Nga Prof.dr. Eshref Ymeri
http://floripress.blogspot.com/2011/07/kur-kryeministri-i-vendit-ben-fyerje.html
Ndoqa fjalën e zotit Kryeministër në mbledhjen e sotme të qeverisë,
ku ai u shpreh për regjistrimin e popullsisë. Të gjithë ata që janë
kundër regjistrimit të popullsisë sipas formularit Pollo, zoti
Kryeministër i etiketoi si "njerëz pa fe dhe pa flamur". Më
kujtohet fjala e zotit Kryeministër edhe kur shumë shqiptarë u shprehën
kundër vendimit të parlamentit demokratikas për falje hapësirash ujore
shovinizmit grekomadh. Një ndër këta shqiptarë, ishte edhe topografi i
shquar, kolonel Myslim Pasha. Asokohe zoti Kryeministër e ofendoi rëndë,
publikisht, kolonelin e nderuar dhe atdhetar, duke e quajtur "sharlatan". Por
kur Gjykata e nderuar Kushtetuese e hodhi në koshin e plehrave vendimin
e parlamentit demokratikas, zoti Kryeministër nuk e tërhoqi fyerjen që i
bëri kolonel Pashës.
Një ndër ata shqiptarë që është kundër regjistrimit të popullsisë
sipas formularit Pollo, pra, sipas midesë së shovinizmit grekomadh, jam
edhe unë. Pra, sipas deklaratës publike të zotit Kryministër, edhe unë,
edhe ata që janë kundër regjistrimit të popullsisë sipas formularit
Pollo, qenkemi "njerëz pa fe dhe pa flamur"!!! Pra, zoti
Kryeministër, si edhe në rastin e kolonel Pashës, i fyen publikisht të
gjithë ata shqiptarë që kundërshtojnë mënyrën e regjistrimit, sipas
formularit të qeverisë, të përfaqësuar nga zoti Pollo. Kurse unë mendoj
se të gjithë kundërshtarët e kësaj mënyre regjistrimi, duke filluar që
nga "Aleanca Kuq e Zi", zoti Abdi Baleta, Prof.dr Pullumb
Xhufi, Prof. Alfred Uçi, Prof.dr. Sabit Brokaj, zoti Sabri Godo dhe
mijëra e mijëra shqiptarë të nderuar që kanë nënshkruar peticionin
kundër këtij lloj regjistrimi, kan si fe dhe
kryefe shqiptarinë dhe si flamur kanë Flamurin Kombëtar me fushë të kuqe dhe me Shqiponjë të zezë Dykrenare në mes. Kurse
njerëz pa fe dhe pa flamur janë deputetët demokratikas të parlamentit
shqiptar, të cilët ligjin për regjistrimin e popullsisë e kaluan
vjedhurazi, pa pasur numrin e nevojshëm, por duke mashtruar me praninë e
paqenë të deputetëve Maliqi dhe Dibra. Janë pa fe dhe pa flamur edhe
për faktin që peticionin me dhjetra mijë firma të "Aleancës Kuqezi", e anashkaluan me mospërfillje. Unë e kuptoj që sot koha është e tradhtarëve, por Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet e shqiptarëve.
Para ca muajsh, zoti Abdi Baleta iu drejtua publikisht zotit
Kryeministër për çështjen e regjistrimit, por zoti Kryeministër nuk
reagoi fare. Nu veproi drejtë. Edhe sot gaboi me deklaratën që lëshoi
nga kolltuku i Kryeministrit. Nuk është ogur i mirë kur Kryeministri i
vendit bën deklarata publike të gabuara, madje edhe fyese.
Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni,20 korrik 2011