2013-07-24

Gramoz Pashko në 1991: Ismail Kadare është një “refugjat”


AZEM HAJDARI, SALI BERISHA DHE GRAMOZ PASHKO


Spartak Ngjela kthehet në vitet e para të demokracisë.

Ndërhyrja pranë Isuf Vrionit për të kthyer në Shqipëri shkrimtarin nga Parisi.

Sistemit të vjetër i kishte ardhur fundi, por ende mbahej në grahmat e fundit. Pasardhësit e diktatorit Enver Hoxha vazhdonin të ishin në krye të shtetit. Avokat Spartak Ngjela, në vëllimin e tretë të librit të tij “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, tregon përpjekjet në fillim të viteve ’90 për shkëputjen e Shqipërisë nga e shkuara e vet komuniste. Çka dukej se ishte një mision tepër i vështirë. Çfarë po ndodhte me kastën e vjetër, me Nexhmije Hoxhën e Ramiz Alinë, dhe cilat ishin figurat e reja që po ngriheshin në politikë. Për Ngjelën, Shqipëria do të mund të shkëputej nga e shkuara e vet nëse në krye kishte njerëz me formim perëndimor, që për të ishin Isuf Vrioni dhe Ismail Kadare. Bisedat me Vrionin dhe Gramoz Pashkon në lidhje me Kadarenë… 
 
Spartak Ngjela
Ndërkohë u takova edhe me Isuf Vrionin, të cilin e kisha njohur që gjatë viteve ‘70, ishim miq me njëri – tjetrin, dhe unë e dija që kishte një kulturë të madhe dhe të gjithën në funksion të qytetërimit perëndimor. E takova në Hotel Dajti dhe i fola hapur. I thashë që, po të kishte mundësi, të kontaktonte edhe me Ismail Kadarenë dhe t’i thoshte që të kthehej, sepse Shqipëria do të gjendej përballë një krize, të cilën mund ta shpëtonin bashkimi i disa figurave përfaqësuese në një tragë historike që duhej të vinte që nga vitet tridhjetë e deri në ditët e sotme. “Diaspora aktuale është pa vlerë”, më tha Isufi, por skema jote kam frikë që nuk do të funksionojë, sepse Ramiz Alia dhe Partia e Punës nuk do të pranojë të tërhiqet edhe për katër vjet”. Arsyetimi i tij ishte i logjikshëm, sepse e shfrytëzonte saktësisht faktin e mospranimit të Ramiz Alisë që ta dorëzonte pushtetin me vota në zgjedhjet e 31 marsit. “Fakti që e mbajti, dhe e mori ligjërisht me vota, nuk do ta lëshojë”, më tha Isufi, duke mos më dhënë një “Jo!”, kategorike për propozimin që i bëja. Për sa i përket Ismail Kadaresë, më tha se “ai nuk do të kthehet pa u sqaruar mirë situata”.
Kjo dukej se ishte gjendja nga jashtë, por nga brenda askush nuk mund ta dinte sesi rreshtoheshin faktet dhe njerëzit. Kur ngjarjet janë të tensionuara midis njerëzish, që as nuk e dinë pse duhet të ikin dhe as pse duhet të vinë në pushtet, gjithçka ndodh e bëhet papritur. Por krejt më spontan më dukej lidershipi i Partisë Demokratike, sepse kishte mbetur në mes të katër rrugëve, nuk kishte pasur mundësi që të fitonte, por nuk dinte as të përfitonte nga koha që e kishte në favor. Brenda tyre s’kishte asnjë mendim politik. Dhe gjithçka vinte e bëhej me anë të gazetës së tyre, e cila vetëm ekspozonte fakte dhe ngjarje kundër Partisë së Punës, por nuk krijonte dot një mendim solid opozitar dhe europian.
***
…Një gjë duhej se ishte e sigurt: asgjë nuk mund të ndodhte nëse nuk largohej nga drejtimi i opozitës dominanca e tipit Hoxha që tani po spikaste rregullisht e po shihej nga të gjithë. Megjithatë, ndërkohë që Pashkoja ishte involvuar me Qeverinë e Stabilitetit, Berisha po punonte undergraund për sfumimin e figurës së tij, sepse e kishte pikasur që, pozicionin e tij të afërt me Partinë e Punës në një qeveri, i gjithë populli opozitar nuk e kishte pranuar. Faktikisht, këtu filloi e gjithë rënia e figurës së Gramoz Pashkos. Ai ishte treguar i paduruar, dhe prandaj mendoi se me marrjen e qeverisë, do ta dominonte përfundimisht skakierën e të dyja krahëve të politikës. Zgjedhjet e 31 marsit e kishin trembur, dhe jo vetëm atë, por të gjithë fluksin e tij, sepse e kishin parë që Partia e Punës ishte ende e fortë. Prandaj Pashkoja në gabim, mendoi se me një qeveri të përbashkët dhe të suksesshme nëpërmjet tij, do ta dominonte të gjithë elitën politike shqiptare, dhe do ta detyronte Alinë që t’i nënshtrohej. Madje ndërkohë vetë konstatova shenja të një deliri jo të mirë, sepse arriti deri aty sa të mundohej që të nënvlerësonte dhe Ismail Kadarenë. Mbajti në një rast një qëndrim jo të mirë kundrejt tij, duke e quajtur gati-gati “një refugjat’, por unë duke e njohur mirë që në vogëli e ndërpreva, për vete më shumë sesa për Ismail Kadarenë, dhe i thashë: “Lere Grami, se as ti me dy gishta, dhe askush tjetër për tridhjetë vjet, nuk e arrin dot famën e tij në oksident”.
Pashkoja, nën peshën e rëndë psikologjike të karrierës së shpejtë politike, po harronte ndërkohë që, kundërshtari i tij po e luftonte me të njëjtën monedhë, por në sensin e kundërt: ai donte që të grumbullonte afër vetes radikalët e partisë dhe sidomos elementë që po futeshin në Partinë Demokratike dhe që kishin qenë të persekutuar ose ish të burgosur politikë. Në të vërtetë kjo rezultoi një lëvizje shumë e suksesshme nga ana e Berishës, sepse këtë ndërmarrje të atyre muajve ai e çoi deri në fund në politikën e tij si lider i opozitës, por edhe kur ishte më pas President i Republikës. Berisha kishte nisur një politikë të re që nuk kishte lidhje aspak me konstitucionin e tij psikik dhe moral, as me backgraund-in e tij, por njëlloj si Milosheviçi po përgatitej të luante kartën e të tjerëve, për të shpëtuar veten nga dy presione që mund ta likuidonin: nga presioni si ish-komunist, që rregullisht do t’i vinte nga fryma e djathtë, dhe nga presioni i Ramiz Alisë, që i vinte nga fryma e majtë që ishte atëherë ende në pushtet.

