Një monografi me vlerë
Instituti Femnor "Nana Mbretneshë" nga Meri Lalaj
(esse)
Nga Përparim Hysi
Pak njerëz mund ta dinë që, sivjet, në 2 tetor, mbushen plot 80-vjet nga krijimi i Institutit Femnor "Nana Mbretneshë". Krijimi i këtij instituti vetëm për femra,është meritë së pari i një patrioti të madh, të Profesor- doktor Mirash Ivanaj.
Ky qe promotor i ngritjes së një shkolle të tillë, e cila, përmjet nxënësve dhe trupës mësimore nga krijimi dhe deri sa u "shkri" ka lënë gjurma me vlera të pakompensueshme në gjithë arsimin shqiptar. Profesor Ivanaj, ministër arsimi i asaj kohe investoi gjithë autoritetin dhe dijet e veta për të vënë në krye të këtij institucioni me kaq vlera, një trupë mësimore me përgatitje të lartë profesionale dhe me një kulturë të gjithanëshme marrë, en bloc, në shkollat e perëndimit. Autorja, Meri Lalaj, që ka hulumtuar arshivave dhe ka bërë takime kokë më kokë me ish-nxënëse të kësaj shkolle, ka ditur ta qëmtojë dhe ta veçojë meritën e madhe të Profesor Mirash Ivanajt dhe, ndaj, edhe librin ia ka kushtuar këtij personaliteti të madh të kulturës dhe arsimit shqiptar.
* * *
Të shkruash një monografi për një institucion të tillë arsimor, siç qe Instituti "Nana Mbretneshë", për arsye subjektive të kohës, nuk është fare e lehtë. Dihet mirë se si regjimi komunist, pothuajëse e fshiu fare nga kujtesa egzistencën e një shkolle të tillë dhe, me sa shihet, autorja ka hequr jo pak ( do të thosha një kalvar të vërtetë), në hulumtimit e ngjarjeve dhe në gjetjen e personave me të cilët ka komunikuar kokë më kokë. Duke u njohur me këtë libër (pata fatin që të jem nga të parët që e lexoj), s'kam se si mos arrij në disa përfundime. Kam qenë vet në arsim jo pak po mbi 40-vjet dhe, kur marrë e lexoj librin, më duket se shumë nga këta nxënës të kësaj shkolle elite për kohën, më dalin të " njohur" dhe jo vetëm kaq. Me kontributin e tyre (sidomos në kohën e pushtimit fashist) në fushën e arsimit apo kudo tjetër, janë si modele të femrave që kanë sjellë qytetërim atje ku kanë punuar. Kanë qenë modele të atdhetarisë, kur vëndi u pushtua nga fashistët dhe kanë rrezatuar me diturinë e tyre në fushat ku kanë punuar.
Unë jam një nga nxënësit e ish-Normales së Elbasanit dhe në se Normalja (unë për programet që kishte e kam quajtur Universitet!), qe Fidanishtja e madhe e Arsimit Kombëtar Shqiptar, Instituti Femnor "Nana Mbretneshë" ka qenë Lulishtja e Arsimit Kombëtar Shqiptar. Se unë çdo femër e quaj lule. Dhe lule qenë dhe ato,en bloc, që mbaruan atë shkollë.
