2013-07-22

Unë kisha frikë t'i tregoja se kam një djalë dhe e gënjeva - i tashë se kam pesë vajza.

Kriminelët - ata e kanë vendin në Hagë


ME RRITJEN E TENSIONEVE, Milosheviqi kishte dërguar më shumë forca ushtarake dhe policore në Kosovë, duke sulmuar rajonet ku vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe vendet që ata konsideronin si të rrezikshme. Shumica e luftëtarëve të rekrutuar nga Milosheviqi në të kaluarën e tyre kishin betejat që kishin zhvilluar në dy luftërat e mëparshme, në Kroaci dhe Bosnjë. Kosova ishte ajo e treta dhe e vërteta, në nuk do të konsideronim luftë konfliktin e shkurtër me Slloveninë. Mirëpo, serbët nuk kishin luftuar vetëm kundër atyre që i quanin "terroristë të organizatës së vetëquajtur UÇK", por edhe kundër civilëve të paarmatosur dhe të pambrojtur. Për këtë janë vërtetuar dhe tashmë dëshmojnë edhe të gjithë hetuesit ndërkombëtarë që kanë punuar dhe punojnë në Kosovë. Ata janë të bindur se skuadronet serbe të vdekjes kanë vrarë dhe masakruar civilë që nuk kanë pasur kurrëfarë lidhjesh dhe UÇK-në.

Jon Cina, një analist që punon në kuadër të "Grupit Ndërkombëtar të Krizës" (ICG) - organizatë joqeveritare që mbledh shënime për krimet e luftës të kryera në Kosovë - pohon se sulmet serbe janë rritur pambarimisht shumë në krahasim me brutalitetin që kishin demonstruar në përleshjet e mëhershme më UÇK-në, në vitin 1997.

"Në qoftë se do ta krahasonit këtë me një pemë, fillimisht ata kishin dashur të krastitnin degët dhe pastaj kishin vendosur ta prenin edhe trungun", shprehet ai. "Dhe fare në fund, ata kishin vendosur që të gropojnë edhe në tokë, sheshazi me qëllimin e heqjes qafe të pemës, por që në të njëjtën kohë do të shkaktonte edhe një ferr të madh me dëmet kolaterale, siç dëshirojnë ata ta quajnë këtë".

Gjer më këtë ditë, udhëheqësia serbe dhe shumica e qytetarëve të tyre mohojnë faktin se policia dhe armata ka kryer krime në Kosovë. Ata vazhdojnë të insistojnë se lufta ka qenë një përpjekje legjitime për të thyer guerilët kundërqeveritarë, duke margjinalizuar storiet e krimeve si propagandë e NATO-s dhe UÇK-së, që bëhet me qëllimin e ekzagjerimit të "eksceseve që kanë kryer disa njësite keqbërëse".

Dennis Milner, njëri nga hetuesit kryesor në Kosovë nga Tribunali i Hagës, hedh poshtë vështrimin zyrtar të Serbisë mbi luftën.

"Pse i quajnë elemente keqbërëse?", shtron pyetjen ai. "Apo ndoshta flasin për gjithë trupat (armatën) si një element keqbërës? A është ndonjëri nga gjeneralët e tyre element keqbërës? Kjo kundërshton çdo logjikë".

Hetuesit për të drejtat e njeriut theksojnë se masakrat e sojit të asaj çfarë ka ndodhur në Qyshk dhe dy fshatrat e afërta - në të cilat forcat serbe kanë vrarë civilë të paarmatosur që nuk kishin bërë asfarë rezistence - janë shembuj të qartë për krime të luftës. Po, është e ditur se Qyshku është vendlindja e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çekut, dhe se babai i tij është vrarë në Qyshk, më 14 maj, por disa luftëtarë serbë spikasin se ky nuk kishte qenë qëllimi kryesor i sulmit.

"Nuk ka ndonjë gjë që do të dëshmonte se Qyshku ka pasur ndonjë aktivitet të UÇK-së ose diçka të ngjashme", thotë Fred Abrahams. "Të gjithë fshatarët tregojnë se edhe pse ka pasur disa pjesëtarë nga fshati që iu kanë bashkangjitur UÇK-së për të luftuar në rajone të tjera, Qyshku gjatë gjithë luftës kishte qenë një vend i qetë".

PSE QYSHKU?

Çelësi duket se fshihet prapa identitetit të kriminelëve dhe veçanërisht prapa komandantit me nofkën Burdush. Nëpërmjet tyre mund të jetë e mundshme të mësohet kush ka planifikuar këtë operacion, dhe ç'është më e rëndësishme, pse? Asnjëri nga të mbijetuarit në Qyshk nuk dinte emrin e vërtetë të Burdushit. Por, Lulja, femra të cilën ai e kishte kërcënuar me përdhunim, thotë se askush në Qyshk nuk do të mund ta harrojë fytyrën e tij, siç nuk do të mund të harrojnë krimet që ai ka kryer.

"A i shihni këto duar?", pyet Lulja duke u rrëqethur dhe treguar duart e saja. "Me këto dy duar unë kam mbledhur eshtrat e dajëve të mi, kushërinjve dhe babait tim. Atë që kishte mbetur nga babi im, e gjeta fare në fund, por jo tërë kufomën. Vetëm disa pjesë nga trupi i tij. Nuk kam gjetur këmbët e tij ose kokën. Vetëm brinjët kam gjetur. Dhe me këto duar e kam kallur në dhe. Kurse këta serbët, këta që e kanë vrarë, ata i kanë duart e zhytura me gjak. Ata e kanë vendin në Hagë".



