Një histori e trishtë njerëzore


Një histori e trishtë njerëzore

Ndue Dedaj - Është historia e një njeriu. Sa e zakonshme, aq e pazakontë. Për të nuk ka ndodhur asgjë e vlefshme në këta njëzet vjet të pluralizmit politik shqiptar.

Nuk ka rënë Muri i Berlinit. Nuk është përmbysur diktatura. Ju mund të mos u besoni këtyre radhëve, por 68-vjeçari korçar me emrin Idriz Agolli, banor (informal) i Rrëshenit, ish-i dënuar politik, nuk ka pasaportizim, shtëpi, pension, nuk merr përkrahje sociale. Nuk ka adresë, pasaportë biometrike, kartë identiteti, asgjë që ta bëjë të identifikueshëm si shtetas, qytetar i këtij vendi, për të cilin ai që përplasur dikur në emër të lirisë dhe drejtësisë. Vuante prej shumë vitesh dënimin në Burgun e Spaçit. Pas ‘90-s vërtet doli, por e zuri poshtë diktatura e mbijetesës dhe e mjerimit, sa sot rron duke mbledhur kanoçe për t’i shitur(!) Me fjalë të tjera, vazhdon burgosja e tij në liri, stërkeqja e gjithanshme dhe kjo është e paimagjinueshme.

Do të ishte një gazetar i terrenit, me disponim ndaj problemeve sociale, Gjergj Marku, që do të binte në gjurmët e njeriut të munduar, do të shkruante për të me shqetësim në rrjetet sociale dhe befas do të kishte (pak) njerëz që do të nisnin të bënin atë që nuk e kishin bërë për njëzet vjet, as qeveria, as pushteti vendor, as shoqata e ish të burgosurve politikë, as instituti i integrimit të tyre etj. Për më tepër, në lagjen në periferi ku ai banon, e mbanin për familje rome (ende më keq ky paragjykim!) Njeriu vulnerabël, pra. Që na bën me turp të gjithëve. Shtetin shqiptar që i lejon vetes një “nënshtetësi” të tillë vulnerable në zemër të Europës. Historia është tipike nga ato të agjitacionit dhe propagandës dhe ka ngjarë nga mesi i viteve ‘70. Padi për regjimin e djeshëm, për procesin politik në ngarkim të tij, padi dhe për të sotmen, për braktisjen morale e sociale. Idrizi ishte brigadier në kooperativën e Plasës. I kishin çuar një të dënuar të punonte, i cili bënte nga dy norma në ditë dhe brigadieri nuk kishte si t’ia shkruante, po as t’i hante hakun. Atëherë normat tepër vendosi t’ia kompensonte me ditë pushimi. Kjo bëri të mblidhej urgjent organizata e Partisë, ku ai ishte anëtar. Plasi sherri. Sekretari i Partisë gjithë prepotencë i përmendi teserën i Partisë dhe kaq u desh që njeriu kurajoz t’ia flakte atë në fytyrë. Merret me mend, në këmbim të rebelimit të tij, do të fitonte Spaçin dhe ferrin, 10 vjet dënim politik dhe ca vite të tjera shtesë për kërcënimin që në gjaknxehtësi e sipër i kishte bërë funksionarit partiak. Pasi na i ka thënë të gjitha këto, gazetari Marku, shton: “Ky njeri i thjeshtë, i nëpërkëmbur, është një disident, ai e flaku teserën e Partisë në kohën kur të tjerë, dhe nga këta që kemi sot në qeverisje apo opozitë, e qepnin në xhepin e xhaketës. Është i sëmurë, ka për të bërë dhe një ndërhyrje kirurgjikale, por nuk e di derën e spitalit. Ku është altruizmi këtu? Shoqëria bën sikur nuk e sheh. Aq më tepër politika. Institucionet. Mos harro se ata që kanë dhënë ndihma ditët e fundit, nga 200 euro apo dollarë, janë emigrantë në Itali dhe Amerikë. Më e pakta ai duhej të kishte pensionin si ish-minator. Le pastaj kompensimi si ish i burgosur politik…”



Në emër të dinjitetit të shtetit



Rasti i tij mund të jetë unik, një ish i dënuar politik, pa asnjë përkrahje për njëzet vjet, që nuk ka plotësuar as dokumentet për të marrë këstet e kompensimit. Por Keti Bazhdari, një zonjë shkodrane, që kohët e fundit ka filluar të shihet në forumet e opozitës, si përfaqësuese e shtresës së ish të persekutuarve politikë, ka udhëtuar drejt Mirditës, për në shtëpinë e bashkëvuajtësit të panjohur, duke iu gjendur atij në krah, ku veç të tjerash do t’i premtonte edhe një pension modest prej biznesit të saj në Shkodër, sa të nisë përkujdesja shtetërore. Bashkë me të ka qenë dhe poeti dhe publicisti i njohur, Daut Gumeni, nga Tirana, gjithashtu ish i dënuar politik. Nuk pati ndonjë publicitet kushedi vizita e miqve të largët në banesën nevojtare të Idrizit, thjesht një kamerë e televizionit rajonal “Media plus” (Lezhë), sado që do të ishte e udhës të ishin aty dhe televizionet e Tiranës. Për ta bërë sa më publik rastin e pazakontë, në emër të dinjitetit njerëzor. Në emër të dinjitetit të shtetit. Po dhe për nevojat ekonomike që ky i vuajtur deri në rrënim ka. Nuk duam të politizojmë me këtë rast njerëzor, por ky nuk është vetëm fati i një njeriu, i një familje, ndaj si mund ta marrim në tetor ftesën fatlume për anëtarësim në BE pa bekimin e tij dhe vuajtjemëdhenjve si ai, ish të dënuar ose jo. Projekti-ideja për bërjen muze të ish-burgut të Spaçit është e mirëpritur. Kohët që do vijnë duhet ta prekin ndërgjegjen e prangosur të së djeshmes komuniste. Por ky njeri në mjerim është muze i gjallë, vazhdimi i “Spaçit” në kohën e sotme.

