2013-03-14

Kozeta Zavalani: Ju tregoj si më "rrëmbeu" radio dhe TV

Kozeta Zavalani.jpg
Kozeta Zavalani lindi në qytetin e Korçës në 8 mars 1958. U diplomua në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës me 1982 dhe në vitin 1985 është specializuar për gazetari. Qysh nga viti 1992 puna e saj është përqendruar në gazetari. Punoi në Televizionin Shqiptar dhe botoi revistën “Stina për ndryshim”, ndërkohë që ka punuar intensivisht me organizatat ndërkombëtare të grave duke bërë të njohur shoqërinë femërore shqiptare edhe në vende të zhvilluara. Ajo ka marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare, kushtuar gruas në vende të tilla si në Holandë, Itali, Amerikë, Poloni, Marrok, Norvegji, etj. Ka kryer një sërë kualifikimesh pasuniversitare dhe ka kontribuar si lektore në konferencat : “Mbi menaxhimin e kohës” nga Vrije University, në Amsterdam të Holandës, “Burimet njerëzore dhe lidershipi” nga Instituti ISIDA në Palermo të Italisë, ku është laureuar me titullin: “Doktor”. Tani është kryeredaktore e revistës “Stina për ndryshim” organ i “Familja dhe Media – Fuqia për Ndryshim” një shoqatë që ka themeluar për të ndikuar në forcimin e familjes, nën parullën “Një familje e shëndetshme për një shoqëri të shëndetshme”. Si anëtare e Shoqatës së Gazetarëve Ndërkombëtarë Profesionistë dhe Rrjetit Botëror të Grave, bashkëpunon me shoqatën “FIDAPA”në Itali, “Women and Peace”, UNESCO në Greqi, “Dirigenteas” në Paris, WIN - Zvicër, “Women Abroad” Angli, GlobeWomen, CIPE, TIAW dhe WIPP në Uashington D.C. etj. Nga Konferencat Ndërkombëtare ka marrë frymëzim për librat “Gra që më kanë frymëzuar” dhe “Gjysmëbota”, intervista me gra të suksesshme nga vendi dhe bota, realizuar në harkun kohor 2000-2007. Është zgjedhur ”Ambasadore për Paqen” nga Federata e Familjes për Paqen Universale dhe "Connect Us Communications Canada" në edicionin e vitit 2007 ka shpallur Kozetën, ndër më të mirat; “Women of the World - 2007”. Është nderuar me Çmimin e dytë në takimin e poeteshave shqiptare në Vushtrri dhe Çmimin e parë për cikel me poezi nga Redaksia NOSITI Në "Netët Korçare të Poezisë" korrik 2010 fitoi "Cmim Special" për krijimtarinë letrare me nivel të lartë artistik, duke sjellë vlera të spikatura dhe të qendrueshme në fushën e poezisë.
Botime nga Kozeta Zavalani Në 1976 bashkautore në librin me poezi “Këngët e para” dhe në 1978 në vëllimet me tregime 2-4-6 “Heronj të heshtur”. Ka botuar nga 1997-2002 gazetën periodike të SHGPA-së “Edhe menaxhere”. Në vitet 2000 – 2002 vëllimet 1 e 2 të librave “Gra që më kanë frymëzuar” dhe në anglisht “Women who have inspired me”. Në 2005 botoi librin ”Halfworld”, në 2007 vëllimin ”Gjysmëbota” dhe Buletinin “Të Drejtat e Njeriut” botim i QSHDNJ. Në vitin 2010 -vëllimin poetik “Shtegtare”.




INTERVISTA/ Kozeta Zavalani, ish-folëse e TVSH dhe radio Korça, publiciste, gazetare, fituese e disa çmimeve në aktivitete ndërkombëtare rrëfehet për jetën e saj dhe profesionin që aq shumë e "rrëmbeu".


***


Një grua e qeshur, e qetë, e dashur, aktive, gjithmonë në lëvizje. E sheh kudo dhe gjithmonë me libra në duar. Thuajse i ka provuar të gjitha llojet e mediave të shkruara dhe ato elektronike. Jeta e saj si gazetare filloi në Korçë dhe vazhdoi në RTSH, një udhëtim i këndshëm që i dha asaj sadisfaksion dhe emocione të rralla. Dhe pse ka mbaruar për Ekonomi, hobi dhe gëzimi i saj mbetet gazetaria. Kur bisedon me të, ngelesh paksa i habitur me çiltërinë, por dhe sigurinë e fjalës. Jeta e saj të ngjan me një libër poetik, ku poezia më e bukur i përket momentit të dashurisë. Sa bukur flet ajo për dashurinë.
Plot ndjenjë, ashtu siç dinë të flasin poetët. Në këtë intervistë ajo përcjell emocionet e para në Radio Korça, për ta ndalur rrugëtimin e bukur fonik në Radio Tirana. Ju për një kohë të gjatë ishit folëse në Televizionin shqiptar, kush ju zbuloi si talent në këtë rrugë magjike siç është ekrani? Periudha e punës në TVSH zë një vend të rëndësishëm në jetën time. Por aty nuk u gjenda rastësisht. Ka qenë një investim i gjatë, i filluar vite përpara. Kur isha studente, të gjithë më thoshin që kisha ngatërruar adresë për zgjedhjen e Fakultetit. E vërtetë, por unë i përkas brezit kur në kërkesën e studimit shkruanim së pari ; ku të ketë nevojë atdheu dhe pastaj degën ku dëshironim. Dy të tjerat unë i kisha vënë Gazetari, por për fat të keq atëherë ishte mbyllur dega e gazetarisë…Unë gazetarinë e kam bërë kurs pasuniversitar…Pa u zgjatur midis miqve qe më thoshin se kisha gabuar fakultet ishte edhe regjisori korçar Jani Tane. Ka qenë pikërisht ai që më ftoi në ekranin e TVSh për "Fjala artistike ne ekran", ku unë recitova një poezi timen kushtuar nënës, madje u nderova edhe me çmim. Ishte ky hapi i parë që më bëri të vazhdoja bashkëpunimin me redaksinë e kulturës. Kemi bere emisione mjaft të bukura së bashku me redaktorin Fatmir Alimani dhe më vonë edhe më redaksinë e fëmijëve me redaktor Ilir Kordoni. Pastaj puna me median të thith, të rrëmben në vorbullën e saj duke të tërhequr si circe…Kështu vazhdova të bashkëpunoj edhe në Radio -Tirana, fillimisht me redaksinë e kulturës dhe pastaj tek Radio Tirana për Bashkatdhetarët, njëkohësisht edhe me redaksinë e informacionit me lajmet ne TVSH.


Ju rrugën e gazetarisë e nisët në Korçë, konkretisht tek radio Korça. Mbani mend sa çfarë keni prezantuar për herë të parë dhe çfarë emocioni keni ndjerë? Më kujtohet që me mikrofonin e radios jam lidhur qysh në klasën e 4 fillore. Atëherë kisha fituar një çmim për poezinë më të mirë nga revista Pionieri dhe më intervistoi në shkollë redaktorja e emisionit të fëmijëve nga Radio-Korça, Liljana Raco, Mitre. Si mbaruam inçizimin unë iu luta që ta ndihmoja për emisionet e tjera. Ajo u habit pak me guximin tim dhe më tha se këtë e vendoste drejtori, i ndjeri Andon Mara. Dhe unë pa ndrojtje trokita në zyrën e tij dhe që të nesërmen më besuan magnetofonin, një Uher'gjerman, që rëndonte më shumë se unë dhe unë përgatita emisionin e pare në shkollën 7 Nëntori, ku kisha kryer nga klasa e parë deri të tretën, kurse të katërtën e më tutje e përfundova në shkollën 8 vjeçare Naum Veqilharxhi. Nuk kam pse ta fsheh që ndihesha e privilegjuar mes moshatareve të mia që më shihnin me adhurim, gjë që fatkeqësisht nuk e ndesha kur fillova të punoj, pasi ai adhurim tashmë ishte shndërruar në xhelozi…
Një rrugëtim të dyfishtë....Televizioni dhe radioja cilat janë të veçantat dhe të përbashkëtat e tyre? E përbashkëta e madhe është përgjegjësia për punën, profesionalizmi dhe korrektësia, jo vetëm në drejtim të punëdhënësve të mi, por kryesorja në kontakt me teleshikuesin, me dëgjuesit e publikun e gjerë, që na ndiqte me shume vëmendje dhe admirim, njëkohësisht. Këto veti me kalimin e viteve janë gdhendur përjetësisht tek unë, duke u bërë pjesë e karakterit tim. Nuk mund ta harroj një ditë kur në të njëjtën orë në 15,00, kur unë jepja edicionin e lajmeve te programit të dytë të radios, 5 min, njëkohësisht ishte futur një edicion shtesë në TVSH dhe duhet të isha edhe aty. Nuk e harroj jo për vrapin që më është dashur të bëj nëpër urën lidhëse të katit të tretë, që lidh TV me radion, por sepse në studion e lajmeve të televizionit ishte vetë drejtori i TV Qemal Sakajeva, që më qortoi për fillimin me vonesë të edicionit. Mund edhe të isha pushuar atë çast në vend, se pavarësisht nga impenjimet e mia, para publikut duhet të jesh korrekt së pari me orarin…Ndryshe nga Radio, ekrani ka edhe impenjimin e veshjes, të paraqitjes e përgatitjes paraprake të materialit që do të prezantosh. Kurse në radio, ndonjëherë hyja pa e parë fare materialin, në ekran mundohesha ta lexoja përpara, për të bëre të mundur komunikimin me teleshikuesit…Sot është shumë e lehtë edhe ekrani, sepse me modernizimin e medias, jo vetëm që hyri leximi nga monitori, pa letër, por edhe zhdërvjelltësia e prezantueseve, duke qenë vetvetja, ndonëse ndonjëherë të le për të dëshiruar… Sot do të doje të punoje më shumë në radio apo në televizion?



Unë kam qenë dhe jam e dashuruar me median, elektronike e vizive, paçka se tani jam bere një skllave e medias së shkruar, ndaj do të më pëlqente të punoja kudo. Të them të vërtetën më ka marrë malli të firmos në një bordero; ia kam harruar aromën dhe shijen parasë që të japin të tjerët, pasi ka vite që mundësitë financiare i kam siguruar vetë, nëpërmjet shoqërisë civile, që është një proces shumë i lodhshëm dhe stresant. Me që më pyetët, do doja shumë ti rikthehesha dashurisë së parë; radios. Ju keni mbaruar Fakultetin ekonomik, ju ka ndihmuar kjo degë në rrugën e gazetarisë dhe si? Thonë që një ekonomist mund të bëhet një gazetar i mire, por jo e kundërta. Nuk e di nëse ka ndonjë përjashtim. Megjithëse personalisht nuk ia kam ndjerë shumë nevojën, pasi me gazetarinë jam marrë para Fakultetit Ekonomik dhe pas kursit të gazetarisë (pas universitar). Gjithsesi kur bëhej fjalë për reportazhe me karakter ekonomik, jam ndjerë më e sigurt dhe shkrimi ka ecur shume lehtë. Pse u larguat nga televizioni dhe si i shihni sot konkurrencën mes televizioneve private? Në vitin e çmendur të 1997, kur ishte vendosur shtet rrethimi dhe në Tiranë pas orës 22.00 nuk shihje veçse police, duhet thënë edhe ndonjë gazetar, si unë. Një ndër këto mbrëmje, kur kthehesha nga edicioni i lajmeve kisha marrë me vete edhe djalin e vogël, që ende nuk kishte hyrë në klasën e parë, një plumb i ka fishkëllyet në rrëzë të veshit…edhe mund të ishte vrarë. E tmerruar, të nesërmen kërkova të më zëvendësonin dhe shkova në Greqi, ku janë vëllezërit, për të qenë të sigurt fëmijët, pasi nuk kishin pse të vuanin ata pasojat e çmendurisë…Kur u ktheva fillova bashkëpunimin me një TV privat, ku më lanë hapësirë në emisionin "Gjysmëbota" me gra dhe vajza të suksesshme, që kishin triumfuar mbi vështirësitë, duke lënë gjurmë në jetë. U duk sikur i bëra konkurrencë TVSH dhe nuk më pranuan më, duke më zëvendësuar përgjithmonë.


