Dëshmi për vrasjen e artistit dhe të lirisë krijuese

SADIK BEJKO

  Mbi librin “Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë”, botuar nga “Onufri”


Libri i Migal Luarasit “Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë”, “Onufri”, Tiranë 2013, është libri i një prej personaliteteve të artit skenik shqiptar me një kontribut që e kalon gjysmëshekullin. I lindur në 1929-n në qytetin e Korçës, pjesëmarrës në LNÇL, i arsimuar si regjisor në Akademinë e Teatrit dhe të Filmit në Hungari në 1958, M. Luarasi punoi si regjisor në Teatrin Popullor, në Teatrin e Estradës, regjisor i jashtëm në Teatrin e Operës dhe të Baletit, regjisor në teatrin “Çajupi” të Korçës dhe pedagog në Institutin e Lartë të Arteve.  
Në vitet ’70 të shekullit që shkoi Luarasi, krahas dy figurave të tjera të spikatura të artit skenik shqiptar, Piro Manit dhe K. Spahivoglit, kishte krijuar profilin e tij qartësisht të identifikueshëm. Ai, siç thuhej atëherë, vinte nga fluksi ideoestetik i Europës Qendrore, nga Hungaria, nga ndikimet estetike të teatrit të Brehtit dhe të estetit tjetër të njohur botërisht, G. Lukaçit. Dy rivalët dhe kolegët e M.Luarasit, regjisorët Piro Mani dhe Kujtim Spahivogli, të shquar secili më vete, të ravijëzuar qartë, ishin ndjekës të shkollës ruse, të teatrit të Stanislavckit.
Edhe dramaturgët e Tiranës së atyre viteve ishin tre: Minush Jero, Ibrahim Uruçi, Fadil Paçrami. Fadil Kraja e Dionis Bubani vinin disi më mbrapa… Më i riu, më tragjiku, yll i shuar ende pa dalë në qiell, ishte Shpëtim Gina. Ky shkroi drama të tipit të teatrit absurd, shkollë teatri e afishuar në Francën e asaj kohe,  drama që iu ndaluan si spektakle, ndaj mbase Sh. Gina vdiq e shkoi fare i njomë dhe krejt misteriozisht.
Plenumi IV i Partisë, në 1973-n, Spahivoglin e çoi në prodhim, M. Luarasin dhe M. Jeron i rrasën në burg, u përjashtuan përfundimisht nga jeta artistike. I.Uruçi u degdis fshesaxhi rrugësh në Memaliaj, F. Paçrami… në burg, pra, u fshinë edhe këta nga jeta artistike.
Nga gjithë të mësipërmit, vetëm M. Luarasi mbijetoi deri më sot. Pas ‘90 ai iu kthye jetës skenike si regjisor dhe autor dramash e librash. “Përjetësisht dashuria”, autor dhe regjisor, Tiranë 2013, është suksesi i tij më i fundit në skenën e Teatrit, një spektakël i ngjyrosur nga nostalgjia dhe poezia e tekstit, e regjisë. 
Shqipëria, kur disa nga emrat që përmenda më lart ishin ikona të artit, prej disa dekadash nuk është më. Dhe teatri i sotëm nuk është më aq masiv, me aq peshë në jetën artistike, nuk është aq i magjishëm sa në vitet ‘70. 
Libri “Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë” është shkruar nga një artist që dikur, në vitet ’70, ishte në kulmin e fuqive të tij krijuese, në pikun kur vlerat kishin prekur majat, dhe mu në këtë vrull vetjak ende në ngjitje e sipër, atë e skualifikojnë, e burgosin, e poshtërojnë. Libri që sot kemi në duar, u shkrua fillimisht në 1994-n, në rreth 80 faqe, si reagim ndaj librit të T. Lubonjës “Nën peshën e dhunës” dhe që atëherë është shpërndarë si dorëshkrim. Me kaq Luarasi është tërhequr. Pas disa vjetësh, për arsye të tjera, dorëshkrimi është rimarrë dhe na vjen tani në këtë botim përfundimtar.
Libri, nëpërmjet analizës, ballafaqimit, reflektimeve, retrospektivës rivlerëson kohë, njerëz, rrethana, fakte… dhe ca gjëra fare të brishta, siç janë miqësitë e mëritë midis njerëzve…, lidhje shpirtërore që në elegancën e luksin e tyre lehtësisht mund të anojnë dhe nga prishja, nga kalbja përfundimtare. 
Siç e thamë, shkaku nistor për të shkruar këtë libër prej M. Luarasit ka qenë reagimi ndaj një libri tjetër. Në disa nga faqet e librit “Nën peshën e dhunës”, veç të tjerash, autori Lubonja shfren me urrejtje e përçmim ndaj disa prej artistëve si M. Jero, M. Luarasi etj. Mohon e relativizon dhe arritjet, vlerat e tyre si artistë.
