Propagandë, urrejtje, fanatizëm dhe njohuri të falsifikuara jepen në shkollat shqipe, në vend që të mësohet historia e vërtetë", - kështu thuhet ndër të tjera në një shkrim të botuar në dhjetëra agjenci elektronike lajmesh dhe website në Greqi. Siç raporton gazetarja e "News24" nga Athina, Anila Jole, në këtë shkrim analizohen pjesë nga teksti i "Gjeografisë 4" të shkollave tona të mesme, ku faktet e historisë së Shqipërisë të shkruara në të vlerësohen të falsifikuara dhe propagandistike.
Në shkrim thuhet se në vend të fakteve të vërteta në shkollat shqiptare, të rinjtë mësojnë historinë e "Shqipërisë së Madhe" dhe ndër të tjera se "Greqia e Veriut, nga Follorina në Prevezë është territor shqiptar, ku "grekët bënë spastrimin etnik mbi çamët". I pyetur nga Gazeta në lidhje me këto pretendime ka reaguar drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta. Ai i quan shqetësimet greke të pabaza, të turpshme dhe të rrezikshme.
Pretendimet greke
Siç raporton Anila Jole nga Athina, në analizë shprehet shqetësimi se Gjeografia iu mëson nxënësve që në "trevat shqiptare jashtë Shqipërisë përfshihen tokat e shtetit të Kosovës, pjesë të Malit të Zi dhe Serbisë, gjysma e Shkupit dhe veriperëndimi i Greqisë, ku hyjnë prefekturat e Follorinës, Kosturit, Grevenasë, Janinës, Artës, Prevezës, Thesprotisë etj".
Shkrimi nënvizon se në kapitullin ku flitet për "zonat shqiptare në Greqi" thuhet se "ato i janë aneksuar Shqipërisë padrejtësisht në vitin 1913". Autorët e shkrimit janë të shqetësuar edhe nga fakti që, sipas tyre, "harta e Shqipërisë së Madhe që shtrihet deri në zonat shqiptare në vendet fqinje, vizatohet jo vetëm në librat ku mësojnë studentët, por edhe në fletoret e ushtrimeve, ku atyre iu kërkohet të pikturojnë rajonet e Greqisë, në të cilat jetojnë shqiptarët dhe të japin shembuj të dëbimeve të shqiptarëve nga autoritetet greke etj". Në shkrim thuhet se "brezi i ri shqiptar, mëson në shkollë se ka të njëjtën ADN me mbretin Pirro të Epirit dhe me nënën e Aleksandrit të Madh".
Autorët e shkrimit theksojnë si të papranueshëm faktin që të gjitha këto janë shtypur në tekstet shkollore, pasi janë miratuar nga Ministria shqiptare e Arsimit. Një qëndrim i tillë gjithsesi jozyrtar, risillet në vëmendje pikërisht tani, ndoshta për koincidencë, në një kohë me diskutimin që bëhet në Shqipëri për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike, sikurse mund të jetë edhe një përpjekje për tërheqjen e vëmendjes së opinionit publik grek nga çështja kryesore, që është kriza e thellë ekonomike që ka përfshirë Greqinë.
Reagimi i Beqir Metës
Pas këtyre deklaratave, Gazeta i është drejtuar drejtorit të Institutit të Historisë për një reagim. Beqir Meta, pasi u mësua me pretendimet, tha se "sa i takon trojeve të Shqipërisë së Jugut që historiografia greke vijon t'i quajë 'Vorio Epir', nuk ka asnjë dyshim që ky territor ka qenë i banuar nga popullsi shqiptare, me besim mysliman dhe ortodoks. Grekët duhet të kenë parasysh se jo të gjithë ortodoksët janë grekë. Ky pretendim vjen nga ideja e Greqisë së Madhe ose megaloidea", - tha Meta. Sipas tij, është fatkeqësi që edhe pas kaq vitesh kur Europa shkon pas integrimit, e ku Greqia është vend i BE-së me institucione demokratike, ne kemi një rrymë të fuqishme të nacionalizmit grek që kërkon t'u imponohet shteteve të tjera me pretendime territoriale. "Janë vende ku në kohën e Perandorisë Osmane kisha greke ka pasur një farë ndikimi", - thotë Meta. Sa i takon shqetësimit grek se të rinjtë shqiptarë mësojnë hartën e Shqipërisë së madhe, Meta tha se "të rinjtë shqiptarë nuk mësojnë hartën e Shqipërisë së madhe, por historinë e kombit dhe popullit shqiptar. Kjo është një gjë krejtësisht normale. Kombi shqiptar është i shtrirë në territore krejtësisht të përcaktuara. Historia e tij është një histori organike, pavarësisht vitit 1913 kur u nda e copëtua dhe pas tij. Kombi shqiptar ka një histori të përbashkët se pavarësisht se ku kanë qenë ata, kanë pasur lidhjet e veta historike, sociale e kulturore". Meta deklaroi dje se e drejta për të mësuar historinë e popullit shqiptar është një e drejtë natyrore e legjitime.
Historiani tha se kjo gjë shkakton shqetësime vetëm tek ata që kanë aspirata dhe që duan të ecin sipas idesë së vjetër. "Është absurde që grekët të shqetësohen përse shqiptarët kanë kontakte e njohuri në histori. Kjo është e rrezikshme dhe e turpshme", - deklaroi ai. Meta shtoi se shumë njerëz ngatërrojnë konceptin 'Shqipëri etnike' dhe 'Shqipëri e madhe'. Sipas tij, sot asnjë shqiptar nuk pretendon të ketë Shqipërinë etnike, por ata kanë të drejtë të dinë historinë e popullit të vet.
Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...