kushtohet arsimit.
Duke ndjekur programet tona në Radio dhe në Internet, ju sikur vini vetë në Shqipëri thotë poeti Jaho Margjeka drejtor departamenti në Programin e parë i cili ka njohuri të shumta për punën e diasporës shqiptare në Evropë sepse vite me radhë nga afër si gazetar ka përcjellë punën e klubeve dhe shoqatave të shqiptarëve në perëndim. Jaho thotë se ju përmes programeve të radio Tiranës hyni si miq në familjet shqiptare, përjetoni me to gëzime dhe hidhërime, vizitoni qendra turistike, objekte historike, njiheni me jetën shqiptare, shijoni magjinë e artit muzikor shqiptar dhe gjeni mjaft tipare të përbashkëta me jetën tonë këtu në trojet jetike shqiptare dhe me atë të tuajën atje n ë mërgim.
Me këtë arritje Radio Tirana mbron misionin shoqëror dhe autoritetin e Radios Kombëtare Shqiptare ndër auditorin gjithnjë e më të madh në tërë botën.
Jini me ne, kudo që të jeni – nga Amerika deri në Australi dhe nga Suedia deri te Afrika e Jugut” thotë drejtori Jaho i cili është shumë entuziast në punën e tij dhe të bashkëpunëtorëve te tij në Radio Tirana. .

FLUTURIMI PËR TURQI

Nga Luan Çipi



KEMER

Luan Çipi

Pas Antalies, që është qytet me mbi një million banorë dhe qendër rajoni, nevizituam qytetin turistik të Kemerit.Qyteti i Kemerit është vendosur në bregdetin e Mesdheut dhe ndodhet 40 kilometra larg Antalias. Kemeri, para 30 vjetësh, ishte një fshat i vogël, por, me bumin turistik, sipas strategjisë së zhvillimit të shpejt turistik të Republikës Turke, këtu u ndërtuan në forma të ndryshme e deri koncesionare, qendra të fuqishme me mbi 70 hotele gjigandë dhe objektet e nevojshme infrastrukturore, që e kthyen atë në një nga qendrat turistike të rëndësishme të Rivierës Turke. Pas kësaj edhe zona për rreth në prodhimin bujqësor e blegtoral dhe me industrinë e lehte e ushqimore, u vu plotësisht në shërbim të turizmit.



Një nga arsyet kryesore për tërheqjen e turistëve të shumtë në Kemer është bukuria verbuese e natyrës, ku, deti pyjet dhe malet vijnë së bashku, ka ujë deti të pastër, ndërsa pyjet me gjelbërim halor gjithë vitit, që shtrihen buzë detit aty pranë në gjithë gjatësinë detare, me gjethet e tyre të harlisura janë në mbrojtje të plazheve të Kemerit përrallor dhe nën diellin e shumëkërkuar, në gati 300 ditë të vitit.
Gjatë udhëtimit në det me një jaht, apo anije me vela, turistët, që vijnë të dëshiruar nga Rusia, Ukraina, Kazakistani, Armenia nga vendet Baltike, po edhe nga e gjithë bota, të nisur sipas tureve të organizuara nga porti i Kemerit, në detin blu drejt jugut apo veriut, kanë mundësi për të shijuar bukurinë natyrore dhe gjiret më të mirë të Qarkut të Antalias.
Gjatë këtyre tureve, turistët kanë mundësi për pushime të këndshme dhe aktive në disa drejtime të studiuara dhe të organizuara më së miri, që gërshetojnë veprimet e disa agjencive të interesuara këtu. Në këtë drejtim ndihmojnë guidat e organizuara për vizitë me autobusë komod në pikat kryesore turistike me atraktive, si dhe në qendrat kryesore tregtare të qytetit të Antalies Një shans interesant është për të parë breshkën karakteristike të deti, njohur për madhësinë e saj, si dhe bukuri të tjera natyrore të rralla.
Gjatë udhëtimit aty pranë shihet qyteti i lashtë Olympos, si një nga qytetet port, si dhe ngjitur me të, vendpushimi i njohur Tekirova, që është një tjetër qendër gji, ku ndërthuret deti me një natyrë mahnitëse panoramike dhe të tërhequr nga vlerat historike.

