“Dua tu tregoj një hollësi tjetër në funksion të këtij parashtrimi: më 1957 në odisenë e gjatë të internimeve u trasferuam nga Savra, afër qytetit në Gradishtë, një sektor i ri ferme e kamp internimi në tokat e reja të liruara nga ujërat e Tërbufit. Vazhdoja vitin e tretë të gjimanzit në Lushnje e më duhej një biçikletë për të shkuar në shkollë. Në pamundësi për ta blerë nëna ime iu drejtua gjyshit në Amerikë, duke i shpieguar problemin e duke i kërkuar 100 dollarë. Na u përgjigj me një letër të shkurtër, në të cilën komunikonte, se për të plotësuar kërkesën kishte lënë duhanin. Besoj se është një fakt, që nuk ka nevojë për asnjë koment.”
Nga Tome Mrijaj
Kohët e fundit, nëpërmjet një libri shumë të çmueshëm, që pati mirësinë të më dhurojë Familja Merlika, u njoha me nji “Konferencë Shkencore Përkujtimore”, kushtuar dijetarit dhe patriotit të madh Mustafa Merlika Krujës, mbajtur në Tiranë (më 27 dhjetor 2008), me misionin fisnik: “Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887-1958)”.
Me të vërtetë e ndjej vehten të paaftë për të përshkruar sa duhet gëzimin e madh, që më shkaktoi kjo Konferencë, për faktin se më në fund erdhi dita fatlume, që të përkujtohet ligjshmërisht në Atdhe jeta dhe vepra e figurës madhore të Mustafa Krujës në 50-vjetorin e kalimit të tij në amshim.
Dhe kjo është një provë, një përvojë që jeta e ka demonstruar vazhdimisht, se idealistët e mëdhej dhe atdhetarët e vërtetë, dijetarët dhe humanistët e veçantë si ai nuk vdesin dhe nuk harrohen kurrë. Kësisoj ata mbesin gjithmonë Nderi dhe Krenaria e familjes, fisit, krahinës dhe e mbarë kombit tonë në trojet etnike shqiptare!
Janë të rrallë në këtë botë, ata nipa që kanë pasë fatin të jenë trashigimtarë gjyshërish të tillë. E gjithashtu, janë edhe më të rrallë ato foshnje si ju z. Eugjen, që rrethanat të detyruan të ndahesh nga gjyshi kur ishe vetëm 5 muaj, për të mos u parë më kurrë as për sëgjalli dhe as për sëvdekuri.
Por janë edhe ma të rralla, tepër të rralla e, ndoshta edhe unikale, rastet tragjike aq të dhimbshme si ai i gjyshit tuaj, që për t’iu gjetur pranë djalit tjetër 20-vjeçar të sëmurë rëndë (në një spital të Vjenës), detyrohet të ndahet prej vogëlushit 5 muajsh, prej familjes dhe të gjithë të afërmve e prej Atdheut, me gjithë parandjenjën e fuqishme se s’do t’i shihte më kurrë, siç edhe ndodhi me të vërtetë.
E, megjithë këtë sakrificë, që e pranoi me ndërgjegje, për t’i shpëtuar jetën djalit tjetër, i biri nuk jetoi. Ai për fat të keq, ndërroi jetë në lule të rinisë.
Dhimbjen e thellë, të pakufishme dhe të pashlyeshme për këtë humbje e ka lënë të shprehur në “Zemër prindi”, me një prozë kaq tëpërsosur dhe të fuqishme sa nuk i gjindet shoqja, mendoj unë, në të gjithë letërsinë jo vetëm shqipe, por edhe më gjërë në Ballkan e në Europë.
Nga libri në dorëshkrim i kujtimeve të mia, kësaj radhe për herë të parë po radhis tre kujtime mbresëlënëse, që kam përjetuar mes miqve të mi, duke ilustruar dhe përforcuar edhe më shumë realitetin historik, që i nipi i Mustafa Krujës, Eugjen Merlika Kruja, tregon për gjyshin e vet në librin e sipërcituar.
Kështu Kapidani i Mirditës Ndue Gjomarku (1914-2011), tregon ndër të tjera, se vëllai i madh Dr. Marku, ia kishte lënë amanet, të përkujdeset gjithëmonë për babain. Kapidani Ndue, nuk i kishte kushtuar shumë rëndësi krijimit të familjes së re.
Vitet kalonin dhe një ditë tek po rrinin pranë sofrës dhe pinin sëbashku kafe, babai i thotë: “Ndue i dashtun, t’ka ardh koha të hapesh familje dhe të kesh edhe t’i fëmijët e tu, që janë gëzimi dhe knaqësia ma e madhe në jetë për çdo prind. Ndërsa i biri Ndue i përgjigjet: se këtu ku jetojmë na asht vështirë me gjet nji vajzë shqiptare. Në këto rrethana nuk ka randsi kombsia, por gjeje nji vajzë, që ty të përshtatet dhe krijo familjen tande…”
Por nga ana tjetër, Kapidani Ndue më tha, se kishte kohë që njihej me një vajzë të bukur italiane, por asnjëherë s’i kisha folur babës për te. Mbas disa javësh e njoftova babën, se jam njohur me një vajzë dhe do t’a sjellë këtu që t’a shihni edhe ju.
