Nga Prof. Murat Gecaj(Publicist e studiues-Tiranë)
1.
Në
mëngjesin e ditës së djeshme, u shua përgjithnjë, në kryeqytetin
Tiranë, shkrimtari i shquar nga Kosova, Sulejman Krasniqi. Jam njohur me
të shumë vite më parë, kur në Shqipëri sundonte regjimi monist dhe ai
ishte student e unë punoja në shtypin e fëmijëve. Por edhe më tej, në
shoqërinë e disa të njohurve tanë kosovarë, ne kemi mbajtur lidhje e
kemi patur respekt të ndërsjelltë. Bile, ruaj dhe botime të tij, me
shënime dashamirëse. Prandaj edhe unë, e kam kujtuar dhe do ta kujtoj
atë përherë, me nderim e dashuri të veçantë.
Kohët
e fundit, kisha dëshirë ta takoja përsëri Sulejmanin dhe iu drejtova me
një mesazh të bijës, Albanës, në Gjenevë, nëse kishte ndonjë adresë të
tij Interneti. Me korrektësi, ajo m’u përgjigj se ai nuk kishte dhe se
ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore. Sigurisht, u pezmatova për
këtë gjë, pasi mora vesh se, miku im i mirë dhe shkrimtari i ndjenjave
të pastra atdhetare, po vuante. Sigurisht, atëherë nuk e dija që, pas
disa ditëve, pra pikësrisht sot, do t’i ngushlloja për të jatin, Albaën e
Sokolin dhe bashkëshorten e tij.
2.
Në
bisedat me Sulejmanin, por dhe nga leximet, kam mësuar se ai ka lindur
më 7 dhjetor 1937, në Hoçë të Vogël, të Komunës së Rahovecit të Kosovës.
Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në vendlindje. Për ndjenjat e
tij atdhetare, rregjimi serb e burgosi, duke e akuzuar se dëshironte që
Kosova të shkëputej nga Serbia dhe të bashkohëj me Shqipërinë. Për këtë
arsye, më pas ai erdhi këtu dhe e dërguan për të jetuar në Lushnjë! Më
tej, ndoqi e kreu studimet, në degën gjuhë-letërsi shqipe, të
Universitetit të Tiranës (1963-1967). Me pasionin e njeriut të punës e
profesionit, shërbeu pa u lodhur, mësues në rrethet Mat e Tiranë, deri
sa doli shkrimtar në profesion të lirë.
Kryeministri Sali Berisha, duke ngushëlluar familjarët e Sulejman Krasniqit
Emri
i Sulejman Krasniqit u bë shpejt i njohur, në Shqipëri e jashtë saj, si
me artikujt e shumtë në shtypin e kohës, por dhe me librat që publikoi.
Në të gjitha ato, binte në sy theksi i veçantë atdhetar dhe dashuria e
malli për vendlindjen. Botimet e tij u vlerësuan, duke iu dhënë Urdhëra
Pune e “Çmimi I Republikës” (1981), për librin kushtuar “Heroit të
Popullit”, Bajram Curri. Më pas, ai e vazhdoi veprimtarinë e tij
botuese, edhe kur ishte i rënduar nga gjendja shendetësore.
Kur
shohim skedarin e Bibliotekës Kombëtare në kryeqytetin Tiranë ose
shfletojmë libra të Sulejman Krasniqit, mësojmë se titujt e tyre janë të
shumtë e të larmishëm, shumica me temë atdhetare. Ja, për shembull, po
përmendim vetëm disa prej tyre.
Ndër
veprat e këtij shkrimtari të njohur renditen edhe: “Tri motra, tri
histori”, “Në shpellën e banditëve”, “Qielli i përflakur”, “Prijësja e
komitëve”, “Beteja të nëndheshme”, “Mic Sokoli”, “Besëlidhja shqiptare”,
“Pushka top, o Bajram Curri”, “Dardanët”, “Heronjtë e borës”, “Oso
Kuka”, “Shqiptarofobia e serbomëdhenjve”, “Njeriu, dy herë i pushkatuar”
e “Belbacakja”.
Po kështu, në vitet e fundit, publikoi librat: “Europë, deri kur do ta
keqpërdorësh durimin e Kosovës” (Tiranë, 1996), “Rapsodia e kosovares”,
roman në vargje (Prizren, 1999), “”Makthi i hijeve” (Tiranë, 2000),
“Rebeli i bajraqeve” , roman (Tiranë, 2000), “Jetëshkrim…”(Tiranë,
2011).
Një nga librat e shumtë, nga S.Krasniqi
3.
Lajmi
për vdekjen e shkrimtarit të njohur Sulejman Krasniqi, pas një
sëmundjeje të gjatë, u bë i njohur qyshë dje, përmes stacioneve
radiotelevizive të Shqipërisë dhe sot përmes gazetave të përditshme. Me
këtë rast, një mesazh ngushëllimi i dërgoi familjes, Presidenti i
Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Gjithashtu, ai shkaktoi pikëllim
edhe në Republikën e Kosovës. Nga atje, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi
dërgoi një mesazh, ku thuhej, ndër të tjera:
“Sulejman Krasniqin e ka bërë të pavdekshëm veprimtaria e tij jetësore
dhe trashëgimia e pasur letrare, që u ka lënë brezave të Atdheut të tij
të dashur”.
Për
ta nderuar jetën dhe veprën atdhetare e letrare të Sulejman Krasniqit,
nga ora 12.00-14.00, e ditës së sotme, trupi i tij i pajetë u vendos në
hollin e Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë. Me këtë rast, erdhën për
t’i bërë atij nderime dhe për ta ngushlluar familjen: miq, kolegë e të
njohur të shumtë; shkrimtarë, arsimtarë e artistë; personalitete të
jetës politike e shoqërore; nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.
Gjithashtu, erdhën Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, kryetari i
Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, përfaqësues të partive politike e
tjerë.
Mbi
arkivolin e të ndjerit u vendosën kurora të shumta dhe buqeta me lule
të freskëta. Ndër to, ishte dhe kurora e Kryeministrit të Republikës së
Kosovës, Hashim Thaçi.
Pastaj u zhvillua ceremonia e rastit, në Varrezat e kryeqytetit.
Tiranë, 17 korrik 2011
Huazuar:http://tribunashqiptare.net/?p=516
No comments:
Post a Comment