2013-06-04

MACJA E ZEZË



EDGAR ALLAN POE

Për këtë rrëfim tepër të frikshëm, por edhe po kaq të rëndomtë që po hedh në letër, nuk pres, dhe as i lutem njeriu të më besojë. Dhe, ç’është e vërteta, do të isha i marrë, po ta shpresoja një gjë të tillë, mbasi edhe logjika më e thjeshtë nuk e përtyp dot atë që më panë sytë. Nuk jam njeri pa mend, dhe ju siguroj, se nuk shoh endrra me sy hapur. Por, një ditë do të vdes, prandaj dhe sot dua ta heq këtë peshë nga shpirti im. Qëllimi im i vetëm është që t’i tregoj botës hapur, sheshit, shkurt, saktë, e pa zbukurime, një varg ndodhish të çuditshme në shtëpinë time. Ato ngjarje më kanë tmerruar, më kanë toruruar, më kanë shkatërruar. Do të  përpiqem t’i shtjelloj. Për mua, ato kanë qenë llahtari; uroj që të tjerëve t’u duken më pak të tmerrshme e më pak të ndërlikuara se stili barok. Kështu qoftë, që edhe unë të gjejë sadopak arsye për të qetësuar fantazmat e mia...  Uroj, që, të paktën për ju, me një arsye me të shëndoshë, me një logjikë më të qetë dhe pa nervozizëm, siç ndodhi me mua për rrethanat që m’u krijuan, ta trajtoni si diçka krejt të zakonshme e të ndodhur për shkaqe krejt normale.
Që fëmijë kam qenë një natyrë e bindur dhe e brishtë. Kaq shumë binte në sy butësia e zemrës sime, saqë shokët më vinin në lojë. Isha i dhënë, veçanërisht, pas kafshëve, prandaj dhe prindërit ma bënin qejfin e më llastuan me shumë kafshë shtëpiake. Me to kaloja shumicën e kohës, dhe ndihesha aq i lumtur kur i ushqeja dhe i përkëdhelja! Unë rritesha, rritej edhe kjo veçanti e karakterit tim, dhe prej saj mora një nga burimet e mia kryesore të kënaqësisë. Për ju, që e keni provuar dhimbsurinë ndaj qenit besnik, nuk e kam hiç të vështirë t’ua shpjegojë llojin apo thellësinë e asaj kënaqësie të rrallë. Ajo dashuri bujare dhe vetëflijuese, që të godet mu në zemër, ve në provë edhe miqësinë e besnikërinë e njeriut.
Jam martuar herët, dhe sa mirë që njoha tek ime shoqe një gatishmëri të ngjashme me timen. Ajo e vuri re shpejt dobësinë time për kafshët shtëpiake, dhe  nuk la rast t’i ikte për të kërkuar ato më të lezetshmet. Kishim zogj, peshk të kuq, një qen të zgjuar, lepuj, një majmun të vogël, dhe një mace.
Më vonë, macja jonë u rrit, u bë një kafshë e madhe dhe e bukur; e gjitha e zezë, dhe me një nuhatje mahnitëse. Kur fliste për inteligjencën e saj, gruaja ime, e cila ishte edhe disi supersticioze, kujtonte një pikëpamje të lashtë popullore, sipas së cilës,  të gjitha macet e zeza ishin, thjesht, shtriga të maskuara. Jo se ajo e kishte fort seriozisht këtë ide... E përmenda, pa ndonjë arsye të veçantë, po ja që më erdhi ndërmend tani...
Pluto, kështu quhej macja, ishte kafsha ime e preferuar dhe e kisha shok loje. E ushqeja vetë, dhe ajo më shoqëronte kudo nëpër shtëpi. Mezi e ndaloja të më vinte pas kur dilja në rrugë.
Në këtë mënyrë, miqësia jonë zgjati për shumë vite, gjatë të cilëve, temperamenti dhe karakteri im (më vjen turp ta rrëfej) pësoi një ndryshim rrënjësor për keq. Ditëpasdite, humori im ndryshonte. Me hënë, siç i thonë. U bëra gjaknxehtë, kisha më pak kujdes ndaj ndjenjave të të tjerëve.  Për një kohë të gjatë përdorja një gjuhë të papërmbajtur; madje, përdorja edhe dhunë. Sigurisht, kafshëve të mia iu desh të duronin ndryshimin e karakterit tim. Jo vetëm që i lashë pasdore, por u tregova edhe i ashpër ndaj tyre. Megjithatë, për Pluton kisha goxha merak se mos e keqtrajtoja. Ndërkohë, u tregova i paskrupullt edhe ndaj lepujve, majmunit, por, edhe ndaj qenit, kur ndonjëri më dilte përpara padashje, ose më përkëdhelte. Por, me kalimin e kohës, sëmundja m’u shtua- sëmundje si alkooli! Edhe Pluto, e cila kishte nisur të mplakej, ishte bërë ca grindavece. Kishte filluar t’i ndiente edhe ajo efektet e gjendjes sime të keqe shpirtërore.
Një mbrëmje, kur po kthehesha në shtëpi nga një lokal i qytezës, xurxull fare, vërejta që macja më shmangej. E mbërtheva fort. Nga frika se mos e dhunoja, më kafshoi me dhembë dorën. Në çast, më pushtoi një tërbim djalli. Nuk e njoha më veten. Shpirti, dukej se më kishte dalë nga trupi, dhe diç më e fortë se ligësia mizore, e ushqyer edhe nga xhini që kisha pirë, më pushtoi çdo qelizë. Mora nga xhepi i jelekut një biçak, e hapa, rroka nga fyti kafshën e gjorë, dhe me ngadalë, ia nxora njërin sy nga zgavra! Po më vjen turp, digjem, ngjethem, teksa përshkruaj këtë egërsi të neveritshme.
Me mëngjesin, m’u rikthye mendja e shëndoshë.  E kisha marrë veten nga xhindosja e natës së shkuar. Ndjeva gjysmëlemeri, e gjysmëpendesë për krimin që kreva; ndonëse ishte veç një ndjesi e dyshimtë, kështuqë shpirti më mbeti i paprekur. Sërish e teprova, dhe pak më vonë, i mbyta me verë tërë kujtimet e asaj që bëra.
Ndërkohë, macja, ca ngadalë, po e mori veten. Vërtetë, zgavra e syrit që i mungonte ishte ca e frikshme, por mesa dukej, nuk ndjente më dhimbje. Vinte rrotull shtëpisë, si zakonsht, por, -doemos,- siç pritej, nuk më afrohej aspak. U vrerosa nga shpërfillja e dukshme e asaj krijese që më kishte dashur kaq shumë dikur. Veçse, shpejt, kjo ndjesi ia la vendin irritimit. E, më pas, si ndryshim i mbramë dhe i pakthyeshëm, depërtoi brenda meje shpirti i perversitetit. Filozofia, as që do t’ia dijë për shpirtin. Nuk jam i sigurtë as nëse jeton shpirti im, aq sa jam i sigurtë se perversiteti është një nga impulset më primitive të njeriut- një nga zotësitë dhe ndjesitë më të pandashme, që janë përcaktuese për karakterin e njeriut. E, cili nga ne nuk e ka gjetur veten, me qindra herë, madje, duke bërë ndonjë veprim të ndyrë, të turpshëm, apo qesharak, vetëm për arsye se e dimë që nuk duhet kryer? A nuk kemi, megjithë gjykimin tonë të mirë, një prirje të përjetshme për ta thyer ligjin, thjeshtë, ngaqë e dimë se nuk duhet shkelur? Them, se ky shpirt pervers u bë, përfundimisht, pjesë e qenies sime. Bash, kjo dëshirë e fshehtë e shpirtit tim, thjesht, për të bezdisur të tjerët, për t’i dhunuar, thjesht, për t’u bërë keq, për hir të keqdashjes, më nxiti ta plagosja edhe kafshën e gjorë.
Një mëngjes, ashtu gjakftohtë, siç isha, i lidha maces sime një lak reth qafës dhe e vara në degën e një peme. E vara me lotët që më rridhnin çurg, dhe, me keqardhjen më të hidhët të zemrës; e vara, sepse e dija fare mirë që më kishte dashur, dhe se nuk më kishte dhënë, as edhe një arsye për t’i bërë keq. E vara, sepse e dija që po mëkatoja - një mëkat të tmerrshëm i cili do të përdhoste shpirtin tim të pavdekshëm, dhe Zoti Mëshirëplot nuk do të më falte kurrë...
Mbrëmjen e ditës që kreva këtë mizori, më zgjoi një zjarr i madh. Mbulesa e shtratit tim kishte marrë flakë. E gjithë shtëpia po digjej. Me shumë vështirësi, gruaja ime, shërbëtorja dhe unë, ia mbathëm larg zjarrit të madh. Shkatërrimi qe i plotë. E gjithë pasuria ime për një çast të vetëm, u gllabërua nga flaka, dhe m’u desh të dorëzohesha, të humbisja çdo shpresë.
Po përpiqem të gjej lidhjen shkak-pasojë midis katastrofës dhe ligësisë sime. Jam duke rikujtuar çdo detaj të zinxhirit të gjatë e të ngatërruar të fakteve, dhe  nuk dua të le, as edhe një hallkë të pazbërthyer. Një ditë më pas, shkova tek rrënojat. Të gjitha muret, përveç njërit, ishin rrëzuar. Ky ishte një mur ndarës, jo fort i trashë, i cili ndodhej në mes të shtëpisë, përballë të cilit gjendej koka e krevatit tim. Atje, suvatimi i kishte bërë ballë goxha zjarrit, gjë që e shpjegova me faktin se e ishte bërë së fundmi. Rretherrotull murit u mblodh një turmë e madhe njerëzish, dhe shumë prej tyre po vëzhgonin gjithë vëmendje një pjesë të veçantë të tij. Fjalët “e çuditshme!”, “e veçantë!”, dhe shprehje të tjera të ngjashme, më ngacmuan kureshtjen. U avita dhe pashë, si të gdhendur në një basoreliev, mbi sipërfaqen bardheme, imazhin e një maceje gjigante. Imazhi ishte i qartë dhe, çuditërisht shumë i saktë dhe i vërtetë. Përreth qafës së kafshës ishte lidhur një litar.
Fillimisht, kur u përballa me këtë imazh, ndonëse nuk doja, çudia dhe lebetia ime qenë shumë të mëdha. Por, më pas, i thirra mendjes. Mbaja mend që macen e kisha varur tek një kopsht pranë shtëpisë. Sa ra alarmi i zjarrit, kopshti u mbush me njerëz, kështuqë ndonjëri prej tyre mund ta ketë zbritur macen nga pema, dhe ta ketë hedhur në dhomën time, përmes dritares së hapur. Ka shumë mundësi ta kenë bërë, që të më zgjonin nga gjumi. Rënia e mureve të tjerë e kishte ngjeshur viktimën e mizorisë sime brenda suvasë së porsavënë, gëlqerja e së cilës, tok me flakët, dhe me amoniakun e skeletit ia kishin formësuar portretin, ashtu siç e pashë unë.
Ndonëse mirë ishte që të arsyetoja dhe ta qetësoja ndërgjegjen, fakti befasues që iu tregova, më mbeti në mendje. Muaj të tërë nuk ia dola dot të shpëtoja nga fantazma e maces; dhe, gjatë kësaj kohe, më gjalloi në shpirt njëfarë  ndjenjë gjysmake, që i  ngjante pendesës, por jo, jo!- nuk ishte vërtetë e tillë. Arrita gjer në atë pikë, sa ndjeva keqardhje për humbjen e maces. Madje, edhe kur ndodhesha nëpër mejhane të ndyra, ku më ishte bërë zakon, tanimë, të shkoja, hidhja sytë lartë e poshtë për ndonjë kafshë tjetër, por disi të ngjashme në pamje, që të mund të ma zëvendësonte.
Një mbrëmje, i ulur, i drobitur, në një kantinë të fëlliqur, më tërhoqi vëmendjen një objekt i zi, që ndodhej majë një fuçie të madhe plot me xhin, apo rum, që përbënte orendinë parësore të dhomës. Kisha një copëherë me sytë mbërthyer tek ajo fuçi, por ajo çfarë më habiti ishte fakti se si nuk e kisha vënë re më herët. I shkova pranë dhe e preka me dorë. Ishte një mace e zezë, shumë e madhe, po aq e madhe sa Pluto, dhe i ngjante goxha, përveç një detaji. Pluto nuk kishte qime të bardha në asnjë pjesë të trupit, kurse kjo kishte një njollë të madhe të bardhë, një ngjyrë e turbullt, që i mbulonte gati të gjithë pjesën e kraharorit.
Kur e preka, objekti, apo gjëja, menjëherë u hodh përpjetë, gërhiti fort, m’u fërkua pas dorës , dhe duket se u kënaq nga prania ime. Kjo na ishte krijesa që po kërkoja. I kërkova bujtinarit që ta blija, dhe ai nuk është se më kundërshtoi, por nuk dinte asgjë rreth saj. Madje, tha, se as që e kishte vënë re më parë.
Vazhdova ta përkëdhelja, dhe, kur bëra të nisem për në shtëpi, macja shfaqi gatishmërinë të më vinte pas. E lejova ta bënte, duke u përkulur dhe e përkëdhelur si më parë. Si erdhi në shtëpi, macja, pa një pa dy, u përshtat me të, dhe menjëherë u bë e parapëlqyera e gruas sime.
Unë, për vete, e kisha zët që po miqësohej me mua. Ishte krejt e kundërta e asaj që prisja, por, nuk di si dhe pse, dhimbsuria e saj aq e dukshme më bezdiste e më ndillte krupë. Pakngapak, këto ndjesi neverie dhe mërzie më dhanë shijen e hidhur të urrejtjes. I shmangesha maces; njëfarë ndjenje turpi dhe kujtimi i aktit tim të mëparshëm mizor më penguan që të abuzoja fizikisht me të.  Për disa javë nuk e godita, as e dhunova; por, gradualisht, dita me ditë, nisa ta shihja me një ndjenjë neverie që nuk tregohet dhe, heshturazi, i largohesha si kolerës pranisë së saj të urryeshme.
Ajo çfarë e shtoi, padyshim, urrejtjen time ndaj kafshës ishte zbulimi, të nesërmen pasi e mora në shtëpi, se asaj, ashtu si edhe Plutos, i mungonte njëri sy. Ky detaj bëri, që ime shoqe, e cila, siç ju thashë, e ka në një shkallë të lartë njerëzillëkun,- (gjë që, dikur, ka qenë edhe një nga tiparet e mia dalluese,- burim i kënaqësive më të pastra), të lidhej edhe më shumë me të.
Përkundër neverisë sime, afiniteti i maces ndaj meje rritej përditë. Më ndiqte hap pas hapi dhe, me aq këmbëngulje, sa ju, të nderuar lexues, as mund ta imagjinoni. Sapo ulesha, ajo kruspullosej nën karrigen time, ose më hidhej mbi prehër, dhe më mbulonte me ato përkëdhelitë e saj të neveritshme. Sapo ngrihesha për të ecur, më hidhej ndër këmbë, dhe sa s’më rrëzonte; më shtrëngonte me kthetrat e saj të gjata e të mprehta, e më ngjitej në kraharor. Atëherë, sidoqë më kapte dalldia ta dërmoja me ndonjë goditje turinjve, e mbaja veten. Arsyeja: kompleksi i krimit tim të hershëm; më hipnin të dridhura frike nga kafsha!
Kjo nuk ishte saktësisht frikë për ndonjë dëmtim fizik. E kam vështirë ta shpjegoj këtë frikë. Më vjen ndot nga vetja, po, edhe këtu në qeli ku jam, llahtarinë që më zinte ma shkaktonte një përbindësh, dhe ky përbindësh ishte, thjesht, një mace. Gruaja ma kishte tërhequr më shumë se një herë vëmendjen për llojin e njollës, që ua përmenda edhe juve, dhe përbënte dallimin e vetëm të dukshëm mes kafshës së çuditshme, dhe asaj që kisha varur. Lexuesit do t’i kujtohet që, kjo shenjë, edhe pse e madhe, fillimisht ishte shumë e paqartë. Por dalëngadalë, në formë gati të pakuptimtë, të cilën, për një kohë të gjatë, mendja ime nuk arrinte ta perceptonte, zuri të kthjellohej. Tani, ajo përfaqësonte një objekt që ngjethem ta ze ngoje. I frikësohesha dhe i druhesha më shumë së çdo gjëje tjetër në botë, dhe doja vetëm ta hiqja qafe egërsirën. Tani më shfaqej imazhi i një gjëje të neveritshme, të kobshme, i TRIKËMBËSHIT! Oh, shkaktar gjëmëzi e i lemerishëm i Llahtarit dhe Krimit, i Agonisë dhe Vdekjes!

