Hotel Fantasia de luxe në Kremer, Turqi
Është dita e tetë, që të ardhur nga Shqipëria, po kalojmë familjarisht çaste të paharruara relaksi, në hotelin fantastik me 5 yje ultra all inclusive, “Fantasia De Luxe” në Rivierën e Republikës Turke, në qytetin Kemer. Jemi këtu, së bashku me gruan time, si dhe vajzën tonë, burrin e saj dhe me mbesën e dashur 17 vjeçare, të ardhur të tre posaçërisht nga Holanda. Ata banojnë dhe punojnë atje prej disa vjetësh, ndërsa ime mbesë, për të cilën jam krenar se zotron 5 gjuhë të huaja pa e harruar gjuhën e dashur shqipen, vazhdon shkollën.
Zbritëm në Aeroportin e Antalias, pas një ore e dyzet minuta udhëtim të rehatshëm me nje avion Çarter të Kompanise Albania Airlines, të nisur nga Rinasi. Pasi morëm bagazhet dhe vendosëm vulat në pasaportat, ju drejtuam sheshit të daljes. Nga tabelat në gjuhën shqipe, u orientuam dhe u ndalëm para një gabine të posaçme ku na priste axhenti shqiptar i transportit hotelier. Pritsi i autorizuar, një i ri shqiptar nga Shkodra nga familja Alibali, kishte studjuar në Universitetin Turk dhe tani ishte përfaqësues i një Kompanie Turke Transporti. Ai na adresoi te autobusi përkatës me numrin 13 dhe kur mbërriti turisti i fundit i Zonës së Kemerit erdhi edhe vet dhe na shoqëroi gjithë rrugës, duke na dhënë shpjegimet paraprake deri në hotelet përkatëse. Hotelet që zinin hapsirat detarea të autostradës Antalia-Kemer ishin njëri me i bukur se tjetri. Hoteli ynë i shumëpritur, ku pas një ore udhëtim zbritën 8 turistë nga Shqipëria, me sa duket, ishte ndalesa e fundit.
Hotel Fantasia de luxe në Kremer, Turqi
Nga larg e pamë hotelin madhështor të rrethuar nga tri anë me gjelbërim të dendur. Hoteli është i vendosur në rajonin Camyuva, 10km. nga qyteti i Kemerit dhe 65km. nga aeroporti i Antalyas. Ay është shtrirë në gjatësi buzë detit dhe pushton 235 ml plazh, ndërsa të gjitha mjediset janë projektuar dhe ndërtuar cilësisht dhe me materiale të zgjedhura bashkëkohore. Dallohen shtresat dhe dekoret prej mermeri, suvatimet uniforme, veshjet dhe lyerjet me ngjyra të pëlqyeshme, punimet e bukura në dru dhe ndriçimi i këndshëm artificial, kombinuar me ndriçimin natyror dhe me mjedisin e gjelbëruar për rreth. Sa hynë në rrethinat e Hotelit një qendër zanore, drejtuar nga DJ të kualifikuar, dëgjohet muzikë e lehtë e zgjedhur nga repertori botëror, për t’i kënaqur pa përjashtim të gjithë bujtësit e ardhur nga e gjithë bota.
Hoteli ka gjithsej 351 dhoma standard dhe të llojeve të ndryshme, sipas kërkesave të porositësve Shumica e dhomave janë me ballkon dhe me dritare të mëdha me pamje nga deti, me banjo personale me vaskë e dush. Dhomat janë të pajisura me gjithçka të nevojshme: me tharëse për flokët, ajër të klimatizuar qëndror, telefon direkt, mini bar (ujë, lëngje dhe birrë, në ftohës që rimbushet çdo ditë), kasafortë, tapete në dysheme, TV satelitor me kanale muzikore, si dhe abazhurë, pasqyra, monumente, buste dhe korniza me panorama pikturash tërheqëse.
Fantasia Deluxe, Kemer, Turqi
Pritja e ngrohtë nga personeli i shërbimit dhe akomodimi i shpejtë na ra në sy menjëherë.
Karakteristikë e këtij hoteli, siç e konstatuam në vijimësi, ishte sjellja dhe shërbimi cilësor i përfshirë në gjithçka. Kujdesi i përditshëm dhe i vazhdueshëm duket, jo vetëm te mikpritja shëmbullore dhe sjellja e personelit të kudo ndodhur, po sidomos te shumëllojshmëria e ushqimeve të freskët dhe të gatuara cilësisht dhe që shërbehen me bollëk gjatë gjithë ditës për mëngjes, mëngjes i vonshëm, zemër, drekë, pasdite, darkë në bufetë me lëngje dhe kafe, mini bar te dhomat, lëngje të freskëta për mëngjes pa ndërpreje, akullore, pije alkolike të zgjedhura masive pa pagesë suplementare dhe pije të rralla dhe verëra të shtrenjta me pagesë direkte.