Ndaj kur sheh se nuk e ke më vendin tënd, ndihesh e pavlerësuar dhe natyrisht do të kërkosh një tjetër. Më ka ardhur shumë keq, sepse njëkohësisht të gjitha mediat private furnizoheshin me kontingjente të TVSH-se, por s'ka gjë, unë gjithmonë e kam gjetur rrugën ku të eci. Jeni ndjerë më mirë në Radio Korça, apo në Radio Tirana në emisionin për bashkatdhetarët dhe pse? Korça, ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin tim të përgjithshëm, duke më pasuruar shpirtin, jo vetëm radioja, por edhe kalldrëmet, blirët e jargavanët, të ndërthurura më serenatat e pavdekshme. Por Tirana i dimensionoi ato, duke u pasuruar nëpër mrekullitë e botës, që kam pasur fatin ti shoh, ti prek e ti ndjej. Persa i takon punës nëpër këto radio, më duket sikur kudo jam ndjerë mirë, pasi i ndërtoj në mënyrë të tillë raportet në punë, sa gjithmonë e kudo i kam bërë vend vetes, me punë, mirësi e profesionalizëm. Në se unë nuk kënaqem nga puna ime, atëherë unë nuk kënaqem nga jeta. Puna që nuk më sjell kënaqësi, është e pa perceptueshme për mua... Në sistemin monist, a keni pasur mundësinë të takoni ndonjë nga ish-udhëheqësit e PPSH-së?
Jo, me përjashtim të sekretarëve te Komitetit të Partisë të Korçës, ku unë jetoja; Mihallaq Zicishti e Enver Halili, për të cilët ruaj konsiderata mjaft të mira.


Një femër publike duhet të ketë histori të bukur dashurie. Ç'është dashuria për Kozetën dhe momentet më të bukura të dashurisë tuaj? Histori të bukur dashurie…Ndoshta mund ta quaj të bukur, pasi thuhet se ku është vështirësia është edhe bukuria. Dashuria ime me mjekun Gjergj Zavalani ka qenë e vështirë për kohën, pasi ne i përkisnim shtresave të ndryshme shoqërore. Jemi njohur qysh në Gjimnazin "Th. Gërmenji" unë në vitin e parë dhe ai maturat. E adhuroja sepse ai përfundoi me të gjitha notat 10-ta, por nuk ia dhanë "Medaljen e Artë"...Ai adhurim pas vitesh u kthye në dashuri, që me zor u finalizua në martesë. Megjithëse vjehrri ka qenë një mësues i nderuar, mua më godisnin me kushëririn e tij, historianin poliglot, shef i seksionit te gjuhës shqipe në BBC, Londër, Tajar Zavalani, aq sa nuk më lejuan më të jepja lajmet në Radio-Korça, porsa ndërrova mbiemrin. Por unë nuk u ligështova; dashuria jonë ishte e fortë dhe e pastër ndaj nuk mund ta njolloste asnjë "njollë biografike". Megjithë presionet për të mos u martuar me të, dashuria jonë triumfoi dhe u rrit e fortë, si ajo lulja në shkëmb, që nuk përkulet nga dallgët e stuhisë. Fati e deshi që të shpërblente dashurinë tonë me dy djem të bukur e të mençur dhe me fitoren e demokracisë, unë tu rikthehesha lajmeve, tashmë në Tiranë, në TVSH. Këto i quaj si momentet më të bukura. Shumë vajza të emancipuara shpesh janë mbytur nga mediokriteti, xhelozia e idetë kanunore të burrave shqiptarë për ta rrethuar edhe dashurinë, kur ajo ekzistonte, me mure. Për fat me mua nuk ndodhi kështu. Unë u dashurova dhe kam fatin të jem e dashuruar, gjë që më jep shumë siguri në jetë dhe mi minimizon vështirësitë. Për mua dashuri do të thotë shumë gjëra: Të duash dhe të jesh e dashur, të japësh dashuri, që është një detyrim dhe të marrësh dashuri, që është një privilegj, të mësosh dhe të rritesh, duke krijuar një baraspeshë mes tyre. Dashuria është mirësia, kujdesi, respekti, është një impenjim e detyrim që kërkon sakrifica. Frikacaket kanë frikë të dashurojnë, kurse unë nuk e njoh frikën. Nuk është se unë nuk kam pasur dështime. Natyrisht, gjithkush i ka ato. Por habitem vazhdimisht dhe nuk rresht së falënderuar Zotin, që unë kam realizuar çdo qëllim që i kam vënë vetes, me vullnet e këmbëngulje. Jeta është si rrjedha e një lumi. Në jetën time ka kaq shumë njerëz të veçantë për të kujtuar, intervista, vëmendje, kaq shumë dashuri. Unë thjesht mund të përzgjedh në kohë një moment më të lartë, pasi çdo moment është një grumbullim i asaj çka ka ndodhur tek unë. Gjithçka që dua të bëj është të ndaj me të tjerët, ato çka unë kam mësuar, kënaqësitë, që unë kam qenë kaq me fat për t'i marrë nga jeta… Të qenit e dashuruar për mua është lumturi që bazohet në sinqeritet dhe ndihmë. Këtë kërkoj edhe prej bijve të mi Mendi e Mikeli, të cilëve njëkohësisht u kërkoj të falur, që shpesh nuk u ndodhem pranë. Suksesi është mjaft i rëndësishëm për mua, por unë nuk e dua suksesin në kurriz të shëndetit të familjes sime. Të qenit e shëndoshë, gjeneron energjinë dhe entuziazmin për punë. Pa shëndet nuk ka punë, unë nuk mund ta imagjinoj të kundërtën, do të ishte një boshllëk për mua. Ka mjaft njerëz, që kanë suksese të jashtëzakonshme në biznes, por jeta e tyre e shtëpisë është rrëmujë. Unë nuk e dëshiroj suksesin në kurriz të jetës sime vetjake. Burri im, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua dhe unë nuk mund ta sakrifikoj atë, për hir të të bërit biznes. Të jesh i suksesshëm, do të thotë të jesh e lumtur në jetë. Unë kënaqem me atë çka jam duke bërë në jetë, duke bërë një ndryshim të vogël në jetët e njerëzve. E di që do të jem duke punuar përgjithmonë. Ky është fati im, prandaj unë dua të marr kënaqësinë maksimale të asaj që kam zgjedhur, për të kaluar kohën e jetës sime. A mendoni se femrat në televizione janë më xheloze se meshkujt?


Jo, nuk do të bëja një ndarje të tillë, por në se ekziston xhelozia, ajo sigurisht është më e fortë dhe më e egër brenda llojit të gjinisë. Ju jeni dhe krijuese, autore e disa librave dhe qindra shkrimeve. Si krijuese dhe si aktiviste e gruas mund të na thoni disa nga titujt që keni marrë? Do të thoja se kur punon mirë; kur çdo punë e vlerëson në maksimum, e gatuan me dashuri, vlerësohesh gjithmonë e shpërblehesh me dashuri. Ndaj vlerësimet më kanë shoqëruar gjithmonë; duke filluar nga revistat "Fatosi" e "Pionieri" deri tek konkurset e fjalës artistike e krijimtarisë letrare ne rang republike. Do te përmendja këtu çmimin e tretë në konkursin letrar-artistik 1979, për poemën "Mirëmëngjes, Baba!" një elegji dhimbje, kushtuar humbjes se tim eti. Duhet të vazhdoj me vitet e fundit me fitimin çmimin e dytë për poezinë"Luledelet e vendlindjes" në Takimin e Poeteshave Shqiptare në Vushtrri dhe së fundi çmimin e parë për një cikël me poezi dhënë me rastin e 15-vjetorit të revistës letraro-artistike "Nositi"... Si veprimtare e gruas kam marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare, që kanë ndikuar jo vetëm në rritjen profesionale, por i kam përcjellë me synim fuqizimin e shoqërisë shqiptare, të familjeve në përgjithësi dhe të grave në veçanti. Kam takuar gra të veçanta, të ndryshme dhe dinamike anembanë botës, duke ndarë përvojat e duke punuar së bashku për të njëjtin qëllim si me zonjën Hillary Clinton, Susane Jalbert, apo Donna Messer, themeluese e drejtuese e "Rrjetit Ndërkombëtar të Grave Komunikuese Aktive" me qendër në Kanada "Connect Us Communications Canada", më shpalli ndër 26 gratë më të shquara të vitit 2007 "Women of the World 2007". Ishte vërtet kënaqësi pasi isha e vetmja shqiptare midis grave të suksesshme të botës.