Tani isha vërtetë i mjerë, përtej mjerimit të Njerëzimit. Madje, një bishë e egër, të ngjashmen e së cilës e kisha shkatërruar me përçmim; një bishë e egër. Isha shndërruar në një bishë të maskuar pas imazhit të të madhit Zot. Hidhërim i padurueshëm! O Zot! Qetësia, për mua vdiq një herë e mirë. Nuk shlodhesha dot as ditën, as natën! Dikur, macja nuk më linte asnjë çast vetëm; më vonë, më mbërthenin endrra të shpeshta dhe më kapte një frikë që s’tregohet. Mbi fytyrë ndieja frymën e ngrohtë të asaj gjësë, peshën e madhe. O Zot! Ishte një peshë e rendë dhe një makth që doja ta hiqja e nuk e hiqja dot nga zemra. Nën trysninë e kësi përndjekjesh, edhe ajo pak mirësi që më kishte mbetur, shterroi. Mendime të këqija, ato më të errëtat e më të ligat, m’u bënë miqtë e vetëm. Zymtësia e temperamentit tim u kthye në urrejtje ndaj gjithçkaje dhe gjithkujt. Ndërkohë e braktisa veten verbërisht në shpërthimet e papritura, të shpeshta, të pakontrolluara të tërbimit tim, dhe gruaja ime, nuk ankohej më. O Zot! Vuante përulësisht dhe me durim.
Një ditë, kur po bëja ca punë shtëpie, macja më erdhi pranë në qilarin e ndërtesës së vjetër, ku na u desh të jetonim ngaqë ishim të varfër. Më ndoqi tatëpjetë shkallëve. Mend u plandosa me kryet përdhé. Më nevrikosi, më tërboi. Nga zemërimi, harrova fare frikën që kisha ndjerë gjer atëherë, rrëmbeva një sëpatë, shenjestrova goditjen në kokën e maces e cila, payshim, do të kishte mbetur në vend, nëse do të kishte shkuar ashtu siç dëshiroja. Por, synimit tim i vuri fre dora e gruas sime. U tërbova nga ndërhyrja e saj, mora vrull nga xhindosja ime demoniake, e tërhoqa krahun që më kishte mbërthyer, dhe ia ngula sëpatën në kokë. Gruaja ra e vdekur në vend, pa as edhe një rënkim.
Pasi kreva këtë vrasje të tmerrshme, menjëherë, ngadalë e me kujdesin më të madh, i vura vetes detyrën e fshehjes së trupit. E dija mirë se nuk do të mundja ta nxirrja nga shtëpia, as ditën e as natën, pa rrezikun që të më pikasnin fqinjët. Sa gjera më kaluan nepër mend! Një herë mendova t’ia copëtoja trupin në pjesë të vogla, pastaj ta hidhja në zjarr. Një herë tjetër, thashë të gërmoja një gropë në dyshemenë e qilarit dhe atje ta fshihja. Pastaj, mendova ta hidhja në pusin e kopshtit, apo ta paketoja në kuti, kinse do ta shisja, dhe të njoftoja portierin që ta largonte nga shtëpia. Në fund, zgjodha atë që m’u duk më e sigurt se të tjerat. E ndava mendjen ta varrosja në murin e qilarit, siç bënin murgjit mesjetarë kur varrosnin viktimat e tyre.
Qilari, sikur ishte bërë tamam për këtë qëllim. Muret nuk ishin fiksuar mirë, e së fundmi, qenë suvatuar me një llaç të ashpër, të cilin lagështia nuk e kishte lejuar të ngurtësohej. Për më tepër, në një nga faqet e murit kishte një dalje, e bërë për një oxhak të rremë, që ishte mbyllur për t’i përngjarë pjesës tjetër të qilarit. Nuk kisha asnjë mëdyshje; mund t’i hiqja tullat në atë anë, ta shtija trupin brenda dhe ta rindërtoja murin si më parë, në mënyrë që askush të mos vinte re diçka të dyshimtë.
Nuk u gabova me këtë përllogaritje. Me një levë, i hoqa tullat lehtësisht dhe, pasi e futa trupin në murin e brendshëm, e vendosa në pozicionin që duhej. Me fare pak mundim e ringrita të gjithë strukturën si në fillim. Gjeta gëlqere, rërë dhe lesh; me shumë merak, gatita llaç, që nuk dallonte nga ai i vjetri, dhe kështu, zuri fill puna me tullat. Kur mbarova, u kënaqa që gjithçka shkoi mbarë. Muri, as që të lindte përshtypjen më të vogël se ishte prekur. Mbeturinat përtokë i mblodha me shumë kujdes. Vështrova përqark në mënyrë triumfuese, dhe i thashë vetes: “Të paktën, kësaj here nuk më vajti dëm puna.”
Hapi i rradhës ishte kërkimi i egërsirës që ishte dhe shkaku i gjithë mjerimit tim. E ndava mendjen që ta vrisja. Po ta hasja atë çast, nuk do të kisha kurrëfarë mëdyshjeje për fatin e saj. Po ja, që kafsha tinëzare na ishte alarmuar nga dhuna e zemërimit tim të hershëm dhe m’u shmang. Është e pamundur ta përshkruaj. Nuk mund ta imagjinoni dot ndjenjën e thellë, të hareshme të çlirimit që m’u ndez në kraharor që kafsha e përbuzur m’u hoq nga sytë. Shpëtova- uf! As që u duk gjatë natës, dhe së paku një natë, qysh prej ardhjes së saj në shtëpi, fjeta si qengj, ndonëse me barrën e një krimi në shpirt!
Kaluan edhe dita e dytë dhe e tretë, dhe ajo që më mundonte nuk po dukej. Edhe një herë, mora frymë lirisht. Monstra, nga frika, ishte larguar një herë e mirë nga godina! Nuk do t’ia shihja më bojën! Lumturia ime ishte e pafund! Ndjenja e fajit për krimin tim të errët nuk më shqetësontë më. Disa hetime ishin bërë, dhe u tregova i gatshëm të bashkëpunoja me policinë. Madje, u bë edhe një kërkim, por, natyrisht, asgjë s’kishte për t’u zbuluar. E quaja të sigurtë lumturinë time të ardhshme.
Ditën e katërt, pas vrasjes, erdhi në shtëpi krejt papritur një skuadër policie, dhe vazhdoi të bënte hetim rrënjësor nëpër godinë. Por unë ndihesha i sigurtë se vendi i fshehjes ishte i paarritshëm, kështuqë nuk u ndjeva hiç në siklet. Policët më kërkuan t’u  bashkohesha gjatë hetimit. Nuk lanë qoshk pa rrëmuar. Ata zbritën tri a katër herë në qilar, dhe përmbysën gjithçka. Nuk m’u drodh qerpiku. Zemra më rrihte qetësisht, si të isha njeriu më i pafajshëm në botë. I rashë qilarit kryqetërthor. Mblodha krahët mbi gjoks dhe lëvizja lirshëm lart e poshtë. Policët mbetën plotësisht të kënaqur dhe u bënë gati të largoheshin. E kisha vështirë ta përmbaja gëzimin e madh që ndieja në zemër. S’më rrihej pa nxjerrë, qoftë edhe një fjalë, si ngadhënjimtar që isha, në mënyrë që t’i bindja dyfish në pafajësinë time.
-Zotërinj! -u thashë më në fund, ndërsa ekipi po ngjitej lart, -Jam i kënaqur që hoqa  mëdyshjet tuaja. Ju uroj shëndet, dhe pakëz më tepër mirësjellje! Meqë ra fjala, kjo... Kjo është një shtëpi e ndërtuar fort mirë. (Nga dëshira e shfrenuar që të thoja diçka, nuk po e kuptoja fare atë që nxirrja nga goja.) Mund të them, se kjo është një shtëpi e ndërtuar mrekullisht mirë. Këta mure... Po largoheni, zotërinj? ... Këta mure janë të puthitur mirë. Dhe, me kapadaillëk ngrita shkopin që kisha në dorë dhe godita fort në atë pjesë të murit, pas së cilës gjendej trupi i gruas sime.
Zoti më ruajttë dhe më shpëtoftë nga helmi i Djallit! Pa u mbytur mirë jehona e goditjes, një  tjetër jehonë  m’u përgjigj nga varri! Një britmë, fillimisht e mbytur dhe e këputur, si ngashërima e fëmijës u shndërrua shpejt në një ulërimë të gjatë, të fortë, të vazhdueshme, tejnormale dhe jonjerëzore... Një britmë, klithmë vajtuese, ca nga tmerri e ca nga gëzimi i shpëtimit, a thua se vinte nga vetë ferri, e bashkuar me fytin e të dënuarve në agoninë e tyre, dhe e djajve të ngazëllyer nga dënimi.
Është e kotë, besoj, t’ju rrëfej mendimet e mia. Gati i zalisur u ktheva nga muri përballë. Për një çast, skuadra e policëve mbi shkallë, e shastisur nga tmerri dhe frika gjer në palcë, nuk lëvizi. Pastaj, nja dymbëdhjetë qyta armësh njëherësh goditën murin. Ai u shemb tërësisht. Tanimë, trupi, krejtësisht i kalbëzuar dhe i mbuluar me gjak i gruas u shfaq para syve të të pranishmëve. Mbi kokën e gruas u duk bisha e neveritshme: me gojën e kuqe të hapur dhe sytë flakërues. Ishte ajo që më nxiti në ngasje të vrisja një njeri; ishte ajo kallauzi që më dorëzoi tek xhelatët. Në mur ia paskam bërë varrin!

Përktheu nga origjinali

FIONA KOPALI


_________________________________________________________________________________

Skeda:Edgar Allan Poe 2.jpg


Edgar Allan Poe lindi më 19 janar 1809 në Boston, Massachusetts, ShBA; vdiq më 7 tetor 1849 në Baltimore, Maryland. Ka qenë një shkrimtarë amerikan. Ai e themeloi litertaurën e krimit, zhanrin science fiction dhe të horrorit. Poezia e tij u bë fundamenti të simbolizmit dhe keshtu të poezisë moderne.

