Libri me dokumentet e panjohura, Enver Hoxha me shtatë ditëlindje

Enver Hoxha në optikë të re. Është kjo biografia më e fundit për diktatorin, e realizuar në gati 400 faqe nga dr. Vasfi Baruti. Janë fotografi të rralla, dokumentacione origjinale, por edhe referime ndaj studimeve të tjera që janë bërë për jetën dhe veprën e Enver Hoxhës. Por, ashtu siç kuptohet edhe nga titulli, gjithçka në këtë libër vjen në një optikë të re, që i referohet 12 maj 1908–28 nëntor 1944. Autori e nis pikërisht me 12 majin, pasi ajo është data e vërtetë e lindjes së diktatorit, për ta mbyllur me çlirimin e Shqipërisë. Në fakt, kjo periudhë është edhe pjesa më e errët e jetës së Enver Hoxhës, për shkak të dëshmive të munguara dhe dokumenteve të zhdukura nga vetë diktatori gjatë dekadave që ishte në pushtet. Madje, në shumë nga fotografitë apo materialet e tjera të paraqitura në këtë libër, dr. Vasfi Baruti zbulon për herë të parë manipulimet me retushime apo laminime.

E veçanta e këtij libri është se autori nuk bie në përsëritje as të vetes dhe as të të tjerëve. Sa i përket paraqitjes së dokumentacioneve në biografi, autori është treguar taktik dhe praktik, duke i publikuar njëri pas tjetrit sipas viteve, duke nisur që nga fëmijëria. Fillimisht bën një “hyrje në biografi”, ndalet pak te shtëpia e Hoxhatëve, për të kulmuar menjëherë te mashtrimi i Enver Hoxhës me shtatë ditëlindje. Pra, që në nisje libri nis me zbulime të fakteve të reja, për të vijuar me të njëjtin ritëm faqe pas faqeje. Dr.Baruti është zgjeruar edhe në jetën intime të Enver Hoxhës me Nexhmije Xhunglinin dhe përgjithësisht marrëdhëniet e tij me femrat, duke përmendur disa hakmarrje personale të tij. Vepra voluminoze është e redaktuar nga Xhevair Lleshi dhe vjen nën logon e shtëpisë botuese “Eugen”. Ende nuk ka dalë nëpër librari, ndaj gazeta “Panorama” do të sjellë disa nga faktet më interesante të këtij libri. Enver Hoxha rezulton me shtatë ditëlindje. Autori i biografisë, Vasfi Baruti, bën një përqasje të dëshmive të asaj kohe dhe të dokumentacioneve arkivore lidhur me ditën e lindjes së diktatorit. Rezulton se ai ka lindur në çdo stinë; në shkurt, në maj, 2 herë në qershor, në shtator dhe 3 herë në tetor…

Duket si paradoks, por të paktën kështu rezulton në materialet arkivore të hulumtuara nga dr. Vasfi Baruti. Më poshtë, nga biografia “Enver Hoxha në optikë të re”, kemi shkëputur disa nga fragmentet ku flitet se si Enver Hoxha është regjistruar me ditëlindje të ndryshme, nëpër institucione të ndryshme shqiptare dhe të huaja…Enver Hoxha rezulton me shtatë ditëlindje. Ditëlindja e 16 tetorit është publikuar për herë të parë më 4 tetor 1947, në gazetën “Bashkimi”. Ndërsa ditëlindja zyrtare e vërtetë, që dokumentohet në AQSH dhe në Bashkinë e Gjirokastrës më 12 maj 1908. Në Montpelje, Enveri u regjistrua me ditëlindjen 3 tetor. Në foto është pikërisht certifikata e kësaj ditëlindjeje, 3 tetor 1908, me të cilën është regjistruar për t’u shkolluar me arsimin e lartë në Francë. Përgjithësisht, Enver Hoxha ka “luajtur” me ditëlindjen në muajin tetor, duke ndryshuar datat 3, 4, 16 etj., kur në fakt ai ka ardhur në jetë në datën 12 maj 1908. Nuk kuptohet qartë përse Hoxha i ndryshoi kaq shpesh datat e lindjes. (Pjesë nga libri biografik “Enver Hoxha në optikë të re”, me autor Vasfi Baruti) Me shtatë ditëlindje! Në ditët e ceremonisë mortore Enver Hoxha promovohej si prijës që ka “vetëm ditëlindje” dhe që s’ka të ngjashme as në rrëfime biblike. Kaluan afër 20 vjet nga kjo ceremoni përjetësie dhe zbulohet se Enveri ishte me shtatë ditëlindje dhe ato me shtrirje në katër stinët! Në fund të pranverës së 1908-s, më 12 të majit, Hoxhatët gëzoheshin për lindjen e djalit që pagëzohej Enver, lindja regjistrohej në regjistrin e Bashkisë së Gjirokastrës, që gjendet edhe në AQSH me këto identitete: “Regjistri Nr.6, fleta 5. Lagjja: Teqe-Meçite-Hazmurat. Rruga: Koto Hoxha. Enver Hoxha-Halil-Gjylo.

