Serafina Lajçi
“Natën, në të gjitha ato (mendjet) hynin gjithfarë mendime dhe me siguri, midis tyre, e veshur tetbil që të mos njihej, hynte marrëzia”
Romani “ Çështje të marrëzisë” i Kadaresë, sikur është lënë në heshtje në krahasim me romanet e tjera të këtij krijuesi të palodhur. Ky roman që e grish lexuesin në njohjen e jetës, në një njohje të re dhe me një këndvështrim unik, hyn në kategorinë e romaneve që kanë nivel të lartë të kreativitetit, stil unik të papërsëritshëm, ku mbizotëron subjektiviteti dhe fantazia e pakursyer.
Nëse në romanet e mëparshme Kadare e ka krijuar konceptin për botën, përmes një ligjërimi epik, tek “ Çështje të marrëzisë” e krijon kundërbotën e këtyre romaneve, duke e zhveshur ligjërimin nga karakteri epik dhe duke e dhënë shpjegimin e botës, të jetës, nga këndvështrimi fëmijëror i protagonistit të romanit.
Duke qenë vazhdim i romanit “Kronikë në gur”, në të cilin Kadare përmes botës së brishtë fëmijërore ka krijuar ‘kronikën’ e vendlindjes dhe të bashkëvendasve, të përcjellë nga rrëfimi naiv i djaloshit, protagonistit të romanit, edhe tek “Çështje të marrëzisë” rikthehet po ky djalosh, ‘kronika’ e të cilit tani është e dhënë përmes një këndvështrimi të ndryshëm nga i pari.
Ky fëmijë, tani nuk është thjesht ‘kronikani i qytetit të gurtë’, siç e kishte emërtuar më parë studiuesi Tefik Çaushi, por fëmijë që përpiqet të zbërthejë enigmën e jetës, njerëzit që sillen çuditshëm dhe që optika e tij prej fëmije i përcepton po ashtu çuditshëm. Nëse tek “Kronikë në gur”, ky djalosh e ka përceptuar botën nga vështrimi i tij fëmijëror, tek “Çështje të marrëzisë” mënyra e të përceptuarit është po ajo, fëmijërore, por ndryshon koncepti për jetën, situatat e rrethanat e ndryshme të saj. Tani në këtë roman, jeta nuk shikohet nën prizmin heroik, por nga një kënd përqeshës që zhvesh edhe ato pak tipare me vlerë që e përbëjnë jetën e njeriut.
Ngjarjet e romanit zhvillohen pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe çlirimit të Shqipërisë nga Italia dhe Gjermania fashiste, me një sistem të ri, socializmin, në krye me Partinë Komuniste. Pikërisht në këtë sfond kohor fillon çmitizimi i jetës, që Kadare e bën përmes protagonistit të tij, i cili duke mos i kuptuar njerëzit dhe duke mos gjetur një shpjegim të arsyeshëm për pyetjet që e mundojnë, vjen në përfundim se çdo gjë në qytetin tek jeton dhe botën që e rrethon, është thjesht një çështje marrëzie. Çmitizimi merr përmasa të gjera.
Duke marrë parasysh qe romani i referohet kohës së socializmit në Shqipëri dhe çdo gjëje që lidhet me këtë periudhë kohore, Kadare vë në thumb situata të caktuara, sikurse dalja e parë haptazi e Partisë Komuniste, marrëdhëniet e saj me popullin, modeli paraprak i socializmit rus dhe ndikimi i tij në jetën shoqërore shqiptare. Çmitizimi ngërthen këtu edhe pushtetarë si Leninin dhe Stalinin, të cilët janë të dhënë përmes një përshkrimi plot humor. Qesëndia e veçantë kadareane bëhet edhe më e kulluar kur në tallje bie edhe kryeministri, ministri i punëve të jashtme, ministri i mbrojtjes, udhëheqësi i ushtrisë së vendit, i pari i Partisë Komuniste, me një fjalë i pari i shtetit, ‘shoku’ Enver Hoxha, i shoqëruar me parullat e tij bezdisëse “Rroftë populli” e “Rroftë partia”.