Zbulimi i personave pjesëmarrës në masakër


NUK ËSHTË SHUMË E ZAKONSHME të zbulohen emrat dhe fytyrat e personave që kryejnë krime gjatë kohës së luftërave. Është akoma më e pazakonshme të dëgjosh ata që kanë kryer këto krime duke rrëfyer për bëmat e tyre, përveç në rast të kapjes dhe gjykimit në gjykatore. Përgjatë dhjetë vjetëve me luftëra në ish-Jugosllavi, ka pasur një tabu virtuale për ushtarët për të folur fshehurazi rreth vrasjeve, pa marrë parasysh në kanë qenë viktimat trupa të armikut ose vetëm civilë të thjeshtë. Kjo më tepër vlen për luftëtarët serbë, të cilët shpesh veten e vëjnë në rrafshin e viktimës, në këtë mënyrë duke justifikuar aksionet e tyre kriminale si një mbrojtje kolektive të popullit.

"American Radio Works" ia ka dalur të sigurojë disa fotografi të luftëtarëve serbë, të cilat ata i kishin lënë prapa, pasi që kishin ikur nga Kosova. Në disa prej tyre tregohen militarët, duke pozuar sikur të ndodheshin në ndonjë mbledhi gjahtarësh, duke buzëqeshur mistershëm dhe duke mbajtur në dorë flamuj shqiptarë. Kur ia treguam fshatarëve këto fotografi, një njeri tjetër doli të ketë qenë së bashku me Burdushin.

Një grua shqiptare, e quajtur Albana, tregon me gisht njeriun që tregohet në fotografi, duke pohuar se ai kishte qenë në Qyshk, i veshur me uniformë të plotë ushtarake. Njeriu, për të cilin flitet, është shumë lehtë të njihet në fotografi, për shkak të njërit sy të tij gjysmë të mbyllur. Albana tregon se emri i tij është Zvonimir Cvetkoviq - Zvonko.

"E kam parë fytyrën e Zvonkos", thotë ajo duke kthyer kujtimet e 14 majit. "Kjo ka ndodhur vetëm për disa çaste. Pastaj, në sytë tanë ata morën meshkujt tanë dhe filluan të djegin shtëpitë".

Albana rrëfen se si ajo ishte rritur së bashku me Cvetkoviqin në një mëhallë në Pejë, ku ajo kishte kaluar fëmijërinë. Sipas saj, Zvonkoja kishte qenë në fshat edhe dy herë të tjera, bashkë me militarët e tjerë që kishin bastisur fshatin. "Ai më njohu mua dhe më pyeti se çfarë po bëja unë aty. Unë iu përgjigja 'Unë jetoj këtu tash'. Ai më pyeti se sa fëmijë kam. Unë kisha frikë t'i tregoja se kam një djalë dhe e gënjeva - i tashë se kam pesë vajza. pastaj, ai më pyeti në ka pasur UÇK në fshat. Unë i tashë se jo".

Dy fshatarë të tjerë kanë identifikuar Zvonko Cvetkoviq, duke thënë se ai kishte qenë në Qyshk, i veshur me uniformë ushtrie. Ata e kishin njohur Cvetkoviqin që më parë, ngase ai kishte punuar si inspektor i automjeteve, në ndërmarrjen "Pe-trans" në Pejë, ku shqiptarët thonë se ai e kishte keqpërdorur këtë vend të punës, duke marrë mito.

Për të gjetur diçka më shumë, ne shkuam në objektin e "Pe-transit", i cili në muajt pas luftës ishte lënë shkretë, ku kishte punuar dikur Cvetokoviqi. Në kabinetin ku janë mbajtur dosjet, ende kishin mbetur shumë shënime. Këtu gjetëm dosjen personale të Zvonimir Cvetkoviqit. Në këto dokumente shënohej se ai kishte lindur më 1953, kishte mbaruar të katër klasët e shkollës së mesme me notë përafërsisht mesatare 2.1 dhe se kishte një sy gjysmë të mbyllur, si pasojë e një aksidenti trafiku. Më tutje u gjetën edhe dokumentet që tregonin se ai kishte abuzuar me disa fonde të kompanisë. Por, me gjithë korruptimin e qartë të Cvetkoviqit, nuk ka ndonjë dëshmi që tregon se ai ka qenë ndonjë komandant ushtarak ose rezervist policie.

Në këtë mënyrë ne kishim vendosur t'i binin në gjurmë Zvonko Cvetkoviqit.

Shumë serbë që kanë braktisur Kosovën, gjatë bombardimeve të NATO-s dhe pas hyrjes së trupave paqeruajtëse në vend, kanë gjetur strehim në Mal të Zi, republikën "jugosllave" që ndodhet vetëm rreth një orë ngasje me veturë nga Qyshku. Pas disa javësh të gjurmimit të vendndodhjes së Cvetkoviqit, ia dolëm që të zbulojmë se ku fshihej ky kriminel i dyshuar. Ai ndodhej në Mal të Zi, në një qytezë që shtrihet vetëm 40 kilometra larg Kosovës. Na ishte thënë se jetonte në një vend të zymtë dhe të varfër, në Andrijevicë, një vend i njohur për mbështetjen e fuqishme për diktatorin serb, Slobodan Milosheviq.