Poe kishte qenë një nga poetët më të përkthyer në të gjitha vendet e botës. Fan Noli e kishte përkthyer edhe në shqip. Ai kishte përkthyer dy poemat më të njohura të tijat: “Korbi” dhe “Anabel Li”. Jeta e tij kishte filluar mes mjerimit dhe braktisjes, ndërsa më pas do të ishte një fëmijë i adoptuar nga një njeri i pasur, ku do të jetonte vetëm për pak kohë. Jeta e tij do të ishte e mbushur me peripeci të shumta, shpesh herë i dehur dhe jo rrallë herë shëtitës si endacak në kërkim të një strehe. Megjithatë, kudo që shkonte, ai shkëlqente me talentin e tij. Krijimet e tij ishin mbinjerëzore. Imagjinata e tij të çonte larg, në të vërteta të pathëna më parë. Ashtu si Hemingueji dhe Poe pati një vdekje tragjike, Edgar ishte ndarë nga jeta më 7 tetor te vitit 1849 përmes një vdekjeje tepër të dhimbshme. Një nga shprehjet e tij të njohura është: “Cila sëmundje e lë veten të krahasohet me alkoolin”! . “Korbi” dhe “Anabel Li” ishin magji të vërteta. Sot ai është një mit, paraprijës i kohës së vet. Jo vetëm poetët, por edhe filozofët bashkëkohorë thonë: “Pa Poe-n nuk do të njihnim shpirtin e njeriut, siç e njohim sot”. Poezitë e tij nisa t’i botoj që nga viti 1999, ndërsa në vitin 2005 botova një përmbledhje me poezi dhe poemat e tij, të cilin e kam ribotuar 4 herë. Megjithatë, tashmë isha vënë në kërkim të shpirtrave të mëdhenj njerëzor.

Edgar Allen Poe “Annabel Li”
Ka shume e shume vjet/ Ne nje vend afer ne det,/ Ish nje vajze qe mundni ta njini tani/ Nene emerin Annabel Li;/ Dhe kjo vajze me donte edhe tjeter s’kerkonte/ Vec ta deshja sikunder me deshti./
Isha i vogel dhe ishte e vogel ne vjet/ Ne ate vend afer ne det;/ Po duheshim me teper se me dashuri/ Une dhe imja Annabel Li;/ Me nje dashuri qe edhe Engjejte lart ne lavdi/ Qe te dyve na kishin zili./
Prandaj, tani e shume vjet,/ Tek ky vend afer ne det,/ Fryri veriu nga rete e ma ngriu/ Te bukuren Annabel Li;/ Edhe motrat e saj engjellesha/ Ma rrembyen, ma mbyllen ne varr se e desha,/ Dhe keshtu me la shendet/
Nga ky vend afer ne det./
Engjejte qe s’kishin sa ne dashuri/ Qe te dyve na mbanin meri./ Po perandaj, sic e dini vertet,/ Tek ky vend afer ne det/ Fryri veriu nje nate e ma ngriu/ E ma vrau timen Annabel Li./
Dashuria qe kishim ish m’e forte se cdo dashuri,/ S’e ka patur as plak as i ri,/ As i marr’ as i urte njeri/ Dhe as Engjejt e qiellit ne re,/ As demonet perposht ne sketerre;/ Shpirtin tim s’mund ta shqitin nga shpirti/ I se bukures Annabel Li./
Se tek hena qe ndrit, syri im enderrit/ Per te bukuren Annabel Li; Dhe cdo yll qe shkelqen syt’ e embel rrefen Te se bukures Annabel Li;/ Nate e dite e shoh, edhe zemren ma ngroh,/ Shoq’ e dashura ime, e mjera jetime,/ Permi varrin ku deti bucet,/ I rri prane mi varrin ne det.

Floripress

---------------------------------------------------------

Festivali i tretë ndërkombëtar i poezisë “Drini poetik” të LSHK-së, mbahet më 9 e 10 qershor 2013, në Prizren



LIDHJA E SHKRIMTARËVE E KOSOVËS THE WRITERS LEAGUE OF KOSOVA

Në festivalin tradicional ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik” të LSHK-së, që mbahet më 9 e 10 qershor 2013, në Prizren, i cili mbahet në patronazhin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, me krijime poetike marrin pjesë:

LISTA PËRFUNDIMTARE
1. Abdyl Kadolli
2. Adem Demaçi
3. Adem Zaplluzha
4. Adem Zejnullahu
5. Agim Bajrami
6. Agim Rifat
7. Agim Vinca
8. Albert Shala
9. Albina Idrizi
10. Ali Alidemaj
11. Arben Rashkaj
12. Arif Bozaxhi
13. Arif Haliti
14. Arsim Halili
15. Avdi Ibrahimi
16. Avni Dehari
17. Bardhul Toda
18. Beatriçe Balliçi
19. Bedri Halimi
20. Bedri Neziri
21. Bedri Zyberaj
22. Begzad Baliu
23. Behram Hoti
24. Beqir Buzuku
25. Bilall Maliqi
26. Dibran Fylli
27. Dren Shala
28. Ejup Ceraja
29. Fatime Ahmeti
30. Flori Bruqi
31. Flutura Maçi
32. Gëzim Ajgeraj
33. Hysen Këçiku
34. Hysen Matoshi
35. Ibrahim Berjashi
36. Ibrahim Skënderi
37. Idriz Ulaj
38. Ilam Berisha
39. Irena Gjoni
40. Ismail Simnica
41. Ismet Lecaj
42. Jerida Kulla
43. Lulzim Hajdari
44. Mazllum Baraliu
45. Mehmetali Rexhepi
46. Merxhan Avdyli
47. Mexhid Havolli
48. Miftar Kurti
49. Mikel Gojani
50. Milaim Berisha
51. Mustafa Balje
52. Natasha Lako
53. Naxhije Doçi
54. Nebih Bunjaku
55. Nehas Sopaj
56. Nexhat Rexha
57. Nezir Prokshi
58. Nikolla Spathari
59. Pandeli Koçi
60. Qerim Pllana
61. Ramadan Thaçi
62. Riza Haziri
63. Riza Lahi
64. Rushit Ramabaja
65. Sabahate Byci
66. Sabile Basha
67. Sabit Idrizi
68. Safete Rexhepi
69. Salajdin Krasniqi
70. Sali Bytyçi
71. Sarë Gjergji
72. Sherife Thaçi
73. Shqipe Hasani
74. Sulejman Dida
75. Uzeir Ajradini
76. Veli Veliu
77. Xheladin Mjeku
78. Xhemajl Rudi
79. Ymer Berbati
80. Yrjet Berisha
81. Zejnel Besaç
82. Zyba Hysa

Poezitë dorëzohen në fillim të Festivalit në tri kopje. Poezitë që janë më të gjata se 30 rreshta dhe që janë publikuar më parë, nuk futen në konkurrencë stimuluese për shpërblime.
Jepen disa çmime stimuluese-konkurruese: “Metafora” I, II e III, Një komplet veprash, “Piktura e bukur” dhe “Pena e artë”.
Pjesëmarrësit vendosen në hotelin “Nafron”, që ndodhet në rrugë për Therandë (nga dy veta) dhe në hotele të tjera, që ndërkohë do të marrim konfirmimin nga organizuesit vendës.
Bashkëngjitur keni edhe programin e Festivalit.
Për çdo rast mund të drejtoheni në e-malin: lshk2012@hotmail.com dhe në tel.: 044-158-324.


SESIONI LETRAR "SHKRIMTARI DHE BOTIMET LETRARE"

Në sesionin letrar "Shkrimtari dhe botimet letrare" të festivalit ndërkombëtar të poezisë "Drini poetik", që mbahet në Prizren më 9 e 10 qershor 2013, në patronazhin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, me kumtesa do të paraqiten:

1. Prof. dr. Emin Kabashi, Shkrimtari dhe perceptimi ideologjik i botimeve letrare
2. Prof. dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, Shkrimtari dhe libri i munguar
3. Prof. dr. Behar Gjoka, Letërsia “e sirtarit” dhe ajo në dorëshkrim
4. Violeta Allmuça, Mbijetesa e letërsisë së vlerave
5. Prof. dr. Hysen Matoshi, Autori dhe botuesi
6. Feride Papleka, Marrëdhëniet e përmbysura shkrimtar-botues në Shqipëri
7. Prof. dr. Vebi Bexheti, Letërsia e arbëreshëve në botimet më të reja
8. Prof. Brikena Smajli, Shkrimtari dhe krijimi si qenësi
9. Mr. Xhafer Syla, Shkrimtari dhe censura
10. Dr. Yrjet Berisha, Letërsia e dy dekadave të fundit

Kumtesat të jenë deri në 8 minuta.
Sesioni letrar mbahet më 9.6.2013, në orën 12, pas hapjes së festivalit dhe të ekspozitës artistike.
Për çdo rast mund të drejtoheni në e-malin: lshk2012@hotmail.com dhe në tel.: 044-158-324.
Bashkëngjitur keni dhe programin e Festivalit.

Me respekt,
Kryetarja

Dr. Flora Brovina

P. s.
Autobusi prej Prishtinës niset më 9.6.2013, në orën 9, nga Fakulteti i Filologjisë i UP-së.
Pos një bujtje, për pjesëmarrës jepen edhe dy dreka.Të interesuar të tjerë nuk mund të marrin pjesë.

Prishtinë,më 3.6.2013

2013-06-03

KUSH JEMI NE?

Riza Lahi
KUSH JEMI NE?

Të rinjve që e ndjejnë se kanë mbi shpatulla një amanet – fatin e atdheut

Autori


Jemi energjia pranverore e një populli të nëpërkëmbur me hashash vezirësh dhe shënjtorësh me origjinë shqiptare

Jemi pranvera që flak mbatanë dëshpërimin e baballarëve dhe gjyshërve tanë të ndershëm
Jemi fishekzjarret e furishme që hidhen nga toka në qiellin e mbushur me netë të dëshpëruara emigrantësh shqiptar

Jemi ofshama e poemës së mjerimit mes artistëve që kanë flakur cipën njerëzore në det
Jemi lulet idealiste të plehëruara me gjirizin e ndyrë të parave

Jemi dora e dhunëshme që flakë përtej maska 

Jemi e shara e ndyrë e Pierr Kambronit përballë joshjeve a dhunës për të na thyer 

Jemi shqiponja që ka dalë nga palët e flamurit për drejt zemrës së tronditur të popullit shqiptar 