 Ky vlerësim më ka bërë të punoj më fort, duke kontribuar në botimin e librave "Gra që më kanë frymëzuar", "Gjysmëbota" dhe revistës "Stina për Ndryshim" e cila ka për kryefjalë të saj shembuj nga gra të forta e të emancipuara, modele shpresëdhënëse për të cilat ka nevojë shoqëria shqiptare. Si Ambasadore për Paqen, zgjedhur nga Federata e Familjes për Paqen Botërore dua të përmend thënien hyjnore:"Të jetosh për hir të të tjerëve", që është moto e punës sime. Sot në shoqërinë shqiptare ka shumë debate për bashkëjetesën. Mendimi juaj? Dua të them se ndryshimet demokratike sollën një stad të ri të botëkuptimeve dhe kërkesave ndaj jetës. Pasi kreva disa specializime pasuniversitare, kam pasur rastin të mbaj leksione në konferenca të ndryshme ndërkombëtare të grave, të referoj në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, në Institutin ISIDA të Palermos në Itali, në sallën e Unesco-s në Paris, në CIPE- Uashington D.C, Neë-York apo Los Angeles të SH.B.A., por edhe në Marok, Varshavë, etj.,
Ishte koha kur këndonim "Weend of change"- "Era për ndryshim"
Merrmë në magjinë e momentit të një nate të madhërishme, ku fëmijët e së ardhmes ëndërrojnë në një erë ndryshimesh... Ndaj vendosa të punoj për "Familja dhe Media - Fuqia për Ndryshim" një shoqatë themeluar për të ndikuar në forcimin e pozicionit të familjes, nën parullën "Një familje e shëndetshme për një shoqëri të shëndetshme". Qëllimi është të ndryshojmë për të përmirësuar jetën tonë! Familja është shumë e rëndësishme për mua. Ne të gjithë e dimë sa divorce ka kudo në botë. Familja shqiptare tradicionalisht ka qenë bartëse dhe përcjellëse e virtyteve, luftuese dhe ndaluese e çdo dukurie negative. E vërteta është se sot duket sikur diçka nuk funksionon. Shoqëria shqiptarë në ditët tona po kalon situata dhe po përjeton dukuri që bartin probleme të natyrave të ndryshme, me ngarkesa dhe pasoja negative, për sot dhe për nesër. Mos vallë ne shqiptarët abuzojmë me demokracinë?! Ndaj nuk kam qenë përkrahëse e bashkëjetesës, pasi më duket si një thikë me dy presa. Nga njëra anë, duke parë se sa divorce ka sot kudo në botë edhe tek ne, mendoj se është një mënyrë shumë më e mirë. Pasi vetëm në bashkëjetesë, duke jetuar me njeri tjetrin, të rinjtë kanë mundësi të njihen më mirë, të dinë se ku duhet të tolerojnë njëri tjetrin dhe nëse nuk munden, është më mirë të mos martohen. Por kjo bashkëjetesë ka edhe anën tjetër, sepse duke bashkëjetuar, mjaft çifte kanë riprodhuar veten, duke sjellë në jetë një fëmijë, të pafajshëm, që në rastet kur çifti ndahet pa martesë, foshnja nuk gëzon asnjë të drejtë ligjore…Ndaj mbetem partizane e martesës. Jeni supersticioze në jetë?
Përgjithësisht ne jemi rritur me frymë ateiste, por unë gjithmonë kam besuar dhe besoj fort tek një fuqi e mbinatyrshme që koordinon çdo punë. Jam supersticioze; besoj në disa shenja. Nuk pëlqej që të marr ndonjë vendim të rëndësishëm për ditën e martë e të premte, madje në këto ditë nuk mundem as të krijoj. Çfarë pëlqeni dhe çfarë kritikoni tek një njeri? Vlerat thelbësore që çmoj në jetë janë etika dhe forca e karakterit, korrektësia, inteligjenca e besimi, ndjeshmëria dhe ndershmëria, pasioni e përkushtimi, intuita e kureshtja, energjia e entuziazmi, mjeshtëria për të dëgjuar dhe ndihmuar të tjerët. Këto veti janë rrënjosur fort në ndërgjegjen time nga prindërit e mi, babai Vangjo dhe mamaja ime e dashur dhe e shtrenjtë, Anika, të cilëve jam munduar tu ngjaj në shumë drejtime të jetës. Gjëja që urrej më tepër në jetë është gënjeshtra, hipokrizia dhe mosmirënjohja. Burimi i pasionit tim që i jep forcë karakterit janë dashuria për të ndihmuar njerëzit, ndershmëria, sakrifica, energjia dhe entuziazmi për punë. Mundohem ti bëj të gjitha duke punuar shumë e fjetur shumë pak. Nisur nga këto vlera mund të nxirrni vetë konkluzionin se çfarë pëlqej e çfarë kritikoj tek çdo njeri.


Duke parë pozicionin tuaj, a mendoni se femra shqiptare ka zënë pozicionin e duhur sot në jetë? Jo! Megjithë arritjet në këtë drejtim ka ende shumë për të bërë. Po përmend politikanin dhe filozofin anglez Xhon Stuart Mill, i cili qysh në vitin 1846 ka thënë: "Duket se gruas i erdhi koha", por çfarë do të thoshte ai po të rronte sot? Sepse ne pas një shekulli më vonë po flasim përsëri se gruas i ka ardhur koha dhe kjo shprehet me arsyen e thjeshtë të 30% të përfshirjes së gruas në kandidim. Më e plotë do të qe kjo po të plotësoj numri i deputeteve gra me 30% në parlament. Fuqizimi i grave nuk është vetëm një objektiv, por është edhe një kusht për ndërtimin e një jete më të mirë sidomos për Shqipërinë, që synon të hyjë në familjen evropiane. Duke njohur faktin që roli i grave është esencial në proceset demokratike për reformimin, përtëritjen si dhe modernizimin e shoqërisë, është e domosdoshme që edhe kjo pjesë e shoqërisë, të jetë më e involvuar në të gjitha fushat dhe nivelet e përfaqësimit. Në këtë mënyrë ne jo vetëm i japim kësaj pjese të shoqërisë shanse të barabarta, por njëherazi bëjmë realitet respektimin e të drejtave të tyre si pjesë integrale e të drejtave të njeriut. Promovimi i "shanseve të barabarta" ka të bëjë me mundësitë që duhet t'i jepen çdo individi, për të realizuar performancën e tij më të mirë gjatë jetës së tij dhe kjo padyshim, ka më tepër rëndësi për ato shtresa të shoqërisë, që realisht për shkak të kushteve social-ekonomike janë ende të diskriminuara. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe gratë, natyrisht jo të gjitha kanë pengesat apo kufizime të njëjta gjatë jetës dhe karrierës së tyre. Por do të theksoja se disave u është shkelur e drejta themelore e njeriut, e drejta për të pasur një punë. Çfarë i mungon sot politikës shqiptare parë në këndvështrimin tuaj? Politika ka nevojë për gra dhe gratë janë politikane të zonjat. Ne kemi mes nesh gra të shquara, të cilat në jetën e tyre kanë arritur të krijojnë një figurë shumëdimensionale dhe me shumë vlera të provuara edhe në kohët më të vështira. Kam vite, që me forcën e zërit të shoqërisë civile kam punuar për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në politikë, ndaj mendova të konkurroj edhe në politikë, pasi e rëndësishme për mua është fuqia morale. Nuk ka rendësi se sa i pasur je për të përballuar fushatën, në qoftë se ti ke për ti dhënë shoqërisë, ke kurajë për ti kërkuar votën asaj. Një pjesë e emrave të femrave që kandiduan luajtën me "forcën" e partisë, unë luftova vetëm me personalitetin tim. Ndoshta kjo nuk ishte e mjaftueshme, por gjithsesi dua që gruaja të mos mbetet si fasadë e fushatave elektorale, por të jetë një forcë reale në vendimmarrje. Duke u nisur nga thënia e Zj. Hillary Clinton për gratë: "Liria dhe përparimi nuk kanë lindur nga heshtja", insistoj të them '' të mos heshtim'': sepse zëri i gruas duhet të dëgjohet. Vetëm kështu, duke dëgjuar mbi jetën, mbi opinionet e tyre; duke mbrojtur interesat dhe idealet e tyre; duke i inkurajuar ato për t'i shprehur me kurajë dhe forcë problemet që i shqetësojnë në jetë, gratë do të bëhen një burim i vyer në jetën politiko-shoqërore të vendit. Kjo për dy arsye të forta: të ndikojë tek opinioni publik dhe të gjenerojë debat, si burim i përparimit. Kush është më e rëndësishme për ju, bukuria apo inteligjenca? Të dyja janë të rëndësishme në jetë, ndaj lum kujt ia ka dhuruar Zoti të dyja, por nuk do të vlerësoja kurrë bukurinë para inteligjencës. Kam njohur femra të bukura që më kanë zhgënjyer në bisedë. Kurse një femër inteligjente edhe të mos jetë e bukur në pamje, zbukurohet nga fjalët dhe mendimet që shpreh. Madje kush është i ditur, di edhe të zbukurohet. Siç thotë populli: "Bukuria nuk është prej fisi, kush e diti e kullandrisi." Për ju si poete kush ka më shumë rëndësi libri apo gazetat? Për mua të dyja janë të rëndësishme, pasi jo vetëm të informojnë dhe të zgjerojnë dritare në horizontin e dijeve, por edhe të zbukurojnë e të ndriçojnë shpirtin e mendjen, të japin liri. Do të përmend një thënie të Remarkut:, "Dituria nuk të bën të lumtur, por të jep liri". Megjithatë për mua elitare mbetet gjithmonë libri.

„Errësira nuk mund ta dёbojë errësirën; vetёm drita mund ta bёjë kёtё. Urrejtja nuk mund ta dёbojë urrejtjen; vetёm dashuria mund ta bёjё kёtё.”


Nga Kozeta Zavalani


„Errësira nuk mund ta dёbojë errësirën; vetёm drita mund ta bёjë kёtё. Urrejtja nuk mund ta dёbojë urrejtjen; vetёm dashuria mund ta bёjё kёtё.”

Martin Luter King


Mё 15 janar duhet të kujtojmë Dr. Martin Luter King si njё ndër personalitetet mё tё rёndёsishme tё shek. XX. Luftёn e tij tё suksesshme pa dhunё kundёr diskriminimit tё zezakёve nё SHBA, King e zhvilloi i frymëzuar nga ideja dhe metodat e Gandit. Nё vitin 1964 fitoi Çmimin Nobel pёr Paqe dhe njёsoj si Gandi ra viktimё e njё atentati. Ai u vra nga dora e racistёve tё bardhё nё momentin kur kёndonte kёngё kishtare nё njё miting masiv nё mbrёmjen e 4 prillit. King vdiq nё moshёn 39 veçare. Ai u vra nё kohёn kur popullariteti i tij kishte rёnё dukshёm, kur nuk bёnte mё pjesё nё dhjetё personat mё popullorё nё SHBA.