Ne shkuam të paparalajmëruar në një bllok të shtëpive, me rroba që thaheshin nëpër litarë dhe me dru të prerë të renditur pranë mureve të shtëpive. Iu kishim qasur me një çik pasiguri vendit ku do të duhej gjetur njeriun që kërkonim. Në vazhdën e përpjekjeve për të kapur serbët e armatosur që shikoheshin si kërcënim për udhëheqësinë e republikës që mëton ta paraqesë veten si e moderuar, pak ditë para se të shkonim atje, policia malazeze kishte bastisur disa shtëpi në Andrijevicë, ku kishte konfiskuar pushkë automatike dhe granata.

Ndër shtëpiat e bastisura kishte qenë edhe ajo e Zvonimir Cvetkoviqit.



Kush është Zvonimir Cvetkoviq - Zvonko


PESË OSE GJASHTË SERBË ishin mbledhur rreth zjarrit në oborrin e shtëpisë ku jetonte tash i dyshuari për krime lufte, Zvonimir Cvetkoviq - Zvonko, duke ngritur dolli me gotat e vogla të mbushura me raki kumbullash dhe duke mbrehur thikat e tyre vezulluese. Ata po përgatiteshin ta prenin një derr shumë të madh. Me një shtytje të përnjëhershme ata kthejnë bishën në krah, secili prej tyre duke mbajtur nga një këmbë të tij. I pesti, ndalet për një çast mbi kokën e madhe të derrit dhe, me një lëvizje të beftë dhe të shpejtë të thikës, e pren derrin në fyt. Një curril i ku gjaku del nga gërrmazi i prerë i bishës, teksa bën përpëlitjet e fundit në jetë.

Brenda shtëpisë së vogël, përfundimisht del përpara Zvonimir Cvetkoviqi. Në dhomën ku rrinte së bashku me të shoqen, vajzat dhe balldëzat, Zvonkoja na ofron kafe dhe pranon që të flasë.

Ai është një mezoburrë 46 vjeç, me flokë të dendura që kanë filluar të thinjen dhe me njërin sy gjysmë të mbyllur, i cili i kishte mbetur në kujtesë fshatarëve të llahtarisur. Cvetokoviqi ishte mësuar të refuzonte ato që kishte parë të botoheshin në gazetat lokale në Mal të Zi - si dhe në Internet - sipas të cilave ai kishte qenë i lidhur me krimet që ishin kryer në Qyshk.

"Gjithë ajo për të cilën unë kam qenë i interesuar të bëj ka qenë që të shkoj në punë herët në mëngjes dhe të kthehem në shtëpi pasdite", thotë ai. "Kurrë nuk kam qenë në Qyshk. Kurrë nuk kam kryer shërbimin ushtarak dhe kurrë nuk kam mbajtur revole në dorë".

Me të shpjeguar se disa njerëz kishin dëshmuar se e kanë parë atë në Qyshk gjatë sulmit, ai me rrëmbim dhe nervozë qëllon me grusht tavolinën dhe thotë: "Më lejoni të ju them diçka. Në do të ishte përzier madje edhe vëllau im në diçka të tillë, unë do ta tregoja menjëherë. Ata kanë qenë qenë e jo njerëz, ata që kanë bërë këtë punë në Qyshk".

Megjithëse Cvetkoviqi ngulte këmbë vazhdimisht se kishte qëndruar larg luftës, ai dëshmonte me saktësi detaje të shumta për njësitet militare dhe për komandantët e tyre.

Si mund të dijë ai kaq shumë?

Ai nuk e tregon. Por, kjo kishte bërë që të ktheheshim prapa në Pejë dhe të flasim me shqiptarët, të cilëve, sipas fjalëve të Cvetkoviqit, do të dëshmonin se ato çfarë thotë vetë janë të vërteta.

Kështu, ne gjetëm në Pejë një familje shqiptare, të cilën, gjatë bombardimeve të NATO-s - me të filluar serbët vrasjet dhe dëbimin masiv të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre - Cvetkoviqi e kishte përcjellur në rrugën drejt Malit të Zi. Por, në bisedën me këtë familje, ne ia dolëm të kuptojmë disa detaje të tjera shumë kruciale, për të cilat Cvetkoviqi nuk kishte folur. Për shembull, familja shqiptare e tregon fare qartë dhe ngul këmbë në faktin se Cvetkoviqi i ka përcjellur ata për në Mal të Zi, por se ai në atë kohë ka qenë i veshur me uniformë ushtarake dhe se mbante me vete një pushkë automatike. Kjo binte në kundërshtim të plotë me ato që Cvetkoviqi na kishte thënë në Mal të Zi, kinse nuk kishte veshur kurrë uniformë dhe se nuk kishte mbajtur kurrë revole në dorë. Sipas kësaj del se Zvonkoja e ka ndihmuar këtë familje, ngase miku i tij i kishte pasur miq të ngushtë dhe se në të njëjtën kohë kishte larguar edhe familjen e tij në atë drejtim. Familja shqiptare tregon se ai tërë kohën e kishte qortuar mikun e tij për rrezikun në të cilin e kishte futur - rrezikun e përcjelljes së një familjeje shqiptare.

