2013-07-24

Syrja Vlora: Si ua shiti Shkodrën malazezëve Esat Pashë Toptani

Botohen kujtimet e politikanit nga Pavarësia në Luftën e Vlorës.

“Ishte inteligjent nga natyra, por analfabet. Në vëmendjen e tij, atdheu përbëhej nga vetvetja, dëshira dhe fama”



Syrja Vlora, kunati i Esat Pashë Toptanit, tregon prapaskenat politike.

Esat Pasha, 1 mln franga për mbështetjen e Vidit.

I mbetur në hije për dekada të tëra, një nga njerëzit më të fuqishëm të Perandorisë Osmane, në vitet e fundit të jetës së saj, na vjen në Shqipëri, përmes një libri kujtimesh, me vlera të veçanta për historiografinë shqiptare. Syrja Bej Vlora, pinjoll i familjes së fuqishme Vlora, e cila i ka dhënë Perandorisë Osmane e më pas historisë shqiptare shumë personalitete, që nga vezirët e pashallarët, ishte kushëri i Ismail Qemalit. Sipas studiuesve, ai ishte i preferuari i Vjenës për të udhëhequr Shqipërinë drejt pavarësimit dhe në një farë mënyre një lloj rivali politik i Ismail Qemalit. Kjo është lehtë e kuptueshme në faqet e librit të tij me kujtime “Kujtime-Nga fundi i sundimit osman në luftën e Vlorës”, i përgatitur për botim nga Instituti i Historisë dhe botuar nga shtëpia botuese “Iceberg”. Kujtimet e Syrja beut kanë qenë të shkruara në gjuhën osmane, rreth viteve ’20 të shekullit të kaluar dhe mendohet të jenë përkthyer në gjuhën shqipe mes viteve ’40, me shumë gjasë nga poeti dhe përkthyesi Ali Asllani. Edhe pse këto kujtime ruheshin prej shumë vitesh në Arkivin e Institutit të Historisë, vetëm tani u mundësua botimi i tij. Si rival i Ismail Qemalit, kunat i Esat Pashë Toptanit dhe i ati i politikanit, diplomatit, ministrit të Jashtëm në vitin 1944, Eqrem bej Vlorës, është e kuptueshme pse ato nuk janë botuar gjatë viteve të diktaturës, në një kohë që nuk merr një shpjegim të plotë pse u botua kaq vonë në periudhën e demokracisë. Në Turqi, kujtimet e Syrja Vlorës janë botuar vite më parë. Megjithatë, ai tashmë i është dhënë lexuesit, i cili mund të shohë përmes optikës së ish-drejtorit të Doganave Osmane, deputetit të Parlamentit Osman, ambasadorit në Vjenë… disa prej ngjarjeve më të rëndësishme që kanë shënjuar historinë shqiptare. Gjithashtu në faqet e këtij libri na vijnë edhe portretet e disa personazheve, të cilat ai i ka njohur personalisht. Pas Ismail Qemalit vjen portreti i Esat Pashë Toptanit, të cilin ai e kishte kunat (i kishte marrë motrën për grua). Nuk e bën për burrë të mirë, madje e quan analfabet dhe egoist, por nuk ia mohon trimërinë dhe burrërinë në situata të caktuara.                                       

