2013-07-29

Familja Kastrioti nëpërmjet “akteve të Hilandarit”




...Mundësinë për të mësuar se sa kohë qëndroi Gjergj Kastrioti në oborrin e Muratit II na e japin dy dokumente... të njohura me emrin “aktet e Hilandarit”. Janë dy akte të shkruara serbisht me gërma cirilike, zbuluar në arkivin e manastirit serbo-ortodoks të Hilandarit, një nga manastiret e shumta që ndodhet në Malin e Shenjtë, në juglindje të Selanikut. Janë dokumentet më të vjetra që përmendin emrin e Gjergj Kastriotit. Janë zbuluar qysh më 1848 nga medievisti rus V. Grigoroviç dhe janë botuar disa herë nga autorë të tjerë.

Akti i parë është një akt-dhurim (akt-legim) i lëshuar nga Gjon Kastrioti në emrin e tij dhe të katër djemve të vet, në favor të manastirit të Hilandarit. Dokumenti përmban brenda në tekst shënimin se “akti u shkrua në vitin 6934”. Viti është sipas kalendarit bizantin, i takon periudhës prej 1 shtatorit 1425 deri më 31 gusht 1426. Studimtarët anojnë më shumë për vitin 1426. Akti është pajisur me vulën e Gjon Kastriotit. Në këtë akt Gjoni shkruan: “unë mëkatari dhe i pamerituari... Gjon Kastrioti me djemtë e mi Stanishin dhe Reposhin dhe Kostandinin dhe Gjergjin... dhe pasi u këshillova me djemtë e mi i dhuruam manastirit të shenjtë sipas fuqisë sonë... fshatin Radostushë me kishën e Shën Marisë së Papërlyer që është në atë fshat Radostushë, si dhe fshatin Trebisht...”.
Pastaj në akt Gjon Kastrioti thotë se me këtë dhurim ai dhe djemtë e tij hiqnin dorë nga të gjitha të drejtat që gëzonin deri atëherë mbi këto dy fshatra, duke ia lënë këto të drejta manastirit të Hilandarit. Akti i dytë është pa datë. Është një akt-shitje. Me këtë akt igumeni i manastirit, jeromonaku Athanas, në emrin e këshillit të murgjve të Hilandarit, i shet Gjon Kastriotit dhe tre djemve të tij pirgun e Shën- Gjergjit së bashku me disa prona të kësaj kulle. Dokumenti është i pajisur me një vulë prej dylli. Në akt thuhet se: “Gjon Kastrioti... shfaqi dëshirën të blejë pirgun e Shën Gjergjit për vete dhe për djemtë e tij, zotin Reposh dhe zotin Kostandin, dhe zotin Gjergj, së bashku me vreshtat, ullinjtë dhe të gjitha ato që i përkasin pirgut dhe me katër adelfate që t’i zotërojnë zoti Gjon, zoti Reposh, zoti Kostandin, zoti Gjergj. Në rast se ndonjëri prej tyre largohet (nga kjo botë, domethënë do të vdesë - K.F.) t’i merret adelfati prej manastirit. Dhe kur të largohen (nga kjo botë) të katër personat e sipërshënuar, pirgu do t’i kthehet përsëri manastirit dhe në librin e të vdekurve emri i tyre të përkujtohet derisa të ekzistojë Hilandari. Për të gjitha këto (Gjoni së bashku me tre djemtë e vet) i dhurojnë manastirit 60 florinj”.
Nga përmbajtja, sidomos nga krahasimi midis dy akteve të Hilandarit, vihet re një ndryshim me rëndësi të veçantë për çështjen që po trajtojmë. Në akt-legimin e Gjon Kastriotit përmenden emrat e katër djemve të tij. Kjo nënkupton se djemtë, së bashku me ta dhe Gjergji, më 1426, ndodheshin pranë të jatit, në mos pranë familjes, të paktën në kontakt me të. Na e thotë vetë Gjoni me frazën: “pasi u këshillova me djemtë e mi, ia dhuruam manastirit...”.
Emri i Gjergj Kastriotit përmendet edhe në aktin e dytë të Hilandarit, por këtu mungon ai i Stanishit. Ky fakt ka një rëndësi të dorës së parë. Përse mungon emri i Stanishit? Sigurisht, nuk ka vdekur, sepse ai përmendet jo vetëm në aktin tjetër të Hilandarit, që duhet të jetë i së njëjtës kohë, por edhe në një akt venedikas të vitit 1445. Mungesa e emrit të Stanishit shpjegohet me faktin se ai atë vit ndodhej në shërbim të sulltanit. Në të vërtetë ekziston një letër, që Senati i Venedikut i drejton, më 17 gusht 1428, Gjon Kastriotit, nga e cila del se një djalë i tij, (të cilit nuk i thuhet emri), është bërë “turk e mysliman”, domethënë ka hyrë në JANAR 2006 shërbim të Turqisë dhe, siç pretendon Gjoni, ka urdhër nga sulltani që të sulmojë jo vetëm vendet e Venedikut, por edhe tokat e të jatit...
Që ky djalë i Gjon Kastriotit, i bërë “turk e mysliman” ishte Stanishi, e shpjegon fakti që emri i tij figuron në njërin dhe mungon në tjetrin akt të së njëjtës kohë, fakt të cilin e sqaron vetë natyra juridike- politike e veprimeve që ato akte përfaqësojnë. Dokumenti i parë, që përmban edhe emrin e Stanishit, është një akt-legim. Manastiri, sado i krishterë që të ishte, nuk kishte arsye përse të refuzonte një “dhuratë” që i jepej nga kushdo qoftë, pa asnjë interes, siç është shprehur në dokument. Stanishi ishte kthyer prej kohësh në fenë islame me emrin Karaguz. Këtë e provon edhe fakti se ai ishte i ati i Hamza Kastriotit, lindur nga një nënë turkeshë me siguri para vitit 1426.
