Mund të jenë edhe 1,000. Por, në fakt, autoritetet kosovare nuk e dinë saktësisht numrin e forcave që Serbia ka sistemuar brenda strukturave të veta të sigurisë në veri të Kosovës, që Prishtina i quan si struktura ilegale. Por çka dinë saktë institucionet në Prishtinë, është se shërbimet e inteligjencës policore dhe ushtarake serbe, ka argatët e vetë matanë Ibrit. Ka policë dhe ish-policë të MUP-it.
Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi tha për Radion Evropa e Lirë, se shtrirja e institucioneve serbe të sigurisë në veri, është e evidentuar.
“Në numër është shumë vështirë të dihet numri. Por në shumicën e rasteve, është llogaritur se janë diku rreth 200 deri në 400. Ky numër ka variruar varësisht nga situata. Këto janë struktura të MUP-it. Kurse për strukturat e BIA-së nuk kemi ndonjë informacion".
"Ndërsa të Mbrojtjes Civile, llogaritet diku që mund të jenë rreth 500-600, se aty përfshihen edhe zjarrfikësit, edhe përpara mbrojtja territoriale-siç e kanë quajtur-kanë funksionuar të gjithën nën petkun e Mbrojtjes Civile,” numëroi ministri.
Ai sqaroi se Serbia ka struktura të shtrira në veri që vijnë nga aradhet e policisë, dhe ish-pjesëtarët e MUP-it.
Detaj tjetër, sipas ministrit Rexhepi, është se disa prej këtyre policëve të Serbisë janë qytetarë të Kosovës, por ka edhe nga Serbia.
Beogradi zyrtar, në veri ka funksionale edhe Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës-BIA, por jo vetëm kaq siç shpjegon ministri.
“Kanë edhe një formacion të inteligjencës ushtarake. Dhe si struktura ilegale të cilat kamuflohen nën petkun e veprimeve emergjente, ose të mbrojtjes civile, janë ish-strukturat qoftë ushtarake të formacionit, që nën petkun e zjarrfikësve ose reagimeve emergjente, kanë pretendime edhe ata që në situata të caktuara të jenë të armatosur dhe të veprojnë,” shpjegoi Rexhepi.
Kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq janë duke tentuar që të gjejnë një zgjidhje në Bruksel për zhbërjen e strukturave që Serbia ka në veri të Kosovës. Ose të paktën përfshirjen e këtyre nëpunësve në strukturat kosovare të sigurisë.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati tha se negociatat për këtë problem, po bënë që këto formacione në terren të shtojnë veprimet kriminale.
“Ato janë struktura kriminale, të cilat thjesht po e vlerësojnë se ju ka ardhur fundi. Edhe janë të interesuara të bëjnë çrregullime maksimale, për të mundur edhe më tutje eventualisht të mbijetojmë. Janë struktura të cilave nuk ju konvenon qetësia, nuk ju konvenon paqja. Prandaj, ata bëjnë krejt çka është e mundur që të krijojnë probleme, e të krijojnë destabilizim. Por sigurisht se nuk do t’ia dalin”, tha ai.
Edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, thotë se nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i ka informacione që e konfirmojnë praninë e të paktën tri formacioneve të sigurisë që Serbia ka në veri të lumit Ibër.
Por sqaron se nuk është kompetent për t’i numëruar ato.
Në ndërkohë, Prishtina zyrtare ka bërë gati një plan për periudhën transitore, që pritet të pasojë me fillimin e zbatimit të marrëveshjes për zhbërjen e institucioneve që Serbia ka në veri.
---------------------------
Një ekip me ushtarë amerikanë po përgatitet të vijë në Kosovë. Ekipi planifikon të arrijë në këtë pranverë dhe do të përbëhet prej qindra ushtarëve.
Ata me selitë e Brigadës 525 dhe Skuadronin e Parë të Regjimentit të 38-të të Kalorësisë, do të vijnë këtu.
Kur ushtarët e Brigadës 525 të Monitorimit të Fushës së Luftës do të dërgohen këtë vit jashtë vendit, do të jenë në një mision krejtësisht të ndryshëm prej atij që presin.
Qindra ushtarë me selitë e Brigadës 525 dhe Skuadronin e Parë të Regjimentit të 38-të të Kalorësisë, do të dërgohen këtë pranverë në Kosovë, kanë bërë të ditur zyrtarët.
