2013-07-24

FLORI BRUQI “Ëndrrat e ujqve” të Yasmina Khadras




Deri në vitin 2001, askush nuk e dinte se shkrimtarja që po bënte bujë me romanet e saj, në fakt nuk ishte një grua. Për vite me radhë, Mohammed Moulessehoul u fsheh pas emrit të një gruaje, për t’i shpëtuar censurës ushtarake. U quajt Yasmina Khadra, i cili nuk është një emër i panjohur edhe në Shqipëri. Pas suksesit në gjuhën shqipe të katër romaneve “Dallëndyshet e Kabulit”, “Sirenat e Bagdadit”, “Atentatorja”, “Kushërira K”, të botuara nga shtëpia botuese “Bota Shqiptare”, vjen sërish me një tjetër roman “Ëndrrat e ujqve”, prurë në shqip me mjeshtëri të lartë nga Nonda Varfi. Yasmina Khadra, i lindur më 1955-n në Saharanë algjeriane, është shkrimtar algjerian frankofon me zë në letërsinë algjeriane dhe franceze, i njohur dhe i përkthyer në më tepër se 40 gjuhë. Dy nga romanet e tij janë vënë tashmë në ekran. Oficer në ushtrinë algjeriane, Moulessehoul, për një kohë të gjatë përdori pseudonimin femëror për t’i shpëtuar censurës ushtarake. Pavarësisht suksesit të shumë botimeve në Algjeri, Moulessehoul identitetin e tij e zbuloi më 2001-n, pas largimit nga ushtria dhe pas marrjes së azilit në Francë. Sot banon në Aix-en-Provence. “Yasmina Khadra është një nga shkrimtarët madhorë të sotëm”, është shprehur afrikanojugori J.M Coetzee, fitues i çmimit “Nobel” 2003. Për Khadrën, shkrimi, qysh në fëmijëri, është perceptuar si një dhunti e dhënë nga qielli, që, në këmbim të hijeshisë, kërkon përmbushjen e një misioni. Grishjet e para për të rrëfyer dhe shkruar, Khadra ia dedikon fisit të tij saharian, nënës së vet, që e mëkoi dhe i la trashëgimi mjeshtërinë rrëfyese të përrallave, ngjarjeve, historive dhe legjendave, mjeshtëri që Khadra e shpalosi në të shkruar dhe që spikat edhe në stilin e tij. Veç kësaj, ashtu si te shumë shkrimtarë të kësaj treve, në formimin e Khadrës kanë ndikuar shumë shkrimtarë e letërsi të mëdha. Në romanin “Shkrimtari” dhe “Mashtrimi i fjalëve”, si dhe në intervistat e tij në shumë media të shkruara dhe vizive, Yasmina Khadra përmend emrat e mjeshtërve të tij, si Kamy, Kateb Yacine, Nazim Hikmet, Niçe dhe autorë të tjerë, të shquar si Dostojevski, Steinbeck, Gorki etj. Por lidhja me këta autorë, “kjo miqësi në yje” (sipas Niçes) nuk mjafton, nuk e ka penguar Khadrën të shpalosë gjeninë krijuese dhe individualitetin e tij. Këta shkrimtarë madhorë janë udhërrëfyesit, faret ndriçues, frymëzuesit, që mes harmonive prestigjioze nuk e kanë penguar të luajë edhe ai muzikën e vet. Khadra ka stilin e tij. Disa flasin për lirizëm, metafora të papritura e të mrekullueshme, lidhje mes prozës dhe poezisë, gjuhë dhe sintaksë të ndërlikuar, imazhe të forta, të papërballueshme, por të bukura, për dhunë dhe harmoni, për muzikë dhe harmoni të fjalëve. Ai është mjeshtër i thurjes së intrigës. Intriga, vrasës, viktima, hetime, komisar atipik, stil policesk, diku, si te James-Hadley, Raymond Chandler, Lawrence Block, Jean-Claude Izzo, e pastaj romani “Shkrimtari” si libër kujtimesh, “Mashtrimi i fjalëve” si pamflet; “Kushërira K”, që i shmanget gjinisë së romanit, edhe pse cilësohet si i tillë dhe, së fundi, romanet “Delet e Perëndisë”, “Ëndrrat e ujqve”, “Dallëndyshet e Kabulit”, ku lexuesi sheh një lloj reportazhi dihatës mbi jo njerëzoren, mizoren, të padurueshmen, të para këto nga brenda, në gjykimin e një udhërrëfyesi të dokumentuar mirë mbi çështjen. LIBRI “Ëndrrat e ujqve” rrëfen Algjerinë e viteve ’80, edhe pse koha nuk ka ndryshuar shumë gjëra qysh atëherë. Nafa Ualid, një djalosh algjerian nga shtresa e varfër e shoqërisë, ëndërron të bëhet aktor kinematografie me famë botërore. Përpjekjet e tij për të trokitur në dyert e filmit, fillimisht premtuese, mbeten iluzion i një bote të paarritshme. Ky roman zbulon universin e korruptuar të shoqërisë ku jeton, ku ligji për të pasurit nuk funksionon e njeriu i thjeshtë është viktimë e sistemit. Një jetë e trazuar, një rendje pa kthim drejt ferrit, këtë na rrëfen, përmbledhtazi Yasmina Khadra. Po përse, për ç’shkak, për ç’arsye? Cili është ai ingranazh që e merr me vete Nafan drejt rrokullimës së pafund? Yasmina Khadra ka shkuar një libër të guximshëm, që nxjerr lakuriq situatën dramatike të Algjerisë pas shpalljes së pavarësisë kur nis tragjedia islamike. Nafa, i indoktrinuar, me lavazh truri, kthehet në makinë vrastare. Romani i Yasmina Khadrës është një fotografi, një dëshmi e llahtarit të një dekade të përgjakur, një tragjedi në kuptimin më antik dhe më absolut të fjalës. Ky roman vjen në shqip në mënyrë mjeshtërore nga njohësi i thellë i gjuhës frënge, profesor Nonda Varfi. Gjuha e vështirë e plot nuanca vjen në shqip me shprehje të zgjedhura, strukturë sintaksore të përsosur e një gjuhë plot kolorit. Përkthyesi ka qëmtuar plot durim e këmbëngulje çdo fjali e fjalë për të sjellë sa me vërtetësi, aq dhe artistikisht mjeshtërinë dhe stilin e autorit. Herë-herë të ngjan sikur Khadra flet shqip. Lexuesi gjen në përkthimin e Nonda Varfit gjuhën e bukur dhe të pasur shqipe plot figuracion dhe metafora që materializon madhështinë dhe universalitetin e Yasmina Khadrës.


