2013-07-22

Duke kërkuar Kafkën dhe Kamynë


Tituj të munguar dhe kultura e fast-librit. Tregu i librit në Shqipëri vuan nga mbidoza e librave që vlejnë sa për të shtyrë një ditë plazhi nën çadër. Por, nuk është e drejtë që lexuesi i kultivuar të privohet nga kryevepra botërore, të cilat nuk mund të kenë të njëjtin sukses në shitje

Çudia që do të pasojë këto radhë ka ndodhur në Tiranë: Në një nga libraritë e kryeqytetit, një studente pyet librashitësen nëse në raftet e “pasura” me botime të reja, ndodhej edhe libri “Metamorfoza” e Kafkës. Shitësja e habitur nga kërkesa e vajzës, do të përgjigjej shpejt e shpejt plot mospërfillje: “Metamorfoza e Kafkës? Më vjen keq, por nuk kemi libra mjekësorë”. Fjalë të tilla do të skandalizonin cilindo që është dashamirës i librave, e aq më tepër atë që emrin e njeriut që hodhi bazat e absurdit dhe ekzistencializmit në letërsinë botërore, Franc Kafkën, e ka lëçitur herë pas here. Por, ja që kjo ndodhi e cila mund t’ju tingëllojë si anekdotë (absurde, apo jo?!) është e vërtetë.

Një nga novelat më të njohura të shkrimtarit më të madh çek, u ngatërrua me një libër mjekësor nga një librashitëse shqiptare. Ndoshta, në këtë mesele ka ndikuar ndopak edhe vetë gjuha shqipe dhe kuptimi i çuditshëm që emri Kafka merr pas shqiptimit. Sidoqoftë, përtej çdo të qeshure sado të vogël që të fal kjo ngjarje, është për të ardhur keq se sa pak njihen në Shqipëri disa autorë me vlera të jashtëzakonshme në letërsinë botërore, sa pak lexohen ata, dhe sa shumë dyshime mbi vlerën e vërtetë të lexuesit shqiptar mund të hidhen sot, kur në vendin tonë mbizotërojnë botimet e bestseller-ave të llojit Dan Braun apo Daniel Still.

Gjithkush mund ta ketë të vështirë të marrë përsipër të bëjë një kritikë të pamëshirshme ndaj këtij zhanri të letërsisë, përderisa këto vepra kanë shitur dhe vazhdojnë të shesin me miliona kopje në mbarë botën. Por, me siguri ai “dikushi” ndihet i dëshpëruar me sa pak tituj dhe emra me vlerë shkrimtarësh na furnizojnë aktualisht shtëpitë botuese shqiptare. Pra, se sa pak zgjedhje u ofrohen adhuruesve të Kafkës, Alber Kamysë apo Samuel Beketit, në një kohë kur stendat e librarive më të mëdha të Tiranës sa s’plasin nga librat “limonadë” (siç i etiketonte dikur një profesor letërsie, Dan Braunin me shokë).

Ndikimi i tyre është i jashtëzakonshëm sepse mund të bredhësh të gjitha libraritë e mundshme të kryeqytetit në kërkim të romanit “Amerika” të Kafkës, një tjetër kryevepër e papërfunduar e shpikësit të absurdit (e cilësuar shpeshherë edhe vepra më e mirë e tij), pa arritur ta gjejnë kurrkund atë. Madje, nuk çuditesh as atëherë kur ndonjë librashitës ngre supet duke t’u kthyer thartë pyetjes me pyetje: “Je i sigurt se ekziston një roman i tillë?”. Ndonjë mund të pyesë me të drejtë nëse “Amerika” është përkthyer ose jo në shqip. Në fakt, është përkthyer dhe është botuar që në vitet e largëta 1993-94; kohë kur shqiptarët ishin ende të etur për të njohur botën e jashtme, atë për të cilën kishin humbur kontaktet prej 50 vitesh, nëpërmjet letërsisë. Fatmirësisht, kopjet e vetme të këtij romani të dalë nga qarkullimi prej vitesh dhe që askush nuk kujtohet ta ribotojë (sepse sot nuk të lë as Dan Braun dhe as Daniel Still të botosh), gjenden në të bekuarën Bibliotekë Kombëtare, i vetmi qoshk ku lexuesi i vërtetë mund të gjejë shpëtim në kësi rastesh. Por, ndodh edhe që poezitë e Artur Rëmbosë (poet bashkëkohës me Pol Verlenin) të mos i gjesh asgjëkundi, duke hedhur dyshime nëse vargjet dehëse të tij të jenë përkthyer ndonjëherë në shqip.

Në Shqipërinë e absurdeve, të njëjtin fat me Kafkën ka pësuar edhe “ndjekësi” më besnik i tij, Alber Kamy. Jo më larg se nëntori i vitit të kaluar, romani çmim Nobel i vitit 1957, “I huaji”, ishte vështirë të gjendej nëpër librari sepse shtëpitë botuese e kishin futur në proces ribotimi, pas kërkesës së lartë të lexuesve. Por, kjo vëmendje është më e përciptë sa i takon romanit tjetër të Kamysë, “Murtaja” (botimi i parë në shqip në vitin 1994), i cili edhe pse i vlerësuar si vepra më e mirë e shkrimtarit francez nga kritika botërore, nuk gjendet asgjëkundi në tregun e librave. Dhe të mos njohësh këto romane të dy prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit XX-të është si të mos njohësh “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë apo “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo” të Dritëro Agollit (të krahasuar për popullaritetin që ata kanë në Shqipëri si shkrimtarë bashkëkohorë).

