2013-07-25

CILI ISHTE KRIM I LUFTËS?



 Nga Berat Buzhala

Fjalimi i sotshëm në Kuvendin e Kosovës

Të nderuar kolegë deputetë, qytetarë të Republikës së Kosovës, jeta para se gjithash është një proces i komplikuar. E tillë është edhe jeta politike. Kurse fundamentalistët janë ata që e shohin atë si një proces të thjeshtë dhe përpiqen ta interpretojnë në mënyrë të ngushtë dhe rigjide. Ose bardh ose zi. Ose ditë ose natë. Ose mirë ose keq. Ose për ose kundër. Ose me ne ose kundër nesh. Ose mik ose armik.

Jam i bindur se ne debatin e sotshëm do të na bjerë të dëgjojmë tirada të pafundme dhe monotone të natyrës së "a ju kemi thënë ne në krye të herës". "Kur ne ishim kundër Eulex'it ju e kërkonit Eulex'in". "Tash jeni ngritur kundër Eulex'it sepse po ju dhemb ju".

Siç do të mund të na bjerë të dëgjojmë edhe të tilla, se ne edhe më tutje kemi nevojë për Eulex'in. Se po nxitohemi paksa.

Për disa po vonohemi, e për disa të tjerë po nxitohemi. Disa mendojnë se Eulex'in as që është dashur fare ta pranojmë, e disa të tjerë mendojnë se jo vetëm që është dashur ta pranojmë, por ne duhet që edhe t'ia vazhdojmë mandatin edhe më tepër, e madje te kemi edhe kujdes për gjuhen që e përdorim ndaj këtij misioni.

Të nderuar kolegë deputetë, kam qenë njëri prej deputetëve që para disa javësh pata kërkuar që të organizoheshim për të mbajtur një seancë, një debat, a quajeni ju si të doni, ku do të diskutonim për trendin në rritje të arrestimeve për krime të luftës. Personalisht nuk jam aspak i kënaqur me tekstin aktual. Do te doja të ishim shumë më eksplicit në kërkesën tonë.

Dhe kjo nuk është aspak sekret: Unë personalisht e konsideroj qesharake, nënçmuese, përbuzëse, joserioze, turpëruese, provokative dhe të pandershme fushatën e misionit te Eulex'it për t'i zbardhur gjoja krimet e luftës, 15 vjet pas luftës. E konsideroj si futje e gishtit në syrin tonë tendencën e Eulex'it për t'i arrestuar krerët e UÇK'së bazuar mbi disa deklarata të dëshmitarëve recidivistë.

Unë, të nderuar kolegë deputetë, sa herë ndërrojnë faktet i ndërroj mendimet. Kurse fundamentalistët provojnë t'i ndërrojnë faktet, në vend se t’i ndërrojnë mendimet.

Dhe faktet kanë ndryshuar në rrafshin e hetimit të krimeve të luftës. Misioni i Eulex'it po kujdeset të më bindë për çdo ditë në këtë drejtim. Nuk dëshiroj të keqkuptohem - madje as prej këtij misioni - sepse unë besoj fuqishëm në vlerat europiane.

Siç besoj edhe në luftimin e krimeve të luftës. Siç besoj dhe siç e respektoj edhe të drejtën e secilit individ dëshmitar, a gazetar, për të shprehur dyshime. Për të menduar ndryshe, qoftë edhe duke ngritur pikëpyetje të mëdha për ndershmërinë a korrektësinë e secilit prej pjesëtarëve të luftës.

Mirëpo, jo Mauricio Salustro, jo Fatos Lubonja e Arben Idrizi, por edhe po të ngrihet prej varrit vetë Giovanni Falcone nuk do të mund të më bindë se ngatërresat ndërshqiptare të bazuara kryekëput në Kanunin prapanik të Lekë Dukagjinit, mund të kategorizohen si krime të luftës.

Këto ngatërresa mund të janë krime që janë kryer gjatë kohës së luftës, por assesi nuk janë krime të luftës.

Pa dashur që në asnjë formë t'i rras duart e mia të ngathëta në punët e holla të drejtësisë, mirëpo megjithatë dëshiroj te them se jo çdo krim i kryer gjatë luftës është krim lufte. Kurse në anën tjetër të gjitha krimet e luftës janë të tilla vetëm nëse janë të kryera gjatë luftës.

