Lefter Çipa, princi i dashurisë


Ai ka një talent të rrallë. Një talent të vërtetë artistik. Një talent të jashtëzakonshëm sa i përket lirizmit të thellë, bukurisë së vargut, figurës poetike, ngjyrimeve emocionale, fuqisë së dashurisë, kompozicionit të vargut, fuqisë së konvencionit, muzikalitetit të fjalës, të vargut, të poezisë, të gjithë krijimtarisë së tij. Të një krijimtarie tepër të pasur, të jashtëzakonshme, që përmbledh një kolanë më vete, shpalosur në 18 libra të botuar, në mijëra poezi të ngritura në këngë, me një lirizëm mahnitës, me një rrjedhshmëri vargu që i ngjet një vallëzimi perfekt. Një krijimtari e mbushur plot dinjitet dhe krenari, ashtu siç është vetë jeta e poetit… Është fjala për princin e dashurisë, Lefter Çipën, i njohur tashmë prej të gjithëve. Dhe si rrallë ndonjëherë, titulli i një libri mund të identifikohet në mënyrë aq të plotë dhe domethënëse me vetë autorin, sikurse është në rastin e librit të fundit poetik të Lefter Çipës, me titull “Princi i Dashurisë”. Diku kam lexuar se dallimi mes një artisti dhe një diletanti është se artisti interpreton bukur dhe qetësisht artin e vet, e bën këtë pa u përpjekur të shfaqë krenarinë e aftësisë dhe talentit të tij artistik, ndërsa diletanti bën të kundërtën e asaj që bën artisti. Lefter Çipa është një artist i vërtetë, madje një artist i madh i fjalës dhe i këngës, i vargut dhe i kompozicionit. Ai është një lirik i madh, që me ligjërimin e tij të bën të ndjesh magjinë se je duke dëgjuar një pyll të tërë zogjsh, një ansambël të plotë zërash dhe melodish, apo se je duke parë male dhe maja malesh që përkëdhelen prej reve, apo vende të bukura bregdetare që përkëdhelen përjetësisht nga valët e detit. Malet dhe deti, që në vendin e tij të origjinës janë aq pranë njeri-tjetrit, të tilla janë edhe në qindra dhe mijëra krijime poetike të Lefter Çipës. Ai, zëri i fuqishëm i Akrokerauneve dhe i Jonit me një blu magjepsëse, është gjithnjë atje, i pozicionuar mes malit dhe detit, i madhërishëm për nga ky identitet lakmues, virtuoz me magjinë e fjalës së krijuar prej shpirtit të tij, tepër krenar për këtë identitet lakmues. Më ka mahnitur një pohim i tiji, bash për të treguar identitetin e vet dhe të banorëve të trevës nga vjen, kur thotë se “ne jemi këtu, që pa ardhur deti”…  Ai është krenar për identitetin e tij, por është edhe virtuoz në mënyrën sesi e glorifikon vendlindjen e vet: Fshati sipër reve/ Ngritur përmbi maja/ Ç’u thotë rrufeve/ Pa rrini pak mbrapa!/… Në atë vend, që mund ta quash edhe “ballkoni i bregdetit”, atje ku “yjet zbresin mbi supet e vashave, lozin edhe qeshin mbi gjiret e zjarreve”, djaloshi Lefter Çipa njohu dashurinë “kur me brisk u rrojta”, ndërsa poeti Lefter Çipa u “burrërua” si poet, aq sa sot emri i tij është një majë e lartë poetike. Pa male nuk ka maja. Lefter Çipa është krenar edhe për artistë të mëdhenj të penës, lindur e ngjizur aq fort me trevën e Akrokerauneve, duke veçuar këtu shkrimtarin e madh Petro Marko, të cilit i kushton një poezi të mrekullueshme me titull: “Burri i bregut të bukur”, këtij emri të madh të letrave shqipe, shpirtrebelit të pashoq, të cilin ai e quan “o behar i pambaruar!”