2013-07-21

Anita Kadriu-“Bashkëjetojnë” me zvarranikë në shtëpinë gërmadhë


Foto: Zëri / Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Kopjimi pa marrëveshje paraprake me redaksinë e Gazetës, ndëshkohet me Ligjin në fuqi mbi të Drejtat e Autorit.
Shtëpi duke u shembur, që sapo t’ua hedhësh shikimin të krijojnë përshtypjen se janë të braktisura me vite, fatkeqësisht ende janë të banuara.
Në këto shtëpi gërmadha banojnë banorët e brezit kufitar. Koha e gurit ende është periudha në të cilën jetojnë banorët e fshatit Karaçevë, vendbanim nën juridiksionin e komunës së Kamenicës.
Aty gjen shtëpi të ndërtuara mbi shtatë dekada më parë, me mure të çara që janë bërë “dyer” për zvarranikët që hyjnë e bashkëjetojnë me njerëzit brenda në dhoma, ku nuk sheh as dysheme prej dërrase, por një sipërfaqe dheu me ca tepihë të vjetruar, kulme që po shemben, ushqim i pamjaftueshëm...
Kjo është pasqyra e një jetë çnjerëzore që disa familje kosovare po bëjnë, të braktisur nga qeveria. Megjithëkëtë, ata e japin votën ndonëse anëtarë të partive politike kur dalin në fshat në kohë fushate nuk shkojnë të kërkojnë vota tek këto familje, e arsyet pse ndodh kjo janë: shtëpitë e tyre gjenden shumë afër me pikat kufitare dhe xhandarët, varfëria të zë frymën nuk ke ku të shkelësh as ku të ulesh të bësh një bisedë me këta banorë nga ajo ose ai anëtar partie që t’i bindë t’ia votojnë partinë.

Emri Republikë e Kosovës, që thonë se e ëndërruan prej se lindën, i shtynë këta banorë të votojnë, pavarësisht se asnjë parti e ardhur në pushtet që nga paslufta nuk iu doli në ndihmë. Të gjitha qeveritë e Kosovës, ia “dorëzuan” këto familje skamjes.
Jeta në shtëpi gërmadha, me ushqim të pamjaftueshëm
Të jetosh në fshatrat e brezit kufitar larg zhurmës e pluhurit të kryeqendrës së Kosovës, Prishtinës, dhe të shijosh bukuritë e paprekura të natyrës, je me fat nëse këtë e bën si turist gjatë një pushimi.
Por, të vazhdosh jetën pa mbështetje nga institucionet e shtetit në thellësitë e bjeshkëve të Kosovës, ku dhe rrugët po nuk pati kalimtarë shumë për një kohë mbyllen nga shkurret (janë të paasfaltuara), je i braktisur. Kështu ndihen Raif Surdulli dhe Nazmie Baftiari, dy të moshuarit karaçevas që nuk i ka braktisur vetëm mosha, por dhe shteti. Edhe vizitorët për ta janë të rrallë.

Raifi, madje heziton të flasë, nuk do të trazojë botën e tij të ndërtuar prej vitesh, në shtëpinë që çdo ditë i bëhet nga një e çarë në mure. Varfëria dhe vetmia janë bërë bashkë në jetën e këtij çifti. Pa shpresë se do të ndihmohen ndonjëherë nga institucionet me të holla apo t’i ndërtohet një shtëpi, tek ky çift mbizotëron mendimi se kështu do të vazhdojnë të jetojnë aq sa e ka shkruar Zoti. Të ardhurat e tyre së bashku në emër të pensioneve sillen jo më shumë së 80 euro.
Nazmia, që ka mbushur 70 vjet nuk e ka të lehtë të kujdeset për Raifin 91-vjeçar në shtëpinë që kurrë nuk pati krevat apo orendi tjera, por vetëm sfungjer, të cilët për të mos u lagur nga dyshemeja që përbehet vetëm nga dheu, janë mbuluar me copa të panumërta tepihu.
“Kjo shtëpi ka mbi shtatëdhjetë vjet që është ndërtuar. Është vjetruar shumë. Muret po çahen dhe tavani i shtëpisë është çarë, kudo na hyn të ftohtit, dhe shiu”, tregon plaka Nazmie, madje duke u turpëruar dhe duke tentuar të mos hyjmë zbathur se gjendja në të cilën ndodhet shtëpia, sipas saj, është e papranueshme për këmbën e njeriut. Ajo thotë se kanë shumë frikë mos rrëzohet shtëpia dhe i zë brenda.