Misioni në Kosovë është harruar nga publiku amerikan për shkak të mbetjes në hije të luftërave në Afganistan dhe Irak, ku ishin dërguar ushtarë të Gardës Kombëtare dhe rezervistë të ushtrisë.
Kur Brigada 525 do të dërgohet në Kosovë për të marrë komandën e Grupit Multi-nacional të Lindjes, ky besohet se do të jetë njësiti i parë aktiv ushtarak që do të marrë komandën pas pothuajse një dekade.
“Ishte menaxhuar kryesisht nga forcat e Gardës dhe të Rezervistëve, që kishin bërë një punë të mahnitshme”, ka thënë koloneli Xavier Brunson, komandant i Brigadës 525.
Brunson, një vendës i Fayetteville, nuk do të dërgohet në mision me brigadën e tij. Ai do t’ia dorëzojë komandën kolonelit Dave Woods në një ceremoni në mars.
Por ai kishte mbikëqyrur ushtrimet e misionit dhe ka thënë se Kosova do të përbëjë sfida për brigadën, që në fillim ishte përgatitur për mision në Afganistan, ku po shërbejnë dy prej batalioneve të brigadës – batalionet 319 dhe 519.
“Do të jetë një gjendje e re mendore”, ka theksuar ai.
Ndryshe prej Afganistanit, në Kosovë nuk do të përballen me luftime të ashpra, ka thënë Brunson. Në vend të kësaj, ushtarët e tij do të punojnë me zyrtarët lokalë për të ndihmuar në sigurimin e lirisë së lëvizjes ndërmjet enklavave etnike.
“Si mund t’i ndihmojmë ata?” ka pyetur Brunson. “Ne mund të mos jemi prijës. Ne mund të jemi informues. Ne duam të sigurojmë se është e sigurt dhe pa asnjë rrezik që njerëzit të shkojnë kudo që duan”.
Kosova është një shtet relativisht i ri në Gadishullin Ballkanik në lindje të Evropës, në veri të Greqisë. Kosova e ka deklaruar Pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.
Prania amerikane në këtë vend daton qysh në vitet nëntëdhjetë, kur forcat e NATO-s dhe shtete e tjera partnere dërguan një forcë paqeruajtëse për t’i shuar tensionet ndërmjet Kosovës dhe Republikës Federale të Jugosllavisë.
Në një moment, forcat e huaja në Kosovë kishin kaluar shifrën prej 50 mijë trupash, kanë bërë të ditur zyrtarët. Tani ndodhen vetëm 5.600 ushtarë.
Brunson, i cili ka qenë në mision në Kosovë në fund të viteve nëntëdhjetë, ka thënë se shumëçka ka ndryshuar pas një dekade.
Këtë e kishte parë me sytë e tij, kur kishte vizituar në fillim të këtij viti Kosovën për të përgatitur dërgimin e ushtarëve në mision.
Brunson ka thënë se ishte duke u përgatitur për të dalë prej bazës së NATO me zyrtarë të tjerë, kur kishte vënë helmetën dhe jelekun antiplumb. Zyrtarët i kishin thënë se nuk ishte e nevojshme ta bënte një gjë të tillë.
“Gjendja ka ndryshuar shumë”, ka theksuar Brunson, duke treguar se afër selisë së NATO-s në Prishtinë po zhvillohej biznes i suksesshëm. “Mbaj mend se dikur nëse kthehesha pa rënë terri, do të mund të hasje në telashe”.
Situatë krejtësisht e ndryshme
Por tani, “konflikti nuk është i dukshëm”, ka theksuar Brunson. “Njerëzit po merren me jetën e tyre”.
Një ndryshim tjetër është bashkëpunimi ndërmjet shteteve, ka treguar Brunson.
Kur Brigada 525 të arrijë në Kosovë, do të punojë bashkë me ushtarë armenë, gjermanë, marokenë, polakë, turq dhe ukrainas.
Në vitin 1999, kur Brunson kishte shërbyer në Kosovë, shumë prej shteteve kishin ushtarë në mision, por nuk kishte bashkëpunim të madh.
“Secila forcë ishte një ishull”, ka thënë Brunson. “Tani gjithçka është globalizuar”.