Një shqiptar tjetër, të cilin e vizituam, për të cilin Cvetkoviqi na kishte porositur ta pyesnim, po ashtu, na tregoi se e kishte parë Zvonkon vetëm disa javë para se të ndodhte masakra e Qyshkut, dhe se ai kishte pasur të veshur uniformën ushtarake dhe se kishte mbajtur një automatik. Ndërsa, e treta e vërteta, njeriu i tretë i cili do të duhej të thoshte fjalë të mira për Cvetkoviqin, ish-punëtori në kompaninë "Pe-trans", Dardani, dyshonte se Cvetkoviqi ka qenë gjithnjë në bashkëpunim me bandat ushtarake në Pejë.

"Ai gjithmonë do të vinte për të na folur", rrëfen Dardani. "Por, njëkohësisht, ai ishte më ekstremisti në mesin e punëtorëve serbë. Ndodhte që ai të thoshte: 'Duhet t'i vrasim të gjithë shqiptarët, të marrim pastaj buldozerët dhe t'i rrafshojmë fshatrat; duhet që t'i dëbojmë ata të gjithë'".

"Nuk di çfarë të them", rrudhë krahët Dardani, "ndoshta këto kanë qenë vetëm fjalë".

Pra, tashmë e kishim të qartë se Zvonimir Cvetkoviq - Zvonko ishte bashkuar me militarët për të sulmuar fshatin Qyshk - dhe sigurisht edhe dy fshatrat e tjerë - dhe që ndoshta ka qenë vetëm një ushtar i parëndësishëm gjatë operacionit. Kështu që, filluam të gjurmojmë edhe për komandantët ushtarakë, për të cilët kishin treguar Cvetkoviqi dhe shumë luftëtarë të tjerë serbë, që kishin qenë më aktivët në rajon.



Njësitet militare që kanë marrë pjesë në sulm


LUFTËTARËT SERBË QË KANË QENË në Qyshk, më 14 maj, ose ata të cilët dinin diçka për ndodhinë e tmerrshme të mesit të pranverës, dëshmojnë se sulmi ka qenë i organizuar nga grupet më elite të policisë së Serbisë, si dhe armatës dhe njësiteve paramilitare - trupa këto nën direktiva të drejtpërdrejta nga gjeneralët më të afërt të të akuzuarit për krime lufte, Slobodan Milosheviqit.

Në sulm kishin marrë pjesë edhe bandat militare, po ashtu, të cilat janë quajtur "trupat e befasisë".

Ndër njësitet serbe që kanë marrë pjesë në Qyshk, janë:


Formacioni "Frenki", një njësit komando i emëruar sipas udhëheqësit të tij Franko Simatoviq, njërit nga agjentët më të rrezikshëm dhe njëkohësisht të mistershëm, për të cilin flitet se është një komandant veteran nga lufta e Bosnjës.


"OPG", ose "Operativna Grupa" (grupi operativ), një njësit elit i policisë serbe, pjesëtarët e të cilit me krenari kanë quajtur veten "Magla" (mjegulla), sipas gjasës se pas aksioneve të mdërmarra nuk kanë lënë ndonjë gjurmë. "OPG-ja" mësohet të ketë marrë urdhrat nga një gjeneral i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Luftëtarët nga ky grup kanë theksuar se "OPG" qëndron prapa masakrës që ka ndodhur në fillim të vitit 1999, natën ndërmjet 14 dhe 15 janarit, në Reçak, që kishte grishur pezmin e komunitetit ndërkombëtar dhe, sipas shumë analistëve, kishte qenë pika shtytëse për ndërrimin e politikës botërore kundër Serbisë, rrjedhimisht duke cytur fillimin e bombardimeve të aleancës së NATO-s.


Njësiti snajperist i Armatës së Tretë "Jugosllave", grup që theksohet të ketë qenë nën komandën e drejtpërdrejtë të kryegjeneralit të Armatës së Tretë.


Pastaj, banda paramilitare "Munja" (vetëtima). "Munja" ka qenë një mishërim i çuditshëm i policëve, kriminelëve dhe të vetëquajturve patriotë, të cilin nga serbët ishin konsideruar si legjendarë, për përleshjet e tyre që kishin zhvilluar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për sulmet e pamëshirshme mbi civilët shqiptarë.


Në mesin e 17 luftëtarëve, me të cilët u takuam në Mal të Zi, kishte qenë edhe Branko, një veteran shpatullgjërë i grupit militar "Munja", në të katërdhjetat e hershme. Branko tregon se ai ishte rritur në Pejë dhe se i ishte bashkuar grupit vetëm tre muaj para fillimit të luftës ajrore të NATO-s.

"Me t'iu bashkuar 'Munjës' më është thënë se detyra jonë do të jetë spastrimi etnik - dëbimi i njerëzve nga shtëpitë e tyre", rrëfen Branko. "Kishim edhe punë të tjera, po ashtu, jo vetëm spastrimin. Bënim arrestime, në të shumtën e rasteve, caku ynë ishin liderët e shqiptarëve dhe eliminimi i gjithë atyre që përkrahnin idenë e Kosovës së pavarur. Jo vetëm liderët e UÇK-së, por edhe shqiptarët me ndikim, intelektualët".

