2012-01-19

Kujtesë klasës politike të Tiranës



  Prof.Dr.Eshref Ymeri
 
 
(Pas një njoftimi të zotit Ministër Aldo Bumçi)
 
       Para ca muajsh zoti Kryeministër deklaroi se me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, në Tiranë do të ndërtohej godina e re e  parlamentit dhe një stadium i ri. Asokohe ndodhesha në SHBA dhe përmes faqes së internetit reagova ndaj deklaratës së zotit Kryeministër, duke nënvizuar se është ende herët për ndërtimin e këtyre dy objekteve me rëndësi kombëtare, sidomos pas krizës ekonomike që ka pllakosur mbarë botën.
       Por tani së fundi u njoha me njoftimin e zotit Ministër Aldo Bumçi, i cili bënte me dije se ndërtimi i stadiumit të ri qenka e pamundur të realizohet, meqenëse 300 milionë lekët e caktuara nga buxheti i shtetit qenkan të pamjaftueshme për përballimin e ngritjes së një objekti të tillë.
       Në këto kushte, klasa politike e Tiranës duhet të rri e të vrasë mendjen që valët e fuqishme të krizës ekonomike mbarëbotërore, të mos e goditin me aq furi edhe vendin tonë, siç kanë goditur shumë vende të tjera. E them këtë se pasojat e kësaj krize, në një mënyrë ose në një tjetër, domosdo që ndihen dhe do të ndihen edhe në vendin tonë. Por megjithatë asnjë qytetar shqiptar nuk dëshiron që vendi ynë të katandiset si fqinji ynë jugor, i cili paratë e taksapaguesve perëndimorë i bëri rrush e kumbulla jo vetm brenda vendit të vet, por edhe në Shqipëri, me pensione skandaloze për njerëz që s’kanë punuar në Greqi as edhe një ditë të vetme, apo me ndërtime kishash greke, si puna e kështjellës janullatiste që ngrihet si karakoll në mes të Tiranës, varrezash, memorialesh dhe manastiresh në nderim të ushtarëve agresorë grekë.
       Gjendja e financave shqiptare, të cilat nuk kanë mundësi të caktojnë fonde të mjaftueshme për ndërtimin e një stadiumi të ri, se për ngritjen e godinës së re të parlamentit as që bëhet më fjalë, duhet t’i futë në sëkëlldi përfaqësuesit më të lartë të klasës politike të Tiranës, në mënyrë që të sigurojnë burime për shëndoshjen e situatës financiare.
       Nga regjistrimi i fundit i popullsisë rezultoi se brenda territorit të Shqipërisë Londineze banuakan 2, 8 milionë e ca banorë. Tani lind një pyetje e thjeshtë: me këtë numër popullsie, a është e udhës që ne të kemi në parlamentin shqiptar 140 deputetë? A nuk është koha, zotërinj të klasës politike shqiptare, të bëni ndryshimin përkatës në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe numri i deputetëve të parlamentit të shkurtohet në atë masë që t’i përgjigjet numrit të popullsisë? Pse të mos marrim shëmbull nga vende të tjera, të cilat në parlament kanë një numër të arsyeshëm deputetësh, në përputhje me numrin e popullsisë?
       Le të shikojmë Knesetin (parlamentin izraelit). Nga faqja e internetit “Historia e Knesetit”,rezulton se sipas të dhënave të Drejtorisë Qëndrore të Statistikave të Izraelit, të botuara më 28 dhjetor 2010, rezulton se popullsia e Izraelit përbëhet prej 7 825 000 banorësh që jetojnë brenda territorit të vendit. Kurse parlamenti izraelit, pas zgjedhjeve të fundit që u zhvilluan më 10 shkurt 2009, përbëhet prej 120 deputetësh. Pra, vendi ynë që ka brenda territorit një popullsi prej gati tre herë më të vogël, ka në parlament 140 deputetë.
       A nuk është e udhës, zotërinj të nderuar të klasës politike të Tiranës, që këtë shifrën 140 ta zbresim, së paku, në 80, duke u kursyer financave shqiptare 60 deputetë, të cilët u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë minimumi mbi100 milionë lekë të vjetra në muaj? Po gjatë një viti, po gjatë një mandati katërvjeçar sa para do të kursehen në buxhetin e shtetit?
       Po me financimin e partive politike, sidomos të partive politike fatntazma, e a dini se sa shuma kolosale gllabërohen nga buxheti i shtetit? Kodi eletoral që u aprovua para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, zbuloi fare qartazi se shumë ish-deputetë të këtyre partive fantazma kishin qenë parazitë në parlamentin shqiptar se nuk kishin elektorat, çka në zgjedhjet e vitit 2009 u vërtetua katërcipërisht. Sa herë taksapaguesit shqiptarë kanë dëgjuar nga goja e shtetarëve më të lartë se fondet që kanë pas marrë partitë fantazma për fushatat e zgjedhjeve parlamentare, nuk i janë kthyer buxhetit të shtetit dhe madje janë falur? A e kuptoni, ore zotërinj, se këto para, të marra nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë, kanë shkuar për dhjamë qeni?
Prandaj është e udhës që shteti të heqë dorë një herë e mirë nga financimi i partive politike, duke ndjekur shembullin e partive politike amerikane, të cilat nuk marrin asnjë dollar nga buxheti i shtetit për zhvillimin e fushatave elektorale. Partitë politike shqiptare le t’i zhvillojnë fushatat elektorale me ndihmën e sponsorëve dhe të simpatizantëve të tyre.
 
