2013-07-21

Selvije Bajrami-Romët që nxjerrin ilegalisht kosovarët në Evropë


Pjesë nga biseda me 2 romët në Suboticë, të cilët merren me transportimin e shqiptarëve për në Hungari.

Po pinin kafenë e mëngjesit në bufenë e Stacionit të Autobusëve në Suboticë (Serbi), derisa po prisnin dy autobusë me qytetarë nga Kosova që ia kishin mësyrë ilegalisht Evropës.
Të gjendur vetëm dymbëdhjetë kilometra larg kufirit me Hungarinë, së paku dhjetë burra, serbë e romë, me padurim prisnin arritjen e kosovarëve. Nga kosovarët që ia kishin mësyrë ilegalisht Evropës, për disa qytetarë serbë në Suboticë tashmë është bërë përfitim i mirë. Hiç më keq nuk po mbesin as disa serbë të tjerë në Beograd bashkë me disa shqiptarë që organizojnë udhëtimin e kosovarëve nga Prishtina. Rasim e Ragip Azizi, dy vëllezër romë nga Fushë Kosova, trafikimin e shqiptarëve drejt Evropës e kanë bërë biznes ditor.
Me këtë punë ata merren për gati një vit. Por, puna u është shtuar dukshëm që nga janari i këtij viti. Të dy ata flisnin rrjedhshëm gjuhën shqipe, duke ua bërë më të lehtë që t’u afrohen kosovarëve për t’i dërguar përmes Serbisë e më pas nëpërmjet Hungarisë drejt Evropës.
I presin autobusët me kosovarë
Dy romët që janë lindur në Fushë Kosovë, por që aktualisht jetojnë në Suboticë, janë në mesin e grupit të organizuar që transporton shqiptarë ilegalisht për në Hungari. Ata biznesin e zhvillojnë kryesisht në kafenenë e stacionit të autobusëve. Në këtë të fundit e njohin thuajse të gjithë klientelën. Ndonjë person i paparë në atë zonë më herët, potencialisht mund të jetë mundësi për biznes për ta. Dy vëllezërit nuk hezitojnë të paraqesin ofertat e tyre.
“A di shqip? A je nis për të shkuar andej (Hungari)?”, thotë Rasim Azizi teksa i afrohet tavolinës. Porosit një kafe e ulet në tavolinë, duke menduar se bashkëbiseduesja kishte qëllim kalimin ilegal të kufirit.
Është ora 9 e 15 e mëngjesit në Suboticë. Ka pesëmbëdhjetë minuta që Rasimi kishte dalë në stacion të autobusëve. “Me çka erdhe ti se jemi tu i pritë,... se thanë vijnë dy autobusë e ende nuk erdhën. Për qata edhe jemi dalë këtu”, vazhdon më tutje Rasimi. Vëllai i tij, Ragipi, i afrohet tavolinës. Ky i fundit është më i mirë në shqip. Rasimi e fton atë që t’i bashkëngjitet tavolinës.
“Ti pasi po don me shku anej unë po të kallëzoj që këta të Serbisë nuk të pengojnë po kah Hungaria është problem. Nëse të zanë policia në Hungari, ata të dërgojnë në kamp. Me bë me të ndalë policia e Serbisë, kalon lehtë se veç ua jep një letër të bardhë që ta kanë dhanë në Merdare edhe atyre nuk iu intereson që po e kalon kufinin. Me rëndësi në territor të tyre nuk po del”, nis të shpjegojë situatën Ragip Azizi. Letra e bardhë për të cilën aludon Ragip Azizi është një dokument, i cili iu jepet kosovarëve që kalojnë kufirin nga Kosova në Serbi. I njëjti dokument merret nga policia në momentin që e lëshon territorin serb. Ky lloj i qarkullimit ka filluar të funksionojë pas marrëveshjes teknike në Bruksel për lëvizjen e lirë të qytetarëve.
“Unë e kam një shok. Qe këtu vjen të merr me taksi. Hyn në veturë edhe shkon deri me një vend. Aty të mbesin veç dhjetë minuta me ecë në kambë edhe atje të pret taksisti tjetër. Atij veç ia tregon adresën se ku po don me shku edhe veç pasi të arrijsh atje i pagun paret”, tregon Ragipi.
“Ai mundet me të dërgu në Austri, Francë, Belgjikë... Ama çmimi për këto vende është më i shtrenjtë”, vazhdon më tutje Ragipi.
1500 euro për person
Ragipi tregon se kufiri që lidh Suboticën me Hungarinë është vetëm dymbëdhjetë kilometra larg nga stacioni i autobusëve. “Nëse don veç me kalu kufinin atëherë çmimi është 120 euro deri në 150. Ama duhesh me ditë që Hungaria i ka ndalë shumë njerëz dhe nuk është e sigurt që nuk të arrestojnë”, tregon ai për rreziqet që mund t’i ketë kjo pagesë që, sipas tij, është e vogël. “A nëse don me shku më larg, në Austri, Gjermani a diku, çmimi është 1500 euro. Sa persona jeni ju?”, nis pyetjet Ragipi në mënyrë që t’i specifikojë ofertat për të interesuarit. “Për një person kushton 1500 euro. Ai shoku im vjen edhe ju merr. Më së shumti për një udhëtim duhet me qenë katër persona”, tregon më tutje ai.
Shumica e “klientëve” që kanë pasur deri më tani thotë se nuk kanë pasur kushte materiale, nuk kanë pasur shumë para, andaj kanë paguar vetëm sa për ta kaluar kufirin. “Nuk është problem me shku në Hungari, ama ata të arrestojnë. Ma mirë është të paguash më shumë e bile je e sigurt që arrin deri në cakun ku ia ke mësyrë”, thotë Ragipi teksa liron tavolinën dhe del jashtë bufesë për të parë nëse kanë arritur autobusët.
“Thanë që dy autobusë do të vijnë sot. Ata ndalen qitu para stacionit. Edhe menjëherë shpërndahen te persona të ndryshëm që janë marrë vesh me ta apo që merren vesh këtu”, vazhdon Rasimi të tregojë për mënyrën se si arrijnë kosovarët. “Autobusi që ata vijnë është ilegal edhe nuk hyn hiç në stacion se aty duhet të paguajë, por i ndal qitu përpara”, bën me gisht Rasimi në drejtim të portës së bufesë.
Jashtë saj, të ulur qëndronin edhe disa mesoburra.
“Ka plot që po i ndihmojnë kosovarët ama plot edhe po i rrejnë. Po ju thonë të çoj atje, të çoj andej këndej e në fund veç po i qesin në Hungari e atje po i arreston policia”, thotë Rasimi.
Kufiri kalohet natën
Ata kosovarë që nuk kanë pasur dijeni për rrugën ilegale kah duhet përshkruar në mënyrë që të kalojnë kufirin ilegalisht, sipas tij, ka pasur raste kur kanë ecur në këmbë deri në tetë orë.Por shumë nga ta, sipas Rasim Azizit, kanë pasur me vete shoqërues që i kanë paguar.
Kosovarët që ia mësyjnë ilegalisht Evropës, nisen nga Prishtina rreth orës 22.00 me autobus. Me disa ndalesa gjatë rrugës, arritja në Beograd është pak pas orës 05.00 të mëngjesit. Aty vetëm ndërrohet autobusi dhe bëhet nisja për në Suboticë. Të dy këto rrugë përshkohen me një çmim prej gjithsej 30 eurosh. 15 euro kushton bileta deri në Beograd dhe po aq të tjera deri në Suboticë.
Në këtë të fundit, arritjet janë kryesisht në mëngjes. Kjo është edhe arsyeja pse pjesëtarë të grupeve të ndryshme në Suboticë, mblidhen te stacioni i autobusëve. Disa nga ta kanë taksi, disa të tjerë kanë “miq” që ndihmojnë kalimin e kufirit, disa të tjerë mund të jenë vetë shoqërues. Por ka edhe të tillë që kanë hotele apo motele. Njëri nga ta që ka një hotel në qendër të Suboticës është edhe vetë Rasim Azizi.
“Pesë minuta nga këtu e kam hotelin. Një burrë me grua e me fëmijë e kam tash aty”, tregon Rasimi, teksa vë mbi tavolinë bizneskartën e dhomave që ofron ai. “Sobe kod Vukoja”, apo “Dhoma te Vuku”, është hoteli që i bën marketing ai, ndërsa gjendet në qendër të qytetit në rrugën “Durmitorska 4”. “Ajo familje është nga Gjakova e janë vendos aty që dy ditë. Po presin dikë që të vijë e t’i marr. Edhe sot rrinë aty deri në mbrëmje se kufirin duhet ta kalojnë gjatë natës”, thotë më tutje ai.
Një natë për person në këto dhoma kushton 20 euro. Rasimi tregon se ka pasur punë që katër pesë muaj rregullisht në hotel. Punën ia kanë shtuar me të madhe kosovarët. “Uuuu sa njeri ka ardhë këtu e sa njëri ka kaluar kufirin... Shumë, shumë, shumë,... Ka pasur nga Gjakova, nga Prizreni, nga Gjilani e prej krejt Kosovës”, thotë Rasimi. “Këtu e ke numrin e telefonit, mundesh me më thirrë edhe mos u tut edhe pse je veç një femër. Aty e kam gruan edhe fëmijët e mi. Po ka edhe mysafirë që kanë me kalu kufirin natën”, vijon më tutje ai.
Rasimi nis me pyetje në mënyrë që për të shoqëruar deri në Evropë, bile të ketë punë në dhomat që i ofron me një çmim që thotë të jetë i lirë. “A vjen dikush me të marrë. A janë nis shumë nga Kosova se, ora u bë 10 e ende nuk erdhën autobusët”, thotë Rasimi teksa porosit një raki molle.
Dallaveret në Beograd
“U bëra nervoz. Neve na kallxojnë që janë nis autobusat nga Prishtina e ata hala nuk kanë arritur. Garant në Beograd janë kah bahen dallaveret. Aty po ju thojnë jo 2 mijë, jo 3 mijë e në fund prap vijnë e kërkojnë ndihmë tek na”, vijon më tutje ai teksa shikon orën në telefonin e tij. E merr telefonin dhe flet me dikë, pak në gjuhën e romëve për të vazhduar në gjuhën serbe.
“Po presim”, thotë ai mes të tjerash.
Ndonëse shprehet që nuk është i lidhur me grupin që bën transportin e kosovarëve, ai është i informuar që kosovarët në shumë raste koordinohen nga Prishtina, në disa edhe në Beograd në mënyrë që të dijnë rrugën.
“Gjynah valla. Njerëzit nuk po kanë para për ata edhe po ikin. E me i mashtruar është gjynah. Është shumë leht me e kalu kufirin po veç me kalu kufirin nuk bon pa të pritë dikush atje. A të pret ty dikush?”, vazhdon Rasimi teksa zgjat kokën për të parë jashtë se kush po sillet vërdallë stacionit.
Rreth orës 10 e 20 minuta, përpara stacionit të autobusëve arrijnë një autobus me ngjyrë të bardhë që ka targat e Beogradit. Autobusi nuk hyn në stacion, por pasagjerët zbresin në hyrje të stacionit. Mbajnë në duar disa çanta të vogla ngase disa nga ta e dijnë se do të ecin në këmbë pa e ditur saktë se çfarë rruge i pret.
Më shumë se gjysma e tyre janë djem të ri por ka edhe familje të tëra. Të hutuar shikonin rreth e përqark me të arritur në Suboticë. Nuk e flisnin as më të voglin muhabet mes tyre. Ata që flisnin ishin disa burra që po i prisnin në Suboticë. Por disa që kanë ardesë e që “pazarin” për kalimin ilegal të kufirit e kanë bërë më herët, e kanë adresën. Në Suboticë shpërndahen në disa drejtime. Treve prej tyre iu afrohet edhe Rasim Azizidhe nis goditjen e pazarit.
“Prej Prishtinës e kemi pasur të sigurt udhëtimin deri këtu e tash në dorë të Zotit”, thotë një i ri nga Shtimja që rrugën e tij drejt kurbetit ai e ka nisur me dy shokë të tij.

