2011-07-21

Tomë Mrijaj: Mustafa Kruja (1887-1958)-elitë intelektuale që s’përsëritet


Mustafa Kruja (1887-1958)-
“Dua tu tregoj një hollësi tjetër në funksion të këtij parashtrimi: më 1957 në odisenë e gjatë të internimeve u trasferuam nga Savra, afër qytetit në Gradishtë, një sektor i ri ferme e kamp internimi në tokat e reja të liruara nga ujërat e Tërbufit. Vazhdoja vitin e tretë të gjimanzit në Lushnje e më duhej një biçikletë për të shkuar në shkollë. Në pamundësi për ta blerë nëna ime iu drejtua gjyshit në Amerikë, duke i shpieguar problemin e duke i kërkuar 100 dollarë. Na u përgjigj me një letër të shkurtër, në të cilën komunikonte, se për të plotësuar kërkesën kishte lënë duhanin. Besoj se është një fakt, që nuk ka nevojë për asnjë koment.”


Nga Tome Mrijaj

Kohët e fundit, nëpërmjet një libri shumë të çmueshëm, që pati mirësinë të më dhurojë Familja Merlika, u njoha me nji “Konferencë Shkencore Përkujtimore”, kushtuar dijetarit dhe patriotit të madh Mustafa Merlika Krujës, mbajtur në Tiranë (më 27 dhjetor 2008), me misionin fisnik: “Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887-1958)”.
Me të vërtetë e ndjej vehten të paaftë për të përshkruar sa duhet gëzimin e madh, që më shkaktoi kjo Konferencë, për faktin se më në fund erdhi dita fatlume, që të përkujtohet ligjshmërisht në Atdhe jeta dhe vepra e figurës madhore të Mustafa Krujës në 50-vjetorin e kalimit të tij në amshim.
Dhe kjo është një provë, një përvojë që jeta e ka demonstruar vazhdimisht, se idealistët e mëdhej dhe atdhetarët e vërtetë, dijetarët dhe humanistët e veçantë si ai nuk vdesin dhe nuk harrohen kurrë. Kësisoj ata mbesin gjithmonë Nderi dhe Krenaria e familjes, fisit, krahinës dhe e mbarë kombit tonë në trojet etnike shqiptare!
Janë të rrallë në këtë botë, ata nipa që kanë pasë fatin të jenë trashigimtarë gjyshërish të tillë. E gjithashtu, janë edhe më të rrallë ato foshnje si ju z. Eugjen, që rrethanat të detyruan të ndahesh nga gjyshi kur ishe vetëm 5 muaj, për të mos u parë më kurrë as për sëgjalli dhe as për sëvdekuri.
Por janë edhe ma të rralla, tepër të rralla e, ndoshta edhe unikale, rastet tragjike aq të dhimbshme si ai i gjyshit tuaj, që për t’iu gjetur pranë djalit tjetër 20-vjeçar të sëmurë rëndë (në një spital të Vjenës), detyrohet të ndahet prej vogëlushit 5 muajsh, prej familjes dhe të gjithë të afërmve e prej Atdheut, me gjithë parandjenjën e fuqishme se s’do t’i shihte më kurrë, siç edhe ndodhi me të vërtetë.
E, megjithë këtë sakrificë, që e pranoi me ndërgjegje, për t’i shpëtuar jetën djalit tjetër, i biri nuk jetoi. Ai për fat të keq, ndërroi jetë në lule të rinisë.
Dhimbjen e thellë, të pakufishme dhe të pashlyeshme për këtë humbje e ka lënë të shprehur në “Zemër prindi”, me një prozë kaq tëpërsosur dhe të fuqishme sa nuk i gjindet shoqja, mendoj unë, në të gjithë letërsinë jo vetëm shqipe, por edhe më gjërë në Ballkan e në Europë.
Nga libri në dorëshkrim i kujtimeve të mia, kësaj radhe për herë të parë po radhis tre kujtime mbresëlënëse, që kam përjetuar mes miqve të mi, duke ilustruar dhe përforcuar edhe më shumë realitetin historik, që i nipi i Mustafa Krujës, Eugjen Merlika Kruja, tregon për gjyshin e vet në librin e sipërcituar.