Gjatë një dalje në det anijet me turiste mund të bëjë një ndalesë për notim në gjiret e Detit Mesdhe, ku udhëtuesit janë të organizuar në aktivitete rekreative, për të parë në vazhdim qytetin e lashtë të Phaselis, fare afër Kemerit, themeluar në vitin 690 para Krishtit dhe që ndodhet 35 km, nga Antalia, në afërsi të fshatit Tekirova. Vijohet me qendrën tjetër të lashtë portale, Rhodians, të famshëm sidomos për digën 200 metro të lart, që tani më shumë është nën ujë. Phaselis dallohet si një zonë pyjore e pasur, ndërsa Rhodians, ishte një nga portet kryesore të Mbretërisë Antike të Lycia, në fund të shekullit të 17 para Krishtit. Në kohët e lashta qyteti ishte i famshëm për portin e saj, rrethuar me mure e diga ku më e madhja ishte ajo me lartësi 200 metër, që ndodhet në jug-perëndimore, e quajtur Cape. Pjesa më e madhe e digës është dhe sot nën ujë. Në pjesën perëndimore të qytetit duken portat e ndërtuara në kohën e perandorit Hadrian. Në ditët e sotme në qytet, në gjendje të mirë, arriti të ruhet grupi i dyqaneve tregtare përgjatë rrugës kryesore, me një plan urbanistik të pazakontë, me banja sauna dhe gjimnazin.
Duke vazhduar udhëtimin turistik me anije ndeshim me qendrën tjetër antike, Bath, ndërtuar në shekullin e 3-të që ruan gjallërinë edhe në vitet pasues. Më në jug është Agora Gate, ndërtuar gjatë sundimit të perandorit Hadrian (117-138), nga ku vijnë edhe statujat e lashta, si dhe teatri me shkallët e gurta me aftësi mbajtëse 1500-2000 spektatorë.
Gjatë udhëtimit me anije në bregdetin Kemer – Antalia të jepet rasti të vizitosh Parkun Ekologjik, ku shihen specie të rralla si pallonjtë,.ketrat, mjellmat, lepujt dhe deri te strucët.


Një kuriozitet i veçantë është Teleferiku, i vendosur në një lartësi prej 2365 metra mbi nivelin e detit në malin Tahtali Kemer të Antalias, që është ndërtuar së bashku nga Turqia dhe Zvicra, dhe që është teleferiku me shina më i gjatë në Evropë dhe i dyti në botë, me gjatësi 4350 ml. Udhëtimi nga baza deri në maj të malit me teleferik zgjat vetëm 10 minuta.. Zona Kemer, me futjen e teleferikut në veprim, vazhdon të zhvillohet shpejt edhe në drejtim të turizmit alternativ. Falë teleferikut, së bashku me sezonin veror turistik, shërbimet ofrohen edhe gjatë sezonit të dimrit.
vazhdimi të udhëtimit përgjatë rrugës, rreth 20 minuta pas qendrës Phaselis, kalohet në Ulupynar. Këtu, në një kodër të gjelbër na jepet kënaqësia e veçantë për të ngrënë trofta, ulur në tavolina të rregulluara bukur, nga ku soditen ujërat e ftohta të një lumi. 
Agjencitë e specializuara organizojnë edhe udhëtime brenda ditës me automjete të vegjël xhip nga Kemeri në malet Taurus, që ne nuk i provuam, po vetëm sa u informuam: Kushdo, që disponon patentë shoferi dhe me shpirt aventure është i ri dhe i fuqishëm, është i lirë të udhëtojë në një xhip me qira me një udhëzues që merr paraprakisht këtu, dhe nëse dëshiron, mund të bashkohet në kolonën me 20-30 automjete, për të përshkuar rrugë të ngushta dhe të vështira si dhe pengesa me ujë, çka e kthen në një ngjarje gjurmëlënëse dhe fort interesante udhëtimin e guximtarëve të lumtur.
.Gjatë udhëtimit me xhip, agjenci të posaçme organizojnë ndalesë në afërsi të një lumi malor, për ata që duan të notojnë dhe të kthehen përmes Olympos, ndërsa të tjerët mund të kalojnë Urën e bukur antike mbi lum, që mjeshtër muratorë të zgjedhur e kanë rinovuar në përshtatje me origjinalin, që i referohet periudhës së Lycianit super të lashtë. 
Rrethi historik Kemer, me plazhet më të mira në Rivierën Turke dhe me det të pastër është një nga vendpushimet më të mirë në zonën e Antalias. Shumica e plazheve në Kemer kanë merituar flamuj blu, shenjë ndërkombëtare e cilësisë së lart të bregdetit, të dhëna nga Ente të Specializuara Ndërkombëtare për pastërtinë dhe sigurinë.