Todi Lubonja, komunist i orëve të para, ka qenë aparatçik i lartë i diktaturës, komisar politik, sekretar partie në disa rrethe, kryeredaktor i “Zërit të Popullit”, drejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, anëtar i Komitetit Qendror etj… Në 1974-n atë e burgosën si liberal. Cila është arsyeja që në librin e tij “Nën peshën e dhunës” (1993) disa nga artistët që dikur para viteve ’70 kanë qenë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, tani në liri urrehen e përçmohen? Ja ç’ka ndodhur. Këta artistë me hekura në duar, të burgosur përpara tij, janë pyetur në Hetuesi dhe kanë pohuar se paskëshin bashkëpunuar me Todi Lubonjën për të realizuar disa prej spektakleve më të suksesshme për kohën. Këto spektakle atëherë u quajtën armiqësore, spektakle që kërkonin përmbysjen e regjimit. U quajtën kështu veç të tjerëve edhe nga vetë diktatori Hoxha. Në fakt, ato shfaqje ishin vetëm të bukura, të magjishme. Të pëlqyeshme, sa për historinë e artit kanë mbetur si mite, legjenda ende të pazbërthyeshme edhe sot.
Kushdo do ta kishte për nder që ishte burgosur ngaqë kishte ndihmuar në arritje artistike që kishin tronditur diktaturën. Por, si duket, jo të gjithë mendojnë kështu. Todi Lubonja, i dalë nga burgu, mbase i kishte harruar gjërat a mbase i leverdiste që në klimën politike të vitit 1993 ta mohojë kontributin e tij si liberal, si komunist jodogmatik siç kishte qenë para se të burgosej. Ish-aparatçikët, ish-anëtarët e Komitetit Qendror, eksponentët e lartë komunistë që atij i kthyen krahët dhe e quajtën armik e “rufjan politik” publikisht, deri dhe vetë ish-kryemiku i tij, Ramiz Alia, tashmë në kohën e pluralizmit bëhen streha shpirtërore e T. Lubonjës. Vetëm artistët, miqtë e tij të dikurshëm artistë, Todi Lubonja nuk i fal. E pra, ai dikur nën diktaturë kishte qenë një korb i bardhë, tani në liri bën mbrapsht e kthehet në kopenë e tij. Kjo metamorfozë është ende e dhimbshme për mikun e dikurshëm, për tetëdhjetëvjeçarin e sotëm, për M. Luarasin. Në librin e tij pohohet se kështu, me këtë transformim, Todi Lubonja hedh poshtë pjesën më të mirë të jetës së tij.
Në shtjellim të kësaj ideje M. Luarasi sjell fakte deri dhe hollësi se dikur në rrethe miqësore T. Lubonja fliste kundër E. Hoxhës, se ai ka mbrojtur artistë, si V. Furxhi, kur gabonin rëndë, se me ndihmën direkte të T. Lubonjës janë ngritur në skenë dy nga spektaklet më të famshme të atyre viteve, të shfaqjes së dramës “Njollat e murrme” (1969) nga Teatri i Korçës dhe të Festivalit të Njëmbëdhjetë në RTVSH, 1972. Në këtë vazhdë, diskursi polemist i librit këmbehet me shfletime të kujtesës së Luarasit, me digresione të cilat të çojnë në thelb të ngjarjeve, te ngjizja e atyre shfaqjeve teatrore dhe e spektakleve që në vitet e diktaturës ishin shprehje e lirisë, e forcës krijuese, e guximit të artistëve që ndiznin pishtarin e dritës në terrin e diktaturës. Shumë ujë ka rrjedhur që prej atëherë dhe shumë baltë hodhi diktatura mbi artistët e atyre viteve. E vërteta është që edhe më pas mendimi kritik nuk u ndal në vlerësimin profesional të atyre ngjarjeve të  bujshme si spektakli i dramës “Njollat e murrme”, spektakli i Festivalit të Njëmbëdhjetë në Radio Televizionin Shqiptar etj.
Në këtë libër jepet një prerje e hollë e klimës krijuese të kohës dhe e profilit artistik e human të njerëzve që guxuan dhe sfiduan dogmën e realizmit socialist. Dhe kjo qe një vazhdë krijuese. Dhe kjo ndodhi se në vitet ’70 prurjet në talente dhe në pjekuri profesionale krijuese në Tiranë qenë të afta për të ndërmarrë jo akte sfiduese formale, por se artistët e ndienin veten në nivelin më të mirë botëror të artit. Jo më kot, rreth 25 vjet më pas, drama “Njollat e murrme” u inskenua nga një teatër francez.Janë të dhimbshme faktet se si diktatura i poshtëronte dhe i shpërfytyronte këto talente, i detyronte të pohonin publikisht në mbledhje linçuese të kundërtën e asaj që kishin shprehur pak ditë më parë, pra të mohonin dhe të kërkonin ndjesë për atë që realisht ndienin e mendonin. Pas gjithë këtij kursi të dhunës psikologjike, ku artistët viheshin kundra vetes e kundra njëri-tjetrit, do të vinin dhe prangat e burgut. Eliminimi nga jeta artistike i më të mirëve. Libri “Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë” në këtë mënyrë bëhet një dëshmi për dhunën, për vrasjen e artistit dhe të lirisë krijuese. Dëshmi e sjellë nga njëri prej atyre artistëve që në vitet ’70 ishte në apogjeun e arritjeve historike të artit skenik shqiptar.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)