2011-07-17

Poetet vdesin duke gjykuar vetveten


Marjan Bunaj

Nga Marjan Bunaj

1.AGONIA E POETIT

Të lehtët gjykojnë këdo
E rrojnë për të dënuar njerëzimin.
Poetet vdesin duke gjykuar vetveten.
E shugurohen në heshtje sapo kryejnë dënimin.


****

Figura e tij që bëhej gjithnjë e më groteske, kalonte pa u ndjerë në rrugët e pluhurosura të qytetit. Dobësohej dita-ditës dhe rrobat e zgjedhura me kujdes e sqimë (dhurata të miqve) tani i rrinin të gjëra. Pantallonat e bardhë i mbante me një rrip meshini të valëzuar për shkak të vrimave të reja që i bënte herë pas here lustruesi i këpucëve në trotuarin pranë shtëpisë së tij.
Të fundit e kishte bërë dy ditë më parë. Tek bënte vrimën jevgu i fliste për vetitë e meshinit i cili ka një histori të lashtë. Pastaj duke i treguar fëndyellin me të cilin bënte vrimën i tha:
-këtë e ruaj si sytë e ballit. Ma ka lenë trashëgim im atë, drite paste.
I ati paskësh qenë demokrat i flakët. Në kohën e komunizmit e paskësh luftuar sistemin duke ushtruar zanatin e lustraxhiut  privat. Që i ati paskësh qenë i vogël me trup por shumë nevrik e që  rakia i bënte një efekt të çuditshëm. Kur pinte një gotë bëhej në qejf e këndonte më mirë se Bujar Qamili por kure pinte më shumë se dy gota ishte mirë të mos i dilje përpara edhe në qofsh dy metra i lartë sepse bëhej i papërballueshëm. Po të mos ishte për cirrozën do të ishte bërë njëqind vjeç.
Kur po e paguante jevgu ja mori paratë pasi refuzoi “energjikisht” duke i thënë;
- mos i raft si po të marr lek ty?!. Un librin tënd, atë me fotografi në kopertinë, e kam vënë në bufè e sa herë gruaja shqyen ndonjë fletë për të ndezur zjarrin e... "bëj për spital".
Ai duke ikur i kishte lutur jevgut të mos e rrihte gruan për një gjë të tillë sepse në fund të fundit poezitë atë qëllim kishin të ndiznin. Nëse nuk ndezin pasionet atëherë edhe për të ndezur zjarrin gjithsesi janë të dobishme. Sapo i kishte kthyer krahët, jevgu duke i rënë pedanës me furçë  kishte filluar të këndonte këngën e Xhevrijes. Pas çdo strofe bënte një brach publiciteti; “urdhëroni zotërinj lustra italiane speciale”

Vargje të hollë që i flasin veç kresë
Si shkrepëse të lagura shuhen në harresë
Edhe ca të tjerë që shpirtin lodhin fort
Po aty mbarojnë s'kanë tjetër short