Arbana Xharra-Çmimi i popullit për Thaçin

Në të njëjtën ditë kur u publikua portreti që i kishte bërë gazeta e përditshme amerikane “The New York Times” kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, lexoja ndërkohë reportazhin për një familje skamnore nga Kosova, për nënën e dy fëmijëve që lutet të vdesë çdo natë përpara se të agojë dita. Po atë ditë lexoja edhe raportin e Transparency International Kosova për keqpërdorimin e parasë publike që bëjnë partitë politike në vend, e veçanërisht partia më e madhe në pushtet.
Për ata që nuk e dinë se çfarë po ndodh në Kosovë, nga shkrimi i NYT fitojnë përshtypjen se “Kosovën e paska shpëtuar Hashim Thaçi”, dhe se “ky shtet më i ri në Evropë duhet të mburret me këtë burrështetas”. Kur një gazetë prestigjioze si NYT shkruan se Brukseli dhe Washingtoni sot e konsiderojnë Thaçin, Gerry Adams të Ballkanit, që gjoja po e çon vendin drejt Evropës, audienca e huaj edhe mund të besojë. Por, edhe këtu pushteti dhe lakenjtë e Thaçit nuk duhet të kenë shumë iluzione: në brumin e papjekur të New York Times besojnë ata që nuk i njohin zhvillimet në Kosovë dhe nuk janë vendimmarrës.
Thaçi, i cili nuk u prit asnjëherë zyrtarisht nga krerët e shtetit më me ndikimin dhe më të madh në BE, pra Gjermania, idealizohet me këtë shkrim deri në atë masë, saqë thuhet se “Emri i Hashim Thaçit po përmendet edhe si një kandidat për Çmimin Nobel për Paqe”. Gazetari nuk i referohet asnjë burimi dhe gjithë kjo tingëllon si një anekdotë iftari që mund ta ketë dëgjuar në ndonjë kafene të Prishtinës.
Zor të besojë dikush që e njeh Kosovën se ndonjëherë mund të ndodhë kjo mrekulli për Thaçin. Imazhi që e kishte vizatuar me brushë të madhe gazetari amerikan nuk shitet në asnjë galeri serioze, edhe pse në botën e pikturave qarkullojnë shumë mashtrues.
Më së paku një vizatimit të tillë i besojnë ata qytetarë që i pamë javën e kaluar e të cilët ia kishin mësyrë Beogradit dhe prej atje synonin të vazhdonin udhën drejt vendeve perëndimore, natyrisht ilegalisht dhe përplot rreziqe. Këta janë qytetarë të cilët nga skamja më nuk po mund të mbijetojnë në shtetin që e “paska çliruar Thaçi”.
Aq më pak i besueshëm do të duket portreti i zbukuruar i Thaçit në sytë e asaj nënës nga Prekazi që lutet të vdesë nga varfëria, vajza e së cilës gjatë dimrit ka shkuar dy javë zbathur në shkollë. Familje si kjo ka me qindra e mijëra në Kosovë dhe këto familja sapo t’u jepet mundësia do të ikin nga mjerimi për të kërkuar azil nëpër Evropë. Ikin nga “parajsa” e Thaçit për të shkuar në “ferrin” e Evropës.
Duke e parë skamjen rrëqethëse të kësaj familjeje, që pasqyron realitetin e Kosovës, të vijnë në mend kapadainjtë e qeverisë dhe shumica e atyre që kanë zënë ulëset e Kuvendit të Kosovës, të cilët miratojnë çdo keqpërdorim, bëhen miratues të çdo ligji të dëmshëm dhe çdo ditë e më tepër shkatërrojnë besimin që mund të ketë ndonjë qytetar në shtet. Bile pushtetarët kanë nisur të garojnë mes vete se cili po ka shije më shumë të të jetuarit në luks. Nga stili i veshjes ku kohë pas kohe bëjnë tërheqjen e mëngëve të këmishës për t’u dukur orët e shtrenjta “Rolex” deri te reklamimi arrogant me vetura të blera me para të arkës së shtetit.
“Kam luftuar në anën e drejtë të historisë për çlirimin e popullit tim nga tirania kundër një armiku të pamëshirshëm që bënte përpjekje për kryerjen e një gjenocidi masiv”, citohet të ketë thënë Thaçi për NYT. Aq i është mbushur mendja se ky e ka çliruar Kosovën, saqë thotë “populli im”, thua se Thaçi është pronar i popullit. Athua si ndihen ata ish-luftëtarë të vërtetë të UÇK-së, kur shohin bashkëluftëtarët, “komandantët”, që sot janë bërë milionerë e të cilët abuzojnë me pushtetin që kanë në dorë? Çfarë ndjesie ngjall Thaçi te ish-luftëtarët e UÇK-së që edhe 14 vjet pas luftës mbledhin hekurishte për të mbijetuar? Si ndihen ata që luftuan për ta bërë Kosovën të pavarur me tërësinë e saj territoriale dhe jo një shtet ku kriminelët amnistohen?
Athua si do të ishte përgjigjur Thaçi sikur gazetari ta kishte pyetur prej nga u bënë milionerë vëllezërit tuaj, madje brenda natës, apo zyrtarët e tjerë të PDK-së që sot nuk ia dinë skajin pasurisë? Ndonjë gazetarë që Kosovën “e njeh” nga distanca e Parisit apo Pragës, si ky i NYT, mund të fërgojë llafe restorantesh për Çmimin Nobel dhe Thaçin, por populli i Kosovës këtij qëmoti ia ka dhënë një çmim meritor: kryepërgjegjës për plaçkitjen e Kosovës dhe varfërimin ekstrem të popullit të saj.

