2011-07-17

Nga BEDRI MYFTARI :Poemë kushtuar poetit rebel Vehbi Skënderi


SHPIRTI I POETIT





Sirenat i prenë flokët e gjata,
heshtën shtojzovallet , orët e maleve,
Tutje Lugjeve të Verdha mbi Bjeshkët e Namuna,
U meh qumështi në gjinjtë e bardhë të zanave,
Osman Taka gremisi sytë në legjendat e valleve,
Yjet qiejve ngrinë,
E përmortshme me ding-dangun e këmbanave tringëllin,
Muza e poetit me emrin Ofeli.
Thur kurora me trendelina në malin Leni,
Lida ,vajzë dëshiri, vajzë e vetme,
Si Shehrezadja e njëmijë e një netëve,
U bë qyqe e qyqon,
E me ligje pellazgjike ligjëron:
-Ku ku, babë!Ku ku baba!
Baba shakryt tat! Baba shakryet tat!
Ike i zhgënjyer,
S`pe një ditë të bardhë, s`të gjeti shpirti rehat,
Baba shakryet tat! Baba shakryet tat!
Qielli mbi Kosovë e Çamëri
Në gjysmështizën e pikëllimit
veshun me kuq e zi.
Edhe unë Vehbi,
Derdha lotë, derdha vargje për ty,
Se ti i përket racës së poetëve,
Po raca e poetëve nuk është standarte,
Ka poetë me fantazi si flaka e vetëtimave
Por me shpirt të zi si të demonëve,
E me ndjenja të mbyllura
Në sarkofagë prej akulli,,
Ka poetë me ndjenja të buta si lulet,
Me shpirt të dhimbshëm,
Deri në dhimbje.
Por shpirti i tyre është i bindur , i nënshtruar,
Rri i mbyllur tërë jetën
Në kafaz e kraharuar,
Tek dera e ruajnë:arsyeja, frika,
Si gardian qelishë,
Si murgj manastiresh,.
Por ka edhe poetë,
Me shpirt të pabindur dhe rebel
Që nuk e përfillin arsyen, frikën,
Si gardianë qelishë, Murgj manastiresh,
Kësaj race i përket edhe ti ,Vehbi.
Shpirti yt fluturon i lirë hapësirave,
Nuk i bindet arsye- frikës
Si gardian qelishë,
Murgj manastiresh,
S`i ke përfillur eprorët,
I ke injoruar këshillat e profetëve,
Filozofëve,
Mbi edukatën , moralin,
Mbi nënshtrimin ndaj së panjohurës,
Nuk u je bindur ligjeve,
Pjellë e shpirtrave të ngrirë,
Mbuluar me sarkofagë akulli,
I neverisje karrieristët,
Që zvarriteshin, lëpiheshin, intrigonin,
Mashtronin, shisnin dhe nderin,
Vrisnin dashurinë e tyre,
Deri sa shfrynin epshet për pushtet,
I urreje deri në hakmarrje,
Vrasësit, sadistët.
Ligji suprem për njerëzit,
Është njenjtë për të gjitha krijesat,
e planetit,
Si për të gjithë elementët e universit.
Yjet me jetë miliarda vitesh,
këputen një ditë,
Veniten thithen nga vorbulla e rrymave,
të zeza, qiellore,
Enigmën,
Edhe krijesat supreme të planetit,
Me emrin njeri,
Shuhen , veniten një ditë,
Shpirtrat e poetëve të bindur, të nënshtruar,
Shkojnë në amshim
E treten në kaosin e hiçit,
Kurse shpirti yt , rebel, Vehbi,
As yll nuk pranon të bëhet,
Që të shkëlqejë netëve,
I ftohtë ,i ngrirë , kallkan.
Ti poet me shpirt rebel,
Do rilindësh përsëri,
Jo me frymën e shenjtë,
Si Jezusi,
Por nga mëkati i mollës së ndaluar,
Nga një baba e nënë tjetër,
Ndoshta do rilindësh në Australi,
Afrikë, Amerikë, Europë,
Po gjithësesi do rilindësh në planetin tonë,
Me emrin e bukur Tokë,
E përsëri shpirti yt do ti përkasë racës së poetëve,
Do të jetë rebel, i pabindur,
Me urrejtje të përjetshme,
Kundër tiranëve,
Diktatorëve,
Kriminelëve…

***********



Nga viti 1996 Vehbi Skënderi jetoi dhe në Zvicër, ku ka vazhduar krijimtarinë e tij poetike dhe publicistike


image de l'article

Më 13.06.2011, në orën 04:30, pushoi së rrahuri zemra e lirikut të madh Vehbi Skënderi. Në spitalin kantonal të Bazel Landit, Bruderholzspital, ku u shtrua në mëngjesin e datës 11.09.2011, krijuesi Vehbi Skënderi pati pranë deri në çastet e fundit gruan, vajzën, dhëndrin dhe nipat.