Jam plakur thellësisht  mendoi. Jap këshilla në vargje. Poetet s'kanë nevojë për këshilla. Duan veç mbështetje e kritika dashamirëse.
Mjekrën e kishte shkurtuar pasi e kishte humbur madhështinë e dikurshme. Dukej një personazh i dalë nga filmat e Kosturicës. E dinte, po xhirot në qytet ishin për të një evazion i dhimbshëm nga trishtimi pikëllues i shtëpisë. I mendueshëm ndjente simfoninë e heshtur që luante brenda tij frymëzimi duke prekur lehtë e lehtë fijet e pasionit që shpirtin mbanin lidhur në trupin e brejtur nga dhimbja. Ndjente pauzat që krijoheshin kur këta fije tejet të tendosura këputeshin njëra pas tjetrës. Ritmi i zemrës tani ishte bërë me i shpeshtë e aspak i sinkronizuar me simfoninë.
Poezitë nuk i shkruante me. Kishte frikë se boja e shkrimit do të përlyente bardhësinë e tyre parajsore, rrapëllima që pena lëshon duke rrëshqitur mbi letër do të thyente heshtjen e tyre solemne. Kompjuterit nuk i besonte. Do t’ja kthente në njësha e zero, nën pushtetin e programit e nën mëshirën e rrymës elektrike. Kishte frik që metrika, ritmi e rimat do ti militarizonin. I erdhën në mendje katër parimet themelore të realizmit socialist e qeshi trishtueshëm brenda vetes. Poezitë e bardha të heshtura silleshin si dervishë ç'ekstazë në një shesh që dhimbja e zvogëlonte pareshtur. Shihte njerëzit që kalonin përbri dikush me nxitim e të tjerë ngeshëm duke biseduar e ndjente dhimbje për ta. Nuk do ti lexonin kurrë ata poezi tejet të bardha që lindnin e vdisnin varg e varg  brenda tij. Për ti ndjerë duhet të jesh nën pushtetin e dhimbjes, të shuarjes  progresive. Atëherë mendonte që ata ishin me fat që poezinë s’e ndjenin, kështu kishin një dhimbje më pak.
U kollit mbyturazi e një masë xhelatinoze u ngjit në zgavrën e gojës. E gëlltiti e ndjeu shijen e hekurit të kalbur. Përbindëshi pjellë e dhimbjes kishte zënë vend në gjoks e ushqehej i babëzitur me mushkëritë e tij. Ai e mallkonte me gjithë shpirt po e ndjente që mallkimet për përbindëshin ishin inkurajuese. Pas çdo mallkimi zelli i tij rritej. Dilema, që shpesh i vinte në mend, u shfaq sërish. A ishte dhimbja që kishte pjellë përbindëshin a përbindëshi dhimbjen. Raporti shkak pasojë këtu ishte pak më i ngatërruar se në filozofi.
Trupi im, mendoi dikur tempull i një shpirti  të dlirë ishte kthyer në një bordello të qelbur ku në një ampleks inçestor dhimbja e përbindëshi riprodhoheshin jashtë çdo rregulli e ligji biologjik.
Pothuajse nuk ushqehej më. Hante me mundim supën e hollë që e shoqja i gatuante, më shumë për të shpërblyer atë për mundin e përkushtimin. Si përbindëshi ashtu edhe gruaja kishin nevojë për të. Përbindëshi për mallkimet që siç duket ishin çmim për punën e bërë. Gruaja për praninë si objekt i përkushtimit të saj. Sapo ai hante diçka ajo vihej me zell të gatuante diçka tjetër. Idhtësia e hapave që merrte kundër dhimbjes tani ishte bërë e pranueshme. Bombola e oksigjenit, tek koka e krevatit, si rraket e ftohtë metalike e drejtuar drejt qiellit i dukej tani më antropomorfe.
Ngjiti pesë shkallët e klubit të artistëve, duke u ndalur në çdonjërën prej tyre. Në holl dikush e përshëndeti tek  po kërkonte të mbushej me frymë. Ju përgjigj me një lëvizje të lehtë të kokës së hirtë. U preokupua nëse ja kishte dal në mundimin të vizatonte një buzëqeshje me muskujt e fytyrës që i bindeshin gjithnjë e më pak. Hyri në klub duke ecur në mjegullën e butë e të lagur të shikimit të tij. U ul në karrigen që vrik i liroi njëri nga miqtë e përhershëm. Kishin vënë një etyd të Shopenit ritmi i së  cilës përkonte me të rrahurat e zemrës; i kishte pëlqyer gjithmonë Shopeni, por  sot po i krijonte ankth, megjithëse zëri i radios ishte i ulet dhe dëgjohej me vështirësi nga rrëmuja që mbizotëronte në lokal. Banakierja e vuri re këtë nga shikimi që u hodhi altoparlantëve të zinj. Ajo vuri një xhaz të butë e letë. Falënderoi banakeren me një lëvizje të lehtë të kokës ndërsa me shikimin e përqendruar kërkonte të shquante nëse ndërrimi i muzikës shkaktoi ndonjë ndryshim ne temat e bisedës o ne humorin e miqve. Nuk arrinte të vërente asgjë në shprehjen e fytyrave.