Tiranë, 19 janar 2010

Barboni i fshatit tim



 
 
                                                       Tregim
 
 
 
Nga   Përparim   Hysi
 
 
 
Mjekët thoshin se e ëma,gjatë lindjes,kish bërë lindje të vështirë dhe fëmija (qe  djalë)   ,pësoi një si goditje dhe mbeti pak si i metë. Xha Myrtja,një plak hokatar, thoshte kështu:-Dëgjo,xha Myrten ti,kur vë bukën në furrë për të pjekur,ndodh që një bukë digjet.Kështu ka  ndodhur dhe me këtë,Laton tonë (se Lato qe emri i djalit që vinte i "avashtë"nga mëndja),që thuaj ti,por ke parë ti,-vazhdonte xha Myrtja,- i avashëm ,i avashëm,por ta thotë kështu bëlldum,ç'dëgjon apo ç'sheh për rreth.Është më mirë të ruhesh nga Latoja se sa nga policia.Në të pa lakuriq, të nxjerrë bojën e të shkojë nami tek "Molla e kuqe".
 
                        *    *   * 
Kur qe i vogël,rreth 10-vjeç, më vinte pas dhe tek më shihte me një kolegen time që niseshim për në shkollë,Latoja më qepej pas dhe thoshte:
-O presor( e kishte për profesor,de!) , më jep një orë!
-O mësuese,më gjej një nuse!
Na vihej pas dhe nuk na ndahej deri sa t'i jepnim diçka.Patjetër,ndonjë lek seç tjetër?
Sado i"avashtë" nga mëndja,por i ngrinte bejtet aty për aty.Dhe Xha Myrtja,thoshte:-Ore Perëndia nuk është se t'i merr të tëra.Pak eksiq nga mëndja,ky,Latoja,por është birinxhi nga goja.
Fshati ynë aso kohe qe i vogël dhe,megjithatë,u bë sektor ferme.Kuadrot na erdhën  nga fshat tjetër.Po laj-thaj një përgjegjës sektori dhe një brigadier(që të dy komunistë) dhe pritej dhe një i tretë në llogari që të ngrihej ajo e shkretë organizatë qoftë dhe celulë si në kohë të luftës.Nga fshati s'ksihim atëherë asnjë komunist për be.Po nuk ishte aty puna,por qëlloi që përgjegjegjësi të  na qe pak vëngarash (gojë më gojë quhej symënjanë apo qorr),dhe,për çudi,komunisti tjetër,brigadieri na qe dorac.Çu-çu bënin gra e burra për këtë"qorrin" e doracin,por Latoja që i priste drutë shkurt,doli një ditë nëpër sektor dhe ia thirri:
-Fshati ynë i vogël na qëlloi me fat
Sado është i vogël,na u bë sektor
Brigadierin seç e ka dorac
Dhe përgjegjësin na e pasak qorr!!!
