2011-07-21

Kujtesë lexuesve të nderuar

Prof.dr. Eshref Ymeri

 
Dje botova në internet një reagim ndaj deklaratave fyese të zotit Kryeministër në adresë të të gjithë atyre dhjetra mijëra qytetarëve të thjeshtë dhe intelektualëve të nderuar që janë shprehur kundër regjistrimit të popullsisë, duke iu kërkuar që të vetëdeklarohen për kombësinë dhe për fenë. Por dje, fatkeqësisht, nuk e kisha në dorë tekstin e Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë. Meqenëse sot munda ta siguroj tekstin e saj përmes burimeve internetike, dëshiroj t'ju kujtoj lexuesve të nderuar Nenin 10 të Kushtetutës, pika 1 dhe 2:
1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare.
2. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit dhe të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike.
Pra, "shteti është asnjanës në çështjet e besimit dhe të ndërgjegjes".
Në këto kushte, ku e gjen të drejtën Kryeministri i vendit që t'u kërkojë qytetarëve që të deklarojnë se cilit besim i përkasin? Kërkesa e Kryeministrit është antikushtetuese. Çështja e besimit të çdo qytetari është një çështje fund e krye vetiake, një çështje intime, e ndërgjegjes së tyre fund e krye. Antikushtetutshmërinë e kërkesës së Kryeministrit e zbulon edhe Neni 24 i Kushtetutës, pika 3:
Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si edhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.
Pra, sipas Kushtetutës, qytetari nuk mund të detyrohet "të bëjë publike bindjet ose besimin e tij". Pra, këtu kemi të bëjmë me çështje të intimitetit tërësisht vetiak të gjithsecilit.  Por Kryeministri i vendit kërkon ta detyrojë qytetarin që ta deklarojë besimin e vet, për ta regjistruar në një dokument zyrtar, siç është formulari Pollo.
Askund në tekstin e Kushtetutës nuk përmendet çështja e kombësisë. Përmendet vetëm çështja e shtetësisë në Nenin 19, pika 3:
Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë shtetësinë, përveçse kur ai heq dorë prej saj.
Pra, Kryeministri i vendit dhe ministri i tij Pollo, kërkojnë të kryejnë një atentat kundër Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Tentativën për ta zgjedhur vetë kombësinë çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, zoti Kryeministër e ndërmori për herë të parë në vitin 1993, kur ishte në postin e Presidentit. Por asokohe ajo tentativë dështoi, në saje të qëndrimit burrëror që mbajti në parlament zoti Abdi Baleta, i përkrahur edhe  nga zoti Xhelil Gjoni, i cili, si edhe zoti Baleta, kreu një akt të lartë burrëror. 
Unë e kuptoj që asokohe Presidenti, dhe tani Kryeministri i vendit, pati marrë angazhim vënien në jetë të gjashtë kërkesave të kryeshovinistit Micotaqis, e fundit nga të cilat, siç e thekson me shumë të drejtë edhe Prof.dr. Sabit Brokaj në faqet e sotme të gaztës "Telegraf", ishte mënyra e regjistrimit të popullsisë, sipas tekave të Athinës zyrtare, e cila gëzon edhe përkrahjen nën rrogoz të Brukselit zyrtar. Por ky angazhim i Presidentit të asokohshëm, të cilin kërkon ta vërë në jetë Kryeministri i sotshëm, është në shkelje të hapur të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe me pasoja shumë të rënda për identitetin tonë kombëtar.
Lidhur me deklaratat fyese që zoti Kryeministër lëshoi nga mikrofoni i Kryeministrisë kundër Aleancës Kuq e Zi, kundër zotit Kreshnik Spahiu, intelektualëve dhe mbarë mijëra qytetarëve që kanë firmosur peticionin kundër kësaj mënyre regjistrimi të popullsisë, mund të thuhet se ato, siç më shkruante sot një miku im i nderuar nga Miçigani, të kujtojnë deklaratat e Enver Hoxhës kundër “armiqve” që i shpikte vetë nga mendja që nga folëtorja e plenumeve të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Dyshoj se Kryeministri i vendit është dehur nga pushteti, prandaj edhe i lejon vetes deklarata të pakontrolluara.
Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
21 korrik 2011
 

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...