Libri monografik, “Bardhësitë e Atdheut” me autor reporterin dhe veteranin e UÇK-së, Afrim Mustafa tashmë ka marrë jehonën dhe është bërë i kërkuar, jo vetëm në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë Lindore, Mal të Zi, por edhe në vende të ndryshme të botës, kudo ku veprojnë, punojnë dhe jetojnë shqiptarët. Ky është një Libër- Enciklopedi, nga i cili duhet të nxjerrim shumë porosi prej tij”, ka theksuar për mediat e ndryshme elektronike dhe të shkruara njëri nga anëtarët e ekipit këshillëdhënës dhe njëri nga redaktorët e këtij botimi të veçantë, akademik Esat Stavileci
Fitim GASHI
Për here të parë monografia gjithëpërfshirëse me 2200 dëshmorët e luftërave të UÇK-së doli në mars të vitit 2008, me rastin e përvjetorit të rënies së kryekomandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe 52 familjarëve të tij. Autori i librit, Afrim Mustafa nuk e fsheh dot krenarinë dhe respektin që ka, i cili ka shkruar dhe botuar dokumentin e pare dhe të vetmin, në trojet shqiptare dhe në botë me përfshirje të të gjithë dëshmorëve të të tri luftërave heroike e çlirimtare, në Kosovë ( UÇK) në Kosovën Lindore ( UÇPMB ) dhe në Maqedoni- UÇK- Kombëtare. Mustafa, tregon me nder dhe krenari për fillimin e krijimit të këtij botimi enciklopedik, të cilin e ka nisur qysh në frontet e luftës, ku ai ishte reporter i drejtpërdrejtë nga disa vatra dhe vendbanime të Kosovës. Fillimisht, Mustafa rrëfen me modesti për raportet e tij të drejtpërdrejta nga lufta e lavdishme e UÇK-së në Drenicë, përkatësisht nga Prelloci, Likoshani, Qirezi, Gllanasella, Likoci, Dobrosheci e vise të tjera drenicare, ku Mustafa kishte shkuar ndër të parët nga maji i vitit 1998 dhe kishte raportuar për Radiotelevizionin Shqiptar të Tiranës- TVSH, Radio Tiranën, por edhe për media të tjera të huaja, si Dojçe Wele etj.
Në Drenicë ai përmend bashkëpunimin me komandantin e tij, njëri nga themeltarët e të lavdishmes, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Jakup Nura, aktualisht epror i Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe bashkëpunimin me Beqir Mehën nga Prekazi, tash dëshmor i kombit, mjekun e luftës, Naim Bardiqi, veprimtarin Behram Hoti, Fitim Sishani, Skënder Gjeli etj. Ndërkaq, në Zonën Operative të Nerodimes, ka raportuar nga veprimtaria luftarake me komandant Bardhin- Qamil Ilazi, i cili ishte komandant i Brigadës 162, “ Agim Bajrami” të UÇK-së. Në rrugëtimin e librit, “ Bardhësitë e Atdheut”, kjo monografi ka përjetuar katër ribotime dhe katër promovime gjatë katër vjetëve të prezantimit për opinionin e gjerë publik. Enciklopedia është promovuar, për here të pare në Ferizaj më 12 qershor 2009, organizuar dhe realizuar nga komuna e Ferizajt dhe kryetari i saj, Bajrush Xhemaili në bashkëpunim me Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së në nivel të Republikës së Kosovës.
Këtu kanë referuar Xhavit Jashari, kryetar i SHFDUÇK-së të Kosovës, gjeneralmajor Shukri Buja, i cili është redaktor i Librit dhe folës të tjerë. Ndërkaq, kjo dritare e luftërave të UÇK-së për herën e dytë është promovuar në Strugë, më 10 gusht 2010 nën patronazhin e kryetarit të këtij qyteti Ramiz Merko, bashkë me Forumin e Intelektualëve Shqiptarë të këtij vendi buzë liqenit. Promovimi it retë është organizuar dhe realizuar më 28 maj 2011 në Ferizaj nga Universiteti i këtij qyteti,” Humanistika”, ku për “ Bardhësitë e Atdheut” kanë referuar: Gafurr Bytyçi ( SHFDUÇK), dr. Ismail Hasani, rektor i Universitetit “ Humanistika”, komandantët, Abdyl Bajrami- Rremi e Ismail Selmani- Mala, gazetari Cenë Pushkolli, i biri i komandant Bardhit, Besim Ilazi. Promovimi i radhës i Librit të autorit, Afrim Mustafa u mbajt në Shkup, organizuar nga Televizioni i këtij qyteti të lashtë, “ TV ERA” dhe emisioni konaku. Ky emision, udhëhequr nga moderatori i vyeshëm, Fadil Zeqiri u shfaq në nëntor të vitit 2011 dhe kishte arritur shikueshmëri shumë të lartë, gjatë prezantimit të enciklopedisë, “ Bardhësitë e Atdheut”. Kishte pasur shumë thirrje nga shikues të shumtë, jo vetëm nga Shkupi, Kosova e Maqedonia, por edhe nga jashtë, si nga SHBA, Gjermania, Italia e vende të tjera ku depërton Televizioni ERA. Sipas autorit të librit, Afrim Mustafa, monografia, “ Bardhësitë e Atdheut” tashmë ka filluar të përkthehet edhe në anglisht, ndërsa më vonë edhe në gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht, arabisht dhe në gjuhë të tjera të botës. Autori thekson se, përkthimi i librit nëpër gjuhë të ndryshme të botës është edhe një sukses dhe arritje e madhe për gjithë Kosovën dhe Shqiptarinë, e posaçërisht për vlerat e larta të lavdishme dhe historike të tri lavdive, të cilat përherë i kanë sjellë liri dhe do t’i sjellin krenari të gjithë shqiptarëve, kudo në trojet shqiptare dhe në botë.
Ndërkaq, asistenti i autorit, Bashkim Xhokli, duke treguar për rrugëtimin katërvjeçar të monografisë, “ Bardhësitë e Atdheut”, ka falënderuar veçmas mediat elektronike dhe ato të shkruara në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, e kudo tjetër për korrektësinë dhe për prezantimin dinjitoz të librit gjithëpërfshirës me 2200 dëshmorët e kombit, “ Bardhësitë e Atdheut” të autorit, reporterit të luftës, Afrim Mustafa. Kryerecensent i enciklopedisë “ Bardhësitë e Atdheut” të Afrim Mustafa është, njëri nga themeltarët e të lavdishmes, Ushtria Çlirimtare e Kosovës , dr. Jakup Krasniqi, aktualisht kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kryeredaktor i Librit është gjeneralmajori i UÇK-së, Shukri Buja. Ndërkaq, redaktorë recensues dhe redaktorë këshillëdhënës, janë: Akademik Esat Stavileci, Elmi Reçica, Dr. Don Lush Gjergji, gjeneral Kudusi Lama, dr. Sabri Kiçmari, Mr. Shemsi Syla, ndërkaq redaktor letrar i librit, është gazetari, Fitim A. Gashi. Promovimi i radhës i enciklopedisë “ Bardhësitë e Atdheut” do të mbahet në javët në vijim, në Stamboll dhe Bursa të Turqisë, ku kjo vepër gjithëprezantuese do të përkthehet edhe në gjuhën turke.