I JEPET LAMTUMIRA E FUNDIT, ATDHETARIT E SHKRIMTARIT TË SHQUAR, SULEJMAN KRASNIQI



Nga Prof. Murat Gecaj(Publicist e studiues-Tiranë)


1.


       Sulejman Krasniqi  


Në mëngjesin e ditës së djeshme, u shua përgjithnjë, në kryeqytetin Tiranë, shkrimtari i shquar nga Kosova, Sulejman Krasniqi. Jam njohur me të shumë vite më parë, kur në Shqipëri sundonte regjimi monist dhe ai ishte student e unë punoja në shtypin e fëmijëve. Por edhe më tej, në shoqërinë e disa të njohurve tanë kosovarë, ne kemi mbajtur lidhje e kemi patur respekt të ndërsjelltë. Bile, ruaj dhe botime të tij, me shënime dashamirëse. Prandaj edhe unë, e kam kujtuar dhe do ta kujtoj atë përherë, me nderim e dashuri të veçantë.
Kohët e fundit, kisha dëshirë ta takoja përsëri Sulejmanin dhe iu drejtova me një mesazh të bijës, Albanës, në Gjenevë, nëse kishte ndonjë adresë të tij Interneti. Me korrektësi, ajo m’u përgjigj se ai nuk kishte dhe se ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore. Sigurisht, u pezmatova për këtë gjë, pasi mora vesh se, miku im i mirë dhe shkrimtari i ndjenjave të pastra atdhetare, po vuante. Sigurisht, atëherë nuk e dija që, pas disa ditëve, pra pikësrisht sot, do t’i ngushlloja për të jatin, Albaën e Sokolin dhe bashkëshorten e tij.

2.

Në bisedat me Sulejmanin, por dhe nga leximet, kam mësuar se ai ka lindur më 7 dhjetor 1937, në Hoçë të Vogël, të Komunës së Rahovecit të Kosovës. Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në vendlindje. Për ndjenjat e tij atdhetare, rregjimi serb e burgosi, duke e akuzuar se dëshironte që Kosova të shkëputej nga Serbia dhe të bashkohëj me Shqipërinë. Për këtë arsye, më pas ai erdhi këtu dhe e dërguan për të jetuar në Lushnjë! Më tej, ndoqi e kreu studimet, në degën gjuhë-letërsi shqipe, të Universitetit të Tiranës (1963-1967). Me pasionin e njeriut të punës e profesionit, shërbeu pa u lodhur, mësues në rrethet Mat e Tiranë, deri sa doli shkrimtar në profesion të lirë.  