Jemi fytyra e pafrikëshme e së vërtetës


2013-06-02

Gjuha e stuhisë në LDK

(Shkruan Isa Mustafa: LDK-JA MBETET PARTI E VLERAVE TË MËDHA NACIONALE E EVROPIANE, QIK, 23 dhjetor 2010)
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Më datën 23 dhjetor 2010 në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, në mjediset e Hotelit “GRAND” - Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar 21 vjetorin e themelimit. Këtë eveniment e shënuan edhe mediat kosovare të informimit, kurse Qendra për Informim e Kosovës e dha fjalimin e Isa Mustafës në mënyrë integrale duke potencuar “shkruan: Isa Mustafa” që lë për të nënkuptuar se tashmë ai u bë edhe shkrimtar, për çka e pamë të udhës ta përimtojmë  një çikëz.
Para diplomatve të akredituar në Kosovë, para funksionarëve, mysafirëve dhe shumë anëtarëve të tjerë, sipas rendit dhe Kanunit Partiak, ka folur e përshëndetur Njeriu që më së paku ka merita për LDK-në, pra kryetari i saj aktual i z. Isa Mustafa.
Ai tashti na rikujton se LDK-ja u "krijua në kohën kur kishte nisur shembja e një sistemi të egër, nga i cili kishin vuajtur shumë popuj në Evropën Juglindore, por vuajtjet më të mëdha i përjetoi populli ynë shqiptarë në Ballkan". Dhe kjo është mbase e vërtetë, pasi Isa Mustafa e dinë se ka qen vet komunisti i fundit që do t’ia kthente shpinën Qeverisë së përfolur të Jusuf Zejunullahut. Por njerëzit e LDK-së sikur janë bërë harrestar dhe durojnë çdo palaço të ju mbaj “ders”,  sepse nuk ka gjë më fyese për elitën patriotike të LDK-së se sa t’u flas Isa Mustafa.
Askush më mirë se LDK-ja nuk ka kultivuar patriotizëm nacional, ndjenja këto që janë sprovuar për vite të tëra, atëherë kur soldateska serbe bënte kërdinë mbi Kosovën dhe qytetarët e saj, në njërën anë, kurse në anën tjetër grupe titiste në Kosovë shantazhonin përmes militantëve të tyre të infiltruar qoftë në LDK, e qoftë në Qeverinë e përkohshme në Ekzil, duke i kryer me besnikëri urdhrat e djallit të mallkuar, duke i satanizuar veprimet politike të LDK-së, dhe duke i stagnuar e bllokuar shumë procese të rëndësishme politike e diplomatike, që i bënte LDK-ja, po veçmas presidenti historik dr. Ibrahim Rugova.
Kurse tani në këtë 21-Vjetor, në cilësinë e Njeriut të I-rë në LDK, pikërisht dr. Isa Mustafa jo që ligjëron, po më shumë nënçmon dhe anashkalon personalitete me ndikim që themeluan LDK-në, nënçmon dhe i harron militantët ldk-ist që shkrinë jetën dhe kohën për të ardhur në këtë ditë. Por tmerri i këtij përvjetori mund të llogaritet nënçmimi dhe anashkalimi  qoftë i djalit të Presidentit  Historik të Kosovës Ukës, po më shumë injorimi i Familjes RUGOVA, pa prezencën e së cilës nuk duhej të fliste e mbllaçiste Isa Mustafa, e aq më pak të na tregonte se "LDK ja dhe lideri i saj, presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, punuan pareshtur për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke proklamuar fuqishëm platformën e saj, e cila u bë program politik i popullit të Kosovës, për Liri, Pavarësi dhe Demokraci".
Tani mund të pyetet publikisht dr. Isa Mustafa, në cilësinë e kryetarit të LDK-së pasi e ka shansin historik të rrëfehet, dhe t’i qartësoj dilemat e politikës së tij antirugoviane që ka ndjekur gjatë gjithë mandatit të tij si Ministër i Ekonomisë dhe Financave në kohën kur President të Kosovës e kishte dr. Ibrahim Rugovën.
Pasi dr. Isa Mustafa po besuaka thellësisht se Ibrahim Rugova paska punuar për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, pikërisht në kohën kur ai ishte Ministër për Ekonomi dhe Financa në Qeverinë e Kosovës në ekzil duhet të tregon pse ia patën rrudhur buxhetin, dhe pse patën bërë aq përpjekje për t’ia kufizuar të gjitha lëvizjet dr. Ibrahim Rugovës, madje duke e lënë disa herë nëpër aeroportet e Evropës Perëndimore, gjë që në atë kohë pikërisht kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër z. Hajdar Sadrija u detyrua të mblidhte para nëpër anëtarësi për t’ia mundësuar Liderit Historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugovës që të vazhdonte Misionin e tij drejt SHBA-ve, për tu treguar miqve të tij, për dhunën serbe në Kosovë e mbase të ankohej për kleçkat e pengesat që ia bënte pikërisht ky Isa Mustafa që tashmë po mbllaçitë për vlerat e njëmendta të LDK-së dhe të “Njeriut Ibrahim!”, që askush më shumë për të gjallë nuk e ka urryer se sa Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi.
A nuk është për t’u trishtuar dhe për të lebetitur dhe për të të ardhur keq për mjerimin politik të LDK-së, a nuk dinë liderët e kësaj partie se pikërisht dr. Isa Mustafa bashkë me sivëllain e tij të madh dr. Bujar Bukoshin janë fajtorët kryesor për mos hapjen e Zyrave diplomatike të Kosovës nëpër botë.
Ju lutem kthejeni kujtesën te skandali që pat plasur me Zyrën e Kosovës në Tiranë, pastaj me Zyrën e Kosovës në Bon, pastaj me ministrinë e Informatave dhe tashti z. Mustafa e ka kohën të flas pse nuk u lejua të hapej as Zyre e Kosovës në Uashington. Kryesia e LDK-së të mos bëjë hajgare se ka ardhur kohë kur duhet t’i raportoj Kuvendit të LDK-së se çfarë e pengonte dr. Isa Mustafën diplomacia e Ibrahim Rugovës i cili të tëra shpresat i pat varur në Uashington, dhe është i vetmi njeri, (jo vetëm LDK-së por Kosovës), ia pat hapur dyert nëpër të gjitha kancelaritë botërore.
U dashtë të ndodhte vdekja (i lutem Zotit jo e porositur), e Ibrahim Rugovës dhe sidomos të vinin në Kosovë personalitete me ndikim të fuqishëm botëror, për të besuar ne se “Ai Njeri ka qenë i shenjtë”, se për të gjallë kancerin në shpirt ia patën qitur (pos të tjerëve), edhe dr. Isa Mustafa me sivëllain e tij të madh Bujar Bukoshin.
LDK-ja e mori verdiktin nga populli atë që e meritoi, sepse ky popull nuk e duron këtë kreaturë komuniste, e cila nuk arriti ta mashtroj elektoratin e LDK-së me reformat e rreme, verdikt ky që nëse marr vesh kryesia e LDK-së, elektorati i saj  ia tregoi vendin e merituar, dhe nuk pinë ujë mbllaçitjet e dr. Isa Mustafës bashkë me ato të Lutës e autorit të dramës “Futa” se LDK-ja i paska marrë kësaj radhe mbi 40 mijë vota më shumë. Kështu Lutfi Haziri është deklaruar edhe në zgjedhjet paraprake dhe ky refren nuk pinë ujë më. LDK-ja ka mbetur në pozitën e njëjtë, ku moralisht dhe politikisht nuk ka të drejt, as të mendoj ta krijoj qeverinë, dhe as të mashtrohet për t’u futur në qeveri, e ruana zot të kërkoj zgjedhje të reja pa i bërë reformat partiake, dhe pa i shporrur të gjitha vemëzat e mbetjet e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë  nga kjo parti, duke filluar me dr. Isa Mustafën i cili edhe ashtu është deklaruar se “nëse nuk i fitoj zgjedhjet unë do të jap dorëheqje”.
Dr. Isa Mustafa as në këtë përvjetor nuk arriti të flasë një fjalë të vetme nga ndonjë takim a kujtim që ka pasur drejtpërdrejt  ndonjëherë në jetën e tij me dr. Ibrahim Rugovën, në kohën kur ai ishte i strukturave shtetërore që president e ka pasur dr. Ibrahim Rugovën. Madje dr. Isa Mustafa nuk arriti që në spotet e shumta televizive ta prezantonte qoftë edhe një fotografi të vetme që ka pasur dikur me dr. Ibrahim Rugovën, ashtu siç nuk prezantoi as edhe një sekuencë filmike kur ka marrë pjesë në kortezhin e gjatë në Kuvendin e Kosovës për t’ia dhënë edhe ai lamtumirën presidenti Historik të Kosovës. Këto detaje nuk mund të kërkohen nga një brez i ri që aspiron për politikë në radhët e LDK-së, por nga Isa Mustafa janë domosdoshmëri e kohës sepse ai i takonte kohës së Ibrahim Rugovës, dhe madje është ndër personalitet e rralla që ka pasur fatin të jetë Ministër kur Rugova ishte President Shteti, dhe ligjshmërish ka qenë i bliguar t’i respektoj urdhrat e Presidentit që tashmë po flet me pietet për te.
Tani dr. Isa Mustafa na kallxon se "Liria dhe Demokracia u arritën”, siç na kallxoi se me te do të nisë një “LDK tjetër”?!... Po një gjë që dhemb edhe më shumë është e dhëna kur ai tashti thekson se "LDK ja ishte simbol i përkushtimit, punës dhe sakrificës së shqiptarëve në Kosovë dhe në diasporë".
Ne nuk arritëm ta kuptojmë nëse Isai e kishte fjalën për atë diasporën  që pikërisht ky Isa Mustafa ia pat pirë gjakun, e pat satanizuar, qoftë duke ia lëshuar në qafë tagërmbledhësitë  e 3% që për Diasporën luanin rolin e “poroznikëve” të dikurshëm, duke u bërë oponent të pa durueshëm brenda LDK-së, pastaj e din ai si ka punuar  me sektorin e LAPSH-it në Diasporë që u karakterizuan bashkë me Isa Mustafën si dy strukturat më kundërshtuese të mendimit demokratik që kultivonte LDK-ja.
Dr. Isa Mustaf asnjëherë nuk ka bashkëpunuar me LDK-në, kjo është një e vërtetë e madhe, ai në tubimet e LDK-së, më shumë ka marrë pjesë në cilësinë e xhandarit se sa të një Ministri që duhej të kishte një komunikim më qytetar, dhe më qytetërues edhe me anëtarësinë e LDK-së, popullatë kjo e cila ishte e vetmja strukturë që paguante 3% dhe merrte përbuzjen e vazhdueshme nga dr. Isa Mustafa.
Kundërshtitë e Isa Mustafa ndaj konceptit politik të LDK-së do të manifestohen gjatë kohës së luftës ku bashkë me Bujar Bukoshin do ta qesin pothuajse jashtë loje ndikimin dhe kontributin e LDK-së, dhe në këtë plan do të pësojnë të gjitha strukturat ushtarake që besonin në Zot, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe që njihnin jo vetëm si President të tyre Dr. Ibrahim Rugovën, por atë e konsideronin edhe si Gjeneral të Armatës Ushtarake të Kosovës dhe të mbarë UÇK-së, sado që kjo gjë nuk u lejua kurrë të bëhej realitet, edhe pse të gjitha forcat politik dhe ushtarake në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ishin të obliguara ta njihnin dr. Rugovën si Gjeneral të tyre.
Konstatimi kaq i vonshëm i Isa Mustafës se LDK-ja ishte "shenjë njohjeje për botën demokratike", vetvetiu të shtyn që t’ia shtrojmë një pyetje se ku ishte ky zotëri deri sa u bë kryetar i LDK-së(?) dhe pse nuk e kishte këtë qëndrim për dy dekada sa ka vepruar me dinjitet LDK-ja, dhe po ashtu shtrohet pyetja tjetër logjike pse Isa Mustafa nuk iu bashkëngjitë kurrë korit të këtij zëri kur e dinte se:"LDK ja u bë zëri i Kosovës në Evropë dhe në SHBA, zëri i kërkesës së drejtë të një populli për të qenë pjesë e barabartë e botës së qytetëruar, nga e cila ishte i privuar padrejtësisht".
Por dihet se për gati dy dekada, ky zotëri ka mbajtur qëndrim jo vetëm indiferent por frenues për të gjitha proceset politike që kalonte LDK-ja, ashtu sikurse po të mos ishin pengesat që iu bëheshin LDK-së nga Qeveria në Egzil të cilët tërë arsenalin financiar e kanë pas drejtuar në shkatërrimin e LDK-së. Këto fakte janë të njohura edhe për barinjtë e Kosovës, por pse nuk e dinë edhe akademik Sabri Hamiti, dhe kryesia e LDK-së, këtë nuk mund ta kuptojmë. Të gjitha vizionet dhe projektet nacionale nisen me LDK-në, por dihet se në të gjitha këto procese nuk ka qen kurrë Isa Mustafa i involvuar edhe pse ka pasur obligim kushtetues.
Ai ka të drejt kur konstaton se "Programi i veprimit politik e nacional i LDK së me kohë u përqafua nga i tërë populli i Kosovës dhe u bë program politik e nacional i Kosovës", por askush nuk mund ta thotë saktë se prej cilës kohë ishte edhe për Isa Mustafën. Dihet se të gjitha krijimet e sistemeve shtetërore që i thekson Mustafa janë punë dhe angazhim i pamohueshëm i veprimtarëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë, se “nën drejtimin e LDK së u krijua sistemi i mëvetësishëm qeveritar, sistemi institucional i financimit, i arsimit, i informimit, i shëndetësisë, i sigurisë, i përkrahjes sociale, i sportit”, por është po aq e vërtetë se këta sektor janë penguar dhe janë ndëshkuar nga inatet politike që i kishin dueti Mustafa&Bukoshi kundër dr. Ibrahim Rugovës dhe LDK-së në përgjithësi. E duke mos arritur ta mposhtnin dr. Ibrahim Rugovën që kishte marrë famë, ata arsenalin poshtërues e derdhnin kundër LDK-së dhe kudo kundër veprimtarëve të kësaj Lëvizjeje Nacionale kudo në botë.
Po aq cinike duken tashti deklarimet e tija se “Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj, dr. Ibrahim Rugova punoi në mënyrë të veçantë për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës”, kur i madh e i vogël e kanë ditur se pikërisht Ibrahim Rugova shantazhohej e përmbytej nga Qeveria e Kosovës dhe binomi Bukoshi&Mustafa ose anasjelltas Mustafa&Bukoshi, por nuk e di sa e paskan ditur qoftë Fatmir Sejdiu që iku, e qoftë dr. Sabri Hamiti që mbeti, për të bërë atë që nuk e bëri Sejdiu. Po ashtu ka qenë e ditur se  Presidenti Historik dr.Ibrahim Rugova “i kishte dyert e hapura anekënd botës”, por kurrë nuk i ka pasur të hapura dyert në Qeverinë e vendit të Tij që e udhëhiqte Bukoshi dhe Mustafa. Se kjo është e vërtetë s’ka dyshim, në të kundërtën  ata do ta jepnin ndonjë fotografi a sekuencë filmike që paskan  patur me dr. Rigovën apo që paskan pritur diku Kryetarin e Kosovës në Zyrat e Qeverisë: Madje Isa Mustafa nuk qe në gjendje të jepni qoftë edhe pamje filmike për një drekë a darkë pune që paska shtruar për dr. Ibrahim Rugovën, për të cilin tashti flet me pietet dhe me respekt kaq të lartë.
Ndonëse dihet se urtësia dhe mençuria e tij qau edhe gurin por kurrë nuk ua la shenjë as Bukoshit dhe as Isa Mustafës të cilët nga inati që kishin kanë bërë çmos, që filozofia e tij të mos shkëlqej, sepse si duket shkëlqimi i tij këtyre dy injorantëve politik vazhdimisht ua verbonte sytë.
Të gjitha meritat për pasimin e të vërtetës në botë, i mbetën vetëm Ibrahim Rugovës, të gjitha arritjet ishin po ashtu meritë e tij, por nuk dihet nëse elita udhëheqëse e LDK-së ishte e vetëdijshme për krimin e ri që po i bënë LDK-së me zgjedhjen e Isa Mustafës kryetar i LDK-së dhe tani ai po bënë gallata, duke na u shitur “Engjëlli Mbrojtës” i demokracisë dhe mendimit politikë jo vetëm në LDK, por mendja iu ka mbushur mendja se pa të nuk mund të ekzistojë Kosova.