Jepnin e merrnin të rriturit që ta pushonin,pse mbyllej goja e Latos.Po kishte dhe më keq se sa kaq. Kishin zënë një burrë që puthej me gruan e botës.Epo kanë ndodhur dhe në fshat këto gjëra.I zunë dhe i sikterisën,por bojën ua nxorri Latoja.Ky ashtu si ujku që kërkon mjegull që të sulmojë mbi kopenë,ruante kur mblidhej njerëzia dhe fillonte.Siç dhe filloi  për këta"lumzestë":
"Tek shega e Muratit
E gjetën Alinë
Nuk po hante shegë
Po puthte Selvinë!...
Mileti binte përmbys nga këto të thëna të Latos dhe vërtet që u bë hall mbi hall.Po dilte fjala e xha Myrtes:-Ruhuni nga Latoja,se ua nxorri çipllak me të lara e të palara.Latoja qe rritur tashmë,po kishte mbetur nën mesataren e shokëve.Shtatin të shkurtër,gjuhën të gjatë.Të gjatë e të hidhur.
Ndonjëherë,me që fshati është buzë xhadesë,dilte atje dhe,sa shihte ndonjë me biçikletë,e ndalte( e zinte shul e shul xhadenë,tek hapte krahët) dhe bërtiste:-Ndal,"patentën!".Në ishte i fuqishëm ai që vinte mbi biçikletë,Latoja nuk  e bënte atë kërkesën për"patentë",por qejfi i tij qe kur kalonte ndonjë femër (përgjithësisht,kështu vinin mësueset) dhe u vilte "vergjinë".Veç qe pa dëm.Kurrë nuk kërcënonte.Edhe po mos t'i jepnin gjë,nuk ngulte këmbë.Pak po të dëgjonte qoft dhe nën zë ndonjë gjë,ai zinte dhe vinte tellallin,sikur këtë ta kish punë.Po të shihte me femra,të kurdiste ndonjë bejte aty për aty.
Ja po vinte drejtori i shkollës,futur në mes dy mësueseve dhe,me që e dinte që Latua nuk të linte pa shpoti,drejtori i foli i pari dhe si me politesë.Siç mendonte,duke i folur,do ta torolliste Laton dhe t'i shpëtonte ndonjë rromuzi.Dhe ndaj dhe i foli:
-Lato,ç'kemi?
-Mish patate dhe koqe demi!!!
Mësueset dhe drejtori u skuqën si të vëna mbi prush,por gjindja për rreth u shkërrmoqën së qeshuri.
                                   
                                  *    *    *  
Po dhe Laton një ditë prej ditësh,sado që rronte ku rafsha mos u vrafsha,e gjeti kusuri.Qe koha kur  në rrethin tonë erdhi për vizitë,Çu En Lai,kryemistri kinez.Erdhi dhe njerëzit seç thoshin nëpër gojë:Jo Çuni i Lalës,jo Maçok Duni e Çini-Maçini.Ata nën gojë,po Latoja,me ta ta parë "mbretin lakuriq",do bërtiste:-Mbreti është lakuriq! Kështu dhe me Çu En Lain.
Bëritste nëpër sektor:
-Erdhi Çuni i Lalës
Nga Çini-maçini
I tha Enver Hoxhës
Nuk bën më Stalini!!!
 
Tani s'ka më Stalin
Po ka Maçokdun   *
Kështu tha Çuni i lalës
Kështu them dhe unë.
 
