2013-07-22

Letërsia franceze, nga kolosët e realizmit social tek gjenitë e rebelimit ndaj çdo tradite shkrimore

Nga Hyqmet Hasko


Fillimet e letërsisë franceze nisin që me origjinën e saj, aty nga Mesjeta, kur frëngjishtja, e cila nuk ishte ende një gjuhë e mirëfilltë, e plotësuar dhe funksionale, por ishte e ndarë në disa dialekte (kryesisht: veriore dhe jugore) u kristalizua në një gjuhë të standardeve letrare.Parakësaj, secili shkrimtar përdorte gramatikën dhe drejtshkrimin e vet, madje për më tepër mjaft tekste mesjetare franceze nuk janë të nënshkruara- siç është rasti me veprat Tristan dhe Iseult.
Fillimet e frëngjishtes letrare
Një pjesë e konsiderueshme e letërsisë mesjetare franceze u frymëza nga sagat popullore të hershme të këtij populli me një fantazi të pasur, që ushqyen rrënjët e pemës vigane që do të lindte mbi një truall të begatë shpirtëror, të një letërsie të madhe.
Shumë shkrime të shkruara e botuara në Mesjetën e hershme kishin karakter anonim, duke u vetidentifikuar me muzën popullore dhe shpirtin etnopsikik të popullit francez.
Një ndër shkrimtarët e parë, më të rëndësishëm është pa dyshim François Rabelais, i cili vuri gurë themeli në frëngjishten moderne, e cila për t’u pasuruar dhe për t’u bërë një gjuhë e mirëfilltë e shkrimit estetik, mori shumë elemente nga stili dhe përvoja e tij shkrimore. Vepra e tij më e shquar, e cila do të bënte jehonë ndër bashkëkohësit dhe me të cilën do të merrej për një kohë të gjatë kritika dhe studimet e mirëfillta, është sigurisht “Gargantua and Pantagruel”.
Mbi këtë përvojë, pra në këtë shteg tashmë të hapur, do të shkelte i famshmi Jean de La Fontaine (La Fonten), fabulat e të cilit, një sërë rrëfimesh mbresëlënëse dhe plot mesazhe filozofiko-etike, janë një koleksion i tregimeve të shkurtra, të shkruara në vargje dhe që, zakonisht, përfundojnë me një “mesazh moral”.
Miti dhe historia e transfiguruar në mesazhe estetike
Shekulli XVII erdhi si një stinë e gjatë dhe e begatë për tokën letrare franceze, ku hodhën farën e tyre poetike dhe estetike shkrimtarë që do të identifikonin veten me vetë shpirtin francez, me mrekullitë e asaj pasurie brilante veprash dhe peizazhesh njerëzore, që do të përcillnin në aventurën e tyre shkrimore. Këto shkrimtarë, me një stil të thellë dinamik dhe impresionues, do të përcillnin mitin dhe historinë e transfiguruar të popullit francez, ndodhitë më të bujshme, legjendat kalorsiake etj.
Pra, gjatë shekullit XVII, shkrimet e Pierre Corneille, Jean Rasine dhe Moliere u bënë një shkollë e hapur jo vetëm franceze, por dhe europiane, ku rrëfimi, poetika dhe dramatika plekseshin me moralin dhe filozofinë e mbijetesës universale.
Librat moral dhe filozofikë të Blaise Pascal dhe Rene Descartes ndikuan thellë në shtresat aristokratike të shoqërisë, duke lënë trashëgimi të rëndësishme për autorët e dekadave që pasuan.
Por është ende shpejt dhe nuk janë shfaqur kolosët e vërtetë, ata që do të bënin epokë dhe do të ndërtonin një themel të fortë e të palëkundur për ngrehinën vigane të letrave franceze. Kjo letërsi e arrin kulmin e saj në shekujt XVII dhe XIX, ku do të dilnin në skenë shkrimtarë me tipologjinë e gjenive të universit.
Shekulli XVIII do të vinte në Francë dhe në Europë me shkrimet dhe krijimtarinë brilante të shkrimtarëve, eseistëve dhe moralistëve të mëdhenj si Volteri, Dideroi, dhe Zhan Zhak Rusoi, një përzierje talentesh të forta dhe idealistësh e utopistësh politikë, por që i vunë emrin e tyre epokës kur u shfaqën në Francë e më gjerë.