“Nexhmija e kishte frikë Enverin, mund ta shpallte armike”
Biseda me të atin, Kiçon, mbi mundësinë që diktatori të drejtohej nga e shoqja
Ishte koha atëherë kur në të gjithë Tiranën dëgjoja të flitej me një mllef të paparë, që shkonte drejt urrejtjes, kundër Nexhmije Hoxhës, duke e pozicionuar atë si sjellësen e madhe të fatkeqësisë të shqiptarëve. Hamendjet dhe akuzat kundër saj shkonin deri aty sa, edhe vetë Enver Hoxhën e shfajësonin për një sërë krimesh, duke e trajtuar si një të humbur nga mendja që ishte drejtuar nga gruaja e vet. Më dukej një nonsens i qartë e gjithë kjo psikozë anti-Nexhmije, që e gjeta befas në Tiranë, sepse nuk e besoja. E kisha njohur nga afër të gjithë jetën politike të atij regjimi, dhe e dija se kjo nuk mund të ishte e vërtetë. Madje fjalë të tilla na kishin ardhur edhe në Burgun e Kosovës, dhe tek i dëgjoja përditë, pyeta edhe Kiçon nëse ai e shihte si të vërtetë që Nexhmija të kishte drejtuar Enver Hoxhën. “Spartak, -me tha Kiçoja, -pse bëhesh naiv? Ajo është një grua që nuk ka asnjë lloj kapaciteti politik, dhe Hoxha e ka ditur që ditën e parë që është lidhur me të.” Ishte një ditë e ftohtë janari kjo, e vitit 1991, një muaj para se unë të lirohesha nga burgu, dhe më kujtohet sesi Kiçoja ndenji për një copë herë, e mandej shtoi: “Jo vetëm që nuk ka mundësi që ta këtë drejtuar, por, mbaje mend nga unë që, ajo grua, ka pasur frikë nga Enver Hoxha më shumë se të gjithë bashkëpunëtorët e tij. Sosia nuk e kishte për gjë aspak që ta shpallte atë armike e ta ekzekutonte për “tradhti të lartë”, sa herë që do ta mendonte se do t’i duhej për pushtetin e tij”. Megjithatë, në psikozat shoqërore nuk ka aspak rëndësi se cila është e vërteta: shqiptarët kishin filluar një urrejtje të re; dhe e gjithë kjo ishte ngritur kundër së vesë së Enver Hoxhës. Ishte në fakt një kohë e ashpër, dhe analiza e saj sigurisht që nuk është shumë e lehtë për t’u bërë. Pse ishte ngritur gjithë ky mllef dhe gjithë kjo urrejtje e behtë nga njerëzit e thjeshtë? E kishin kuptuar të vërtetën, apo kjo revoltë ishte një shprehje e varfërisë së tyre. A kishin besim shqiptarët e asaj kohe që do të fillonin të bënin një jetë me mirëqenie dhe të lirë? A mendohej realisht nga intelektualët e atëhershëm se do të krijohej një shtet shqiptar i lirë që do të mbështetej tek intelektualizmi? A do të vendosej moraliteti duke u ndëshkuar të gjithë ata që kishin bërë krime? A do të tërhiqej butë Ramiz Alia nga pushteti? A do ta lëshonte veten për të shkuar drejt burgut i gjithë ekipi makabër i Sigurimit të Shtetit? Cili ishte raporti i Sigurimit të Shtetit me partinë e re opozitare që ishte krijuar?

SPARTAK NGJELA

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...