Por kjo nuk ishte arsye për manastirin që të refuzonte dhuratën e fshatrave Radostushë e Trebisht. Përkundrazi, këshilli i murgjve duhej të ngulte këmbë që në aktlegim të përfshihej edhe emri i Stanishit, sepse edhe ai, si bir i Gjonit, kishte të drejtën pjesore të pronësisë feudale mbi dy fshatra.
...Krejt ndryshe ndodh me aktin e dytë të Hilandarit - me akt-shitjen e pirgut të Shën Gjergjit. Kanonet kishtare nuk e lejonin manastirin t’ua shiste pronat e veta, sidomos kur këto ndodheshin pranë tij, institucioneve ose personave të besimit kundërshtar, qofshin myslimanë, qofshin katolikë. Pra, emri i Stanishit nuk figuron në aktin e shitjes së pirgut, sepse ai nuk ishte i krishterë, kurse prania e tij në akt-legimin e Gjon Kastriotit nuk e përjashton aspak mundësinë që ai të ishte mysliman. Ky diskutim për Stanishin na jep në dorë një element të rëndësishëm për Skënderbeun: prania e emrit të tij në të dy aktet e Hilandarit tregon se në vitin 1426 ai nuk konsiderohej nga këshilli i murgjve të manastirit si Stanishi, domethënë si një feudal mysliman, pra, në shërbim të Turqisë.
Këtu del edhe një çështje tjetër që kërkon sqarim. Sikurse u tha, akti i shitjes së pirgut të Shën Gjergjit duhej t’i qe dorëzuar Gjon Kastriotit, kurse në fakt, të dy aktet u gjendën në arkivin e Hilandarit. Kjo mund të shpjegohet me historinë e djalit të dytë të Gjonit, Reposh Kastriotit. M. Barleti thotë se Reposhi vajti peng së bashku me tre vëllezërit e vet dhe pastaj u helmua nga sulltani së bashku me Stanishin dhe Kostandinin. Gjon Muzaka, përkundrazi, shkruan se ai nuk vajti fare peng, por vdiq murg në malin Sinaj. Por asnjë nga këto tregime nuk është i saktë. Dëshmi kemi vetë varrin e Reposh Kastriotit.
Sipas përshkrimit që na jep V. Petkoviç, varri ndodhet brenda në katedralen e Hilandarit, në narteks, poshtë në murin verior, në një kamare (nishe) të gjerë, gjysmësferike, faqet e së cilës janë të pikturuara me subjekte kishtare. Nën pikturat gjendet një mbishkrim që tregon se në atë varr pushon Reposhi me titullin “dux illyricus” - dukë ilir, domethënë dukë shqiptar. Viti i vdekjes është shënuar 1431. Duke u mbështetur te një dokument në dorëshkrim të muzeut të Rumjancevit në Moskë, që ka botuar L. Stojanoviç, ku shënohet se Reposh Kastrioti ka vdekur më 25 korrik (pa përmendur vitin), V. Petkoviçi i bashkon me të drejtë këto dy data dhe thotë se Reposhi vdiq në Hilandar më 25 korrik 1431. Por mbishkrimi me titull “dux illyricus” na jep në dorë një element tjetër të rëndësishëm, se Reposhi nuk duhet të ketë vdekur si murg (“frate”, siç thotë Gj. Muzaka), sepse një nga kushtet themelore të jetës manastirore ka qenë heqja dorë e kallogjerit (murgut) nga të gjithë titujt zyrtarë e fisnikërorë. Mbishkrimi na lë të kuptojmë se Reposhi vdiq si fisnik me titullin “dukë”. Këtë mendim na e përforcon njoftimi tjetër që na e jep V. Petkoviç-i, se pirgu i Shën Gjergjit quhet në rrethet e Hilandarit edhe “Pirgu shqiptar” (Arbanashki pirg). Ky emër i dytë ka rrjedhur, padyshim, ngase në atë kullë do të kenë banuar për disa kohë reparte të armatosura shqiptare...
Duhet shtuar pastaj se, sipas aktit të igumenit Athanas, pirgu i jepej Gjonit dhe tre djemve të tij për ta zotëruar për aq kohë sa do të ishin gjallë. Pas vdekjes së tyre kulla do t’i kthehej përsëri manastirit. Me kthimin e kullës, nënkuptohet se do t’i kthehej Hilandarit edhe dokumenti i blerjes. Ka shumë mundësi që aktin e blerjes së pirgut ta mbante me vete Reposh Kastrioti, me vdekjen e të cilit në Hilandar, dokumenti ka kaluar pa ndonjë vështirësi në duart e këshllit të murgjve të manastirit. Kjo e përforcon mendimin se të dy aktet e Hilandarit janë redaktuar në të njëjtën datë, se janë dy instrumente të një marrëveshjeje të arritur, më 1426, midis Gjon Kastriotit dhe manastirit.

Marrë nga libri i prof. dr. Kristo Frashërit “Skënderbeu, jeta dhe vepra”

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...