Anita Kadriu-“Bashkëjetojnë” me zvarranikë në shtëpinë gërmadhë


Foto: Zëri / Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Kopjimi pa marrëveshje paraprake me redaksinë e Gazetës, ndëshkohet me Ligjin në fuqi mbi të Drejtat e Autorit.
Shtëpi duke u shembur, që sapo t’ua hedhësh shikimin të krijojnë përshtypjen se janë të braktisura me vite, fatkeqësisht ende janë të banuara.
Në këto shtëpi gërmadha banojnë banorët e brezit kufitar. Koha e gurit ende është periudha në të cilën jetojnë banorët e fshatit Karaçevë, vendbanim nën juridiksionin e komunës së Kamenicës.
Aty gjen shtëpi të ndërtuara mbi shtatë dekada më parë, me mure të çara që janë bërë “dyer” për zvarranikët që hyjnë e bashkëjetojnë me njerëzit brenda në dhoma, ku nuk sheh as dysheme prej dërrase, por një sipërfaqe dheu me ca tepihë të vjetruar, kulme që po shemben, ushqim i pamjaftueshëm...
Kjo është pasqyra e një jetë çnjerëzore që disa familje kosovare po bëjnë, të braktisur nga qeveria. Megjithëkëtë, ata e japin votën ndonëse anëtarë të partive politike kur dalin në fshat në kohë fushate nuk shkojnë të kërkojnë vota tek këto familje, e arsyet pse ndodh kjo janë: shtëpitë e tyre gjenden shumë afër me pikat kufitare dhe xhandarët, varfëria të zë frymën nuk ke ku të shkelësh as ku të ulesh të bësh një bisedë me këta banorë nga ajo ose ai anëtar partie që t’i bindë t’ia votojnë partinë.

Emri Republikë e Kosovës, që thonë se e ëndërruan prej se lindën, i shtynë këta banorë të votojnë, pavarësisht se asnjë parti e ardhur në pushtet që nga paslufta nuk iu doli në ndihmë. Të gjitha qeveritë e Kosovës, ia “dorëzuan” këto familje skamjes.
Jeta në shtëpi gërmadha, me ushqim të pamjaftueshëm
Të jetosh në fshatrat e brezit kufitar larg zhurmës e pluhurit të kryeqendrës së Kosovës, Prishtinës, dhe të shijosh bukuritë e paprekura të natyrës, je me fat nëse këtë e bën si turist gjatë një pushimi.
Por, të vazhdosh jetën pa mbështetje nga institucionet e shtetit në thellësitë e bjeshkëve të Kosovës, ku dhe rrugët po nuk pati kalimtarë shumë për një kohë mbyllen nga shkurret (janë të paasfaltuara), je i braktisur. Kështu ndihen Raif Surdulli dhe Nazmie Baftiari, dy të moshuarit karaçevas që nuk i ka braktisur vetëm mosha, por dhe shteti. Edhe vizitorët për ta janë të rrallë.

Raifi, madje heziton të flasë, nuk do të trazojë botën e tij të ndërtuar prej vitesh, në shtëpinë që çdo ditë i bëhet nga një e çarë në mure. Varfëria dhe vetmia janë bërë bashkë në jetën e këtij çifti. Pa shpresë se do të ndihmohen ndonjëherë nga institucionet me të holla apo t’i ndërtohet një shtëpi, tek ky çift mbizotëron mendimi se kështu do të vazhdojnë të jetojnë aq sa e ka shkruar Zoti. Të ardhurat e tyre së bashku në emër të pensioneve sillen jo më shumë së 80 euro.
Nazmia, që ka mbushur 70 vjet nuk e ka të lehtë të kujdeset për Raifin 91-vjeçar në shtëpinë që kurrë nuk pati krevat apo orendi tjera, por vetëm sfungjer, të cilët për të mos u lagur nga dyshemeja që përbehet vetëm nga dheu, janë mbuluar me copa të panumërta tepihu.
“Kjo shtëpi ka mbi shtatëdhjetë vjet që është ndërtuar. Është vjetruar shumë. Muret po çahen dhe tavani i shtëpisë është çarë, kudo na hyn të ftohtit, dhe shiu”, tregon plaka Nazmie, madje duke u turpëruar dhe duke tentuar të mos hyjmë zbathur se gjendja në të cilën ndodhet shtëpia, sipas saj, është e papranueshme për këmbën e njeriut. Ajo thotë se kanë shumë frikë mos rrëzohet shtëpia dhe i zë brenda.