Yasmina Khadra - "
Ëndrrat e ujqve"
(roman)

E përktheu: Nonda Varfi

Nr. i faqeve 316

ISBN 978-9928-00-78-1

Çmimi 1000 lekë

Shtëpia botuese BOTA SHQIPTARE



Yasmina Khadra, me emrin e vërtetë, Mohammed Moulessehoul, pas suksesit në gjuhën shqipe të katër romaneve: Dallëndyshet e Kabulit, Sirenat e Bagdadit, Atentatorja, Kushërira K, të botuar nga shtëpia botuese “Bota Shqiptare”, vjen sërish me një roman tronditës, Ëndrrat e ujqve, prurë në shqip me mjeshtëri të lartë nga Nonda Varfi.

Yasmina Khadra, i lindur më 1955 në Saharanë algjeriane, është shkrimtar algjerian frankofon me zë në letërsinë algjeriane dhe franceze, i njohur dhe i përkthyer në më tepër se 40 gjuhë. Dy nga romanet e tij janë vënë tashmë në ekran.

Oficer në ushtrinë algjeriane, Moulessehoul, për një kohë të gjatë përdori pseudonimin femëror për t’i shpëtuar censurës ushtarake. Pavarësisht suksesit të shumë botimeve në Algjeri, Moulessehoul, identitetin e tij e zbuloi më 2001, pas largimit nga ushtria dhe pas marrjes së azilit në Francë. Sot banon në Aix-en-Provence.

« Yasmina Khadra, siç shprehet edhe afrikano-jugori J.M Coetzee, fitues i çmimit Nobel, 2003, është një nga shkrimtarët madhorë të sotëm ».

Sigurisht, madhështia e një shkrimtari lidhet dhe shpjegohet me shumë faktorë, që kanë ndikuar në ngjizjen dhe zhvillimin e prirjeve të tij estetiko-letrare.

Për Khadrën, shkrimi, qysh në fëmijëri, është perceptuar si një dhunti e dhënë nga Qielli, që, në këmbim të hijeshisë, kërkon përmbushjen e një misioni.

Grishjet e para për të rrëfyer dhe shkruar, Khadra ia dedikon fisit të tij saharian, nënës së vet, që e mëkoi dhe i la trashëgimi mjeshtërinë rrëfyese të përrallave, ngjarjeve, historive dhe legjendave, mjeshtëri që Khadra e shpalosi në të shkruar dhe që spikat edhe në stilin e tij.

