Posteri i ekspozitës “Tirana Akt” me vizatime dhe skica të realizuara gjatë kursit të vizatimit në Tirana Ekspres
Ato kanë ardhur që nga Gjermania për të pozuar nudo në Shqipëri. Nuk bëhet fjalë për ndonjë set fotografik “të nxehtë” (si përdoret rëndom kohëve të fundit për fotografitë e VIP-ave në plazh), por për një pozim përpara të rinjve të pasionuar pas pikturës. Maria dhe Lejla, dy vajza nga Berlini, janë vetofruar në këtë projekt të titulluar “Tirana Akt”, jo vetëm për t’u dhënë të rinjve mundësinë të hidhnin mbi letër format trupore femërore, por edhe për të hapur diskutimin mbi seksualitetin dhe mbi të qenët “komod” me trupin tonë. Projekti është zhvilluar për disa ditë me radhë në ambientet e qendrës alternative kulturore “Tirana Ekspres”, e cila prej kohësh është kthyer në qendër, ku gjejnë veten të gjithë trendet dhe lëvizjet e reja kulturore në Shqipëri. Punët e realizuara gjatë këtyre ditëve do të ekspozohen në ekspozitën “Tirana Akt”, në ambientet e Tirana Ekspres, më datë 25 korrik2013
Mbi seksualitetin
Një nga vajzat gjermane duke pozuar nudo për të rinjtë shqiptarë në Tirana Ekspres
Një nga streset më të mëdha të kohës sonë është të mos ndjerit rehat me trupin tonë. Dikush ka ca kile më shumë, dikush nuk ka forma të bukura, nuk ka “abdominalet” si kurriz breshke, nuk ka këmbët e gjata e pa celulit… të gjitha këto shkaktojnë pakënaqësi, stres, inferioritet, orë të tëra palestër, para të hedhura për dieta… Aq më dramatike bëhet situata kur dikush ndien se ka lindur brenda trupit të “gabuar”, se do të donte të kishte lindur me seksin e kundërt… Maria dhe Lejla, dy berlinezet e ardhura në Tiranë, na tregojnë se nuk ka asgjë që nuk shkon me trupin tonë dhe se sa e rëndësishme është ta duam atë ashtu siç është. Këtë e kanë bërë përmes pozimit nudo. Një pozimi të çlirët, pavarësisht formave të ngjallura apo preferencave seksuale. Sipas tyre, arti është një formë për t’u shprehur lirshëm për trupin dhe seksualitetin. Përmes trupit mund të thyhesh tabutë dhe të mund të flasësh për ato tema, që deri më tani janë quajtur “të turpshme” apo “të sikletshme”. Gjithashtu ato kanë dashur të prekin edhe tema më delikate të konceptit të qenies seksuale, si minoritetet seksuale, pra personat e komunitetit LGBT. Prandaj grupi i pjesëmarrësve ka qenë miks, duke u treguar të hapur për të pasqyruar të gjithë diapazonin e seksualitetit njerëzor. U përkisnin kryesisht moshave të reja. Mbi dhjetëra vizatime e skica janë hedhur mbi letër, duke u nisur nga trupat e Marias dhe Lejlës, por edhe modelëve meshkuj, që kanë pranuar të pozojnë gjithashtu, gjatë këtyre ditëve. Në çdo orë vizatimi merrnin pjesë rreth 5-8 veta, gjatë ditëve e hënë, e mërkurë, e diel, kryesisht gjatë orëve të mbrëmjes nga Lejla dhe Maria. Kohëzgjatja e kursit ishte nga 2 në 4 orë. Pjesëmarrësit jo detyrimisht duhet të ndiqnin një shkollë arti apo të kishin një formim artistik të thelluar.
Gjatë kursit të vizatimit të organizuar nga Maria dhe Lejla, dy vajzat e ardhura nga Berlini, për projektin “Tirana Akt”