Isa Mustafa e din se “me intervenimin e NATO s në Kosovë më 1999, ndodhi saktësisht ajo që e kishte kërkuar për një dekadë Presidenti Rugova”, madje Mustafa me qëllim nuk e thekson, por ai e din se: “Presidenti Rugova e dinte fare mirë kush ishte edhe Bujar Bukoshi por e dinte fare mirë se kush ishte edhe Isa Mustafa”, dhe Ai si i madh që ishte pranoi ta bëjë Isa Mustafën Këshilltar për Ekonomi dhe Financa në kabinetin e tij, por Isai Mustafa si mistrec që ishte, u tregua i pamëshirshëm, duke mos pranuar as vonë pas luftës të afrohej afër dr. Ibrahim Rugovës, ndonëse kur i duhet i shkon te varri dhe përulet para kamerave televizive.
Nëse LDK-ja dhe veçmas Sabri Hamiti mendon se duhet ta udhëheqin Kosovën atëherë duhet të pastrohet oborri në LDK- por jo të presin këta si dhelprat deri sa t’i bien “Koçet në tokë Hashim Thaçit”  të cilat po i shkojnë varë nga babaxhënllëku e kapadaillëku strategjik që ka ditur ta sjell, por Hashim Thaçi, jo që e ka lënë LDK-në dhe Isa Mustafën në opozitë, por me këtë avaz LDK-ja pas katër vitesh do të mbetet në pikëpyetje nëse do ta kalon pragun zgjedhor.
Kjo veprimtari kaq destruktive bëhet në saje të një komunisti i cili nuk njeh vlera morale dhe nuk mban as premtimin e dhënë, sepse ai është deklaruar në Kuvendin e LDK-.së se “nëse nuk i fitoj zgjedhjet do të jap dorëheqje”.
Lojërat politike që bëhen tashti duke mos ia pranuar zgjedhjet PDK-së, kurrë nuk do t’i sjellin rezultate as Isa Mustafës e as LDK-së. E kuptojmë ai bë çmos për të shantazhuar Kosovën vetëm sa për të mbetur në krye të LDK-së, por nuk duhet kryesia e LDK-së, veprimtarët e shumtë dhe as elektorati të mashtrohet se gjoja me Isa Mustafën, LDK-ja paska shënuar ngritje për dyzet e sa mijë vota më shumë. Ai si një komunist i rryer që është e di se ujku do mjegull, dhe mjegulla e krijuar në katërjavëshin para zgjedhjeve do të davaritet dhe të gjitha pështirosjet do të dalin në fushë, prandaj është mirë të shkoj ai sa më parë, se sa të pres deri sa të del ndonjë Parlamentar Evrope, e t’ia bëjë të ditura edhe Isa Mustafës të gjitha pisllëqet ekonomike, të gjitha bizneset që ai i kontrollon, qoftë edhe pasuritë e patundshme që mund t’i ketë shtuar nëpër zonat e Gallapit e vendet turistike që i ka Kosova.
Është mbase e vërtetë se  “Presidenti Rugova arriti t'i krijojë miq e përkrahës Kosovës në çdo cep të botës”, por për të gjallë të tij nuk arriti ta bëjë mik të tij as Isa Mustafën dhe as Bujar Bukoshin.  Dhe pse ka ndodhur bash kështu tashti mundet kryetari i LDK-së z. Isa Mustafa të rrëfehet jo vetëm para Sabri Hamitit, por duhet të shpjegojë para Kuvendit të LDK-së, kurse ai kuvend duhet të mbahet jo sa më shpejt siç do ai, por duhet të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme nëpër të gjitha strukturat e partisë për të ndryshuar  komplet struktura që e pështirosi kaq shumë dhe kaq herë LDK-në.
Pasi të pensionohet kjo garniturë, dhe pasi LDK do të profilizohet, dhe posa t’i kthehet dinjiteti moral dhe politik i filozofisë rugoviane, atëherë udhëheqësit e rinj mund të shikojnë për mundësinë e zgjedhjeve të reja edhe në nivelin Parlamentar, por Isa Mustafa të mos luaj me Kosovën për ta ruajtur pozitën e kryetarit të LDK-së.
Ai erdhi si reformator dhe nuk bëri asnjë reformë. Ai premtoi fitore dhe nuk e realizoi. Ai premtoi se do të jap dorëheqje dhe tani nuk do, por kërkon nga PDK-ja që të ketë mëshirë, e për nevojat mbase skizofrenike të tij, ta qojnë Kosovën edhe një herë në krizë institucionale, sepse qenka “Lënduar procesi zgjedhor”, të cilin nuk po e mbrojmë, por shihet qartë se kjo ka të bëjë me konceptin e një komunisti të cilit iu ka kallur bishti, dhe për fajin e tij donë ta kalli gjithë Kosovën.
Isa Mustafa po shpreson se me këto obstruksione do të mbijetoj, por duhet ta dijë se elektorati i LDK-së nuk është aq injorant sa ai po kujton, sepse mjegullën e rrejshme të një reformatori do ta davaris koha në të ardhmen e afërt, prandaj Isai nëse e do vetën e tij duhet t’i mban fjalët dhe të jap dorëheqje të menjëhershme dhe t’i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme partiake duke mos lejuar asnjë nga humbësit nëpër degë të kandidohet, kurse vet me tërë suitën duhet të largohet nga Kryesia Qendrore e LDK-së.
Isa Mustafa është një demagogë i specializuar, sepse vetëm një demagog dhe një njeri pa asnjë ndjenjë moral, mund t’ua përmend emrat vizionarëve të LDK-së siç ishin: ”Fehmi Agani, Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Sali Çeku, Latif Berisha, Agim Hajrizi, Shaban Manaj, Ukë Bytyçi, Ismet Rraci, Smajl Hajdaraj, Xhavit Ahmeti, Bardhyl Çaushi, Fadil Ferati”, dhe nuk flet Isa Mustafa për këto personalitet si miq dhe të njohur të tij, si bashkëveprimtar e intelektual që jetuan dhe u flijuan në kohën e Isa Mustafës, kur ky kridhej nëpër Evropë duke shantazhuar veprimin e tyre të mirë, veçmas po ia theksoj të Salih Çekajt i cili ka pasur një rol specifik në krijimin e strukturave ushtarake të UÇK-së, nën organizimin e të cilit kanë qenë për t’u përgatitur në Shqipëri edhe Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti, dhe bashkë me ta edhe shumë e shumë komandant e luftëtar të tjerë, që edhe sot janë gjallë, dhe mund të flasin me përgjegjësi për pengesat që ua ka qitur Isa Mustafa si Ministër i Ekonomisë dhe Financa, buxhet ky i mbledhur me mbi 99%, vetëm nga aktivistët dhe veprimtarët e LDK-së.
Unë dhe qytetarët e Kosovës e kami kuptuar që moti se Presidenti Historik kishte ideale dhe ato ideale janë bërë realitet, por dua ta dijë cili ishte ideali i Isa Mustafës sa ishte gjallë dr. Ibrahim Rugova? Dhe shtrohet pyetja pse nuk i vjen turp ta zë në gojë emrin e tij, dhe pse nuk i frikohet Zotit kur shkon të përkulet te varri i tij. Por Isa Mustafa si komunist që është nuk njeh fe e as Zot, ai njeh ideale komuniste të cilat kanë qenë gjithmonë kundër interesit nacional dhe kombëtar të popullit tonë.
Dr. Isa Mustafa, ka sfida të mëdha para vetës, por ato sfida nuk mund të kalohen as me te e as me këtë garniturë të instaluar në kryesinë qendrore të LDK-së e cila nëse nuk është e nyejt me strukturat mafioze që aludon Isa Mustafa, e garantoj unë se të gjithë nuk janë me duar të pastra. Prandaj as populli i Kosovës dhe as elektorati i LDK-së nuk do t’u beson me këtë mënyrë udhëheqjeje e cila u tregua anemike dhe nuk ka qëllime ta nxjerr nga kriza Kosovën, përkundrazi kjo kampanjë është e interesuar që një grupi të interesave të instaluar në kryesinë e LDK-së t’ua plotësoj ambiciet për t’u pasuruar edhe më tej pa zgjedhur rrugë dhe mënyra.
Të gjitha premtimet e Isa Mustafës bien ndesh me realitetin në LDK, kjo tashmë dihet, pasi pikërisht kjo kampanjë ka qenë pjesë përbërëse e strukturave shtetërore që nga mbarimi i luftës dhe këtej. Shembulli që ka dhënë LDK-ja është më i keqi që e jep një parti për vendin e vet. Reformat që u priten nga Isai, ato i zhgënjyen anëtarët e Kuvendit të VII-të, të nesërmen u zhgënjyen edhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe për pak ditë edhe elektorati i LDK-së i cili ishte i vetëdijshëm pse nuk doli në zgjedhje, sepse nuk donin agonin e rrejshme t’ia zgjasnin një reformatori, po ashtu i rrejshëm,  po më shumë nuk donin të zgjatej e trashej e keqja deri në absurd.
Dr. Isa Mustafa si kryetar dhe dr. Sabri Hamiti si nënkryetar i parë duhet të vetëdijesohen dhe t’i kthehen realiteti, dhe të mos e shkatërrojnë edhe më tej LDK-në. Ata pa asnjë duhet të japin dorëheqje të parevokueshme, dhe me ta duhet të iku edhe garnitura tjetër që përbëjnë atë kampanjën e veprimeve antidemokratike në LDK.
Por nëse me të vërtetë e ka përnjëmend Isa Mustafa se në Kosovë duhet për t’u fuqizuar sundimi i ligjit pasi qytetarët e meritojnë një qeverisje të pastër atëherë duhet ta dijë se do të jetë personi i parë nga LDK-ja që duhet të përballet me ligjin pasi ai mjetet e qeverisë i ka privatizuar në një fond privat, dhe bashkë me Bujar Bukoshin ka bë hajgare me buxhetin e shtetit. Mjete këto që bashkatdhetarët i kanë dhënë për Qeverinë e Kosovës por jo për fondin privat të quajtur “UFORK”, siç ka bërë Isa Mustafa bashkë me Bujar Bukoshin. Ai duhet ta dijë  se ligjet e reja nuk e pranojnë një veprim të tillë, sepse atëherë, shtrohet pyetja: Me sa Miliarda duhet të iku Hashim Thaçi, dhe a duhet edhe ai, ato para të buxhetit të shtetit t’i kthej në ndonjë Fond privat siç ka bërë dikur Isa Mustafa me buxhetin e shtetit të Kosovës. Këtë gjë është dashur ta analizojnë dhe studiojnë fort mirë kryesia e LDK-së dhe kur kanë menduar se Isa Mustafa po e reformuaka LDK-në, se mbase do të jetë me përmasa tragjike nëse ndodhë nga ndonjë post me rëndësi të Kosovës, duhet edhe ky të shkoi “për shkelje të rënda kushtetuese” ashtu siç shkoi eprori i deritashëm i tij z. Fatmir Sejdiu. Ndonëse shteti ligjor duhet të kërkon llogari për keqmenaxhimin dhe privatizimin e buxhetit të Qeverisë së Kosovës.
Kryesia e LDK-së nuk duhet të bëjë hajgare me partinë, por sa ma shpejtë ta pyesin Gjykatën Kushtetuese nëse i lejon Isa Mustafës luksin për shpërdorim të buxhetit të shtetit, dhe ta pyesin po atë gjykatë edhe për njëfarë “Huaje popullore” që Isa Mustafa, bashkë me Bujar Bukoshin e kanë vjel dikur në Diasporë në emër të Qeverisë për ta ndihmuar Luftën e Kosovës. Qeçe këto me vlerë e që janë me mijëra sish në duartë e qytetarëve të Kosovës dhe që presin vazhdimisht se dr. Isa Mustafa do t’i mban premtimet dhe betimet që ua epte në atë kohë bashkatdhetarëve nëpër Evropë. Por premtimet e Isa Mustafës ngjasojnë me këto se “nëse nuk i fitoj zgjedhjet do të jap dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së”, gjë që Isa Mustafa është i rryer në këto spekulime, por të shpresojmë se shteti ligjor i Kosovës, mbase një ditë do të merret edhe më këto gjëra të Isa Mustafës, për të gjetur mënyra se si duhet t’ua kthej borxhet qytetarëve të saj. Prandaj themi se dr. Isa Mustafa duhet sa ma shpejt t’i pastroj së pari duart e veta nga këto përgjegjësi e pastaj të kërkoj edhe nga të tjerët për duar të pastra, sepse Isa Mustafa e din se “nëse është hëngër pitja, ka mbetur tepsia”.
Me të vërtetë shteti duhet të udhëhiqet nga ata që kanë marrë besimin e qytetarëve ashtu sikurse që duhet një kryetar partie të zgjidhet në krye të partisë duke i kaluar të gjitha rregullat partiake, dhe madje duke e bërë një stazh pune si përvojë në atë parti, madje, madje do të ishte mirë që e kaluara e tij të ishte më e pastër se sa ajo që ka pasur Isa Mustafa qoftë në Qeverinë Komuniste të Jusuf Zejnullahut ose në Qeverinë e kontroverse të Bujar Bukoshit.
LDK-ja ka qenë gjithmonë parti e hapur dhe ideve përparimtare, por guximi i saj jo rrallë ka qenë i marrëzishëm, dhe kjo mund të lidhet pikërisht me zgjedhjen e dr. Isa Mustafës si kryetar i LDK-së, edhe pse nuk e ka merituar edhe pse sa ishte gjallë dr. Ibrahim Rugova ai ka qenë kundërshtar i pakompromis   jo vetëm i koncepteve por edhe qenies së tij fizike. Kurse në strategjinë e tij për të ardhmen e LDK-së ai shprehet se LDK-ja si “parti moderne e qendrës së djathtë, me vend tashmë të nderuar ndër Partitë Popullore Evropiane", por në doktrinën komuniste të Isa Mustafës ka mbetur te fjala ”popull-atdheu” pa dalluar se gati të gjitha “Partitë Popullore në Evropë” i takojnë të majtës ekstreme dhe kritikohen vazhdimisht.
Ndër shakat më të mira të këtij “shakaxhiu?!”  është thirrja e Tij  që ua bëri të gjithë veprimtarëve të LDK-së, të cilët për arsye të ndryshme aktualisht nuk janë pjesë e LDK-së, "të rikthehen në familjen e tyre të madhe dhe ta fitojmë betejën që kemi përpara", duke theksuar se "dera e LDK së do të jetë një portë e hapur për të gjithë ata që e duan Kosovën e prosperuar dhe dinjitoze", por ka harruar se elektorati i LDK-së dhe populli i Kosovës e dinë mirë se si veproi Isa Mustafa me elitën intelektuale në Këshillin Qendror, pastaj ai mendon se populli ka harruar se si veproi me Djalin e Presidentit Historik të Kosovës dr Ibrahim Rugova, pastaj me familjen Rugova, kujton Isa Mustafa se elektorati dhe populli harron se si ka vepruar ai me “Listën dr. Ibrahim Rugova”, me LDD e të tjera, dhe ai mendon se elektorati dhe populli demokratik i LDK-së, nuk e din se dr. Isa Mustafa në emër të LDK-së është dashtë t’i privilegjoj të gjithë, jo më shumë por as më pak, se sa e ka privilegjuar një organizatë jo qeveritare të quajtur “ORA”, që botërisht dihej se ishte një mbetje e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, që e përbënin nostalgjik dhe bijë e bija funksionarësh të lartë federativ, të cilëve Isa Mustafa ua dhuroi dy vende në kryesinë qendrore të LDK-së, dhe flet për procesin më demokratik që e ka mbajtur ndonjë parti politike, duke i sugjeruar edhe partitë tjera të marrin shembullin e tij..
Me një fjalë, reformat e Isa Mustafës kanë rënë ndesh me premtimet e tij dhe ai nuk e nxori LDK-në nga kriza, përkundrazi e thelloi krizën në LDK.
Prandaj mund të themi lirisht se këto që i theksuam janë vetëm disa nga arsyet pse themi se Isa Mustafa as nuk do ta reformojë LDK-në dhe as nuk do ta përparojë kurrë Kosovën.
Ai duhet të shkon sa më parë nga LDK-ja, sa më shpejt dhe pa asnjë diskutim është më mirë. Bile e mira e së mirës do të ishte sikur me te të shkonte edhe akademik Sabri Hamiti, si dhe klani për rreth tyre të cilët janë e keqja më e keqe e LDK-së dhe e Kosovës në përgjithësi.