Kështu Kapidani i Mirditës Ndue Gjomarku (1914-2011), tregon ndër të tjera, se vëllai i madh Dr. Marku, ia kishte lënë amanet, të përkujdeset gjithëmonë për babain. Kapidani Ndue, nuk i kishte kushtuar shumë rëndësi krijimit të familjes së re.
Vitet kalonin dhe një ditë tek po rrinin pranë sofrës dhe pinin sëbashku kafe, babai i thotë: “Ndue i dashtun, t’ka ardh koha të hapesh familje dhe të kesh edhe t’i fëmijët e tu, që janë gëzimi dhe knaqësia ma e madhe në jetë për çdo prind. Ndërsa i biri Ndue i përgjigjet: se këtu ku jetojmë na asht vështirë me gjet nji vajzë shqiptare. Në këto rrethana nuk ka randsi kombsia, por gjeje nji vajzë, që ty të përshtatet dhe krijo familjen tande…
Por nga ana tjetër, Kapidani Ndue më tha, se kishte kohë që njihej me një vajzë të bukur italiane, por asnjëherë s’i kisha folur babës për te. Mbas disa javësh e njoftova babën, se jam njohur me një vajzë dhe do t’a sjellë këtu që t’a shihni edhe ju.
Kështu një mbrëmje, Kapidani i ri sëbashku me të dashurën e vet takohen me Kapidan Gjonin, duke i bërë të njohur lidhjen e tyre. Baba i jep pelqimin, duke i thënë se vajza është shumë e bukur dhe vjen nga një derë e famshme aristokrate italiane.
Për më tepër, ai e porosit të birin, që të tregohet gjithnjë i sinqertë me të dashurën e vet, duke i treguar ndër të tjera, se ata vijnë nga një familje e thjeshtë, por e ndershme mirditore, që jetojnë me djersën e ballit. “Sot për sot ne në emigracion si pasuni e jona e vetme asht dashunia për Atdheun dhe familjen.”, thotë Kapidani Gjon Markagjoni.
Gjatë takimeve të shpeshta me miq dhe dashmirë, kisha rastin të dëgjoj, se me ardhjen në Amerikë të ish Minitrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë Shqiptare Kolë Bib Mirakaj (në vitin 1966), aktivistët dhe bashkëpunëtorët e idealeve kundërkomuniste të grupuar në organizatën nacionaliste Bloku Indipendent, kishin menduar të gjithë që të mblidhnin ndihma financiare për mikun e tyre, që ende vuante nga një plagë në këmbë, të cilën e kishte marrë në luftimet kundër serbëve në vitin 1942.
Mbasi e mori vesht se miqtë bujarë kishin menduar t’i bënin një suprizë, ai duke i falënderuar nga thellësia e zemrës, u tha: “Un do t’a siguroj kafshatën e bukës me djersën e ballit!”
Mendoj se edhe ky rast shumë domethënës nuk ka nevoj për koment.
I veçantë në shprehje dhe jetën praktike të tij ishte profesori modest dhe poliedrik Zef V. Nekaj (1919-2003), i cili, shpesh thoshte, se “Nese ftohesh në seminare kulture apo atdhetare, për çështjen kombtare ose takime të tjera të ngjashme me motive sërisht patriotike asht mirë më marrë pjesë dhe me dhanë kontributin tand. Edhe nëse nuk ke mjete financiare për të mbulue shpenzimet ti duhet me kerkue hua ndër shok dhe me krye detyren kur çështja e atdheut të therret për ndihmë. E nese ti kërkon që të paguhesh nga të tjerët, që janë po si ti (pa mjete financiare) e humb vlerën e kontributit tand ndaj Atdheut.” Ai shpesh citonte fjalët e Presidentit amerikan John F. Kennedy, “Mos prit se çfarë ban atdheu për ty, por çfarë duhet të bash ti për Atdheun tand.”
Është për t’u lavdëruar inisiativa dhe puna shumë e kujdesshme e Dr. Ardian Ndrecës, në përgaditjen e kësaj Konference si dhe puna shumë serioze e të gjithë studjuesve në përgatitjen e kumtesave, me një nivel të lartë shkencor, në shumë fusha të dijës, si: Histori, Politologji, Letërsi e, sidomos Gjuhësi, ku e pat shtri aktivitetin e vet shkencor Prof. Mustafa Kruja.