I dhanë dhe i morën Latos që mos e këndoj këtë këngë.Po pse dëgjonte ai?Pastaj,ndonjëri që donte ta ndihmonte,i thoshte:-Jo Maçokdun,po Mao Ce  Dun! Dhe Latoja:-Pse mua do ma hedhësh ti?Pse nuk e njoh unë Maon,atë eliktirxhinë?Se vërtet në fshat kishim një Mao ne,po ku  ta dinte Latoziu se ky,Maoja,e kish emrin Muhamet,po shkurtmisht i kish mbetur kështu.
Dolëm dhe në xhade si fshat për ta nderuar Çu En Lain,po ndahej Latoja.Këngës si në shtatë puset,kur i thonë.Mirëpo një ta përfshirë ata të degës dhe e "sakatuan".Kur erdhi nga dega,ata,djemuria e pyesnin:
-Ç'të bën atje,në degë?
-S'ishte degë,po ishte"vegë"
Se më rrahën si me dybek
Një me shqelmë nga këmbët
Një me grusht nga dhëmbët.
-Po pse,pyesnin sikur s'e dinin?
Që të thosha Maoja është nga Çini-maçini.Unë u thosha është nga fshati dhe ai i Kinës është Maçokduni.Dhe,sado me dhëmbë të thyer, ashtu e quante.Kishte dhe një të mirë Latoja:-Edhe t'i prisje kokën,nuk tregonte në i besoje gjëkafshë.
-Më ka thënë pepja(babai),kurrë mos trego në të beson tjetri diçka.
                           *   *   *  
Pepja(babai) i kish dhënë 250 lekë dhe e dërgoi për bukë.Shtisja qe shumë korrekte:i dha bukën dhe i ktheu dy qindshe.Latua u gëzua shumë që dha një para dhe mori,veç bukës,"dy para".Dhe i tha këngës:
 
-Moj Hava,moj Hava
Unë të dhashë një para
Ti më dhe një bukë
Dhe "dy para"..
 
Të nesërmen erdhi prapë Latoja për të blerë bukë,por tani kish vetëm 50 lekë.Havaja(shtisja) i dha bukën.Latoja nuk luante:-Dua dhe dy para! Jepte e merrte Havaja,pse luante Latoja.Pa ç'pa,e shkreta Hava,i dha dhe dy dhjetëshe.Po më Laton nuk e dërguan nëpër dyqane.
 
                                    *    *   *
Prindërit vendosën ta martojnë.I gjetën dhe nuse.Por Latoja (që të nesërmen u mor vesh) tek do bënte atë"punën" që bën çdo dhëndërr me nusen,na e kish futur"jangllësh" atë"meremtin".
-Lato,- kish bërë zë nusja,- e ke futur në "bythë".Po as që dinte Latoja për ato"dallime".Dhe nusja që të nesërmen,iku.
-Pse të iku nusja,Lato?-pyesnin djemuria,sado që e kishin dëgjuar me dhejtra herë ç'u kish thënë Latoja.
-Iku se qe budallaçkë,- thoshte ai,fare pa teklif.Më tha:-E ke në"bythë",po në bythë e kishte ajo.Dhe shkërrmoqej duke qeshur.
Ha-ha,- oshtinte të qeshurit e djemurisë.
-Uh,lanet,- bënin pleqtë.
-Pu-pu,- shkulnin faqet graria.
Po kur them unë,- ndërhynte xha Myrtja,- trazoheni,trazoheni se të tjera  rrurrëza do nxjerë.
Por Latoja vetëm qeshte dhe bënte tutje-t'hu kur ç'tregonte qe fare normale dhe ç'kishte për të qeshur,xhanëm?...
Duke e mbyllur,u kërkoj ndjesë lexuesëve për atë pjesën"vulgare" dhe mos më nxjerrin gjuhën se një njeri që e kam përlyer tregimin tim.E kam bërë vetëm e vetëm për të dhënë portretin e një barboni që,në fund të fundit,është model i pastërtisë dhe i padjallëzisë.Një njeri që kurrë nuk vë maskë dhe është transparent si xham.
 