Kryeministri Sali Berisha, duke ngushëlluar familjarët e Sulejman Krasniqit

Emri i Sulejman Krasniqit u bë shpejt i njohur, në Shqipëri e jashtë saj, si me artikujt e shumtë në shtypin e kohës, por dhe me librat që publikoi. Në të gjitha ato, binte në sy theksi i veçantë atdhetar dhe dashuria e malli për vendlindjen. Botimet e tij u vlerësuan, duke iu dhënë Urdhëra Pune e “Çmimi I Republikës” (1981), për librin kushtuar “Heroit të Popullit”, Bajram Curri. Më pas, ai e vazhdoi veprimtarinë e tij botuese, edhe kur ishte i rënduar nga gjendja shendetësore.
Kur shohim skedarin e Bibliotekës Kombëtare në kryeqytetin Tiranë ose shfletojmë libra të Sulejman Krasniqit, mësojmë se titujt e tyre janë të shumtë e të larmishëm, shumica me temë atdhetare. Ja, për shembull, po përmendim vetëm disa prej tyre. 

 Ndër veprat e këtij shkrimtari të njohur renditen edhe: “Tri motra, tri histori”, “Në shpellën e banditëve”, “Qielli i përflakur”, “Prijësja e komitëve”, “Beteja të nëndheshme”, “Mic Sokoli”, “Besëlidhja shqiptare”, “Pushka top, o Bajram Curri”, “Dardanët”, “Heronjtë e borës”, “Oso Kuka”, “Shqiptarofobia e serbomëdhenjve”, “Njeriu, dy herë i pushkatuar” e “Belbacakja”. Po kështu, në vitet e fundit, publikoi librat: “Europë, deri kur do ta keqpërdorësh durimin e Kosovës” (Tiranë, 1996), “Rapsodia e kosovares”, roman në vargje (Prizren, 1999), “”Makthi i hijeve” (Tiranë, 2000), “Rebeli i bajraqeve” , roman (Tiranë, 2000), “Jetëshkrim…”(Tiranë, 2011). 



Një nga librat e shumtë, nga S.Krasniqi

3.
Lajmi për vdekjen e shkrimtarit të njohur Sulejman Krasniqi, pas një sëmundjeje të gjatë, u bë i njohur qyshë dje, përmes stacioneve radiotelevizive të Shqipërisë dhe sot përmes gazetave të përditshme. Me këtë rast, një mesazh ngushëllimi i dërgoi familjes, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Gjithashtu, ai shkaktoi pikëllim edhe në Republikën e Kosovës. Nga atje, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi dërgoi një mesazh, ku thuhej, ndër të tjera: “Sulejman Krasniqin e ka bërë të pavdekshëm veprimtaria e tij jetësore dhe trashëgimia e pasur letrare, që u ka lënë brezave të Atdheut të tij të dashur”.
Për ta nderuar jetën dhe veprën atdhetare e letrare të Sulejman Krasniqit, nga ora 12.00-14.00, e ditës së sotme, trupi i tij i pajetë u vendos në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë. Me këtë rast, erdhën për t’i bërë atij nderime dhe për ta ngushlluar familjen: miq, kolegë e të njohur të shumtë; shkrimtarë, arsimtarë e artistë; personalitete të jetës politike e shoqërore; nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Gjithashtu, erdhën Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, përfaqësues të partive politike e tjerë.
Mbi arkivolin e të ndjerit u vendosën kurora të shumta dhe buqeta me lule të freskëta. Ndër to, ishte dhe kurora e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Pastaj u zhvillua ceremonia e rastit, në Varrezat e kryeqytetit.

Tiranë, 17 korrik 2011

Huazuar:http://tribunashqiptare.net/?p=516

2011-07-19

Jo regjistrimit të popullsisë sipas midesë së shovinizmit grekokaragjoz!