Nuk më befasoi aspak mospjesëmarrja në këtë Konferencë e ndonjë perfaqësuesi të pushtetit, sepse ky pushtet paskomunist, me pozitë e opozitë është trashigimtari direkt i pushtetit diktatorial e gjakatar, që eliminoi e zhduku të gjithë elitën intelektuale shqiptare, që nuk mund të pranonte të konformohej me ideologjinë komuniste. Dihet se jeta e Mustafa Krujës, në Shqipëri, do të përfundonte para skuadrës së pushkatimit, ashtu sikurse e qindra dhe mijëra intelektualve të tjerë.
Unë shpresoj, që kjo Konferencë Shkencore Perkujtimore do të jetë vetëm hapi i parë në rishkrimin me vertetësi të historisë, për të gjitha figurat e mëdha të kombit, mbi të cilat është hedhë vazhdimisht baltë, për vite e vite me radhë nga fallsifikatorët e histories, e në rastin konkret për figurën e Mustafa Merlika Krujës, jeta dhe vepra e të cilit e nderojnë Atdheun dhe kombin tonë.
Jemi ne që kemi nevojë, madje sot më shumë se kurrë, për Mustafa Krujën, për vlerat dhe trashigiminë e tij shkencore e kulturale, shpirtnore e morale, patriotike dhe humane, prandaj duhet t’i jepet vendi që meriton, mbasi ai nuk ka asnji nevojë për ne!

Daniel Gazulli: Ministri



Daniel Gazulli
 - Tregim –
 Si përshëndeti miqtë me lot në sy, Ministri doli nga dhoma ku kishte kalue pothuej njëzet vjet jetë, dhe me një strajcë të vjetër në dorë u ndal edhe një herë në korridor të burgut. Kishte pasë fat: polici që erdhi ta merrte në dorëzim e ta shoqnonte ishte Kurti, kështuqë nuk e nxitoj, e la t’i përshëndeste edhe një herë miqtë e tij, që ndoshta nuk do të dilnin kurrë nga ai vorr të gjallësh
Nuk i besohej se nuk do të kthehej ma në atë dhomë. Kështu i kishte ndodhë edhe njëzet vjet ma parë kur shokët e tij i dënuen me vdekje, kurse atë, Ministër në periudhën e luftës, me vetëm njëzet vjet burg. Atëherë, më 1946, tek dilte i fundit nga salla e gjyqit, iu afrue një djalë i ri, i pashëm, i shëndetshëm, një shuplakë ma i naltë se ai, dhe i tha me za të lehtë:
- Nuk mund të baja ma shumë, zotni Ministër.
Ai shtangu. Kush ishte ai që e kishte shpëtue nga pushkatimi? Kush ishte ai që e quejti “Ministër”?!
Në darkë vonë, si kishte qa mirë e mirë për miqët që do të pushkatoheshin, u kujtue: ai djalë …
… Kishte shkue të vizitonte burgun. I kishin thanë se të burgosunit po trajtoheshin keq, për hiçgja. Dhe ashtu vërtetë, i pa me sytë e tij, gjithë plagë në fytyrë e në trup nga keqtrajtimi.
Në qoshe të birucës ishte ulë një djalë i ri, mbetë kockë e lëkurë, por buzëgaz, gati ironik, shikonte Ministrin shpërfillës.
            – Çfarë ka ba ai, që e keni degdisë kështu? – iu drejtue oficerit që e shoqnonte.
            – Asht nga këta të guerriljeve – i tha oficeri, sikur t’i thonte, ç’deshte të kishte ba ma shumë, zotni Ministër? Tepër mirë e kemi trajtue.
            Ministri iu afrue edhe ma shumë djalit, deri sa oficeri iu lut të mos afrohej ma shumë.
            – Ke vra njeri? – se si i erdhi ashtu pa pritë ta pyeste Minsitri djalin e degdisun në një grumbull kockash të mavijosun.
            – Jo – i tha ai. Mbas pak shtoi: – Nuk kam pasë rast, po mund edhe të kisha vra.
            Ministrit i ngeli në mend përgjegja e parë dhe e besoj.
            Në darkë vonë erdhi përsëri ai oficeri që rrinte mbas shpinës së Ministrit, jo ai që foli, hapi derën e qelisë, dhe i tha djaloshit të dilte e të ikte tue kapërcye murin. Nuk do ta shikonte njeri, se atë çast nuk kishte roje. Por shpejt, shpejt, i tha.