                              19 janar 2011

2012-01-18

James Berisha: I lumtur që kthehem gjallë në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli ka arritur ta lirojë nga burgu pilotin shqiptaro-amerikan, James Berisha.

Lirimi i tij është konfirmuar edhe zyrtarisht. "Aktualisht zëvendëskryeministri Pacolli bashkë me pilotin Berisha gjenden në udhëtim e sipër nga kryeqyteti i Eritresë, Asmara, për në Stamboll, ku edhe do të kalojnë natën, ndërsa nesër (e enjte) ata do të arrijnë në Prishtinë", thuhet në komunikatën e zyrës së zëvendëskryeministrit Pacolli. 
 
Ndërsa Berisha ka shprehur gëzimin e tij që po kthehet në atdhe.

“Jam i lumtur që më në fund po kthehem në atdhe i gjallë. Ditët në burgun e shtetit afrikan janë dukur si vite të tëra. Do të doja të shihja të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në aeroport, dhe ju ftoj të vini”, ka thënë Berisha pas lirimit, transmeton Indeksonline, i cili sjell edhe foton e bërë sot gjatë ditës bashkë me Pacollin. 

Flaka e Janarit sivjet si “Tri dekada lirie”

Me akademinë përkujtimore për dëshmorët e rënë gjatë janarëve të historisë, koncertin e muzikës serioze dhe “Penelin e Flakës”, në Gjilan  kanë vazhduar aktivitetet në kuadër të manifestimit kulturor tradicional, “Flaka e Janarit 2012”, i 21-ti me radhë.
 
Në Akademinë përkujtimore të “Flakës së Janarit”, që këtë here është titulluar “Tri dekada lirie ”, e cila u mbajt të martën në mbrëmje, kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa , tha se “Flaka e Janarit” u themelua së paku për dy arsye të mëdha, për ta kujtuar dhe nderuar përherë veprën e Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Rexhep Malës e Nuhi Berishës, dhe për ta mbajtur ndezur e përcjellë tutje idenë dhe përcaktimin e saktë dhe këmbëngulës të popullit të Kosovës për çlirim.

” Flaka e Janarit” i kreu që të dy këto dy misione të saja me plot sukses deri tani”  , tha Mustafa, duke shtuar se dëshmorët e kombit na e krijuan rastin që të punojmë e krijojmë në liri, që të themelojmë komuna demokratike dhe shtet demokratik.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, duke përkujtuar tridhjetë vjetorin e rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës, tha se Qeveria e Republikës së Kosovë shpreh gjithë admirimin për punën, veprën dhe rënien heroike të këtyre heronjve. Ai tha se Jusufi, Bardhoshi e Kadriu, ishin ata që e dhanë idenë dhe e mbrojtjen me guxim. “Ata janë heronj jo vetëm për mënyrën tinëzare se si u vranë, por edhe për idenë dhe qëllimin që e zhvilluan në jetë”, tha Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi tha se qëllimi i të gjithë atyre, për breza me radhë, që nga Adem Demaçi dhe nga shokët e Jusufit e mbajtën gjallë Flakën e Janarit, që u ndezë tutje edhe me Rexhep Malën e Nuhi Berishën, me Afrim Zhitinë e Fahri Fazliun, por u ndez shumë hapur me Adem Jasharin .

Ai tha se Flaka e Janarit u mbajt gjallë edhe me luftë e UÇK-së anekënd Kosovës dhe sot është gjallë, mbahet nga qytetarët e Kosovës, në shtetin e Kosovës dhe në kombin shqiptar. Kuçi edhe sot pas 30 vite Jusufi, Kadriu e Bardhoshi dhe tjerët mendojnë për ne dhe ne mendojmë më shumë për ta, jo si flakadanë të Flakës së Janarit, por si ngrohës të mendjes së ideve për ta pasur një shtet modernë, demokratik dhe të zhvilluar.