Është e pafalshme që këta njerëz të trajtohen me mëshirë nga ne, kur nuk e lypën atë as para gjyqeve të diktaturës. Dhe ishin aq shumë të tillë, të paepur, disidentë të mirëfilltë, që nganjëherë më kot i kërkojmë me qiri. Ylli Xhaxhika kishte qenë mjek për shumë vite në fshatrat dhe minierat e Mirditës, në vend që të ishte në spitalin qendror në kryeqytet, ndër të paktët studentë shqiptarë që nga studimet në Bashkimin Sovjetik ishte kthyer me titullin “Kandidat i shkencave”. Por kishte qenë ndëshkimi politik i të vëllait ushtarak, poetit të talentuar, Trifon Xhaxhika. Ka mbetur proverbiale thirrja e doktor Yllit drejtuar atij me 1961: “Mbaje kokën lart, vëlla”! Ditën që doktori u nda nga jeta, verën e shkuar, dëgjoje aq shumë vlerësime për të, ama veç ditën e fundit. Kohë më parë iku Gjon Nikollë Deda, një burrë i fisëm nga Jezulli, që kishte qenë dënuar si armik i pushtetit popullor qysh adoleshent, i cili deri ditën e fundit ishte i prirur për të mbjellë farën e mirësisë kudo mes njerëzve. Kështu janë ish-të dënuarit politikë, ikin pa zë, pa kërkuar ndere, favore, çmime, për atë që kanë bërë. Por a e kuptojmë ne të tjerët, të pavuajturit, këtë? A vemi tek ata, sa janë gjallë? A i kemi bërë pjesë të vetes? Shumë vetë mundet që vetëm sot dëgjojnë për një disident si shkrimtari Kin Dushi, ngaqë u bë një veprimtari, dhe ajo me nismën e familjarëve. Nëse në rastin e ish-brigadierit Idriz kemi një rebelim njeriu të zakonshëm që nuk e duron padrejtësinë politike dhe kur ajo i kushton të ardhmen, në rastin e Kin Dushit, Jusuf Vrionit, Lluk Kaçajt, Pano Taçit, Amik Kasoruhos e të tjerë, kemi modelin e ndërgjegjes së kulluar politike që na lipset dhe sot e gjithë e ditën; po dhe ndërgjegjes krijuese, intelektuale, qytetare, kombëtare. Janë ikona që na bëjnë nder të përulemi para tyre në qindvjetorin e shenjtëruar të shtetit shqiptar.

Tranzicioni i ngatërroi keq lëmshat, të drejtat me të padrejtat. Ata nuk u nisën nga i njëjti start në vitet ‘91-‘92. Dikush nxitonte të kafshonte pronat, trojet, fabrikat, arat, kurse ata linin gardhet e hekurt të Spaçit, Qafë-Barit, Burrelit, Ballshit etj. Nuk integrohen duke marrë politika poza para tyre, as duke u premtuar qeveria kompensim që zvarritet pa fund, as duke lexuar mesazhin në celular të ndonjërit sosh kreu i opozitës. Ata guxuan atëherë kur ishte e ndaluar të guxoje. Po sot a ka “burra dheu” që mund ta bëjnë këtë? Në kushte lirie. Jo të lënë partinë e Berishës për të kaluar tek e Topit, apo partinë e Ramës për të kaluar tek e Metës, por t’ua përplasin “teserën” në fytyrë shefave, në kryesitë e partive, në mbledhjet e grupit parlamentar, ku shihet të flasin vetëm liderët. Mos qoftë e thënë. Dhe një arsye më shumë pse duhet ta kthejmë kryet nga disidenca e djeshme, dhe nga ajo më e thjeshta.

***

E teksa dikush ka filluar të trokasë në derën e ish të burgosurit politik në Rrëshen, faleminderit Gjergj, që me leçitjen e historisë së mjerë të këtij njeriu, tregove dhe njëherë se si gazetaria mund të jetë humane dhe shërbyese. Faleminderit Keti, që ia gjete shtëpinë e vuajtjes një bashkëvuajtësi të deheroizuar të kësaj kohe. Faleminderit Suela, Martin dhe Man, që niset nga paratë tuaja të emigracionit për një familje të vobektë. Faleminderit dhe ju fëmijë, që fill pas koncertit artistik të 1 Qershorit, veshur me kostumet popullore siç ishit, shkuat te shtëpia e njeriut Idriz me ca dhurata të vogla, për t’i dhuruar pak nga buzëqeshja e munguar. Për këtë kanë nevoja ata, ish – të persekutuarit politikë dhe jo vetëm ata, por të gjithë njerëzit e shtresat sociale në nevojë, për fytyrën e vërtetë të humanizmit njerëzor e shtetëror.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)