“Nuk pritet ditë më e mirë në shtëpinë tonë, vetëm të shembet dhe të na zërë, tjetër s’ka, çdo mur i saj është çarë, edhe tavani (trani) i shtëpisë po lëshohet”, thotë ajo derisa na bën me dije se kurrë askush nuk ka ardhur t’i vizitojë nga institucionet.
“Bashkëjetesa” e detyruar me gjarpërinj
Me fuqinë që ia lejon mosha, Nazmia arrin ta rinovojë shtëpinë, këtë e bën me letër kartoni, duke mbyllur xhamat e thyer vende-vende për të mos lejuar të ftohtit të hyjë brenda, apo gjallesat tjera të depërtojnë në shtëpinë që ka vetëm dy dhoma të vogla dhe një korridor ku gjendet një stufë e druve, në të cilën ajo pjek ushqimin që e sigurojnë nga pensionet, e që nuk iu mjafton për gjithë muajin. Renovim tjetër s’mund të bëjë plaka Nazmije.
“Pensionet që marrim, nuk di t’iu them apo jo pensione se janë pak, shumë pak pare, nuk na dalin as për barna lëre më për ushqim... çdo ditë po na vjen më vështirë e më vështirë jeta”, thotë ajo duke kërkuar që qeveria t’iu dalë në ndihmë për t’ua ndërtuar shtëpitë që po rrëzohen.
Shtëpitë në Karaçevë duket sikur bëjnë gara se cila do të shembet më parë. Pak metra më larg nga shtëpia e Nazmies, ndodhet dhe shtëpia tjetër në të cilën jeton Minire Surdulli me bashkëshortin dhe axhën e saj të moshuar. Shtëpia e saj nga jashtë duket sikur është e vijëzuar me qëllim.
Por, nga afërsia e sheh se ato janë të çara të mureve, aq të thella sa edhe tullat kanë filluar të shkëputen e bien në tokë. Shqetësimi i krijuar te kjo familje se do të varrosen të gjallë brenda shtëpisë nga frika e rrëzimit të saj (shtëpisë), është ngurtësuar brenda qenies së tyre. Ata nuk kanë të holla të ndërtojnë shtëpi tjetër apo të shpërngulen siç kanë bërë shumë banorë të tjerë. Jetojnë me ankthin e rrëzimit të shtëpisë ditë e natë.
“Ne nuk kemi mundësi materiale të ndërtojmë shtëpinë, jetojmë nga një social. Edhe bagëtinë që kishim e kemi shitur, t’i kullosnim kishim frikë mos ndeshim ndonjë xhandar serb në mal se këtu kemi kufirin shumë afër, kështu që e hoqëm. Bagëtia ikin, kush guxon të shkojë dhe t‘i marrë me xhandarët afër”, tregon ajo se si është shuar burimi i vetëm i ekzistencës së kësaj familje.

Minirja thotë se në shtëpi gjen herë pas here dhe gjarpërinj, të çarat e shtëpisë sipas saj ia mundësojnë cilësdo gjallesë që i teket të hyjë në shtëpinë, ku kjo familje është e detyruar të jetojë në pamundësi ekonomike për të bërë zgjidhje tjetër.
90 për qind e fshatarëve nuk punojnë
Gjendja e rëndë sociale-ekonomike për banorët e Karaçevës si pasojë e zhdukjes së bagëtisë konfirmohet dhe nga përfaqësuesi i Bashkësisë Lokale në Karaçevë, Selver Lenjani. Ai thekson se jo pak familje në këtë fshat jetojnë në varfëri të skajshme. Varfëria, sipas tij, rrezikon sidomos tri familje, dy Surdulli dhe një familje tjetër ku jeton vetëm një nënë me një vajzë po ashtu në kushte të rënda ekonomike dhe të banimit.
Ai thotë se mbi 90 për qind e fshatit janë të papunë. Lenjani thotë se Karaçeva është fshati që më së shumti ka banorë me social. Por, sipas tij ky social nuk mjafton që të ngopen bukë. Gjendja ekonomike, ai thotë se është vështirësuar tejmase me zhdukjen e bagëtisë, nga e cila mbaheshin ekonomikisht shumë banorë.
Bagëtia, sipas tij, ka nisur të zhduket nga rrezikshmëria që të kullotet dhe të punohet toka për t’i siguruar ushqim.
“Kanë hequr bagëtinë nga frika se duke kullotur ndeshën me xhandarët në tokën e tyre. Nuk guxon t’u afrohesh pikave të xhandarmërisë më pak se 1000 metër”, thekson ai.
Lenjani, në emër të banorëve të fshatit kërkon që të hiqen gjashtë pikat ku është stacionuar xhandarmëria serbe: Ugari, Stanimalushit, Guri bardhë, Rrezja, Gjuka, Varrezat e Spahoviqe, në mënyrë që të mbahet bagëtia.
“Është niveli ma i madh i papunësisë, në skaj të varfërisë. Prandaj ftoj donatorë dhe qeverinë që këtyre tri familjeve që jetojnë në kushte të rënda t’iu ndërtohen shtëpi dhe të mos rrezikohen nga uria, t’iu ndihmohet. Komuna dhe Kryqi i Kuq iu ndihmon, por është e pamundur të plotësohen nevojat mujore dhe vjetore të tyre vetëm me këto ndihma”.

Lenjani thotë për gazetën se banorët e Karaçevës nuk morën subvencione në bujqësi për t’u përkrahur që të qëndrojnë në fshat.
“Për bujqësi kurrë në Karaçevë s’ka pas ndihmë, edhe pse i takon më së tepërmi brezit kufitar, por për këtë Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Bujqësisë nuk janë interesuar që të ndihmohen zonat rurale e sidomos të brezit kufitar, që janë me zero ndihma”. Ai bën thirrje që në zonat rurale -në vijat kufitare pa hezitim të investohet për të qenë banorët aty dhe të shmanget zbrazja.

‘Leka i Madh’, libri i autorit Shefik Ollomani


“Botimi i librit Leka i Madh është një vërejtje serioze për historianët shqiptarë sidomos për ata që merren me studimin e antikitetit si dhe në të njëjtën kohë është një përgjigje për të hedhur poshtë pretendimet joserioze shkencore të studiuesve sllavo-maqedonas të cilët duke pasur kompleksin e origjinës ikin nga vërtetësia.

‘Leka i Madh’, libri i autorit Shefik Ollomani

‘Leka i Madh’, libri i autorit Shefik Ollomani



Ky libër kushtuar Lekës së Madh pretendon të hedh dritë në një epokë të së kaluarës së Ballkanit, që prekë rrënjët edhe të kombit shqiptarë.

Historiani Nebi Dervishi me rastin e promovimit tha se ky libër mbi të gjitha është përgjigje e disa pretendimeve joserioze shkencore, ndaj atyre që duke pasur komplekset e origjinës, i shmangen vetvetes.

Dervishi gjithashtu tha se Leka i Madh nuk është i pa zot, pasi burimet historike flasin se trashëgimia e maqedonasve antikë u takon shqiptarëve më shumë se çdo populli tjetër në Ballkan.

“Botimi i librit Leka i Madh është një vërejtje serioze për historianët shqiptarë sidomos për ata që merren me studimin e antikitetit si dhe në të njëjtën kohë është një përgjigje për të hedhur poshtë pretendimet joserioze shkencore të studiuesve sllavo-maqedonas të cilët duke pasur kompleksin e origjinës ikin nga vërtetësia.

Ky libër parasëgjithash u drejtohet atyre që kërkojnë të dinë dhe kanë mendje por edhe cytën nga shpirti dhe dëshira në vazhdimësi për historinë e shqiptarëve në trojet etnike që nga antikiteti e deri në ditët tona”, tha historiani Nebi Dervishi.

Nënkryetari i Shoqatës së historianëve shqiptarë të Maqedonisë, Skender Hasani tha se promovimi i librit Leka i Madh-Aleksandri i Maqedonisë erdhi në kohë të duhur meqë emri i tij, termi Maqedoni dhe përvetësimi i antikitetit, kohëve të fundit janë përdorur tej mase për përfitime politike.

“Leka i Madh dhe Maqedonia Antike kanë paraqitur vlera universale dhe jo vetëm të ngushta personale ose të jenë të një populli, që një popull ta përvetësoj atë histori të lashtë dhe lavdishme të Maqedonisë Antike dhe sidomos figurës kryesore të Lekës së Madh”, vlerësoi Skender Hasani, nënkryetar i Shoqatës së historianëve shqiptarë, Maqedoni.

Autori Shefik Ollomani nëpërmjet këtij libri ka për qëllim njohjen e shqiptarëve me një epokë të historisë së lashtë pellazgo-ilire, si dhe t’u rrëfejë atyre të vërtetën historike dhe etnike, si dhe ne shqiptarët duhet t’i dalim zot ‘Lekës së Madh’. Libri “Leka i Madh-Aleksandri i Maqedonisë’, është botuar nga Shoqata botuese ‘Shkupi’.

