Bibliotekat publike në vend janë një gjendje mjaft të vështirë për të funksionuar si duhet, duke filluar nga infrastruktura, kuadri, fondi librar e deri të niveli i pagave, ku punëtorët e bibliotekave janë më të diskriminuarit në raport me institucionet e tjera. Me ligjin e ri për biblioteka shumë sosh nëpër komuna kanë kaluar drejtpërdrejt nën menaxhim të komunave përkatëse dhe gjendja e tyre është mjaft e vështirë. Përjashto Bibliotekën e qytetit të Prishtinës si dhe dy-tri biblioteka në qytetet më të mëdha të Kosovës, bibliotekat në qytetet më të vogla, e veçmas nëpër fshatra janë në një situatë shumë të vështirë. Ndërkohë, digjitalizimi i këtyre bibliotekave do të marrë edhe shumë kohë, pasi ai veç është në hapat fillestarë. Fondet për pasurimin e këtyre bibliotekave jo gjithherë u janë përgjigjur kërkesave, por edhe menaxhimi i tyre lë shumë për të dëshiruar.
Kërkohet hapja e një dege për bibliotekarinë
Kryetari i Shoqatës së Bibliotekarëve të Kosovës, Muharrem Halili, ka pohuar se rrjeti i bibliotekave publike në Kosovë është në gjendje aspak të lakmueshme. Sipas tij, bibliotekat përballen me vështirësi nga më të ndryshmet, duke u nisur nga infrastruktura, kuadri bibliotekar, hapësira, fondi librar. “Edhe në aspektin e pagesës punëtorët e bibliotekave publike nëpër komuna janë më të diskriminuarit në raport me punëtorët e institucioneve të tjera”, ka pohuar Halili. Ai ka shtuar se gjendje aspak e mirë mbretëron edhe sa i përket përgatitjes profesionale të kuadrit. Halili ka thënë se për të përmirësuar gjendjen në aspektin profesional, shumë herë është kërkuar hapja e në dege për bibliotekarinë në njërin nga universitetet tona, por, sipas tij, kjo nuk është marrë në konsideratë nga autoritetet.
Punonjësit ankohen për paga të ulëta
Munish Hyseni, drejtor i Bibliotekës së qytetit të Prishtinës “Hivzi Sulejmani”, në një prononcim është shprehur se biblioteka që ai drejton në shumë aspekte është në gjendje të mirë dhe funksionon mjaft mirë. “Gjendja e bibliotekës është e mirë në kuptimin e hapësirave. Kjo bibliotekë i ka edhe degët e saja, gjashtë nëpër fshatra dhe katër brenda qytetit. Hapësirat e këtyre degëve janë të mjaftueshme dhe i plotësojnë nevojat e lexuesve”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe sa i përket fondit, Biblioteka “Hivzi Sulejmani” dhe degët e saj janë në gjendje të mirë dhe ai pasurohet në vazhdimësi. Sa i përket pasurimit të fondit, këtë vit kjo bibliotekë ka marrë mbështetjen më të madhe që është dhënë deri më sot për një bibliotekë publike në Kosovë. “Këtë vit, për pasurimin e fondit librar për Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” dhe degët e saja, Komuna e Prishtinës ka ndarë një shumë prej 75 mijë euro, e që është shuma më e madhe që është dhënë ndonjë herë për bibliotekarinë kosovare”, ka potencuar Hyseni. Mirëpo, edhe kjo bibliotekë nuk ka mundur t’u shpëtojë problemeve. Kuadri dhe pagat e ulëta të punëtorëve janë mjaft shqetësuese për këtë bibliotekë. Sa i përket digjitalizimit të fondit, kjo bibliotekë nuk i ka punët edhe aq keq. “Sektori i fëmijëve gati i ka futur në sistem të gjithë librat për fëmijë. Ne po bëjmë përpjekje sa më shumë për të përdorur sa më mirë programin e digjitalizimit”, ka thënë ai.
Ministria ndihmon aq sa lejon ligji
Zyrtarë të MKRS-së janë shprehur se edhe pse kjo ministri nuk menaxhon bibliotekat publike nëpër komuna, ajo kujdeset për pasurimin fondit të tyre. Shkelzen Dragaj, këshilltar dhe shef kabineti në MKRS, ka thënë se ministria ndihmon këto biblioteka aq sa lejon ligji. Ai ka përmendur edhe vendimin e MKRS-së, me të cilin ndahen mjete për blerjen e 56 titujve të librave për nevoja të bibliotekave publike në vend. “Në total numri i librave të blerë është 4480, të cilët do t’u shpërndahen bibliotekave komunale dhe institucioneve të tjera sociale. Mbështetja financiare për këtë blerje kap shumën 19 mijë e 600 euro”, ka thënë Dragaj.
ISA VATOVCI