Në jetën letrare shkrimtari Sylejman Krasniqi mbarështroi mbi 20 vepra historike e shumë artikuj e shkrime gazetareske. U nderua me çmime si atë të Republikës më 1981, me romanin Mic Sokoli si dhe me çmime të ndryshme letrare, u dekorua me medalje e urdhra pune, por mirënjohja më e madhe për të qenë vlerësimet e publikut, mirënjohja e luftëtarëve të lirisë që i frymëzoi me veprën e tij. Vitet e fundit, megjithëse i sëmurë, nuk iu nda penës. Krahas veprave la pas tre fëmijët e tij, Albanën, Sokolin e Derandin dhe bashkëshorten Mirën që iu përkushtua dhe mbeti personi më i afërt për të deri në frymën e fundit.
Sulejman Krasniqi u lind në Hoçë të Vogël të komunës së Rahovecit më 7 .12.1937, në një familje atdhetare kosovare. Studimet i nisi në gjimnazin e Prizrenit. Sulejman Krasniqi do të përballej shpejt me dënimet. Ndërsa vazhdonte shkollën e mesme, dënohet me 14 muaj burg me akuzën për “ndarjen e Kosovës nga Serbia dhe bashkimin e saj me Shqipërinë”. Kishte nisur të shkruante e të botonte që në klasën e 4 në gazetën “Pioneri” në Prishtinë.
Në gjimnazin e Prizrenit botoi përrallën “Pallati prej Dukati” me 1500 vargje.
Kritika letrare e ka cilësuar si shkrimtar të faktit. Pas ndjekjes serbe u detyruar të lërë Kosovën e të vijë në Shqipëri, ku vazhdoi edhe studimet, pasi më parë provoi kampet e punës në Jug.
Por pas la një premtim, të mos e ndalte për asnjë moment luftën për pavarësimin e Kosovës. Dhe, nëse do të kishte një lajm të madh në jetën e tij, ishte pikërisht shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
Luftën e tij e vazhdoi me anë të letërsisë, madje u nderua edhe me çmime, çka e çonte edhe më larg jehonën e veprave të tij. Për romanin “Mic Sokoli ai do të vlerësohej me “Çmimin e Republikës”.
Më pas do të vijonin edhe çmime të tjera.
Për atë, Shqipëria dhe Kosova ishin një.
Nuk kishte kufij. Lindi në Kosovë e vdiq në Shqipëri. Zemra rrahu dhe foli shqip…
Pas një sëmundjeje të gjatë, që e kishte tërhequr disi nga jeta aktive kulturore, ndërroi jetë shkrimtari Sulejman Krasniqi.
Emra të njohur të letrave shqipe, drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptarë, miq e të afërm i dhanë lamtumirën e fundit njeriut të dashur, dje, në një ceremoni mortore, e cila u zhvillua në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Lamtumirë për njeriun që do të kujtohet si simboli i rezistencës, që krijimtarinë e tij ia kushtoi vendit të vet dhe padyshim u bë edhe një frymëzim lirie.
“Vepra e tij ishte një frymëzim i madh edhe për ata që bënë luftën e fundit çlirimtare në Europë, UÇK-në”, u shpreh dje kryeministri shqiptar prof.dr. Sali Berisha.
Ndërsa Presidenti i Republikës, prof.dr.Bamir Topi, në mesazhin e tij të ngushëllimit drejtuar familjarëve u shpreh se “me talentin e rrallë dhe krenarinë e paepur kombëtare, la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe të katër dekadave të fundit”.
Sulejman Krasniqi numëron mbi 20 vepra, të cilat janë kryesisht me karakter historik. Bajram Curri, Mic Sokoli, Shote Galica, heronjtë e lirisë do të zinin një vend kryesor në krijimtarinë e tij.
E po kështu edhe ngjarje të mëdha si Lidhja e Prizrenit, masakra e Tivarit etj.
1. “Pushka top Bajram Currit”,
2. “Tri motra, tri histori”,
3.“Lindita”,
4.“Njeriu dy herë i pushkatuar”,
5.“Qielli i përflaklur”,
6.“Prijësja e komitëve”,
7.“Mic Sokoli”,
8.“Rebeli i bajraqeve” etj.
