2013-07-25

LUBONJA E BENI NUK JANË PROBLEM


 Nga Berat Buzhala


Unë nuk pajtohem - as në kuptimin penal të fjalës - me konstatimet e ngushta dhe rigjide të Lubonjes dhe Benit (Arben Idrizit) kur lehtësisht dikë e klasifikojnë kriminel dhe vrasës. Mirëpo para së gjithash nuk pajtohem me ata politikanë ordinerë, mediokër, që këtyre të dyve provojnë t'ua mbyllin gojën. Më shumë se sa për këta lloj politikanësh, shoqëria shqiptare ka nevojë për njerëz si Lubonja e Beni.

Po më çudit dhe po me trishton tej mase dëshira e partive politike për t’i mbyllur të gjitha gojët e atyre njerëzve që mendojnë ndryshe, qoftë edhe nëse mendojnë në mënyrën më bizare dhe më perverse të mundshme.

Me lejoni që paraprakisht të them se e konsideroj shumë të vështirë që me një fjali të vetme a me një kolumne të vetme; a qoftë edhe një intervistë a një libër të tërë, ta shpallë dikë kriminel a vrasës. Për ta shpallur dikë vrasës e kriminel mandatin e ka vetëm gjykata. Se këndejmi, dëshiroj të them se edhe Lubonja, e edhe Ben Idrizi janë nxituar me aktgjykimet e tyre, të bëra fet e fet.

Mirëpo, po me neveritin reagimet e bëra, edhe nga zyrtarët e partisë time, që po provojnë t’ia mbyllin gojën Lubonjes, fillimisht, e po besoj tash edhe Benit. Sipas cilës të drejt një politikan e llogarit veten kompetent - siç bën Memli dhe Vlora - që të reagojnë ndaj një gazetari të një shteti tjetër?

Përndryshe - mbahuni fort - unë personalisht mendoj se Lubonja dhe Idrizi janë dy personalitete të jashtëzakonshme morale të shoqërisë shqiptare - andej e këndej kufirit. Mos ma keqpërdorni këtë simpati, sepse nëse unë i çmoj lart assesi nuk do të thotë që unë pajtohem me secilin konstatim të tyre. Siç mund të mos pajtohem me konstatimet e këtyre të dyve në këto dy ditët e fundit. Por as Lubonja, e as Idrizi, sipas njohurive të mija, asnjëherë nuk kanë pretenduar që po flasin në emrin e ndonjë grupi, a në emër të ndonjë krahine, a në emër të një elektorati. Ata të dy po flasin pos në emrin e tyre personal. Pikë.

Nëse qenka kështu, pse atëherë dikush të provojë që t'i frikësojë mendimet individuale, sa do të gabuara që janë ato? Pse duhet Lubonja që të frikësohet të jap një mendim të lirë, qoftë ai edhe djallëzor? Po e përsëris, as Lubonja e as Beni, as nuk kanë qenë e as nuk janë përdorues të fondeve publike, paras publike, buxhetit të shtetit, në mënyrë që më pas dronë se çka po flasin. O shqiptarë, rreziku i shoqërisë tonë nuk vjen prej mendimeve ndryshe, por prej mendimeve të njëjta. O shqiptarë, rreziku i shoqërisë tonë nuk vjen prej gazetarëve e prej analistëve, e as prej NGO've, por prej subjekteve politike, prej partive politike, prej udhëheqësve politikë. Pra, o shqiptarë, kuptojeni se njerëzit kanë të drejt të mendojnë në mënyrë të pavarur. Kanë drejt gjithashtu të mendojnë gabimisht. Kanë të drejt mos ta cmojnë luftën, as komandantët, e asnjë vlerë që ty të duket tepër e shenjtë.

Ndonëse nuk pajtohem me konstatimet e ngushta dhe rigjide të Lubonjës dhe Benit kur lehtësisht dikë e klasifikojnë kriminel dhe vrasës, prapë se prapë unë rreshtohem në taborin e tyre nëse do të më kërkohej që të rreshtohesha. Me tërë qenien time unë i urrej fundamentalistët. I urrej ata që provojnë t'i mbyllin mendimet ndryshe, sado ekstreme. Kurse shoqëria jonë më shumë se sa për politikanë ordinerë ka nevojë për njerëz të guximshëm si Lubonja dhe Beni, që kohë pas kohë e shkundin skenën. Të jeni të bindur se në Kosovë ka boll njerëz që Ramushin, Lulin, Laten, Dautin, Ademin etj., etj., i konsiderojnë si heronj. Si Zotër. Është për të mirën tonë, e edhe për të mirën e tyre, që dikush të guxojë t'i quaj edhe me cilësime tjera.

Me fjale të tjera, mesazhi im, në dy tri fjalë do të ishte se Lubonja e Beni, sipas standardeve të mija, janë as me pak e as më shumë pos barometër i demokracisë dhe zhvillimit tonë. Këta të dy dhe shume pak të tjerë, sipas njohurive që kam unë, janë prej pak shpirtrave shqiptare që kane jetuar dhe po jetojnë veç me punën e gishtave të dorës. Por jo me gishtat që vrasin, por me gishtat që shkruajnë. Këta të dy pra janë testi i shoqërive tona.

Unë nuk do të doja të jetoja në një shtet ku nuk ekziston Lubonja dhe Beni...


Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...