Kopertina e librit me kujtimet e Syrja Vlorës
Esat Pashë Toptani që përpara luftës së vitit 1898 mori postin e komandantit të Xhandarmërisë së Janinës me mbështetjen e Halil Beut nga Kranja, një nga të parët e qytetit dhe armëtar i Pallatit të Jëlldëzit. Në luftën që u zhvillua në Kumcazas, ai u shqua për shërbim të mirë. Esat Pasha eci përpara sërish me ndihmën e komandantit të sipërpërmendur dhe me vlerësimin nga ana e të madhërishmit hyri me profesionin e ushtarakut në prefekturë dhe pastaj u rrit me gradën komandant. Për arsye se nga valiu i Janinës, tatari Osman Pasha, u gjet në një situatë të papërshtatshme në shtëpinë e një prostitute, atë e dërguan në Komandën e Xhandarmërisë të Shkodrës. Kur ai ishte në detyrë, me shpalljen e konstitucionit osman, vuri kandidaturën si deputet i Durrësit. 
Në ngjarjen e 31 marsit dhe në ato që pasuan nga vendimi i sulltan Abdylhamit Hanit, së bashku me bashkudhëtarët e tij, nëpunësin referues, fisnikun Arif Hiqmet Pasha dhe selanikasin Karasu Efendiu shkoi në Pallatin e Jëlldëzit dhe u dha qeveritarëve lajmin e fitores me trimëri dhe pa frikë. Pas kësaj zuri një vend të veçantë nën kujdesin e Ittihaçinjve. Atë e uruan për mbajtjen me nder të gradave në ushtri dhe e gjeti veten në mbrojtjen e Vilajetit të Shkodrës. Në legjislaturën e dytë të Kuvendit të Deputetëve u bë përsëri deputet i Durrësit, por me forcë. Qeveria, në kuadrin e përgatitjes për luftë në të katër anët e Ballkanit, karshi palës nxitëse të kësaj lufte, duke besuar në përsosmërinë ushtarake të Esat Pashës, pjesë e ushtarakëve të Gazi Myhtar Pashës, e dërgoi atë në Shkodër si komandant të “Organizatës me ndihmë të Ushtarëve”.
Malazezët, me ndihmën dhe mbrojtjen e serbëve dhe të malësorëve më 14 tetor 1912, zaptuan Tuzin, me 24 fortifikimet e Taraboshit dhe Shirokës që ishin në rrethim. Më 27 në kasabanë e Shkodrës hodhën gjylen e parë. 
Esat Pasha ftoi për vizitë në shtëpinë e tij Valiun dhe komandantin Hasan Riza Pashën, i cili u ballafaqua me një tradhti që i kushtoi. Esat Pasha u bë dëshmitar i kësaj ngjarjeje dhe për shkak të gradës mori komandën e përgjithshme. Populli nuk mbeti pa reaguar në këtë drejtim. Esat Pasha mori nga qeveria e Malit të Zi 6-7 mijë lira me dorën e çifutit vjenez të “Betlehemit”. Në përgjigje të kësaj kryerjeje krimi vazhdoi të tregohej në rrethet e ndryshme shoqërore. Esat Pasha nuk kishte si qëllim vetëm të shtinte në dorë komandën. Me qëndresën e tij të fortë rriti famën e emrit të vet. Por ai la gjurmë të këqija në ngjarjet e luftës së përgjithshme të Shqipërisë, që ndodhej në gjendje të mjerueshme amullie. 
Esat Pasha ishte nga ata njerëz, personalitetin e të cilëve historia nuk mund të mos e kujtojë. Rezultati i gjykimit të punëve të tij ishte pozitiv. Megjithëkëtë shpresa dhe aktiviteti i tij ishin pa kufi. Me përpjekjet, guximin dhe vendosmërinë si ushtarak, u tregua i denjë përballë situatës. Ai në vite tërhoqi rreth vetes një rreth njerëzish, pak a shumë sa një skuadër. Esat Pasha, i mbetur në Shkodër, kur ndjeu se po priteshin marrëdhëniet me ushtrinë osmane, me guximin që kishte për natyrë, u përball burrërisht. Me mbështetjen e forcave ushtarake të mbetura në Shkodër luftoi me gjithë forcën e shpirtit, aq sa harroi shërbimin ushtarak, madje edhe Riza Pashën. 
Esat Pashe Toptani duke dorezuar celesat e forteses se Shkodres princit te Malit te Zi
Esat Pasha ishte inteligjent nga natyra, por analfabet. Për të dashuria për atdheun, ndjenja kombëtare, ishte më e dobët nga ajo për rrethin e tij. Ai nuk iu dha me zemër asnjë të huaji. Vlerën e personalitetit të tij në çdo fushë, të drejtën ose të padrejtën e vëmë re nga analiza që i bëhet atij. Ai nuk tërhiqej përpara sakrificës për miqtë dhe vendin e tij, kërkonte vetëm të shërbente për të parë një Shqipëri të lirë. Nuk shfaqte emocionin e luftës. Punët e vështira, madje dhe në kohë të rrezikshme, nuk i linte në mes. Kishte autoritet të padiskutueshëm në qeveri për zbatimin e urdhrave.