“Nuk pritet ditë më e mirë në shtëpinë tonë, vetëm të shembet dhe të na zërë, tjetër s’ka, çdo mur i saj është çarë, edhe tavani (trani) i shtëpisë po lëshohet”, thotë ajo derisa na bën me dije se kurrë askush nuk ka ardhur t’i vizitojë nga institucionet.
“Bashkëjetesa” e detyruar me gjarpërinj
Me fuqinë që ia lejon mosha, Nazmia arrin ta rinovojë shtëpinë, këtë e bën me letër kartoni, duke mbyllur xhamat e thyer vende-vende për të mos lejuar të ftohtit të hyjë brenda, apo gjallesat tjera të depërtojnë në shtëpinë që ka vetëm dy dhoma të vogla dhe një korridor ku gjendet një stufë e druve, në të cilën ajo pjek ushqimin që e sigurojnë nga pensionet, e që nuk iu mjafton për gjithë muajin. Renovim tjetër s’mund të bëjë plaka Nazmije.
“Pensionet që marrim, nuk di t’iu them apo jo pensione se janë pak, shumë pak pare, nuk na dalin as për barna lëre më për ushqim... çdo ditë po na vjen më vështirë e më vështirë jeta”, thotë ajo duke kërkuar që qeveria t’iu dalë në ndihmë për t’ua ndërtuar shtëpitë që po rrëzohen.
Shtëpitë në Karaçevë duket sikur bëjnë gara se cila do të shembet më parë. Pak metra më larg nga shtëpia e Nazmies, ndodhet dhe shtëpia tjetër në të cilën jeton Minire Surdulli me bashkëshortin dhe axhën e saj të moshuar. Shtëpia e saj nga jashtë duket sikur është e vijëzuar me qëllim.
Por, nga afërsia e sheh se ato janë të çara të mureve, aq të thella sa edhe tullat kanë filluar të shkëputen e bien në tokë. Shqetësimi i krijuar te kjo familje se do të varrosen të gjallë brenda shtëpisë nga frika e rrëzimit të saj (shtëpisë), është ngurtësuar brenda qenies së tyre. Ata nuk kanë të holla të ndërtojnë shtëpi tjetër apo të shpërngulen siç kanë bërë shumë banorë të tjerë. Jetojnë me ankthin e rrëzimit të shtëpisë ditë e natë.
“Ne nuk kemi mundësi materiale të ndërtojmë shtëpinë, jetojmë nga një social. Edhe bagëtinë që kishim e kemi shitur, t’i kullosnim kishim frikë mos ndeshim ndonjë xhandar serb në mal se këtu kemi kufirin shumë afër, kështu që e hoqëm. Bagëtia ikin, kush guxon të shkojë dhe t‘i marrë me xhandarët afër”, tregon ajo se si është shuar burimi i vetëm i ekzistencës së kësaj familje.

Minirja thotë se në shtëpi gjen herë pas here dhe gjarpërinj, të çarat e shtëpisë sipas saj ia mundësojnë cilësdo gjallesë që i teket të hyjë në shtëpinë, ku kjo familje është e detyruar të jetojë në pamundësi ekonomike për të bërë zgjidhje tjetër.
90 për qind e fshatarëve nuk punojnë
Gjendja e rëndë sociale-ekonomike për banorët e Karaçevës si pasojë e zhdukjes së bagëtisë konfirmohet dhe nga përfaqësuesi i Bashkësisë Lokale në Karaçevë, Selver Lenjani. Ai thekson se jo pak familje në këtë fshat jetojnë në varfëri të skajshme. Varfëria, sipas tij, rrezikon sidomos tri familje, dy Surdulli dhe një familje tjetër ku jeton vetëm një nënë me një vajzë po ashtu në kushte të rënda ekonomike dhe të banimit.
Ai thotë se mbi 90 për qind e fshatit janë të papunë. Lenjani thotë se Karaçeva është fshati që më së shumti ka banorë me social. Por, sipas tij ky social nuk mjafton që të ngopen bukë. Gjendja ekonomike, ai thotë se është vështirësuar tejmase me zhdukjen e bagëtisë, nga e cila mbaheshin ekonomikisht shumë banorë.
Bagëtia, sipas tij, ka nisur të zhduket nga rrezikshmëria që të kullotet dhe të punohet toka për t’i siguruar ushqim.
“Kanë hequr bagëtinë nga frika se duke kullotur ndeshën me xhandarët në tokën e tyre. Nuk guxon t’u afrohesh pikave të xhandarmërisë më pak se 1000 metër”, thekson ai.
Lenjani, në emër të banorëve të fshatit kërkon që të hiqen gjashtë pikat ku është stacionuar xhandarmëria serbe: Ugari, Stanimalushit, Guri bardhë, Rrezja, Gjuka, Varrezat e Spahoviqe, në mënyrë që të mbahet bagëtia.
“Është niveli ma i madh i papunësisë, në skaj të varfërisë. Prandaj ftoj donatorë dhe qeverinë që këtyre tri familjeve që jetojnë në kushte të rënda t’iu ndërtohen shtëpi dhe të mos rrezikohen nga uria, t’iu ndihmohet. Komuna dhe Kryqi i Kuq iu ndihmon, por është e pamundur të plotësohen nevojat mujore dhe vjetore të tyre vetëm me këto ndihma”.

Lenjani thotë për gazetën se banorët e Karaçevës nuk morën subvencione në bujqësi për t’u përkrahur që të qëndrojnë në fshat.
“Për bujqësi kurrë në Karaçevë s’ka pas ndihmë, edhe pse i takon më së tepërmi brezit kufitar, por për këtë Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Bujqësisë nuk janë interesuar që të ndihmohen zonat rurale e sidomos të brezit kufitar, që janë me zero ndihma”. Ai bën thirrje që në zonat rurale -në vijat kufitare pa hezitim të investohet për të qenë banorët aty dhe të shmanget zbrazja.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...