Kështu një mbrëmje, Kapidani i ri sëbashku me të dashurën e vet takohen me Kapidan Gjonin, duke i bërë të njohur lidhjen e tyre. Baba i jep pelqimin, duke i thënë se vajza është shumë e bukur dhe vjen nga një derë e famshme aristokrate italiane.
Për më tepër, ai e porosit të birin, që të tregohet gjithnjë i sinqertë me të dashurën e vet, duke i treguar ndër të tjera, se ata vijnë nga një familje e thjeshtë, por e ndershme mirditore, që jetojnë me djersën e ballit. “Sot për sot ne në emigracion si pasuni e jona e vetme asht dashunia për Atdheun dhe familjen.”, thotë Kapidani Gjon Markagjoni.
Gjatë takimeve të shpeshta me miq dhe dashmirë, kisha rastin të dëgjoj, se me ardhjen në Amerikë të ish Minitrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë Shqiptare Kolë Bib Mirakaj (në vitin 1966), aktivistët dhe bashkëpunëtorët e idealeve kundërkomuniste të grupuar në organizatën nacionaliste Bloku Indipendent, kishin menduar të gjithë që të mblidhnin ndihma financiare për mikun e tyre, që ende vuante nga një plagë në këmbë, të cilën e kishte marrë në luftimet kundër serbëve në vitin 1942.
Mbasi e mori vesht se miqtë bujarë kishin menduar t’i bënin një suprizë, ai duke i falënderuar nga thellësia e zemrës, u tha: “Un do t’a siguroj kafshatën e bukës me djersën e ballit!”
Mendoj se edhe ky rast shumë domethënës nuk ka nevoj për koment.
I veçantë në shprehje dhe jetën praktike të tij ishte profesori modest dhe poliedrik Zef V. Nekaj (1919-2003), i cili, shpesh thoshte, se “Nese ftohesh në seminare kulture apo atdhetare, për çështjen kombtare ose takime të tjera të ngjashme me motive sërisht patriotike asht mirë më marrë pjesë dhe me dhanë kontributin tand. Edhe nëse nuk ke mjete financiare për të mbulue shpenzimet ti duhet me kerkue hua ndër shok dhe me krye detyren kur çështja e atdheut të therret për ndihmë. E nese ti kërkon që të paguhesh nga të tjerët, që janë po si ti (pa mjete financiare) e humb vlerën e kontributit tand ndaj Atdheut.” Ai shpesh citonte fjalët e Presidentit amerikan John F. Kennedy, “Mos prit se çfarë ban atdheu për ty, por çfarë duhet të bash ti për Atdheun tand.”
Është për t’u lavdëruar inisiativa dhe puna shumë e kujdesshme e Dr. Ardian Ndrecës, në përgaditjen e kësaj Konference si dhe puna shumë serioze e të gjithë studjuesve në përgatitjen e kumtesave, me një nivel të lartë shkencor, në shumë fusha të dijës, si: Histori, Politologji, Letërsi e, sidomos Gjuhësi, ku e pat shtri aktivitetin e vet shkencor Prof. Mustafa Kruja.
Nuk më befasoi aspak mospjesëmarrja në këtë Konferencë e ndonjë perfaqësuesi të pushtetit, sepse ky pushtet paskomunist, me pozitë e opozitë është trashigimtari direkt i pushtetit diktatorial e gjakatar, që eliminoi e zhduku të gjithë elitën intelektuale shqiptare, që nuk mund të pranonte të konformohej me ideologjinë komuniste. Dihet se jeta e Mustafa Krujës, në Shqipëri, do të përfundonte para skuadrës së pushkatimit, ashtu sikurse e qindra dhe mijëra intelektualve të tjerë.
Unë shpresoj, që kjo Konferencë Shkencore Perkujtimore do të jetë vetëm hapi i parë në rishkrimin me vertetësi të historisë, për të gjitha figurat e mëdha të kombit, mbi të cilat është hedhë vazhdimisht baltë, për vite e vite me radhë nga fallsifikatorët e histories, e në rastin konkret për figurën e Mustafa Merlika Krujës, jeta dhe vepra e të cilit e nderojnë Atdheun dhe kombin tonë.
Jemi ne që kemi nevojë, madje sot më shumë se kurrë, për Mustafa Krujën, për vlerat dhe trashigiminë e tij shkencore e kulturale, shpirtnore e morale, patriotike dhe humane, prandaj duhet t’i jepet vendi që meriton, mbasi ai nuk ka asnji nevojë për ne!