*Autori, është anëtarë i LDK-së që nga viti 1989, për vite të tëra ishte anëtar i kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër dhe i Nëndegës në Kantonin St. Gallen, ku ai jeton. Po ashtu autori i shkrimit ishte delegat në dy Kuvendet e LDK –së në Prishtinë të mbajtura në vitet 1994 dhe 1998, autor i njëmbdjetë librave të publikuar dhe analist politik në kohët më të vështira që kalonte LDK-ja, duke u bërë zëri më autentik i saj.
Shkrimi është pjesë e librit “11 MINUTA PARA ORËS ‘00”, me rreth 400 faqe, që merret krejtësisht vetëm me zhvillimet politike në LDK. Libri pritet të dal nga botimi në muajt e parë të vitit 2011.


NJË NËNKRYETAR QË SILLET SI KRYETAR


Eqrem Kryeziu do të mbahet mend për dëmin kolosal dhe shkatërrimin e paparë që ia ka bërë LDK-së. Po ashtu ai do të mbahet mend për politikanin më kontrovers dhe më pa principe i cili ndryshe flet, ndryshe mendon, e krejt ndryshe vepron. Eqrem Kryeziu do të mbahet mend po ashtu edhe për deklarimin e papeshuar në kurrizin e LDK-së dhe të Kosovës në përgjithësi. Askujt në politikë nuk i ka shkuar më mirë kungulli mbi ujë se sa Eqrem Kryeziut. Ndoshta për këtë duhet t’ia kemi zilinë të gjithë, por vet rrethanat kaq të tendosura dhe gjendja kaq e mjeruar nuk na lë për t’i lakmuar një veprimi aspak dinjitoz dhe hiç fare politik. Pra, e përsëritim se askund nuk do të gjejmë edhe një rast identik që “një nënkryetar do të sillet si kryetar”, i cili mund të të linçoj, mund të të akuzoj, ai mund të të satanizoj duke të vërë me  shpatulla për muri, pa e qar kokën se duhet t’i jap dikujt llogari. Prandaj themi se ai sillet jo vetëm si kryetar, por ai sillet tamam si pasha në LDK. Mbase, ndoshta mund të ketë të drejt pasi LDK-në si tokë të babës (me tapi) ia ka dhuruar Fatmir Sejdiu,  e ai mund të bëjë, mund të flas dhe mund të të satanizoj siç ai do dhe siç atij ia kënda pa e trembur qerpikun e syrit.
Titullin e shkrimit “Një nënkryetar që sillet si kryetar” e kam pas lexuar kohë më parë në një shkrim përkitazi me zhvillimet politike në LDK, i cili dukej si një shqetësim intelektual që ishte shkruar nga profesorët universitar: dr. Rexhep Gjergjit dhe dr. Zejnullah Rrahmani të cilët kanë qenë edhe struktura udhëheqëse e drejtuese të LDK-së.
Por çfarë janë talljet e Eqrem Kryeziut dhe xhevahiret e tij të kobshme karshi shkatërrimit të LDK-së. Mund edhe të dihet se çfarë synon njeriu që sillet si kryetar e në të vërtetë është vetëm nënkryetar.
Një sprovë që iu doli e suksesshme për ta shkatërruar LDK-në Eqrem Kryeziu bashkë me Kolë Berishën e patën bërë shumë herët, madje që për të gjallë të kryetarit Rugova, pikërisht në Degën e LDK-së në Zvicër, duke ia dhënë prapështinë kësaj dege njëherë e përgjithmonë, duke e qitur atë organizim që ishte për t’u lakmuar në shtratin e Prokrustit. Më kujtohet fare mirë se as kryesia e Degës së LDK-së që ishte prezent, as kryesia qendrore e LDK-së dhe madje asnjëri nga udhëheqësit e intelektualët e LDK-së nuk janë shqetësuar për këtë veprim të Eqrem Kryeziut, thuaja se askush nuk kishte mësuar nga urtia popullore “kur miu kishte kaluar nëpër mustaqet e një burri i cili nuk ishte shqetësuar pse kaloi, por pse miu e mësoi udhën”, dhe në vend se ta shëronin këtë sëmundje kanceroze thuaja se të gjithë u bënë pjesë e këtij veprimi duke u armiqësuar secili ndaj secilit, gjë që plasi në “kuvendin e stupcave”, ku LDK-ja pësoi fraksionin më të madhe që kishte pasur që nga themelimi i saj si një parti politike.
Ndoshta ishte ky shkas i mirë për Eqrem Kryeziun për ta testuar kryesinë qendrore e cila u tregua debile gjatë gjithë këtij dhjetëvjeçari. Eqa, vazhdoi me gafet e skandalet e një pas njëshme të cilat e prunë imigjin e LDK-së në zgrip.
Me kalimin e kohës u panë veprimet ogurzeza të Nënkryetarit që sillet si Kryetar, por i dolën në shesh edhe të palarat aleatit të tij për të cilin sakrifikohej Eqa, i cili ishte kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër i cili nuk i ndenji besnik partisë edhe pse atëherë që të dytë patën derdhur lot krokodili, duke u tallura me kundërshtarin i cili mbante qëndrim diametralisht të kundërt qoftë me Eqrem Kryeziun, qoftë me ish kryetarin e Degës së LDK-së në Zvicër Hysen Gërvallen, i cili jo më që e lëshoi LDK-në duke kaluar në LDD, por ai tashmë shkoi edhe në një subjekt tjetër, kurse Eqrem Kryeziu e kishte për obligim moral, intelektual dhe qe besa edhe politik t’i kërkonte falje qoftë njeriut të cilin e gozhdoi dhe e detyroi të tërhiqet nga të gjitha postet udhëheqëse të LDK-së. Të paktën një kërkim falje deri më tani ka mundur ta bëjë
Po, pyetja jonë është nëse ai do të din të korrigjohej a të përmirësohej si duhet. Vet disfata me përmasa të paparashikueshme në komunën e Prizrenit, vet shkatërrimi që iu bë Degës së LDK-së në këtë qytet nga Eqrem Kryeziu, shpartallimi i një fraksioni nga LDK-ja dhe humbja e zgjedhjeve nacionale dhe atyre për pushtetin lokal lenë për të shpresuar, ndoshta ka me u përmirësuar një ditë Eqrem Kryeziu.  
Ne nuk shkuam në vitet `67 për të kalkuluar me biografinë e tij interesante ta zëmë pse në atë kohë të vlimeve politike ka shkuar të studioj albanologjinë në Beograd e jo në Prishtinë se do ta bënte edhe më të koklavitur pozitën e tij jo konstante në raport me njerëzit që e shoqërojnë, po më shumë në raport me normat programore, tatuare dhe pragmatike që i ka LDK-ja.
Do të ishte mirë që në mbledhjen e parë të Këshillit të Përgjithshëm i cili edhe pse flitet se do të mbahet, një numër i madh anëtarësh nuk kanë njohurit se ku do të mbahet, sepse për dërgimin e materialit, raportit dhe pikave të diskutimit as që mund të bëhej fjalë. Megjithatë na mban shpresa se diku mbase diku do të fillojnë reformat për t’u reformuar pastaj edhe administrata publike dhe për t’u reformuar edhe konceptet tejet staliniste që kanë lëshuar rrënjë jo vetëm në LDK, por përgjithësisht në jetën qytetare në Kosovë përgjithësisht.
Mbase duhet të shpresojmë se diçka e mirë diku në Kosovë, në një skaj të saj do të nisë!...

REFORMAT QË DUHET TA STRUKTUROJNË KONCEPTIN E PARTISË


Reformat që duhen ta përfshijnë një parti duhet të shoqërohen me një ndryshim të thellë si në aspektin organizativ po aq edhe në konceptin e qasjeve të problemeve politike, ekonomike, shoqërore , sociale etj. Me një fjalë koncepti i partisë duhet të përfshihet në ndryshimet e gjithëmbarshme, përkatësisht në raport me nevojat e zhvillimeve të shtetit dhe trendëve gjeopolitike që po i pëson Kosova.
Reformat që duhet t’i bënë LDK-ja duhet të shoqërohen me një riorganizim tjetër i cili do t’u shmangej të gjitha praktikave dështuese të deritanishme që e kanë sjell këtë parti  në gjendjen në të cilën është. Do të ishte mirë që njerëzit përgjegjës të kuptonin për rolin e tyre negativ me pasoja jo vetëm për LDK-në, por me pasoja të pa shmangshme për proceset që po kalon Kosova.
Por si duket kasta në fuqi nuk është e denjë të reformojë partinë, sikurse që nuk është as në gjendje të lëshoj pozitat të cilat sado që nuk flitet i kanë dhjamosur klanet dhe grupet e interesit që janë instaluar pikërisht në kryesinë qendrore të LDK-së, dhe nga aty komandohen dhe dirigjohen, madje edhe kontrollohen të gjitha strukturat shtetërore të pushtetit qendror e lokal që mund t’i cenoj interesat e tyre.
Por njohësit e mirë të gjendjes në LDK, kanë arsye të jen skeptik për reforma të mirëfillta, pasi oportunizmi partiak i kreut të LDK-së që prej sa vitesh po mohon nevojën e reformave të përgjithshme, të thella dhe të domosdoshme për të ekzistuar dhe për të qen e gatshme edhe LDK-ja të konkurron si parti politike në mënyrë të denjë, për të rimarrë pushtetin në zgjedhjet e mundshme. Por me këtë gjendja çfarë është LDK-ja, do të ishte fatale për partinë dhe për Kosovën nëse rikthehen në pushtet pa u ndryshuar, pa u reformuar qoftë në konceptet e mendimit, të veprimit a të strukturimit të partisë.
Reformat e pjesshme që siç duket do të ndodhin brenda kuadrit ekzistues do të bëjnë LDK-në parti edhe më qesharake dhe jo konkurruese në proceset e ardhshme zgjedhore, sepse siç shihet  nuk do të pranojnë reformimin e partisë duke i cenuar interesat e tyre. Reformat që do të ndodhin në LDK, sipas të gjitha gjasave do të bëhen vetëm ato reforma që nuk do ta prekin interesin e kësaj kaste e cila është fajtore më shumë se kushdo tjetër. Por kryesia qendrore duhet ta dinë se partia e tyre ka nevojë të kthehet në një parti reformiste e cila çdo herë karshi rrethanave dhe proceseve që do të ndodhin, edhe ajo do të transformohet e përshtatet nga viti në vit dhe do të bëhet një parti moderne që ka në konceptin e saj reformën politike dhe reformën e organizimit të partisë në varshmëri me nevojat shtetërore që ka vendi në secilën etapë kohore.
LDK një reformë të thellë duhet ta bënë edhe në dy sektorët e partisë të cilët funksionojnë si parti më vete, kurse në Evropën demokratike strukturimi dhe organizimi i partive demokratike nuk ka fare të bëjë me konceptet e partive demokratike në Kosovë të cilat për kah organizimi dhe strukturimi i tyre ngjasojnë më shumë me sistemin komunist por jo me sistemet demokratike. Praktika e LKJ kërkonte të kishte struktura ndarëse si në Lidhja e Rinisë Komuniste, Rinisë Socialiste, etj. dhe Forumet e Grave të cilat katërçipërisht shprehin një mentalitet të demoduar me përmasa patriarkale, sepse në botën e civilizuar dhe demokratike gruaja e sotme i realizon ambiciet e vete në kuadër të partisë por jo me ndarje të tipit qe kemi në Kosovë, ngase për kaq e kaq vite sa jam në perëndim nuk më ka rënë të dëgjoj për mbledhje e kongrese të grave e të rinjve të një partie kështu si te ne veç e veç. Ndoshta do të ishte diçka tjetër sikurse një seksion partie merrej më shumë me çështjet e grave dhe të të rinjve, e jo siç e kemi  kudo në Kosovë. Prandaj LDK-ja duhet ta shikon mundësinë e një reformimi pak më ndryshe se praktikat e gjertanishme. Rasti i braktisjes së partisë nga kryetarja e Forumit të Gruas siç bëri Melihate Trëmkolli, dhe pas aderimit të saj në një subjekt tjetër, menjëherë ka sjellë në krizë FG të LDK-së, ku tani duhet të përballet me vështirësitë e brendshme të cilat ia ka inskenuar Melihate Trëmkolli para se të ikte.
Një gjendje po aq sharlatane ekziston edhe në FR të LDK-së, forum ky që zgjodhi për kryetar Xhafer Tahirin i cili përveç përditshmërisë së lojës nëFacebook, për të mbledh “fansa” për partinë, për kryetarin e partisë që është edhe kryetar i vendit, nuk e kam të njohur rolin e tij në këtë organizim parapolitik. Sikur shumë të tjerë kryetari i partisë e ka punësuar në presidencë edhe Xhafer Tahirin dhe ai duhet ta vazhdon vrapin e tij për të siguruar titull “dr.”, praktikë kjo tashmë e njohur edhe në këtë dikaster shtetëror. Ardhja e tij në krye të FR të LDK-së pa asnjë përvojë ka dëshmuar se LDK-ja ende nuk është e gatshme t’i zgjedh kuadrat që kanë eksperiencë veprimi, sepse vetëm ata mund të bëjnë reforma dhe të sjellin njerëz që e shpëtojnë partinë, e jo si rasti në fjalë kur përmes FB do t’i lut veprimtarët e LDK-së të bëhen “fansa” të partisë së tij, pa e vrarë mendjen nëse ata persona mund të kenë një përvojë politike në LDK që kur ai luante me guralecë në fshatin e tij të lindjes. Nëse LDK-ja do t’u nënshtrohet reformave dhe do të strukturohej si një parti që e kontrollon edhe veprimin e brendshëm të saj, sepse po të bëhen reformat siç po imagjinojmë, as Xhafer Tahiri dhe askush tjetër nuk do të kishte mundësinë të vinte e bëhen drejtues të sektorëve partiak pa e dëshmuar aftësinë dhe cilësinë si një kuadër i sjellshëm, e ruana zot nëse ai është ngjitur deri atje pa qenë as anëtar i LDK-së. Absurdi i gjithë kësaj është kur në funksionet kyçe të partisë janë instaluar njerëzit që kanë më së paku merita për të kaluarën e famshme të LDK-së.
Struktura politike e partive në Kosovë, veçmas të LDK-së me të cilën jemi duke u marrë, duhet që  lidhjet dhe marrëdhëniet e saj me FR të LDK-së dhe atë të FG të LDK-së të mos shihen si struktura në vetvete, të përdorshme  vetëm në prag të zgjedhjeve a në kohën e fushatës zgjedhore, por duhet strukturuar në atë mënyrë që të jenë aktive gjatë gjithë kohës, duke mos u ndier e përjetuar një ndarje çfarë praktikisht ekziston që nga themelimi e gjer më sot.
Praktika e gjertanishme ka dëshmuar se roli i këtyre dy forumeve ka qenë jashtë proceseve të partisë, kurse ato kanë qenë vetëm një dekor formal i partisë sa për të krijuar një imazh të veprimit unik të partisë. Struktura organizative e LDK-së duhet të ndryshon rrënjësisht, ashtu siç duhet të ndryshoj edhe struktura komanduese bashkë me strukturën e informimit duhet të ndryshohen rrënjësisht për të qenë këto struktura në varësi të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së i cili duhet t’i kontrollon dhe menaxhon zhvillimet politike në parti, kurse Kuvendi i Partisë duhet të jetë organi më i lartë. Jo më  në praktikat e gjertanishme ku kryesia qendrore vet ka prerë e vet ka qep duke i shkelur të gjitha normat statusore të një partie demokratike, madje duke shkelur normat statusore edhe të vet LDK-së, ku në aspektin formal ka ekzistuar edhe në këtë parti.
E kam theksuar edhe ne analizat e mëparshme se pjesë të tëra të këtyre qasjeve, të këtyre kritikave dhe të këtyre sugjerimeve iu përshtaten edhe partive të tjera, gjende kjo hiç më e mirë se sa në LDK. Por LDK-ja është në proces e sipër që na shtyu dashtë e pa dashtë të merremi më drejtpërdrejt dhe konkretisht vetëm me këtë parti.