Prof.dr. Eshref Ymeri 

 Mbarë shqiptarët me vetëdije kombëtare duhe të ngrihen më këmbë dhe ta hedhin poshtë nismën e qeverisë Berisha për regjistrimin e popullsisë, sipas formularit të zotit Pollo. Aleanca Kuq e Zi, sipas një informacioni që kam nga Tirana, është duke u përgatitur për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese formularin Pollo. Jam i bindur që gjykatësit e nderuar të gjykatës Kushtetuese do të mbajnë po atë qëndrim të lartë atdhetar ndaj formularit Pollo, siç e mbajtën edhe ndaj vendimit tradhtar të deputetëve tradhtarë demokratikas lidhur me hapësirat tona ujore në kufi me Greqinë. Në këtë fushatë që ka ndërmarrë zoti Pollo për t'u hedhur hi syve mbarë shqptarëve lidhur me regjistrimin e popullsisë, vihet re heshtja tërësore e opozitës socialiste. Me sa duket, të dyja klanet e politikës shqiptare - demokratët dhe socialistët - janë tërësisht solidarë në qëndrimin tradhtar që mbajnë ndaj interesave kombëtare në raport me shtetin më karnaval të Evropës - Greqinë. Për të marrë firmën e qelbur greke për hyrjen në Bashkimin Evropian, demokrato-socialistët janë gati ta nxjerrin Shqipërinë në bregun e pazarit të shovinizmit leckaman grekomadh. Mbarë shqiptarët me vetëdije kombëtare duhet të kujtojnë kontributin shumëvjeçar të gazetës "Rimëkëmbja" dhe të zotit Abdi Baleta, i cili ka paralajmëruar me kohë, pas fillimit të proceseve demokratike, se sulmi frontal grek për korruptimin e klasës politike shqiptare, me qëllim greqizimin e shkallëshkallshëm të Shqipërisë, do të përballohet me një kosto shumë të lartë. Sot duhet të ushtojë fuqishëm zëri i mbarë shqiptarëve të vërtetë, në përkrahje të zotit Abdi Baleta, të Prof.dr. Pullumb Xhufit, të zotit Kreshnik Spahia, Nuri Dragoi, Sabri Godo, të Prof. Alfred Uçit, të Prof.dr. Sabit Brokaj, të kryetarëve të gjykatave Sarandë, Përmet, Shkodër dhe të shumë intelektualëve të tjerë. Ky zë duhet të ushtojë fuqishëm edhe në radhët e diasporës shqiptare. Ky zë duhet të ushtojë edhe më fuqishëm në përkrahje të Aleancës Kuq e Zi, kundër regjistrimit të popullsisë, sipas formularit të veglës së shovinizmit grekomadh në Shqipëri, zotit Genc Pollo. Heshtja e Brukselit për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, sipas qejfit të shovinizmit grekokaragjoz, dëshmon shkoqur fare se Bashkimi Evropian kërkon ta shpallë Shqipërinë multietnike dhe mbarë hapësirat shqiptare si hapësira multietnike, ashtu siç e kanë shpallur Kosovën si vend multietnik, çka është një paradoks i kulluar. Me sa duket, Brukseli po punon nën rrogoz, nëpërmjet Greqisë karagjoze, që Shqipërinë ta pranojë në Bashkimin Evropian, pasi kjo të shpallet si vend multietnik, me qëllimin final se në Evropën Juglindore nuk na ekzistuaka komb shqiptar në troje etnike kompakte shqiptare. Ky është një qëndrim armiqësor i Evropës ndaj kombit Shqiptar, i kësaj Evrope, e cila, në raport me etninë shqiptare, është po ajo, të cilën e pati stigmatizuar aq bukur Nderi i Kombit Shqiptar - Gjergj Fishta: Kurva e Motit.

Eshref Ymeri

Santa Barbara,Kaliforni 18 korrik 2011

Shkrimtarin Sulejman Krasniqin e ka bërë të pavdekshëm veprimtaria e tij jetësore dhe trashëgimia e pasur letrare ....

Nga Flori Bruqi,Prishtinë


Në jetën letrare shkrimtari Sylejman Krasniqi  mbarështroi mbi 20 vepra historike e shumë artikuj e shkrime gazetareske. U nderua me çmime si atë të Republikës më 1981, me romanin Mic Sokoli si dhe me çmime të ndryshme letrare, u dekorua me medalje e urdhra pune, por mirënjohja më e madhe për të qenë vlerësimet e publikut, mirënjohja e luftëtarëve të lirisë që i frymëzoi me veprën e tij. Vitet e fundit, megjithëse i sëmurë, nuk iu nda penës. Krahas veprave la pas tre fëmijët e tij, Albanën, Sokolin e Derandin dhe bashkëshorten Mirën që iu përkushtua dhe mbeti personi më i afërt për të deri në frymën e fundit. 