Poeti Vehbi Demir Skënderi ka lindur në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927 në familjen e një kleriku të lartë. Shkollën fillore (me pesë klasë) e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1934-1939. Në vitin 1940 u mobilizua me forcë nga ushtria greke në vijën e parë të frontit për hapjen dhe mirëmbajtjen e rrugëve.


Në vitet 1941-1943 vazhdoi studimet fetare në Medresenë e Lartë Tiranë. Në majin e vitit 1943 ndërpret studimet dhe del partizan ku iu mbijeton dy plagosjeve. Në vitin 1944 pranohet në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare.


Në vitin 1961 kryen Fakultetin Histori-Filologji. Shkrimi i tij i parë që gjen jehonë të veçantë ishte ai i botuar më 1945 tek Bashkimi, me titullin "Myfiti", ku bën portretin dhe historinë e një çami nga Filati.


Në vitet 1949-1953 është redaktor në revistën Miqësia ndërsa në vitet 1955-1956 në revistën Hosteni me Spiro Çomorën. Në vitet 1956-1959 është korrespondent special në të përditshmen Bashkimi. Nga viti 1960 deri në vitin 1967 punoi në revistën Ylli, ku ishte gazetar dhe anëtar i kolegjiumit. Në vitet 1972-1974 ai ishte redaktor i poezisë në Shtëpinë Botuese „Naim Frashëri".


Veprimtarinë publicistike, Vehbi Skënderi mundi ta rifillonte vetëm pas vitit 1992, me rrëzimin e diktaturës. Në këto vite ai ka botuar publicistikë dhe poezi kryesisht në gazetat e përditshme "Rilindja" dhe "Bota Sot".


Poezinë e parë, Vehbi Skënderi e botoi në revistën "Letërsia jonë" në vitin 1947.


Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, pa qenë kandidat.


Më 1953 botoi librin e parë poetik, Këngët e para. Prej atëherë ka botuar librat poetikë Vjersha (1958), Fletë nga ditari im (1964), Vjershat dhe poemat e Drinit (1969), Vazhdim i një bisede (1971), Vdekja e Ofelisë (1971), Shqiponja e Vermoshit (1972), Përsëri mëngjes (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura- Kolana e poezisë shqipe (1973), Kumbojnë vitet (1983), Nxitoj (1987), Bëjmë sikur (1995), Hëna e vjedhur (2000), Zvicra Shqipëria ime (2004). Për "Fletë nga ditari im", në vitin 1966 Vehbi Skënderi mori Çmimin e Republikës.

Vëllimin e fundit, "Mirëmëngjes, Shqipëri - Lirika të një tetëdhjetëvjeçari", i cili ndodhet në dorëshkrim, poeti Vehbi Skënderi e përfundoi në fillim të vitit 2009.


Përplasjet e tij me regjimin e kohës dolën hapur në vitin 1967. Po atë vit, me një grup të shquar intelektualësh – Profesor Selman Riza, Profesor Ligor Mile, Profesor Dhimitër Pilika, Kolonel Dilaver Radeshi, historiani Zija Shkodra, majori Bektash Bedo etj. – ai përgatiti një "Brigadë shtypi" dhe e dorëzon për botim në Zërin e Popullit, të cilën Byroja Politike e cilëson veprimtari armiqësore. Në Komitetin Qendror gjatë seancash të terrorit të gjyqit politik e akuzonin për veprimtari antiparti sepse sipas tyre sulmonte institucionet e superstrukturës të diktaturës dhe nacionalist meqë Kosovën e shihte si pjesë të Shqipërisë.


Më 1967, për pesë vjet rresht Vehbi Skënderi, tashmë autor i ndaluar, dërgohet në Vaun e Dejës, i dënuar me punë korrektuese. Një vit më vonë, në Kantjerin e Zadejës, dërgohet me punë fizike. Më 1974 ai përjashtohet nga partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga puna, i digjen librat dhe i ndalohet botimi.


Pas rreth dhjetë vitesh i rikthehet e drejta e botimit. Del në pension në vitin 1987 duke qenë korrektor në repartin e dispensave në Kombinatin Poligrafik.


Prej 15 qershorit të vitit 1996 Vehbi Skënderi jetoi dhe krijoi në Zvicër me familjen e tij të dashur, me gruan, dy nipat e tij, dhëndrin Skënder Buçpapaj dhe vajzën e tij të vetme Elida Buçpapaj, të cilët e rrethuan me dashuri dhe përkujdesje shembullore deri në fund të jetës së tij.


PËRGATITI FLORI BRUQI

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...