2013-07-29

Stema shqiptare e familjes fsinike të Engjëllorëve



NGA dr. MUSA AHMETI

Diploma që Papa Piu V në vitin 1457 i lëshon familjes së Engjëllorëve është e shkruar në permgamen dhe është e spërkatur me flori. Në të tre anët pa pjesën e poshtme ku është përthyerja dhe ka qenë vula, e papës Pius V, e cila për fat të keq ka humbur, dokumenti ka një bordurë të zbukuruar me gjerësi që varion anash 5.6cm dhe lart 6.3cm

Gjatë mesjetës, sundimtarët dhe princat shqiptarë kishin zyrat e tyre të kancelarive në nivele të ndryshme si noterë, sekretarë apo përkthyes, të cilat ishin mjaft të zhvilluara dhe mund të renditen në radhën e kancelarive të ngjashme më të njohura, në Europë, gjë që tregonte për nivelin e lartë të zhvillimit dhe kujdesit që tregonin sunduesit shqiptarë në komunikim me sundimtarët e tjerë. Nga këto zyra dolën akte, diploma, mandate dhe dokumente nga më të ndryshmet, në disa gjuhë që në atë kohë ishin në përdorim zyrtar. Deri sot, ne kemi njohuri për ekzistimin e një numri të vogël të këtyre dokumentave në origjinal. Pjesa dërmuese e tyre siç duket janë zhdukur përgjithmonë; pjesa tjetër pret hulumtuesit që ato t’i nxierrin në dritë dhe t’i botojnë, derisa vetëm disa i kemi në duar të zbuluara rishtazi. Një numër i caktuar janë të botuara në vëllime dhe korpuse të ndryshme të dokumentave, që asnjëherë nuk janë përmbledhur në një botim të veçantë. Karakteristikë e përgjithme e këtyre akteve të botuara është se ato nuk ndryshojnë nga ato të sundimtarëve të tjerë, fqinjë apo europianë.
Zakonisht në këto kancelari janë përdorur gjuhët kulturore të kohës si: latine, greke, sllave, italiane osmane dhe ndonjë tjetër. Ende nuk kemi asnjë dokument që është shkruar apo përkthyer në gjuhën shqipe nga aktet noteriale.
Hulumtimet nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme, kanë mundësuar zbulime të reja të këtyre akteve, për të cilat më parë është menduar se janë zhdukur apo nuk kanë ekzistuar fare. Për fat të keq, edhe sot, ka studiues e shkencëtarë shqiptarë, të cilët janë mbështetës të idesë se: “çdo gjë që ishte me vlerë dhe e rëndësishme nga arkivat e bibliotekat e njohura, të rendësishme, është botuar.” Këta studiues e historianë shfrytëzojnë burimet e botuara nga autorë të huaj, të cilët, vërtet kanë botuar dokumente, por asesi në atë shkallë, sa të shterronin fondet dhe trezorët e arkivave e bibliotekave, në të cilët edhe sot e kësaj dite, ruhen thesare të paçmuara për kulturën, traditën dhe historinë tonë kombëtare. Këto mendime janë shumë të dëmshme, sidomos për studiuesit dhe hulumtuesit e rinj, tek të cilët mund të ketë ndikime negative dhe dëshpruese. Dëshmit për një qëndrim të tillë të gabuar dhe tendencioz, janë të shumta.
Familjet fisnike shqiptare në mesjetë, sikurse edhe familjet e tjera europiane kishin tituj të lartë fisnikërie, të cilët herë pas herë i rikonfirmonin me diploma përkatëse të lëshuara nga autoritetet më të larta të kohës, siç ishte papati, përkatësisht Selia e Shenjtë.
Heraldika si shkencë që merret me studimin dhe prejardhjen e simboleve dhe elementeve të ndryshme, origjina e të cilave është e shumëllojshme, në Shqipëri përfaqësohet në fillimim të shekullit XIII, për të vazhduar deri në ditët e sotme, si pjesë përbërse e heraldikës europiane me të gjitha zhvillimet, ndryshimet dhe të arriturat e saj.
Stemat më të hershme i gjejmë duke filluar që nga Principata e Arbërit, për t’u ndjekur pastaj me një vazhdimësi të pandërprerë me stemat e familjeve patronomike shqiptare si: Albani, Araniti, Balsha, Beçikemi, Bogdani, Dukagjini, Dushmani, Engjellorët, Gazuli, Golemi, Gropa, Jonima, Kastrioti, Komneni, Maneshi, Matranga, Muzaka, Shpata, Skura, Spani, Topia, Zaharia... etj.
Studimet dhe kërkimet shkencore në Arkivin Sekret të Vatikanit na mundësuan që të zbulojmë një diplomë nga viti 1567, në të cilën ndodhen edhe dy stema të pa botuara deri me sot, që në tërsinë paraqesin elemente heraldike të familjeve fisnike shqitare, pra janë tërësisht shqiptare.
Kjo diplomë fillimisht është lëshuar më 25 prill 1293 [Androniku II Paleolog, perandor i Konstantinopojës] dhe është konsideruar si një instrument publik i së drejtës kanonike që i konfirmon Andrea Engjëllit, fisnikut, dukës, princit dhe kontit të Drishtit, Durrësit, Pultit të Ulët, lidhjet e tij të gjakut me perandorët romakë ashtu edhe me perandorët e Konstantinopojës.
