2011-07-17

POEZI NGA FREDERICK TURNER


SONATAT E NJË SHTEGTARI



TERMINUS

Përtej në qoshe, përmbi kodrinën e largët
Ku treni i fundit te stacioni i fundit ndalon
Dhe avulli soset në muzgun e artë të acarit—
Tamam paqja e mendjes—destinacioni final.
Dhe diku lart përpara, në ngjitje, një shtegtar,
Të cilit tani i duhet të hedhë trastën përmbi supe,
Aty afër di një vend ku gjenden miqtë e vjetër,
Miqtë që kurrë më nuk do të vjetërohen:
Një soj stani me pamje nga jugperëndimi,
Një kuzhinë-kopshti, siç këmbëngulin letrat
Një avulli-hardhish, dhe një furrë e jashtme...
Kush do e mendonte se një vend i tillë ekziston?
Ndalon në rrugë të shohë prapa, dhe psherëtinë.
Një shtëllungë tymi akoma zgjatet në qiell.

BARABAR

Shtegtari bën konak diku në ato kodra,
Ca njerëz shkundin gështenjat për të bërë pastë;
Djemtë këpusin kërpudha të egra për vajzat,
Pjata e asaj nate bulmyer nga shija e tyre.
Një zonjë flokëzezë ushqehet jashtë në tarracë
Ku dielli i shtatorit çan përmes verës së saj.
Është në të gjashtëdhjetat, e bukur, trashëgimtare,
Gjethet kafe kundërmojnë në vërën e ndritur me diell.
Ata u panë dje atje lart me njëri-tjetrin,
Në ngjitje drejt malit të mermertë që tani shkëlqen
Në një ar të bardhë brilant në ajrin e muzgut;
Ajo figuronte nganjëherë në ëndërrat e tij.
Në mos ai e ka njohur atë dikur në atë jetën tjetër?
Në mos qe ajo trashëgimtarja e tij, Gruaja e tij?

SHTEGTARI I HUMBUR

Ai mendon se është një grimcë informacioni
I humbur në zbrazësinë e çuditshme të kohës;
Por madje edhe në këtë valë desolacioni
Ai gjen një farë rehatie tek rrokullisja.
Hijet e mëdha të reve i ngusin rrëketë e grykave
Ku rrebeshi i zemëruar përplaset shkëmbinjve
Por atje është një pemishte boronicash dhe dëllinjash
Ku një gjysmë-kalbur mendje-shituar qëndron vetëm.
Dikush ka lënë ca ushqime të konservuara aty poshtë
Në një kolibe, çatia e së cilës akoma e mbanë shiun;
Tani vjen një pëshpërimë e zgjatur gjëmimi;
Ai mendon se është më mirë ta ndez prapë zjarrin.
Kush e la atë shishe uiski, ato produkte ushqimore?
Që ai vetë, por i mbështjell në një tjetër lëkurë.

ERË

Njëherë, në tokat e Jugut, në një shtator me vapë,
Ai shtegtoi pranë një lugine ku era
Shndërroi shelgjet lotuese në zhumile dhe hi
Rrokullisi plepin e madh deri në pafundësi.
Era e Jugut solli erë byku të tharë që nga larg.
Qielli i kaltër dhe i kthjellët u shfaq në gjethet e lëmuara.
Ai në krahët e monofilamentit pa
Një dragua me sythe diamanti që shkëlqeu kalimthi.
Kapuçat konike të qepariseve lëkunden poshtë e përpjetë,
Jeshile të ndezura kundrejt degëzave me nuancë të portokalltë.
Pastaj u ngjit ngadalë hëna e vobektë
Aq e madhe dhe e zbehtë sikur të ishte e krijuar për së pari.
Pra ajo ishte toka e Jugut, në të cilën pat përfunduar.
Dielli i para-mbrëmjes shkëlqeu nxehtësisht pambarim.

KOHA DHE HAPËSIRA E TIJ

Çdo mëngjes kur zgjohet zgjatet për të marrë
Syzet dhe sahatin, kohën dhe hapësirën e tij.
Është një ves i vjetër, që nga përtej bregut
E mënjanon atë nga klima e gjysmë-harruar.
Por tani e sheh menjëherë se mund të shohin
Dhe e di se sahatet nuk kanë më rëndësinë.
Por tani ka ardhur nga ky luciditet,
Nga kjo gjerësi, tani përqendrim i gjithanshëm, ose
Ëmbëlsi e orëve të lira, këmbëngulje e tekave
Në këtë apo atë kafe apo katund—përse,
Për të kjo është e gjitha një mister:
Si këto re të ndezura nga dielli përgjatë qiellit
Dhe këto dru të lëmuara nga vjeshta e ylbertë
Tani janë masa e vetme me të cilën matë.