            Duen të më vrasin, mendoi djaloshi. E të thonë se u vra tek arratisej. Megjithate, ç’do të humbas? Le të provoj.
            Nuk kishte shkembye asnjë fjalë ma shumë me oficerin e burgut dhe ja ku gjendej mbas pesë minutash në shtëpinë e një plake të panjohun. Ajo u trondit, po nuk bani za. Pritën deri të nesërmen natën dhe djalin erdhën dhe e morën shokët e tij.
            Mbas rreth një muej, si e kishte marrë veten, u gjend papritë përballë oficerit të burgut që e kishte ndihmue të ikte. Ishte natë, pothuej errsinë, po ishte i sigurtë se nuk po e ngatrronte. Iu afrue me të shpejtë dhe i tha vetëm dy fjalë:
- Të lutëm, më thuej, kush të tha të më liroje?
- Ministri, – iu përgjegj i qetë oficeri – Ministri më tha të baja të pamundunen. E kemi mik shtëpie. Ashtu si ishe degdisë, “më ngjan me Jezusin në agoni”, tha Ministri, dhe unë ia mbajta fjalën. 
Tashti, ai “Jezusi në agoni”, kushedi çfarë ishte, me siguri ndonjë funksionar shumë i naltë, mendoi Ministri me vete, i sigurtë që kishte qenë ai djalë që kishte ndikue të mos pushkatohej.  
Mbas dhjetë vjetëve, kur erdhi fjala edhe në burg se diçka po ndodhte në Konferencën e Tranës, papritë, gjatë orës së ajrimit, Ministrit iu afrue një djalë tashma i pjekun, shtatnaltë, por i dobët, shumë i dobët, që i tha:
- Mirë se të gjeta, zotni Ministër.
Ai u drodh. Po, tha, ky asht ai që shpëtova nga burgu në dimën të vitit 1944. Ky asht ai funksionari i shëndetëshëm, i bukur, i fuqishëm, që i kishte thanë  “Nuk mund të baja ma shumë, zotni Ministër”. Por tashti ishte tejet i drobitun, ma keq se në dimnin e vitit 1944 kur e gjeta të masakruem në një birucë të Burgut të Tiranës.
Sa herë takoheshin, ai do t’i drejtohej gjithmonë “zotni Ministër”. Kurrë nuk folën me njëni tjetrin as për ikjen e djaloshit nga burgu më 1944, as për dënimin me vetëm 20 vjet burg të Ministrit dy vjet ma vonë.
Djaloshi shoqnohej shpesh gjatë orës së ajrimit me Bedri Spahiun. Edhe në dhomë bashkë me gjeneralin ishin. Ai nuk kishte pasë rast ta dëgjonte, po thuhej se djaloshi, ndërsa e shoqnonte “gjeneralin” në orën e ajrimit, këndonte nën zë:
Kush e njeh Bedri Spahinë,
I pakët, por vetëtimë.
Kur këndonte djali, gjenerali bahej edh ma sterrë në fytyrë.
Bedri Spahiu kishte qenë Prokuror në gjyqin kur ishte dënue Ministri. Kurrë nuk kishin këmbye dy fjalë bashkë që kur e kishin sjellë në Burrel edhe gjeneral Bedriun, “i vogël si floriri”, siç i kishin këndue dikur në kohë të luftës lebrit.
Po ja që kishte disa kohë që Bedri Spahiu e shikonte drejt në sy dhe më në fund një ditë, iu afrue dhe i tha:
- Mirëmëngjes, zoti Ministër.
- Mirëmëngjes …. Bedri, – iu përgjegj Ministri. Ia vonoi përgjegjen, sepse nuk desht t’i thonte “zotni prokuror”.
Kaluen vitet dhe ja, erdhi dita dhe Ministri e mbaroi dënimin.
Polic Kurti po e shoqnonte buzëgaz, pa e nxitue. Edhe polic Kurti i kishte thanë tre a katër herë “zotni Ministër”. Natyrisht, kur kishin ndodhë krejt vetëm. Nuk e mori vesht kurrë përse e thërriste edhe polic Kurti “zotni Ministër”.