Hydajet Hyseni tha se bëhen 30 vite që na bashkon kjo datë e Janarit të acartë dhe tash e mbi 20 vjet kjo datë me të drejtë quhet ‘Flaka e Janarit”. Ai tha se kjo ditë bashkon në vetvete dhembje, mall e krenari, që është kthyer edhe në një ditë nderimi e reflektimi për ata që u bënë theror në themelet e kësaj lirie që po gëzojmë sot. Kurse Hysen Matoshi, foli për veprën e Kadri Zekës, duke e vlerësuar si një atdhetar i pakompromis në rrugën e lirisë. 

Ngritet shtatore për Jusufin, Bardhoshin e Kadriun, para ndërtesës së qeverisë te ish-Rilindja.


Nën patronazhin e Kryeministrit Hashim Thaçi u mbajt Akademi përkujtimore, me rastin e 30 vjetorit të rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që më 28 nëntor, në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, të ngritet shtatore për Jusufin, Bardhoshin e Kadriun, para ndërtesës së qeverisë te ish-Rilindja.
Në Akademinë përkujtimore me rastin e 30-vjetorit të rënies së atdhetarëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, bëri të ditur se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ngritjen e shtatoreve të këtyre veprimtarëve, para ndërtesës së Qeverisë, objekti ish-Rilindja.
Kuçi tha se veprimtaria e tyre për lëvizje kombëtare është bërë frymëzim për të vazhduar luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Bashkëveprimtari i Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Hydajet Hyseni, tha se 30 vjetori i rënies së tyre e gjen Kosovën shumë më lart dhe shumë afër të realizimit të idealeve të tyre.
Vajza e Jusuf Gërvallës, Donika, njoftoi në këtë Akademi përkujtimore, se në Gjermani ka filluar një iniciativë, që kërkon nga Qeveria gjermane kthimin e dekoratave të dhëna Josip Broz Titos në kohën kur ai ishte kryetar i Jugosllavisë.
Në Akademinë përkujtimore, u tha se 30 vjet më parë, më 17 janar të vitit 1982, lëvizja politike kombëtare mori një goditje të rëndë.
Jusuf Gervalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla, ishin në krye të një projekti të rëndësishëm, që kishte për qëllim avancimin e interesave kombëtare.
Amaneti dhe vepra e tyre vazhdoi rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Kukës: Rritet interesi për zhvillimin e turizmit dimëror


Në një lartësi prej rreth 1400 metrash Kroji i Bardhë është vetëm 30 kilometra larg qytetit. Po ashtu edhe Shishtaveci, apo Novoseji, që janë vetëm 37 kilometra larg qytetit të Kukësit. Janë zona që i kanë të gjitha mundësitë për zhvillimin e turizmit malor.
Kukës: Rritet interesi për zhvillimin e turizmit dimëror



























R.Hoxha

- Një ditë e ftohtë, por pa lagështi. Vetëm syri të sheh bardhësinë në shtigjet e largëta të Gjalicës, pak dëborë, edhe pse është fillim janari.

Një dimër i çuditshëm e rrallë i ndeshur kësisoj, pa reshje e me temperaturë mbi zero. "Është një kohë e përshtatshme për udhëtime drejt vendeve që të ngjallin ndjesinë turistike, udhëtime që të kujtojnë rininë, udhëtime që tani janë harruar nga të rinjtë", thotë Ardiani, mësuesi që ka marrë rrugën drejt Krojit të Bardhë në malin e Gjalicës, një pikë turistike që po bëhet gjithnjë e më e njohur jo vetëm nga vendasit, por edhe nga turistë e gjuetarë nga zona të tjera të vendit. 

Ajo gjithnjë e më shumë pret mysafirë e turistë, që duan të njohin dimrin e ashpër të maleve tona. Ky dimër ka bërë që udhëtimet përmes rrugës së Grykës së Vanave, që ndan Gjalicën e Koretnikun, që është edhe rruga e vetme që të çon drejt Shishtavecit, staneve të Novosejit, të jenë të përditshme. Jo vetëm për banorët e qytetit të Kukësit, por edhe nga zona të tjera të vendit, duke sjellë popullimin e këtyre zonave turistike. 