MARRËZIRA

Ngjanë sikur në atë jetë, që dikur e dashuroi,
Marrëzirat dhe mëkatet ia shënuan ditët e mëvonshme:
Mizori pa dashje; braktisje; ftohje shoqërish të vjetra;
Dinakëri, mbajtje rezultatesh, komfort, dhe vetë-lëvdata.
Pat edhe nga ata që ai i ktheu në armiq të vetes
Të cilët në një jetë tjetër mund të kenë qenë miqtë e tij,
Dhe të tjerë që gjithmonë u mundua për t’i kënaqur,
Ndonëse gjithmonë e shtynë t’u shërbente nevojave të tyre.
Por madje edhe ajo kohë pat zbulimet e veta,
Ku shpirti i stërmunduar nuk e fshihte dot atë
Shtizën e brendshme: pat frymëmarrje të shndritshme,
Dhe kënaqësia vërshoi brenda tij me një soj tronditje.
Ndryshimi erdhi vetëm kur ai mundi ta pranoi atë.
Asgjë në jetë nuk qe kaq i shtrenjtë të largohej prej tij.

KARTAE KREDISË

Ai çuditet nga mundësia e të qenarit kaq i lire,
Se si mërzia dhe stresi e humbën davanë me të.
Në mos ishin vetëm dredhi të neurokimisë,
Në mos qe i droguar nga buzëqeshja e engjëjve?
Apo ishte fakti që ai thjeshtë pa të vërtetën?—
Dhe më shumë se të shikuarit, hodhi veten në ato rrugë,
Ku ndryshimi i madh i riktheu edhe një herë rininë,
Dhe perdet e ftohta iu hapën në mes në ditën e nisjes—
Kozmosi është vetëm një kartë e grisur kredie,
Fragmentet e së cilave janë pluhurat e galaktikave,
Kodet e secilës kodojnë strukturën e çdo cefle,
Dhe i paraprinë grisjes, antitezave të kohës:
Pra ai që e lexon saktësisht rrotullimin e tehut të kohës
E ka gjetur çelësin që hapë bravën e botëve të dritës.

BURIMI I SHENJTË

Autobusi ka ndaluar me një psherëtimë pneumatike.
Shoferi ka kthyer kapelën mbrapa dhe është larguar.
Përtej sipërfaqes së parkingut ka vetëm qiell.
Atje gjendet një banak me çati metalike.
Ai shkon dhe hedh një vështrim përtej kodrave të larta.
Në rrëpirat perëndimore, ku Harp Spring lëshon
Flluska dhe rrëzohet në një liqe të vogël.
Ai gjunjëzohet të pinë ujë dhe vështron lart, në mendime.
Vetëm atëherë pasagjerët kthehen mbrapa, dhe njëri
Bërtet se një pleh si ai nuk duhet të jetë i lirë
Të pinë ujin e bekuar që rrjedh aty—
Ngaqë ia është refugjat i përhershëm.
Endacaku kujton njohjen e vjetër të vetes.
Vërshon shpejt dhe e rrëzon bërtitësin përtokë.

FINANCIMI PASMORTOR

Bankieri dhe komisionieri e gjetën diku jashtë
Një ditë tek po shkonte te fjetorja e tij në qytet.
Është vetëm një studio buzë Kalasë Lindore,
Një distrikt pune, por pamjet janë të këndshme.
Detyra e bankierit është t’i kujdeset për trashëgiminë,
Kurse e komisionierit të merret me dosjet e tij.
Qenia e tij e vdekur duket se e ka menduar mirë
Të mos e mashtrojë njeri, dhe ta lënë të shkojë.
Gjërat duhen firmosur, ama, dhe shtegtari duhet
Të mundohet të përqendrohet dhe të rikujtojë.
Ai do që të ndihmojë tregtarin e ri në moshë
Të krijojë vende të mira punë me kapitalin që ka.
Por barbaroza në saksinë pranë dritares
Ia tërheq mendjen nga biseda rreth bonds dhe stocks.

TELESKOPËT

Një natë ai sheh një mori pikash që me lëvizje
Të shpejta shkojnë kundra dritës së fundit të ditës;
Nuk mund të jetë një raketë e lajmëruar kineze—
Është linja e gjatë e bazamentit të shtratit të orbitave.
Të dhënat e fundit shpjegojnë një hënë
Rreth njëqind e dhjetë dritë-vjetësh larg nga ne,
Që rrotullon një gaz gjigant me emër Monsune,
Ylli i së cilit është tip-G, Mandalej i krishterë.
Atje ka jetë, sipas interferometrërisë
Oksigjen-nitrogjen për atmosferë,
Batica, metale, dhe një det me lëng-ujor;
Emri që i kanë vënë është Gondolier.
Shtegtari ndjehet sikur jeta e tij është aq e çuditshme
Sa ç’është ajo botë e vogël ngjitur në mendjen e Zotit.
Përktheu nga anglishtja: GJEKË MARINAJ

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...