2013-07-24

Poetikë biografike e një mërgimtari

Shkruan: Riza GREIÇEVCI

Liria nuk është e atyre që e duan, as e atyre që presin nëpër dyer të Evropës për një copë drejtësi! Liria nuk është e skllevërve të lumtur që kënaqen me cilësinë e robit për një copë bukë lypësie... Liria është një copë mali, tek jehojnë thirrjet besa-besë, tek thërrasin krismat e luftës. Po, po, liria u takon atyre që e fitojnë, liria është e atyre që digjen për një rreze dielli...Kështu nisin shtegtimin valëset shpirtërore, frymëzimet e vargjeve të poetit të ri nga djepi i Tuxhecit të Dardanës. Interesant, ajo që të rrëmben kur të lexosh vargjet e poetit Dan Kosumi, në veprën më të re “ ...dhe Vjen Një Ditë...” është magjepsja me ngrohtësi deri në gjirmën e shpirtit, poetika që përbën trungun bosht të veprës, e kjo është biografia e mallit, e dhembjes, biografia dhe gjeografia e shpirtit, e frymëzimeve, biografia e fjalës, e maleve, e diellit, biografia e një pene prej mërgimtari që ndërton të nesërmen, të ardhmen, kur liri nuk ka e kërkon nga malet, nga pushka, dhe, herë-herë, të kthen larg në mote të mugëta, kur djaloshi dardan nga djepi i Tuxhecit detyrohet të lë gjeografinë e bukur të fshatit të lindjes, të lë arat e bukës, livadhe, odën dhe lahutën e gjyshit, të lë të carani i oxhakut nënëloken me një shkëmb shprese në zemër... DHE (do të vijë) VJEN NJË DITË... kur nipi sërish kthehet tek i ka gjuhë e varre e kroje e fusha, do kthehet nipi me një Diell në ballë! Por, përveç Diellit të lirisë mbi Dardani, poeti me penë e shpirt e mendje e zjarr poetik e mall tregon: Këto vargje i shkrova nëpër vite e plot dhembje, në rrudhat e ballit të popullit tim!

Malli, dashuria, lufta, liria!

Një furtunë e rrëmbyeshme, shkatërruese, e frikshme, ogurzezë, kishte shpërthyer atëherë kur djaloshi Dan Kosumi kishte marrë udhën e shkollës shqipe. Një krijesë syqenzë, bishë egërshane gjezdiste llahtarshëm nëpër troje dardane, dhe shqyente, shkilte, shembte sheshlojërat shqip, griste librin dhe këngën shqip, kërkonte kokën e shkollës dhe të mësuesit shqiptar, kishte hapur gurmazin dhe dëshironte për të përbirë (shfarosur) trojet etnike dardane me teshë e kteshë. Dani, një fëmijë malësori, i padjallëzuar, i dashur, i etshëm për librin me të cilin, tregonte mamaja e tij, flinte me libër nën jastëk, ishte i frikësuar, i hutuar, kur hienat e rodit prej kukudhi i kishin thënë me tytë në gjoks: “Shkruaj prej A-së deri në ZH: Pse emri yt fillon me R, kurse mbiemri me K? Pse këmishën e ke të zezë, shallin kuqezi? Republikën kërkoni? Albaninë, hë...?” Qe pse një djaloshi shqiptar që herët i kishin rënduar mbi qafë, i kishin depërtuar në shpirt e në mendje gjithë ato zallahi, katrahura e ndeshtrasha, dhe: një ditë merr rrugën e mërgimit. Po, sepse, ishte e arsyeshme dilema e një djaloshi ende pa i rënë fytyrës me brisk: Kujt t’i besosh? Atij që lirinë e do, por nuk e rrok pushkën? T’i besosh atij që lirinë e kërkon në sportele evropiane, të OKB-së, apo ua zgjatë dorën demokracive ndërkombëtare si lypsar? T’i besosh atij që mpreh thikën dhe viktima ende shpreson për një copë mëshirë ndaj saj? Të Besosh se bisha e çakërdisur përnjëmend di ç’është liria, mëshira, dhe po ai mentalitet e shpirt egërsire të kishe besim tek ajo se do t’i hidhte në sofër Kosovës drejtësi, demokraci, liri, pavarësi, shtet? Apo të bëhesh në biçim cjapi që vetë shkon të kasapi? Ja, pra, kur nëpër peshën e rëndë të mërgimit larg vendlindjes, larg shtëpisë dhe prindërve, shokëve e miqve, zgjodhi vargjet poetike, si mundësi më të lehtë e më të shpejtë për të zbrazur (shkarkuar) gjithë atë deti të mallit, gjithë ato tallaze të shkrumbëzuara, që zienin brendapërbrenda një shpirti djaloshar dhe, me të drejtë, kërkonin shpërthimin! Shih, vargjet e Dan Kosumit, që rrethrrotullohen në boshte biografike poetike me Mallin, Dashurinë, Protestën, Luftën çlirimtare, Lirinë!
description
Jeta e mërgimtarit