Të tillë vizitorë kanë bërë që te vendasit të forcohet bindja se zhvillimi i turizmit malor është mjaft fitimprurës. Aq më tepër tani që edhe infrastruktura rrugore i ka afruar këto zona me zonën fushore. 

Në një lartësi prej rreth 1400 metrash Kroji i Bardhë është vetëm 30 kilometra larg qytetit. Po ashtu edhe Shishtaveci, apo Novoseji, që janë vetëm 37 kilometra larg qytetit të Kukësit. Janë zona që i kanë të gjitha mundësitë për zhvillimin e turizmit malor. 

Turizmi malor është ende në fillimet e tij 

Ndryshimet janë vetëm në fillimin e rrugës. Pasi ende, pika turistike ku funksionojnë edhe lokale tregtare, frekuentohen pak. E tillë është pika turistike pranë Gurit të Mëngjesit në Shishtavec. "Gjatë dimrit lokali nuk funksionon sepse nuk ka klientë. Lokali nis punën në fund të muajit prill deri në tetor", tregon pronari i tij, Behudin Murati. 

Ai tregon se gjatë verës klientët janë të shumtë dhe vijnë këtu nga i gjithë rrethi, apo nga zona të tjera, madje edhe nga Kosova. Vijnë nga qyteti, por edhe nga fshatrat e Kosovës. Vijnë për ajrin e pastër. Por, këtu nuk mungojnë edhe pistat natyrale të skive që presin të shfrytëzohen. 

Edhe ndonjë grup që i afrohet Gurit të Mëngjesit, kryesisht për sportin e skive, vendqëndrimin e ka në fshatin Shishtavec, banorët e të cilit janë të njohur për mikpritje e gatimin karakteristik. Madje dy muaj më parë në këtë fshat u organizua edhe panairi i gastronomisë vendase. 

Kukës: Rritet interesi për zhvillimin e turizmit dimëror
Kukës: Rritet interesi për zhvillimin e turizmit dimëror





































"Jemi të njohur jo vetëm në shkallë vendi, por edhe më tej, të rinjtë tanë që i janë drejtuar emigracionit, kryesisht kryejnë punë në kuzhina. Ky është profesioni që e trashëgojmë nga brezi në brez", thotë 72 vjeçari Hyrmet Demiri, që ka punuar mbi 40 vjet si kuzhinier. 

Një tjetër pikë turistike po bëhet edhe Pylli i Mështeknave, ku thuajse çdo ditë janë të pranishëm vizitorë të ardhur nga zona të ndryshme, madje edhe të huaj, kryesisht nga Kosova. 

Kështu ndodh edhe te stanet e Novosejit. Prakticiteti për të ndërtuar jetën edhe në mal është virtyt i njerëzve të punës. Një prej tyre është Mahmut Noka te stanet e Novosejit. Pas vitit '90 vëllezërit e tij u larguan në drejtim të Tiranës. Tani banesat e tyre, Mahmuti i përdor për turistë e vizitorë, që kalojnë një natë aty mes malesh. 

"Tani nuk kam shumë vizitorë, ndërsa në muajt e verës vizitorët janë të përditshëm, bile qëndrojnë deri në një javë. Ndërsa tani kalojnë një natë e largohen. Gjithsesi më parë gjatë dimrit nuk shihnim njeri pranë banesave tona, ndërsa tani kemi vizitorë edhe në dimër", thotë i kënaqur Mahmuti. 

Nuk janë vetëm këto pika turistike, është edhe "Sasati", "Kroji i Kuq", 'Kroi i Bardhë", që kanë nisur të vizitohen jo vetëm gjatë verës, por edhe në dimër. 

Pikat e tjera turistike kanë nisur të vihen në punë 

Njëra anë e Gjalicës, që shihet edhe nga qyteti i Kukësit, ka nisur të vizitohet. Në këtë anë ndodhen disa prej bjeshkëve të mira të Gjalicës, që gjatë verës mbushen plot. Kështu ka nisur të ndodhë dalëngadalë edhe gjatë dimrit. Një prej tyre është Kroi i Kuq, një nga bjeshkët më të mira të Gjalicës. 