… Të gjitha strofat e kësaj poezie, që pikojnë mjaltë dhe dhimbje për shkrimtarin e madh dhërmias, por me dimensione europiane. Poezia për Lefter Çipën është anija e tij, me të cilën endet deteve jo si një pirat, por si një fisnik i vërtetë, si një princ. Poezia për të është fjala, shpirti, jeta, dashuria, “femra” e adhuruar e ëndrrave të tij. Ajo është princesha dhe skllavja e tij. Poezia e dominon Lefter Çipën dhe ai, njëherësh, e dominon poezinë. Vetëm poezisë ai ia beson dashurinë, gëzimin, fluturimin, të qeshurën, dhimbjen, lotin e tij. Poezia është dielli i tij i vërtetë. Në të gjithë librat e tij (plot tetëmbëdhjetë), por edhe në qindra e qindra poezi e ligjërime të tjera që ende nuk janë botuar, por që presin “radhën”, ndjehet i fuqishëm shpirti i zjarrtë i poetit, i këtij dashnori të madh të jetës, të dashurisë. Lefter Çipa e do poezinë ashtu siç do zogu fluturimin. Ky dashnor i madh, qejfli i jetës, i vashës, që e bën të ndjehet “si një zog ere”, që më shumë sesa prej verës dehet prej bukurisë dhe dashurisë, që gjithnjë “hyn dhe del nëpër qejfe”, me artin e tij të mrekullon, të zbukuron shpirtin, t’i ndez pasionet. Vetëm një dashnor i tillë i jetës dhe i bukurive që ajo i jep dhe ia fsheh burrit përmes figurës së hyjnizuar të gruas, mund ta bëjë atë që të këndojë me fuqinë dhe bukurinë e shpirti të dashuruar: “Puthja nxjerr një lumë,/ Zemra rrëzon male…”. Ai është po aq dinjitoz dhe krenar sa atëherë kur vashën e bukur e ka bërë për vete, aq edhe në rastin kur i lutet asaj me një përulësi prej fisniku. Dashuria dhe krenaria vrasin njëra-tjetrën, nuk e mbaj mend me saktësi se ku e kam lexuar këtë shprehje të bukur. Por di të them jo vetëm me saktësi, por edhe me bindje të thellë, se tek poezia e Lefter Çipës, tek vetë natyra e tij, dashuria dhe krenaria janë aq në harmoni me njëra-tjetrën, sa shpesh bëhen një e vetme, e pandarë…
Ka aq shumë vargje që të drithërojnë zemrën, të magjepsin për nga fuqia e mendimit dhe tonaliteti dramatik. Ky lirik i madh, ky dashnor i pandreqshëm, krijues i një atmosfere të gëzuar dhe i një klime ëndërrimtare, ky poet i ndjenjave dhe i pasioneve të mëdha, është, në të njëjtën kohë, edhe krijues i emocioneve të thella dhe të forta, ai di të jetë një princ i vërtetë edhe kur shpirti i tij dhemb deri në pafundësi për humbjen tragjike të djalit të vet në moshën e adoleshencës. Edhe në këtë rast ai është dinjitoz, ta bën zemrën të dridhet, të ndiejë dhimbjen e thellë, por edhe të këtë një fuqi mahnitëse tek i drejtohet me dhimbje të thellë mallit prindëror: “Trëndafil i njomë, fletët t’u bënë gjemba/ Kur qiejt vesojnë, çohu prapë nga kënga/…
Ai i beson aq shumë këngës, poezisë, sa edhe magjinë e ringritjes, të ringjalljes, ia dedikon jo perëndisë, por këngës, poezisë. Thamë se poezia, kënga, është dashuria e tij e madhe. Ajo është perëndia e tij. Epizmi i tij është tronditës për nga bukuria e vargut dhe thellësia e mendimit, e filozofisë që përcjell, shpesh me një dimension befasues, të paimagjinueshëm. Një epizëm i tillë, një dimension madhështor, tej çdo përfytyrimi, por që lidhet me identitetin e racës njerëzore, së cilës poeti i përket.
Panorama

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)