Autoritetet serbe një kohë të gjatë kanë refuzuar çfarëdo lidhje me paramilitarët, siç është, për shembull, grupi "Munja". Por, luftëtarët serbë ngulin këmbë se paramilitarët, përfshirë këtu edhe "Munjan", kanë qenë "njësite speciale" nën kontrollin e armatës dhe policisë. Pikërisht, njëri nga komandantët më famëkëqinj dhe më të frikshëm, Vidomir Shalipur - polici më i njohur në qytetin e Pejës për dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve - ka qenë mu një polic serb. Shalipuri është vrarë më 8 prill, 1999, nga një ushtar 17-vjeçar i UÇK-së, në pusinë e vënë në afërsi të fshatit Radac. Funerali i tij kishte qenë një ndër më të mëdhenjtë që kanë organizuar ndonjëherë serbët e Pejës, ndërkaq që kishte qenë një ndër lajmet më të gëzueshme që kishin marrë shqiptarët e qytetit perëndimor, të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë dhe ishin strehuar në vendet fqinje. Madje, edhe përkujtimorja me rastin e vdekjes së tij, tregon për lidhjen e tij me grupin, duke shkruar si shtojcë të emrit - Vidomir Shalipur - "Munja".



Urdhrat kanë ardhur nga nivelet më të larta


VRASJA E POLICIT VIDOMIR SHALIPUR, bazuar në dëshmi të shumta, kishte bërë që grupi militar "Munja" të mbetej nën drejtimin e partnerit të tij në krime, kriminelit Nebojsha Miniq. Kjo kishte qenë edhe një ndër strategjitë e luftës së Milosheviqit në Kosovë - policët dhe kriminelët të luftojnë krah për krah më njëri-tjetrin.

Nebojsha Miniq është një 38-vjeçar, i cili veten e quan "Mrtvi" (i vdekuri), nofkë që e ka marrë nga tatuja që tregon një njeri të vdekur në krahëror.

Branko, njëri nga pjesëtarët e "Munjas", rrëfen se Miniqi ka vrarë disa shqpitarë në Pejë dhe rrethinë. "Ai ishte ekstremist që nga fillimi", thotë Branko. "Ai gjithnjë ka qenë një njeri që ka jetur në tehun e shpatës. Ai ishte i mbushur plot me urrejtje ndaj shqiptarëve. Kishte bërë aktivitete kriminale së bashku me ta dhe ata e kishin tradhëtuar. Kështu që, ai ka qenë i mbushur me ndjenjën për hakmarrje. Ishte në gjendje të vriste tërë një familje, nënën, babain, ose motrën, vetëm për këtë gjë."

Isai nga Peja, ka treguar se si Nebojsha Miniq kishte dhënë urdhrin për të vrarë gjithë familjen e tij. Një natë para hyrjes së trupave të NATO-s në Pejë, pjesëtarët e grupit të Miniqit, kishin ekzekutuar shtatë pjesëtarë të familjes së Isait. Isai ia kishte dalur t'i shpëtojë vrasjes. Prej shtatë të pushkatuarve - pesë kishin qenë fëmijë.

Disa dëshmitarë, si fshatarët shqiptarë ashtu edhe militarët serbë, identifikojnë Nebojsha Miniqin si njërin nga komandantët e sulmit mbi Qyshk, Pavlan dhe Zahaq, më 14 maj. Së bashku me Miniqin ishte edhe njeriu hijerëndë nga fotografitë, Burdushi, emri i vërtetë i të cilit është - Sreçko Popoviq.

Një pjesëtar tjetër i grupit "Munja", Petar, thekson se Miniqi dhe Popoviqi kanë qenë komandantë të këmbësorisë në Qyshk. Mirëpo, Petar ngul këmbë se planet për betejat dhe listat e ekzekutimit kanë ardhur nga zyrtarët e nivelit të lartë të armatës dhe policisë, të cilët edhe e kishin drejtuar operacionin.

"Ne na jepeshin listat nga komandantët e policisë për shqiptarët që ishin lojal ndaj UÇK-së ose që kishin lidhje me ta", tregon Petar. "Qëllimi ishte që të spastrohet çdo fshat. Na ishte urdhëruar që të ndanin gratë dhe fëmijët prej burrave. Ne merrnim çdo mashkull që kishte mbi 15 vjeç".

Disa luftëtarë kanë bërë të ditur për "American Radio Works" se sulmi mbi Qyshk ishte planifikuar në takimin e komandantëve të armatës dhe policisë në Pejë, më 11 maj. Një libër shënimesh, i nënshkruar nga komandanti rajonal ushtarak, koloneli ushtarak Dushan Antiq - i cili i është treguar "ARW"-së nga zyrtarët e Këshillit Komunal në Pejë - konfirmon se në Qyshk ishin dërguar trupa përforcuese, tri ditë para sulmit. Gjithashtu, disponojmë me një kopje të dokumentit, të nënshkruar nga i njëjti komandant "jugosllav" Antiq, që dëshmon për të ashtuquajturin "Shtab të krizës", ku drejtuesit serbë të ndërmarrjeve të ndryshme në qarkun e Pejës, kishin marrë detyrat përgjegjëse të dala nga gjendja e krijuar me shpalljen e gjendjes së luftës në Jugosllavi. Ky dokument mbante datën e 25 marsit, ndërkaq drejtuesit ftoheshin për të marrë detyrat në mbledhjen që do të mbahej më 1 prill, 1999. Sipas dokumentit, armata merrte mbi vete autoritetin absolut në rajon, ku përfshihet edhe fshati Qyshk.