SUKSESI I PARTISË VARËT NGA BORIZANI I SAJ
(Ose:  A duhet të reformohet edhe departamenti i komunikimit me publikun)



Karshi reformave e punëve të shumta që duhet t’i bënë LDK-ja, në këtë proces riformatizimi ajo duhet të merret seriozisht me departamentin e informimit dhe të propagandës, sektor ky ndoshta më i brishti që ka pasur dhe ka LDK-ja. Kurse borizani i një partie është personi ndërlidhës në mes qëndrimeve partiake dhe opinionit publik, përkatësisht përmes tij transmetohet deri te qytetari i gjithë angazhimi i brendshëm i partisë. Partitë dhe subjektet politike në Kosovë, veçmas LDK-ja duhet të merr shembullin e partive perëndimore të cilat i kushtojnë rëndësi specifike këtij posti i cili nuk i jepet askujt vetëm sa për dekor. Zëdhënësi i LDK-së  Vehbi Miftari në këtë post sikur ka ardhur vetëm sa për ta siguruar  titullin “dr” dhe për të marrë një pagë mujore, por jo për t’i dhënë vizion e emër LDK-së. Përkundrazi qëndrimi i tij dualist e ka shëmtuar dhe i ka degraduar edhe ato pak vlera që i ka pasur LDK-ja. Për ironi të të gjithave më duket se i vetmi vizion i qartë i Vehbi Miftarit është lojaliteti i tij ndaj eprorit që është shembulli më tragjik i bërrylave brenda kësaj partie. Po çfarë mund të flitet për rolin e tij në fushën e komunikimit kur në fund të komenteve të tija që s’kanë gjë të përbashkët me LDK-në sqaron se: “Autori është shef i Departamentit të Komunikimit në LDK. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë krejtësisht personale”. Të jesh shef i departamentit të partisë dhe të prezantosh pikëpamje krejt personale është më shumë se idiotësi, sepse në secilën kohë dhe në çdo moment ai është dashur dhe duhet t’i prezanton pikëpamjet e partisë, nëse më të vërtetë është anëtarë i LDK-së, përndryshe është një dublxitet moral dhe politik që reflekton te qytetari pikërisht dyfytyrësinë e mendimit dhe të qëndrimit politik në LDK.
Vehbi Miftari vjen në këtë post më shumë si kuadër i dëgjueshëm të cilit si duket “Partia” e ka shpërblyer edhe me gradën “dr”, se mbase edhe kjo “Parti” nuk ka mbetur prapa të tjerave me grada shkencore që merren vetëm nëse siguron një post të lartë partiak a shtetëror. Por viteve të fundit është krijuar një kontradiktë e thellë në këtë plan pasi në të kaluarën gati të  gjithë ata që kanë zgjedhur punën kanë mbetur pa vazhduar studimet pos diplomime, ndërsa sot ndodhë e kundërta pasi kryesisht studimet dhe titujt akademik po merren nëse ke poste të privilegjuara.
Po ky sukses vazhdon edhe në fushën e publikimeve, ku zyrtarët e lartë për çdo javë promovojnë librat e tyre, promovojnë librat ku ata janë redaktor, bëhen kritikë të librave të caktuar dhe me të vërtetë është për t’u lakmuar se si i arrijnë të gjitha këto rezultate, ndonëse rezultatet e zhvillimit të Kosovës janë duke i shqetësuar të gjitha strukturat vendimmarrjes në Evropë dhe Amerikë.
Madje shumë sish karrierën e autorëve e kanë nisur vetëm kur janë emëruar në postet më të larat politike e shtetërore. Se si arrihet kjo, nuk do shumë mend, por tragjikja e gjithë kësaj është gjendja e prapambetur në Kosovë në të gjitha sferat e jetës së saj. Në këtë plan nuk është prapa as borizani i LDK-së i cili asnjë shërbim organizimi dhe asnjë veprim për t’u lakmuar në fushën e komunikimit dhe të propagandës prej si është në postin e “shefit të komunikimit në LDK” nuk e ka bërë.
Vehbi Miftari nuk ka shtrirë askund rrjetin e tij nëpër degë, e nëndegë, ai  vazhdimisht sillet me një prepotencë e megalomani të pa shembullit. Do të ishte mirë gazetaria analitike të bënte  anketime për të parë se si u drejtohen zëdhënësit e partive dhe të institucioneve shtetërore, gazetarëve nëpër konferencat për shtyp dhe në paraqitjet e tyre publike. Të shihet nëse ndonjëri prej tyre iu drejtohet gazetarëve me shprehjen: “Të nderuara zonja dhe të nderuar zotërinj mirë se keni ardhur në këtë...”, këtë përbuzje dhe këtë shpërfillje poshtëruese që e bëjnë para gazetarëve në dhjetëra sekuenca televizive i kam veçuar pikërisht njerëzit e LDK-së që kanë komunikuar me gazetarët, ku nuk përjashtohet as z. Miftari. Gjendje më e mirë nuk është as në partitë tjera por mua më dhemb më shumë situata në shtëpinë time se sa në shtëpinë e “kojshisë”.
Nuk e di si nuk e shohin njerëzit rolin e tyre negativ ndaj  partisë. Karshi LDK-së Vehbi Miftari nuk ka pse të krenohet, përkundrazi ai i ka bërë një shërbim të keq LDK-së e cila e ka privilegjuar dhe akomoduar si është më së miri. Se LDK-së i ka bërë një shërbim të keq është fakti se ai u shërben klaneve të interesit përndryshe nuk do të deklarohej për Isa Mustafën se është "njeri me kapacitete të jashtëzakonshme intelektuale dhe menaxhuese, i cili ka dhënë shumë shenja se Prishtinën po e transformon në një kryeqytet modern".
Deklaratat e tilla nga shefi i Departamentit me Komunikimin Publik të cilat janë në disproporcion të kundërt me realitetin në Prishtinë, jo që janë të dëmshme, por në një parti moderne demokratike ku ka rregulla e përgjegjësi, Vehbi Miftarit ia kishin bërë me “tybe” hyrjen në objektin e LDK-së dhe së paku 300 m vijë ajrore te sillej rreth saj.
Shtrohet pyetja se çfarë mund t’i raportoj Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe Kuvendit të Partisë për punën e tij disa vjeçare në cilësinë e “shefit të Departamentit të Komunikimit në LDK”, përveç të dhënës se gjatë kësaj kohe “Pikëpamjet e shprehura nëpër artikuj kanë qenë krejtësisht personale”?!



KOMUNISTI ISA MUSTAFA PËRKULET EDHE PARA MONUMENTIT  KUSHTUAR ENVER MALOKUT
Më 11 janar në Ditarin e mbrëmjes RTK emitoi një sekuencë nga nderimi që kryetari i LDK-së dr. Isa Mustafa bashkë me suitën e tij vunë lule te monumenti i Enver Malokut. Për njohësit e rrethanave dhe sidomos për familjen ky gjest irritonte se të gjithë njerëzit normal i kanë ditur raportet e ngrira të Qeverisë së Kosovës dhe të Ministrit për Ekonomi dhe Financa dr. Isa Mustafës me Presidencën, me QIK-un dhe me LDK-në.
Citimet janë marrë nga QIK, 11 janar 2011, te informacioni “Përkujtohet Enver Maloku në 12-vjetorin e vdekjes tragjike”