Të nderuar deputetë, dëshiroj t'i ndaj me ju, e edhe me Eulex'in, dy krime që kanë ndodhur gjatë luftës dhe ju më tregoni mua se cili prej tyre është krim i luftës: në prill të vitit 1998 persona të maskuar, që flisnin shqip, që e kishin edhe emblemën e UÇK-së mbi supe, e ndoshta edhe të komanduar prej ndonjë figure eminente, i kanë rrahur pa mëshirë - e sidomos pa asnjë motiv lufte - nja 30 a 40 burra të fshatit Çabiq, të cilët edhe ashtu po e jepnin kontributin e tyre në çlirimin e vendit tonë. Më ndiqni me vëmendje ju lutem: Saktësisht një vit më vonë, në prill të vitit 1999, po në fshatin Çabiq - forcat serbe i vranë pa mëshirë, por me motive të forta lufte rreth 20 persona – në mesin e tyre edhe gjyshin e gjyshen time. Dua të nënvizoj se në mesin e të vrarëve prej forcave serbe kishte edhe prej atyre që një vit me herët ishin rrahur pa mëshirë prej personave të uniformuar me emblemën e UÇK'së.

Nëse me keni përcjellë me vëmendje atëherë dua te them se mungesa e mëshirës në kryerjen e krimit i përbashkon të dy krimet.

Mirëpo, këto dy krime dallohen sikur dita me natën te motivi i kryerjes. Në rastin e rrahjes motivi ka qenë hakmarrja primitive farefisnore. Thënë ndryshe, fqinji po e rrihte fqinjin, daja po e rrihte nipin, ose nipi po e rrihte dajën, por jo për shkak të ndonjë qëllimi ose motivi të lidhur me luftën, ose për të arritur qëllime në luftë. Pra, ky krim ka qenë, por jo i luftës.

Kurse në rastin e dytë, atë të vrasjes, vrasësit krimin po e kryenin me një gjakftohtësi tipike. Motivi kryerjes së këtij krimi ishte i qartë: frikësimi i popullatës dhe dëbimi i tyre prej shtëpive. Pra, ekzistonte komploti dhe konspiracioni. Po i vrisnin pleqtë e plakat në shtëpi, sikur vranë Gegë dhe Mane Buzhalën, 84 vjeç, jo pse ndaj tyre kishin urrejtje personale, por sepse duke i vrarë ata synonin t'i frikësonin të gjithë të tjerët që qëndronin në shtëpitë e tyre.

Kurse për fshatin Çabiq prioritet ka qenë, është dhe do të jetë zbardhja e vrasjes së më të dashurve të tyre, si dhe arrestimi i atyre që e nxitën, e orkestruan dhe e kryen këtë krim të luftës. Mirëpo, nuk jam i sigurt se çka konsideron prioritet Prokuroria e Eulex'it.

Javën e kaluar në hollin e Kuvendit e pata një debat tepër të veçantë me njërin prej kolegëve të një partie rivale, për të cilin kam respekt. Flisnim hapur nëse duhet të kemi një Tribunal vendor për krime të luftës, ose jo. Nëse ishim ne të zotët që të përballeshim me një detyrë kaq të rëndë dhe kaq me përgjegjësi ose jo. Kolegu im ishte skepktik në këtë drejtim. I kishte rezervat e tija, të drejta.

Pa dashur që të jam aspak sarkastik, mirëpo kohëve të fundit, unë u kam thënë të gjithë miqve, e sidomos atyre ndërkombëtar, se nëse qëllimi i Tribunalit të Krimeve të luftës është luftimi i këtyre krimeve sipas standardeve të shteteve të rajonit, ne do ta bëjmë një gjë të tillë me sukses të shkëlqyeshëm. Pra, dëshiroj që edhe prej kësaj foltore ta bindë kolegun tim skeptik se ne me një tribunal tonin të krimeve të luftës do të bëheshim shembull për rajonin, gjithmonë sipas standardeve aktuale.

Ndonëse - kjo është jashtëzakonisht me rëndësi të thuhet - ne kemi qenë viktima të luftës së fundit. Se ne jemi deportuar 1 milion veta me trena e traktorë duke e lemerisur gjithë civilizimin perëndimor, dhe jo vetëm. Se ne jemi vrarë si kafshët, bashkë me kafshët, në luftën e fundit. Dhe e fundit, por më e rëndësishmja, se luftën e fundit e ka filluar Sllobodon Milloshevici, e jo Sami Lushtaku. Se Samia e Syla nuk po luftonin në Nish, por në Drenicë.