“Ndriçimi”, emra dhe vepra
Iluminizmi shoqëror, kulturologjik dhe letrar ka përshkuar faqet e tij më të ndritura në Francë, nga ku do të shpërndahej në të gjithë Europën, duke lënë shenja në arte, poezi, romane, duke lënë gjurmët e mendimin të tij dhe politiko-shoqëror në analet e kohës.
Iluminizmi (ndriçimi) ishte një lëvizje e borgjezisë evropiane në periudhën e përgatitjes dhe të kryerjes së revolucioneve të shek. XVIII-XIX, ai drejtohej kundër rendit feudal dhe kulturës së tij, kundër obskurantizmit mesjetar e të gjitha formave të ideologjisë së prapambetur dhe përpiqej për përhapjen e arsimit e të diturisë. Jehona e këtij iluminizmi të vendeve evropiane, ashtu si ajo e ideve të mëdha të Revolucionit francez të 1789-ës dhe të revolucioneve të 1848-s që tronditën Evropën, u ndie edhe në Shqipërinë e atëhershme, u pasqyrua në ideologjinë dhe në programin e Rilindjes Shqiptare.
Shumë nga udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (në mënyrë të veçantë ideologët e Rilindjes) ishin frymëzuar nga këto ide përparimtare të revolucioneve evropiane dhe patën nxjerrë mësime prej tyre. Të panumërt ishin gjithashtu shqiptarët, madje edhe disa nga rilindësit e njohur, që kishin marrë pjesë në revolucionet kombëtare të shteteve fqinje, në ato grek, rumun e serb, si edhe në revolucionet e vendeve të Evropës. Këta u bënë të ndërgjegjshëm se idetë e këtyre revolucioneve duhej të përhapeshin e të përqafoheshin edhe nga shqiptarët.
Iluminizmi francez ishte vatra e këtij graviteti të fortë të ndriçimit e përparimit, me anë të shkrimtarëve dhe artistëve më në zë, që u bënë shkolla e lirisë dhe e risive, duke rrezatuar me transhendencën e tyre gjithë botën e ndikuar nga kultura, letërsia dhe idetë iluministe franceze.
Mite romantiko-realiste franceze dhe universale
Babai i Romantizmit europian është francezi i shquar Vikor Hygo, një mendje e ndritur, një shkrimtar brilant me një transhendencë universale të pashoqe në historinë e letrave franceze, europiane e botërore. Në 1827-ën, Hygoi shkruan dramën historike për teatrin Kromuell, që u konsiderua si manifestimi i teorive të reja romantike, që përfshinë Francën dhe gjithë vendet e kontinentit të vjetër.
Me frymëzim humanitar dhe diapazon mesazhesh të gjëra e të thella universale ishin veprat “Mendimet” (1856) dhe “Legjenda e shekujve”, ku Hygo përshkoi historinë e njerëzimit nga Gjeneza në shekullin XIX, vepër që u publiku në tre pjesë : pjesa e parë në 1859, e dyta në 1877 dhe e treta në 1883. Shkroi në të njëjtën periudhë veprat e tij më të njohura që do përçonin famën e tij në të gjithë Europen si “Te mjerët” (1862), “Punëtoret e detit” (1866), dhe “Njeriu që qesh” (1863).që mund të konsiderohen tre saga mahnitëse dhe unike për fatin e njeriut në kohëra udhëkryqesh shoqërore dhe historike.
Shekulli XIX, shekulli i realizmit të thellë social, solli dhe shkrimtarë të tjerë, që ia hoqën disi shkëlqimin tisit të praruar hygoian dhe u zhytën në bunacat e një realizmi gri, duke krijuar një letërsi përtej dimensioneve të së zakonshmes, si Honore De Balzak, Stendal etj.
Balzaku i bëri një autopsi shoqërisë së kohës së tij, duke nxjerrë në pah veset e ulëta të shtresave më të pasura të shoqërisë, si dyfytyrësinë, kopracinë, makutërinë, grykësinë, dashurinë e lidhur me botën e interesit material. Pra, një kompleks cenesh dhe paranojash njerëzore, që tregonin kalbësinë nga brenda dhe shterpësinë klithëse të këtyre shtresave të shoqërisë së kohës.