Ndoshta rryma e makiaiolëve në Firence kishte lindur kështu. Ndonjë piktor që i ishte dobësuar shikimi  kishte filluar të punonte me penelata të trasha duke mos pasqyruar imtësitë.
Ishin intelektuale tashmë; të moshuar që flisnin pareshtur duke mallkuar realitetin e papranueshëm që tranzicioni kërmillor kishte krijuar. Sot me ta që edhe një emigrant mundohej të fshihte euforie. Kishte veshur rroba të shtrenjta e duart i kishte të dërmuara nga punët e rënda. Dukej i lumtur e ndiqte me admirim bisedat. Pothuajse të gjithë ishin nën trysninë e pasioneve nacionaliste, të ngulitura nga rilindësit e propaganda socialiste, ndrydhnin gjykimin e aftësinë analitike. Diskutonin mbi dy rrymat që kishin lindur rreth tipareve të identitetit kombëtar të shqiptarve, ajo islamike Qosjane e ajo perëndimore Kadarejane. Ai i ndiqte në heshtje, ndërsa  ajri i ngopur me tym duhani nuk i po mjaftonte.
Kafeja i ra në stomak e ai ndjeu nevojën për të vjellë. E mbyti me mundim këtë impuls. U zhyt sërish në botën e bardhë të poezisë, që kurrë s'do të shkruante, e tani, që po shijonte prehjen që i jepte prania e miqve, kishte humbur disi atë bardhësinë verbuese. Homeri ndoshta që verbuar për të shijuar këtë bardhësi. Heshtja tani ishte më pak solemne. Zhurma e kupave dhe e lugëve të lokalit i penetronte potershëm në kafke. Llulla e njërit prej miqve lëshonte një fjollë tymi erëmire. Ai reshti së shikuari pasi filloi ti përzihej përsëri. Era e konjakut, që miku i cili i kishte bërë vend, e shijonte me gllënjka kursimtare i sëmbonte hundën duke i shkaktuar një dëshirë për t'u teshtirë që e ndaloi duke mbyllur sytë. Dikur për tu teshtirë kërkonte diellin o çdo burim tjetër drite; tani mbyllte sytë. Një teshtitje tani do te thoshte çnjerëzim.
Banakierja me një tabaka në dorë ju afrua nga mbrapa dhe duke i mbështetur lehtë dorën në supin e djathte i pëshpëriti ne vesh, me një fryme të ngrohtë;
- Si ke njehë sot?  dukesh shumë ma mirë! a ta sjell një jastëk?
Ai mohoi me kokë duke u sforcuar jashtë mase të buzëqeshte në shenjë falënderimi.
Ajo u largua pasi i shtrëngoi lehtësisht supin e tij të thatë.
Pas ikjes së banakieres tema e bisedës ndërroi. Flisnin mbi teprimin tipik mesdhetar në shfaqjen e ndjenjave, që në Ballkan ishte më i theksuar se në asnjë vend. Njeri nga miqtë që shpesh mahitej me tendencat nacionaliste të të tjerëve tha se kjo dukuri e kishte origjinën tek qytetërimi pellazg e ilir;  pra tek kultura shqiptare. Jo të gjithë qeshën.
Ndenji edhe pak duke dëgjuar në heshtje pastaj me një sforcim marramendës u ngrit i ndihmuar nga shoku përbri. Përshëndeti me sy një nga një miqtë dhe u kthye nga dera që banakierja mbante të hapur. Ajo i buzëqeshi çiltërisht duke i thënë.
-Mirëseardhësh nesër!
u nis drejt shtëpisë me hapa të vegjël e të ngadaltë duke u ndalur gjithnjë e më shpesh për tu mbushur me frymë.
Edhe sot e kishte marrë dozën e përditshme të miqësisë. U zhyt përsëri ne simfoninë e heshtjes që tani, me gjithë zhurmën e rrugës, ishte me e thelle. Poezitë u bene përsëri të bardha e të etreshmë e dhimbja me e fortë.