Pavarësisht nga numri i madh i titujve të rinj që shtëpitë botuese sjellin për lexuesin shqiptar, titujt e librave “shterpë” janë kaq të shumtë në krahasim me vlerat e vërteta të letërsisë, si shqiptare ashtu edhe botërore, saqë këto të fundit nuk arrijnë të marrin frymë dhe gjithnjë e më shumë duken sikur mungojnë nëpër librari. Madje, në panairin e fundit të librit të mbajtur në Tiranë, shikoje (e dëgjoje) çudi të tilla kur shtëpi të veçanta botuese reklamonin me të madhe libra të llojit: “Kush e sundon botën”, të mbushur me fantazira frenetike, apo titujt e “limonadave” të Nikolas Sparksit, ndërkohë që ti mund të vije vërdallë si nëpër rrathë, për orë të tëra, vetëm për të pikasur emrin e atij autori të zgjedhur që ke në mendje të blesh kësaj here. Këtu citohen vetëm dy shembuj, që mund të jenë edhe më të veçantët në tregun e botimeve shqiptare, por është e qartë se me një vëzhgim sipërfaqësor në këtë çështje do të gjeje me dhjetra shembuj të tjerë autorësh që nuk ribotohen për arsye të ndryshme.

Tregu i librit në Shqipëri vuan nga mbidoza e librave që vlejnë sa për të shtyrë një ditë plazhi në det. Është e pranueshme se romanet që i destinohen masës lexuese janë edhe më të “suksesshëm” në shitje pikërisht për të njëjtën arsye dhe kuptohet përse shtëpitë botuese u kushtojnë një rëndësi “të veçantë” këtyre botimeve. Fitimi i shpejtë nga shitja e librave të tillë është më tundues se sa ribotimi i një romani, i cili do të shiste jo më shumë se pesëqind kopje sepse i drejtohet një lexuesi më të përcaktuar dhe që tenton të thithë vlerë nga letërsia e vërtetë. Ama, nuk është kurrsesi e drejtë që ky lexues i kultivuar të privohet nga kryevepra botërore, të cilat nuk mund të kenë të njëjtin sukses në shitje, dhe rrjedhimisht nuk mund të sjellin fitimin e dëshiruar nga shtëpitë botuese, por ama mbartin vlera letrare e krijuese të jashtëzakonshme dhe të pakrahasueshme me asnjë përsiatje të llojit “Djalli vishet me Prada”. Në morinë e “limonadave” që na ofrojnë libraritë tona, nuk të vjen aspak mirë nëse përballesh me supet e ngritura të botuesve që nuk dinë ç’të thonë për Kafkën apo Kamynë, por kanë kaq shumë për të thënë për Braun, Sparks apo Harold Robins. Edhe më e rëndë është pse një “bestseller” shqiptar i shkruar keq në celular ribotohet katër herë brenda tre muajve, kurse “Murtaja” apo ndonjë roman tjetër universal nuk e sheh dritën e ribotimit prej 15 vitesh. Nëse kjo është gjendja e librit në Shqipëri, atëherë nuk kemi pse të çuditemi kur dëgjojmë shprehje të tilla si: “Pse, a lexojmë ende ne shqiptarët?”.

Përpara viteve ’90, botimi i titujve të rinj ishte shumë herë më i kultivuar dhe i kontrolluar, jo vetëm për nga mesazhi që këto libra transmetonin për lexuesin (pra, duhet të ishin në përputhje me parimet e realizmit socialist), por edhe për nga cilësia dhe vlera që kishin. Ndonëse censura ishte mjaft e rreptë dhe e pamëshirshme, shtëpitë botuese të asaj periudhe tregoheshin më të kujdesshme në hedhjen në treg të titujve, në mënyrë që të baraspeshonin edhe autorët dhe zhanret e ndryshme të letërsisë. Pas vitit ’90, hapja e Shqipërisë ndikoi në njohjen e lexuesit tonë edhe me ata autorë të mëdhenj botërorë, të cilët nuk botoheshin për shkak të censurës së regjimit. Mirëpo, në vend që ai boshllëk i mbledhur ndër vite për vlerat e vërteta të letërsisë të mbushej me titujt e rinj të botimeve të ndaluara në periudhën e diktaturës, ndodhi krejt e kundërta. Pas një fillimi të mirë me nxjerrjen në treg të disa autorëve tepër të vyer, botuesit shqiptarë u bënë kopje të këqia të shtëpive botuese kudo në botë që kuptuan se më e leverdisshme ishte të botoje bestseller-at “shterpë” që blihen nga masa e lexuesve, se sa t’i kushtoje rëndësi baraspeshimit të tregut të librave, në mënyrë që gjithsecili të gjente atë që kërkonte.

Kjo është ajo çfarë duhet të bëjnë sot shtëpitë tona botuese. Në një treg ku “limonadat” shiten dhe sjellin përfitime të mëdha, duhet që të vihet dorë për të rregulluar disi atë që është prishur në 20 vjet: Baraspeshimin. Nuk është e vështirë dhe nuk kushton asgjë që në dhjetë romane të llojit Dan Braun dhe Daniel Still, këta botues të shtonin edhe një emër të madh të letërsisë botërore. Në këtë mënyrë, të gjithë do të mbeteshin të kënaqur dhe Kafka apo Kamy (dhe cilido tjetër që mbart vlera në letërsi) nuk do të shkeleshin me këmbë.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...