Në 1834-ën, Balzaku pati idenë që të shkrinte të gjitha krijimet e tij në një vepër të vetme monumentale, një afresk i vërtete mbi shoqërinë francezë të asaj kohe nga perandoria e parë deri në monarkinë e Korrikut, kështu publikoi të famshmen “Komedia njerëzore”. Fillimisht, vepra duhet të përmbante 150 romanca të ndara në tre vija kryesore: Studim zakonesh, Studim filozofik e Studime analitike. Grupi i parë përbehej nga vepra të përfunduara prej kohësh dhe ishte i ndare në 6 skena të cilat përfaqësonin jetën: private, të provincës, atë parisiene, politike, ushtarake dhe të fshatit. Romancat duhet të përmbanin rreth 2000 personazhe, sepse dëshira e tij ishte të krijonte një rrjet ngatërresash midis vëllimeve të ndryshme. Vetëm 2/3 e projektit u realizua. Episodet më të famshme janë: Xha Gorio (1834-35), Evgjeni Grande (1833), Kushërira Beta (1846), Iluzione të humbura (1837-1843).
Përfaqësuesi më i madh i realizmit në Evropën perëndimore. Balzaku dominon gjithë shekullin e XIX, si gazetar, industrialist i munguar, krijues i afërsisht njëqind romaneve në 20 vjet, figurë brilante e një shoqërie së cilës ai përfundon duke iu imponuar me artin e tij madhështor dhe të paimitueshëm.
Por, në qoftë se Balzaku shpallte dy të vërtetat e tij, fronin dhe altarin, Hygo dallonte tek ai një shkrimtar revolucionar; ndërsa bashkëkohësit e tij e merrnin për realist, Bodler e përshëndet si një vizionar të mrekullueshëm. Vepra e tij përshkohet nga tensione dinamike dhe kritike, që janë aktuale edhe sot, pas kaq kohësh. Është ky kompleksitet i pabesueshëm që e bën Komedinë hyjnore një vepër madhore me përmasa botërore.
Stendal grisi perçen e ftohtë që ndante sallonet e aristokracisë franceze të kohës nga shtresat e “vulgut” social dhe tregoi përçudnimin e aristokracisë dhe të fisnikërisë, imoralitetin, korrupsionin moral dhe etik, boshësinë dhe idiotësinë. Tek romani i mrekullueshëm: “E kuqja dhe e zeza” përcjell zvetënimin e kësaj aristokracie, boshin kumbues të atyre që bënin një jetë përrallore, mes qejfesh dhe origjinash, por që kishin një shpirt të tharë dhe të molepsur nga kotësia e ligësia.
Ndërkohë tek “Lulet e të keqes” poeti mahnitës Sharl Bodder do të bënte një udhëtim të thellë në galerinë e vesit njerëzor, duke përcjellë një kompleks rëniesh dhe degradimesh të natyrës njerëzore, luftën mes unit dhe jashtësisë, etj.
Drejt shkallmimit të traditës
Por një brez tjetër dhe një kohë tjetër po trokiste në Francë dhe në Europë, duke i shkallmuar të gjitha ngrehinat e traditës si kudo edhe në art e në letërsi, ku zëra të rinj po vinin nga “hiçi”, duke tundur në dorë erashkat e një lavdie të premtuar. Një djalosh gjashtëmbëdhjetëvjeçar, që kishte ikur nga shtëpia e prindërve dhe kishte ardhur në Paris dhe që shkruante ndryshe të gjitha gjitha rregullave të deriatëhershme të poezisë, deklaronte se poezia franceze kishte vdekur, se ajo që kanë shkruar bashkëkombësit e tij më të mëdhenj deri atëherë nuk ishte poezi, por marrëzi.
Djaloshi quhej Artur Rembo, mik i një tjetri poet të fuqishëm, Pol Verlen dhe në poezinë e tij prish çdo lidhje logjike tradicionale, shkatërron kategoritë (të kohës dhe hapësirës, të shkakut dhe të efektit) që për shekuj kishin vënë rregull në poezi. Fjala, tashmë, nuk është më vetëm një mjet komunikimi, por ajo ka detyrën që të ndjellë një botë krejtësisht tjetër, fantastike.
