(Intervistë me Rupert Neudeck , president i organizatës
gjermane Kap Anamur)
Pasi
kishte parë me sytë e tij se çfarë po ndodhte në rrethin e Tropojës, pasi ishte
njohur me dhimbjën shqiptare dhe ishte "vrarë" aq sa s'kishte provuar
kurrë, Rupert Neudeck - mik i Hajnri Belit, president i organizatës qeveritare
gjermane Kap Anamur, i shoqëruar nga Kadri Bala, punonjës në Zyrën e Kosovës në
Shqipëri, dhe një djalë prishtinas që sherbentë si përkthyes, kishte
marrë udhën nga Bajram Curri për në Kukës.
I shtyrë nga misioni i tij, mbase,
kërkon të ndalet në Qafë Prush të Hasit për t'i hedhur një sy Gjakovës dhe
fshatrave përrreth të mbuluara nga flakët dhe tymi i luftës. Vështron sa
vështron me dhe pa dylbi andej nga Kosova, që ish mbuluar në tym, dhe siç s'e
kishte zakon, thërret me të madhe : " Çfarë po ndodh atje...". Nuk u
mor vesh se kujt i thirri.. “Po digjen prej serbëve shtëpitë shqiptare e markat
gjermane”, iu përgjigj Kadri Bala flake per flake, dhe ai pa pritur më gjatë,
instalon një telefon satelitor dhe futet në lidhje të drejtpërdrejtë telefonike
nga Qafa e Prushit e Hasit me bosin e ministrisë së jashtme gjermane.
Ndoshta ka qenë biseda telefonike më e nxehta që kanë bërë ndonjëherë nëpunësit
e ministrisë së jashtme gjermane. Sepse fliste me gjithë fuqinë e shpirtit,
derdhte gjithë emocionet e tij bashkë me informacionet e shumta për t'i bindur
nëpunësit e zyrave gjermane për barbarinë serbe ndaj shqiptarëve, humanisti e
miku i shqiptarëve Rupert Neudeck.
GAZETARËT NË STUDIO TË RADIO KUKËSIT
Mbas
dite vonë, hynë në zyrën time në Radio Kukësi. Ai burrë i imtë, me mjekër e
shpirt të bardhë, me një vështrim të thellë e zhbirues, përpinte gjithçka
flisja për të shpërngulurit. Vazhdonte të ishte i tronditur nga çfarë kishte
parë e përjetuar në Bajram Curr. Pasi u takua edhe me gazetarë të tjerë,
vizitoi studjot, fonetekën dhe mjediset e radios. Ndersa darkonim dhe
diskutonim, i propozova për një bisedë rreth impresioneve të tij. Pranoi. Me
magnetofonin e tij profesional, pasi ishte më i mirë se i imi, realizuam aty ku
po darkonim, në lulishte të restorantit bisedën e mëposhtme të cilën e filloi
ai :
- Unë
Rupert Neudeck jam në Gjermani një organizator i një aksioni ndihmash të
specializuar për regjionet e krizave, të katastrofave e të luftrave. Kjo
organizatë quhet Kap Anamur. Ka të bëjë me një anije, një anije shpëtimi. Kjo
anije ka shkuar në vitin 1979 në Kinën Jugore dhe ka shpëtuar një numër shumë
të madh kinezësh.
-
Mësuam se keni qenë në Tropojë dhe keni parë se ç'po ndodh atje, keni parë me
sytë tuaj shqiptarët që kanë ardhur nga Kosova. Çfarë motivesh ju sollën
këtu, në Shqipëri ?
-
Motivi i parë ishte se, më parë, e kishim ndërmend që të ndërmerrnim një aksion
ndihmash në Kosovë. Dhe kjo punë na u bë aq e pamundshme dhe ishim aq
shumë të penguar sa që s'kishte fare mundësi që ta ndërmarrim një
aksion të tillë, dhe vendosëm që po për këtë popull të zhvillojmë
aksionin tonë në Shqipëri. Para 10 ditësh isha
pranë ambasadës shqiptare në Bon dhe ja dhashë këtë propozim. Dhe në mesditë
dëgjuam lajmin se mbi dy mijë refugjatë shqiptarë nga Kosova kanë kaluar në
territorin e Shqipërisë, përkatësisht në Tropojë. Unë e kam ndërprerë një
aksion udhëtimi për në Sudanin Jugor, dhe jam nisur menjëherë për në Kosovë.
Kush
ju pengonte që të shkonit në Kosovë për të realizuar misionin e planifikuar?