Krijimtaria dhe veprimtaria e z. Shefki Ollomani, tani më ka lënë gjurmët e saj në krijimtarinë e tij poetike, publicistike dhe atdhetare.

Në fushën poetike, z. Ollomani, del me librin e tij me poezi të zgjedhura 1995-2000, libër ky i titulluar - ”…. Për lirinë, për Shqipërinë”.

Vet titullimi ”…. Për lirinë, për Shqipërinë”, nga autori Ollomani, lë të kuptojë prirjen e poetit në ndërtimin e fushës poetike dhe atdhetare, me motive dhe ide, të cilat nuk mund të mohohen nga intelekti i dijes poetike e Kombëtare.

Gjatë leximit të këtij libri, me poezi të zgjedhura nga poeti Ollomani, do të vërejmë se në krijimtarinë e tij (i referohemi librit në fjalë) ka preokupime të natyrës patriotike e Kombëtare, e që janë tejet frymëzuese për lexuesin dhe kanë vlerë artistike e poetike.

Të gjitha këto preokupime të çështjes Kombëtare, duke ju përshtatur ngjarjeve aktuale të kohës, arrinë mjaft suksesshëm t’i paraqet përmes poezisë, ndonëse ka një stil të veçantë nga krijuesit e tjerë, që ai në poezinë e vet fut edhe paknaqësitë aktuale të kohës, si një kritik i rrept, duke i bërë roje çështjes madhore Kombëtare. Ngjarjet e lëvizjeve Kombëtare, prekin thellë shpirtin e poetit Ollomani, e frymëzojnë për të krijuar dhe për t’u ballafaquar me realitetin herë të dhimbshëm e herë të arsyeshëm, por rrallë, shumë rrallë, të arritshëm.

Libri i poetit Ollomani ”…. Për lirinë, për Shqipërinë”, evidenton dëshmitë e gjalla në botën e ngjarjeve të kohës, e që poeti tregon një prirje vërtetë krijuese, tejet kuptimore me një përjetim të thellë shpirtëror, që bëjnë me dije faktorin intelektual e politik Shqiptar, se jeni në përcjellje të çdo ”veprimi” të punës suaj, rreth çështjes Kombëtare.

Në poezinë “JAM…”, poeti Ollomani, bën një prezentim, një hyrje modeste, por domethënëse dhe tejet kuptimor. Ai shkruan:

JAM…

Jam njeri dhe shqiptar,

Jetoj me nderë, jam krenar.

Jo rastësisht poeti cekë, ”Jam njeri dhe shqiptar”, ”Jetoj me nderë, jam krenar”. Kjo për lexuesin tingëllon për të ndikuar në natyrën e qenies individuale, për të menduar secili për veten e tij, se çfar është, çfar jete e jeton, çfar kreanrie ka ?! Poeti vazhdon më tutje:

Jam poet dhe pishtar,

Shkruaj me mall, digjem si zjarr.

Jam patriot dhe luftëtar,

Atdheun me zemër, lirinë në ballë.

Jam flakadan dhe zemërluan,

Përmes errësirës me penë e jatagan.

Poezia e cituar në tërësi (gjë që nuk praktikohet gjatë vlerësimeve poetike), ka një mesazh për njerëzit, për botën e njeriut të sotëm, që t’i këthehet pasqyrimit individual duke u nisur nga vetja, e më pastaj të krijohen hapësirat reale të veprimit të mëtutjeshëm. Bie në sy formulimi i kësaj poezie : ”Jam poet dhe pishtar”, ”Shkruaj me mall digjem si zjarr”, ide sygjeruese, që realizon idenë : ”Jam patriot dhe luftëtar”, ”Atdheun me zemër, lirinë në ballë”, ”Jam flakadan dhe zemërluan”,”Përmes errësirës me penë e jatagan”. Kjo poezi e poetit Ollomani, nuk është e krijuar e përjetimeve të poetit, por është një ”Himn”, i librit ”…. Për lirinë, për Shqipërinë”, e poetit Shefki Ollomani.

Të analizojmë poezinë e poetit në fjalë - ”MOS E LENI…”!

MOS E LENI…!

Mos e leni idealin të vyshket!

Mos e leni pushkën të ndryshket!

Mos e leni plisin të përlyhet!

Mos e leni fytyrën të nxihet!

Titullimi i kësaj poezie ”MOS E LENI…”, nga poeti Ollomani, është titullim i motivuar poetik dhe paraqet frymën origjinale të përjetimit të autorit, që presupozon mundësinë e ”lënies” të idealit, të pushkës, përlyerjen e plisit dhe fytyrën e nxirë po qe se largohemi dhe e lëmë rrugën drejtë arritjeve dhe synimeve Kombëtare për Liri dhe Pavarësi. Këtu hetohet një prirje e poetit në formulimin poetik. Prek ngadalë, por me kujdes, ngacmon ndjenjën e lexuesit duke provokuar shpirtin kombëtar, në zgjimin nga një amulli e mundshme, sipas poezisë ”MOS E LENI…”.

Në strofën e pestë të kësaj poezie, autori shkruan:

Mos e leni shpresën të shuhet!

Mos e leni besën të zhduket!

Mos e leni krenarinë të kërruset!

Mos e leni zjarrin të fiket!

Kjo vjershë e ndërtuar si një ”apel”, që thërret të mos e leni, lidhet gjithnjë me titullin e kesaj poezie ”MOS E LENI…”, që në vetvete ka një pastërti poetike me mesazh për ardhmërinë. Shtrohet pyetja, pse poeti e lidhë tërë poezinë me ”Mos e leni”? Pse nuk e ka titulluar me një tekst tjetër?! Nuk e ka titulluar sepse poezia kishte me marrë një kuptim krejtë tjetër në krahasim me këtë që tani është e formuluar. Poezia e poetit Ollomani manifeston një protestë në brendësi, artikullon frikën e rënies morale e njerëzore të mundshme drejtë rrugës për Liri. Kështu që për ta mbajtur moralin Kombëtar, autori e piketon me idenë e të formuluarit të kësaj poezie.

Lexojmë me vëmendje: ”Mos e leni shpreëen të shuhet”, ”Mos e leni besën të zhduket”, ”Mos e leni krenarinë të kërruset”, ”Mos e leni zjarrin të fiket”!

Poeti Ollomani prekë ndjenjën kur thotë: ”Mos e leni shpreëen të shuhet”! Pse pikërisht potencon ”shpresën”!? Sepse besimi i krijuar për arritjen e qëllimit dhe synimeve tona Kombëtare, dhe kur krijohet një ndjenjë shpirtërore në arritjen e kapshme, vetvetiu krijohet “shpresa”, optimizmi real.

Poeti njeh mirë mundësinë e arritjeve të veçanta, prandaj ai fut në strofë kur thotë: “Mos e leni besën të zhduket”! Çfar lidhshmërie të vargjeve bënë poeti Ollomani, nga “shpresa” del menjëherë tek “besa”? Çfar don të thot poeti me vargun e krijuar të poezisë “mos e leni besën të zhduket”? Sigurisht, se poeti ka njohuri të thella në krijimin e letërsisë poetike dhe kap fjalët më me ndikim sikurse tani kur e kemi fjalën për “besën”. Fjala “besë”, tek populli Shqiptar, është fajlë me peshë të madhe, që zoton veprimin e përbashkët për një qëllim të caktuar, fjalë që lidhet ngushtë për të përkrahur deri në arritjen e synimit, fjalë që për asnjë moment nuk guxon të prish marrëveshjen pavarësisht sfidave…..!

