Nuk ka rezultuar me marrëveshje takimi ndërmjet ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe kryeministrit Hashim Thaçi, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Financave, Bedri Hamza. Takimi ishte i mbyllur për media. Por, në këtë takim, Thaçi dështoi t’i bindë ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë hyrë në ditën e 60-të të grevës. Edhe pse një delegacion i grevistëve është takuar me kryeministrin, ata janë të pakënaqur me sqarimet që ka bërë kryeministri për vonesën e Ligjit për Vlerat e Luftës. Përfaqësuesi i grevistëve, Xhevdet Qeriqi, tha se zyrtarët e lartë qeveritarë kanë kërkuar nga grevistët që të presin edhe disa ditë për procedimin e Ligjit për Vlerat e Luftës, gjë me të cilën ata nuk janë pajtuar, duke theksuar se greva do të vazhdojë edhe pas ditës së 60-të.
Ata gjithashtu paralajmërojnë protestë gjithëpopullore për të premtën, në orën 12.00, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.