- Shumë
qartë : regjimi i Beogradit. Ai regjim, mua, mbi 5 vjet nuk më ka
dhënë vizë, që përsonalish unë të shkoj për një vizitë në Kosovë. Deri sot
asnjë organizatë humanitare nuk ka status legal në Serbi, dhe kjo do të thotë
se ne jemi plotësisht të varur nga regjimi i egër që mbretëron atje.
-
Kjo që ndodhi me shqiptarët e Kosovës, që erdhën në Shqipëri, ajo që patë ju
vetë në Tropojë, a është e njohur mirë në shtetin tuaj ?
- Për
këto ngjarje është raportuar shumë atje, por jo edhe në formë të detajuar për
shkak se mungonin reporterët dhe gazetarët përkatës. Për këtë arsye vendosa të
vij dhe të shoh me sytë e mi se çfarë po ndodh këtu. Dhe ishte shumë e
domosdoshme.
Kam
përjetuar dy gjëra shumë të medha atje. Së pari nuk është një ikje në kuptimin
klasik. Për këtë arsye ende nuk kanë ndërmarrë ndonjë aksion organizatat
për çeshtje të ikursh. Si p.sh. Komisariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të
Bashkuara (UNHCR-ja), ende nuk ka një bazë ku do të vepronte me të
ikurit, sipas akteve të mëdha që ruhen nëpër sirtare që përcaktojnë të ikurit e
rregullt nga një vend. Nuk kam mundur të paramendoj një mjerim kaq të tmerrshëm
të grave dhe fëmijëve, të cilin pata rast ta shoh edhe vete. Për mua ishte e
kuptueshme, se ne, dhe udhëtimi ynë, ishte shumë i vonuar. Politika
europjane ka debatuar dhe bën përralla çdo ditë, se duhet të ndihmohen njërëzit
të cilët kanë nevoja urgjente. Por kurrsesi nuk reagohet në
momentet përkatëse që janë vërtet urgjente dhe kanë nevojë njerëzit. Në mes të
tjerash kemi takuar një grua, që ishte rast shumë rrënqethës. Ende nuk mund ta
marr veten. Nuk mund të qetësohem plotësisht. Nuk mund të flej
rehat nga pamundësia që t'i ofroj ndonjë ndihmë një gruaje të
tillë. Popullata e këtushme në Tropojë dhe Bajram Curri ishte shumë
pjesëmarrëse në ndihmën për pranimin e refugjatëve, që tek ne është diçka e pa
dëgjuar, e pabesueshme. Mirëpo edhe këta shqiptarë në këtë rajon nuk janë
njerëz tepricë. Për këtë arsye ne duhet të përgatitemi sa më shumë për
flukse të reja të refugjatëve që mund të ndodhin.
- Si
e mendon të ardhmen e këtyre njerëzve që kanë ardhë në Tropojë?
- Krejt
kjo varet nga zhvillimet e më vonshme në javet e ardhshme se a do të kënë
mundësi ata që prapë të kthehen në vendet e tyre. I admiroj tepër shumë të
gjithë këta refugjatë, fëmijë e gra, dhe e ndjej vazhdimisht, se nuk kemi
mundur, gati asgjë t'ju ndihmojmë në këtë gjendje kaq të vështirë. Varet
nga reagimet që do të bëhën e se si do të bëhën nga institucionet e ndryshme
ndëkombëtare. Si do të reagojnë ndaj tyre. Varet edhe nga zhvillimet në
këto anë, në këto territore ku gjendën refugjatët.
- Sa
kemi biseduar sot, dukeni i mirëinformuar për Kosoven dhe për ngjarjet në
përgjithsi. Si e mendoni ju zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve?
- Mund
të paramendoj skenarin më të tmerrshëm, më të keq. Dhe kjo do të thotë vdekje
masive të shqiptarëve. Sepse deri më sot nuk posedojnë armë në mënyrë të
barabartë të dyja palët. Nuk mund të paramendoj se ketu mund të flasim
për një luftë frontale mes dy palësh. Për këtë do të duhej që levizja
çlirimtarë të jetë më e formuar dhe më e fuqishme në aksionet e saj. Por duhet
të kemi parasysh se Kosova ka përfaqësuesit e saj politikë. Në të njëjtën kohë,
zhvillohet një levizje ushtarake. Duket sikur nuk kanë kurrëfarë lidhjesh mes
tyre përfaqësuesit politikë dhe ata ushtarakë. Gjëja më e mire do të ishte, që
vendimi që dëgjuam se ishte marrë sot për ndalim fluturimin mbi Kosovë sa më
shumë të rrespektohet. Që vendimet e nëntë marsit që u morën në Londër të
rrespektohen dhe të tërhiqen forcat ushtarake - policore nga Kosova. Si dhe
referendiumi që është mbajtur të njihet ose të organizohët përseritja e këtij
referendumi.