Nga këto dokumente dhe deklarata nga luftëtarët përgënjeshtrojnë pohimet se njësitet e tyre nuk kanë qenë të involvuara në sulmet mbi civilë.

Bazuar në burimet pranë policisë serbe, listat e ekzekutimit kanë ardhur nga armata lokale dhe komandantët e policisë, duke vazhduar të ngjiten lart e më lart në zingjirin komandues. Një oficer nga një njësit elit i policisë sekrete serbe ka deklaruar se ai ka përcjellur urdhëresa të detajizuara për arrestime dhe deportime drejtpërdrejt te komandantët e policisë dhe armatës në Kosovë, në mesin e të cilëve kanë qenë edhe ato për grupin "Munja". Ai dëshmon se këto urdhëresa dilnin nga kancelaritë e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Beograd.

"Urdhri për të dëbuar me forcë shqiptarët ka ardhur nga Beogradi, nga vetë kreu", tregon oficeri i lartë i Armatës Jugosllave, i cili parapëlqen të mbetet anonim. "Ne ishim fokusuar parësisht në rajonet ku UÇK-ja kishte përkrahje, siç është Peja".

Por, ky oficer shton se ajo që kishte filluar, sipas tij, si një luftë legjitime kundër "terroristëve shqiptarë" UÇK-së, së shpejti ishte kthyer në një luftë të përgjithshme kundër civilëve shqiptarë. Ajo ishte një luftë ku secili mashkull shqiptar pak më i rritur ishte trajtuar si një terrorist potencial.

"Me të filluar sulmet ajrore", tregon oficeri, "çdo gjë u keqësua. Ne u bëmë më të varur nga militarët dhe njësitet speciale, ngase rekrutët dhe rezervistët tanë nuk po e kryenin punën si duhet. Gjithçka u kthye përmbys. Në këtë gjendje, unë isha një polic që duhej të punoja me kriminelët, në vend se t'i arrestoja ata".



Nga burgu në luftë


SHUMË MILITARË SERBË janë dërguar në Kosovë drejt e nga qelitë e burgjeve në Serbi. Disa prej këtyre militarëve që kanë luftuar në Kosovë i pranuan "American Radio Worksit" se ata ishin liruar nga vuajtja e dënimit në burg me kushtin e ardhjes për të luftuar në Kosovë.

Një nga ta është Marko, një ish i burgosur që tash jeton në Mal të Zi. Ai është një figurë tipike e njeriut nga nëntoka serbo-malaziase, një djalosh meskuloz me zixhirë prej ari të varur në qafë, syze dielli të shtrenjta dhe shortse "Bermuda". Markoja tregon se në kohën kur ishte liruar nga burgu kishte qenë duke vuajtur dënimin prej pesë vjetësh në Serbi, për shkak të një përleshjeje të armatosur. Pas lirimit, ishte stërvitur në një kamp serb policie, i ishte dhënë arma dh ishte dërguar në Pejë, për të kryer të ashtuquajturat - operacione speciale.

"Urdhërat që më jepeshin mua ishin që të arrestoja njerëzit dhe t'i fusja brenda", tregon Marko. "Pastaj, ka pasur urdhra speciale për të kapur individë të veçantë dhe për t'i sjellur ata gjallë ose vdekur. I kam likuiduar pesë a gjashtë njerëz në këtë mënyrë. Arrestonim njerëz të rëndësishëm, politikanë, funksionarë. Për çmimin e lirisë sonë ne ishim në gjendje të bënim, thjeshtë, gjithçka".

Markoja dhe disa militarë të tjerë serbë të intervistuar kanë theksuar se disa njësite janë sponsoruar nga gangsterët serbë, që kanë lidhje të ngushta me policinë sekrete të Slobodan Milosheviqit. Këta sponsorë u kanë paguar luftëtarëve shuma parashë prej 5-6 mijë markash për një muaj dhe kanë bërë aranzhimet për armët dhe municionin nga armata si kundërshpërblim për ndaljen e një pjese të madhe të pronave shqiptare.

Mrakoja tregon se punëdhënësi i tij ishte famëkeqi, Zheljko Razhnatoviq - Arkan. Arkani ishte njëkohësisht politikan - kryetar i Partisë së Bashkimit Serb (SSJ) - dhe mafioz, për të cilin në vitin 1997 ishte ngritur aktakuza nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi, për krimet që kishte kryer gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë. Aktakuza ishte shpallur botërisht, nga atëbotë kryeprokurorja Louise Arbour, gjatë muajve të bombardimeve të NATO-s mbi "Jugosllavi", në vitin 1999, kur i ishte shtuar sipas burimeve edhe dosja e krimeve në Kosovë.

Razhnatoviq është vrarë në janar të vitit 2000 në një atentat në hotelin "Interkontinental" në Beograd.

Fred Abrahams nga organizata "Human Rights Watch" beson se kriminelët e manipuluar nga shteti ishin një komponent esencial i luftës së udhëhequr nga Serbia në Kosovë.

"Ka pasur elemente të fuqishme kriminale të mishëruar në tërë zingjirin që vjen nga armata, nëpërmjet policisë e deri te paramilitarët", vlerëson Abrahams, "dhe ky është një refleksion i shtetit Serb dhe Jugosllav. Ky është një regjim gangsterësh. Po flasim për një vend që është i qeverisur nga njerëz që janë të mishëruar thellë në të gjitha sojet e aktiviteteve ilegale dhe të dyshimta. Pra, në kjo do të fillojë mu në krye, në nivelin ministror, është më se e qartë se do të arrijë edhe në nivelin e banditëve të rrugës dhe policëve lokalë".