Për të formësuar idenë e frymëzimeve, për t’i dhënë inerci vokacionit poetik artistik letrar, për të ndërtuar pa emocione, pa klishe të vjetruara muret e vargënimit poetik,
djaloshi energjik, kureshtar, i afërt me njerëzit, i dashur, i etur dhe i gatshëm për t’u shkrirë (mishëruar) në secilin varg o strofë, o metaforë, Dan Kosumi, poet i brezit të artë, edhe me penë, edhe me veprimtari atdhetare, edhe kasnec i thirrjeve për të ndryshuar akrepat e historisë kombëtare (djep i familjes emblematike, Kosumi!) për të gatuar brumin e veprës së tij më të re poetike “...Dhe Vjen Një Ditë...”, na del (imponohet) si një historian, si një zëdhënës, së një mjeshtër kulmor i gatimit të vargjeve artistike letrare, me motive nga përpjekjet e trimave, atdhetarëve, patriotëve, veprimtarëve për çlirim dhe liri të trojeve të Shqipërisë Etnike, duke pikasur, lartësuar, nderuar dhe vijëzuar të vërtetën historike, gjeografike, kombëtare, por edhe duke vargënuar me vullnet e mjeshtri e dashuri për gjeografinë e hartës së Atdheut, për njerëzit (trimat) që me gjak e pushkë bënë historinë, mbrojtën traditat, besën, sofrën e bukën e nderin e erzin, dukem mos harruar të aktualizojë edhe Çamërinë, Preshevën, Bujanocin, Malësinë e Madhe, Hot e Gurdë, Guci, Iliridë... Krejt këtë brumë gjeografik, historik, poeti i talentuar mërgimtar, i vrullshëm, mjeshtër i penës dhe i shtrirjes së poetikës në rrafshin letrar, një vullkan i fashitur, mjeshtërisht e gatoi në vargje të ngrohta, të dendura, plot metafora, figura të zgjedhura stilistike, dhe, një gjë të mos e harrojë lexuesi kureshtar i vargjeve të Dan Kosumit: Ky poet mërgimtar, sot larg vendlindjes, larg Kosovës, aq afër zemrës, aq afër mish e thua me Kosovën e lirë, me popullin, me shtetin, me pavarësinë, dhe, Zoti i dhashtë shëndet e ymër, ... vjen një ditë ... që do të shpërthejë bujshëm, do të imponohet e do të zërë vendin e merituar me penë e vargje, shohim e bëjmë (kaq kësaj radhe, sa më larg profetëve!) do zërë vend meritor në letërsinë shqipe, ( s’ka gjë, le të jetë udha e gjatë!) dhe askush s’do pësojë humbje, s’do ndjejë dhembje, por do jetë i nderuar, letërsia shqipe më e pasur, gjeografia me gjeograf, historia me një historian, Kosova me një veprimtar, atdhetar, poet me vepra, jo me letra.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...