2013-07-24

Bashkëpunimi kulturor Kosovë-Shqipëri, më shumë fjalë se vepra



Bashkëpunimet kulturore Kosovë–Shqipëri lënë shumë për të dëshiruar dhe nuk janë ato të cilat i duan shqiptarët. Madje, edhe atëherë kur kanë ndodhur këto bashkëpunime kanë qenë shumë inferiore. Edhe pse janë shënuar disa afrime, ato kanë qenë të vogla në nivel të grupeve, e të cilat nuk i kalojnë përmasat e bashkëpunimit ndërshtetëror. Kështu, kanë thënë për “Kosova Sot”, njerëzit e kulturës. Sipas tyre, në fushën e kulturës institucionet e Republikës së Shqipërisë me ato të Republikës së Kosovës nuk kanë qenë në nivelin e dëshiruar.

Institucionet pasive

Prof.dr. Agim Vinca, studiues, publicist e shkrimtar në një prononcim për ‘Kosova Sot”, ka thënë se sa i përket bashkëpunimit kulturor të Kosovës me Shqipërinë, lë shumë për të dëshiruar dhe, sipas tij, ky bashkëpunim nuk është ngritur në nivelin institucional të viteve ‘70-ta, të shekullit të kaluar. “Absurd, por fatkeqësisht e vërtetë! Institucionet shtetërore, nga të dyja anët, nuk e kanë kryer si duhet misionin e vet në këtë plan”, ka thënë prof. Vinca. Sipas tij, duhet të shpresojmë se ndryshimet politike në Shqipëri do ta intensifikojnë këtë bashkëpunim dhe do ta bëjnë më përmbajtjesor e më funksional. Ndërsa, në një prononcim për “Kosova Sot”, publicisti Frrok Kristaj, pjesëtar i Shoqatës së krijuesve të kryeqytetit dhe themeluesi i Shoqërisë Kulturore të Kosovës, “Anton Pashku”, ka thënë se në fushën e kulturës institucionet e Republikës së Shqipërisë me ato të Republikës së Kosovës nuk kanë qenë në nivelin e dëshiruar. “E them këtë pasi institucionet kulturore të Shqipërisë nuk janë të gatshme që të bashkëpunojnë me ato të Kosovës”, ka thënë Kristaj, ndërsa këtë pohim të tij e ka ilustruar me faktin se në Kosovë me të madhe shiten librat e krijuesve të Shqipërisë, kurse librat e krijuesve të Kosovës pothuajse fare nuk kanë lexues në Shqipëri. Sipas tij, në Kosovë hapen ekspozita të krijuesve figurativë të Shqipërisë, kurse andej diçka e tillë mund të ngjajë vetëm me ndonjë ekspozitë kolektive. Po sipas tij, kështu ngjan edhe me shfaqjen e ndonjë filmi, të ndonjë koncerti apo të ndonjë manifestimi letrar në Shqipëri, ku gati-gati se fare nuk ftohen shkrimtarët nga Kosova. Ndërkaq, ka vazhduar Kristaj, në Kosovë vazhdimisht ftohen shkrimtarët e Shqipërisë nëpër manifestimet letrare që mbahen në Kosovë, vazhdimisht këndej shpërblehen krijuesit nga Shqipëria e u botohen veprat këndej. “Dua ta them edhe një ilustrim shumë eklatant që ngjan në Shqipëri: Në planprogramet mësimore të letërsisë ka zënë që të mësohet edhe për Anton Pashkun, kurse nxënësit, përkatësisht studentët e Shqipërisë nuk kanë mundësi që ta njohin krijimtarinë e Anton Pashkut, sepse vetëm një vepër (lexo romani OH) e Anton Pashkut është botuar në Shqipëri, bile edhe ajo është botuar tash vonë”, ka thënë ai. Hezitime për bashkëpunim, sipas Kristajt, ka edhe në aspektin institucional. Përderisa, ka thënë ai, Instituti i Albanologjisë në Prishtinë pothuajse nuk e organizon asnjë ekspeditë për vjeljen e folklorit apo e riteve të tjera popullore pa studiuesit nga Shqipëria, kurse, sipas Kristajt Instituti i Kulturës Popullore të Shqipërisë asnjëherë nuk ka marrë studiues nga Kosova në ekspeditat e tyre nëpër Shqipëri. “Nga kjo del se në Shqipëri në mënyrë përbuzëse shikohen krijuesit e fushës së kulturës së Kosovës, e harrohet fakti se në Kosovë ka shumë më shumë manifestime letrare, festivale të filmit, festivale të ansambleve kulturo-artistike, më shumë ekspedita studiuese të fushave të tjera të kulturës, e kështu me radhë. Merrni me mend se sa e sa”, ka thënë Kristaj.

Bashkëpunimi në nivel grupesh

Shkrimtari dhe kryetari i Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës, Ardian Haxhaj, thotë se gjendja e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri është e mangët. Ai thotë se bashkëpunimi kulturor Kosovë-Shqipëri është krejtësisht inferior, sepse edhe ministritë simotra të kulturës nuk kanë ndonjë program të qartë të bashkëpunimit reciprok. “Mund të ketë bashkëpunime të vogla në nivel të grupeve, por nuk i tejkalojnë përmasat e bashkëpunimit ndërshtetëror”, ka thënë ai, duke potencuar se është krijuar një vetëdije se është disi e pavlefshme edhe të merresh me çështjen e bashkëpunimit ndërkulturor. “Prandaj, edhe lajmet për ndonjë aktivitet kulturor të përbashkët janë shumë të rralla dhe krejtësisht periferike”, ka thënë Haxhaj.

Joserioziteti institucional i të dy palëve

Krijuesi Ramadan Ibrahimi ka thënë se bashkëpunimi kulturor Kosovë-Shqipëri akoma lë për të dëshiruar dhe kjo, për faktin e joseriozitetit institucional dypalësh. “Fundja, kultura shqiptare, nëse jo dhe tërësia territoriale e Kosovës, tashmë do të duhej të ishte tërësisht e integruar. Është për t’u çuditur fakti që akoma kaq vjet pas luftës nuk është zhvilluar ndonjë projekt madhor në rrafshin e kulturës mes Shqipërisë dhe Kosovës”, ka thënë Ibrahimi për “Kosova Sot”. Sipas tij, ka disa aktivitete të ngjyrosura kuqezi, por jo projekte serioze në dobi të kulturës se gjithmbarshme kombëtare. Ai ka thënë se ministritë respektive të kulturës, por dhe qeveritë tona janë të gatshme të bëjnë madje, marrëveshje jodinjitoze me Turqinë në dëm të kulturës dhe historisë shqiptare, por kur vjen fjala te bashkëpunimi ndërmjet vetes promovojnë më shumë fjalë sesa projekte dinjitoze. “Duket që politika shqiptare andej dhe këtej bashkëpunimin kulturor ia kanë lënë stihisë dhe vullneteve të lira të individëve jashtë ombrellës zyrtare”, ka thënë Ibrahimi.

 Isa Vatovci

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...