“-Mirëseardhësh nesër!” mendoi ai përshëndetjen e banakieres. “Mos të zëntë e nesërmja” ju kujtua mallkimi dashamire i nenës kure bëntë ndonjë rreng në fëmijëri. Trotuari vende vende ishte i lagur pasi baristet e shitësit lagnin rrugën para derës për shkak të pluhurit. Nga baret oshtinin altoparlantët. Muzikë folk  sllave, greke e këngë me çifteli përziheshin ne një kakofoni marramendëse. U ndal përsëri të mbushej me fryme nga dera e barit e përzier me zhurmën e bisedave dilte një këngë pikëlluese cigane. Një zë i dridhur mashkullor rreshtonte një sere mënyrash vetëvrasje e pyeste Mejremen shpirtgure se cila i pëlqente të përdortë për flijimin që donte ti kushtonte ne emër të dashurisë. I erdhi dëshira të vraponte po nisi të ecte edhe me ngadalë se me parë. Nga bari fqinj një çifteli pas një introducioni të gjatë e të zellshëm plot trokitje gishti mbi drurin e instrumentit i la radhën zërit të rapsodit që filloi të numëronte cilësitë e panumërta pothuajse të gjitha mbinjerëzore të një politikani të mazhorancës. Nga shiu ne breshër qeshi brenda vetës. Dëshira të vraponte po behej ankth. Shtëpia dukej se çdo mëngjes njehtë një kilometër me larg klubit të artistëve. Ajo sot ishte larguar edhe me shume. Kishte nevojë të ngutshme për bombolën e oksigjenit e të villte të villte deri sa bashkë me mbeturinat e përbindëshit, ti çlirohej edhe shpirti nga ai trup që s'ishte me i tij. Bari i fundit mendoi ai me lehtësim. Zëri raperi vendas po shante me gjithë shpirt dikë me fjale të fëlliqura që i nxirte me një ritëm skadent po plot pasion.
Tek hynte ne shtepi i erdhi në mend nofka që i kishte vënë Koleci. “Krisht”.
“Krishti” mendoi ai. Sa vdekje tragjikisht e bukur. I kryqëzuar midis dy qyqarëve me vrimën e ushtës ne brinje. Vdekja i kishte ardhur nga jashtë. Mua po me grin se brendshmi duke me çnjerëzuar dita-ditës. I hodhi një shikim vrastar refleksit mjeran të rupit të tij ne pasqyrën e korridorit. Shikimet vrastare u kryqëzuan për një çast. “Çfarë Krishti”? “Ti je një shkalle pulash” i tha vetës duke përdorur shprehjen e një shoku të gjimnazit, që e bënte të qeshtë. Vuri re që asnjë muskul i fytyrës se tij nuk ju bind. As sytë nuk qeshen. U shtri ne shtrat. Bombola e oksigjenit me një kryq rekordesh ne maje, ju duk si kulle katedralje.
Infermierja e ndihmuar nga gruaja i beri morfinën. I sistemuan jastëkun e maskën e oksigjenit. Mbështeti kokën që filloi ti buçiste. Një mori kambanash filluan të binin ne kokën e tij, me tinguj metalik e ritëm rok. Paskam vdekur me ne fund mendoi. E shpirti duke u ngjitur ne qiell si tullumbac festë, ka mbetur i ngatërruar nen çatinë e kambanores. Qyqar i tha vetës. Jetën tokësore s'dite  ta jetosh e atë qielloren e nise mò zot ma keq. Do të plasë shpirti nga zhurma e kambanave. Të pres sa të pushojnë e pastaj të kërkoj ndihmë. Ndjeu dorën e lagur të gruas që i preku ballin e u çlirua nga ankthi për fatin e shpirtit të tij. Jam këtu akoma. Mendja i vajti përsëri të vdekja e Krishtit. Atë e tradhtoi Juda po mua kush me tradhtoi? „Trupi im“ tha Juda është trupi im. Sa qeshë fëmijë nuk diti të rritej kurrë. Ne rini shikoja vajzat që dashuroheshin me kunguj të gjatë e shpatullgjere. Ai nuk më ndihmoi. Duke hyrë ne pleqëri i ra një hir i bukur prej intelektuali. Aty mendova se trupi u be dishepulli im. Pikërisht aty me tradhtoi la të hy përbindëshin që po më çnjerëzon. Juda që penduar për puthjen tradhtare. Ndërsa trupi im jo vetëm s'është penduar, por po më mban shpirtin peng.
O ndoshta  zemra. Atë nuk e akuzojmë kurrë. Ndoshta që ajo që ju nënshtrua dhimbjes e cila polli përbindëshin. Rreh si  e marrë si përherë s'ka kuptuar asgjë. Rreh me tërbim si dikur nga shikimi i një gruaje, nga një lule a fije bari, një buzëqeshje foshnje a nga një cikël poezish, në gazetën “Drita”. Rreh si e çmendur e nuk e kupton që kështu i zgjat jetën përbindëshit e mua dhimbjen. Vuri dorën e djathtë në brinjë aty ku Krishti kishte plagën e ushtës e ra në ëndërr. Që ishte plot pretorianë me ushta të gjata, turma ulëritëse, zdrukthëtar që ndreqnin kryqa, farkëtar që bënin gozhda e tregtare pëlhurash të linjta. Ëndrra si përherë ndërpritej nga therjet ne gjoks që e zgjonin sa për të mallkuar zemrën që rrihte gjithnjë e me fort “pusho hè të shitoftë zana” e trupin Judë “Mos të zëntë nesërmja”. Në momente prehje dhimbja mbulohej nga një dritë tejet e bardhe dhe e  butë ku lundronin  një harmoni  të etershme poezi qiellore të pashkueshme.