Ky fëmijë-narrator i këtij romani, i mveshur me tipare karakteristike, pëson zhgënjimin e rëndë, bota dhe njerëzit nuk janë siç i kishte menduar, përfshirë këtu edhe babazotin e tij, i cili i ngjan themeluesit të parë modern shqiptar, por që i harruar në kohë, rri dhe lexon libra turqisht, duke mos u kujtuar që ndonjëherë të ketë themeluar ndonjë shtet! Skenat kur djaloshi vë në pikëpyetje nëse flamurin do të duhej ta kishte ngritur ndonjë ‘martir i çartur e i zbehtë’, e jo t’ia kishin lënë një ‘plaku të Vlorës’ që ‘ me siguri i dridheshin duart’, janë ndër pjesët më të bukura të romanit, ku fillon të marrë hov humori i veçantë i Kadaresë. Ky humori i lehtë kadarean e shoqëron lexuesin që nga fillimi, ku zhveshja e shtresave mitike dhe ngjyrosja ironike dhe sarkastike e tyre, të dhëna gjithnjë përmes fjalëve të protagonistit-fëmijë, janë karakteristika që e veçojnë romanin.
Pjesë e talljes kadareane ne këtë roman, nuk janë vetëm personat apo ngjarjet e caktuara. Një ironi përqeshëse i ngërthen edhe veprat e shkruara gjatë realizmit socialist, të cilat të mbushura me lavdata mbi jetën sociale të pas çlirimit, duke mos reflektuar aspak atë që në të vërtetë ekzistonte në shoqërinë shqiptare, krijonin një boshllëk në vlerën artistike-letrare të letërsisë shqipe. Me një fjalë, Kadare përmbys ato mangësi që janë shfaqur në jetën shqiptare dhe si të tilla kanë vazhduar rrjedhën e tyre nepër kohë.
Një shembull i tillë mund të merret nga fjalët e nënëmadhës, njëra nga personazhet e romanit, e cila duke folur për bylmetin shprehet: “Eh ç’djath qe ai që na sillte, me nder, Kiçua”, injorim ky i mbetur nga koha e mbretërisë, kur bujqërit trajtoheshin si mos më keq dhe gjithnjë me epitetin ‘me nder me thanë’ sikur të flitej për nevojë fiziologjike dhe jo për njeriun. Duke marrë parasysh që romani është i shkruar në vetën e parë, i ndërtuar mbi rrëfimin e fëmijës, i cili përveç rolit të protagonistit luan edhe rolin e narratorit, rrëfimin e tij, ashtu siç e ka potencuar Tefik Çaushi në studimin e tij mbi romanin “Kronikë në gur”, ‘lypset ta shohim më tepër në optikën e të voglit e jo të të madhit’.
Kjo ka përcaktuar edhe gjuhën dhe stilin e veçantë të romanit. Dialogët janë të ndërtuar në bazë të një gjuhe të thjeshtë, bisedimore dhe rrëfimtare, që i mundëson lexuesit kalimin më të shpejtë nga një pasazh në tjetrin, gjithnjë në formën e një bashkëbisedimi.Protagonisti i romanit është i skalitur më një kujdes të veçantë, në mënyrë që të depërtohet më mjeshtëri në botën e magjishme fëmijërore, përmes një këndvështrimi naiv që shpalos veprime e situata që veprës i japin dramacitet dhe gjallëri.
Djaloshi i romanit “Çështje të marrëzisë”, i zbulon edhe njëherë lexuesit imagjinatën dhe kërshërinë fëmijërore, përmes së cilave ai arrin në njohjen e botës. Dhe si qenka bota në sytë e një fëmije?! E tëra e zhytur në kaos, një marrëzi e pashpjeguar.Me humorin e veçantë, fantazinë dhe imagjinatën e pasur, romani e përvetëson lexuesin, duke e shpënë atë ne qilimin e bukur të jetës, në fëmijëri, atje ku çdo gjë është e magjishme, por edhe e marrëzishme.