I njëjti Martin Luter King trajtohet sot nё SHBA zyrtarisht si hero kombёtar. Qё nga viti 1986, çdo e hёnë pas datёlindjes sё tij mё 15 janar ёshtё ditё feste (festa e Martin Luter Kingut). King bёn pjesё nё dhjetё personat e nderuar si "heronj të krishterё tё shek. XX", statuja e tё cilёve gjendet nё abacinё londineze.
Kush ishte Martin Luter King i Riu?
Lindi mё 15 janar 1929 nё Atlanta/Georgia, djalё i priftit zezak baptist Martin Luter King i Vjetri dhe gruas sё tij zj. Alberta Williams King. Edhe pse u rrit i mbrojtur nё njё shtёpi tё pasur nё krahasim me ato tё vendasve tё tij, qё në rini u identifikua me fatin e shumicёs sё motrave dhe vёllezёrve tё tij zezakё. Atij iu dha mundёsia tё shkollohej, fat të cilin e kishte vetёm njё numёr i vogёl afro-amerikanёsh. Nga viti 1948 deri në vitin 1954 studioi teologji nё universitetet nё veri tё SHBA-së. Nё vitin 1954, nё moshёn 25 vjeçare, u emёrua prift nё Montgomery/Alabama, duke vendosur nё kёtё mёnyrё kundёr karrierёs universitare. Qysh njё vit më pas, King, angazhimi me pacifizmin dhe rezistencёn paqёsore i tё cilit deri atёherё kishte pasur natyrё teorike, u ndodh para njё sfide tё madhe, nё momentin kur nё qytetin e ndikuar nga racizmi, Mongomery, nё dhjetor tё vitit 1955 filloi nё mёnyrё spontane bojkotimi i autobusёve. Zezakёt e poshtёruar nuk ishin mё nё gjendje t'i duronin trajtimet poshtëruese nё autobusёt e qytetit. Ata filluan ta refuzonin vendimin pёr t'u ulur vetёm nё ndenjёset e pasme tё autobusit, tё cilat madje duheshin liruar nё rast se nё autobus hynte njё i bardhё. Pastori King, deri atёherё pak i njohur nё Montgomery, u zgjodh president i komitetit tё bojkotit. Pёrparёsi pёr tё ishte fakti se ai ishte njё "fletё e pashkruar" nё sytё e popullsisё sё bardhё.
Ёndrra e Kingut: "I Have a Dream"
Fakti që King, i formuar nё traditёn e baptistёve zezakё nё shtetet jugore, mendoi dhe veproi nё mёnyrё ekumenike nuk ёshtё i rastit . Kuptimi i tij mbifetar i ekzistencёs së krishterë ishte konsekuencë e "ёndrrёs" sё tij. Dhe nё kёtё mёnyrё arrita nё njё aspekt tё rёndёsishёm tё rёndёsisё sё Kingut pёr ne sot: King ishte motivuar nga njё "ёndёrr". Kjo ёndёrr kishte tё bёnte nё radhё tё parё me zezakёt amerikanё dhe kundёrshtarёt e tyre, siç shprehet edhe nё fjalimin e famshёm tё vitit 1963 (gjatёr "Marshit tё Uashingtonit"):"Ёndёrroj se njё ditё ky komb do tё zgjohet dhe do tё jetojë sipas rёndёsisё sё vёrtetё tё kredos sё tij: "Ne e shohim kёtё tё vёrtetё si tё vetёkuptueshme: se tё gjithё njerёzit janё krijuar tё barabartё." Ёndёrroj se njё ditё, mbi brigjet e kuqe tё Xhorxhias , djemtё e skllevёrve tё dikurshёm dhe djemtё e pronarёve tё dikurshёm tё skllevёrve do tё ulen sё bashku nё tavolinёn e vёllazёrimit. Ёndёrroj se njё ditё, edhe vetё shteti i Misisipit, i lodhur nga zjarri i padrejtёsisё dhe shtypjes, do tё shndёrrohet nё njё oaz tё d rejtёsisё . Ёndёrroj se katёr fёmijёt e mi tё vegjёl, njё ditё do tё jetojnё nё njё komb, nё tё cilin nuk do tё vlerёsohen sipas ngjyrёs, por sipas karakterit tё tyre."Kjo ëndërr u bë realitet me zgjedhjen e Barak Obamës në krye të SHBA-së.
Mesazhi i M.L. King
Nёse vёshtrohen trembёdhjetё vjetёt e veprimit publik tё Martin Luter King tё Riut, bёhet e qartё se ai ishte njeri nё udhёtim . Si bashkёkohёs vigjilent dhe i ndjeshёm, nё mendimin dhe veprёn e tij, ai e vuri vazhdimisht veten para sfidave tё reja . Nё Montgomery , nё fillim ai kёrkoi vetёm trajtim mё tё mirё tё zezakёve, e jo heqjen e ndarjes racore! Trembёdhjetё vjet mё pas ai iu dha organizimit tё aksioneve masive pёr mosbindje qytetare nё selinё qeveritare. Ndërsa nё vitin 1964 si nobelist pёrjetoi pёrkrahje tё madhe publike, rrezikoi nё dy vitet e fundit tё jetёs sё tij diskualifikimin shoqёror pёr shkak tё kritikёs sё tij profetike ndaj tё fuqishmёve.

Martin Luter King nuk ishte hero i paarritshëm. Nga fundi i jetёs sё tij ai shprehu shpesh frikёn se ёndrra e tij mund tё shndёrrohej nё makth. Vetёm vdekja e pengoi nё mbajtjen e predikimit nё kishёn baptiste tё Atlantёs me temёn: "Pse Amerika mund tё shkojё nё ferr " ("Why America May Go to Hell").
Rёndёsia e Kingut pёr ne sot
Nёse pyesim pёr aktualitetin e trashёgimisё sё Kingut pёr ne sot, nuk mjafton të kujtojmё vetёm parimet themelore dhe metodat e rezistencёs sё tij kreative paqёsore. Nga njё "apostull i butё i rezistencёs paqёsore", King u bë njё "i shenjtё" i vёrshuar nga shumё interesa. Kur King bёri bilanc pas trazirave tё rёnda tё getove tё vitit 1965 mbi dekadën e parё tё lёvizjes pёr tё drejtat qytetare atij iu desh tё arrinte nё pёrfundimin: Gjendja e a fro- amerikan ёve nё getot e qyteteve tё mёdha, sidomos nё veri tё SHBA-së, ishte keqёsuar. Heqja e ndarjes sё racave nё institucione publike nuk kishte ndryshuar pothuajse asgjё nё diskriminimin ekonomik, nё papunёsinё e lartё dhe nё gjendjen katastrofike tё banimit dhe tё arsimimit nё geto. Metodat e treguara tё rezistencёs paqёsore mbeteshin kryesisht tё pasuksesshme. Kingu e zhvendosi peshёn e kritikёs sё tij nga problemi i racizmit nё atё tё varfёrisё. Ai e kishte tё qartё se problemi i varfёrisё ka dimensione ndёrkombёtare. "Ne nё perёndim duhet ta kemi parasysh se vendet e varfёra janё të tilla pikërisht për shkak të shfrytëzimit që u kemi bërë ne, nëpërmjet kolonizimit politik apo ekonomik." Pёr kёtё arsye, King kёrkonte njё "revolucion tё vlerave" nё vendet perёndimore industriale. "Shpejt duhet tё fillojmё me ndryshimin nga njё shoqёri që bazohet nё çёshtje nё njё shoqёri tё orientuar tek individi. Nёse makinat dhe kompjuterёt, synimet fitimprurёse dhe tё drejtat e pronёs trajtohen si mё tё rёndёsishme se njerёzit, atёherё treshja çmenduri raciste, materializëm dhe militarizëm nuk do tё mund tё ndalet mё. Padyshim ёshtё detyrimi ynë të vihemi në rolin e bamirёsit pёr tё gjithё ata qё kanё mbetur nё mes tё rrugёs, ashtu si ne...

Nё vitin 1964, nё moshёn 35 vjeçare, King fitoi Çmimin Nobel pёr Paqe. Në fjalimin e tij falёndёrues, King u shpreh: "Rezistenca paqёsore është pёrgjigjja e pyetjeve vendimtare politike dhe morale tё kohёs sonё - domosdoshmёria e njeriut pёr të mposhtur shtypjen dhe dhunёn, pa ushtruar shtypje dhe dhunё." Nё vitin 1965 u miratua njё ligj tjetёr, i cili u zgjeroi zezakёve tё shteteve të Jugut mundёsinё e pjesёmarrjes nё zgjedhje. Martin Luter King nuk e pёrjetoi fitoren e tretё. Mё 10 prill 1968 u pranua projektligji, i cili shpallte pёrfundimin e diskriminimit gjatё shitjes sё shtёpive dhe gjatё lёshimit me qira tё banesave.

Lajmi pёr atentatin ndaj Dr. Martin Luter Kingut mё 4 prill 1968 tronditi botёn. Nё kontradiktën dhe kundёrshtueshmёrinё e tij, Martin Luter King ёshtё mё afёr nesh se sa mesazhet e një King-Kulti. Mbas vdekjes sё Kingut, vizioni i tij i bashkimit vёllazёror botёror nuk ёshtё bёrё realitet. Por nёse ne - tё trimёruar nga kujtimi i tij - "flasim pёr tё pazёshmit", atёherё ёndrra e tij ёshtё e gjallё mes nesh.

Thëniet e pavdekshme të Dr. Martin Luter King

Të pavdekshme kanë mbetur thëniet e tij, ndaj po e mbyll shkrimin me disa prej tyre: "Askush nuk mund tё kalёrojë mbi kurrizin tёnd nёse ti nuk pёrkulesh."

- Ёndёrroj që katёr fёmijёt e mi tё vegjёl, njё ditё tё jetojnё nё njё komb, i cili nuk do t'i trajtojë sipas ngjyrёs sё lёkurёs sё tij, por sipas karakterit tё tyre.

-Nёse nё pёrpjekjet tuaja vendosni tё pёrdorni dhunёn, brezat qё vijnё, do tё vjelin njё natё tё gjatё dhe tё pangushёllueshme hidhёrimi.

-Ne e dimё nga pёrvoja e dhimbshme se shtypёsi kurrё nuk ta jep lirinё vullnetarisht; ajo duhet kёrkuar nga tё shtypurit.

- Kundёrshtoj tё pranoj se njerёzimi ёshtё nё mёnyrё aq tragjike i zhytur nё mesnatёn pa yje tё racizmit dhe luftёs, saqё lindja e ndritur e lirisё dhe vёllazёrimit nuk mund tё realizohet kurrё mё.

- Errësira nuk mund ta dёbojë errësirën; vetёm drita mund ta bёjë kёtё. Urrejtja nuk mund ta dёbojë urrejtjen; vetёm dashuria mund ta bёjё kёtё.

- I lejoj vetes tё besoj se njerёzit kudo nё botё kanё nevojë për tri vakte nё ditё pёr trupin e tyre, edukim dhe kulturё pёr mendjen e tyre dhe dinjitet, barazi dhe liri pёr shpirtin e tyre.

Vargjet më lypin bukë....








Fatime Kulli është lindur me 23 korrik 1957 ne Durrës. Pas shkollës fillore dhe 8 vjeçare, ka mbaruar Shkollën e Mjeshtërisë sportive në Durrës. Shkollën e Mesme të Përgjithshme dhe të Mesmen Teknologjike në qytetin e Shkodrës. Për arsye politike të familjes se saj, ka vuajtur dëbim-interrnim për shume vjet dhe pas vitit 1990, ka mbaruar studimet e larta në fakultetin filologjik, shkencat sociale. Pas vitit ‘’ 91 punon si gazetare në shtypin e qytetit të Veriut, Radio – Shkodra, gazeta “Shqipëria Etnike”, Drejtore në televizionin 2ATV, në Radio-Tirana, si dhe në disa gazeta periodike dhe kulturore.
Ish, Kryeredaktore në Gazetën “Ndryshe” dhe Drejtore në revistën “Obelisk”, aktualisht redaktore e librit. Banon në Tiranë

Botime:
-“Ma lini portën çel” (poezi) -“Lakuriq mbi tastierë” (poezi) -“Masturboj me diellin” (poezi) – “Parlament në pyll” (fabula) – “Zemrën e dua pasqyrë” (poezi) – “Tensione emocionesh” (tregime) – “Ethet e zhveshura” (poezi italisht-shqip) – “Shkëndija e eshkës” (poezi- botuar në Shkup) – “Deti mbytet në guaskë” (poezi- botuar në Kumanovë) – “Trëndafil i djersitur” (poezi-botuar në Tetovë) – “Në gojë të diellit” (poezi për fëmijë) – “Drithërimat e frikës” (roman) – “Cila është më bukur” (poemë për fëmijë)


- “Uragani i meteorëve” (monografi-studim-publicistikë) – “111 fjalë të ndyra dashurie” (poezi & tregime) – “Mitra e zjarrit” (poezi) – “Njëzet e dy” (roman) -Këpucët e Mjegullës (poezi)
Ka marrë këto vlerësime në aktivitete letrare:
- Në vitin 2001 ka marrë Çmimin “Radio Ulqini” në Mal të Zi (me poezinë “Kam frikë”, të librit “Ethet e zhveshura”
- Në vitin 2002 është vlerësuar me vendin e dytë në takimin poetik të Salernos në – — Napolit, midis 100 poetëve nga Evropa.


- Është vlerësuar si poetja më e mirë e poezisë lirike erotike në takimin Ballkanik që është zhvilluar në Korc? në vitin 2002.



- Ka marrë Penën e Artë në Kumanovë me librin “Deti mbytet në guaskë” në vitin 2003.
- Pjesëmarrëse në Institutin e Shkencave të Letërsisë në Kembrixh, me librin poetik “Trëndafil i djersitur” në vitin 2004.

