2013-07-28

Prokurori i Tribunalit të Hagës Serge Brammertz: Vendimet e Hagës tronditën Ballkanin



Foto: Reuters
Tribunali Ndërkombëtar për Krime Luftë në ish-Jugosllavi pritet që të përfundojë punë pas pak vjetësh, mirëpo vendimet kur të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm, kanë nxitur disa, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor të vënë në pikëpyetje punën e Gjykatës së Hagës, tha prokurori i këtij Tribunali, Serge Brammertz.
“Fakt është se tribunali apo zyra jonë ka padi kundër 161 personave. Shumica e këtyre proceseve janë përfunduar dhe unë besoj se një numër i madh i vendimeve tashmë janë marrë. Tani, askush nuk mund ta mohojë se vendimet e fundit e kanë lëkundur, nëse mund të them kështu, tribunalin”, ka thënë Brammertz, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Ai ka thënë se “si pjesë e këtyre proceseve, ne duhet të pranojmë vendimet që merren prej gjykatësve, por ne e kemi bërë shumë të qartë se ne nuk mendojmë që ato kanë qenë vendime të duhura dhe se nuk mendojmë se ato vendime e reflektojnë realitetin e dëshmive, por, siç e thashë, ne jemi pjesëmarrës në ato procese. Se cili do të jetë ndikimi afatgjatë i trashëgimisë së tribunalit, kjo mbetet të shihet, por zyra ime është kryesisht e përqendruar në një numër të proceseve të apeleve ku e njëjta pyetje e drejtimeve specifike që ka çuar deri te lirimi në rastin e Perishiqit, diskutohet prapë”.
“Pra, ne e kemi përqendruar energjinë tonë në përpjekjet për të ndryshuar jurisprudencën e ankesave dhe, natyrisht, se ne kemi tri procese shumë të rëndësishme që janë duke u mbajtur, atë të Karaxhiqit, procesin e Ratko Mlladiqit dhe ish-liderin e serbëve të Kroacisë në kohën e luftës, Goran Haxhiq. Ne, natyrisht se do të sigurohemi që këto procese të vazhdojnë dhe se jemi të sigurt se ato do ta kenë rezultatin e duhur”, ka thënë ai.
I pyetur se çfarë mund të thotë rreth letrës së dalë në media të gjykatësit, Frederik Harhoff, ku ai e akuzon Gjykatën për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Brammertz tha se zyra e tij ka reaguar publikisht ndaj kësaj letre, në njërën anë duke thënë se ne nuk duan t’i hyjnë një debati në lidhje me ato dyshime specifike, por në të njëjtën kohë ka thënë se ne gjithashtu nuk jemi shumë të kënaqur me disa vendime, porse natyrisht se u përmbahemi të gjitha metodave ligjore që i kemi në posedim për të sfiduar ato vendime.
“Unë gjithashtu në një mënyrë kam bërë komente që, siç e dini, tërësisht ndaras nga letra e Harhoffit, ka pasur shumë kritika në media, ka pasur me dhjetëra e dhjetëra shkrime kritike në lidhje me ato vendime dhe s’e besoj që si Tribunal ne nuk duhet të injorojmë ato kritika dhe duhet t’i lejojmë ato”, tha ai.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...