Veç kësaj, ashtu si te shumë shkrimtarë të kësaj treve, në formimin e Khadrës kanë ndikuar shumë shkrimtarë e letërsi të mëdha. Në romanin Shkrimtari dhe Mashtrimi i fjalëve, si dhe në intervistat e tij në shumë media të shkruara dhe vizive, Yasmina Khadra përmend emrat e mjeshtërve të tij, si Kamy, Kateb Yacine, Nazim Hikmet, Niçe dhe autorë të tjerë, të shquar, si Dostojevki, Steinbeck, Gorki, etj. Por lidhja me këta autorë “kjo miqësi në yje” (sipas Niçes), nuk mjafton, nuk e ka penguar Khadrën të shpalosë gjeninë krijuese dhe individualitetin e tij. Këta shkrimtarë madhorë janë udhërrëfyesit, faret ndriçues, frymëzuesit, që mes harmonive prestigjioze nuk e kanë penguar të luajë edhe ai muzikën e vet.

Letërsia e Khadrës është një letërsi me forcë të madhe impresionuese, që askush sot nuk mendon t’ia kundërshtojë vlerën dhe rëndësinë. Rëndësia dhe vlerat e saj qëndrojnë si në formë, stil, ashtu edhe në mesazhet e forta që përcjell.

Khadra ka stilin e tij. Disa flasin për lirizëm, metafora të papritura e të mrekullueshme, lidhje mes prozës dhe poezisë, gjuhë dhe sintaksë të ndërlikuar, imazhe të forta, të papërballueshme por të bukura, për dhunë dhe harmoni, për muzikë dhe harmoni të fjalëve. Ai është mjeshtër i thurjes së intrigës. Intriga, vrasës, viktima, hetime, komisar atipik, stil policesk, diku, si te James-Hadley, Raymond Chandler, Lawrence Block, Jean-Claude Izzo, e pastaj romani Shkrimtari si libër kujtimesh, Mashtrimi i fjalëve si pamflet; Kushërira K, që i shmanget gjinisë së romanit edhe pse cilësohet si i tillë dhe, së fundi, romanet Delet e Perëndisë, Ëndrrat e ujqve, Dallëndyshet e Kabulit, ku lexuesi sheh një lloj reportazhi dihatës mbi jo njerëzoren, mizoren, të padurueshmen, të para këto nga brenda, në gjykimin e një udhërrëfyesi të dokumentuar mirë mbi çështjen.

Khadra, mjeshtër i rrëfimit, me një frëngjishte të bukur, ku ngërthehen harmonishëm nivelet dhe stilet e gjuhës, dialogët, përshkrimi me narracionin, ku trazohen dhe shkrihen pa u vënë re zërat narrativë, ku fjalët përdoren me kuptimet dhe ngjyrimet më të skajshme dhe më imta, me një pasuri leksikore dhe frazeologjike të madhe, krahas bukurisë së stilit, veprën e tij e vë në shërbim edhe të përçimit të mesazheve të forta, sepse, siç e përmendëm më sipër, kërkon t’ia shpërblejë Qiellit dhuntinë që i ka dhënë duke përmbushur një mision. Dhe ky mision i shenjtë përmblidhet në luftën e përhershme të së mirës ndaj së keqes. Në një intervistë të dhënë, Khadra nënvizon: “E Mira nuk ka triumfuar kurrë ndaj të Keqes. E keqja është dorëzuar, e lodhur nga abuzimet e saj. Llobët (komisar policie, personazh në një roman të Khadrës) dhe Khadrat janë këtu, pikërisht për të mos e fshehur”. E gjithë vepra e Khadrës përshkohet nga ky ideal dhe përçon këtë mision. Sigurisht, një detyrë e tillë nuk është pa kosto. Por Khadra nuk tutet për të na dhënë nëpërmjet trillit realitetin e rëndë në Algjeri, Afganistan, Irak, Izrael apo Palestinë e gjetiu, vende ku fundamentalizmi ngre krye për të tronditur botën e qytetëruar, nuk tutet ta kritikojë atë dhe ta përshkruajë me nota herë të zymta, herë tragjike. Para realitetit askush nuk mund t’i mbyllë sytë. Është një realitet i brishtë, problematik, ku ndërthuren e gërshetohen shumë probleme sociale, etnike, fetare, zakonore, politike, që kërkon shumë zgjidhje për vendosjen e normalitetit. Lexuesi ka çfarë të njohë dhe të kuptojë nga romanet e Khadrës, të nxjerrë mësime për të bërë Luftën e Drejtë, sepse ndodhitë përsëriten në kohë dhe hapësirë, shpeshherë biem viktima jo të fatit por të ideologjive.



