2011-07-21

Rizgjim shqiptar(Libri testament i Ismail Kadaresë “Mosmarrëveshja…”)


Libri testament i Ismail Kadaresë “Mosmarrëveshja…” i botuar pothuajse një vit më parë nga shtëpia botuese “Onufri” dhe që del së shpejti në një version të ri, falë mijëra kopjeve të shitura jo vetëm në viset shqiptare, ka nxitur vetvetiu një rizgjim të vetëdijes shqiptare.
Pos publikimit të tij vijuan një sërë ndodhish të mëdha dhe të vogla që trazuan ndërgjegjen shqiptare në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup dhe në kryeqendra të rëndësishme perëndimore ku jetojnë gjithashtu bashkëkombës tanë. Fill pas librit dukuria më domethënëse ishte krijimi i “Aleancës kuq e zi” që s’ka ndonjë doktrinë të sofistikuar, por që i ka rënë kryq e tërthor qyteteve tona duke finalizuar një peticion njëzetmijë firmash që kundërshton regjistrimin e popullsisë në bazë të dy neneve antikushtetuese dhe antikartave ndërkombëtare. (Peticioni pati një epilog simbolik me firmën përmbyllëse të pretendentit të fronit mbretëror, Leka Zogu I, por ajo që bie në sy në mijërat e nënshkruesve është shkrirja e të gjithë gjeneratave të popullsisë, sidomos të rinjtë dhe të rejat, përfshi edhe tre-katër besimet).
Njëherësh me këtë aleancë, herë brenda saj dhe herë në staturën e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, nën bekimin e nënkuptuar edhe të Presidenti Topi, ndërmori një kontroll në rrethet gjyqësore të disa niveleve në Korçë, Gjirokastër, Shkodër e Vlorë dhe denoncoi shifrat alarmante të tjetërsimit të kombësisë, falë një ligji të miratuar disa vjet më parë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe nga papërgjegjësia e disa gjyqtarëve dhe nëpunësve të vegjël të zyrave të gjendjes civile.
Po aq sa puna e bujshme dhe e pabujshme e kësaj aleance, një dukuri tjetër domethënëse ishte angazhimi i mediave më serioze vizive e të shkruara në këtë hapësirë me kufij në shkrirje e sipër, që rimorën ide nga eseja brilante e Kadaresë dhe nga problematika e sotme shqiptare. Në këto cikle emisionesh apo speciale të gazetave u thirrën të jepnin opinionet e tyre intelektualë, akademikë dhe historianë të spikatur. Nën këtë përgjegjësi ishte edhe një veprimtari e dy PEN Qendrave të Kosovës dhe Shqipërisë në sallën e bibliotekës së Prishtinës ku diskutimi letrar i “Mosmarrëveshjes…” u bë shtysë për trajtimin e problemit të identitetit shqiptar përballë prirjeve globalizuese të shoqërisë së sotme.
Dhe në këtë atmosferë të zgjimit shqiptar, nuk mund të mos emocionojnë lëvizja e flamurit të tifozëve në ndeshjet ndërkombëtare të përfaqësueses shqiptare, valëvitja e tij e përhershme në shtëpinë e ikonës poetike Lefter Çipa në Himarë, risku që merr diplomati i karrierës Dritan Hila, shpërndarja e flamurit në ditë feste të të rinjve të partisë çame të bashkuar dhe qindra episode të tjera kur shqiptarët shtrëngojnë radhët rreth vetes për të mos u cenuar prej askujt dhe nga askush.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...