2.MËSUESIT



Kur kërkoj ti jap trajta mirësisë njerëzore. Ajo ka ngrohtësinë e gjoksit të simemë e siluetën e imët të mësuesit tim Shefqet Kelmendi. E kujtoi mësues Shefqetin si oazë ku ndalej të pushojë shpirti i trazuar i fëmijës së ndrydhur nga pesha e mjerimit dhe e njerëzimit. E kujtoj duke ecur, me një tufë gazetash nën sqetull e tek lexonte gazetën “Drita”. E afronte shumë gazetën për shkak të miopisë e shkonte ngadalë nën hijen e plepave përbri asfaltit, në rrugën që nga posta çonte drejt lagjes së “familjareve” që ishte “qyteti” i fshatit tim. E kujtoj kur u ndreqte fëmijëve kamishat e leckosura ne pantallonat mjerane. E kujtoj tek i bije mandolinës e me një zë kadifeje këndonte këngën e pesë heronjve të Vigut. E kujtoj kur tregonte parabolën e të dënuarit me vdekje që në sajë të besës e dhembshurisë se gardianit kishte shkuar të përshëndeste familjen një natë para ekzekutimit e që moti i keq e kishte penguar të arrinte në kohë. Me dorën e ngritur e zërin e çjerrë vraponte drejt trekëmbëshit të vdekjes ku në këmbë të tij, po ekzekutohej gardiani i ndëshkuar për njerëzinë e shfaqur e besimin tek besa e shqiptarit. E kujtoj kur na i bënte të bukura edhe himnet ozanuese të shkrimtareve oborrtare. E kujtoj shikimin e tij ngjyrë qielli tek më jepte libra në bibliotekën e shkollës duke më thënë që megjithëse kisha zgjedhur libra qe duhej ti lexoja ndonjë vit me vone, un mund t′i lexoja. Kjo me jepte krahë. E kujtoj tek priste ne heshtje tek radha e bukës e u përgjigjej me dashamirësi përshëndetjeve pak servile të fshatarëve që ktheheshin nga puna në fushe e prisnin me ore që të arrinte gazi i kooperativës nga furra e Shënkollit të ripagëzuar “Ylli i Kuq”. E kujtoj kur gjatë shpjegimit, për të na zgjuar nga përgjumja e unshme na lëshonte zinxhirthin e çelësave nën jakat e lyrosura në zverkat tanë fëmijërore. Kur i klithte Dardanit të pabindur të kthehej në shtëpi për të bërë detyrat. Tek qortonte Shpëtimin gjaknxehtë që i kishte thyer hundët ndonjë shoku i cili i kishte thënë kryemadh të njëjtën shprehje që un po mësohesha ta duroja.
Arrestimi i tij ka qenë për mua një zgjim i trembur nga inkubi komunist. U mallëngjeva kure pashe ne google fotografinë, mu zgjat jeta nga mbijetesa e tij. Penda e mprehtë e gjaknxehtë e Shpëtimit, djalit të mësues Shefqetit, me ndaloi të publikoja disa përsiatje letrare për fatin e mirë të lexuesve. Nga zilia e duke përfituar nga distanca gjeografike që na ndanë, Shpëtimit po i them “kryemadh, kryemadh, kryemadh …hë”
Kure mësova vetëmohimin burrëror të mësues Shefqetit në gjyqin komunist u mbusha me një krenari të pashoqe. Vuajtjet e tija në burgjet çnjerëzore e dënimin me vdekje i përjetova me një dhimbje therëse e më bënë të harroj përndjekjet e arrestimet që me bënin shefat e sigurimit në ministrinë e mbrojtjes.
Mësues Shefqeti nuk është mësuesi i parë që të gjithë kujtojnë me mallëngjim. Ai është për mua njeriu i parë që kam takuar në shkretëtirën shoqërore të realitetit socialist.
Desha të shkruaj “të rroje sa malet mësuesi im Shefqet Kelmendi” por ky urim është zvetënuar nga destinatari monopolist i tij, Enver Hoxha. Atëherë i sigurte që do të më lejonte ta merrja ngrykë e ta kacarroja fort, po i them “TË DU FORT MËSUES”