* * *
Natyrisht, kur merr e flet për një libër, nuk është se të ndjek dikush me shkop dhe të ngutesh për t'i thënë gjërat dy hunj e një purtekë. Përkundrazi. Libri ka një fillim e një vazhdim dhe, në dinamikën e tij, ka shtjellime që duhet t'i vlerësosh. Në flas me superlativa për këtë "Lulishtë", merita nuk është aspak imja. Profesor Ivanaj investoi tek kjo shkollë një trupë të kualifikuar duke filluar nga një drejtor si Profesor Papahristo ( po kush nuk ka dëgjuar për të?!) e duke vazhduar me të tjerë,si : Profesorët Vasil Vinjau, Hysni Babameto, Jorgjie Filçe(Truja),Lola Aleksi(GJoka) e më vonë Arshi Pipa, Ahmet Gashi, Ollga Nikolla ( motra e Migjenit) e për të vazhduar me Qibrien Ciun,Fatbardha Gegën,Vangjeli Mele e të tjerë e të tjerë. Parë veç kalimthi, veç emrat e profesorëve, të bëjnë që të ngrihesh në këmbë në shënjë nderimi për këta diturakë me emër, shumë prej të cilëve, për shkaqe shumë banale (barbare më sakt) e pësuan zi e më zi, nga regjimi diktatorial komunist. Ngrica komuniste ardhur si rrebesh i zi nga Rusia,sakatoi jo vetëm jetët e këtyre diturakëve ( i futi në burg, i torturoi apo i denigroi keq e më keq), por ra dhe mbi lulet më të bukura të kësaj "Lulishteje". Në se këto vajza luftuan kundra fashizmit, komunizmi i Enver Hoxhës i shumëzoi me zero jo vetëm dijet e tyre,por dhe veprën patriotike. Lexoni librin dhe aty do gjeni antifashizmin,por në të njjtën kohë,do gjeni dhe femra me ide nacionale që qenë larg ideve komuniste. Shikoni në libër se do gjeni edhe Sabiha Kasimatin, por dhe Musine Kokolarin. Do gjeni Drita Kosturin (të fejuarën e Qemal Stafës; më vonë të Myzafer Pipës që e vranë me tortura në burg). Drita Kosturin që për meritat e saj në luftë kundër pushtuesit, dikattura e dërgoi në internim në Shtyllas të Fierit. Atje pastronte stallat e pulave. Do gjeni dhe Ramize Gjebrenë e bukur që pati atë fund aq tragjik: e vranë se dashuroi! Do gjeni Miss Nermin Vlorën (Palaski) që prehet në Kaninë. Është ajo Nermini i bukur, për të cilën qe mbyllur porta deri sa" ngordhi lideri". Do gjeni Liri Belishovën, idealisteten komuniste (arriti deri në Byronë
Politike), që pohon me gojën e saj se si e "pagoi" doganën vetëm pse qe kundër njëshit! Do gjeni Liri Gegën që luftoi kundër fashizmit dhe u pushkatua nga komunistët. Do gjeni dëshmoren e bukur të luftës, Margarita Tutulani. Do gjeni edhe të tilla që, kur qenë në pushtetin komunist, "harruan" dijet perëndimore ë morën në këtë shkollë cilësore dhe arritën t'i shihnin njerëzit (edhe shoqet e tyre të shkollës), si nga re puplore, të paarritshëm nga frymorë të tjerë, ashtu siç shihte aristokarcia romake skllevërit. Oh, Zot! Pse të ndodhë kështu? Kur fut këto radhë e kam fjalë drejt për drejt për Nexhmie Hoxhën që mbaroi këtë shkollë.Them për të,se mbaroi po këtë shkollë me xhaxheshën time, Mynever Skrapari, por as që donte të dinte për të, kur i pushkatoi të shoqin, Hilmi Hysin, me grupin e dytë të deputetëve. Për Fiqret Shehun që mbaroi këtë shkollë. Dhe për ndonjë tjetër që tani nuk më kujtohet. Në se Fiqret Shehu (për mua nuk e meritonte atë fund kaq të lemerishëm) e pagoi atë qëndrim aq pasionant ndaj socilaizmit ngadhnjimtar, vetëm Nexhmie Hoxha jo vetëm rron, por është e pozicionuar ende në bunkerin komunist. Është pak e çuditshme,se, ndërsa pasqyrat janë përpara, ajo ende qëndron karakoll në atë istikam. Ka thënë dikush: -Shkolla të jepë një faturë, kurse njeri zor të bëhesh.
Në mbyllje të ktij shkrimi, mund të them vetëm kaq: Meri Lalaj ka bërë një punë skrupuloze duke sjellë për lexuesin shqiptar, vlerat e një shkolle elite. Ka sjellë një "Lulishte" selitur nga duar ustallarësh diturakë. Është tjetër punë që mbi këtë "Lulishtë" të bukur ra "ngrica" komuniste. Shumë prej luleve edhe sot parfumojnë me erën e këndshme të diturisë. Në se ndonjë prej këtyre "luleve", u shartua gjatë kohës me gjëmbacë, kjo nuk do të thotë që vlera e kësaj "Lulishteje" të zhbëhet. Përkundrazi. Atdheu dhe Arsimi Shqiptarë krenohet me shumë prej tyre.
Meri Lalaj ! Të përshëndes dhe të uroj për punën aq ngulmuese që ke bërë. Ke ngërmuar në një pus miniere dhe ke nxjerrë prej saj xehrërorë me vlerë.
Tiranë, 23 korrik 2013