Kriminelët nuk kënaqeshin vetëm me para...


KËTA BANDITË DHE POLICË janë dërguar me urdhrin e komandantëve nga nivelet e larta që të shplajnë Qyshkun dhe dy fshatra të tjerë. Të mbijetuarit dëshmojnë se kanë parë Nebojsha Miniqin dhe Sreçko Popoviqin - komandantët e formacionit "Munja" - të torturojnë civilët e paarmatosur dhe të terrorizojnë ata me të shtëna nga automatikët, madje edhe buzë këmbëve të fëmijëve.

"American Radio Works" ia ka treguar fotografitë e Miniqit dhe Popoviqit njërit nga të mbijetuarit në një nga dhomat e likuidimit në Qyshk, bujkut rreth katërdhjetë vjeç të quajtur Besim. Pa mëdyshjen më të vogël, ai rrëfen se i kujtohet fare qartë se Popoviqi ka dhënë urdhrin për të ndarë meshkujt shqiptarë që do të ekzekutoheshin.

"Ai qëndronte në mes dhe jepte urdhrat", kthen kujtimet për Sreçko Popoviqin, Besimi. "Ushtarët e tjerë dolën në krye të grupeve dhe na dërguan nëpër shtëpi. Gjatë gjithë kohës, ky Popoviqi, na bërtiste: 'Keni kërkuar NATO-n, tash do t'ju tregojmë ne NATO-n! Ju shqiptarët kurrë nuk do të jeni të lirë, vetëm nëse do të vrisni tërë 11 milionë serbët'".

Edhe Skënderi, një burrë tjetër i mbijetuar në masakër, identifikon Popoviqin nga fotografitë.

"Kam pasë vërejtur se mbante një kryq rreth qafës", thotë ai. "Kishte të veshur një fanellë me ngjyrë të gjelbër ushtarake. Ai ka dhënë urdhrat që të na ndanin në dy grupe dhe të na dërgonin nëpër shtëpitë...".

Në intervista të ndara, dëshmitarët theksojnë se Popoviqi nën kërcënimin e armëve ka vënë para grupin prej dhjetë meshkujsh dhe i ka dërguar në njërën shtëpi. Në këtë grup kishte qenë edhe Skënderi.

Pas disa çastesh, disa rrebeshe armësh ishin dëgjuar dhe meshkujt e vënë në vijë me shpinë nga muri ishin shembur të vrarë nga plumbat e ekzekutorit serb. Skënderi, megjithëse me disa plagë në këmbë, ia kishte dalë të shpëtonte, duke dalë nga dritarja, pak para se shtëpinë, tashmë të mbushur me kufoma, ta kaplonte zjarri.

Ndërkohë, Nebojsha Miniqi ishte duke gjuajtur ndonjë pre më të majur. Miniqi e kishte rrëmbyer Çaush Lushin, 51 vjeç, burrin e njohur si më i pasuri në Qyshk. Njerëzit e Miniqit, po ashtu, e kishin kapur të birin e Çaushit, Arianin, 21 vjeç, për të shantazhuar atë me qëllim të marrjes së çelësave të veturës. Çaushi u kishte ofruar vetë të merrnin veturën dhe disa para, duke shpresuar se serbët do të tregoheshin të mëshirshëm dhe do t'ia kursenin jetën e të birit. Dëshmitarët tregojnë se Miniqi e kishte dërguar Çaush Lushin në shtëpinë e tij.

Gruaja e Çaushit, Ajshja, kishte mbetur në mesin e grupit të femrave, derisa gjithë këto skena rrëqethëse ishin luajtur para syve të saj të mbushur me lot.

"Çaushi u solli atyre gjithë paratë që kishim", kthen kujtimet më të këqija të jetës së saj ajo. "Ai solli gjithçka vetëm për ta shpëtuar birin tonë të dëshirit. Kur ai u kthye te vendi ku na kishin grupuar, te varrezat e fshatit, pa se Arianin e tij e kishin marrë ushtarët. 'Ku e kam djalin?', ka pyetur. Dhe ata iu përgjigj gjakftohtë: 'Ti mund të kesh para, të jesh i pasur, por kjo nuk do të thotë se ne nuk do të ta vrasim djalin!'".

I biri, Ariani, i vetmi djalë në familje, ishte pushkatuar së bashku me 10 meshkuj të tjerë, disa minuta para se Çaushi të kthehej me paratë. Çaush Lushi së fundi është parë i gjallë me Nebojsha Miniqin - "Mrtvin", komandantin e "Munjas".

Një ditë më vonë, Ajshe Lushi e kishte gjetur kufomën e burrit të saj të masakruar në një nevojtore fshati.

"Ishte i shtrirë me fytyrë për tokë, derisa në të gjitha anët shihej gjaku", rrëfen ajo si e përhumbur. "Ishte shumë e vështirë të shikoje. Ishin mbledhur aq shumë miza. E kishin prerë në fyt dhe gati ia kishin prerë shuplakën fare. Ndoshta kur ia kishin vjedhur orën e shtrenjtë. Pas kësaj, kam bërtitur dhe i kam thënë: 'Çaush, të vranë edhe ty, tash nuk na ka mbetur mashkull në shtëpi. Ku e kemi birin tonë? Tash pa ty, më nuk kemi shtëpi".