Lanë edhe korridorin dhe dolën në oborr. Ministri u ndal përsëri. As Kurti nuk e trazoi.
Bedri Spahiu po shëtiste krejt vetëm. Kushedi pse e kishin nxjerrë në oborr në atë orë gjeneralin, si e thërrisnin shumë prej të burgosunve, dhe po shëtiste i përhumbun.
Jo, nuk i ikej pa u përshëndetë me Bedriun. Nuk duhej … të largohej pa e përshëndetë.
- Mirëmëngjes, Bedri – iu drejtue ai tejet i përqëndruem në sytë e vegjël të ish prokurorit të tmerrshëm.
- Mirëmëngjes, zoti Ministër. Po liroheni?
- Po, Bedri, e mbarova dënimin.
Dy burrat u shikuen gjatë në sy.
- U bënë ca vite që jemi bashkë këtu, zoti Ministër, kështu? – foli Bedriu ndërsa fërkonte me nervozizëm duert e mavijosuna nga të ftohtit. – Dhe …. nuk të kam kërkuar ndonjëherë të falur.
Ministri i zgjati dorën për t’i dhanë lamtumiren:
- Nuk asht e nevojshme, Bedri. Uroj të shihemi shpejt përjashta.
Bedri Spahiu qeshi hidhun.
Një natë përpara, atë, “të voglin si floriri”, e kishin dënue për herë të dytë edhe me dhjetë vjet burg të tjera, pse i kishte shkrue letër komandantit.
Në tirani, e çfarëdo lloji qoftë ajo, xhelatë e viktima, reciprokisht, kanë të njejtin fund

Valentin Bruçaj: Islami dhe mardheniet me demokracine


Islami, duke pare edhe natyren e tij, eshte realisht dhe ne menyre definitive i paperputhshem me demokracine? Per t’i dhene nje pergjigje kesaj pyetje, eshte e nevojshme t’i pergjigjemi nje pyetje tjeter: pas lindjes se Islamit ne vitin 632, ka ekzistuar ndonje komb islamik qe te kete adoptuar nje sistem politik dhe demokratik? Pergjigja e kesaj pyetje fatkeqesisht eshte jo. Historikisht nuk ka ekzistuar nje komb islamik qe te kete adoptuar nje sistem puro demokratik, dhe si rrjedhoje pergjigja eshte se, Islami nuk mund te perputhet me demokracine. Islami demokratik nuk eshte Islam, do te ishte nje nocion abstrakt qe nuk do te korrispondonte me asnje ralitet. Dikush do te objektonte se as Krishterimi nuk eshte demokratik, dhe as ne Katoliçizem nuk ekziston demokracia. Kjo eshte pjeserisht e vertete, Krishterimi si religjon apo ideologji eshte mjaft demokratik, mesimet e themeluesit te Krishterimit, Krishtit, perputhen ne ç’do kohe dhe me ç’do komb. Ndersa Katoliçizmi nuk mund te konsiderohet demokratik vetem per faktin se as Papa si kryetar i Kishes dhe as Kardinalet nuk zgjedhen nepermjet votes se lire popullore. Por vlen per t’u permendur se zgjedhja e Papes vjen ne menyre krejtesisht demokratike. Konklava qe zgjedh drejtuesin e Kishes Katolike perbehet nga Kardinal te ardhur nga e gjithe bota qe me voten e tyre te lire zgjedhin kryetarin e ri te Kishes. Ndryshimi me Islamin eshte se, Katoliçizmi eshte nje “ideologji” pa pushtet, as politik dhe as juridik, eshte nje “ideologji jo ofensive”, qe nuk ka asnje force ligjore. Ne te kundert, te gjitha regjimet islamike jane diktatura ne kuptimin e plote te fjales, qe formulojne ligje dhe i aplikojne ato me dhune. Ende sot ne vendet islamike ekzistojne shtete dhe qeveri islamike qe qeverisin sipas Kuranit dhe ligjit islamik te Sheriatit.