- Ka marrë Penën e Artë në Athinë (në klubin e shkrimtarëve “Kodmus”) me ese të përzgjedhur nga libri studimor “Retinë” në vitin 5005.


- Pjesëmarrëse në takimin e kritikëve Evropianë në Gjenova, ku është vlerësuar si një intelektual “Ndryshe” në fushën e kritikës letrare, në vitin 2006.


- Fituese e çmimit të Parë në takimin e Poeteshave Shqiptare në Vushtri, maj 2008.
- Fituese e çmimit “Skampini” ne takimin Ballkanik ne Elbasan 2009.
- Pjesëmarrëse në festivalin e poezinë botërore në Strugë, gusht 2009.




Ti je asgjëja dhe gjithësia

Ti je fërshëllima e erës
Ti je vala e shpërthimeve…
Në udhëkryq kalimesh me ëndrra
Ti je fjala që kurrë s’ta kam thënë
Ndërthurje aromënxehtë e magjepsjes
Ti je aroma e bjeshkëve
Ti je vala dalldisëse e detit të paanë…
Kohë që s’mbart druajtje
Në fluturimin tim nxitimthi…

Ti je bukuria e njeriut me virtyte
Ti je kënga më e bukur
Që unë ende s’ia kam gjetur tekstin
Ti je buka e shpirtit tim
Ti je ajri, uji, drita,
Ti je fryma, dhimbja,
Pikëllimi, gëzimi im,
Ti je asgjëja dhe gjithësia
Ndaj të dua dhe s’di pse të dua…!

Si qiriri
Më mungon zëri
I muzës virgjëreshë
Që shkrihet nëpër ëndërr
Si qiriri.

Dashuruar me varfërinë
Jetoj në ishull gjigant
Poezia varet pasarelave të parasë!
Ndjej vajin dhe gazin,
Nën obrellë prej letre,
Të diellit shoshëshpuar…

Vargjet më lypin bukë,
Nga kafshata ime!
Pena lufton me muzën,
Pikturon portretin e dritës,
Dashuruar marrëzisht me varfërinë!
Poezia parakalon, si ushtar fitimtar.


…Flasin!

Flasin pa mbarim,
Zgjaten monopateve,
Thonjtë e gaforres…!
… flasin,
Plasariten gjijtë e tokës…
Njollat i varin tek zanoret…
Shpikin germa të reja,
Fjalët i ngjeshin n’autostradë…
Lidhur me flamur,
Në qyrkun e lirisë!


Dhomë zërash

Dëgjoj
Dhomën e zërave,
Drita dridhet…
Dallkaukë t’babëzitur,
Dalldisen dëshirave…!
Dolli për yje-vrarët…
Dallojë kufomat…!
Davariten vendimet,
Derivatet, n’krye fron!

Dëgjoj
Dhomën e zërave…
Ditën nënshkruajnë…
Duan t’i shenjtërojnë,
Diellit shterpë!

Ditë-Nata
Dëgjon,
Dhomë zërash,
Ditar i hirtë…
Dheu rrënohet,
Duarve të pista!

Kërkon shpirt gruaje

Tejpërtej murit të dhimbjes,
Nuk shoh dritë, dëgjoj veç zëra
Të kryqëzuar nga ligësia,
Presin lotët e një gruaje…

Tejpërtej ngrehinës së mërisë,
Përpëlitet një dritë e vobektë,
Mbledhur si lëmsh,
Kërkon duart e një gruaje…

Tejpërtej humnerës së urrejtjes,
Pipëtin një dritë hijezhveshur,
Ligështuar deri në amshim,
Kërkon një shpirt gruaje…


Në pus të ëndrrës…

Ëndrrat që përkunda
Në djep të kohës,
Janë varur si smerald
Në pus të dhimbjes…

Duart e ëndrrës,
Përpëliten nëpër zgjime…


Baladë, kushtuar nënës sime
Era e tërbuar e shekujve
U përplas ndër gjokse të engjëjve të pafaj
Koha u trullos dhe u bë qameti
Nëna ime ballërrudhur e shpirtplasur,
Këndon:
“Janinës ç’i panë sitëeee, Jaaaninoooo
Ish e prëmte ajo ditëeee, Jaaaaajaninooo”

Oh, nënë, ç’është ky zë që gjëmon si në legjendë
Që drithëron dhe eshtrat e të parëve në çdo qelizë

Ah moj bije e nënës, e njoh mirë këtë gjëmë
Ish shtrëngatë e stuhi, në atë kohë,
Yjet ranë nga qielli të përgjakur, një e nga një
Kafka e hënës ra në prehrin e tokës amë
Barërat u helmuan, livadhet u gjakosën anë e kënd…
Mos nënë, mos më thuaj gjak, gjak…
ohhhhhhhh, joooooooooooo, gjak

Po bijë, sa gjak është derdhur në tokën Arbënore!
Toka e përgjakur nga kufomat më rrinë ende në sy…
Shkëmbinjtë shekullore u copëtuan nga dhimbja
Ia ndërruan format, ngjyrat, emërtimet…
Eh, s’munda të ngjyej as hijen e gishtit,
Të shkruaj emrin tim mbi një varr,
Në oxhakun ku kam qarë e qeshur për herë të parë…

O Zot, sa shumë dhimbje e lot ka pirë kjo tokë
Dielli po më rrëzohet para këmbëve të mia…
Në qerpikë më ka ngrirë kripa e lotit…
Ku rënkon e thinjur në vetull, Çamëria…
Janinës ç’i panë sitëeeee, Jaaaa janinoooooooo…

Të lutem nënë, mos këndo më, se më lëndon
Këtu në Ballkan kanë rënë shumë bijë e bija…

Ah moj bijë, do këndoj se kështu është historia,
Lotët e nënave të mira, u murosën,
U bënë margaritar, të ndriçojnë shpirtrat e qiejve,
Për të ndritur sytë e diejve, që popujt të ndjejnë, PAQE …

GJINJ GRUAJE

Gjinjtë,
burim i kulluar,
ku derdhet

hijeshia e fshehur
dhe ti i dashuri im,
merr të gjitha kënaqësitë
e frutit të dëshiruar.

Gjinjtë,
prekje e ëmbël
në rrokaqiejtë
e tokës së paqtë.

Gjinjtë,
armë e magjisë
për të pushuar
në kasafortën e brendshme.

Të jesh e lumtur
edhe ti që je grua.
Për gjinjtë
mos u mërzit
kur t'i prekin.

Mendo
se duart kanë nevojë,
buzët gjithashtu
plehërosin ëmbëlsinë
në kopshtin e farëzuar.

Me gjinj gruaje
ditët e ngrysura
bëhen zgjime.

Atje
janë ujëvarat e jetës,
ku kullon
kulloshtër e freskët.

Ejani dhe pini
nga një kupë!
Në u ngatërrofshi
nëpër udhë,
do t'ju feksojë
një e qeshur fëmije.


BARKU

Barku,
pus i thellë
dritë e padukshme,
vatër e butë
thëngjijsh ndezur,
minierë e mëndafshtë
ku rendin drejt udhës së jetës.

Barku im
kopsht krijues
i mbyllur
nga zërat e mekur
nën flakëzën e qiririt
dritëhirtë,
ku gjarpërojnë
e shpërthejnë gjarpërinjtë.

Barku
disa centimetra katrorë,
ku përgjunjet burrëria
ngjit shkallët
nga shtegu
i themelit ujor,
britma e një të qare
për here të parë.

Barku,
tokë që ndryshon
nga gjërat e përgjithshme,
por që i përket
gjithësisë.

***
Ti s'e njeh plehërosjen
e parcelës misterioze
ku njerëzia merr frymë,
biri im.


KËPUCA E BURRIT

Këpuca
ecën në borë
në zjarr
pa lidhëza.
Vret
n'fluturim
shket n'hutim.

Ngujohet
në vrimë t'ujit,
mbush hapësirat,
shqep psherëtimat,
rruga ndërron fytyrën…

Dua t'i mbath
këpucët e tua,
shtroja me thumba
më heq një thua.

Unë, këmbëthyer
kacavarem
në faqe të murit
të mbath në funddritë
KËPUCËN e Burrit.


QETËSIA E KAPRIÇIOS

Ndoshta për ty jam flur,
ndoshta shpifurina e kësaj bote,
ndoshta e pavlerë për t'u zhytur
në thellësi të pafund të jetës.

Shpërfillja jote më ngjason
me dhëmbët e ujkut plak,
ngulur në mish njomëzak
e të pambrojtur.

E megjithatë,
s'gjunjëzohem para fuqisë,
bukurisë, madhështisë
si në përrallën e "Hirushes"
as para impotencës koherente,
peng i mospërfilljes lëvizëse.

Muret e qenies sime
s'janë muskulozë,
as kështjellë ngritur mbi hi.
Brishtësia virgjërake si bishë
shkul privilegjin egërsisht…

Butësisht zhvesh në shtrat burrërinë…
Si shija e mezes në tavolinë.
Si karkaleca të zhveshur nga guaska
në stacionin e preferuar të uiskit.

Ndoshta eci e shkujdesur,
e pakrehur, por qetësia
e kapriçios rrezellitëse,
troket tek tingulli i jetës.


NDJEHEM E FRIKËSUAR

Ç'ka të bëjë dora ime
për të ndaluar dufin kafshëror
të përbindëshit?!

Vreri spërkat helmin
dritëzave të shpirtit.
Lugët kërcasin
për tokë…
Unë gërryej si milingonë.

Perëndia vë kujën.
Ndjehem e frikësuar
që jam grua.


NATA M'U FIK NDËR DUAR

M'u lute i çmenduri im:
Rri sonte ta shqyejmë yllësin,
t'i shtrydhim hijet buzëfryra
skutave të natës me frymë!

Nata gjuhëgjatë e zemëratë
shtrat shpikur e këmbë palarë,
vjen për të ndezur e shuar etjen
afshpërzhitëse e përdalë.

Oh, nata m'u fik ndër duar
unë tretem... ti s'më ndjen,
flakëroj shpuzësës së shuar...
hëna më lan puthjen n'eter.


…NATA

Nata m'u dha
e gjitha për ta shijuar
unë kalorëse e fituar.
Përse duhet ta vras
bukurinë e gjumit tinëzar?

Oh, jastëk bredharak
a është ëndrra xheloze,
apo ti je tradhtar endacak?!
...nata ka gojë e s'do të më flakë..


VETËM NATËN

Shkopsis indet
në avullin e frymës sate
dhe zgjas...
Dridhjet në drithërimat
e epshit lozonjar
dhe tërbohem...
n'lëngëzimin e burimit
mishtor.

Rrëshqas nën hijen
e hijes sate
dhe vdes skllavërisht
...vetëm natën.
Agu i mëngjesit
m'lidh në çark
me hap virgjërak.


DASHUROJ NJË POLIC

Të ftova një natë,
unë fluturake ti sqimëtar.
Vrazhdësia e gradës mërmërinë:
- seksi bëhet me komandë.
Dhe te marr leje,
me buzën e brishtë
ndaloj tek kufiri...

Por ligji shpërbëhet

zgjidhet nga zinxhiri...
Lëshohet i uritur
mbi urinë time…

Dalldisje erëmirë,
kurme që pushtojnë
e fëshfërijnë,
nën petëza të bardha ethesh…

Duhi zjarresh
përshkojnë të qullur
si lotët e vesës.
Gjuha lëpin e shfrenuar
kopshtin e shprishur ëmbëltor...