- Ju
shprehet simpati për të ardhurit në Tropojë. Për çeshtjën shqiptare a mendon se
faktor duhet të jenë vetë shqiptarët apo duhet të shpresojnë ende tek
vendet e Grupit të Kontaktit dhe fuqitë e tjera ?
-
Shqiptarët e Kosovës do të delnin keq të këshilluar sikur t'ju thuhet të presin
nga opinioni ndërkombëtar. Një popull duhet ta çlirojë vehten e tij. Kjo
nuk përjashton që miqve shqiptarë ju preferohet një diplomaci e
mençur. Unë s’do të doja që të jeni antiamerikanë. Nuk duhet të
mbeshteteni tepër shumë në Europë për shkak se ajo vetë është e dobët. Dhe nga
miqtë e mi shqiptarë, më është bërë e njohur se fqinjtë nuk mund ti zgjedhësh
sipas deshirës. Kam dëgjuar vetë nga njerëz të lëvizjes çlirimtare, se robërit
e luftës nuk i kanë keqtrajtuar. Unë kam një simpati të madhe për këtë popull.
Është një popull që ka pranuar edhe këshillat. Në këtë mënyrë, unë jam me plot
simpati pranë këtij populli.
-
Historia njeh pushtues të ndryshëm. Mirëpo ushtria serbe bën masakra mbi
popullsinë. Masakrojnë gra, pleq, fëmijë. Ua presin gishtërinjtë fëmijëve, ua
presin veshët dhe ua fusin nëpër xhepa. Si do e gjykonit ju ? Pse ndodh
kjo,sipas jush ?
- Për
këtë mundëm, mjerisht, shumë lehtë të përgjigjem. Nga historia e popullit tim e
di se kemi përjetuar faza të ngjashme të tmerreve si nga Auszhvits, Urradur,
Lidiçe, Avia, që na kanë sjellë edhe ne tmerre dhe masakra të mëdha të
paparashikushme. Kam mësuar nëpër botë nga popuj të ndryshëm se për
njerëzit çdo njëri është i shkathët dhe nuk ka rëndësi ngjyra e tij,
lëkura apo përkatësia e tij kombëtare. Por as kjo nuk u ndihmon grave që ne i
pamë dje në Tropojë. Dhe për këtë arsye e kuptoj çdo shqiptar që ka një prirje
njerzore. Ekziston edhe nevoja njerzore e revanshit. Por shpresoj shumë se nuk
do të arrijë deri te revanshimet dhe hakmarrjet e tmerrshme.
-
Çfarë do tu tregoni njerëzve tuaj, gjermanëve, kur të shkoni në Gjermani ?
- Unë
për të gjitha këto kam raportuar nëpërmjet një lidhje telefonike. Sot, po
ashtu, edhe nëpërmjet televizionit. Shpresoj se pasi ta dëgjojnë
gjermanët do të përpiqen me çdo formë që në aspektin humanitar sa më shumë t'ju
ofrojnë ndihmë këtyre njerëzve. Edhe pse nuk i ndihmon në rastin konkret
asaj gruas së Kosovës në Tropojë, që burri i saj kishte mbetur në zonat e
luftës. Sa i përket aspektit humanitar, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që
sa më shumë t'ju ndihmojmë. Kurse anën tjetër duhet ta bëjnë vetë
shqiptarët.
-
Sikur thatë më parë se krahu politik dhe ai ushtarak në Kosovë nuk kanë
marrëveshje?
- Unë e
quaj të dhimbshëm rastin e Rugovës kur ca njerëz heqin dorë nga ai, por në
ndonjë rast edhe e keqtrajtojnë. Rugova është përpjekur gjatë 7 vjetëve, në
forma të ndryshme, në formë paqësore, me gjithë angazhimin e tij, të kërkojë
një zgjidhje të drejtë për Kosovën. Kjo politikë, sa duket, ka dështuar. Jo për
shkak të mos angazhimit të tij. Por për shkak të ndryshimit të rrethanave. Tani
duhet që të gjitha format e organizimit të bashkohen në një, në shërbim të
çeshtjës së tyre kombëtare.
-
Rugova konsiderohet si mit në Kosovë. Çfarë i mungon atij që aktualisht të mos
jetë në krye të gjithë levizjes në Kosovë.
- Kjo
është një pyetje që ndoshta nuk mund t'i pëgjigjem. Unë e kam admiruar shumë
këtë njëri. Ibrahim Ruguva ka karizmën e politikës që shumë pak njerëz e kanë
në Europë. Ai ka mbetur shumë i thjeshtë. Ka bërë për shqiptarët në botë,
atë që shprehimisht mund të bëhej. Nuk mund ta di se pse ai nuk mund të jëtë në
krye të gjithë levizjes në Kosovë. Është vështirë ta përcaktoj këtë.