Sulejman Krasniqi u lind në Hoçë të Vogël të komunës së Rahovecit më 7 .12.1937, në një familje atdhetare kosovare. Studimet i nisi në gjimnazin e Prizrenit. Sulejman Krasniqi do të përballej shpejt me dënimet. Ndërsa vazhdonte shkollën e mesme, dënohet me 14 muaj burg me akuzën për “ndarjen e Kosovës nga Serbia dhe bashkimin e saj me Shqipërinë”. Kishte nisur të shkruante e të botonte që në klasën e 4 në gazetën “Pioneri” në Prishtinë. 







Në gjimnazin e Prizrenit botoi përrallën “Pallati prej Dukati” me 1500 vargje. 


Kritika letrare e ka cilësuar si shkrimtar të faktit. Pas ndjekjes serbe u detyruar të lërë Kosovën e të vijë në Shqipëri, ku vazhdoi edhe studimet, pasi më parë provoi kampet e punës në Jug. 


Por pas la një premtim, të mos e ndalte për asnjë moment luftën për pavarësimin e Kosovës. Dhe, nëse do të kishte një lajm të madh në jetën e tij, ishte pikërisht shpallja e Pavarësisë së Kosovës. 


Luftën e tij e vazhdoi me anë të letërsisë, madje u nderua edhe me çmime, çka e çonte edhe më larg jehonën e veprave të tij. Për romanin “Mic Sokoli ai do të vlerësohej me “Çmimin e Republikës”. 


Më pas do të vijonin edhe çmime të tjera.
Vdiç Balzaku shqiptar ,shkrimtari Sulejman Krasniqi

Për atë, Shqipëria dhe Kosova ishin një. 

Nuk kishte kufij. Lindi në Kosovë e vdiq në Shqipëri. Zemra rrahu dhe foli shqip…
Pas një sëmundjeje të gjatë, që e kishte tërhequr disi nga jeta aktive kulturore, ndërroi jetë shkrimtari Sulejman Krasniqi.

 Emra të njohur të letrave shqipe, drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptarë, miq e të afërm i dhanë lamtumirën e fundit njeriut të dashur, dje, në një ceremoni mortore, e cila u zhvillua në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Lamtumirë për njeriun që do të kujtohet si simboli i rezistencës, që krijimtarinë e tij ia kushtoi vendit të vet dhe padyshim u bë edhe një frymëzim lirie. 

“Vepra e tij ishte një frymëzim i madh edhe për ata që bënë luftën e fundit çlirimtare në Europë, UÇK-në”, u shpreh dje kryeministri shqiptar prof.dr. Sali Berisha.

 Ndërsa Presidenti i Republikës, prof.dr.Bamir Topi, në mesazhin e tij të ngushëllimit drejtuar familjarëve u shpreh se “me talentin e rrallë dhe krenarinë e paepur kombëtare, la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe të katër dekadave të fundit”.


Sulejman Krasniqi numëron mbi 20 vepra, të cilat janë kryesisht me karakter historik. Bajram Curri, Mic Sokoli, Shote Galica, heronjtë e lirisë do të zinin një vend kryesor në krijimtarinë e tij. 

E po kështu edhe ngjarje të mëdha si Lidhja e Prizrenit, masakra e Tivarit etj.

1. “Pushka top Bajram Currit”,
2. “Tri motra, tri histori”, 
3.“Lindita”, 
4.“Njeriu dy herë i pushkatuar”, 
5.“Qielli i përflaklur”,
 6.“Prijësja e komitëve”, 
7.“Mic Sokoli”, 
8.“Rebeli i bajraqeve” etj.
Këto janë disa nga titujt e librave që  shkrimtari i madh Sylejman Krasniqi ka lënë pas. 