Pastaj,
Kurmet e shkrirë
çarçafëve psherëtijnë…
heshtje në pafajësi.
"Ngërthim dëshirash blic"
Hija e gradës, jep komandë...
Unë dashuroj një polic.


Përgatiti :Flori Bruqi

2013-03-12

MUJI

Bijës sime që këmbënguli t’i këndoja një rapsodi për Mujin



Fort po ndrin ai diell e mirë po na ngroh.

S’mbahet mend qëkurse u mbyllën në shpellën
e eposit Muji dhe Halili,
qëkurse doli pushka, u shpik shtypshkronja
dhe karavelat i ranë rrotull botës.

Tani, sa herë që plasin shpërthime nëpër grykat e
Bjeshkëve
bien shkëmbinj nga tavani i shpellës
dhe u turbullojnë gjumin. Poshtë
dyshemesë dëgjohen makineritë si ca urrithë që hapin
tunele drejt tyre.

Ç’ bëhet atje poshtë në botën me njerëz?

Atëhere vendosin të dalin jashtë
kreshnikët
me strehët e pëllëmbëve
mbi sytë që po u verbohen.

Sa shekuj paskan dremitur?
Në sa dimra gërhitja e tyre
ka shkundulluar pyjet?

Shih çfarë bën Gjeto Basho Muji:
të nxjerr gjokun në oborr
e t’i prek patkonjtë e mëdhenj sa një mburojë
e t’i sheh që janë tretë,
tretë si urovi në strallin e bjeshkëve duke shkrepur
vetëtima “mbi armiqtë.”


E t’i thotë Halilit “mirëmbeç”,
e ta heq për freri gjokun përmes sheshmejdaneve të
dikurshme,
përmes Bjeshkëve të Namuna ku hedhin shtat pyjet e
përjetëshme të rapsodive,
e të zbret pastaj poshtë e më poshtë trojeve të lashta
për në qytetin ku rron miku i tij nallban probatini.


Përpara zhaurijnë ultësirat e përmbytura në dritë.


Si kanë mbirë kështu këto qytete të bardha rrëzë
kështjellave të moçme,
në pragjet e minierave
e gjer në anëdetet e largëta?


Ç’është ai gjok
prej çeliku
që trokëllin përmes tyre dhe heq pas vetes ca shtëpi
të çuditëshme
të mbushura me njerëz?



Zbret Muji duke hequr për freri gjokun.
Rreth e rrotull ca brumbuj viganë
e të hekurt
bulurojnë, duke venë përpara dherat dhe kureshtjen e tij.
Më tej nisin kodrat e ullinjve
të rreshtuara si për paradë.
Në qytetet e tyre prej xhami banojnë perimet.


Askush Mujit rrugën s’ia pret,
askush Mujit s’i kanoset,
askush Mujit s’i lyp mejdan.


Gjoku pas tij
përtyp barin e ditëve tona.


Veç, kur ka mbërritë Muji, punishten e mikut kurrkund
s’e ka gjetë.
Në vend të saj, ca furra të larta,
vjellin nga goja
zjarr dhe tym të zi.

Hingëllin gjoku,
tendos frerin
dhe ulet në bisht
të mbart të zotin
drejt rrezikut të ri.



Me një gjyrlyk gjoks,
dy vare duar
dhe dy kovaçana të ndezura sysh
ja ku u afrohet nallban probatini,
stërgjyshi shqiptar i metalurgjisë.


“Mirë se vjen, Muj, - proboja i thotë -
këtu të gjithë të njohin,
të gjithë e dinë si t’u shfaq e shndërruar në zanë toka
mëmë,
si hapi gjinjtë
dhe ti pive i etur qumështin vullkanik të mllefit të saj,
e dinë si mori përpjetë shtati yt
dhe befas u bëre aq i madh
saqë dy luanë mund të shtriheshin gjatë e gjerë brenda
opingave të tua,
saqë në zjarrin e çibukut tënd
mund të ngroheshin pa frikë gjithë burrat e një kuvendi.


Shkallët e sarajeve të sulltanit
shembeshin nga pesha jote
dhe dyert e tyre nuk ta nxenin dot madhështinë.
Po këta djem, Muj,
s’i kanë për gjë
shkëmbinjtë e tu njëmijëokësh që vërvitje kuturu nëpër
honet e shekjuve,
s’i kanë për gjë
teksa shkrepin topin elektrik
dhe çajnë barkun e furrës me metalin e shkrirë,
si të çajnë rropullitë e një planeti të zjarrtë.”


Po ç’pati Muji? Ç’tregon ashtu me gisht
sikur papritur të dilte që andej
jo përroi i metaltë
po një dragua përrallor, një rrëshqanor rrëzëllitës i
mbështjellë
me avuj e fishkëllima?


Këtu s’hyjnë në punë topuzët.
Mëkot shqetësohesh. Dragoi
s’ka ku shkon. Ja tek e kapin
si me fuzhnje
dhe e çojnë në nofullat e reparteve
të mbuluar nga xixat e zemërimit të tij.


Kujde, kujdes, Muj!
Po Muji nuk dëgjon.
E panjohura Mujin e huton.


E t’ja derdh metalurg probatini potkonjtë e çeliktë.


Bukur gjokut po i vijnë,
bukur hapat tringëllijnë,
bukur sheshin vetëtijnë.


Vrik në shpinë Muji gjokut i ka hipë,
zjarr e tym nga mbrapa i ka qitë,
fill tek Halili paska mbërritë.


“Mirë se të gjej! – Halilit i ka thënë, -
kurrkund, Halil, bajlozat nuk i ndesha,
kurrkund, Halil, të huajin s’e pashë,
ngado që eca
çuditë më ndoqën në çdo hap.

Mitologjia shqiptare me zana e djaj, por pa zota



Arshi Pipa

Për herë të parë është botuar në gazetën “standard”, i përkthyer në shqip, studimi i Arshi Pipës për mitologjinë shqiptare shkruar për Diksionerin francez të Mitologjive të botuar në vitin 1981 në Paris nga Y. Bonnefoy, vol. I ff. 5-7. Atëherë çfarë paraqet si fizionomi të vetën, si tipare dalluese, mitologjia shqiptare? – pyet Pipa në pjesën e mëposhtme, pasi hedh vështrimin mbi disa mite që janë të njohura edhe për disa popuj të Ballkanit, duke dhënë përgjigjen se mitologjia shqiptare dallon, se nuk ka zota dhe hyjnitë janë të dorës së dytë.






Mitologjia shqiptare nuk përbën ende objektin e një monografije, por subjekti është trajtuar në shumë ese dhe artikuj të gjuhësisë, folklorit dhe etnografisë. Mund të thuhet se kjo mitologji është e tipit pagan ballkanik. Fetë monoteiste që i janë mbivendosur – katolike në Veri, ortodokse në Jug, islamike në mbarë vendin – pak e kanë prekur natyrën e saj. Historia e shqiptarëve, origjina e të cilëve fillon që nga migrimet e para indoeuropiane në Ballkan, është një vazhdimësi pushtimesh nga ana e popujve që i rrethojnë: romakë, gjatë Lashtësisë, sllavë, grekë e italianë në Mesjetë, turq, në fillim të erës moderne. Prandej pritet që mitologjia shqiptare të jetë mjaft sinkretike. Mund të flitet për shtresa alogjene përgjatë boshtit të një konstanteje lehtësisht të identifikueshme që është: kulti i karakterit (genit) të racës.

Hyjnitë e kësaj mitologjije janë thuajse të gjithë paganë. Aty janë nuset e malit dhe këshetat, por edhe shtojzavallet dhe zanat. Gjenden gjigantë të kobshëm balozët, katallajt, por edhe thopçat (xhuxhat që argëtohen duke shpotitur njerëzit). Ndeshen edhe karkanxholët dhe një variant i kacilmicit. “Përbindshat janë me shumicë: gogolët, kuçedrat, lubitë. Metamorfozat janë të shpeshta: burri shndërrohet në dre, ujk, hut; gruaja në nuse lale, qyqe, turtulleshë. Hyjnitë e shtëpisë mund të kenë një formë njerëzore si nana e votrës ose shtazore (vitore, një lloj gjarpëri). Flijohen kafshët (dikur femrat) mbi themelet e një ndërtese; Bëhen magjira (p. sh. për ta bërë mashkullin impotent). Ka këngë namatisjeje, të tjera për të sjellë shiun. Gjuhet me gurë hëna e eklipsuar për të trembur ujqërit që e sulmojnë. Objektet magjike – pasqyrat, nuskat, unazat–luajnë një rol të madh. I besohet syrit të keq, ëndrrave paralajmëruese. I besohet fuqisë së gurëve, bimëve. Por kryesisht i besohet fuqisë së heroit.

Kulti i heroit, i dëshmuar nga një traditë e gjatë kombëtare që pasqyrohet në epopenë popullore si dhe në të drejtën zakonore, ka ruajtur një karakter mitik në disa krahina të Shqipërisë së Veriut. Të mbrojtur nga male të thepisur, banorët e tyre kanë mundur t’u rezistojnë kolonizimeve romake dhe sllave dhe madje kanë mundur të ruajnë një lloj autonomije gjatë sundimit turk. Barinjtë e Veriut, në pjesën më të madhe katolikë, vazhdojnë te quhen Uk, Dash, Shpend, Sokol: ata adhurojnë zjarrin (ta pështysh është tabu), betohen për Qiell e për Tokë, vajtojnë të vdekurit e tyre duke gërvishtur fytyrën sipas një rituali që është mbeturinë e një valleje; u besojnë orëve të vendit, shpirtrave, djajëve, magjistareve, vampirëve. Totemizmi dhe animizmi përzihen me mitet klasike dhe me legjendat mesjetare. Uliksi e Perseu i kanë ekuivalentët e tyre. Polifemi shqiptar (KK5) quhet katallâ, në kujtim të mizorive të mercenarëve katalanas të shek. XIV të. Zana, mbrojtësja e heroit, është deri etimologjikisht e afërt me Dianën (perëndesha romake shoqërohet nga një drenushë, kafsha e hyjnisë shqiptare është dhija e egër), kurse për funksionet e saj ajo merr nga zana sllave, Vila. Vetë emri shtojzavalle është një rast sinkretizimi pagano–kristian: Shtoj, Zo(t), vallet.

Shumë nga këto besime pagane janë të njëllojta për më shumë se një popull ballkanik, ndërsa të tjera janë me origjinë latine e ndoshta kelte. Atëherë çfarë paraqet si fizionomi të veten, si tipare dalluese, mitologjia shqiptare?

Kjo mitologji nuk ka zota. Hyjnitë janë të dorës së dytë dhe nuk kanë emra të përvetshëm, ose emri i tyre është kolektiv. Betohet për qiell e për tokë, thërritet dielli e hëna. Por janë vetëm personifikime elementesh ose sendesh fizike, jo persona. Ndërmjet elementeve toka është mbizotëruese. Cilësia sipërore e heroit, ose i heroinës të çon tek ajo: burri i dheut, e bukura e dheut. Beja më gur është solemne. (Gjeçov $ 534). Kush betohet mbi gurë do të ngurtësohet nëse e shkel betimin e tij. (zanat e kanë fuqinë e vështrimit që ngurtëson) Gjenden murana aty ku dikush ka qenë vrarë për gjakmarrje

(Çabej 360). Dhe hidhen gurë për të lehtësuar lodhjen – (me lanë pritesën).