Nuk ushqente besim të tepruar tek asnjë. Në vëmendjen e tij, atdheu përbëhej nga vetvetja, dëshira dhe fama e tij. Urdhrat e rëndësishme dhe punët e vështira i bënte duke menduar për të bërë përpara. Sikur fama dhe mënyra e punës së tij të ishte drejtuar në çështjen e përfitimit vetëm për atdheun dhe jo për përfitime personale, vendi do të kishte dobi të madhe. Nuk la situatë pa ndjekur për të arritur qëllimin e dëshiruar; punoi vazhdimisht për të treguar veten më tepër nga ai që ishte; nuk tërhiqej para çdo sakrifice dhe vështirësie; për të nuk mund të kishte shpresa të shuara. Shpirtin e kishte të ngopur deri në fyt me hakmarrje dhe nga mendimi për të bërë hile. 
Gazeta “Kölnische Zeitung”, në një artikull që botoi për të, shkruante se “Esat Pasha ishte tahmaqar, punëtor, krijues dhe i zoti. Për arritjen e qëllimit të tij nuk tërhiqej edhe nga gjërat, që mund ta dëmtonin atë”. 
Gjenerali gjerman, Immhof, në një ditar që botoi mbi Luftën Ballkanike dhe në tregimin për kohën e ngjarjes së 4 marsit, thotë se: “Esat Pasha kishte shumë rreth në Shqipërinë e Veriut. Nuk pati shqetësim nga malazeztë dhe të krishterët, përkundrazi, ata mundën vetë atë. Në Shqipërinë e Jugut nuk kishte përkrahës. Me Ismail Qemal beun kishte bërë shkollën. Shqiptarët nuk e ulin kokën, por, në situata lufte, forca ishte në dorë të Esat Pashës. Sikur ai të vazhdonte në qeveri, secili do të ishte i detyruar të largohej, të linte atdheun”. 
Përsëri gjenerali Immhof Pasha thotë se:
“Është e nevojshme të themi të vërtetën se në mbrojtjen e nderit të sanxhakut osman (të Shkodrës) ai qëndroi më tepër nga sa mundej. Ky gjeneral nuk u dorëzua dhe, në mënyrën se si rezistoi, emri i tij do të zinte një vend të rëndësishëm në historinë osmane”. 
Popullsia vendase po ta ndiqte më nga afër detyrën e ushtarakut të Shkodrës, do të kuptonte më pas se mbrojtja ishte e dobishme dhe e nevojshme. 
Esat Pashë Toptani ditën e mbërritjes së Princ Vidit në Durrës
Me këmbënguljen e veçantë të Austrisë si shtet i madh, për një javë malazezët dhe serbët mbetën të detyruar të tërhiqeshin nga rrethimi i Shkodrës. Malazezët, ndonëse e mësuan këtë, me mendimin të bëhet ç’të bëhet me pushtimin e Shkodrës, kërkuan të përballeshin me urdhrin e Europës. Rruga ishte gjetur. Me gjithë përvojën e luftërave, në sulmet që do të pasonin, patën humbje të konsiderueshme. Mbetën me shpresa të kota të fitimtarit. Ndërkohë, përballë popullit të pashpresë dhe të mërzitur, Esat Pasha u detyrua të përdorte mjete të tjera. Zoti Plambaç (Petar Plamenac) kishte pasur miqësi me Esat Pashën kur kishte qenë ambasador në Stamboll. Ai i dërgoi fshehurazi pashait lajmin se merrte përsipër të siguronte pagesën e dëmeve që kishin kryer serbët në shtëpinë dhe çifligjet e tij. Esat Pasha e pranoi propozimin e zotit Plambaç dhe vendosi rritjen e kushtit në pagesën e dëmeve të tij. Në këtë mënyrë, më 21 prill të vitit 1913, ditën e hënë në mbrëmje, filluan diskutimet midis Esat Pashës, gjeneralit Vukoviç dhe zotit Plambaç. Me këtë rast u lidh një marrëveshje dhe u bë dorëzimi i drejtpërdrejtë i fortifikimit të Shkodrës. 
Princi trashëgimtar i Malit të Zi, Danilo, vendosi të dorëzohej dhe të tërhiqej. Ky veprim u bë si rezultat i gjendjes së paparashikuar të krijuar në Shkodër. Ishte e pamundur të qëndroje më gjatë. Me heqjen dorë nga qeverisja e Shkodrës nga të huajt, sipas thashethemeve dhe sipas të vërtetës së situatës, Esat Pasha bëri të mundur të qëndrojë dhe disa ditë më pas. Lidhur me mënyrën e dorëzimit të Shkodrës, Esat Pasha u detyrua të japë llogari për bisedimet e kryera, për dhënien e urdhrave ushtarakë dhe premtimin për dorëzimin e sasisë së materialeve të rëndësishme. Mirëpo, asnjë nuk i doli në mbrojtje. Ata që kërkojnë të zhdukin punën e ndritshme dhe të dobishme të Pashait në të gjithë situatat e përmendura më lart, nga dita kur doli nga Shkodra, përfshi urimin zyrtar që iu bë në kohën kur qe në Tiranë, sikurse i takon një qeveritari, e konsiderojnë atë të dyshimtë për arsye se ai ishte vazhdimisht në luftë me Princin trashëgimtar të Malit të Zi. Esat Pasha me 15.000 ushtarë doli nga Shkodra dhe, me të vajtur në Lesh, veproi me guxim në shpalljen e vetes qeveritar. Malazezët, pas kësaj, për inat të titullit që mori si qeveritar, publikuan gjithandej letrën e shkruar prej Pashës dhe punuan deri në fund për t’i shkaktuar dëme…