Ditëlindja 12.5.1908.” 12 maji ishte ditëlindja e vërtetë dhe zyrtare e Enverit. Ditëlindja e njohur e 16 tetorit, që kujtohet çdo vit nga ithtarët e familjarët e tij, nuk është regjistruar në asnjë burim zyrtar të Enverit në fëmijërinë e tij. Enveri me shtatë ditëlindje, gjashtë nga të cilat shënuar me dorën e tij dhe pa të ngjashmen e vet. Nuk dihet ditëlindja e tij në regjistrat e shkollave të ulëta në Gjirokastër, por besohet se do të jetë ditëlindja e vërtetë: 12 maji. Në Liceun Francez të Korçës Enveri regjistrohej me dy ditëlindje: 25 dhe 30 qershor. Në universitetin e Montpeljesë regjistrohej me ditëlindjen 3 tetor, dhe me këtë ditëlindje ishte edhe në Bruksel. Kur Enveri vuri kandidaturën për deputet në zgjedhjet e dhjetorit 45’, në biografinë e tij lexohet vetëm vitlindja dhe jo ditëlindja. Në vitin 1946 lexohet ditëlindje e re – ajo e 8 shkurtit.

Albumi Lufta Nacionalçlirimtare, botim i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore (1947), Enveri e ka ditëlindjen më 10 shtator. Në kronikën “Udhëtim në rrugën e Komandantit”, 2 tetor ’47. shkruhet: “Më 16 tetor të këtij viti, Komandanti ynë Enver Hoxha mbush plot 39 vjet” dhe ky është informacioni i parë i ditëlindjes së Enverit më 16 tetor. Në gazetën “Bashkimi” të 16 tetorit 47’ ribotohej broshura “Biografi e shkurtër e Enver Hoxhës” dhe që në fillim lexohet: “Më 16 tetor të vjeshtës së dytë të vitit 1908 lindi udhëheqësi i Shqipërisë së re, Enver Hoxha…”. Prej 2 tetorit 1947, ditëlindja zyrtare e Enverit mbeti 16 tetori, që kujtohej në 16 tetorin e çdo viti. Enveri ka edhe pak të ngjashme me Stalinin, i cili ndryshoi ditëlindjen e vitlindjen e vërtetë, ka të ngjashme edhe me Josif Broz (Tito), i cili ishte me pesë ditëlindje dhe ishin shokët e tij të Luftës që ato vite i ndryshojnë ditëlindjen e vërtetë, por që s’dihet arsyeja. Stalini dhe Tito (pseudonim) ditëlindjen e ndryshojnë në moshë madhore, por Enveri e ndryshon në moshë adoleshente e mendja shkon se kishte një arsye të fortë, që normalisht s’e bën kush tjetër. Njëri argument vjen nga Blendi F., biograf i Enverit, që pesë ditëlindjet e tij i shpjegon me “kaosin” që ishte në shoqërinë e kohës dhe është vështirë të kuptohet mania e Enverit të ndryshojë ditëlindjen në ndërvarësi me “kaosin” e kohës: “…Janë me gjasë produkt i kaosit që shoqëronte Shqipërinë në atë kohë”. Argumenti tjetër befasues vjen nga Nexhmije H., pas “eksplorimit’ që bëri në Montpelje më 1977-n, kur i bie në dorë dokumenti i regjistrimit të Enverit në Universitetin e Montpeljesë, me lindje 3 tetor 1908.

Dhe, për të evituar keqkuptimet për këtë ditëlindje të dytë të Enverit, në parathënie të librit “Enver Hoxha, Vite të rinisë”, Nexhmija vjen me argumentin pa lidhje me “kaosin” e kohës: “…Ruheshin regjistrat ku figuronte emri i Enverit me datëlindje 3 tetor 1908, ashtu siç ka pasur të shënuar në pasaportën e atyre viteve, sipas kalendarit ‘alla turka’ dhe që ‘alla frënga’ i bie pikërisht 16 tetor”. E para, 3 tetori sipas kalendarit “alla turka” nuk përkon saktësisht me 16 tetorin. Enveri me kulturë perëndimore ama nebdib e sillet “alla turka”! Cila është ajo forcë që Enverin edhe në Francë e mban mbërthyer me të menduarit “alla turka”! E çfarë argumenti mund të sjellë Nexhmija për gjashtë ditëlindjet e tjera e veçanërisht për ditëlindjen e vërtetë: 12 maj e regjistruar në regjistrin e Bashkisë së Gjirokastrës! Duket se ka qenë praktikë e zakonshme retushimi i fotove të vjetra, të cilat u realizuan gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Vite më vonë, atëherë kur shumë nga personazhet me të cilët ishte fotografuar Enver e Nexhmije u burgosën apo edhe më keq, u pushkatuan, nisi korrigjimi i imazheve. Një ndër këto foto të vjetra është edhe ajo e Enverit me Nexhmijen, që kanë pozuar së bashku me Nako Spirun dhe Omer Nishanin. Fotografia është bërë në natyrë dhe, duke u nisur nga veshjet që ngjajnë deri diku “të mira” për kohën, duket qartë se është realizuar në ndonjë aktivitet. Majtas janë tre shokët, ndërsa në fund vjen Nexhmija me xhaketë dhe pantallona. Duke parë foton nr.1 vihet re se radha e personazheve është kjo: Nako Spiru, Enver Hoxha, Omer Nishani dhe Nexhmije Xhunglini. Ndërsa në foton nr.2, si me “magji” janë zhdukur Nako Spiru e Omer Nishani. Enveri dhe Nexhmija shfaqen ngjitur me njëri-tjetrin, duke eliminuar hapësirën që ishte krijuar më parë nga prania e dy personazheve të tjerë. Pozicioni i tyre dhe veshja mbetet identik me foton nr.1, por nga retushimi stonon mënyra e pozimit dhe kuptohet lehtë që është e përpunuar.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)