Mirëpo, përkundër krejt këtyre rrethanave, unë edhe më tutje besoj se është në të mirën tonë si shoqëri që as në të kaluarën e as në të tashmen, e sigurisht as në të ardhmen, Serbinë të mos e shohim si njësi krahasuese. Serbia as nuk ka qenë, as nuk është, e me gjasë as nuk do të jetë, epiqendra e civilizimit që ne të themi se do të "bëjmë çfarëdo që të bëjë Serbia". Është e kundërta, ne nuk duhet të bëjmë çfarë ka bërë Serbia, e as çfarë bën Serbia. Por, nëse na thuhet prej Brukselit se krimet e luftës duhet të hetohen dhe dënohen sipas standardeve të Tribunalit të Serbisë për Krime të Luftës, atëherë ne duhet të jemi të gatshëm që kësaj sfide t'i përgjigjemi pozitivisht, qofte edhe nëse duhet që dënimet t'i bëjmë kokë për kokë. Tingëllon pak bizare, por të jeni të bindur se fitues do të dalim ne. Cili Tribunal për Krime të Luftës në rajon është duke arrestuar masovikisht, 15 vjet pas luftës, udhëheqësit kryesor të luftës?

Të nderuar kolegë deputetë, krejt në fund dëshiroj të them se duke përdorur mjete të gabuara nuk mund të arrihen qëllime të mira. Çka dua të them është se persekutimi që po i bëhet luftës së fundit, posaçërisht udhëheqësve të saj - analizojeni rastin e Fatmir L, siç do të mund ta quante Kafka - nuk është se po vendos drejtësi në vend. Këta njerëz po hetohen për tjetër gjë prej Eulex'it, kurse po gjykohen për tjetër gjë prej tribunalit të padukshëm, të njohur ndryshe si "tribunali i opinionin publik". Pra, Syla, Samiu, Fatmiri etj., etj., po hetohen prej Eulex'it për krime të luftës, kurse po gjykohen prej gjyqtarëve të pavarur, të pashpirtë dhe të padukshëm të "opinionit publik" për krimet eventuale që këta dhe të tjerat kanë mundur potencialisht t'i kryejnë pas luftës. Mirëpo, kështu as nuk vendoset e as nuk kënaqet drejtësia. Kështu vetëm relativizohet, devalvohet dhe degradohet krimi.

Të nderuar kolegë deputetë, Kosova dhe qytetarët e saj edhe me tutje janë duke kërkuar drejtësi. Ajo nuk është vendosur pas luftës prej nesh, e as prej UNMIK'ut. Ajo nuk është vendosur pas shpalljes së pavarësisë prej Eulex'it e as prej nesh. Të jeni të bindur se kështu do të jetë edhe tash e tutje. Jo pse Eulex'i nuk dëshiron të vendosë drejtësi, por sepse një mision i huaj e ka të pamundur të bëjë një gjë të tillë. Një gjë të tillë mund ta bëjmë vetëm ne, dhe jo vetëm për krimet e luftës. Kot ne do të provojmë të fshihemi pas njëri-tjetrit, e të gjithë bashkë pas një misioni të huaj, që ndoshta ata do të na i zgjidhin problemet tona. Kjo është vetëm një ëndërr e bukur, me falni që po ju zgjoj, që nuk do të bëhet realitet. Drejtësinë në mes nesh dhe drejtësinë me të tjerët do të mund ta vendosim vetëm ne. Por për këtë kërkohet profesionalizëm, objektivizim dhe posaçërisht guxim. Dhe arritja e këtyre standardeve varet prej nesh, saktësisht prej ne që jemi këtu, apo prej atyre që do të vijnë pas nesh.

Ka ardhur koha, të nderuar kolegë deputetë, që misionin e Eulex'it ta mbyllim në formën kështu siç është sot. Jo për arsye të një lloji pavarësimi absolut. Por për hir të drejtësisë...

Paqja në Ballkan në rrezik për shkak të ndikimit rus? Luftë në Kosovë nuk do të ketë ?!

                  Kërko brenda në imazh Shkruan  :Flori Bruqi, PHD Disa  vjet më parë nga Flakon Demaku Kryeministri i Kosovës, Albin Kurt...