Në Hotelin Fantasia De Luxe ka disa restorante dhe bufe që shërbejnë pa pagese suplementare dhe me konsum të pakufizuar në sasi dhe kohë. I tillë është: Restaurani Kryesor i vendosur në një sallë tejet të madhe dhe që shërben edhe si bar bufe e hapur; Restauranti Italian, i specializuar për pica Napolitane dhe ku luhet gjithë kohës muzike e zgjedhur italiane; Restauranti i Peshkut, Restauranti Turk dhe Restauranti i Sofisë me kuzhinë Kineze.
Po kështu të ofrohen pa kufizim: Plazhi në pishinat dhe në det me shtretërit, peshqirat dhe çadrat e diellit të hotelit; notimi në pishinat e jashtme dhe të brendëshme, pishinë për fëmijët, rëshqitëse në ujë për ta; qendra fitnesi, sauna, banjo turke, terreni për tenis, ping pong, volejboll, basketboll, bilardo, volejboll plazhi, sportet ujore pa motor, internet në zona të shumta,program argëtues gjatë ditës dhe program artistik në mbrëmje, si dhe mini klub për fëmijë me programe argëtuese gazmore, etj.
Shërbime të tjera me pagesë janë: Vizitat dhe ndihma e vazhdueshme mjeksore, masazhe gjithfarëshe në seanca të posaçme, solarium, larje dhe hekurosje rrobash, kujdestar për fëmijët, floktari, telefoni, fax, qendra tregtare dhe makina me qira, sportet ujore me motor, ndriçimi për tenis natën dhe pajisjet, si dhe shkolla e zhytjes.
Karakteristikë dalluese e këtij hoteli-shkollë është kujdesi dhe programet për shërbimin dhe dëfrimin e fëmijëve. Kjo nis që me kushtet përjashtuese e lehtesuese në pagesë për ata 2 dhe 5 vjeçarët, si edhe për më të riturit, po edhe me pishinat e veçanta, labirinthet rreshqitëse, këndet e lojnave, kuzhinën dhe kompletet e vetushqimit e deri te shfaqjet artistike.
Në Hotelin Fantasia de Luxe çdo mbrëmje organizohen shfaqje të bukura artistike. DJ të kualifikuar drejtojnë edhe shfaqje me pjesmarrjen e turistëve të përgatitura bukur dhe me larmi temash. Ne asistuam në disa prej tyre dhe ngelëm mjaft të kënaqur. Në fillim bëhet apeli i kombësive dhe të pranishmit nga salla përgjigjen në kor të entusiasmuar dhe të kënaqur nga përzgjedhja, njëkohësisht krenar se e evidentojnë atdheun e tyre të dashur.
Shfaqja nis me fëmijët, që dalin në skenë me veshje apo simbole të vendit të vet secili dhe kërcejnë e këndojnë, si të ishin të së njëjtës botë. Ata shoqërohen nga orkestra me këngë të zgjedhura e të njohura thuajse nga të gjithë. Fëmijët, një gjysmë orën e tyre të përditëshme, e përfundojnë duke kaluar në një shteg të gjatë, ndënë duart e kryqezuara si në harkun e një ure, të prindërve të tyre, që janë ftuar edhe ata në skenë, për mbylljen e shfaqies entusiaste.
Pas kësaj duket në paraskenë regjisori përkatës dhe angazhon publikun me numra të improvizuar, duke i ndarë spektatorët në grupe, sipas vëndvendosjeve dhe duke i përfshirë në lojë që të gjithë. Në një rast regjisori zgjodhi 4 vajza të bukur me kombësi të ndryshme dhe në rolin e miseve, i ftoi ato në skenë për të demostruar aftësitë e tyre si modele dhe për të pozuar në 4 qëndrime të zgjedhura nga secila. Një juri e caktuar nga publiku bëri klasifikimin e tyre dhe fituesja u shpërblye me një tufë lulesh të freskëta, dhe ajo, pasi përsëriti spektaklin e vetimprovizuar, doli nga skena, shoqëruar me duartrokitje e brohoritje.
Shfaqiet në vazhdim jepen të ndryshme çdo natë, sepse nga njerëz të interesuar specialistë të turizmit turk, ftohen për debutim grupe me famë botërore kërcimtarësh, akrobatesh, kllounësh, orkestrantësh e këngëtarësh, të cilët qarkullojnë me radhë në hotelet e pafund të Rivierës Turke dhe i mahnisin me virtuozitetin e tyre të pranishmit, duke i bërë të pëlqyeshëm, pavarësisht se interpretojnë në gjuhët e shteteteve të tyre: Turke, Ruse, Ukrainase, Moldave, Armene, Kaukaziane, Azerbaxhiane, etj.