Ne te gjitha vendet islamike aty ku mesimet e Kuranit jane baze e themeleve te shoqerise, nuk mund te ekzistoje demokracia ne kuptimin perendimor te saj, domokracia qe ekziston aktualisht ne Europe dhe Shtyetet e Bashkuara te Amerikes. Mesimet kuranike, jane lavazh truri, dhe te gjitha ata njerz qe kane pesuar keto mesime qe ne moshe foshnjore jane te paafte te gjykojne ne menyre autonome. Nuk jane ne gjendje te vene ne dyshim asgje, as veten e tyre dhe sistemin qe ju eshte imponuar. Nuk eshte e rastesishme se vetem ne vendet ku ekziston demokracia njerzit marrin guximin te vene ne dyshim Fene, gje qe i revolton pa mase islamiket qe jane rritur nen diktatin e mesimeve kuranike. Nje fenomen i tille eshte duke ndodhur aktualisht edhe ne Shqiperi. Aktualisht Islami shqiptar ndihet i izoluar dhe pa ide, per faktin se ndihet i pafuqishem te propogandoje mesimet kuranike ne nje vend ku populli e don me te vertete deokracine.
Nje qytetar nga Tunizia qe jetonte ne France vente ne dukje faktin se, gjysma e popullit tunizian spiunonte gjysmen e popullit tjeter. Dhe nje fak i tille ndodh ne te gjitha vendet islamike. Kush ka jetuar ne Shqiperi gjate rregjimit komunist, eshte deshmitar e nje fenomeni analog qe quhej ndryshe Lufta e Klasave, nje fenomen qe ka ekzistuar ne te gjitha diktaturat, ne fashizem dhe komunizem, dhe qe ekziston aktualisht ne te gjitha vendet islamike. Ne komunitetet islamike te te gjitha vendeve islamike, komshiu spiunon komshiun, vellai spiunon vellain. Jeta private, ne kuptimin e ngushte te saj, nuk ekziston tek muslimanet, sepse “komuniteti i besimtareve”, e ndien te drejten morale qe te gjykoje sjelljet dhe mendimet e te gjithe atyre qe jane pjese e ketije “komuniteti” o qe duhet te jene pjese e tij. Per ç’do sjellje apo veprim te çuditshem qe eshte ne kundershtim me mesimet kuranike dhe moralin islamik, besimtari spiunon besimtarin tjeter duke e paditur tek imami, tek ajatollahu, tek talebanet. Cmimi qe duhet te paguaj varet nga vendi ku ndodhin ngjarjet, por mund te kushtoje denimin me burg ose me vdekje sipas ligjeve te percaktuara nga Sharia.
Gabimi qe eshte bere gjithmone nga bota perendimore sidomos nga kolonizatoret europian, ka qene injoranca qe ata kishin ne lidhje me Islamin, duke i konsideruar gjerat ne menyre europiane dhe jo ne menyre islamike. Shume politikan perendimor kur flasin per Islamin dimostrojne nje injorance jashtezakonisht te thelle ende ne ditet e sotme. Flasin per dialog me boten islamike duke pretenduar qe te eksportojne demokracine. Nje gje e pa arritshme, te pakten deri atehere kur Kurani te jete baza themelore e te menduarit.
Islami si te gjitha religjonet pre-moderne eshte antidemokratik ne esencen e tij. Dhe nje evolucion kaq radikal nuk eshte i lehte per asnje religjon. Po te marrim si shembull Krishterimin, perpjekjet per te reduktuar rolin e Kishes ka zgjatur jashtezakonisht shume. Nese kemi parasyshe se tranzicioni filloi atehere kur Marsilio da Padova publikoi librin “Defensor pacis” ne vitin 1324, Kishes ju deshen gjashte shekuj te tjere per te pranuar totalisht demokracine. Islamit ka gjasa se do t’i duhen shume me shume.
Proçesi qe duhet per te afruar Islamin me demokracine, kerkon ndryshime radikale ne interpretimin e tije. Per shembull, Sharia, qe eshte ligji islamik antidemokratik, permban thelbin e problemit. E krijuar 1400 vjet me pare, ajo imagjinon qeveri autokratike dhe popuj te nenshtruar, proklamon vullnetin hyjnor ne dem sovranitetit popullor, dhe inkurajon xhihadin e dhunshem per te zgjeruar kufinjet e Islamit. Sharia, perkrah muslimanet dhe deskriminon jo-muslimanet, ngre ne piedestal burrat dhe deskriminon grate, preferon njerzit e skllaveruar dhe jo ata te lire.