Kryesia e LDK-së e ka përkujtuar veprimtarin e saj të shquar dhe ish-shefin e Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), Enver Malokun, në 12-vjetorin e vdekjes së tij tragjike, dhe ky lajm është për t’u mirëpritur pasi për një çast mund të besohet se kryesisë së LDK-së i paska rënë ndërmend të kthehet te rrënjët e veta historike. Po ashtu është krejt normale në kushte normale që kryetari i LDK-së dhe anëtarët e Kryesisë Qendrore të bëjnë homazhe dhe të vënë lule te monumenti kushtuar Enver Malokut, në Kodrën e Diellit në Prishtinë, i cili 12 vjet më parë u qëllua për vdekje nga persona deri më tash të pa njohur, pranë dritareve të bodrumit ku ai në atë kohë banonte.
Por absurdi i gjithë këtij marifeti politik është se aty ka marrë pjesë personi që ka qenë përgjegjës për “atentatin e vazhdueshëm financiar” ndaj QIK-ut dhe vet Enver Malokut, i cili tashti në cilësinë e kryetarit të  LDK-së ka vlerësuar lart figurën e Enver Malokut, për të cilin do të shprehet se “ka bërë shumë për LDK-në dhe Kosovën dhe ka qenë një bashkëpunëtor shumë i ngushtë i Ibrahim Rugovës”(QIK, 11 janar 2011)Po ashtu dr. Isa Mustafa ka theksuar se “Enver Maloku ishte një intelektual i spikatur i cili ka dhënë kontribut të veçantë për informimin e Kosovës dhe opinionit ndërkombëtar në kohët më të vështira që ka kaluar dhe ka përjetuar Kosova”(QIK, 11 janar 2011)Ky konstatim është mbase i vërtetë se Enver Maloku si askush tjetër ka dhënë kontribut të rëndësishëm në Qendrën Informative të Kosovës me siglën e njohur (QIK), duke e përparuar mendimin informativ në Kosovë. Por është tepër irrituese këndellja kaq e vonë e dr. Isa Mustafës i cili është njeriu më përgjegjës për bllokimin financiar që ky zotëri në cilësinë e ministrit ia ka bërë edhe Qendrës për Informim të Kosovës.
Enver Maloku si askush tjetër në historinë e Kosovës e kreu misionin e vet informativ edhe atëherë kur i bëheshin kërcënimet për likuidim fizik, duke mos u trembur dhe duke mos u mposhtur edhe atëherë kur i bëheshin shantazhe financiare nga Qeveria e Kosovës dhe Ministri i atëhershëm i Financave dr. Isa Mustafa i cili tash, pas kaq e kaq vitesh, i paska rënë ndërmend të na rikujton se kush ishte Enver Maloku, bile pa e shprehë asnjë fjalë pendimi për veprimin e tij, të një lloj atentati financiar që ka bërë mbi QIK-un dhe personalisht mbi Enver Malokun.
Shtrohet pyetja nëse ka mundësi të shpjegoj tashti në cilësinë e kryetarit të LDK-së pse “QIK-ut të LDK-së” disa herë iu patën ndërpre financat pikërisht nga dr. Isa Mustafa i cili në atë kohë ishte Ministër i Ekonomisë dhe Financave, dhe a ka mundësi të shpjegoj pse dr. Isa Mustafa dhe as dr. Bujar Bukoshi nuk shprehen në atë kohë keqardhje për atentatin mbi Enver Malokun dhe nuk i shprehen ngushëllime as Kryetarit të Kosovës dr. Ibrahim Rugovës dhe as Familjes Maloku.
Të gjitha strukturat antidemokratike që ishin në kundërshtim me LDK-në, e qe besa përgjithësisht me Kosovën, me ironi thoshin: “QIK-u i LDK-së”, tashmë dr. Isa Mustafa këtë e thotë me krenari, apo i ka mbetur ves nga e kaluara e tij plot hasmëri kundër “QIK-ut të LDK-së”, atëherë kur ia rrudhte buxhetin financiar, pasi nuk e duronte suksesin e kësaj Qendre Informative Kombëtare (QIK). Dhe kjo rrudhje financiare ndikonte drejtpërdrejt në punën dhe suksesin e QIK-ut, madje duke e sjellë disa herë në pikëpyetje funksionimin e QIK-ut. Dhe kjo ka ngjarë, mu atëherë kur i duhej Kosovës: Në saje të bllokadave financiare ia patën ndërprerë telefonat dhe mjetet tjera të internetit, kurse dr. Isa Mustafa bashkë me sivëllain e tij dr. Bujar Bukoshin bënin gallata kundër QIK-ut, duke shprehur tërë urrejtjen e tyre, të cilën e patën drejtuar kundër Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova i cili ishte po ashtu edhe kryetar i LDK-së, sepse si duket nuk ia duronin suksesin.
Dr. Isa Mustafa me sivëllain e tij dr. Bujar Bukoshi nuk ia duronin suksesin as LDK-së, këtë e kanë theksuar vazhdimisht nëpër intervistat e shumta të asaj kohe, dhe siç thotë populli “nëse është hëngër pitja ka mbetur tepsia”, prandaj nuk dua të besoj se mendja e ndritur e intelektualëve në kryesinë qendrore të LDK-së e as dr. Sabri Hamiti janë bërë kaq harrestar e të mos iu kujtohen bëmat e dr. Isa Mustafës, kundër QIK-ut e kundër Enver Malokut, dhe tani nuk e di me çfarë morali i shkojnë tek monumenti, për të vënë lule dhe për t’u deklaruar ashtu siç bëri dr. Isa Mustafa në këtë përvjetor, por qartë shihet se për marketing politik kjo kastë injorantësh janë në gjendje të kallapitin gjithçka.
Nuk e di, këta “reformatorë të LDK-së”, si paskan menduar ta përparojnë e reformojnë LDK-në, duke ia sjell në krye një komunist i cili si askush tjetër e ka penguar dhe shantazhuar çdo veprim të mirë kombëtar që e bënte LDK-ja, dhe është përpjekur me mish e shpirt për ta zvetënuar punën dhe kontributin e LDK-së, kontributin e QIK-ut dhe të Enver Malokut dhe kjo ka ngjarë pasi dr. Isa Mustafa dhe sivëllai i tij dr. Bujar Bukoshi  nuk kanë mundur t’i pranojnë rezultatet dr. Ibrahim Rugovës.
Padyshim QIK-u ka qenë një burim i vetëm i informimit për të njoftuar botën për masakrat dhe terrorin që Serbia po ushtronte në Kosovë. - Për fat të keq, - ia përsëris dr. Isa Mustafës se para se ta vriste “një dorë e panjohur kriminale”, Enver Malokun e vrau dora e njohur e Qeverisë së Kosovës duke ia rrudhur e ndërpre financimin, dhe këtë e ka bërë pikërisht dr. Isa Mustafa. Tash ai duhet të ndjehet keq më shumë për veprimin e tij si Ministër i Ekonomisë dhe Financave i cili njerëzve të kësaj rëndësie le më që nuk iu siguroi truproje, por Institucionit ku ai punoi “QIK-ut” ia pat ndërprerë të gjitha burimet financiare.
Falë Degës së LDK-së në Zvicër e cila detyrimisht intervenoi disa herë, për vite të tëra, për ta shpëtuar QIK-un, dhe duke ia mbuluar marren Qeverisë së Kosovës, e veçmas Ministrit të Ekonomisë dhe Financave dr. Isa Mustafës, u mbijetuan shantazhet financiare që kurdoherë i ka bërë dr. Isa Mustafa me sivëllain e tij dr: Bujar Bukoshin kundër QIK-ut dhe kundër Presidencës.
Në hulumtimet e procesverbaleve të asaj kohe më ra të gjejë gjurmët e shtytjeve financiare që Dega e LDK-së ia ka bërë QIK-ut, dhe Presidencës. Më 09 maj 1995, nga Dega e LDK-së në Zvicër i janë dërguar QIK-ut 5 000 CHF, kurse në muajin tetor të vitit 1996 nga një aksion vullnetar nëpër Nëndegët e LDK-së me motivacion “TA NDIHMOJMË QIK-un”, kësaj qendre informative i janë dërguar 26.000 CHF, të cilat kanë qenë të destinuara edhe për botime të veçanta që pat filluar t’i bënë QIK-u.
Në prill të vitit 1997 i janë dërguar QIK-ut edhe 10.000 CHF të tjera. Po ashtu nga niveli qendror i Degës së LDK-së në Zvicër shuma të mëdha parash janë dërguar herë pas here edhe për redaksinë e Revistën “ORA”, dhe për shumë raste të tjera.
Ia vlen t’ia përkujtoj dr. Isa Mustafës, (tani si kryetar i LDK-së), se kur vet ai si Ministër ia pat bllokuar financimin Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugovës gjatë udhëtimit të tij për në Amerikë nga data 12-17 gusht 1997, u detyrua Dega e LDK-së në Zvicër t’ia jap 10.000 CHF dhe t’i barti shpenzimet e hotelit në Zvicër në vlerë të saktë 2442.60 CHF, (dymijë e katërqind e dyzetedy franga e gjashtëdhjetë rap/cent).
 Nëse do të kishim mundësi që këtyre fakteve t’ua shtojmë shumat e dërguara nga nëndegët veç e veç, dhe ato në mënyrë individuale nga personat privat, do të kuptohet se Ministria e Ekonomisë dhe Financave gjatë viteve të nëntëdhjeta shumë pak ka derdh mjete për Presidencën, për QIK-un dhe për LDK-në. Në këtë raport nuk janë përfshirë asnjë cent nga mjetet financiare që i ka dërguar vazhdimisht Dega e LDK-së në Gjermani, dhe as ato nga degët tjera në Evropën Perëndimore si dhe ato në ShBA. Kur të kihen parasysh të gjitha këto fakte, qëndrimi i mëtutjeshëm i dr. Isa Mustafës në krye të LDK-së është në kundërshtim me vlerat morale të demokracisë dhe do të jetë me përmasa fatale për institucionet kosovare të cilat ëndrrën t’i pushton dr. Isa Mustafa, përmes LDK-së.
Me të drejt tashti shtrohet pyetja nëse dr. Isa Mustafa është i gatshëm të sqaroj dhe t’i kërkoj falje publike edhe Familjes së Enver Malokut, edhe Familjes së dr. Ibrahim Rugovës, edhe LDK-së në Kosovë po më shumë Degëve të LDK-së në Diasporë, veçmas mërgimtarëve me të cilët është sjell si një despot, ndonëse mospërfillja e tij edhe tashti duket nga qielli, dhe krejt këtë far marketingu politik për dr. Ibrahim Rugovën e Enver Malokun e bënë për t’i qit hi syve elektoratit të LDK-së, për t’i mbuluar për aq sa mundet edhe gjurmët e veta në dëm të LDK-së dhe institucioneve që kanë dal nga ajo. Kjo gjë të shqetëson edhe më shumë, kur faktori ndërkombëtar kërkon udhëheqje të vendit me duar të pastra. Pa asnjë dilemë shtrohet pyetja: Po dr. Isa Mustafa a i ka duart e pastra?!...
Ditë më parë Ambasadori Amerikan në Kosovë Kristofer Dell, duke transmetuar qëndrimin e ShBA-së për Institucionet e Kosovës e ka vënë me shpatulla për muri lidershipin kosovar, ku çartë sugjerohen që Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të udhëhiqet nga njerëz që i kanë “duart e pastra”. Prandaj është arsyeja kryesore pse themi se LDK-ja duhet ta merr deklaratën e z. Dell seriozisht dhe të shqetësohet për veten e vet dhe të mos bëjë përpjekje për t’ua mbuluar veprimet njerëzve që dihet se nuk i kanë “duart e pastra”?!
Dr. Isa Mustafa duhet të flet qartë dhe bindshëm, pa ekuivokë, se për çfarë motivesh e ka bërë atë ndërprerje të bashkëpunimit jo vetëm me QIK-un, por edhe me Presidencën, se sa i përket LDK-së dr. Isa Mustafa në atë kohë as që ka dashur të dëgjojë. Kjo është mbase e vërtetë. Tani mendoj se është obligim moral dhe human i kryesisë së LDK-së që të mos toleroj një komunist për të lënduar edhe më tej zemrat e familjarëve, kur krejt bota e qytetëruar e dinë raportin e dr. Isa Mustafës jo vetëm me QIK-un, por edh me Presidencën dhe LDK-në. Le të mbetët në ndërgjegjen e kryesisë qendrore  për këto veprime të pamatura dhe lënduese, dhe këtë të mos e bëjnë vetëm sa për marketing politik, sepse ky lloj marketingu do t’u kthehet bumerang një ditë në zgjedhjet e radhës që do të vijnë, sepse sa për pushtet siç po shihet edhe Brukseli po edhe Uashingtoni do t’i detyrojnë të gjitha partitë që t’i “pastrojnë duart e veta”.
Dr. Isa Mustafa duhet ta dinë se më së paku Enver Maloku ka nevojë për nderimin e tij, si dhe nderimin e kësaj kaste injorantësh të instaluar në kryesinë qendrore të LDK-së, nga të cilët ka edhe asi që ndihmat dedikuar kësaj familje i kanë përvetësuar për vete, dhe tani bashkë me dr. Isa Mustafën vejnë lule sa për marketing politik, por le ta dinë se qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës, i dinë fort mirë raportet dhe bëmat e dr. Isa Mustafës bashkë me sivëllain e tij dr. Bujar Bukoshi, kundër QIK-ut dhe Enver Malokut, sikurse që e dinë edhe punën dhe përkushtimin e Enver Maloku për Kosovën.
“Enver Maloku (1993 1999) duke qenë në krye të Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), në kohët më dramatike dhe më të përgjakshme të historisë së Kosovës, shpërndau informacionet në gjithë botën në katër gjuhë shqip anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht për dhunën sistematike, masakrat dhe terrorin që po ushtronte Serbia kundër shqiptarëve në Kosovë. Enver Maloku edhe me shkrimet autoriale pareshtur sfidoi dhe denoncoi regjimin kriminel të Beogradit para opinionit ndërkombëtar për krimet që po bënte në Kosovë. Duke informuar për dramën e përgjakshme të popullit shqiptar dhe luftën e tij çlirimtare, ai njëkohësisht për shumë vite afirmoi aspiratën e popullit të Kosovës, duke shpërndarë ditë e natë mesazhin për liri, pavarësi e demokraci”,  (QIK, 11 janar 2011)
Enver Maloku u vra në një atentat ende të pandriçuar në Prishtinë, më 11 janar të vitit 1999, para dritareve të banesës së tij, në prani të gruas dhe fëmijëve, dhe vrasësit kanë fol shqip, kështu pat shkruar “Koha ditore” e Veton Surroit, kurse nënkryetarja e LDK-së vjen nga ato radhë dhe edhe ajo si grua shkon me eprorin e saj komunistin dr. Isa Mustafa për të nderuar Enver Malokun të cilin në mënyrë të dhunshme e përjashtuan nga kjo botë, në moshën më të mirë të pjekurisë jetësore dhe kreative. Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova në vitin 2004 e ka dekoruar Enver Malokun me "Medaljen Artë të Pavarësisë”, dhe për fat të mirë Kuvendi Komunal i Prishtinës i ka siguruar një kulm mbi kokë familjes së Enver Malokut që bëri shumë për tu shpërndarë kudo në botë e vërteta mbi Kosovën. Bëri gazetën e mbrëmjes “Informatori”, e para e këtij lloji në kryeqendrën e Kosovës dhe madje në gjithë hapësirën shqiptare dhe në vitin 1999, siç ka potencuar bashkëpunëtori i tij Safet Zejnullau,“ai i bëri dhjetë ditë e gjysmë jetë e i shkroi njëmbëdhjetë kolumne”
Pas vdekjes, në vitin 2002, Shtëpia Botuese “Faik Konica” në Prishtinë që e drejton shkrimtari i mirënjohur Nazmi Rrahmani, botoi librin e Enver Malokut  “Gjuha e stuhisë” i cili ka mbetur si një ogur i mirë në stendën e librit shqip, po sidomos ndër qarqet kulturore e politike në Kosovë.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...