-
Për fund të kësaj bisede z. Neudeck, çfarë do të donit të theksonit, a nuk jeni
shkëputur ende nga tmerri që keni parë në Tropojë ?
- Po, është e vërtetë. Banesa dhe shtëpi të vogla në të
cilat në Gjermani nuk banohet më në të ngjashme me to. Të banuara nga 20 - 30
deri 35 njerëz, të ardhur e vendas
bashkë. Aty ushqehen, rrinë e flenë. Është e tepërt. Njerëz, të cilët jetojnë
me trauma dhe depresione të mëdha. Fëmijë të cilët nuk mund të flenë mirë për
shkak se nuk ju hiqen ankthet dhe tmerret që kanë përjetuar gjatë udhëtimit të
tmerrshëm në ikje e sipër. Fëmijë të cilët është dashur të vihën
nën përkujdesin e psikiatrit. Pleq e plaka të cilave u dhimbnin edhe këmbet nga
udhëtimet e 10 ditëve të fundit që kishin bërë. Të gjitha këto ngjarje, janë të
dhëna që tregojnë se ushtarët dhe policët serbë i kanë hedhur refugjatët
shqiptarë buzë varrit. Te popullata në Tropojë ekzistonte një gadishmëri e
madhe për pranimin e këtyre njerëzve të ikur. Të ardhurit trajtoheshin nga një
mjek nga Kosova, i cili pa kurrfarë pagese punonte vetëm për këta të ikur, pa u
lodhur fare. Një situatë totalisht paradoksale. Në këtë rast, pushtetin
shqiptar s'kisha mundësi ta shoh fare aty pranë. Sikur të mos ekzistonte
edhe përfaqësia e Kosovës, dhe organizatat e tjera humanitare e kishtare,
atëhere nuk e di se ku e si do të gjendeshin këta njerëz dhe nga kush do të
kërkonin ndihmë. Ekzistonte frika e madhe se në ditët e ardhshme, ndoshta edhe
50 mijë njerëz të tjerë do të gjendën si refugjatë po në këtë vend. Pastaj kjo
popullatë nuk do të jetë në gjëndje të durojë më. Duhet të formohen kampe të
ikursh, kampe refugjatësh. Kjo është një nga gjërat më të vështira e më të
rënda për situata të tilla.
-
Faleminderit z. Neudeck që na u gjëndet në këto ditë të vështira dhe që merrni
pjesë në dhimbjen tonë.
Në
vitin 1999, kur në Kukës erdhën rreth gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës si
refugjatë, nën kujdesin e Rupert Neudeckut, në Kukës organizata Kap Anamur
ngriti një kamp për refugjatë. Ato kohë kam qenë në spital në Tiranë dhe nuk
kam mundur që ta takoj më z. Rupert Neudeck, ndonëse ai ka qëndruar me qera në
një apartament një kat sipër apartamentit tim në Kukës.
Pas
çlirimit të Kosovës prej serbëve, Rupert Neudeck dhe organizata e tij Kap
Anamur kanë qenë ndër më aktivet për të ndihmuar popullin e Kosovës për barna
mjekësore dhe riparime banesash të shkatërruara nga lufta.
Në
shtypin e kohës së pasluftës për Kosovën, Jusuf Buxhovi duke pasqyruar një
konferencë shtypi që Rupert Neudeck mbajti në Bon, mes të tjerave shkruan në të
përditshëm "Rilindja Demokratike" të Tiranës : "I pari që u
përkujdes për shërimin e të plagosurve, që ia doli të shpërthejë rrethimin
serb, Neudek, edhe përkundër pengesave, ia ka dalë të futet edhe në Kosovë. Dhe
përkundër ilaqeve e ndihmës tjetër sanitare, ai ka filluar aksionin për
meremetimin e pullazeve të shtëpive nëpër katundet e rrënuara shqiptare të
Dukagjinit dhe të Drenicës. Deri tani Rupert Neudeck dhe shoqata e tij ka
meremetuar 100 pullaze, ndërkohë që pritet që brenda këtyre 3 javëve të
meremetojë edhe 360 shtëpi të tjera. Në një konferencë për shtyp që u mbajt në
Bon këto ditë, Neudeck kërkon nga qeveria gjermane, nga opinioni i
vendit, nga bashkimi europian, si dhe institucionet e tjera botërore, që në
vend të fjalëve të shumta, çdo ditë të meremetojnë nga një shtëpi në Kosovë.
Miku i mirë njihet në ditë të vështira, thotë Neudeck dhe shton se shqiptarët
kanë shumë nevojë të mbijetojnë".
Radio Kukesi, Radio Tirana, korrik, 1998