Sipas shkrimtarit Bardhyl Londo, kur Sulejman Krasniqi erdhi në Shqipëri nga Prizreni në vitin 1958, solli me vete botën e shqiptarëve të atjeshëm, por njëkohësisht edhe botën e shqiptarëve që gjeti këtu.
 “Iu kushtua kryesisht romanit historik, lëvroi me pasion të veçantë historinë e Shqipërisë, e ngriti atë në art në romanet e shumtë që ka lënë”, tha  Bardhyl Londo. “Më printe mbrothësia në temën historike, secila më krijonte mundësi për t’iu përvjedhur censurës dhe konjukturave që atë kohë gëlltitnin male, siç më penguan të botoj veprën e parë për masakrën e Tivarit”, kështu do të shprehej kohë më parë shkrimtari kosovar, i cili me zgjuarsi i shpëtoi censurës dhe njëkohësisht i shërbeu edhe kauzës së lirisë së vendit të tij, të cilin ai nuk mundi ta shihte për 60 vjet me radhë, qysh se kaloi kufirin që ndante trojet shqiptare.

Shuhet Sulejman Krasniqi, Topi mesazh ngushëllimi

          Prof.dr.sc.Bamir Topi
Presidenti Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik , ngushëlloi familjarët e shkrimtarit të shquar shqiptar, Sulejman Krasniqi, i cili ndërroi jetë në Tiranë, në moshën 74-vjeçare. 

"Me dhimbje mësova për lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit me origjine nga Kosova dhe njërës prej penave më të shquara të letërsisë sonë moderne, i cili me talentin e rrallë dhe krenarinë e paepur kombëtare la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe të katër dekadave të fundit", thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit.

Përmes këtij mesazhi, Presidenti Topi shpreh vlerësimin më të lartë për personalitetin e spikatur të Sulejmanit në fushën e letërsisë, për vlerat e jashtëzakonshme njerëzore, si dhe për përpjekjet e angazhimin shumëvjeçar të tij në shërbim të ruajtjes e përçimit të vlerave historike kombëtare, të fitimit të lirisë së Kosovës dhe lartësimit të imazhit të kombit shqiptar. 

"Duke ju gjendur shpirtërisht pranë në këto çaste të rënda, shpreh besimin se jeta dhe vepra atdhetare e Sulejman Krasniqit do të mbeten përherë të gdhendura me respekt e krenari në kujtesën e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë", përfundon mesazhi i Kreut të Shtetit shqiptar.



        Prof.dr.sc.Sali Ramë Berisha
Në homazhet e zhvilluara dje  mori pjesë edhe kryeministri Sali Berisha. “Letrat shqipe, bota intelektuale shqiptare humbi sot këngëtarin e atdhetarisë, heroizmit, trimërisë dhe përpjekjeve mbinjerëzore të shqiptarëve për liri e dinjitet. Sulejman Krasniqi në veprën e tij lë si trashëgimi apoteozën e heroizmit, patriotizmit, sakrificës, përkushtimit dhe trimërisë së shqiptarëve. Sulejman Krasniqi në të gjithë personazhet e tij, personalitete të historisë kombëtare, personazhet e tij të veprave letrare frymëzon shqiptarët në përpjekjen e tyre për t’u çliruar nga pushtimi”, u shpreh Berisha.
            Prof.dr.sc.Jakup Krasniqi
Me rastin e vdekjes së Sulejman Krasniqit, atdhetarit, veprimtarit dhe shkrimtarit të shquar, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka ngushëlluar familjen Krasniqi. 

“Sulejman Krasniqin e ka bërë të pavdekshëm veprimtaria e tij jetësore dhe trashëgimia e pasur letrare që u ka lënë brezave të atdheut të tij të dashur”, kështu do të shprehej kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së shkrimtarit Sulejman Krasniqi.
  “Me lot në sy e me mall të pashuar për Kosovën, së cilës ishte detyruar t’ia kthente shpinën, Sulejmani shpesh thoshte, mos vdeksha pa u kthyer sërish atje dhe pa e parë të lirë vendlindjen time. Ai e jetoi ditën e çlirimit të Kosovës dhe e kremtoi pavarësinë e sovranitetin e saj”.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...