“Një periudhë në ferr” (1873) është një lloj ditari autobiografik i Rembosë, i shkruar në një atmosferë demoniake, në të cilën momentet kryesore të jetës: fëmijëria, urrejtje-dashuria për nënën, vetmia, degradimi social, transfigurohen nëpër simbolizmi të magjisë, të urrejtjes, të parandjenjës.
Tek “Ndriçimet”, shkruar më 1874 e të publikuara më pas nga Vërlen, poeti përpiqet të bëjë të mundur “përmbysjen e senseve” nëpërmjet përbërjesh të shkurtra poetike, në të cilat shpërfaqen halucinacione, impresione të rrufeshme, tentativa për pasqyrime të reja. Shfaqet një model i ri poeti, poeti-depërtues, që i kundërvihet modelit të poetit civil, poetit-shkrimtar; poeti-depërtues i nëpërkëmb institucionet, vlerat dhe moralin e deriatëhershëm, hidhet i tëri në krahët rregullsisë më të çmendur të ndjenjave.
Artur Rembo hap një shteg të ri, të panjohur deri atëhere në poezinë franceze dhe europiane e për këtë, pavarësisht fatit të tij të keq, depresionit dhe rënies fzike e shpirtërore, derisa vdiq në një moshë fare të re, do të kishte dhjetëra pauses, poetë të cilët rrekeshin ta çlironin poezinë nga të gjitha angazhimet dhe kufizimet, duke bërë që ajo të shkonte drejt postmodernizmit dhe kërkimeve të reja në formë dhe në përmbajtje.
Në prozë konturet i thyen Marsel Prusti, Franc Kafka dhe Albert Kamy, tre romancierë dhe artistë që krijuan një art të ri rrëfimi dhe një laborator të ri për analizën e tablove, mjediseve dhe karaktereve njerëzore.
Kafka tek “Procesi”, “Metamorfoza”, “Kështjella”, në formën e romanit, por dhe nga tregimet e tij të shkurtra si “Një Leksion Akademik”, “Populli i Minjve”, “Barbarët”, etj, përcjell të vërteta tronditëse të realitetit bashkëkohor, me njeriun e thjeshtë brenda dhe sistemet që ndryshojnë dhe e shikojnë ketë të fundit si një pengesë apo një të mirë për to.
Kafka parapëlqen një të vërtetë të skajshme ku sheqerosjet artistike nuk janë me vlere në veprën e tij. Personazhi përgjithësisht është njeriu i rendomë, jo heroi që bën diferencën. Kafka injoron pa e marrë fare parasysh esencën romantike të letërsisë dhe hidhet i teri në kërkim të shpëtimit universal të cilin e shpreh në kredon e tij estetike dhe etike e filozofike: “Vetëm kur shkrimtari rastësinë mund ta kthejë në ligj dhe ta bëj njeriun të pavdekshëm, vetëm atëherë ai ka një rol në art dhe vetëm atëherë roli i tij është profetik”.
Kamy e thellon këtë prirje demistifikuese në analiza më të imëta të rrethanave të fatit njerëzor, duke depërtuar në labirintet e psikologjisë njerëzore dhe të strukturave të ligjit e të së drejtës, me anë të personazheve që gjenden gjithmonë në udhëkryq, si tek romani i pakrahasueshëm dhe novator, që çeli shtigje në prozën euopiane “I huaj”.
Një sërë shkrimtarësh francezë, të zhgënjyer e të deziluzionuar nga paranojat tragjike dhe fatale të Luftës së Dytë Botërore, mbi rendin demokratik dhe liritë e të drejtat njerëzore të qytetarëve të thjeshtë, u bënë kriterzerë estetikë të makinës së luftës, të makinacioneve të lutës, të prapaskenave dhe mizantropive politike dhe trusteve të përgjakura financiare, që ushqen babëzia, si preludi i krimit kolektiv dhe luftërave të përbotshme, me pasoja shkatërrimtare mbi qytetërimin botëror,
Sot në Francë shkruhet një letërsi e zhanreve dhe gjinive të larmishme, e shkollave të ndryshme, që lidhen qoftë me traditën, qoftë me thyerjet e saj, duke pasur si pika referimi kolosët e realizmit social dhe ata të postmodernizmit e simbolizmit, të cilët ngritën themele të forta në letrat franceze, duke i bërë ata të qëndrojnë denjësisht krahas tyre dhe madje t’iu paraprijnë në risi letrave të vendeve të tjera të Europës Perëndimore.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...