2011-07-19

Dallavere me çmime të karburantëve



Pompat e benzinës po shesin karburantet me çmime të ndryshme dhe joreale. Asnjë prej pompave nuk e ka çmimin e njëjtë, madje as ato që i takojnë të njëjtës kompani. Naftarët thonë se kjo po ndodh për shkak të konkurrencës me njëri-tjetrin. Komisioni i Konkurrencës ka nisur hetimet ndaj tyre.

Importuesit e mëdhenj të naftës janë në shënjestër të Komisionit të Konkurrencës. Ndryshimet e çmimit të naftës të së njëjtës kompani nëpër pikat e shitjes së tyre janë njëra ndër arsyet e hetimit të tyre. Kështu tregtarët e shumicës në vend i caktojnë çmimet në bazë të lokacionit që ata i kanë pompat e tyre.

Rrugës për në lagjen Veternik çmimet e derivateve janë më të larta sesa ato që gjenden në rrugën Fushë Kosovë- Sllatinë. Çmimi i naftës në kompaninë “Al Petrol”, me qendër në Veternik, është 1.15 euro, ndërsa në rrugën e Fushë Kosovës është 1.11 euro. E njëjta gjë është edhe me kompaninë Patroni, por jo me një ndryshim aq të lartë në çmim. Në këtë kompani nafta është 1.12 euro, ndërkaq në pjesën tjetër është 1.11 euro.

 Për këtë, udhëheqës të Komisionit të Konkurrencës thonë se janë duke bërë hetime se cilat mund të jenë arsyet që e njëjta kompani të mbajë çmimet diku më lirë e diku më shtrenjtë. Këta importues, sipas zyrtarëve të këtij komisioni, mund të pësojnë të njëjtin fat, sikurse kompanitë e sigurimeve që janë dënuar me nga 100 mijë euro për një marrëveshje të fshehtë të tyre.

 Osman Ejupi, drejtues i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, tha se pas përfundimit të hetimeve do të dilet me një vendim edhe për importuesit e mëdhenj të derivateve të naftës. Komisioni, sipas tij, ka pranuar ankesa nga konsumatorët për çmimin, cilësinë dhe sasinë e naftës që ata e marrin. “Ndryshimet e çmimit të së njëjtës kompani do të jenë pjesë e hetimeve tona dhe në këtë mënyrë do ta stabilizojmë tregun”, thotë kryetari Ejupi. Ai shton se të gjitha këto po i kryejnë në bazë të Ligjit për konkurrencë. Të gjitha këto parregullsi në tregun e naftës, sipas tij, e kanë një prapavijë. Ai ka bërë të ditur se dënimet për kompanitë importuese të naftës janë deri në 10 për qind në bazë të qarkullimit vjetor. Ai tregon se deri më tash kanë inspektuar disa prej naftarëve të vegjël që merren me shitjen e naftës me pakicë dhe me këtë kanë hetuar se ata po i fiksojnë çmimet. Ejupi thotë se kanë arritur ta shfuqizojnë marrëveshjen mes tyre. “Nga ky inspektim neve na lindën dilema te importuesit e mëdhenj të naftës që kanë mundësi t’i kushtëzojnë këta të vegjlit për fiksim të çmimeve dhe ndarje të tregut”, thotë Ejupi. Edhe udhëheqës të Shoqatës së Naftarëve të Kosovës e pranojnë se kompanitë po i ndryshojnë çmimet në bazë të lokacionit të qendrave të tyre. Nazmi Bytyqi, kryetar i kësaj shoqate, thotë se kjo po ndodh për shkak të konkurrencës me njëri-tjetrin. ”Për këtë gjë kemi marrë shumë ankesa, sepse manipulimet me çmimin, cilësinë dhe sasinë janë shtuar mjaft shumë”, tha Bytyqi. Ai tha se gjatë javës së ardhshme, Shoqata do të mbajë një mbledhje për t’i diskutuar të gjitha këto probleme që kanë lindur kohëve të fundit. Ndërkaq, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thonë se kjo ministri i inspekton vazhdimisht naftarët, por çmimet, sipas tyre, nuk janë problem i tyre. Bajram Shala, zëdhënës i MTI’së, thotë se konkurrenca e tregut i përcakton çmimet. ”Ministria i inspekton në çdo kohë këto kompani, po për çmimet ne nuk kemi kontroll, sepse këtë e cakton konkurrenca në treg”, tha Shala. Përkundër ngritjes së vazhdueshme të çmimit të naftës, edhe benzina dhe gazi natyror janë shtrenjtuar dukshëm. Një litër gaz natyror tanimë kushton mbi 0.75 euro. Gjatë muajve të verës, çmimi i një litri gaz natyror ka qenë gati përgjysmë më i lirë.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...