Kroi i kuq ka nisur të pëlqehet jo vetëm nga banorët e fshatrave përreth, por edhe nga shumë vizitorë nga zona të tjera të vendit. Kjo edhe për faktin se deri afër tij ka edhe rrugë makine, një rrugë e ngushtë ku makina lëviz me vështirësi, por gjithsesi të heq mundimin e të ecurit më këmbë nëpër shpatinat e rrëpirta të malit. 

"Rruga e makinës na bën t'i drejtohemi për ushtrimin e sportit të skive. Aty ka edhe një lokal për të na shërbyer ushqimin, por edhe ndonjë pije", tregon Islam Cengu, mësues në fshatin Shtiqën. 

Islami tregon se tashmë numri i vizitorëve është në rritje, kur vetëm pak vite më parë gjatë gjithë dimrit nuk kujtohej kush të ngjitej deri te Kroi i Kuq që ndodhet thuajse afër majës së malit Gjalica. 

Vizitorët kanë mësuar edhe për pikat e tjera turistike që ndodhen jo shumë larg. Të tilla janë Kroji i Ramës, Kroji i Kishës dhe Kroji Tatzot, që vizitohen vetëm nga pasionuarit pas alpinizmit dimëror.

Vendet e përshtatshme turistike janë edhe të tjera si Sasati në lartësinë e mbi 1700 metrave mbi nivelin e detit. Sasati është i njohur, pasi në stinën e verës ai mbushet plot me vizitorë që qëndrojnë deri sa vjen dimri. 

Kukës: Rritet interesi për zhvillimin e turizmit dimëror
Kukës: Rritet interesi për zhvillimin e turizmit dimëror





























"Tani ka nisur të vizitohet edhe në dimër. Nuk mungojnë banesat e vogla të barinjve që mbushen gjatë verës. Kjo gjë po ndodh edhe në dimër", tregon Flamur Cengu nga fshati i Shtiqnit.

Kanë qënë edhe investimet që kryejnë vetë banorët që po i nxisin vizitorët të njohin më mirë verilindjen, deri tani të harruar. Vetë biznesmenët vendas po ndërtojnë një hotel në pyllin e Mështeknave, një tjetër te ura e Lapajve, pranë fshatit Bushtricë. 

"Është vetëm fillimi i një pune që sa vjen e rritet në shërbim të zhvillimit të turizmit, ndërsa investimet në këtë drejtim sa vijnë e rriten", thotë përgjegjësi i zyrës së zhvillimit në Këshillin e Qarkut, Shahin Hereni. 
Drejt shtrirjes më të gjerë të turizmit dimëror 

Zhvillimi i turizmit malor ka bërë hapa të rëndësishme përpara në këtë rajon malor të vendit. Kjo ka çuar në shtimin e numrit të banesave turistike në zonat rurale. Po ashtu edhe ndërtimi i autostradës, i aeroportit të Kukësit kanë krijuar mundësi efikase për zhvillimin cilësor të turizmit malor, për të cilin kërkesat janë gjithnjë në rritje. 

Kjo ka bërë që nga specialistët vendas puna të përqendrohet në përgatitjen e projekteve zhvillimore të shtrirjes së zhvillimit të turizmit në bashkëpunim edhe me komunën e Prizrenit. 

"Në shërbim të zhvillimit të turizmit janë përgatitur 10-12 projekte, ndërsa fondi i akorduar për to arrin në rreth 200 mijë dollarë, fond i qeverisë shqiptare dhe i PNUD-it. Përmes këtij fondi është parashikuar edhe ndërtimi i një tregu në fshatin Shishtavec dhe caktimi i një dite tregu në bashkëpunim me komunën e Dragashit, gjë që do të shënojë tregun e parë të përbashkët mes dy vendeve etj", thotë Hereni.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...