Një tjetër tipar`dallues është mungesa e një jete përtej –varrit. Qielli nuk ka asgjë qiellore, nuk ekziston ferri. Besimi te kukuthët, lugetërit, vurkullakët është i përhapur; por këta janë shpirtra të munduar që toka i flak jashtë për shkak të ndonjë keqbërjeje të rëndë. Ky shpirt është një hie ose një abe një mbështjellje trupore e pajisur me nje mbeturinë materialiteti (ai mund të ngrejë pesha).

Mitologjia shqiptare me zana e me djaj, por pa zota e pa eskatologji dhe ku vetë konceptimi i shpirtit është plotësisht negativ, është pra, krejtësisht tokësor. Ajo është organizuar rreth bipolaritetit etik të së mirës dhe së keqes. Nga njëra anë ka një monstër – kulçedra ose kuçedra, mamadraga - e përfytyruar si një gjarpër me shtatë koka që than ujrat dhe helmon ajrin. Në anën tjetër ka një hero mitik që e përball në shpellën e tij dhe e mbyt. Në Jug, ku pushteti i Sulltanit zëvëndësoi atë të Perandorit bizantin, shpesh ky hero është fisnik (djali i mbretit), ndërsa në Veri ai është një bir i popullit i lindur drangue. Njeriu-drangu ka flatra nën krahë, ai mund të fluturojë. Këtu njihet miti i Herkulit që lufton Hydrën, që u bë pastaj ai i Shën Gjergjit që mbyt dragoin. Shën Gjergji është shumë popullor në Shqipëri, dhe festa e tij përket me ardhjen e pranverës. Gjergj është gjithashtu emri i një heroi që çliron vendin e vet nga një monstër i zi i dalur nga deti, n’atë që është, ndoshta, rapsodia më e bukur shqiptare.

Mitologjia shqiptare, monumenti i së cilës është cikli i rapsodive të Veriut, ekzalton një konceptim të jetës heroike tepër etnike. Heronjtë kryesorë të këtij cikli, Muji e Halili, kanë emra myslimanë, të huazuar nga këngët epike boshnjake, nga të cilat huazojnë edhe metrikën (rapsoditë këndohen nën tingujt e lahutës). Por këto elemente alogjene nuk e prishin aspak substraktin autokton të këngëve mitike. Muji është një bari që zanat e maleve, në këmbim të një shërbimi që ai u ka bërë, e kanë pajisur me një fuqi mbinjerëzore – ai mund të shkulë me rrënjë lisat (KK7). Një rapsodi tjetër ia atribuon këtë fuqi talentit të tij prej gjahtari: ai ka mundur të kapë tri dhitë me brirë ari ku fshihet fuqia e zanave (KK1). Muji i masakron armiqtë e tij, sllavët, por jo pa pësuar dhe ai vetë. Një rapsodi e tregon të plagosur rëndë, të shoqëruar nga shpirti i tij mbrojtës, ora, mes një gjarpëri që i kujdeset dhe një ujku që e ruan (KK23). Kur ai vdes, armiku vjen ta provokojë në varrin e tij. Ai zgjohet dhe thërret, me ndërmjetësinë e një zogu, ndihmën e Halilit, që vret Sllavin dhe çvarros vëllain e vet (KK32). Muji kthehet në jetë. Një ditë ai bën mbi dorën e vet provën e plumbit. Kur e sheh dorën e shpuar, ai e di që koha e tij ka mbaruar. Ai zhduket atëherë nën tokë, si Edipi në Kolonë, për të pritur, me durim, kthimin mbi tokë të erës heroike (KK Parathënie).

Vico e konceptoi histornë e njërezimit si një proces ciklik që kalon nëpërmjet tri fazave: teologjike, historike dhe njerëzore. Mendësija mitologjike shqiptare e ka zbehur të parën, për t’u ndjerë e kënaqur në të dytën, duke refuzuar të dalë jashtë saj. Muji nuk është i vetmi përfaqsues i kësaj mendësije. Një shembull tjetër është ai i vetë heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur Skanderbeg (1405- 1468). Humanisti shiptar, Marin Barleti, që ka shkruar të parën histori në formë romani të heroit, (v. 1510) tregon se nëna e tij ëndërroi se po lindëte një dragua, trupi i të cilit mbulonte gjithë Shqipërinë, dhe që goja e tij shqyente turqit. Populli e kaq përpunuar këtë mit, duke e bërë Skandërbeun një titan që mund të shtrije përtokë “pesëdhjetë burra” dhe musteqet e të cilit janë “katër pëllëmbë”. Ai hjedh kundër armiqve që e rrethojnë shkëmbinj “të mëdhenj sa një shtëpi”, dhe ndalon me “një të rënë të këmbës” ujrat e një lumi për të mos i lënë armiqtë të kalojnë. Ai është i pacënueshëm mbasi “ka lindur me këmishë” (d.m.th. i mbështjellur me placentën). Kali i tij fluturon nga një shkrep te tjetri, duke lënë, kur prek tokën, gjurmët e patkojve të tij – që shihen edhe sot. Dhe kur Skanderbeu vdes, populli e çvarros për të bërë me kockat e tij nuska (Ska. 113, 116, 113, 24,25, 127,206).

Përktheu nga origjinali (në frëngjisht): Nedret Kalakulla





BIBLIOGRAFI



HAHN, J. VON. Albanesiche Studien 1-3, Iena, 1854; Griechische und albanische Märshen I-II, Leipsig, 1864. PEDERSEN, HOLGER : Zur albanesischen Volkskunde, Copenhague, 1898. LAMBERTZ, MAXIMILIAN, Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen Volkskunde, Vienne, 1922. JOLK, NORBERT, Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen, Berlin-Leipzig. 1923 Visaret e Kombit II; Kangë kreshnikësh e legjenda, “Le Trésor de la Nation II ; Chants épiques et légendes” (B. PALAJ, D.KURTI) Tirana 1937 (shkur. KK). GJEÇOV, SHTJEFËN, Codice di Lek Dukagjini ossia diritto consuetudinario delle montagne d’Albania (përk. P.DODAJ) Romë 1941. ÇABEJ, EQREM, “Albanische Volkskunde “ te Südost-Forschungen XXV (1996): 333-87 (përmban një listë pothuajse të plotë të hyjnive dhe të monstrave). Tregime dhe këngë popullore për Skenderbeun, (Q. HAXHIHASANI, Z.SAKO) Tirana 1967 (shkur. Sca)

PIPA. A. Rusha, Munich 1968 (poemë epike që përmban elemete mitike). CAMAJ, M. Legjenda, Romë 1964 (poema lirike të bazuara mbi legjenda e mite)

Çfarë gjuhe fliste Muji i Ciklit të Kreshnikëve?


Xha Xhai



Pyetja në vetvete tingëllon absurde, meqë Muji si personazh i Ciklit të Kreshnikëve në versionin shqip, nuk mund të flasë veçse shqip.

Nga ana tjetër, dinamikat narrative të Ciklit zhvillohen gjithnjë si ballafaqime mes turqve (Mujit, Halilit dhe çetës së tyre) dhe kaurëve (shkjave, njerëzve të Kralit). Me të drejtë është vënë në dukje nga disa studiues, se fjala turk, në këtë kontekst, i referohet fesë myslimane të Mujit me shokë, jo etnisë ose kombësisë së tyre.

Kështu, kur Jevrenija shkije i thotë të jëmës se i pëlqen “Sokole Halili”:

E ama ngjat m’i ka qillue,
nji shplakë ftyrës çikës ia ka dhanë
Dashtni n’turk tha, qysh me m’xanë,
fesë e fisit marre me na i lanë?

Siç e vëren Lambertz-i duke analizuar pikërisht këtë pasazh, koncepti i kombit është krejt i panjohur [për Ciklin].

Nga ana tjetër, te Muji e Behuri, Muji i flet kalit të vet turqisht:

turçe gjogut po i bërtet

[Përkundrazi, Halili i flet gjogut të vet shqip (te Halili merr gjakun e Mujit):

Edhe shqyp ai gjogut m’i ka britë

Lambertz-i vëren se vargu i mësipërm ka kuptim vetëm në kontekstin ku Halili u ka folur më parë shkjeve; me fjalë të tjera, ai u ka folur atyre serbisht, ndërsa gjogut të vet ia kthen në shqipe.]

Turqisht u flet Muji zanave edhe te Deka e Halilit:

Zadrani Mujin e ka rrxue
Edhe Muja Zadranit po i thotë:
- Tri fjalë turçe a po m’len me i thanë?

Edhe djali i Mujit, Omeri, i flet turqisht kalit të vet, siç duket nga ky pasazh nga Omeri prej Mujit:

Kur ka marrë djali n’gjog me hypë
n’vithe t’gjogut s’und i ka mrri
e turqisht gjogut i ka britë:
- Në t’thaçin gjok, si t’kanë thanë,
n’dyu gjuj ti për me ra,
n’vithe tua un për me hypë.

Këtë të dhënë, nga universi narrativ i Ciklit, Lambertz-i e shpjegon si rezultat të një keqinterpretimi, nga ana e rapsodëve sllavë, të gjuhës së huaj që flet myslimani, ose “turku” (në kuptimin e përkatësisë fetare, jo kombëtare); dhe se turçe, në këtë rast, nuk do të thotë turqishte, por gjuhë që flet myslimani në përgjithësi.

Ky shpjegim i Lambertz-it do të qëndronte, me kusht që të pranonim se këngët e Ciklit shqip janë përkthime të versioneve sllave; gjë që fokloristët dhe etnologët në Shqipëri e kanë kundërshtuar me të madhe.

Nga ana e vet, albanologu Robert Elsie me të drejtë e shpjegon emrin Gjeto Basho Muji si Ĉetobaša Mujo, ose “Mujo kreu i çetës ose kapobanda”, në serbishte); madje përsiat se ky mund të ketë qenë personazh historik, i përmendur në një dokument gjermanisht të shekullit XVIII, ku thuhet:

Von Gross Kladuscha, da am maisten tschettiert würdet: der Haram-Bassa Mustaffa, dess Hernizo Brueder, sonsten Khasslitschitsch Musstaffa genandt.

(“Nga Kladusha e madhe, ku mbizotërojnë çetat, Mustafa Harambashi dhe vëllai i tij Hrnjico, i njohur ndryshe edhe si Mustafa Hasliçiç”). Të kihet parasysh se Mujo është shkurtim (hipokoristik) i njohur i emrit Mustafa, ndërsa Harambash ka kuptimin “kapedan i kaçakëve” (gjermanisht: Räuberhauptmann).

Sikurse Gjergj Elez Alia, gjithnjë sipas Elsie-t, përkon me sllavo-boshnjakun Alija Djerzelez dhe turkun Gürz Ilyas.

Në rastin e Gjeto Basho Mujit, sikurse në rastin e Gjergj Elez Alisë, do vërejtur struktura tripjesëshe e emrit – që për Mujin është paretimologjike, sa kohë që Gjeto Basho është një shtrembërim i “çetobashit” boshnjak, dhe vetë Muji, në ndonjë këngë të Ciklit quhet Qeto ose Çeto Bashe Muji (p.sh. te Deka e Halilit, e botuar në Leka, në 1932).

Sipas Çabejt dhe autorëve të tjerë struktura tripjesëshe e emrit është tipike për shqiptarët e trevave veriore, myslimanë dhe katolikë (Dedë Gjo Luli) dhe dikur edhe jugore (në Labëri dhe në zonën e Bregut: Zenel Gjoleka nga Zenel Gjon Leka; Koço Gjipali nga Kiço Gjin Pali, pa përmendur pastaj Gjin Bua Shpatën nga Mesjeta), dhe mund të interpretohet si element arbëror arkaik në cikël.