Ose poeti kur thotë, po e citojmë : “Mos e leni krenarinë të kërruset”!, “Mos e leni zjarrin të fiket”! Edhe “krenaria” ka sombolikën e vet, por gjithësesi është prekëse dhe emocionale vargu i poezisë :“Mos e leni zjarrin të fiket”! Fikja e zjarrit në votër, simbolizon idenë e mbarimit të asaj familje, që vdesin të gjithë burrat, e që mbesin pa djal. Fiket familja, fiket fisi, fiket trashëgimia Kombëtare…..etj !

Poeti Shefki Ollomani, me mjaft aftësi poetike, arrinë shumë lartë të prekë opinionin, duke krijuar ndjenjën e përjetimit. Orientimi i poetit Ollomani, ka për synim, që tragjika e krijuar, të mos mbetet brenda përbrenda kufijëve të caktuar. Ngjarjet, poetin e detyrojnë të merret me mesazhe.

Në strofën e parafundit dhe të fundit të poezisë ”MOS E LENI…”, shkruan :

Mos e leni betimin pa realizuar!

Mos e leni lirinë pa fituar!

Mos e leni atdheun pa çliruar!

Mos e leni Shqipërinë pa bashkuar!

Mos e leni as sot, as mot!

Mos e leni atdheun pa zot!

Mos e leni mos, mos, mos!

Mos e leni armiku t’ju sos!

Në të dyja strofat, shihet se poeti Ollomani, nuk ka probleme të të formuluarit në fjalë të reja shprehëse poetike. Ka shtrirje të gjërë dhe secila fjalë ka kuptimin e vet, që lidhet ngushtë me titullimin e poezisë. Edhe në këto dy strofa në vargjet e poezisë ”MOS E LENI…”, inkuadron shprehje me ndikim që e prekin jetën konkrete të ngjarjeve. Lexo me vëmendje,

„Mos e leni betimin pa realizuar“, kështu që poezia arrinë formën e përpjekjeve të poetit - Betimin! Çfar don të thotë poeti Ollomani, kur shkruan : Mos e leni betimin pa realizuar !

E dinë ai se është dhënë ”betimi”? Pa tjetër se po. Shihet se poeti është i implikuar në mënyrë direkte apo inderekte me ngjarjet. Apo është një njohës i mirë i rrethanave krijuese, prandaj, ai potencon ”betimin”, si një fjalë me peshë të njejtë që e cekëm te fjala ”besë”. Betimi, është një premtim, që lidhet shumë ngushtë për kryerjen e një pune deri në mbarim. Për të mos e lënë punën pa kryer, duhet të betohet njeriu. Betimi, bëhet solemn dhe krejtë hapur për të kryer një detyrë, ose për të luftuar në përputhje me kërkesat Kombëtare.

* * *

Poeti Shefki Ollomani, aplikon një rregullativ të ndërtimit të poezisë, e cila kryesisht shtrihet mbi rrafshin Kombëtar, së paku kjo qëndron në këtë libër ”…. Për lirinë, për Shqipërinë”, duke dëshmuar një prirje poetike.

Poeti i përkushtohet edhe fatit jetësor personal, sikurse në poezinë e shkruar gjatë këthimit të tij në vendëlindje pas 13 vitesh në Tuhin, në vitin 1995, të cilën poezi e titullon :

”MBI TROJET TUA – ILIRIDË”!

O Zot i bekuar, jemi vetëm ne shqiptarët, që përjetojmë drama të tilla?! Kjo poezi, pa tjetër se krijon emocione rrënqethëse, edhe tek lexuesit që lexojnë me një vëmendje të përkushtuar, do të vërejnë se kjo poezi ka vlerën e kirijmtarisë, e ndërtuar mbi mallin e 13 viteve të mërguara, që u ndalua nga një pushtet barbarë, për vizitë vendit të vet, vendëlindjes. Poezia e poetit Ollomani, kryesisht prekë tri fjalë kryesore në të tri strofat e që fillon me: ”Ecë”, ”Ulem” dhe ”Endem”.

Pa tjetër se kjo poezi, është njëra ndër poezitë më prekëse, që lidhë kryesisht problematikën që është krijuar nga barbarët sllavo/maqedonas.

Po e marrim strofën e parë të poezisë :

MBI TROJET TUA – ILIRIDË!

(Në vendlindje, pas 13 vitesh)



Ecë mbi tokën tënde të bekuar,

Ecë mbi malet e gjelbëruar,

Ecë mbi lëndinat e tua të bukura,

Ecë mbi fushat me lule e flutura,

Ecë mbi trojet tua – Iliridë,

Dhe zemra e sytë më mbushen dritë,

Çka mund t’i shtohet tjetër kësaj strofe?! Asgjë. Përveç përshkrimit në vargje të kësaj tragjedie, kjo me aftësinë e krijimit të poetit Ollomani, poezia vetvetiu shëndrrohet në dramë të llahtarshme. Pas 13 viteve poeti me këmbët e tij, ecë nëpër tokën e vet të bekuar, ecë mbi truallin e vet etnik. Brenda përbrenda poezisë ”MBI TROJET TUA – ILIRIDË”, krijohet përshtypja e mundësisë së një paraqitje para syve, duke ecur poeti mbi tokën e bekuar të stërgjyshërve të tij, mbi malet e gjelbëruara, të bekuara, me lule e flutura, mbi truallin – ILIRIDË, dhe te zemra dhe sytë e poetit vjen drita! Këtu poeti arrinë aq lart, sa që kësaj poezie ja jep shpirtin, e ”shpirtëzon”, e ngjallë duke dëshmuar se është një poet i veçantë, me prirje poetike. Këtu në këtë poezi shohim se, poeti gjatë ndërtimit të poezisë ”MBI TROJET TUA – ILIRIDË”, arrinë që të shprehë në vetvete : ”Ecë mbi tokën tënde të bekuar”, ecje me bekimin e Zotit që e ka bekuar këtë tokë ILIRE, ”Ecë mbi malet e gjelbëruara”, ”Ecë mbi lëndinat e tua të bukura”, ”Ecë mbi fushat me lule e flutura”, ”Ecë mbi trojet tua – Iliridë”,”Dhe zemra e sytë më mbushen dritë”.

Vallë, pse poeti e cekë në vargun e fundit ”Dhe zemra e sytë më mbushen dritë”, çfar don të thotë me këtë poeti Ollomani? A thua se periudhën kohore 13 vjeçare, poeti e konsideron një terr pa dritë?! Pa tjetër se po. Duke i munguar vendëlindja, poetit i ka munguar edhe drita e syve, dritë e cila lëshon rrezet e energjisë atdhetare, që vijnë nga dielli i bekuar. Dritë që poeti e vlerëson si një rrezatim, si një shkëlqim që ia ka ndriçuar edhe syrin edhe zemrën me t’u kthyer në Atdhe.

Në strofën e dytë poeti vazhdon me të njejtin përjetim dhe ”shpirtëzim”poetik, duke ndryshuar në formulim dhe shprehje të tjera poetike. E lexojmë strofën e dytë të poezisë

”MBI TROJET TUA – ILIRIDË :

Ulem mbi livadhet tua të lulëzuara,

Ulem mbi gurët e kalave të lartësuara,

Ulem mbi bregoret në formë plisi,

Ulem pranë varreve të t’im fisi,

Ulem pranë votrës me oxhak,

Ulem pranë kullës me bajrak,

Ulem e përkulem para teje - Iliridë,

Dhe zemra e sytë më mbushen dritë.

Poeti Ollomani, nuk fshehë aspak mallëngjimin në këtë poezi, përkundrazi shprehë hapur brengën e mallit për vendin e lindjes, për livadhet, për gurët e kalave të lartësuara..., duke pasqyruar përmallshëm përjetimin e tij të këthimit në Atdhe pas 13 viteve, e që e pasqyron në vargje poetike duke futur elemente prekëse poetike.