Këto janë disa nga titujt e librave që shkrimtari i madh Sylejman Krasniqi ka lënë pas.
Sipas shkrimtarit Bardhyl Londo, kur Sulejman Krasniqi erdhi në Shqipëri nga Prizreni në vitin 1958, solli me vete botën e shqiptarëve të atjeshëm, por njëkohësisht edhe botën e shqiptarëve që gjeti këtu.
“Iu kushtua kryesisht romanit historik, lëvroi me pasion të veçantë historinë e Shqipërisë, e ngriti atë në art në romanet e shumtë që ka lënë”, tha Bardhyl Londo. “Më printe mbrothësia në temën historike, secila më krijonte mundësi për t’iu përvjedhur censurës dhe konjukturave që atë kohë gëlltitnin male, siç më penguan të botoj veprën e parë për masakrën e Tivarit”, kështu do të shprehej kohë më parë shkrimtari kosovar, i cili me zgjuarsi i shpëtoi censurës dhe njëkohësisht i shërbeu edhe kauzës së lirisë së vendit të tij, të cilin ai nuk mundi ta shihte për 60 vjet me radhë, qysh se kaloi kufirin që ndante trojet shqiptare.
Prof.dr.sc.Bamir Topi
Presidenti Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik , ngushëlloi familjarët e shkrimtarit të shquar shqiptar, Sulejman Krasniqi, i cili ndërroi jetë në Tiranë, në moshën 74-vjeçare. "Me dhimbje mësova për lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit me origjine nga Kosova dhe njërës prej penave më të shquara të letërsisë sonë moderne, i cili me talentin e rrallë dhe krenarinë e paepur kombëtare la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe të katër dekadave të fundit", thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit.
Përmes këtij mesazhi, Presidenti Topi shpreh vlerësimin më të lartë për personalitetin e spikatur të Sulejmanit në fushën e letërsisë, për vlerat e jashtëzakonshme njerëzore, si dhe për përpjekjet e angazhimin shumëvjeçar të tij në shërbim të ruajtjes e përçimit të vlerave historike kombëtare, të fitimit të lirisë së Kosovës dhe lartësimit të imazhit të kombit shqiptar.
"Duke ju gjendur shpirtërisht pranë në këto çaste të rënda, shpreh besimin se jeta dhe vepra atdhetare e Sulejman Krasniqit do të mbeten përherë të gdhendura me respekt e krenari në kujtesën e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë", përfundon mesazhi i Kreut të Shtetit shqiptar.
Prof.dr.sc.Sali Ramë Berisha
Në homazhet e zhvilluara dje mori pjesë edhe kryeministri Sali Berisha. “Letrat shqipe, bota intelektuale shqiptare humbi sot këngëtarin e atdhetarisë, heroizmit, trimërisë dhe përpjekjeve mbinjerëzore të shqiptarëve për liri e dinjitet. Sulejman Krasniqi në veprën e tij lë si trashëgimi apoteozën e heroizmit, patriotizmit, sakrificës, përkushtimit dhe trimërisë së shqiptarëve. Sulejman Krasniqi në të gjithë personazhet e tij, personalitete të historisë kombëtare, personazhet e tij të veprave letrare frymëzon shqiptarët në përpjekjen e tyre për t’u çliruar nga pushtimi”, u shpreh Berisha.
Prof.dr.sc.Jakup Krasniqi
Me rastin e vdekjes së Sulejman Krasniqit, atdhetarit, veprimtarit dhe shkrimtarit të shquar, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka ngushëlluar familjen Krasniqi.
“Sulejman Krasniqin e ka bërë të pavdekshëm veprimtaria e tij jetësore dhe trashëgimia e pasur letrare që u ka lënë brezave të atdheut të tij të dashur”, kështu do të shprehej kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së shkrimtarit Sulejman Krasniqi.
“Me lot në sy e me mall të pashuar për Kosovën, së cilës ishte detyruar t’ia kthente shpinën, Sulejmani shpesh thoshte, mos vdeksha pa u kthyer sërish atje dhe pa e parë të lirë vendlindjen time. Ai e jetoi ditën e çlirimit të Kosovës dhe e kremtoi pavarësinë e sovranitetin e saj”.