2011-07-20

Kur Kryeministri i vendit bën fyerje publike

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri
 
 
 
Ndoqa fjalën e zotit Kryeministër në mbledhjen e sotme të qeverisë, ku ai u shpreh për regjistrimin e popullsisë. Të gjithë ata që janë kundër regjistrimit të popullsisë sipas formularit Pollo, zoti Kryeministër i etiketoi si "njerëz pa fe dhe pa flamur". Më kujtohet fjala e zotit Kryeministër edhe kur shumë shqiptarë u shprehën kundër vendimit të parlamentit demokratikas për falje hapësirash ujore shovinizmit grekomadh. Një ndër këta shqiptarë, ishte edhe topografi i shquar, kolonel Myslim Pasha. Asokohe zoti Kryeministër e ofendoi rëndë, publikisht,  kolonelin e nderuar dhe atdhetar, duke e quajtur "sharlatan". Por kur Gjykata e nderuar Kushtetuese e hodhi në koshin e plehrave vendimin e parlamentit demokratikas, zoti Kryeministër nuk e tërhoqi fyerjen që i bëri kolonel Pashës.
Një ndër ata shqiptarë që është kundër regjistrimit të popullsisë sipas formularit Pollo, pra, sipas midesë së shovinizmit grekomadh, jam edhe unë. Pra, sipas deklaratës publike të zotit Kryministër, edhe unë, edhe ata që janë kundër regjistrimit të popullsisë sipas formularit Pollo, qenkemi "njerëz pa fe dhe pa flamur"!!!  Pra, zoti Kryeministër, si edhe në rastin e kolonel Pashës, i fyen publikisht të gjithë ata shqiptarë që kundërshtojnë mënyrën e regjistrimit, sipas formularit të qeverisë, të përfaqësuar nga zoti Pollo. Kurse unë mendoj se të gjithë kundërshtarët e kësaj mënyre regjistrimi, duke filluar që nga "Aleanca Kuq e Zi", zoti Abdi Baleta, Prof.dr Pullumb Xhufi, Prof. Alfred Uçi, Prof.dr. Sabit Brokaj, zoti Sabri Godo dhe mijëra e mijëra shqiptarë të nderuar që kanë nënshkruar peticionin kundër këtij lloj regjistrimi, kan si fe dhe kryefe shqiptarinë dhe si flamur kanë Flamurin Kombëtar me fushë të kuqe dhe me Shqiponjë të zezë Dykrenare në mes. Kurse njerëz pa fe dhe pa flamur janë deputetët demokratikas të parlamentit shqiptar, të cilët ligjin për regjistrimin e popullsisë e kaluan vjedhurazi, pa pasur numrin e nevojshëm, por duke mashtruar me praninë e paqenë të deputetëve Maliqi dhe Dibra. Janë pa fe dhe pa flamur edhe për faktin që peticionin me dhjetra mijë firma të "Aleancës Kuqezi", e anashkaluan me mospërfillje. Unë e kuptoj që sot koha është e tradhtarëve, por Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet e shqiptarëve. Para ca muajsh, zoti Abdi Baleta iu drejtua publikisht zotit Kryeministër për çështjen e regjistrimit, por zoti Kryeministër nuk reagoi fare. Nu veproi drejtë. Edhe sot gaboi me deklaratën që lëshoi nga kolltuku i Kryeministrit. Nuk është ogur i mirë kur Kryeministri i vendit bën deklarata publike të gabuara, madje edhe fyese.
Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
20 korrik 2011

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...