"Ishim të pajisur me urrejtje kundër shqiptarëve"


TË SHTATËMBËDHJETË LUFTËTARËT serbë të intervistuar, kanë pranuar të bënin një gjë të tillë, vetëm pasi që iu kishim premtuar se nuk do t'i publikonim emrat e tyre. Thuaja, që të gjithë kanë pranuar se kanë sulmuar edhe shqiptarët civilë. Disa luftëtarë serbë kanë pranuar, po ashtu, se kanë kryer ekzekutime masive, edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka pranuar se ka qenë i përzier në vrasjen mizore të Çaush Lushit.

Shumica e luftëtarëve theksojnë se ata i kanë bërë këto vullnetarisht, duke konsideruar një gjë të këtillë si një fushatë legjitime kundër terroristëve. Mirëpo, motivacionet e tyre të vërteta variojnë.

Vasoja është një burrë i imët, rreth 30 vjeç, i cili ka lindur dhe është rritur në Serbi. Ai ishte punësuar pasi që kishte hedhur firmën në letër për të shkuar në luftë në Kosovë. Teksa kishte parë militarët e tjerë duke vrarë gra dhe fëmijë shqiptarë, ai për një kohë ishte turbulluar. Por, Vasoja thekson se kishte vazhduar me zbatimin e urdhrave.

"Ne ishim si të pajisur me njëfarëlloj ndjenje patriotike të detyrës, posaçërisht me rritjen e intensitetit të luftës aktive", tregon Vasoja. "Ne ishim ushtarë, ne ishim sikur qenë të luftës të cilët vrasin pa u mëdyshur për këtë, pa menduar fare. Këta ishim ne. Ishim po ashtu të pajisur me urrejtje... Mendoj se gjeneralët kanë krijuar një projekt, njëfarëlloj plani, për të na mbushur me urrejtje për shqiptarët".

Luftëtarët e tjerë, veçanërisht pjesëtarët e grupeve militare, ishin të kapluar nga pasione të ndryshme dhe nuk ndjenin ndonjë keqardhje për vrasjen e civilëve shqiptarë. Me Milanin u takuam në tarracën e një kafeterie të zhurmshme. Ai është një burrë i parruar, me sy të skuqur dhe të mëdhenj. Ai ka një të kaluar kriminale, po ashtu. Milani pohon se i ka takuar grupit militar "Munja", një bande ku të vetëquajturit patriotë serbë ishin njëkohësisht edhe kidnapues të paguar nga shteti.

"Më herët, policia sekrete serbe transportonte shqiptarët në mënyrë të sigurt përtej kufirit, duke i bartur ata fshehurazi në bagazhet e veturave", tregon ai. Për këtë merrnin nga 5 mijë DEM. Me të marrë vesh për këtë djemtë nga njësiti im, filluam edhe ne të bënim një gjë të tillë. Pastaj, me të ashpërsuar më tepër bombardimet e NATO-s, nuk përpiqesha që t'ia kaloja shqiptarëve kufirin. Vetëm u merrja paratë dhe i vrisja".

Milani thotë se nuk ka marrë pjesë në sulmin mbi Qyshk. Kështu që shkojmë ta shohim një tjetër që ka marrë pjesë në masakrën e tmerrshme. Ky është Predragu. Ai ka të veshur një fanellë "Versace", xhinse të të zeza dhe gëzon një respekt të veçantë në kafeterinë që ri. Predragu ka insistuar që biseda të zhvillohet në bodrumin e një hoteli buzë detit. Gjatë gjithë bisedës rrinte i ulur në karrige, teksa, nën prapanicë mbante një revole "Magnum 44" të nikelizuar dhe të gatshme, për çfarëdo nevoje.

"Së pari, nuk jam duke biseduar me ju ngase dua ta bëj këtë", thotë ai. "Këtë e bëj vetëm se jam i mbushur. Jam i mbushur deri në fyt. Disa gjëra nuk mund t'i mbaj më brenda. Në do të dëshironit ju ose jo, duhej të punonim për policinë. Duhet të kesh para në qoftë se dëshiron të jetosh. Fabrikat nuk punonin, asgjë nuk funksiononte. Nuk kisha dëshirë të shihja njerëzit duke vdekur, nuk kisha dëshirë të shihja gjakun gjithkah rreth meje, por u mësova edhe me këtë".

Sytë e Predragut duken të lodhur dhe të shqetësuar. Nga qafa e tij rrjedh djersa. Gjëja tjetër e cila e shtyn të bisedojë është se dëshiron ta shfaqë mllefin kundër Milosheviqit, për arsyen se ai kishte braktisur Kosovën pas luftës. Kjo është një ndjenjë që ndajnë një pjesë e madhe e luftëtarëve. Predragu rrëfen edhe për mllefin e familjes së tij dhe shokëve në Serbi të cilët refuzojnë të besojnë storiet për ato që ka parë në Kosovë. Mbi të gjitha, duket sheshazi se Predragu dëshiron t'ia hapë dikujt zemrën, pa marrë parasysh se kush janë ata. Ai dëshiron të rrëfejë për tmerrin.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...