Problemi kryesor tek Islami, nuk eshte vetem se ai eshte antidemokratik, por se proçesi i moderizimit te tij ende nuk ka filluar, dhe nuk ekziston asnje shenje te na inkurajoje qe mund te ndodhe nje gje e tille. Per t’u modernizuar Islami, eshte e nevojshme qe te ndodhin ndryshime te rendesishme. Duhet zhdukur përdorimi e xhihadit për të imponuar sundimin musliman, nuk duhen konsideruar qytetar inferior ata qe nuk jane musliman, dhe duhen ndaluar denimet me vdekje per blasfemi dhe braktisje te Islamit. Nevojitet qe te vendosen liria individuale, te drejtat civile, te drejten per te zgjedhur dhe per t’u zgjedhur, sovranitetin popullor dhe barazine perpara ligjit.
Pas çlirimit te Kosoves nga forcat e NATO-s, ne Kosove perveç forcimit shume te madh te Islamit radikal, paralelisht me kete kemi pasur edhe shume raste te braktisjes se Islamit nga shqiptare te ndryshem. Dhe per kete zgjidhje qe keta individ kane bere, jane kercenuar, jane persekutuar, u jane djegur shtepite, dhe ende sot ata qe konvertohen duhet t’a bejne ne menyre te fshehte. Natyrisht qe rreziku nuk vjen nga autoritetet por nga komuniteti islamik, autoritetet te vetmin “kontribut” qe japin eshte indiferenca totale ndaj ketyre rasteve. Kjo deshmon faktin se demokracia eshte gjithmone ne rrezik, ne nje shoqeri qe eshte islamikisht e dominuar.
Nje problem tjeter qe behet pengese qe vendet islamike te demokratizohen eshte perkatesia tribale(fisnore) ku fatmiresisht nuk ekziston tek shqiptaret. Keto perkatesi krijojne nje kompleksitet te autonomise fisnore dhe nje centralizem tiranik qe pengon zhvillimin e kostitucionalizmit, te supremacise ligjore, te barazise para ligjit, te barazise se sekseve, dhe vlerave te tjera qe parashikon nje sistem demokratik. Deri kur te ekzistoje ky sistem social i bazuar ne zakone te vjetra tribale, demokracia nuk do te mund te zhvillohet ne keto vende.
Ne nivelin global, pushteti autokratik islamik pengon zhvillimin e demokracise, ne te gjitha vendet ku ai eshte i pranishem. Islami synon qe te arrije pikerisht te kunderten e reformave demokratike, qe do te thote perpjeket te riafermoje ligjet e Sharias, si ligje qe i kundervehen demokracise. Ndoshta nje xhihadist si Osama Bin Laden mund t’a kerkoje nje gje te tille ne menyre me te hapur se sa nje politikan si Recep Tayyip Erdogan, por te dy keta kerkojne te krijojne nje sistem puro antidemokratik, per mos me thene totalitar.
Islamiket reagojne ne disa menyra ndaj demokracise. Se pari ata e konsiderojne demokracine te gabuar per faktin se nuk eshte islamike. Fondatori i organizates Vllezerit musliman, Hasan al-Banna, konsideron demokracine nje tradhti te vlerave islamike, ashtu si islamiket shqiptar qe konsiderojne Gjergj Kastriotin tradhtar te perendorise islamike-otomane. Ndersa Yusuf al-Qaradawi, imami i kanalit televiziv Al-Jazeera, thekson se zgjedhjet pluraliste jane heretike. Per te ardhur tek imami kosovar Shefqet Krasniqi qe sipas tij, demokracia eshte sistemi i te marreve, “dy budallenj mund te fitojne kunder nje te urti”.
Por, pamvarsisht nga keto perbuzje qe kane per demokracine, islamiket presin me padurim qe te perdorin demokracine per te arritur qellimet e tyre. Paradoksalisht, edhe nje organizate terroriste siç eshte Hamas ka fituar zgjedhjet e fundit ne Palestine. Po ashtu ne Kosove, fale demokracise kemi ne qeveri nje parti islamike, pamvarsisht se ajo nuk beson ne vlerat e demokracise. Bile arrijme deri aty sa ne emer te laicitetit organizohen peticione per te hequr nga Ministria e Kultures fotografine e Nene Terezes, edhe se ata qe bejne kete peticion jane te paret qe nuk besojne ne laicitetin e shtetit. Natyrisht ky precedent nuk i rend islamiket demokratik, por te vendosur per te marre pushtetin, nje taktike qe e perdorin me nje hipokrizi te pashoq, per t’a perdorur pastaj ate(pushtetin) per heqjen fotografive te Ibrahim Rugoves dhe Nene Terezes ne rastin tone. Ashtu siç deklaronte Erdogan: “demokracia eshte si nje autobus, kur te arrime ne destinacionin e caktuar zbresim”.
