“Luftëtarë malësorë, të cilët zbritën në Tiranë, për të mbrotjur qeverinë gjatë kohës që aty ishte Elez Jusufi. Në këtë grup janë bashkuar burra nga 7 fise, të dallueshëm nga modeli i potureve”. Kjo është përmbajtja e një fotografie me autore shkrimtaren amerikane Rose Wilder Lane, e cila gjatë viteve të 20-ta shekullit të kaluar udhëtoi disa herë nëpër hapësirat shqiptare, të cilave ajo, sipas albanologu Robert Elsie, u kushtoi edhe një libër.
Asokohe ajo ishte një shkrimtare best-seller dhe gazetarja më e paguar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mund të ishte kënaqur me të ardhurat që nxirrte nga librat apo tregimet që botonte nëpër gazeta, por duket se rehatia nuk bënte për Rose Wilder Lane (1886-1968). Tashmë Amerika nuk e “nxinte” më dhe nisi të kërkojë hapësira të tjera. Autorja e “Little House on the Prairie” dhe gazetarja e San Francisco Bulletin filloi punë për Kryqin e Kuq dhe Ndihmë për Lindjen e Afërt (American Red Cross and Near East Relief). Europa dhe Lindja e Afërt kishin boll materiale për të. E vendosur në zyrën e Kryqit të Kuq në Paris, udhëtoi në Itali, Greqi, Jugosllavi dhe Rose Wilder Lane
Shqipëri. Duket se asgjë nuk do ta mahniste më shumë shkrimtaren e re, e cila jo vetëm do të udhëtonte nëpër Shqipëri, do të takonte personalitete të kohës, por edhe do të shkruante një libër, me titullin “Majat e Shalës”. Nuk i mjaftoi vetëm një rrugëtim nëpër Shqipëri. Ajo u kthye sërish për të mbledhur materiale, për të bërë fotografi, madje edhe për të jetuar përgjithmonë në Shqipëri (çka nuk iu realizua për arsye familjare). E palumtur nga martesa e saj, e dërrmuar nga vdekja e të birit dhe nën depresionin që e çoi në tentativë vetëvrasjeje, Lane e shihte Shqipërinë si vendin ideal për të jetuar. Këto ditë, siç shkruan Panorama, albanologu Robert Elsie ka publikuar në faqen e tij on line disa fotografi të rralla të realizuara nga shkrimtarja amerikane gjatë vizitave në Shqipëri, gjatë viteve ’20.
Fotografitë
Një koleksion jo shumë i madh fotografik, por me një vlerë të jashtëzakonshme dokumentare, historike, por pa dyshim edhe artistike. Gjatë njërit prej rrugëtimit të saj në Shqipëri, ajo shoqërohej nga fotografja Annette Marquis, e cila ka realizuar fotografitë e publikuara nga Elsie. Përmes aparatit të saj fotografik vijnë portretet e burrave të ashpër të veriut, banditëve me mjekra të gjata dhe flokë pakrehur, burra të kuruar të jugut, me fustanella, ura, xhami, fshatare që udhëtojnë kilometra që me natë për të shkuar në treg e për të shitur bulmet. Një pamje e rrallë vjen nga qendra e Tiranës. Pikërisht përpara xhamisë së Et’hem Beut, veç imazheve të zakonshme të fshatarëve të ngarkuar që kanë zbritur në qytet dhe burrave që rrinë te muri i xhamisë dhe që sipas Rose Wilder Lane “bisedojnë për politikë gjithë ditën”, duket edhe një zonjë (apo zonjushë) që ecën përpara xhamisë, e veshur “alla franga” dhe e pambuluar, e cila duket sikur sfidon gratë e ngarkuara që kalojnë pranë saj. Si një shkrimtare e zonja, Lane është kujdesur që fotografitë t’i shoqërojë edhe me diçitura të gjata shpjeguese, ku rrëfehet jo vetëm vendi se ku janë realizuar këto fotografi, por në disa raste edhe me historitë e personazheve, që ajo ka fotografuar.
Udhëtimet në Shqipëri
Sipas albanologut Robert Elsie, shkrimtarja amerikane ishte në një kamp refugjatësh në Shkodër, kur vetëm pak ditë para largimit, një veprimtare tjetër e Kryqit të Kuq Amerikan, Frances Hardy, e bindi të shkonte me të në një ekspeditë në malet e veriut të Shqipërisë, në një udhëtim për të ngritur shkolla. E shoqëruar nga Hardy, Margaret Alexander dhe Rexh Meta, një refugjat dymbëdhjetëvjeçar nga Kosova, i cili kishte humbur prindërit dhe kishte përfunduar në një kamp refugjatësh në Shkodër, ajo nisi rrugëtimin e saj në Shqipëri. Me grupin e udhëtarëve ishte edhe Rrok Perolli, punonjës i Ministrisë së Brendshme, si përkthyes. Një vit më parë, ai kishte qenë i burgosur në Serbi dhe ishte dënuar me vdekje. Ai u arratis dhe arriti të kalonte kufirin për në Shqipëri. Prej këtij udhëtimi ajo shkroi librin “Peaks of Shala, Being a Record of Certain Wanderings among the Hill-tribes of Albania” (Majat e Shalës: përshkrim i disa rrugëve mes fiseve të malësisë së Shqipërisë), Londër 1922. Në vitin 1926, pesë vjet pas udhëtimit të saj në Dukagjin, Lane u kthye në Shqipëri me mikeshën e saj, Helen Dore Boylston dhe me shërbëtoren e tyre franceze, Ivon, me qëllim që të ndërtonin një shtëpi dhe të jetonin përgjithmonë këtu.
Rrëfimi i udhëtimit të tyre me një makinë të tipit Model T Ford, që i dhanë emrin Zenobia, nga Parisi në Tiranë u botua nga William Holtz në librin e tij të botuar në vitin 1983. Për fat të keq, një vit e gjysmë më vonë, ajo u detyrua të kthehej në Amerikë për arsye familjare dhe, pas kësaj, kriza ekonomike e vitit 1929 shkatërroi përfundimisht shpresën e saj për të jetuar në Shqipërinë që donte kaq shumë. Lane vdiq në vitin 1968 në moshën 81-vjeçare, një ditë para nisjes së saj në një udhëtim rreth botës.