2013-07-22

Një personazh i vlerësuar maksimalisht nga lexuesit e veprës së tij dhe kritika


Gjergj Vlashi, poligloti durrsak, një emër i gdhendur në artin spanjoll

Një personazh i vlerësuar maksimalisht nga lexuesit e veprës së tij dhe kritika

ARTUR AJAZI

Dramaturgu, regjizori dhe përkthyesi durrsak, i njohur edhe si “babai i humorit” tashmë ka zënë një vend të veçantë edhe në sfondin e artit dhe kulturës spanjolle. Kjo pasi Vlashi, falë përkthimeve të tij nga spanjishtja, njihet gjërësisht atje, dhe jo vetëm kaq, por me botimet e tij ai ka tashmë konturin e tij në fushën e përkthimeve nga autorët e njohur të fushës së artit dhe kulturës në Spanjë.

Kush është Gjergj Vlashi…

Megjithëse 78 vjeç, Gjergj Vlashi vazhdon të krijojë e të përkthejë nga letërsia botërore. Romani i tij “I ngujuari dhe hija” ka gjetur vlerësime maksimale tek lexuesit e kritika. Romani prek problemin e madh të gjakmarrjes në zonën veriore të vendit tonë. Ndërkohë që në duar ka të tjera punë po në gjininë e prozës.

Të flasësh për poliglotin e regjisorin Vlashi dhe të shkruash disa rreshta për të është vërtetë pak. Gjergj Vlashi është autori i 300 tregimeve dhe i 16 romaneve. Ndërkohë, në karrierën tij të gjatë si regjisor i trupës profesioniste të qytetit të Durrësit, ka vënë në skenë 100 variete. Ai pohon se pas daljes në pension ka më tepër kohë të lirë që të merret me letërsi. “Në vitet `90 dola në pension dhe, pasi lashë skenën, iu kushtova krejtësisht letërsisë. Gjatë kësaj periudhe kam botuar romanet ‘Damian P’, ‘Njeriu i netëve të vjeshtës’, ‘Udhëtimi yt u mbyll me klithma’ dhe ‘I ngujuari dhe hija’ “,- thotë Vlashi. Ngjarjet e veçanta dhe problemet në kohë të ndryshme e kanë shtyrë shkrimtarin që t’i hedhë përjetimet e tij në letër. “Njeriu i netëve të vjeshtës” është bazuar në një ngjarje të rrallë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është një copë histori e qytetit të Durrësit, ndoshta unikale në historinë e kësaj lufte. Të trembur nga ndonjë zbarkim i anglo-amerikanëve në brigjet e Durrësit, ushtria gjermane minoi të gjithë bregdetin dhe banorët i evakuoi në drejtim të Tiranës e të Kavajës. Këtë operacion minimi gjermanët e quajtën me emrin e koduar “Shëtitje në port”. Kjo ndodhi në muajin tetor 1943 dhe në qytet mbeti vetëm një njeri. Ai e përjetoi këtë fakt të rrallë historik. Për shkrimtarin, i cili njihet edhe si “babai” i varietesë shqiptare, nuk ka asgjë të veçantë binomi i shkrimtarit dhe regjisorit. “Në vendin tonë, të ishe profesionist i lirë ishte privilegj i një pakice artistësh, kështu që unë pas punës gjeja kohë edhe të shkruaja. Ndërsa raportin ndërmjet shkrimtarit dhe regjisorit unë ia le për vlerësim lexuesit”, thotë ai. Fillimet e punës si drejtues i grupeve artistike amatore i shoqëroi me hartimin e libreteve dhe regjisurën. Po kështu, Vlashi drejtonte po vetë edhe anën muzikore të shfaqjeve. Në vitin 1961, së bashku me aktorët Spiro Strati, Ramazan Njala, Enver Likmeta, Aishe Stari e të tjerë krijoi Teatrin e Estradës profesioniste të qytetit të Durrësit. Për 30 vjet me këtë trupë ai krijoi humor dhe një galeri tipash e prototipash, që ende vazhdojnë të jenë prezent si personazhe barcaletash.

Përkthimet

Gjergj Vlashi karrierën artistike e ka nisur me përkthime nga letërsia botërore. Njohës i gjuhëve ruse, gjermane, spanjolle, portugeze, italiane dhe frënge, ai ka sjellë për lexuesin vepra të korifejve të letërsisë botërore. Ai kujton përkthimin e parë: “Isha 15 vjeç kur përktheva tregimin ‘Rrëfimet e një gruaje’, të shkrimatrit francez Gi de Mopasan. Ky tregim u botua në gazetën “Bashkimi i Kombit” në muajt e parë të vitit 1944, ndërsa përkthimi i fundit është një antologji e tregimit hispano-amerikan të shekullit XX, botuar nga shtëpia botuese “Dudaj”. Gjatë punës si përkthyes, por edhe si lexues, Gjergj Vlashi kishte për zemër shkrimtarin çek Franc Kafka, i shpallur autor i ndaluar në kohën e diktaturës. Dëshira e tij ishte ta sillte në shqip këtë autor. Ky pasion u bë realitet në fillim të viteve ’90. “Nxora nga raftet e librave 2 novelat e Kafkës, “Metamorfoza” dhe “Në koloninë ndëshkimore”, të shkruara nga autori në gjuhën gjermane. Pasi i përktheva, kryredaktori i atëhershëm i revistës “Bota Letrare” u tregua i gatshëm e i botoi të dyja në një nga numrat e asaj reviste. Ky ishte botimi i parë i Kafkës në gjuhën shqipe (përveç një tregimi të botuar në gazetën ‘Drita’ të përkthyer nga Ardian Klosi)”, kujton përkthyesi. Më pas u botua një përmbledhje me tregime të Kafkës, e titulluar “Në portat e ligjit”. E po kështu doli në shqip kryevepra e Kafkës “Procesi”, i cili është cilësuar si kryevepra e tij. Ai u pasua edhe me dy përkthime të tjera të këtij autori, të cilat përbëjnë të gjithë novelistikën e shkrimtarit çifut çek. Lista e përkthimeve të Gjergjit vazhdoi me autorin italian Dino Buxati dhe me autorë të tjerë të mëdhenj të prozës botërore, si Hose Saramago apo Gabriel Garcia Markez. Madje, ai kujton se është takuar me kolosët e letërsisë botërore: Hose Saramago, Paulo Coelho e Hose Camilo Sela. Vepra e Gjergj Vlashit i ka kaluar edhe kufijtë e vendit. Kështu, vitin e kaluar mikrokomedia e tij “Xhaketa” përfaqësoi vendin tonë në edicionin e 12-të të Festivalit të prozës, muzikës, koreografisë, poezisë, artit viziv dhe teatrit për vendet e Evropës Qendrore, e cila u zhvillua në Cividale (Itali). Ndërsa në Festivalin e 12 të Teatrit Eksperimental në Kajro, Vlashi u thirr për të referuar kumtesën “Efektet e metodave të vënies në skenë të dhe prirjet e reja në shfaqjet teatrale të shekullit të njëzetë.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...