Poeti për asnjë moment nuk arrinë të lirohet nga ballafaqimi i përjetimit në Atdhe, gllabërohet i tëri në ambientin e përjetimit dhe vuajtjeve të viteve që për asnjë moment nuk e ka harruar vendin. Ulem! Çka paraqet poeti ketu? Lexo me vëmendje, me përqëndrim:

”Ulem mbi livadhet tua të lulëzuara”, ”Ulem mbi gurët e kalave të lartësuara”, ”Ulem mbi bregoret në formë plisi”, ”Ulem pranë varreve të t’im fisi.

Në secilin varg, vërejmë se poeti gjenë shprehje që i dalin nga thellësia e shpirtit. Është për t’u çuditur se si ka mundur që aty për aty të rënditë vargjet, gjë që kjo nuk ka mundur të ndodhë. Por, është më se e vërtetë se ideja e thurrjeve të vargjeve, është aty për aty e krijuar, gjatë përjetimit të poetit në vëndëlindjen e tij. Prandaj janë shumë origjinale, poetike dhe me një vlerë të thellë artistike. ”Ulem mbi gurët e kalave të lartësuara, mbi bregoret në formë plisi, pranë varreve të t’im fisi”, të gjitha këto te krijuesi kanë çliruar tensione shpirtërore, dridhje shpirtërore, lot shpirtëror, sidomos kur poeti përkulet para ILIRIDËS, e pastaj është ulur mbi varret e fisit të tij.

Edhe strofa e tretë e poezisë është tejet domethënëse, me një fuqi poetike të rrallë. Këtë lloj poezie të një stili të veçantë të të krijuarit, nuk mund ta gjeshë tek secili poet. Për këtë po ja lëmë lexuesit që të lexojë vetë, këtë poezi dhe krijimtarinë e poetit të shquar Shefki Ollomani, në librin e tij, ”…. Për lirinë, për Shqipërinë”.

* * *

Në librin e poetit Shefki Ollomani ”…. Për lirinë, për Shqipërinë”, me poezi të zgjedhura, do të hasim shumë poezi, që kanë vlerë poetike e artistike. Pa fije dyshimi mund të themi se krijimtarija e poetit Ollomani, ka një disiplinë, ka plan me një strukturë të caktuar të krijimtarisë poetike.

Lexuesi do të hasë në shumë periudha, ngjarje që janë përfshi në poezinë e poetit Ollomani, që bëjnë përshtypje se janë të krijuara nga një poeti tejet meritor dhe krijues i vërtetë, me ndjenja poetike.

Poeti Ollomani, në shumë poezi precizon idenë dhe kuptimin, bënë radhitjen e tyre sistematike në kohë dhe ndodhi të ngjarjeve.

Po e marrim poezinë e poetit Ollomani - ”KËSHTJELLA E LIRISË”:

KËSHTJELLA E LIRISË

Kështjellë prej gurësh të Ilirisë,

Kështjellë prej gjakut të rinisë,

Kështjellë prej eshtrash të shqiptarëve,

Kështjellë prej kafkash të luftëtarëve,

Kështjellë prej betoni e qëndrese,

Kështjellë prej prej hekuri e bese.

Edhe kuptimi i kësaj poezie ka karakter Kombëtar. Kështjella, sipas poetit Ollomani, paraqitet si një dëshmitar okular i ngjarjeve historike. Duke e ditur se në kështjellat shqiptare, të ndërtuara me mure të larta prej guri, të trasha dhe të pajisura me bedena, vetëm për mbrojtjen e identitetit Kombëtar nga armiq shekullor, vend ky që kemi mundur të sigurohemi nga armiqtë barbarë sllavë. Në kështjellat tona ështe bërë luftë e tmerrshme, gjë që poeti jo rastësisht komunikon me ”Kështjellën” përmes vargjeve poetike, për kristalizimin e ndodhive. Prandaj, poeti e quan me të drejtë: ”Kështjellë prej gurësh të Ilirisë”, sepse vërtetë kështjallat tona janë të ndërtuara me gurë të truallit ILIR.

”Kështjellë prej gjakut të rinisë”, ”Kështjellë prej eshtrash të shqiptarëve”,”Kështjellë prej kafkash të luftëtarëve”, ”Kështjellë prej betoni e qëndrese”, ”Kështjellë prej prej hekuri e bese”, kanë një kuptim logjik, sepse kështjellat tona e kanë edhe gjakun e rinisë, eshtrat e shqiptarëve, kanë edhe kafkat e luftëtarëve e që poeti e rrumbullakson këtë strofë me vargun: Kështjellë prej betoni e qëndrese. Leximi i vëmendshëm, të thellon në parim dhe është shumë imponuese, përshkrimi poetik i tragjikës shekullore të Kombit. Poeti Ollomani, në varg, hjedh fjalët poetike me një cilësi dhe kuptim tejet vlerësues. Këtu gjenë për kështjellën fjalë qëndrese prej betoni, hekuri dhe bese, gjë që nënkupton se sikurse kështjellat që ishin të forta, edhe të parët tanë qëndruan stoik në istikamet e kështjellave. Ndaj, këtë Kështjellë ILIRE, mund ta kishim quajtur, ”KËSHTJELLË FISNIKRORE”.

Poeti Ollomani, me përsosshmëri gjenë metodën e të formuluarit poetik.

Në strofën e katërt të poezisë ”KËSHTJELLA E LIRISË”, poeti Ollomani, shkruan:

Kështjellë prej kullash të rrënuara,

Kështjellë prej fisesh të dëbuara,

Kështjellë prej librave të djegura,

Kështjellë prej lëkurave të rrjepura.

Ose në strofën e fundit:

Kështjellë me themele në tokën arbërore,

Kështjellë me majat a lartësive qiellore

Kështjellë me bedenat e shqiptarisë

Kështjellë e përjetshme, kështjella e lirisë.

Çfar dallimi aq i madh nga strofa në strofë që i bënë poezisë, poeti Shefki Ollomani. Te strofa e më epërme, poeti paraqet një zhgënjim, nuk mundet pa a përmendur realitetin, sado i hidhur që është, për derisa poeti e din mirë se Kështjellat tona prej kullash kanë qenë të rrënuara, lexo:

„Kështjellë prej kullash të rrënuara“, pastaj vazhdon vargu tjetër i poezisë, „Kështjellë prej fisesh të dëbuara“, gjë që është një realitet se, fiset ILIRE kanë qenë të dëbuara nga kështjellat e tyre, „Kështjellë prej librave të djegura“, „Kështjellë prej lëkurave të rrjepura“.

Pa tjetër se poeti në imagjinatën e tij poetike, dallon strofën prej strofe. Strofa e fundit me të parafundit dallojnë, në dy aspekte në :

1. Pesimizëm, zhgënjim, ankim, vajtim.
2. Optimizëm, krenari, lartësi, këndim.

Aftësia e poetit Ollomani, për të krijuar, shihet se ka një përvojë të hershme dhe din të identifikojë krijimtarinë, si në ngritje të poezisë, në rrafshin e poezisë dhe në rënien e poezisë. Përveç kësaj, ka një prirje të thukët në ilustrimin e poezive mbi bazën e realitetit të kohës.

* * *

Poezia e poetit Ollomani “…ILIRIDA IME”, përkon me një realitet të hidhur, që implikon relitetin dhe na bën të mendojmë se kjo poezi nuk ka të bëjë fare me imagjnatën, duke marrë parasysh formulimin e poezisë me shembuj konkretë dhe tejet realë. Poetin e mundon realiteti i krijuar në rrethana në të cilat gjendet vet ILIRIDA, motivohet me vështërsitë e krijuara të jetës së fëmiut, rinisë, cucës iliriane, vajzës...,etj.