Miku im Marjan Bunaj ka lindur në Lezhë në vitin 1962. Shkollën tetëvjeçare e ka kryer në Zejmen. Ate të mesmen, në teknikumin e Lezhës, dega zooveterinari e ka kryer në vitin 1981. Ka punuar si veterinar në ekonominë ndihmësë të bazes ajrore të Gjadrit deri në vitin 1990. Që nga viti 1991 jeton në Itali së bashku me gruan (Leonora, gazetare televizive) dhe djalin (Marlen, piktor i talentuar).

3.

Elegji per poetin Ndoc Gjetja



Fjalt e shqipes n’veprën tande,
Varg e varg m’synë përjetësin.
Zemra e madhe u dha ritmin
Shpirti brishtë poezinë.

Kjan Berdica djalin.
Kjan Lezja at burrë.

Lezha kjan poetin,E se harron kurrë.

Mbar njerzimit dashni i fale,
Mjeshterisht e pa mashtri.
Gzimin kang gjithmone e bane.
Dhimjes kurr si dhe leci.

T’kjoft i leht ty dheu i Lezhëz.
Që beku e paska zoti
Burra t’urtë e trima t’çartun
I dha kombit sa kje moti.

Njaty prehët Skenderbeu,
Ndera jonë e tan njerzisë.
Nji Gjergj tjeter njaty leu
Ai i lahutës së malcisë.

Në Shqipni e në Kosovë
E kudo asht shqiptaria,
Ke me u knu ti sa t’jete jeta
Der sa t’rrojnë poezia.

Fmitë e shkolls e burra shteti
Kanë më ardhë me të nderu
E do tjer kan me shku njeti
Po ti zduhet me u zemru.

Der sa shpirti t’bahet mbret,
Me drejtu njerzinë ka e mara.
Ka me u dashte kaj poet,
Mos mei hupë të mirës fara.

Kur kaj herë ke më metë vetun.
Ka me fry murrani zi
Mbi vorr tan ka meu perkulë
Me nderim ndonji selvi


Tash Ndoc Gjetja n’jetë t’pasosun
I rrethum me kerubina
ka me lshu rreze frymzimi
per poetet n’kto krahina.


Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...