Fillimi i kryengritjes


Esat Pasha, pasi doli nga Shkodra, duke u marrë vesh me malazezët; pasi forcoi autoritetin e tij në prefekturën e Durrësit, duke u mbështetur në ushtrinë osmane, që kishte nën urdhër të tij; pasi tronditi, me rivalitetin e tij, Qeverinë e Vlorës nën kryesinë e Ismail Qemal Beut, e kuptoi se edhe përtej zonës së tij të influencës, domethënë në Gegëri, pranimi i një sovrani të krishterë nuk gjente mbështetje. Kësisoj, ai i zgjeroi ambiciet e tij. Fuqinë, pasurinë dhe pozitën që shtiu në dorë, nuk i konsideroi të mjaftueshme, por kërkoi të merrte dhe më shumë. Mendonte të zotëronte fronin e Shqipërisë. Kur Esat Pasha ishte duke u përpjekur për realizimin e këtij qëllimi, Xhemijeti Ittihat ve Terakki kishte filluar të propagandonte idenë e një sovrani mysliman në Shqipëri. Fuat bej Prishtina, ish-llogaritar, Shefqet beu dhe Zenel Bej Peja, të dërguar nga Stambolli në Shkodër, ishin veglat për realizimin e këtij qëllimi. Kandidati i treguar prej tyre ishte Burhaneddin Efendiu, një nga djemtë e sulltan Abdyl Hamitit, për të cilin kishin gjetur mbështetës. Por, përpara kësaj iniciative, Kol Kolea nga Berati me disa njerëz të tjerë kishin hedhur në qarkullim emrin e Princit Fuat nga Egjipti. Aty-këtu edhe me ndihmën e shtypit, ata kishin punuar për realizimin e kësaj dëshire…
…Në zona ku shumica e popullsisë ishte myslimane, sidomos në Shkodër dhe në Shqipëri të Mesme, mendimi për të sjellë një mbret mysliman kishte zënë rrënjë mirë. Por, Esat Pasha hoqi dorë nga qëllimi që ndiqte, meqenëse në Shqipëri u dërgua Komisioni (Ndërkombëtar) i Kontrollit, kur u mor vesh se Austria nuk do ta pranonte (kandidaturën e tij) dhe kur ai vetë e kuptoi se Toskëria nuk do ta ulte kokën. Ai pranoi të përgatiste terrenin për mbretërimin e Princit Vilhelm Vid, duke u mjaftuar me marrjen e një milion frangave si shpërblim për përkrahjen që dha rreth çështjes.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...