Don Joannes Aymerich kanoniku i Calarritanensis, i paisur me pushtetet e së Drejtës Kanonike është ai që konfirmon koncesionet e lëshuara nga Michaeli, Perandor Cesar August i Konstantinopojës, si dhe princat e tjerë, dhe të konfirmuara e të miratuara më vonë nga papa Pali IV, në të Drejtën Kanonike, si dhe nga doktorët dhe magjistrat e tjerë me pushtetet përkatëse. Këto koncesione i konfirmohen fillimisht qytetit të Drishtit si dhe Mikel Engjëllit e birit të tij Ndreut, ndërsa më 29 nëntor 1555, i konfirmohen koncesionet e njohura që më parë, të njëjtit, nga papët Kaliksti III, Piu II, Siksti IV, Inocenti VIII, Pauli III, Juli III, dhe papa Piu IV si dhe nga papët e tjerë romakë nëpërmjet dokumentave apostolike si bullave dhe nëpërmjet motus proprios. Këto privilegje, liri dhe dëshmi ishin dhënë fillimisht nga perandorët dhe princat që nga perandori Leone deri tek Michaeli.
Lëshuar dhe rikonformuar rishtas nga papa Pius V, sikurse edhe paraardhësit e tij papët: Kaliksti III, Piu II, Siksti IV, Inocenti VIII, Pauli III, Juli III, dhe papa Piu IV, në vitin 1567, në emër dhe për llogari të Andreas Angelus [Ndre Engjëllit], nga Vincentium de Hippolitis Pistoriensem ac Gasparem de Mercado Romanum Jures.
Diploma është e shkruar në permgamen dhe është e spërkatur me flori. Në të tre anët pa pjesën e poshtme ku është përthyerja dhe ka qenë vula, e papës Pius V, e cila për fat të keq ka humbur, dokumenti ka një bordurë të zbukuruar me gjerësi që varion anash 5.6cm dhe lart 6.3cm. Zbukurimet janë kryesisht me motive floreale. Në të dy anët e bordurës fillojnë me nga një figurë që i ngjan kupës (ndoshta kalisti) nga ku dalin lule që ngjiten lart dhe kanë fruta prej ari. Lart kurorëzohen me nga një kokë engjëlli dhe sipër të cilëve qëndrojnë tre stema. Dy stemat anësore ato në të djthatë dhe të majtë janë stema shqiptare, [të vendosura sipër dy kokave të engjujve,] përkatësisht të familjeve finsike shqiptare që kishin lidhje gjaku me Engjëlloret, ndërsa ajo e mesit është stema e Republikës së Raguzës.
Ngjyra dominuese e dekorimeve është e kuqja. Lart motivet duket sikur dalin nga dy figura engjëjsh që janë në dy meset e bordurës kur ajo ndahet në mes. Engjëjt janë në këmbë dhe në dy duart mbajnë dy si shpata me maja të ngulura në tokë por që tek doreza shpërthejnë egërsisht në degë dhe lule që kanë fryte më të mëdha se ato anash dhe që janë të lara me flori. Dimensionet e diplomës janë 51.5 x 72.2 cm.
Stema e parë e cila ndodhet në anën e majtë të diplomës, është në formë të rrumbullakët dhe ka dimensione 7.5 x 7.5 cm, e cila është vendosur në trupin e një shqiponja njëkokëshe me krahë të ngritur lart dhe kokë të kthyer në të majtë, sipër së cilës është kurora mbretërore bizantine me një kryq në mes. Stemat e vendosura në trupin e shqiponjës janë katë të ndara në dy shqyte sipër të cilave është kurora mbretëore. Secila nga stemat ndahen në disa kuadrate të cilat kanë simbolet e tyre, përkatësisht paraqesin stemat e familjeve fisnike shqiptare të: Topiajve, Muzakajve, Aranitëve, dhe Balshajve. Të gjitha elementet heraldike që ndodhen në këto stema janë të njohura dhe paraqesin traditën dhe lidhjet e ndryshme në mes të këtyre familjeve me familjen Engjëllore, të gërshetuara përmes një simbolike interesante dhe shumë përmbajtësore.
Ndërsa stema tjetër e cila ka dimensione 7.5 x 7.5 cm, dhe është në anën e djathtë të diplomës, gjithashtu është e vendosur në një reth, por me më shumë elemente dekorative, të zakonshme për kohën kur u krijua stema. Brenda rrethit janë të vendosura dy stema të ndara në katër fusha identike në të cilat dominon stema e Kastrioteve dhe ajo e Topiasve. Stema e Kastrioteve është një shqiponjë dykrerëshe me krahë të ngritur lartë dhe sfond të verdhë, e cila është e njëjtë me stemat tjera të Gjergj Kastriotit Skenderbeut të njohura nga dorëshrkime tjera.
Në fund të tekstit, në anën majtë të diplomës, është shenja dhe fimra dalluese e noterit. Poshtë është një yll në formë freskoreje me tetë cepa të vijëzuar nga qendra. Mbi yll gjendet një kryq dhe poshtë yllit në dy anët janë inicialet noterit R. B. Poshtë tyre vjen një shirit i hapur por me anët pak të kthyer nga brenda, brenda të cilit shkruhet “o[mn]ia morte cadunt.”
Duke argumentuar me dokumente dhe fakte të gjalla, dëshirojmë të tregojmë, se populli shqiptar, edhe në periudhat më të vështira dhe më të errëta të historisë së tij, edhe atëherë kur ka luftuar të mbijetojë, nuk e ka hedhur anash kulturën, traditën, historinë dhe besimin, por çdoherë ka menduar e vepruar, ka lënë gjurmë të shkruara, duke u kujdesur që të ruajë atë që është më e vlershmja, gjuhën amtare, e cila ia mundëson zhvillimin e kulturës dhe rimëkëmbjen kombëtare. Shpresojmë se këto gjurmë do të pasurohen me hulumtime dhe kërkime shkencore të reja, duke begatuar edhe më shumë historinë tonë kombëtare.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...