Fotografja amerikane Elizabeth M. Claffey
“Ju lumshin duart”, ekspozita e hapur në galerinë “Zeta”
Kudo që shkonte dhe bënte fotografi, i kërkonin një kopje. Kur e shihnin dhe u pëlqente, i thoshin “Ju lumshin duart!”. Përgjatë një viti qëndrimi në Shqipëri, fotografja amerikane Elizabeth M. Claffey ka marrë kaq shumë urime e falënderime të tilla, saqë vendosi ta quante ekspozitën e radhës, pikërisht “Të lumshin duart”. Meqë në anglisht një shprehje e tillë nuk ekziston, ajo e ka përkthyer atë “Blessed are Your Hands” (Bekuar qofshin duart tuaja!). Kjo është ekspozita e dytë brenda një kohe shumë të shkurtër, që Claffey hap në Tiranë. Pas një performance të veçantë në galerinë “Miza”, ku fokusi i saj ishte drejtuar te spitalet, e nxitur nga një eksperiencë personale, fotografja amerikane hap një tjetër ekspozitë në ambientet e galerisë “Zeta”. Nuk është e rastit që Claffey, ashtu si edhe shumë kolegë të saj, të huaj, të vendosen kryesisht në kontekstin social. Jo se në vendet nga vijnë ata nuk ka probleme, por në një vend të vogël si Shqipëria, dendësia e tyre është aq e madhe, saqë nuk mund t’i shmangen, aq më tepër që ende vazhdon të gjallojë te të huaj mendimi mbi “ekzotizmin shqiptar”. E megjithatë, nuk mungon edhe një dozë poetike në fotografitë e saj.
Përmes fotografive të Elizabeth M. Claffey ke mundësi të udhëtosh nëpër Shqipëri, të takosh njerëz, të zbulosh peizazhe, të kërkosh të bukurën edhe tek e shëmtuara apo edhe në vendet më prozaike, përmes raporte ngjyrash. Për të i rëndësishëm është komunikimi dhe këtë e sheh te kalimi dorë më dorë i një sapuni, te një gjest dashamirësie, te radhët e gjata për të parë shpatën e Skënderbeut, një pjatë me pilaf, një peshkatar që hedh një rrjetë në breg… Fotografitë e kësaj ekspozite janë shkëputur nga cikle të ndryshme fotografike realizuar përgjatë një viti. Përpos projektit të saj mbi spitalet dhe pacientët, të realizuar në Amerikë, ajo një gjë të tillë e ka bërë edhe në Shqipëri, por është fokusuar në veçanti në Spitalin Obstetriko-Gjinekologjik, në repartin e fëmijëve të braktisur
E keni quajtur ekspozitën tuaj “Ju lumshin duart!”, ç’do të thotë kjo për ju?
Kur e kam dëgjuar për herë të parë më ka pëlqyer shumë, pasi ne nuk e kemi një shprehje të tillë në anglisht. Dhe, në këtë rast, është si një lloj “shlyerjeje”. Është një lloj falënderimi për të gjithë ata njerëz me të cilët kam punuar dhe më kanë hapur dyert. Një lloj bekimi…
Fotografitë tuaja vendosen në një kontekst të fortë social, pse keni zgjedhur këtë aspekt, ndërkohë që Shqipëria ka edhe shumë gjëra të bukura për të fotografuar?
Unë nuk jam një fotografe peizazhi. Njoh shumë fotografë të mirë në këtë fushë, kam parë punë të realizuara në Shqipëri, të cilat kapin bukurinë e natyrës. Ndërsa qëllimi i punës sime është lidhja me njerëzit. Interesi im më i madh kur erdha këtu, ishte pikërisht të takoja njerëz, të dëgjoja historitë e tyre, të krijoja historinë time. Komunikimin e shoh si një pjesë shumë të rëndësishme të jetës. Është një lloj shkëmbimi energjish. Ndaj dhe unë bëj fotografi dhe kjo vjen natyrshëm tek unë.
Te fushat tuaja të interesit futen edhe spitalet, ç’ju lidh me to, ndonjë histori personale?
Katër vjet më parë, ime më u diagnostikua me kancer në pankreas, kështu që m’u dha mundësia t’i njoh këto ambiente. Përgjatë këtyre viteve kam dokumentuar historitë e grave që ishin të sëmura me kancer në gjoks. Kam takuar dy gra, të cilat më kanë ndryshuar jetën dhe këndvështrimin tim për të ardhmen. Jam e interesuar për ambientet spitalore e në veçanti për njerëzit që punojnë atje, që ndihmojnë njëri-tjetrin. Mendoj se spitalet janë vende të komplikuara, vulnerabël, por në të njëjtën kohë janë edhe vende mbështetjeje dhe shprese…
Eksperienca juaj nuk mbetet vetëm në Amerikë, ju keni vizituar edhe spitalet shqiptare gjithashtu…
Kur kam ardhur për herë të parë në Shqipëri isha vullnetare pranë OSAB (Organizata për mbështetjen e fëmijëve të braktisur) dhe kam punuar në maternitet. Gratë që punonin atje, më kanë mirëpritur. Jam frymëzuar prej tyre, kam realizuar edhe fotografi.
Ato kujdeseshin për fëmijët me shumë dashuri dhe marrëdhënia që ato krijonin ishte shumë e ngushtë, dinamike. Ku ka shpresë, ka edhe trishtim. Por ato gra ishin të forta dhe përballeshin çdo ditë me sfida. Kjo nuk është e thjeshtë. Dhe unë këtë dua të pasqyroj. Unë mund të realizoj miliona fotografi, por ajo çka unë shpresoj është të krijoj një lidhje, komunikim, për të kapur fuqinë e shpirtit njerëzor.
Ka një histori që ju ka prekur më së shumti?
O Zot, kam kaq shumë histori prekëse, por mendoj se eksperienca pranë OSAB, duke qenë edhe me shtrirje më të gjatë, ka qenë më e rëndësishmja për mua. Ishte shumë frymëzuese të punoje mes atyre grave dhe atyre fëmijëve të brishtë…
Ç’keni zbuluar diçka të veçantë gjatë qëndrimit në vendin tonë?
Interesi im më i madh është të gjej të përbashkëtat mes njerëzve. Sigurisht që popuj të ndryshëm kanë kultura të ndryshme, tradita, rite, gjuhë të ndryshme, njerëzit nuk janë njëlloj dhe kjo është e sigurt, por ajo që unë përpiqem të them, është sa shumë gjëra na bashkojnë. Nuk kam qenë më përpara këtu dhe, kur erdha, pashë shumë ndryshime nga vendi ku jam rritur dhe kam jetuar për shumë vite, por jam mahnitur se sa shumë gjëra të përbashkëta kanë me njëri-tjetrin qeniet njerëzore. Të gjithë duan një jetë të mirë, të ndihmojnë familjen, të bëjnë përpara…