"Ëndrrat e ujqve" rrëfen një itinerar të pakuptimtë e megjithatë të zakontë, në Algjerinë e viteve 80. (por gjërat përsëriten ende sot, atje dhe gjetiu). Nafa Ualid, një djalosh algjerian nga shtresa e varfër e shoqërisë, ëndërron të bëhet aktor kinematografie me famë botërore. Përpjekjet e tij për të trokitur në dyert e filmit, fillimisht premtuese, mbeten iluzion i një bote të paarritshme. Ky roman tejet tronditës, njëherësh, zbulon universin kryekëput të korruptuar të shoqërisë, ku jeton, ku ligji për të pasurit nuk funksionon e njeriu i thjeshtë është viktimë e sistemit.

Një roman rrëqethës, një jetë e trazuar, një rendje pa kthim drejt ferrit, këtë na rrëfen, përmbledhtazi Yasmina Khadra. Po përse, për ç’shkak, për ç’arsye? Cili është ai ingranazh që e merr me vete Nafan drejt rrokullimës së pafund? Yasmina Khadra ka shkuar një libër të guximshëm. Një cikël infernal, i përshkruar bukur, që nxjerr lakuriq situatën dramatike të Algjerisë pas shpalljes së pavarësisë kur nis tragjedia islamike. Nafa, i indoktrinuar, me lavazh truri, kthehet në makinë vrastare.

Yasmina Khadra, para se të përshkruajë kasaphanën integriste, përshkruan tablonë e zymtë të situatës politike mbretëruese dhe nëpërkëmbëse, pabarazitë flagrante, që shtyjnë një numër jo të pakët të rinjsh drejt humnerës integraliste për të bërë një vetëflijim qorr.

Romani i Yasmina Khadrës është një fotografi, një dëshmi e llahtarit të një dekade të përgjakur. Është një bjerrje drejt ferrit të një njeriu të frustruar. Por, në fund të fundit, “Ëndrrat e ujqve” është një tragjedi në kuptimin më antik dhe më absolut të fjalës. Gjithsesi, theksojmë se, në ndryshim nga shfaqja, islamizmi nuk është subjekti real i romanit, por këtu është një shembull i cakut aq të brishtë të kufirit mes qytetërimit dhe barbarisë, mes njerëzimit dhe monstruozitetit.

Romani i Khadrës na nxjerr jo pa mjeshtëri, e jo pa talent, as me mizori, pjesën kafshërore që fle brenda sekujt, sado i ndjeshëm dhe inteligjent qoftë. Dhe kjo shpjegohet me kontekstin politik, social, familjar dhe historik. Mjafton që diçka e vogël të krisë që fati të marrë udhën e rrëpirës, të shkojë nga drita në errësirë, nga ëndrra në kllapi.



Ky roman i prurë në shqip në mënyrë mjeshtërore nga njohësi i thellë i gjuhës frënge profesor Nonda Varfi të emocionon e të ngërthen të tërin që në leximin e parë. Gjuha e vështirë e plot nuanca, nga më të spikaturat e Khadrës vjen në shqip me shprehje të zgjedhura, strukturë sintaksore të përsosur e një gjuhë plot kolorit. Përkthyesi ka qëmtuar plot durim e këmbëngulje çdo fjali e fjalë për të sjellë sa me vërtetësi aq dhe artistikisht mjeshtërinë dhe stilin brilant të autorit. Herë-herë të ngjan sikur Khadra flet shqip. Lexuesi gjen në përkthimin e Nonda Varfit, gjuhën e bukur dhe të pasur shqipe plot figuracion dhe metafora që materializon madhështinë dhe universalitetin e Yasmina Khadrës. Përfundimisht mund të themi se romani 'Ëndrrat e ujqve', së bashku me veprën e Khadrës, është bërë për t’i qëndruar kohës dhe, mendoj se ia vlen, do të lexohet edhe nesër. Kështu e ka letërsia, peshën dhe çmimin ia lë në dorë lexuesit për t’i vlerësuar.


Libri që përshkruan më mirë si krijohet fondamentalizmi islamik. - "New York Times"
Një shkrimtar që e kupton njeriun në çdo rrethanë. 
- "New York Times"
Yasmina Kadra është një nga shkrimtarët e rrallë që na japin një kuptim mbi dhunën në Algjerinë e sotme.
 - "Newsweek"


Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...