Po marrim strofën e parë të poezisë “…ILIRIDA IME” dhe duke e lexuar me vëmendje, do t’i zbulojmë qëllimet e poetit Ollomani.

“…ILIRIDA IME”

Lindur në stuh!

Rritur n’Iliri!

Fëmijë pa fëmijëri!

Vajzë pa vajzëri!

Cucë pa rini!

Vashë pa nusëri!

Çikë me pikëllime!

Ilirida ime!

Poeti Ollomani, në këtë poezi, evokon jetën qysh nga fëmijëria e hershme e tij, dhe lirisht mund të themi se duke pasur pasrasysh prirjen e poetit që poezinë e vet ta lidhë me kontaktin e jetës rinore në përshtashmëri të plotë të jetës së ILIRIDËS, gjë që këtë ia arrinë me plot sukses, përmbush edhe një obligim ndaj Aëdheut të vet të lindjes. Teksti i hyrjes së kësaj poezie prekë ngadalë, shumë ngadalë lindjen, kur thotë: ”Lindur në stuhi”, që don të thotë se stuhitë e asaj kohe kanë qenë luftëra fizike, psiqike..., të ILIRIDËS, për t’u rezistuar regjimeve të huaja, që e kanë pllakosur trullin e ILIRIDËS, e pastaj del tek: ”Rritur n’Iliri”, ”Fëmijë pa fëmijëri”. Shikoni sa bukur e bën lidhshmërinë e vargjeve poeti, shihet se thuarja e vargjeve është bërë me një kujdes tejet të përpiktë dhe të njejten kohë bën përshtashmërinë e tyre. Lindja, rrita, fëmijëria, dhe vazhdon kur thotë: ”Vajzë pa vajzëri”, ”Cucë pa rini”, ”Vashë pa nusëri”, ”Çikë me pikëllime”, Ilirida ime!

Pse poeti Ollomani, përkushtohet në gjininë femërore në kuptimin e poezisë. A mos don të jetë më i hapur për lexuesin apo ka tendencë. Jo, poeti në këtë poezi i kushtohet tërësisht ILIRIDËS, dhe nuk ka tendenca në raport me lexuesin, duke futur filozofi poetike, me ide të imagjinuara. Por kuptohet se secili varg i poezisë “…ILIRIDA IME”, ka një kuptim tejet domethënës, dhe brenda përbrenda vargut mund të themi se ka filozofi të të shprehurit poetik, që poeti Shefki Ollomani tregon aftësi prej vizionari. Vargjet e kësaj poezie, kanë porosinë e vet, duke vu në spikamë gjendjen e së kaluarës, së tashmes, e po ashtu poeti prekë edhe mundësit e së ardhmes, të cilat nuk i përjashton në asnjë varg të tij.

Marrim strofën e fundti të kësaj poezie “…ILIRIDA IME”, ku poeti Ollomani shkruan:

Vend i bekuar!

Tokë e paçliruar!

Liri e pafituar!

Shqipëri e pabashkuar!

Nëpër shekuj, mijëvjeçarë...!

Herë plagosur, herë zemërvrarë!

Herë për tokë, herë në marshime...!

Ilirida ime!

Marr në përgjithësi, poezitë e poetit Shefki Ollomani, trajtojnë faktin e çështjes Kombëtare me një shtrirje poetike, në hapësirën ekzistenciale të popullit Shqiptar, me formulime moderne që shprehin e pasqyrojnë rrethanat universale shqiptare.

Vetëm poezitë të cilat janë tejet kuptimore, e që arrijnë të paraqesin kuptimësinë e mirëfilltë në krijimtari, sikurse që janë poezitë në librin ”…. Për lirinë, për Shqipërinë” të poetit Shefki Ollomani, rrënojnë çdo gjë që është antivlerë, dhe ndërtojnë çdo gjë që është vlerë.

E tërë poezia dhe krijimtaria e poetit Shefki Ollomani, priret përkah qartësia e kuptimit të poezisë, fut në përdorim logjikën e të kuptuarit, duke i qartësuar fenomenet dhe qëllimet, për :

ÇLIRIMIN E TOKAVE ARBËRORE



Nga Flori Bruqi PORTRETI I NËNËS

PORTRETI I NËNËS




[foto+flori.jpg]

Nga  Flori Bruqi

PORTRETI I NËNËS


“Nënë për ta shpëtuar jetën Ty,dhashë lëkurën e do ta jepja edhe shpirtin”(Prof.dr.sci.Mirlin  Bruqi)



Nga qytetet e fshatrat e largëta vijnë
Banorë(të përkohshëm)në Prishtinë
Pleq
Plaka
Të reja
Të rinj
Me shporta të vogla në duar
Vijnë çdo të diel
Vijnë(ndoshta)çdo ditë
Te dera  e Spitalit
Në orën 14


Gumëzhijnë korridoret
Nga hapat e tyre
Zhurmojnë pavijonet
Korridoreve…
Zvarritët rrëqanthi vdekja
Në dhoma hyn shqetësimi
Secili me de(r)t
Për të afërmin e vet
Kështu çdo të diel
Kështu çdo  ditë
Në orën 14
Burbuqja kurajon Nënën
Mirlindi jep lëkurën e vet
Për ri(ngjalljen)e Saj
Të afërmit shërim i dëshirojnë
Të tjerët shpresojnë…

Ja dhoma…
Ora mbi radio
Trëndafilat e freskët
Mbi tavolinë
Tok(gati) e gjithë familja
Babai qëndron e mejton
Ndoshta…
Kujton profiling e dhëndrrit
Ja rrudhat e nënës sime
(Kujtoj zënkën e prindërve për mua)
Tik-taku i orës
Dikur pushon
Në orën 4 të mëngjesit
Një qetësi…


Unë
Kam parasysh
Profilin e fëmijëve të mi
Shoh në sy
Profilin e Granitit e Diamantit
Mullarët e sanës
Në oborrin e braktisur
Ja(gati) e gjithë familja
Mungon(vetëm fizikisht)Ajo
Mungon Nëna  ime


Në dhoma hyn:
Ajri
Drita
Dashuria
Jeta
Shokët
Shoqet
Babai
Të dashurit….


****
                                                                
Dhe një hije
Më ndjek pas
Shëndijë kohe
Profil i Nënës
Zjarr i Diellit!

Hartat e Shqipërisë Etnike ua mësojë tinëzisht

Familja Bruqi
Familja Bruqi

(Babait tim Prof.Maxhun Bruqit, me rastin e 84 vjetorit të lindjës)
Gjithë jetën, me laps në dorë edukojë breznitë e kohës,
Fëmijëve jua mësojë gjeografinë e atdheut…
...
Hartat e Shqipërisë Etnike ua mësojë tinëzisht
Ndër breze -duke qërruar sytë e yjeve polar
në retinën e tij delikate
Me shkumës nxënësve ua shpjegonte të padukshmen e dritës,
Në mundimit e madh në kohë të pa kohë,

Foli për shpirtin e dlirë të fëmijëve, për Ariun e vogël,
kishte emision dijen më fytyrë të qeshur
E sytë e tij kurrë nuk ishin të përulur në kohë
Kishte dhimbjen e vet për Atdheun e ndarë pike e pesë …
E shijojë Rilindjen e Kombit
Kërkoj nëpër hapësira qiejsh e resh, Alpet e lira shqiptare
Të veshura me kostum një shekullor
E gjeti shkaben dy krenshe në themelin e shpisë të bërë blozë
Dhe e bëri të pavdekshëm rininë e vet…
i rijësuar në mote....

Prishtinë, 25 dhjetor 2012

http://www.kosovarimedia.com/index.php/poezi-te-vizitoreve/14783-me-zemer-e-shpirt-per-atdheun-profmaxhun-bruqi-flori-bruqi.html

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...