Hotel Fantasia Deluxe, Kemer, Turqi
Në një masdite, të joshur nga reklama e Ridvanit, një shitës i inkuadruar në shërbimet me pagesë të hotelit tonë, na u mbush mendja të vizitonim për të blerë në një tregtore të madhe në qytetin e Kemerit, një, apo disa pallto lëkure. Kështu, Ridvani, miku ynë i ri dhe i dashur na shpuri në atë pasdite me makinen e vet në Kemer, direkt e te porta e tregtores së madhe “Tigers Leather”. Sa mbërritëm, personeli i saj, që ishin edhe pronarë të firmes që nga viti 1964, zbriten të gjithë dhe na rrethuan plot buzqeshje e konsiderata (i kishte njoftuar Ridvani në telefon, duke i thënë se gjoja po vijnë disa bosa shqipërie). Aty kishte me shumicë mallra vërtetë cilesore, veshje 100% lekurë tigri e llojesh te tjera, xhaketa, peliçe, kostume, që siç thane ata konkurojnë me gjigantët e botës së sotme. Menjeherë, si i zbritën nga rraftet llojet e kërkuara nga ne, na ftuan për kafe e çaj dhe na komplimentuan në të gjitha anët. Ishte vërtetë mall i mirë, po çmimet shumë më të larta nga analogët përkatëse p.sh. të Kanadasë, eksportues i rëndësishëm i veshjeve prej lëkure. Përfundimisht shitsit, me gjithë fjalët e mira, nuk i zbritën çmimet në kufijtë e pëlqyer nga ne. Na u desh të largohemi të vetmuar, duke i lënë të zotët e shtëpise “turi varur”. Aq të dëshpëruar e ndjen veten ata sa as shitësi me moshë më të vogël nuk na përcolli dhe nuk na uroi “mirëseardhjen”. Besojse kishte të drejtë. Ne nuk do kthehemi më këtu, megjithë mrekullitë që pamë, se turisti kërkon gjithnjë zbulime të reja aventurash, vendesh dhe njerëzish.
Një tjetër kënaqësi e veçantë dhe që e provuam për here të pare në jetën tonë ishin seancat e masazhit trupor. Zbritëm me ashensor në katin nënëdhe dhe na futën disa minuta në saunën me temperaturë të lart. Këtu kaluam seancën përgatitore të nxemjes dhe të zgjerimit të poreve të trupit. Seanca e dytë ishte hamami turk, ku fillonte masazhi dhe fërkimi me dorashkë dhe pastrimi e larja e trupit. Në proçesin e masazhimit u futën njëkohësisht 4 veta dhe unë rash në dorën e specialistit turk Spartak, me përvojë 13 vjeçare dhe i shkolluar për këtë profesion, që u tregua një mjeshtër virtuoz i vërtetë. Spartaku, i ri dhe i fuqishëm, për një kohë të gjatë nuk rreshti të më masazhonte, duke më dhënë kënaqësi të pa treguara. E nisi nga thembrat e kembëve, pulpat, kofshët, trungun, qafën, krahët dhe deri te gishtat e duarve. Pas një periudhe shlodhje dhe relaksi për mua u zhvillua procesi tjetër i masazhit me vaj, që zgjati edhe më shumë, duke i kaluar me kujdes edhe mjëherë të gjitha pjesët dhe muskujt e trupit.
Fantasia Deluxe, Kemer, Turqi
Në datën 14 korrik 2011, ditën kur unë mbusha 77 vjeç, qysh në mëngjes, përfaqësuesi i personelit drejtues të Hotelit Fantasia De Luxe, trokiti në dhomën time dhe i shoqëruar me një kamarjer, më solli një tortë. Ata kishin gjetur ditlindjen nga dokumentat e rregjistruara dhe erdhën për të më përcjellë urimet. Pas tyre mbërriten dhe pjestarët e familjes time dhe të tjerë shqiptarë e gjitonë të dhomave afër. Mëngjesi nisi kështu me ngrënien e tortës dhe me kengën tradicionale të urimit, që tani është njësuar në shumë vende të botës. Më von, pasi hëngrëm mëngjesin e pasur, në tavolinën qëndrore të sallës së madhe, mbushur me lule dhe pjatanca ushqimesh, mëiste një tjeter surprisë: Në një anije me vela më ishte rezervuar vendi për një udhëtim bregdetar 6 orësh. Bregut të detit soditëm pamjet e bukura të mbushura me hotelet e shumtë turistikë, njeri më madhështor se tjetri dhe ndalëm në disa gjire deti të përshtatëshme për notim. Po në anije hëngrëm dhe drekën, kryesisht peshkë të freskët të pjekur me kujdes në skarë nga kuzhinjeri i anijes. Pasdreke, shoqëruar me muzikë të zgjedhur, u kërcye, u këndua dhe u bënë fotografi. Gjatë rrugës u kryqëzuam dhe u përshëndetëm nga dhjetëra turistë, që kishin mbushur anije dhe motoskafe dhe shëtitnin gjatë bregdetit turk. Aty pamë motobarka dhe motoskafë që tërhiqnin pa ndjenjë frike rëshqitës guximtar me ski deti, apo lidhur me litar në lartësinë qiellore, balona ajror, me një apo dy të rinjë sypatrembur.
Kjo, dita ime e përvitëshme më e spikatur (datëlindja), këtë herë ishte e jashtëzakonshme dhe më mbushi me ndjesi të paharrueshme.
Dhe unë si turist shqiptar, pa ja humbur vlerat kësaj ditë festuar me kaq madhështi, ndër të rrallat e jetës sime, do desha ti jepja fund këtu reportazhit tim “Fluturimi për në Turqi”
Kemer Turqi, 17 korrik 2011