Islami ne te kundert me te kaluaren nuk eshte ne konflikt me besimet e tjera fetare, por eshte ne lufte me demokracine, ne te gjitha ato vende demokratike dhe ne ato vende qe kerkojne te zhvillojne demokracine, perfshire Shqiperine dhe Kosoven. Aktualisht Islami shqiptar ndihet ne veshtirsi, ndihet i rrethuar dhe pa ide. Dhe kjo ndodh per veshtirsite qe ka per t’u perballuar me shoqerine shqiptare, qe eshte nje shoqeri demokartike, bile me demokratike se vete qeverite qe e drejtojne. Veshtirsite e Islamit shtohen me shume ne momentin kur kritikat nuk vine nga besimtar apo drejtues te besimeve te tjera por nga njerz laik dhe intelektual te ndryshem qe nuk flasin ne emer te asnje besimi. Ne te gjitha rastet kur ne skene ka dal Islami shqiptar, polemika nuk ka qene me Kishen Katolike apo Ortodokse por me strukturat shteterore, me shkrimtar, intelektual etj. Kjo e rend Islamin te dobet sepse i shkurton terrenin konfliktual. Ketu qendron pikerisht sekreti! Per te evituar qe Shqiperia dhe Kosova te shnderrohen ne territore ku perplasen kulturat, dhe per te ruajtuar ate harmoni fetare qe ndoshta ka ekzistuar tek kombi shqiptar, me Islamin duhet te perballemi si laik, si shqiptar, dhe asnjehere si besimtar te nje besimi tjeter. Per Islamin do te ishte fare e lehte nese do t’i duhej te polemizonte me drejtuesit e Krishterimit, do te hynin ne loje propagandistet e shumte islamik qe do te fillonin nje “lufte” verbale kunder kundershtarit, duke gjykuar historine e larget dhe te afert, duke analizuar Biblen dhe Kuranin do te arrinin te krijonin nje terren te persosur konfliktual.
Konflikti me i fresket i Islamit shqiptar me demokracine dhe laicitetin e shtetit jane protestat qe u zhvilluan vitin e kaluar kunder ligjit qe ndalon mbajtjen e shamise ne institucionet publike ne Kosove. Edhe Turqia islamike qe na e trasmetoje Islamin, e ka te ndaluar me ligj mbajtjen e shamise ne institucionet publike. Dhe ketu ndeshemi me shpirtin anti-demokratik te atyre qe dalin ne rruge per te kerkuar diçka anti-demokratike. Nuk kemi te bejme me shkeljen e te drejtave te njeriut por me ruajtjen e laicitetit shtetror. Ne qofte se nuk do te ruajme shpirtin demokratik te popullit shqiptar rrezikojme te asgjesohemi, ne njeren ane nga armiqet e kombit ne anen tjeter nga ideologjite anti-demokratike. Ceshtja kryesore eshte mbrojtja e te drejtave te njeriut, mbi te gjitha te drejtave te grave. Nje shtet serioz demokratik nuk mbron te drejtat e religjoneve por te drejtat e individit. Nje shtet demokratik duhet te luftoje te gjitha ato religjone dhe ideologji qe shtypin individin. Aty ku ka humbur kurajoja per te mbrojtur lirine e individit, atyre popujve qe paten privilegjin te krijojne konceptin e lirise, nuk u mbetet tjeter vetem te kthehen ne skllever o ne martir. Nje shtet demokratik aplikon te njejtat ligje per te gjithe qytetaret e tij. Nje shtet demokratik nuk eshte parajse, nuk eshte drejtesia absolute dhe as lumturia e perjetshme. Nje shtet demokratik eshte nje shtet qe aplikon ligjet dhe kaq.
Ndoshta do te vije nje dite qe edhe islami te demokratizohet, por deri ate dite perben forcen me antidemokratike ne bote.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...