Për t’u përmendur është edhe Arnaut Osmani, personazh që del edhe në ciklin serb edhe në ciklin shqiptar (disa herë në këtë të fundit) dhe që, me emrin që ka, nuk është se e konfirmon gjë përkatësinë etnike shqiptare të agallarëve të tjerë të Mujit; meqë në një mjedis etnikisht “arnaut”, nuk ka shumë kuptim ta quash dikë Arnaut.

Punët ngatërrohen edhe më, kur dëgjojmë historinë e këtij personazhi, siç ia tregon ky vëllait të vet të cilin s’e ka njohur ende (te Arnaut Osmani e Hyso Radoica):

Atherë foli Arnaut Osmani:
- Fisin tem djalë po ta kallxoj,
Se prej Zaharës vetë jam,
unë jam kenë i grues së vejë,
zenjine nana â kenë,
gjysën e shehrit të veten e ka pasë;
kur Muji në Zaharë ka ra,
luftë të madhe Muji ka ba
edhe të tanë shehrin e dogj
e n’oborr të kishës Muji më ka gjetë,
në bukuri Muji m’ka lakmue,
para vedit n’shalë më ka marrë
e n’Jutbinë Muji më ka çue…

Më pas e merr fjalën Hysoja, për të treguar se edhe ai ishte prej Zaharës, i grues së vejë dhe se Muji ia pati marrë rob vllanë e vogël dhe se nana e tij i kish marrë borxh krajlit e s’ia kish shlyer dot, prandaj ishte detyruar t’ia jepte peng të birin e vetëm që i kish mbetur, Hyson.

Lambertz-i vëren, me këtë rast, se Arnaut Osmani kish lindur sllav, dhe kishte marrë emrin Arnaut vetëm pasi ishte bërë mysliman, duke marrë edhe mbiemrin “Osmani”. Në Cikël, ai njihet (sipas Lambertz-it, por jo Skendi-t) edhe si Dizdar Osman Aga – në turqishte dizdar është komandanti i kështjellës (italisht castellano), ose si Temkoviq Osmani. Lambertz-i shënon edhe se emri i tij fillestar, ose serb i krishterë, ishte Tanak.

Nga ana tjetër, Hyso (vëllai i humbur i Arnautit) mua s’më tingëllon si emër sllavi të krishterë; dhe ndoshta Lambertz-i e merr me mend origjinën e krishterë të Arnaut Osmanit në bazë të këtyre fakteve: që Muji e gjen atë në oborr të kishës; që ai ishte nga Zahara (Zara), qytet i krishterë në Dalmaci (po ajo Zarë që do të priste, pak më vonë, një koloni të vogël arbëreshësh nga zona e Shkodrës); dhe që Hysoja vetë ishte oborrtar i krajlit.

Të tërheq vëmendjen në vargjet e mësipërme që Muji e gjen Arnaut Osmanin “në oborr të kishës”: kjo mund të interpretohet edhe si metaforë për konvertimin e fëmijës nga të krishterë në mysliman. E habitshme është edhe arsyeja pse Muji e merr këtë fëmijë me vete: jo sepse i vjen keq për të, as sepse i duhet për ta rritur si skllav ose si oborrtar ose për çfarëdo shërbimi tjetër, por sepse “n’bukuri e ka lakmue.”

Si virtyt i pamjes, bukuria nuk ndahet nga lakmia, brenda etosit të Ciklit.

Në një këngë tjetër (Muji e Jevrenia), Arnaut Osmani u thotë agallarëve të tjerë se “un meshë mirë dij me çue”; edhe pse i rrëmbyer i vogël prej fisit të vet sllav të krishterë, ky “shqiptar” i adoptuar i mban mend disa gjëra nga fëminia dhe e kapërcen me sukses provën e qiririt (duke e prerë qiririn mes për mes me shpatë, pa e fikur), e cila duhej të tregonte nëse ky ishte vërtet i krishterë apo jo – të jetë kjo jehonë, sado e ndërmjetësuar, e laramanisë së disa shqiptarëve?

Po çfarë gjuhe fliste, pra, Muji i Ciklit të Kreshnikëve shqip, sa kohë që asgjëkundi nuk pohohet, në tekstet ekzistuese, se fliste shqip?

[Lambertz-i përmend një variant minor kënge ku rapsodi shqiptar e ndërron fjalën turçe me fjalën shqip, pasi e kupton kontradiktën midis heroit të një kënge shqip dhe faktit që ai flet turçe ; por nuk ka dyshim se varianti me turçe është autentik.]

Nëse Cikli në versionin shqip nuk është doemos përkthim i versionit sllav, atëherë do të pranojmë se, të paktën në disa prej këngëve, Muji trajtohet si “turk” jo vetëm nga feja, por edhe nga gjuha që flet; ndoshta ngaqë, për mendësinë e një rapsodi mysliman të periudhës osmane, atributi i të qenit “turk” jo vetëm në fé por edhe në gjuhë, do t’ia ngrinte vlerat heroit, sidomos në luftë me shkjaun kaur.

Një shpjegim tjetër do të ishte edhe se Muji e përdorte turqishten si lingua franca, kur komunikonte me shkjaun e krishterë, edhe pse kjo duket si e pabesueshme, në kushtet e kontakteve të përditshme që kishin me shkjaun kreshnikët e Ciklit.

Përndryshe, do t’i besojmë versionit të Lambertz-it, se fjala turçe i referohet çfarëdo gjuhe që fliste një “turk” ose një person i fesë myslimane, nga pikëpamja specifike e kallëzimtarit serb-boshnjak të eposit.

Bibliografi

1. Lambertz, M., Die Volksepik der Albaner, Halle (Saale) M. Niemeyer, 1958.

2. Elsie, R. Some Observations on Albanian and Bosnian Epic Traditions. Paper given at the international Albanological conference: “50 Jahre Albanologie an der LMU München,” Wessobrunn, Germany, 23-25 June 2011.

About these ads

Shqipëria e Kosova “në mejdan” për këngët kreshnike

Në adresë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë - UNESCO ka gjasë që të shkojnë dy dosje për Eposin e Kreshnikëve. Kosova dhe Shqipëria nuk kanë arritur të merren vesh për një projekt të përbashkët.

Ende pa u finalizuar projekti i parë për futjen e Eposit nën mbrojtje të UNESCO-s - i iniciuar para dy vjetësh dhe me të cilin kërkohej që këngët epike të njiheshin si trashëgimi botërore - Komiteti i Trashëgimisë Shpirtërore në Shqipëri ka marrë një nisme të re. Ky komitet ka ngritur grupin punues për futjen e Eposit të Kreshnikëve në listën e UNESCO-s si trashëgimi shpirtërore në rrezik.

Në janar të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë së Kosovës ishte formuar Komisioni qeveritar i Republikës së Kosovës për kompletimin e dosjes për futjen e Eposit të Kreshnikëve nën “ombrellën” e UNESCO-s. Zymer Neziri, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ishte emëruar kryesues i Komisionit në përbërje të Shaban Sinanit nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe akademik Vasil Toles. Për projektin e paraqitur si të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë deri më tani është realizuar pjesa e parë e dosjes, përdera e dyta duhet të plotësohet me një dokumentar dhe një monografi.

Zymer Neziri, iniciues i projektit, e ka quajtur nismë paralele veprimin e Komitetit të Trashëgimisë Shpirtërore të Tiranës. Madje, të hënën ai i është drejtuar Ministrisë së Kulturës që të kërkojë nisjen e bisedimeve me homologen në Tiranë për të gjetur zgjidhjen.

Duke thënë se plotësimi i dosjes për futjen e Eposit të Kreshnikëve nën mbrojtjen e UNESCO-s është në procedurë të finalizimit, Neziri thotë se nuk ka qenë në dijeni për nismën e re, të cilën e konsideron paralele dhe të panevojshme.

“Kjo nismë ishte një befasi për mua si përgjegjës i Komisionit qeveritar të Republikës së Kosovës. Nuk kam qenë i njoftuar paraprakisht dhe mund të them se kjo është e drejtë e Tiranës, por nuk është as e udhës, as e dëshirueshme që të bëhen dy projekte për Eposin”, ka thënë Neziri, teksa ka shpjeguar se Komisioni i emëruar nga Qeveria e Kosovës për këtë çështje ka dy vjet që po punon për kompletimin e dosjes.

Neziri ka thënë se nuk ka qenë e nevojshme që të zgjerohet projekti dhe se përkundër që emri i tij është në nismën e re të Tiranës, ai nuk do të bëhet pjesë e këtij projekti.

Shqetësimin e tij Neziri ia ka adresuar edhe Ministrisë së Kulturës.

“Kërkesa ime në Ministri ka qenë që në nivel ministror të bisedohet me Tiranën. Të kemi një informatë të plotë se çka ka ndodhur dhe a është në dijeni Ministria me këtë veprim të Komitetit të Trashëgimisë dhe çfarë qëndrimi kanë”, ka thënë Neziri teksa ka shtuar se vetë Tole është dashur që ta bënte me dije ministrin se ky projekt ekziston.

Nga ana tjetër, akademik Vasil Tole, i cili është edhe anëtar i Komisionit të Qeverisë së Kosovës për futjen e Eposit të Kreshnikëve nën mbrojtjen e UNESCO-s, ka mohuar se bëhet fjalë për nismë paralele.

“Me sa di unë nuk janë nisma paralele, sepse bëhet fjalë për dy lista të ndryshme. Ajo që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë duke ngritur grupin punues për regjistrimin e Eposit bëhet fjalë për regjistrimin e tij në listën e dukurive shpirtërore, kurse nisma e Shqipërisë ka të bëjë me regjistrimin në listën e dukurive që kanë nevojë urgjente për mbrojtje”, ka thënë Tole.

Sipas tij, projekti i iniciuar nga Komiteti i Trashëgimisë Shpirtërore në Shqipëri nuk krijon përplasje me projektin e përbashkët të dy shteteve.

“Janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, nuk ka kurrfarë përplasjesh. Në Shqipëri kanë ngelur gjithsej dhjetë lahutarë dhe do të bëjmë gjithçka që ta regjistrojmë këtë dukuri në listën e atyre që kanë nevojë urgjente për përkujdesje”, ka thënë Tole.

Ai nuk ka dhënë përgjigje të prerë nëse do të vazhdojë bashkëpunimin për projektin e parë, duke e cilësuar si punë në finalizim.

“Ai projekt është pothuajse i mbyllur, dosja teknike është pothuajse gati”, ka thënë Tole. “Ajo që ka mbetur është që Republika e Kosovës të ratifikojë Konventën e UNESCO-s për trashëgimi shpirtërore, në mënyrë që të hapet rruga për kandidim, sepse pa e njohur konventën nuk mund të bëhet kandidimi”, ka thënë ai.

Eposi i Kreshnikëve (ose Cikli i kreshnikëve) përbëhet nga këngë të ndryshme epike, ku këngët kryesisht shoqërohen me lahutë. Zonat ku eposi këndohet janë të shumta në Shqipërinë e sotme dhe në Kosovë, si Malësinë e Madhe, Dukagjin, Has e shumë rrethe të tjera. Në qendër të këtij eposi qëndrojnë dy vëllezërit Muji dhe Halili.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...